Nga Bardhyl MAHMUTI
Më 9 prill 1999, ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping (Rudolf Sharping), shpalosi para opinionit publik planin serb “Patkoi”. Ky plan përbënte dëshminë, se vrasjet e një pjese të shqiptarëve, shkatërrimet e monumenteve dhe të objekteve që lidheshin me identitetin e tyre historik, kulturor dhe pronësor dhe dëbimi i pjesës tjetër të shqiptarëve nga Kosova nuk ishte pasojë e “hakmarrjes për shkak të bombardimeve të NATO-s”, por rezultat i një projekti politik të përpiluar në detaje nga shteti serb.
Reagimet e udhëheqësve të shteteve që merrnin pjesë në sulmet kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit ishin në të njëjtën frymë. Kështu, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joschka Fischer (Joshka Fisher), doli me qëndrim publik, se ajo që po ndodhte në Kosovë nuk kishte të bënte me “çështje refugjatësh. Ne kemi të bëjmë me dëbimin e krejt një populli”[1], deklaroi ai. Ndërsa presidenti francez, Jacques Chirac (Zhak Shirak), në mesazhet e veta televizive drejtuar opinionit publik theksoi se “fjala është për një operacion të përbindshëm spastrimi etnik të planifikuar dhe të udhëhequr me cinizmin më të lartë dhe me mizoritë më të mëdha të regjimit serb (…) Nuk ka asnjë dyshim sa i përket përgjegjësisë së këtij regjimi (…) Këto mizori (…) janë turp për Europën dhe për botën. Aksionet e ndërmarra nga Millosheviqi nuk do të triumfojnë. Barbaria nuk mund të ketë fjalën e fundit. Drejtësia do të ngadhënjejë dhe kriminelët do të japin llogari!”[2].
Të ngjashme me qëndrimet e Fischer-it dhe të Chirac-ut ishin edhe qëndrimet e personaliteteve të shumta politike dhe intelektuale që mbështetnin vendosmërinë për t’i dhënë fund shtypjes së popullit shqiptar nga sundimi diktatorial i Millosheviqit.
Zbulimi i këtij plani nuk e la indiferent regjimin e Beogradit. Qeveria e Serbisë përdori të gjitha mjetet propagandistike për të përgënjeshtruar vërtetësinë e planit “Patkoi”. Një përmbledhje të qëndrimeve serbe rreth kësaj çështjeje mund ta lexoni në fjalën hyrëse të Sllobodan Millosheviqit në procesin gjyqësor kundër tij. Ai mohonte të gjitha akuzat dhe, sipas tij, “në të njëjtën kuzhinë ku u sajua gënjeshtra e Reçakut, u sajuan edhe gënjeshtrat tjera për të arsyetuar ndërhyrjen ushtarake dhe agresionin e NATO-s kundër vendit tonë… Aty u sajua edhe i ashtuquajturi plani i spastrimit etnik të Kosovës, me emrin ‘Patkoi’, i cili nuk ka ekzistuar as si ide e lëre më si projekt (…) Operacioni ‘Patkoi’ ishte fabrikim i Ministrisë së Mbrojtjes gjermane (…) ishte propagandë lufte! (…) As emri i këtij plani nuk ishte në gjuhën serbe. Sikur ta kishim përpiluar ne, ai do të emërohej ‘Potkovica’ e jo ‘Potkova’. Për ta bërë më të besueshme këtë gënjeshtër, aeroplanët e NATO-s hidhnin letra në gjuhën shqipe, përmes të cilave udhëzoheshin shqiptarët të braktisnin Kosovën. Ndërsa UÇK-ja, si aleate e tyre, bënte të njëjtën gjë dhe i vriste ata që rezistonin”[3].
