Nga Dr. Lorenzo Maria PACINI * [Strategic Culture Foundation, gusht 2024]
[Përkthyer dhe përshtatur nga Prof.Dr.Gazmend PULA]
Të shumët janë ata që vazhdojnë të pyesin pse Irani ende nuk ka kundër-goditur për hakmarrjen e tij legjitime ndaj Izraelit. Le të përpiqemi të japim një shpjegim gjeopolitik.
Një art shekullor i luftës
Le të bëjmë të qartë një gjë që në fillim: Irani është një Perandori mijëravjeçare, me një histori të jashtëzakonshme, një kulturë shumë të pasur dhe një mënyrë jetese krejtësisht të ndryshme nga ajo e Perëndimit. Për këto arsye shumë të thjeshta, perëndimorët nuk arrijnë ta kuptojnë Iranin. Sepse Irani dallon dhe është shumë i ndryshëm nga vendet e perëndimit. Ky problem interpretimi shkakton shumë keqkuptime për analistët dhe gazetarët si dhe mediat perëndimore, por edhe për politikanët dhe strategët perëndimorë, sepse ata përpiqen të aplikojnë interpretim-kuptimet e tyre vetanake autentike, që nuk janë të sakta. Nuk mund të “lexohet” Irani si çdo shtet tjetër e aq më pak si një shtet perëndimor!
Ky gabim i madh në interpretim është në fakt një avantazh i madh për iranianët, sepse ata mund të simulojnë dhe ‘luajnë’ lehtasi në nivele të ndryshme dhe të shumëfishta konfliktesh hibride, madje pa shumë mundim dhe përpjekje. Veçanërisht në kontekstin e luftërave medialo-informative, Irani posedon dhe vepron me nje vello dhe aurë misteri dhe konfuzioni që e bën të pamundur njohjen e mirëfillët të së vërtetës për atë se çka faktikisht ndodhë në vendin e tyre.
Mediat Perëndimore, të tejngarkuara me propagandë intensive dhe gjithëpërfshirëse, që përhapin informacione të gabuara, të shtrembëruara, të njëanshme, janë të bindura se kanë të vërtetën e plotë të momentit dhe se po thonë kush e di se çfarë të vërtete. Përtej atyre lajmeve që fabrikohen për të mashtruar publikun Perëndimor, fakt tjetër objektiv është se mediat e huaja nuk kanë njohuri dhe qasje të mirëfilltë lidhur me atë që vertetë po ndodh brenda atij vendi, përveç në masën që Irani u lejon të marrin informatë të ndonjë lloji. Pavarësisht se a i pëlqen kujt apo jo, kjo është një strategji e tyre e shkëlqyer mbrojtjeje faktike dhe preventive që gjithmonë edhe u ka funksionuar mirë.
Në ditët e sotme, mund të duket ndoshta paksa e çuditshme të mos dish diçka për ndonjë vend, por pyetja që duhet bërë është “pse do të duhej të dihet diçka apo gjithçka e çdo gjë dhe për çdo kend?”. Deri para gjysmë shekulli, informatat që kishim për vendet e huaja ishin shumë të kufizuara, nuk kishte mundësi qasjeje në bazën e të dhënave globale informative, siç është tani. Për shumë shkaqe dhe arsye, është krijuar bindja e lajthitur, mbase edhe qëllimisht, se të dish gjithçka dhe për të gjithë dhe në çdo kohë, është normë dhe e domosdoshme, dhe se nëse dikund dhe për diçka mungon informacioni, atëherë, me gjasë, aty përballemi me një regjim që shtyp qytetarët e tij. A nuk është kjo një qasje kolektivo-kognitive e ‘programuar’ dhe e mirë-orkestruar? A nuk është e vërtetë që, po, sot vërtetë posedohet akses në kaq shumë informacione, por, është fakt edhe se jemi vazhdimisht të bombarduar me mesazhe dhe kuazi-informata propagandistike dhe informacione shumë të njëanshme! Mbase aq shume sa që është pothuajse e pamundur të dallosh të vërtetën e mirëfilltë! Paradoksi është se ne jemi bindur të hiper-ndërlidhemi, por, pa e përdorur fare trurin tonë logjikisht.
