Nga Prof. Dr. Arben MALAJ
Në një botë me rivalitet të fortë gjeopolitik, Bashkimi Evropian nuk mund të mbështetet më vetëm te vlerat apo “fuqia e butë”. Për të siguruar mbrojtjen, tranzicionin ekologjik dhe kohezionin social, Europa ka nevojë për një ekonomi më të fortë, më inovative dhe më të qëndrueshme. Rritja e produktivitetit është bërë levë kyçe për mbijetesën dhe për të rikthyer rolin strategjik të BE-së në arenën ndërkombëtare. Në dekadat e fundit, rritja e produktivitetit në BE ka qenë më e ulët se ajo në SHBA dhe në Kinë. Kjo ka dobësuar bazën industriale të kontinentit, konkurrueshmërinë dhe kapacitetin për të ndikuar globalisht. Mosrritja e produktivitetit për një periudhë të gjatë kohore ka krijuar rrezikun e stagnimit, ndërsa hendeku me konkurrentet globale është thelluar. Rritja e produktivitetit nuk është më thjesht një objektiv ekonomik, por një strategji kombëtare dhe globale, që duhet të mbështetet në ekonominë e dijes, në diplomantët STEM, në investimet në kërkim-zhvillim dhe në mobilizimin e kapitalit vendës e të huaj për mbështetjen e kompanive novatore. Aktualisht, BEja po përballet me një krizë demografike të thellë. Deri në fund të shekullit, popullsia në moshë pune pritet të bjerë me 54 milionë veta. Kjo tkurrje rrezikon aftësinë për të gjeneruar rritje ekonomike dhe për të përmirësuar standardet e jetesës. Mungesa e fuqisë punëtore mund të zbutet vetëm përmes rritjes së produktivitetit. Për më tepër, plakja e popullsisë po rëndon sistemet e pensioneve dhe politikat sociale, duke rritur nevojën për eficiencë dhe inovacion. Tregu unik i kapitaleve dhe në kërkimin dhe zhvillimin vazhdon të pengohet nga “sovranistët”, të cilën pengojnë, vonojnë dhe lenë në pozicion “Wait and Go” reformat jetike të BE-së. Europa me dy rrathë, bllokimi i disa traktateve të BE-së nëpërmjet keqpërdorimit të vetos, bllokimi i “federalizmit” të politikave fiskale dhe tregjeve të kapitaleve rrezikojnë rritjen e produktivitetit – që mund të cilësohet si pika ku Arkimedi/BE mund të lëvizin gurin e rëndë/produktivitetin e ulët drejt investimeve produktive dhe inovative. Harmonizimi i kufizuar ligjor dhe institucional, si për letrat me vlerë apo ligjet e falimentimit, frenon zhvillimin e ekonomisë së dijes dhe firmave novatore.
DINAMIKA E FIRMAVE DHE HENDEKU NË INOVACION
Produktiviteti total i faktorëve në BE është rreth 20% më i ulët se në SHBA. Në të njëjtën kohë, të ardhurat për frymë janë 30% më të ulëta. Edhe pse BE-ja është një inkubator i rëndësishëm për kërkimin shkencor, firmat e saj teknologjike po mbeten prapa. Ndërsa firmat amerikane kanë rritur produktivitetin me 40% në dy dekadat e fundit, firmat evropiane nuk kanë parë përmirësim. Një arsye është investimi shumë më i ulët në kërkim-zhvillim – vetëm 4% e të ardhurave, krahasuar me 12% në SHBA. Struktura e bizneseve evropiane është gjithashtu më e fragmentuar. Një e pesta e të punësuarve punojnë në mikrofirma me më pak se 10 punonjës, dyfishi i përqindjes në SHBA. Firmat evropiane që kanë funksionuar për 25 vjet apo më shumë kanë mesatarisht 10 punonjës, ndërsa në SHBA kjo shifër është 70. Fragmentimi i tregjeve dhe varësia nga kolaterali fizik e bankave evropiane e bëjnë më të vështirë aksesin në kapital për firmat me potencial të lartë, sidomos në teknologji.
KAPITALI NJERËZOR DHE SFIDAT ARSIMORE
Mungesa e punëtorëve me aftësi të larta është një tjetër sfidë strukturore për BE-në. Kombinuar me plakjen e popullsisë, kjo situatë pengon lindjen dhe rritjen e firmave novatore. Megjithatë, BE ka një nivel të lartë të kursimeve – rreth 15% të PBB-së – por këto nuk po orientohen drejt investimeve produktive. Në SHBA, çdo dollar i investuar në aksione dhe fonde pensioni shoqërohet me 4.6 dollarë të tjerë, ndërsa në BE ky raport është shumë më i ulët, për shkak të fragmentimit të tregut të kapitalit.
ZGJIDHJET: RRITJE PËRMES INTEGRIMIT DHE REFORMAVE
Për të përballuar këto sfida, BE-ja duhet të përfundojë dhe thellojë agjendën e tregut të vetëm. Politikat makroekonomike të qëndrueshme, përfshirë stabilitetin fiskal dhe reformimin e tregjeve të punës, kapitalit dhe produkteve janë themelore. Rritja e integrimit do të përshpejtonte rrjedhën e kapitalit drejt ideve novatore, do të ulte kostot e financimit dhe do të çlironte potencialin e firmave të reja me rritje të lartë. Sipas studimeve të fundit, një përfundim efektiv i tregut të vetëm do të rriste PBB-në e BE-së me 7%, ndërsa një rritje prej 10% e tregtisë shumëkombëshe do të kishte efekte të krahasueshme. Dy dekada pas zgjerimit të parë të BE-së në vitin 2004, vendet anëtare kanë përfituar në mënyrë të dukshme: PBB-ja për frymë është rritur me më shumë se 30% në vendet e reja dhe 10% në ato të vjetra.
PËRFUNDIM: KOHA PËR VEPRIM
BE-ja ka nevojë për më shumë rritje, më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë autonomi strategjike. Një ekonomi më e integruar, më digjitale dhe më e orientuar drejt inovacionit është kusht për mbijetesën e saj si një aktor global. Mbrojtja e industrive të vjetra nuk është më një strategji e qëndrueshme – Europa duhet të shikojë përpara dhe të përqafojë transformimin. Është një mundësi që Europa nuk mund dhe nuk duhet ta humbasë. [Gazeta Panorama]