Qëndrime të njëjta me qëndrimet e regjimit të Beogradit, por pa i cituar burimet e “informatave”, kishin ata që ndërhyrjen e NATO-s e shihnin si “agresion kundër një shteti sovran”. Madje, shprehjen e njohur për shpjegimin fetar të krijimit të universit, se “në fillim ishte fjala!”, e modifikuan në formë tepër domethënëse për këndvështrimin e tyre. Për ta, para se të nisnin sulmet ajrore kundër Serbisë, “në fillim ishte gënjeshtra!”[4].
Në përputhje të plotë me këtë mënyrë trajtimi, çdo gjë që ndodhte në Kosovë “ishte në funksion të manipulimit të emocioneve”, se gjoja Serbia “nuk ka pasur plan për spastrimin etnik të Kosovës” dhe, rrjedhimisht, plani “Patkoi” ishte “një gënjeshtër e uzinës propagandistike të NATO-s në funksion të manipulimit të opinionit publik!”[5].
Sipas këndvështrimit ideologjik të antiamerikanizmit, lufta në Kosovë u bë për interesat amerikanë dhe, si e tillë, ajo ishte luftë e keqe. “Viktima e kësaj lufte nuk ishin shqiptarët e Kosovës, por regjimi i Millosheviqit që i rezistonte dominimit amerikan”[6]! Pos kësaj, “një viktimë tjetër e kësaj lufte ishte informacioni”[7], sepse mediet dezinformonin në interes të atyre që kishin pushtetin në duart e tyre”, tërheq vëmendjen Serge Halimi. Sa i përket çështjes së “dezinformimit medial”, ai përpiqet ta ndërlidhë me motivet “imperialiste” amerikane të luftës. “Na është thënë se Jugosllavia kishte refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen në Rambuje, se kishte kryer gjenocid apo një plan spastrimi etnik. Na është thënë se perëndimorët dëshironin të ndërhynin për çështje humanitare. Këto arsye ishin të pavërteta. Në Rambuje nuk ka pasur marrëveshje, por ultimatum kundër Jugosllavisë. Ultimatum të tillë që ishin të sigurt se ajo do ta refuzonte dhe kështu do t’i ofrohej NATO-s preteksti për ndërhyrjen e saj”[8]. Në vazhdim të ligjërimit të tij, Serge Halimi pohon: “Secili e di ose së paku duhet ta dijë se humanizmi nuk është motivi parësor i politikës së jashtme amerikane. ‘Ndërhyrja humanitare’ është vetëm një mbulesë për të fshehur qëllimin e vërtetë: dominimin në Europë! Gjithashtu e dimë se nuk ka pasur gjenocid. Ka pasur masakra që mund t’i numërojmë, po që nuk përngjajnë me gjenocidin. E dimë gjithashtu se Plani ‘Patkoi’, që ishte prezantuar dy herë si lajm kryesor në gazetën ‘Le monde’, ishte i rrejshëm!”[9]
Këto ishin përfundimet e këtij “analisti kritik”, që “shqetësohej” aq shumë për informacionin objektiv dhe të cilin “edukimi politik dhe njohuritë” e kishin bërë “vigjilent” dhe “të aftë” të dallojë “dezinformatat e atyre që duan të dominojnë në Evropë”!
Të njëjtin qëndrim për dështimin e kësaj Konference Ndërkombëtare dhe për “Planin Patkoi” shprehu edhe anëtarja e Këshillit Shkencor të “Attac-France”, Catherine Samary, në “analizën” e vet të titulluar: “Kosova: disa gënjeshtra të pseudoluftës humanitare”[10]; Jürgen Elsässer-i, në veprën e tij “Republika Federale e Gjermanisë në luftën e Kosovës: kronika e një manipulimi”[11]; Michel Collon-i në veprën “Monopoly- NATO-ja në pushtimin e botës”[12]; Noam Chomsky, (Noam Çomski) në veprën e tij “Humanizmi i ri ushtarak, mësimet që nxirren nga rasti i Kosovës”[13] dhe shumë autorë të tjerë që “nuk i besojnë ndërhyrjes humanitare amerikane” në Kosovë.
