Nga Dr.Selim IBRAIMI
Në javën e fundit të fushatës presidenciale në SHBA, të dy kandidatët, Kamala Harris (D), dhe Donald Trump (R) tashmë i dhanë mesazhet e fundit për popullin amerikan për zgjedhjet e 5 nëntorit. Disa qytetarë amerikanë kanë votuar më herët për të shprehur vullnetin dhe vendosur se kush do të drejtojë SHBA në katër vitet e ardhshme. Në përgjithësi të bësh një përpjekje të tillë demokratike globale dhe vendore, siç është kryerja e zgjedhjeve presidenciale, është një detyrë e madhe. Për të minimizuar efektet e përfshirjes së aktorëve të huaj kibernetikë në procesin e votimit, autoritetet amerikane (CISA), kanë ndërmarrë një varg masash që kanë për qëllim parandalimin e sulmeve në makinat që bëjnë numërimin e votave.
Në perspektivë, pasi të gjitha të dhënat e organizatave ndërkombëtare tregojnë se bota unipolare ka marrë fund, në 25 vitet e ardhshme sigurisht se çështja vendimtare për administratën amerikane dhe angazhimin e ardhshëm të koalicionit amerikan do të jetë pozita dhe roli i ri global. Mirëpo, në këtë fazë më tepër jemi të interesuar të shohim pozicionin amerikan në politikën botërore me ndikim në BE dhe në Ballkan, duke mos i përjashtuar aktorët gjeopolitikë nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine që janë duke u zhvilluar me shpejtësi. Nga një vështrim global, SHBA ka ende disa avantazhe ekonomike, gjeografike dhe ushtarake në krahasim me shtetet në rritje, por jo të përhershme kur flitet për ekonominë, zbulimet teknologjike dhe demokracinë.
Nga debati i brendshëm në SHBA, është vërejtur se qeveria federale duhet të hulumtojë më shumë në strategji të reja në vitet e ardhshme për të mbajtur një avantazh të qëndrueshëm në ekonomi, mbizotërim ushtarak dhe natyrisht më shumë përqendrim në çështjet e brendshme për shkak të mungesës së politikave zhvillimore, hendekut racor dhe të pabarazisë sociale. Në veçanti, dallimet racore, sociale dhe mungesa e investimeve, do të ndjekin SHBA në vitet e ardhshme me ndikim në rolin amerikan në politikën botërore, pra dhe në Evropë. Ndërsa SHBA është akoma fuqia mbizotëruese ushtarake, dhe pasi ndikimi politik, ekonomik dhe teknologjik po zhvendosen gjithashtu në lindje në vendet si Kina, India dhe shtetet tjera aziatike, ka një lidhje midis vazhdimësisë së politikës së jashtme amerikane dhe ndërhyrjes së fuqive të tjera të huaja në Ballkan. Në këtë drejtim, çështja e hapur në mes Ukrainës dhe Rusisë, Gaza, Kina dhe sigurisht e ardhmja e marrëdhënieve euro-amerikane, do të mbesin si më kryesoret për administratën e re amerikane. Pavarësisht nga ndërhyrjet e mundshme të huaja në zgjedhjet amerikane, dhe implikimi i tyre në demokracinë amerikane, BE-ja dhe Ballkani (që ka qenë interesi ynë gjeopolitik prej vitesh), nuk do të lihen anësh. Vështirësitë që po kalon SHBA në këtë kohë, gjithsesi se do ta vendosë vendin ose në një pozicion mbrojtës ose në avantazh në disa pjesë të botës ky aty Uashingtoni ka hyrë në garë.
Në Ballkan, veçanërisht qeveritë janë shumë të interesuara se kush do të jetë presidenti i ardhshëm dhe kjo veçanërisht ka qenë një pyetje kritike që autoritetet duan ta dinë. Por, pas 5 nëntorit do të jetë e qartë, sepse duke pasur parasysh fuqinë në rritje të vendeve në Azi dhe qëndrimin e Rusisë për Ukrainën dhe Ballkanin, presidenti i ardhshëm i SHBA-së duhet të zgjedhë në mes disa opsioneve që janë më pak të dëmshme. Në Ballkan çështja serbo-kosovare, Federata e Bosnjës-Hercegovinës që vazhdon të kërcënohet nga lideri separatist serb Millorad Dodik, dhe mosmarrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, do të jenë tema të rëndësishme për politikën e jashtme amerikane. Gjithashtu rreziku nga faktori rus në Ballkan, i cili ka një ndikim të madh në politikën e dyfishtë të Serbisë e të disa qeverive rajonale, mbeten çështje të vazhdueshme që do të kërkojnë vëmendje të re ose politika të reja nga Uashingtoni.
Në marrëdhëniet me Ballkanin, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të ushtrojnë më shumë presion mbi qeveritë e Ballkanit Perëndimor që t’i zgjidhin çështjet e hapura, dhe të fillojnë integrimin e shpejtë në BE. Por, në këtë kohë kur asnjë aktor gjeopolitik nuk mund të kontrollohet, do të mbetet një mision i vështirë për SHBA-në, BE-në dhe faktorët e interesuar për një avantazh strategjik në këtë shekull. Në terma realë, politika e jashtme e SHBA-së, përveç se është afër Serbisë, nuk ka ndryshuar shumë pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, demokratë apo republikanë.
Pra, është e besueshme që do të mbetet e njëjta, por me shpejtësi të ndryshme në çështjet me të cilat ballafaqohet Ballkani. Por siç e përmendëm edhe më lart, gara strategjike dhe luftërat e tjera mund të ndikojnë në procesin e politikës dhe veprimit të SHBA-së në Ballkan. Megjithatë, le t’i shohim rezultatet e zgjedhjeve të cilat do të japin një pasqyrë të qartë të fuqisë amerikane në shkallë globale dhe rajonale duke përfshirë qëndrimin e mëtutjeshëm të SHBA-së për çështjet e BE-së, Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe Ballkanit.