Irani e di këtë shumë mirë. Brenda vendit të tyre, teknologjia është e pranishme dhe njerëzit aty jetojnë të ndërlidhur me botën e jashtme pa asnjë vështirësi. Por, nga jashtë, megjithatë, është pothuajse e pamundur të depërtosh brenda atij vendi. Është ky një mekanizëm shumë efektiv vete-mbrojtës që po lejon Iranin të qëndrojë në këmbë përballë sulmeve të shumëta dhe të ashpra të luftës informativo-mediale dhe të natyrave tjera nga vendet perëndimore.
Duke kaluar nga konteksti i luftës hibride në kontekstin më konvencional, Irani ka ruajtur integritetin e tij territorial për mijëra vjetë dhe din mirë se si të mbrojë interesat e tij. Jo vetëm që nuk dihet zyrtarisht potenciali i mirëfilltë i arsenalit të armëve që ka në dispozicion Irani – për dallim nga shumë shtete perëndimore – por, për Iranin madje është tentuar të krijohet bindja e përgjithshme propagandistiko-politiko-mediale se ai madje nuk është as edhe i aftë të përballojë ndonjë konflikt serioz ushtarak me kundërshtarët e tij.
Edhe në këtë rast, ne përballemi me një lojë psikologjike: asnjë vend nuk zbulon kurrë tërësinë dhe fuqinë e arsenalit të armatimit të tij ekzistues. Prandaj, informimi dhe njoftimet publike të të dhënave të tilla janë objekt i një kalkulimi tejet të kujdesshëm dhe strategjik për të patur mundësi veprim-reagimi efektiv ndaj kundërshtarëve dhe armiqve potencial. Kjo, sepse zbulimi i këso lloj informatash për armatimin dhe potencialin vetanak mbrojtës dhe luftarak, do të shkaktonte disavantazh dhe rrezikshmëri të madhe të eksponimit ndaj çfarëdo veprimi armiqësor dhe agresiviteti luftarak. Kjo, ngase veprimet armiqësore ushtarake nuk përbëhen vetëm nga proklamatat dhe propagandat medialo-informative, sado armiqesore ato të jenë.
Megjithatë mbetet fakti se sapo Irani kërcënon me veprime luftarake, bota ndalet! Ky ishte rasti edhe kur Ismail Haniyeh, lideri politik palestinez i Hamasit, që u vra në Teheran /nga Izraeli/, duke cenuar dhe shkelur rëndë integritetin territorial të Iranit, gjë që motivoi OKB-në që të pranonte dhe pajtohej me një operacion ushtarak kundër Izraelit.
Irani më pas veproi si vijon: fillimisht deklaroi në mënyrë të qartë dhe të vendosur qëllimin për të kryer hakmarrje përkatëse – konsistente dhe koherente dhe në përkrahje të luftës për Palestinën dhe për çlirimin e Jerusalemit nga pushtimi Cionist /Izraelit, v.a./. Por, ç’ ndodhi më pas…?! Akoma asgjë nuk duket se ka ndodhur ende. Pse?! A është e sigurtë që vërtetë asgjë nuk ka ndodhur akoma?
Le të shohim më me kujdes. Në momentin e shpalljes së qëllimit iranian për një goditje përkatëse hakmarrëse ndaj Izraelit, diçka e pazakontë, por, edhe e parashikueshme, ndodhi në shumicën e bursave botërore: një rënie dhe kolaps i papritur dhe i fuqishëm që përfshiu të gjithë sektorët ekonomiko-industrial…! Përveç sektorit të mbrojtjes! Dhe në veçanti të sektorit të mbrojtjes amerikane. Pse kështu? Është interesante të shikojmë prapa se çfarë ndodhi në ato orë kolapsi financiar – ku madje edhe kripto-valutat, blockchain-zingjiri e të cilave drejtohet kryesisht nga vendet perëndimore, pësuan rënie të madhe dhe të shpejtë. Kjo ndodhi, sepse ishin pikërisht kompanitë ushtarake amerikane, kur me rënien e përkohshme të vlerave të aksioneve të tyre, ato në fakt realizuan një rritje të theksuar të vlerave të aksioneve të tyre nga “blerjet inteligjente’ – të bëra në mënyra indirekte dhe diskrete nga biznese dhe kompani…që kryesisht janë në pronësi të mega-grupimeve të mëdha investive kineze dhe ruse!