Thënë në gjuhën e antiamerikanizmit, vetëm ata që kishin “edukim politik të caktuar dhe njohuri” si të Serge Halimi-t nuk ranë në “kurthin e propagandës imperialiste të SHBA-së!” Vetëm ky lloj i “analistëve kritikë”, që “nuk lexon për t’u informuar, por për t’u informuar rreth dezinformimit” nuk manipulohet nga kjo propagandë. Përkundrazi, ata janë “të vetmit” që mund “të zbulojnë” se “Plani ‘Patkoi’ ishte i rrejshëm!”[14].
Edhe pse këto qëndrime janë shumë të ngjashme me qëndrimet e regjimit të Millosheviqit, ne “nuk duhet t’i krahasojmë me qëndrimet e këtij regjimi”, sepse për Serge Halimin, çdo krahasim i tillë cilësohet si “imbecile, totalitare dhe formë staliniste e të menduarit”[15]. Madje lexuesi që nuk dëshiron të jetë “imbecil” e vëren se ka dallime mes dy cilësimeve! Millosheviqi flet për “kuzhinë ku sajohen gënjeshtra”, ndërkaq Serge Halimi flet për “uzinë ku manipulohen emocionet dhe opinioni publik”. Dallim “i madh” në interpretime!
Për të qenë bindës se “Plani Patkoi” ishte një “sajesë për të arsyetuar luftën imperialiste kundër Serbisë”, Serge Halimi sjell kontekstin e mëposhtëm, që i parapriu publikimit të tij. Sipas këtij tregimi, “Scharping-u ishte në ethe për të gjetur prova se serbët kishin planifikuar që më parë politikën e tyre kriminale në Kosovë. U ka dhënë urdhër ekspertëve gjermanë që të marrin në pyetje refugjatët, për të mbledhur dhe analizuar hollësisht provat për krime lufte, mizoritë dhe brutalitetet e tmerrshme. Për të nxitur emocionet e opinionit publik në favor të sulmeve ajrore të NATO-s, Scharping-u i merrte për fakte rrëfimet e tmerrshme të viktimave. Dëgjohej se vrasësit luanin futboll me koka të prera, i copëtonin kufomat (…)”[16] dhe rrëfime të tjera të tmerrshme të kësaj natyre.
Sipas gazetarit të atëhershëm të “Le monde diplomatique”-ut, Serge Halimi-t, në këtë kontekst zbulohet “Plani Patkoi”! Pra, kjo “gënjeshtër” është në funksion të “rekrutimit të emocioneve”[17] të atyre që nuk kanë “edukimin politik” dhe njohuri të nevojshme që t’i “lexojnë gazetat për t’u informuar rreth dezinformatave”.
Me të njëjtin qëndrim del edhe gazetari gjerman, Jürgen Elsässer-i. “Argumentet” dhe të dhënat që përdor ai janë plotësisht të njëjta me ato që përdorin Serge Halimi e Dominique Vidal-i. Për temën tonë është e parëndësishme të dihet se kush i publikoi i pari dhe cili autor bazohet te tjetri. Është i njëjti “edukim politik dhe të njëjtat njohuri”!
Në kapitullin e titulluar “Shokët e Fischer-it, ose si të trillohet një arsye për luftë” të librit të tij[18], Elsässer-i thekson se “për të justifikuar bombardimet, Qeveria Gjermane u përpoq ta paraqesë dëbimin sistematik të shqiptarëve si qëllim të përcaktuar qëmoti nga Beogradi (…) Në mbështetje të kësaj teze, prezantimi i ngjarjeve u falsifikua. Kështu, në një dokument të shpërndarë nga Fischer-i, më 31 mars 1999, mund të lexojmë edhe këtë: ‘Pas fillimit të luftimeve në mars të vitit 1998, një strategji që kishte për qëllim shpërnguljen, politikë e tokës së djegur u zbatua nga forcat serbe. Jo vetëm UÇK-së, por, edhe popullatës civile duhej t’i bëhej e pamundshme qëndrimi në shtëpitë dhe fshatrat e tyre’.”[19].
