Nga Bardhyl MAHMUTI, politolog
Arsim Bajrami në një studim vluminoz të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës pretendon, se gjoja gjatë luftës në Kosovë kanë ndodhur vrasje joselektive[1] dhe, si pasojë, kemi 10 mijë e 749 shqiptarë të vrarë, 2 mijë e 197 serbë dhe 527 pjesëtarë të pakicave të tjera etnike”[2].
Kur folëm për kriteret e përcaktimit të qëllimi specifik, përmendëm procesin gjyqësor kundër Jean-Paul-Akayesu. Në këtë proces, Dhoma I e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën theksoi se një nga faktorët që mundëson të nxirret qëllimi për gjenocid, në rastet kur i akuzuari mohon qëllimin e vërtetë të akteve të veta, është “përzgjedhja e qëllimshme dhe sistematike e viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre në një grup të veçantë, duke i veçuar anëtarët e grupeve të tjera”[3].
Në të njëjtën frymë, në procesin gjyqësor kundër Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, gjatë shqyrtimit të akteve të akuzës në kuadër të nenit 61 të Rregullores së procedurës dhe të provave, Dhoma e Shkallës I, përmenden fakte të shumta, që dëshmojnë për qëllimin gjenocidal të Forcave të Armatosura të Republikës Sërbska. Kështu, në paragrafin 14 veçohet “shkatërrimi sistematik i ndërtesave edhe në zonat ku nuk kishte pasur luftime, në ato ku luftimet kishin përfunduar apo zonat ku popullsia ishte dorëzuar pa rezistencë”[4]. Madje, në vendbanimet ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike dhe fetare, forcat e armatosura të serbëve të Bosnjës vepronin në mënyrë selektive ndaj pronave të pjesëtarëve “joserbë” dhe si ilustrim në këtë paragraf përmendet rasti i qytetit “Foça, ku kuartet serbe dhe ato joserbe ishin pranë njëri-tjetrit, dhe ku serbët u kursyen me kujdes”[5].
Me një fjalë, nëse në një shoqëri shumetnike nuk veprohet në mënyrë selektive, domethënë të përzgjidhet një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar që të shkatërrohet si i tillë, por viktimat e vrasjeve janë rezultat i krimeve që janë kryer gjatë sulmeve të përmasave të gjera dhe sistematike të drejtuara kundër cilësdo popullatë civile, të përkatësive të ndryshme etnike (shqiptarë, serbë dhe të grupeve të tjera etnike), atëherë nuk kemi të bëjmë me gjenocid, por me krim kundër njerëzimit dhe me krime lufte!
Shmangia që i bëmë trajtimit të aspekteve teorike të gjenocidit ishte e domosdoshme, për të alarmuar të gjithë ata që i rreken ndriçimit të krimit të gjenocidit në Kosovë, që të jenë të kujdesshëm në interpretimin e të dhënave rreth numrit të akteve gjenocidale. Citimi i gabueshëm i statistikave të Fondit për të Drejtën Humanitare nga ana e Arsim Bajramit, pa “seleksionuar” se kush ishte viktimë e luftës, që kishte për qëllim të shkatërronte shqiptarët si grup i veçantë kombëtar, etnik dhe fetar, i ndryshëm nga serbët dhe kush bënte pjesë në grupin e ushtarëve, të policëve, të pjesëtarëve të formacioneve të tjera të armatosura të Serbisë dhe të civilëve të përkatësive të tjera etnike, të vrarë nga forcat serbe, me qëllim që për këto krime të fajësohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo vetëm që nuk është “serioze, shkencore, profesionale për të dalë fitimtarë nga procesi i ngritjes së padisë për gjenocid”[6], por i bën dëm të rëndë Republikës së Kosovës, sepse këto “prova” shndërrohen në armë të fuqishme në duar të negacionistëve, për të bartur krimet serbe ndaj shqiptarëve në kategori të tjera penale dhe, në këtë mënyrë, të shfajësohet Serbia për krimin e gjenocidit!
Në këtë kontekst e shohim të domosdoshme të sqarojmë, se cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim të banalizojë gjenocidet e kryera kundër “miliona indianëve të Amerikës, armenëve, hebrenjve dhe ruandezëve, që ishin viktima të gjenocidit”[7] apo gjenocideve të tjera që kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi! Heshtja e qëllimit të Serbisë për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë, dhe manipulimi me statistika nga ana e juristëve, politologëve, sociologëve, filozofëve, historianëve, kriminologëve, gazetarëve dhe negacionistëve të fushave të ndryshme intelektuale me “edukim të veçantë politik”[8] të këndvështrimit ideologjik të antiamerikanizmit, ku jetë fëmijësh, grash dhe shqiptarësh të të gjitha moshave zbriten në operacione matematikore, paraqet një formë të banalizimit të krimeve, me qëllim mohimin e gjenocidit.
[1] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, f. 378-379.
[2] Po aty.
[3] Tribunal Pénal International pour le Rwanda, Le procureur contre jean-paul-akayesu, Affaire N°ICTR-96-T, Jugement, 2 septembre 1998paragrafi 523: https://violences-sexuelles.ifjd.org/app/uploads/sites/2/2021/05/3.-TPIR-Jean-Paul-Akayesu-min.pdf
[4] Nations Unies, Tribunal international chargé de poursuivre les personnes présumées responsables de violations graves du droit international humanitaire commises sur le territoire de l’ex-Yougoslavie depuis 1991.
Affaires no: IT-95-5-R61 / no: IT-95-18-R61, 11 juillet 1996.
Examen des actes d’accusation dans le cadre de l’article 61 du Règlement de la procédure et de preuve.
- 8, paragrafi 14: https://www.icty.org/x/cases/karadzic/tdec/fr/960711.pdf
[5] Po aty.
[6] Arsim Bajrami, vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 548.
[7] Po aty, f. 105.
[8] Shprehje e përdorur nga Serge Halimi në: Les médias pendant la guerre du Kosovo (2/3), minuta prej 14:35-15:32: http://www.dailymotion.com/video/x4crvk_les-medias-pendant-la-guerre-du-kos.news.