Ok, le të përmbledhim: Irani shpall qëllimin e tij për hakmarrje të fuqishme ushtarake /kundër Izraelit/, tregu tronditet dhe pothuaj pëson kollaps të vlerave të aksioneve të tyre, dhe ashtu, Kina dhe Rusia, blejnë pjesë të këtyre kompanive Amerikane. Asistencë perfekte Iraniane! Rezultati 3-0 /për Iranin/, topi sërish në qendër! Set dhe lojë e fituar!
Me një lëvizje shumë të thjeshtë, Irani, në bashkëpunim me aleatët nga bota multi-polare, jo vetëm që ka lejuar që kriza ekonomike perëndimore të përshpejtohet, por, madje ka mundësuar gjithashtu që krye-armiqtë e mëdhenjë të SHBA-ve, të blejnë pjesë të kompanive amerikane, që do të thotë se ata do të mund të paktën t’i menaxhojnë, qoftë pjesërisht, t’i drejtojnë dhe manipulojnë, madje mbase edhe t’i falimentojnë! Strategji briliante e shkëlqyer, apo jo? E thjeshtë fare, por, efektive!
Një hakmarrje që në mënyrë të indirekte dhe të kamufluar, tanimë ka filluar, siç ishte premtuar. Sepse Irani ka një histori mijëravjeçare strategjie që Perëndimi nuk e kupton. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën: Konfucianizmi dhe arti i luftës /i strategut dhe teoricientit kinez më të njohur të ‘artit të luftës’/ Sun Tzu-së, mësojnë që kjo të bëhët dhe të veprohet pikërisht në këtë mënyrë. Vetëm amerikanët janë ende të bindur se të bësh luftë do të thotë të përdorësh retorikë të dhunshme, kërcënueso-ofenduese dhe të qëllosh nga do dhe kend do të mundesh, pa dallim – derisa të arrihet qëllimi. Dhe prandaj duket se këtë amerikanët ende nuk e kuptojnë. Sepse nuk mund të bëhët luftë me një kundërshtar pa e kuptuar mënyrën e tij të luftës. Një gabim i tillë ultimativisht do të thotë humbje.
Sigurimi i Rimland-it – Periferisë Bregdetare Kontinetalo-Tokësore
Le të elaborojmë tani disa këndvështrime më konkrete.
Siç e kam shpjeguar tashmë në artikuj tjerë, fuqitë që po punojnë drejt ndërtimit të botës multi-polare, e dinë mirë se duhet të garantojnë mbrojtjen e Periferisë së tyre Kontinentalo-Tokësore – të ashtuquajturin Rimland. Irani e di këtë shumë mirë, dhe pasi ka mbyllur marrëveshje me Rusinë, vendet e Detit Kaspik dhe vendet e Gjirit, tani po shkon drejt Lindjes: drejt Indisë, Kinës dhe… Indonezisë.