Edhe në kapitullin V të veprës së vet, Jürgen Elsässer-i i kthehet kësaj teme. Madje ai e “huazon” titullin e kapitullit nga filmi amerikan “Wag the Dog” (Trazim qeni). Që të kuptohet aluzioni i Elsässer-it, po përmend shkurtimisht, se skenari i këtij filmi vë në qendër të kritikës manipulimet e njerëzve që kanë influencë në pushtetin politik. Konkretisht, për të lënë në heshtje një skandal seksual të presidentit amerikan, “njerëzit me influencë” montuan një luftë kundër Shqipërisë! Në analogji me luftën e NATO-s kundër Serbisë, autori në nëntitullin e këtij kapitulli, të titulluar “Si e shpikën Fischer-i dhe Scharping-u fushatën serbe të dëbimit: operacionin Patkoi”[20], konstaton se “Plani Patkoi” ishte trillim i njerëzve me influencë politike në shtetin gjerman e jo strategji e regjimit të Beogradit. Argumenti kryesor i autorit për të përgënjeshtruar vërtetësinë e këtij plani është “falsifikimi i emrit të këtij plani: ‘potkova’ është fjalë kroate ose bullgare për patkoin, ndërsa në serbisht thuhet ‘potkovica’.”[21]!
Në të njëjtat pozicione si të Serge Halimi-t, Dominique Vidal-it, Jürgen Elsässer-it, qëndrojnë edhe historianët e orientimit të djathtë politik: Bernard Lugan-i[22], Dominique Venner-i dhe Philippe Conrad-i. Sado që këtyre tre gazetarëve nuk u pëlqen të citohen përkrah historianëve që njihen si “shkencëtarë” që i thurin lavdi aparteidit të Afrikës Jugore, qëndrimi kundër “dominimit amerikan të Evropës” dhe revolta kundër “dezinformatave që janë lëshuar në media”[23], i bashkon në një front të përbashkët. I vetmi “dallim” qëndron në terminologjinë që përdorin për të njollosur ata që mendojnë ndryshe. Jürgen Elsässer-i përdor “trazimin e qenit”, shprehjen idiomatike angleze, për të treguar strategjinë e politikanëve, që për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale, shkojnë deri te sajimi i motiveve për të filluar një luftë; Serge Halimi i cilëson si “qen të rinj rojtarë”[24] gazetarët, botuesit e ndryshëm, ekspertët e medieve, që janë vënë “në shërbim të kësaj propagande”, ndërsa Bernard Lugan-i i quan “qen Pavllovi të shtypit”[25]. Me një fjalë, punë qensh!
Njollosja e atyre që mendojnë ndryshe nga Jürgen Elsässer-i, Serge Halimi dhe Bernard Lugan-i, si “qen”, nuk është as “formë staliniste” e njollosjes së kundërshtarëve e as “imbecile”. Ajo është në përputhje të plotë me “edukatën politike”, që sheh manipulim në çdo veprim të amerikanëve!
Përkundrazi, nëse e cilësojmë si punë zagarësh “gjuetinë” e atyre që nuk janë “politikisht korrektë” në përputhje me “edukatën politike” (ideologjinë e antiamerikanizmit), atëherë rrezikojmë të cilësohem si “stalinistë, imbecilë…”.
Edhe filozofi dhe publicisti francez, Regis Debray-ja, mendon se plani serb “Patkoi” nuk ka ekzistuar dhe se shpërngulja e shqiptarëve është provokuar nga bombardimet e NATO-s.
