[Dërgesat e Taurus-it në Kiev mbeten një çështje e diskutueshme në luftën në Ukrainë. Pas deklaratës së kancelarit Merc, debati mund të ndizet sërish.]
Deklarata e kancelarit për heqjen e kufizimit të rrezes së veprimit të armëve për Ukrainën shkaktoi reagime të forta nga Rusia. Tani Berlini është në shënjestrën e Kremlinit.
Nga Nicolas Butylin [Berliner Zeitunfg]
Kancelari Friedrich Merc shkaktoi një tërmet të moderuar diplomatik me njoftimin e tij të hënën: “Nuk ka më asnjë kufizim të rrezes së veprimti për armët e dorëzuara në Ukrainë”, deklaroi pa mëdyshje politikani i CDU. Kjo do të thotë se Ukraina tani lejohet të sulmojë “objektivat ushtarake në brendësi të Rusisë”.
Kjo deklaratë goditi Moskën si një granatë politike. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj menjëherë me kritika të ashpra: Këto ishin “vendime mjaft të rrezikshme, nëse do të ekzistonin”. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov përdori gjithashtu një takim me homologun e tij turk, Hakan Fidan, për të paraqitur një tezë mbresëlënëse: “Republika Federale e Gjermanisë e mori vendimin shumë kohë më parë dhe fshehurazi për të lejuar Ukrainën të nisë sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë”.
Eksperti i Kremlinit: Qeveria Merc zgjedh përshkallëzimin
Kryediplomati rus komentoi veçanërisht në mënyrë sarkastike për mohimet e mëvonshme nga Berlini: “Dje, ai (Shënimi i redaktorit: Merc) deklaroi me patos të madh se tani e tutje nuk do të kishte kufizime në shtrirjen e sulmeve – disa orë më vonë, zëvendëskancelari i tij tha se nuk mund të flitej për këtë. Më pas Merc përshkroi papritmas nivelin e vërtetë të praktikës ekzistuese.” Në Rusi, qeveria gjermane paraqet një imazh shumë të pakoordinuar dhe joprofesional.
Një vlerësim më i nuancuar i dinamikës aktuale është dhënë nga Artem Sokolov, një analist në Institutin e njohur Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO). “Deklaratat e Mercit për gatishmërinë për të përdorur armë gjermane kundër objektivave në Rusi pasqyrojnë vendosmërinë e udhëheqjes gjermane për të përdorur retorikë përshkallëzuese në funksion të negociatave në vazhdim midis Moskës, Uashingtonit dhe Kievit,” tha Sokolow në një intervistë me Berliner Zeitung.
Analiza e Sokolov-it sugjeron një qasje taktike të qëllimshme nga Berlini – as përshkallëzim i pastër, as kufizim, por një strategji e dyfishtë parandalimi duke minimizuar njëkohësisht rrezikun. “Armët gjermane po përdoren tashmë nga forcat e armatosura ukrainase në vijat e frontit dhe kështu po përdoren efektivisht kundër objektivave në rajonet e reja ruse. Në të njëjtën kohë, formulimet e paqarta të Mercit dhe përpjekjet e tij për të hequr diskutimin e dërgesave të armëve në Ukrainë nga debati publik tregojnë dëshirën e Berlinit për të mbajtur një distancë midis retorikës luftarake dhe mbështetjes për hapat e vërtetë ushtarakë drejt Ukrainës.”
Siç ndodhi në kohën e koalicionit paraprak, qeveria federale nën Mercin preferon të veprojë në hap me aleatët e saj të NATO-s, për shembull, pa marrë drejtimin me iniciativën e saj, sipas ekspertit nga akademia diplomatike ruse.
Reagimi nga Rusia: Evropianët duhet të kontrollojnë strehimoret e tyre të sulmit ajror
Reagimet në mediat shtetërore ruse, nga ana tjetër, i tejkalojnë edhe deklaratat e Lavrovit për nga ashpërsia. Talk-show popullor “60 Minutes” në Rossija 1 pretendon se Gjermania po kthehet në rrënjët e saj fashiste. “Merci është thjesht klerik i Uashingtonit” dhe “Nëse raketat gjermane godasin ndonjëherë tokën ruse, Berlini do të jetë në gërmadha!” bërtasin mysafirët e talk show-it.
Megjithatë, në kanalet Telegram pro-Kremlinit, blogerët e luftës paralajmërojnë për raketën lundruese Taurus, e cila mund të jetë sërish në qendër të debatit në të ardhmen. “Çdo raketë Taurus e lëshuar nga Kievi në Moskë është de fakto një sulm gjerman. Hakmarrja jonë nuk do të kufizohet në Ukrainë. Kryeqytetet evropiane duhet të kontrollojnë strehimoret e tyre të sulmit ajror,” shkruan një bloger.
Deklarata e Mercit – qoftë një përshkallëzim i qëllimshëm apo një gabim retorik – sigurisht që goditi një nerv në Kremlin. Reagimi tregon se Moska i frikësohet më pak vetë armëve gjermane sesa thyerjes simbolike me kufizimin e mëparshëm perëndimor në politikën e saj të armëve në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, Kremlini po përdor mundësinë për ta shfrytëzuar “kërcënimin gjerman” në politikën e brendshme dhe për të mbjellë mosmarrëveshje midis aleatëve të NATO-s në politikën e jashtme. [Përktheu: ISHGJ]