Indonezia është injoruar për një kohë të gjatë: por, ajo është një nga shtetet me rritjen më të shpejtë në botë, është demografikisht e re dhe me popullatë të madhe, ekonomikisht e fuqishme dhe qëndrueshme në aspektin social – dhe e përgatitur mirë ushtarakisht. Mbi të gjitha, Indonezia ndodhet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur: në gjysmë të rrugës mes të Australisë dhe Azisë Juglindore, por, edhe në gjysmë të rrugës mes Oqeanit Pacifik dhe Oqeanit Indian. Pikërisht kjo zonë është ajo në të cilën dhe për të cilën Kina ka një interes gjeopolitik dhe strategjik madhor për t’u zhvilluar. Dhe, akoma më saktë, është pikërisht kjo zonë në të cilën Anglo-Amerikanët po përgatisin një luftë të deleguar eksponentëve kukull të tyre, dmth marionetave të tyre, në zhargonin anglo-saxon të ashtuquajtur ‘proxy’, e përmes aleancës së tyre ushtarake AUKUS-it /Australi-Amerikë-Britani/. Në këtë rast, duke shfrytëzuar Australinë, të cilës duket se do ti akordohet roli i ‘luftë-bërësit të deleguar’ sipas modelit që ju akordua Ukrainës, dmth. që Australia praktikisht të bëhët një Ukrainë tjetër.
Prandaj, duhet bllokuar Periferinë Kontinentalo-Tokësore dmth Rimland-in. Kjo është e domosdoshme të bëhët nga ana e fuqive Euro-Aziatike, për të evituar çfarëdo përfshirje në çfarëdo konflikti të tillë ndërkombëtar. Mbani në mend dhe mos i harroni këto fjalë!
Irani ka filluar ndërkaq të dialogojë me Kinën me një gjuhë të re, jo vetëm diplomatike, por, edhe ushtarake! Kina, nga ana e saj, ka marrë qëndrime shumë të qarta në lidhje me konfliktin palestinez. Rusia garanton pjesët Perëndimore, Qendrore dhe Veriore të EuroAzisë; në Lindje kemi Korenë e Veriut dhe Kinën që mbrojnë kufijtë. Kjo len Jugun EvroAziatik, ku është i shtrirë Irani, dhe tani mungojnë vetëm edhe disa hallka tjera të ‘zingjirit mbrojtës’ të rajonit.
Vetëm pak muaj më parë, kryeministrat e vendeve të Azisë Jugore bënë një pelegrinazh të gjatë diplomatik midis Pekinit, Moskës dhe Teheranit, që definitivisht nuk ishte rastësi. Palët në fjalë, ka kohë që flasin me Indonezinë, sepse janë të vetëdijshëm për vlerën strategjike të këtij vendi, i cili është plot me baza ushtarake amerikane të shtrira në ishuj të ndryshëm, që janë të vendosura atje si bazë dhe mburojë e mbrojtje raketore dhe ajrore amerikane.
Në Bangladesh, SHBA-ja posa ka organizuar një grusht-shteti në përpjekje për të destabilizuar Perifierinë Kontinentale-Tokësore dmth Rimland-in. Në Australi dhe përmes saj, ata përpiqen të hapin një front të ri lufte /ndaj Kinës/. Në këtë kuptim, duket se gjithçka po rradhitet dita ditës pothuaj si lego-kubëzat. Dhe kjo bëhët gjithnjë më e qartë, nëse e kemi parasysh se vetëm pak ditë më parë, Rusia shpalli manovrat e saj të para ushtarake pikërisht me Indonezinë.
Tani, dhe kështu, është lehtë e kuptueshme pse Irani nuk po ngutet fare me kundër-goditjen hakmarrëse ndaj Izraelit, por, po e koordinon të tërën me rrethanat përkatëse aktuale dhe me optimizim kohor të kundër-goditjes së planifikuar! Sepse mënyra dhe tipi i reagimit iranian nuk është t’i nxitojë gjërat – aq më tepër që hakmarrjen e konsiderojnë të jetë “një gjëllë që shijon më së shumëti dhe më së miri kur hahet e ftohtë.”
______________________________________
- Profesor i Asociuar në Filozofi Politike dhe Gjeopolitikë, UniDolomiti nga Belluno. Konsulent në Analizë Strategjike, Inteligjencë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare
Burimi: Strategic Culture Foundation
Shënim: Pikëpamjet janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht përputhen me ato të ISHGJ-së.