Në funksion të “vërtetimit” të pohimeve, se para bombardimeve të NATO-s situata në Kosovë nuk ishte alarmante dhe nuk kishte rrezik për katastrofë humanitare, Regis Debray-ja “njoftoi” presidentin francez dhe lexuesit e letrës së tij publike se para këtyre bombardimeve“luftimet midis UÇK-së dhe të forcave serbe kishin provokuar ikjen e civilëve.”[26].
“Më thanë se shumica e tyre ishin familjet e luftëtarëve. Sipas korrespondentit të AFP-së numri i tyre ishte i kufizuar. Njerëzit strehoheshin në shtëpitë e fqinjëve”, konstaton ky i fundit. “Askush nuk vdiste nga uria, nuk vritej në rrugë, nuk iknin drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. Faktikisht nuk kishte nevojë për kampe refugjatësh në kufi. Sulmi i NATO-s provokoi katastrofën humanitare, si një top bore që rrokulliset.”[27].
Si autor të fundit nga mohuesit e vërtetësisë së planit “Patkoi” kam përzgjedhur historianin dhe gazetari francez, Jean-Arnauld Dérens-in. Në veprën e tij “Kurthi i Kosovës”[28], fillimisht tërheq vëmendjen se nga zërat kritikë që ishin ngritur kundër bombardimeve të NATO-s, “shumica ishin të motivuara nga pacifizmi që është kundër çdo ndërhyrje ushtarake ose për shkak të angazhimit të tyre anti-amerikan”[29] dhe sjell shembullin e linguistit amerikan, Noam Chomsky, për të cilin thotë se “në dënimet e ashpra të bombardimeve të pranverës së vitit 1999, Kosova shërben si pretekst për qërim hesapesh të përgjithshme me politikën amerikane”[30].
Për të arsyetuar kritikat e tyre, kundërshtarët NATO-s, në të shumtën e rasteve shumë pak për shkak të situatës në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan, kritikuan ligjërimet që mbizotëronin në media, nganjëherë me plot të drejtë, por duke rrezikuar të minimizojë përmasat e rënda të situatës, madje duke përvetësuar argumentet e Beogradit, bile, në disa raste ekstreme, duke e përkrahur me vetëdije të plotë Millosheviqin, si një njeri që i ‘bën ballë’ NATO-s”[31].
Megjithatë, në “Kurthi i Kosovës”, Jean-Arnauld Dérens përvetëson argumentet e negacionistëve të tjerë, të cituar në këtë studim, të cilët shumë vite përpara Jean-Arnauld Dérens kishin përvetësuar argumentet e Beogradit, të sintetizuara në fjalën hyrëse të Sllobodan Millosheviqit në procesin gjyqësor kundër tij, të cituar më lart. Ai përsëriti se “plani i famshëm ‘Patkoi’, i përmendur nga përgjegjës të lartë të NATO-s, nuk ka ekzistuar asnjëherë, por, ka qenë një helmim[32] i opinionit me informata tendencioze dhe të rrejshme nga propaganda e luftës së Aleancës Atlantike (….). Ky plan i rrejshëm, sipas të cilit gjoja parashihej dëbimi sistematik i shqiptarëve të Kosovës që në vitin 1998, për herë të parë u përmend nga ministri i Mbrojtjes Gjermane, Rudolf Scharping-u. Informata u mor pa asnjë dozë kritike nga shumica e mediave perëndimore. Për shembull gazeta ‘Le monde’ e bëri lajm të vetin kryesor. Më vonë u zbulua se ishte informatë që nuk mbështetej në asgjë dhe që ishte montuar tërësisht nga Shërbimi Sekret Bullgar, i angazhuar në kampin e NATO-s”[33].
