Nga Sadegh Pashm-Foroush [Eurasia Review]
Bilanci politik i fuqisë në Lindjen e Mesme është zhvendosur në mënyrë dramatike kundër regjimit të Iranit. Goditjet e vazhdueshme ndaj forcave prokure të regjimit kanë krijuar një situatë të paprecedentë për regjimin, të tillë që nuk e ka përjetuar kurrë më parë. Këto ndryshime po ndodhin në një kohë kur regjimi as nuk ka kapacitet për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe as nuk mund të përballojë të rrijë duarkryq. Në të dyja rastet, rezultati parashikon humbje për regjimin.
Për më shumë se tre dekada, regjimi mbijetoi përmes forcave të tij përfaqësuese, duke u përpjekur të zgjeronte ndikimin dhe shtrirjen e tij operacionale. Por tani, këto forca janë vazhdimisht nën presion dhe po dëmtohen. Kjo situatë ka krijuar sfida serioze për regjimin, duke ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë e tij të brendshme. Regjimi është më i vetëdijshëm se kushdo për trazirat që ziejnë në shtëpi dhe në fakt, të gjitha provokimet e tij të fundit kanë synuar të largojnë vëmendjen nga problemet e brendshme të Iranit.
Qeveritë demokratike apo edhe gjysmë demokratike e marrin mbijetesën dhe legjitimitetin e tyre nga votat e qytetarëve të tyre. Këto qeveri tërhiqen pas përfundimit të mandatit të tyre të pushtetit. Ata ose dalin nga skena politike ose tërhiqen në plan të dytë, duke pritur ciklin e ardhshëm. Megjithatë, në regjimet diktatoriale nuk ka ndryshime thelbësore. Tirani qëndron në krye të hierarkisë dhe sundon për aq kohë sa të jetë e mundur. Të ashtuquajturit zyrtarë të zgjedhur u shërbejnë vetëm qëllimeve të liderëve të pazgjedhur.
Në diktatura të tilla, stabiliteti dhe mbijetesa e regjimit varet nga faktorë jashtë vullnetit të popullit.
Për regjimin e mullahëve, faktori motivues për forcat dhe agjentët e tij është i mishëruar në “eksportin e terrorizmit luftënxitës”. Kjo është arsyeja pse udhëheqësi suprem i regjimit Ali Khamenei i konsideron Irakun, Sirinë, Jemenin, Libanin dhe Palestinën si “thellësinë strategjike” të regjimit të tij dhe e përdor këtë si një pretekst për të mobilizuar Gardën Revolucionare (IRGC) dhe forcat Basij. Ai duhet të tregojë fuqinë e tij në mënyra të prekshme për të mbajtur forcat represive dhe kriminelët rreth tij për të mbrojtur regjimin e tij. Si rezultat, ai vazhdimisht mburrej se kishte kontroll mbi katër kryeqytete arabe dhe urdhëroi përfaqësuesit e tij të deklaronin publikisht mbështetjen e tij për ta në çdo platformë.
Me fjalë të tjera, Khamenei ka mbajtur aktiv IRGC-në, Basij-in dhe agjentët me rroba civile gjatë gjithë këtyre viteve, duke fryrë rolin e forcave të tij prokure. Propaganda rreth 150,000 raketave të Hezbollahut gati për të lëshuar ishte pjesë e kësaj strategjie. Ai e dinte se nëse do të ndalonte terrorizmin dhe luftënxitjen përmes përfaqësuesve të tij, siç tha themeluesi i regjimit Ruhollah Khomeini, “shpirti i Udhëheqësit Suprem” do të shfryhej. Ai e dinte se kriminelët që mbajnë regjimin e tij në pushtet janë të gjithë skllevër të pushtetit. Nëse ata ndjejnë se Udhëheqësi i tyre Suprem është i pafuqishëm politikisht dhe ushtarakisht, ata do të shpërbëhen shpejt.
Është për shkak të shembjes së kësaj thellësie strategjike dhe shpërbërjes së përfaqësuesve të saj që frika e ka përfshirë regjimin.
Me humbjen e pushtetit rajonal të regjimit, askush nuk ka më shpresë për të nesërmen. Në një fjalim në bazën besnike të regjimit, kryetari i Mexhlisit (Parlamentit) Mohammad Bagher Ghalibaf përdori vazhdimisht frazën “të mos kemi frikë!”
Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ka bërë udhëtime në rajon, duke iu lutur vendeve të ndryshme të ndërmjetësojnë dhe të parandalojnë shpërthimin e luftës.
Një vend si Libani, i cili dikur ishte nën kontrollin e regjimit, tani po paketon marrëdhëniet e tij me regjimin dhe po thërret ambasadorin e tij për çdo hap të gabuar.
Edhe Siria nuk po tregon më një fytyrë miqësore ndaj regjimit dhe po distancohet në heshtje nga regjimi dhe i ashtuquajturi “boshti i tij i rezistencës”.
Një nga ekspertët e regjimit shprehu frikën në televizion, duke thënë: “Sot situata është më e rrezikshme se vitin e kaluar. SHBA-të i kanë sjellë avionët që furnizojnë me karburant në rajon dhe bombarduesi B-52 ka hyrë në zonë!” (Burimi: Regjimi TV – 17 tetor)
Udhëheqësit e namazit të xhumasë të regjimit po ankohen gjithashtu për valën e dezertimeve dhe “dëshpërimit” mes forcave besnike të regjimit, duke u ankuar se “disa nga këto analiza vijnë nga njerëz frikacakë dhe janë të shtyrë nga kërcënimet dhe ekzagjerimet e armikut… Këto analiza çojnë në dëshpërim, negativitet, dhe dobësimi i zyrtarëve, e ndonjëherë edhe forcat tona më besnike bien në grackën e këtyre analizave.”
Kështu, bastionet e regjimit në Lindjen e Mesme po shemben njëra pas tjetrës dhe kjo është e njëjta “humbje strategjike” që Rezistenca Iraniane parashikoi një vit më parë në fillim të luftënxitjes së Khameneit.
Tani, me ndezjen e protestave dhe shpërthimin e zemërimit të popullit në këtë shoqëri të paqëndrueshme, do të jemi dëshmitarë edhe më të valëve të frikës, mungesës së shpresës, demotivimit dhe dezertimit brenda forcave të brendshme të regjimit. [Përktheu: ISHGJ]