Tetë vjet përpara se Jean-Arnault Dérens-i të sillte “faktet”, se “plani i famshëm ‘Patkoi’ ishte trilluar nga propaganda e luftës së Aleancës Atlantike”, mediet franceze kishin publikuar dëshmitë e oficerëve serbë, të mbledhura nga gazetari serb, Miroslav Filipović-i. Në këto dëshmi argumentohej pa asnjë mëdyshje se, siç e kam cekur edhe më lart, “ky plan përbëhej nga po aq patkonj të vegjël, sa kishte edhe fshatra shqiptare dhe se parashihej në detaje zbatimi i tij: vendosja njerëzve të armatosur përreth vendbanimeve në formë të patkoit…, urdhri që brenda disa minutave t’i braktisnin shtëpitë e tyre, plaçkitja e njerëzve dhe asgjësimi i pronave, që nuk mund t’i plaçkitnin, vrasjet dhe keqtrajtimet e njerëzve (…)”[34]. Në mesin e dëshmive të shumta, u publikua edhe kjo dëshmi e tmerrshme e një ushtari serb: “Gjatë një operacioni të spastrimit etnik të një fshati në juglindje të Kosovës, fshatarëve iu dha afat një gjysmë ore që ta braktisnin fshatin. Fshatarët ishin rreshtuar në dalje të fshatit, kur një rezervist me pseudonimin ‘Crni’ iu afrua një burri të moshuar që mbante në krahët e tij një fëmijë 3 ose 4 vjeç. Ia shkuli fëmijën nga krahët dhe i kërkoi këtij burri haraç 20.000 marka gjermane. Shqiptari kishte vetëm 5000 marka. ‘Crni’ ia ngjiti fëmijës për flokësh, nxori thikën dhe ia preu kokën. ‘5000 marka janë të mjaftueshme vetëm për trupin’, i tha ai dhe kaloi pranë fshatarëve të tjerë duke e mbajtur kokën e fëmijës për flokësh…”[35]. Megjithatë, Jean-Arnauld Dérens-it përpiqet të “shpjegojë”, se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës nuk ishte projekt politik i pushtetit serb, sepse, sipas tij, “realizmi politik i Millosheviqit ia pamundësonte ta imagjinonte Kosovën pa shqiptarë”[36]. Sipas tij, qëllimi i dëbimit të shqiptarëve “ishte ushtarak: ‘ta pastronin terrenin’, duke i dëbuar civilët, për të luftuar më lehtë kundër UÇK-së”[37]!
[1] Anne-Sophie Paquez, La politique de la France au Kosovo était-elle “gaulliste”? f. 41.
http://www.unige.ch/gsi/files/4914/0351/6343/paquez.pdf
[2] Po aty, f. 42.
[3] Procesi Gjyqësor kundër Slobodan Milošević-it, Fjala hyrëse e Milošević-it, 14.02.2002
http://www.hlcrdc.org/Transkripti/Milosevic/Transkripti/Transkripti%20sa%20sudjenja%20Slobodanu%20Milosevicu%20(2)/Transkript%20sa%20sudjenja%20Slobodanu%20Milosevicu%20-%2014.%20februar%202002..pdf, f. 154-161.
[4] Në mbështetje të pohimeve të lartpërmendura, kanali televiziv gjerman ADR në emisionin “Në fillim ishte gënjeshtra!”, të transmetuar më 8 mars 2001, bëri një sintezë të këtyre qëndrimeve. Ngjashëm ishte edhe shkrimi “Au commencement fut le menssonge” (Në fillim ishte gënjeshtra) e autorit Marc-Antoine Cappo, anëtar i Këshillit Shkencor të revistës franceze “La Pensée libre” (Mendimi i lirë)
http://math.unice.fr/~coppo/mensonge.pdf
[5] Serge Halimi, Les médias pendant la guerre du Kosovo (1/3) (cituar më lart) dhe intervista e cituar e Serge Halimi-t, “Entretien avec la revue Syndikat”.
[6] Radio Courtoisie, Emission du “Libre Journal de Serge de Beketch”, 07.04.1999, Le vol du Kosovo. Avec Bernard Lugan, Dominique Venner et Philippe Conrad: http://www.ekouter.net/le-vol-du-kosovo-avec-bernard-lugan-dominique-venner-et-philippe-conrad-sur-radio-courtoisie-253
[7] Serge Halimi, Les médias pendant la guerre du Kosovo (1/3),
http://www.dailymotion.com/video/x4crrr_les-medias-pendant-la-guerre-du-kos_news dhe
http://www.homme-moderne.org/societe/media/halimi/opinion/syndikat.html
[8] Po aty.
[9] Serge Halimi, Les médias pendant la guerre du Kosovo (1/3),
http://www.dailymotion.com/video/x4crrr_les-medias-pendant-la-guerre-du-kos_news dhe
http://www.homme-moderne.org/societe/media/halimi/opinion/syndikat.html
[10]Atac France, Cathrine Samary, “Kosovo 1999-2009: Quelques mensonges de la pseudo guerre humanitaire”
http://france.attac.org/archives/spip.php?article9880
[11] Jürgen Elsässer, La RFA dans la guerre au Kosovo, Chronique d’une Manipulation, L’Harmattan, 2002.
[12] Michel Collon, Monopoly- l’OTAN à la conquête du monde, Editions Epo, Bruxelles, 2000.
[13] Noam Chomsky, Le Nouvel Humanisme militaire, leçons du Kosovo, Botimi në gjuhën frënge, Cahier libret, 2000.
[14] Po aty.
[15] Serge Halimi, Entretien avec la revue Syndikat (intervistë me revistën Syndikat)
http://www.homme-moderne.org/societe/media/halimi/opinion/syndikat.html
[16] Serge Halimi et Dominique Vidal, “L’opinion ça se travaille…”, Marseille, Agone Editeur, 2000, f. 63.
[17] Dominique Vidal: “L’émotion enrôlée dans la guerre du Kosovo” (Emocionet e rekrutuara në luftën e Kosovës)
http://www.acrimed.org/article480.html
[18] Jürgen Elsässer, La RFA dans la guerre au Kosovo, Chronique d’une Manipulation, L’Harmattan, 2002.
[19] Po aty, f. 42.
[20] F. 85-101.
[21] Po aty, f. 88.
[22] Për më hollësisht konsulto: Radio Courtoisie, Emission du “Libre Journal de Serge de Beketch”, 07.04.1999, Le vol du Kosovo. Avec Bernard Lugan, Dominique Venner et Philippe Conrad.
http://www.ekouter.net/le-vol-du-kosovo-avec-bernard-lugan-dominique-venner-et-philippe-conrad-sur-radio-courtoisie-253
[23] Po aty.
[24] Titulli i librit të Serge Halimi-t, Les nouveaux chiens de garde
[25] Në emisionin e lartpërmendur.
[26] Le monde, Régis Debray, Régis Debray, “Lettre d’un voyageur au président de la République”, 13 maj 1999.
[27] Po aty.
[28] Jean-Arnauld Dérens, Le piège du Kosovo, Editions Non-Lieu, 2008.
[29] Po aty, f. 143.
[30] Po aty, f. 143-144.
[31] Po aty, f. 144.
[32] Autori përdor fjalën “intox”, që nënkupton helmim të shpirtit përmes përhapjes së informatave tendencioze dhe të rrejshme.
[33] Jean-Arnauld Dérens, vepra e cituar Le piège du Kosovo, f. 136-137.
[34] Republika, Ogledi, Nr. 263, Miroslav Filipović, Dugi marš ka istini o zločinima
http://www.yurope.com/zines/republika/arhiva/2001/263/263_16.html
[35] Libération, Que ceux qui ont commis ces atrocités soient jugés pour leurs crimes. 24.06.2000 https://www.liberation.fr/planete/2000/06/24/que-ceux-qui-ont-commis-ces-atrocites-soient-juges-pour-leurs-crimes_328448
[36] Jean-Arnauld Dérens, “Le piège du Kosovo”, Editions Non Lieu, 2008, f. 136.
[37] Po aty.