Vuçiç po e mbështet Rusinë në Ukrainë dhe po afrohet akoma më shumë me Kinën, duke pretenduar zyrtarisht se po qëndron “neutral”, ndërsa darkon dhe bën biznes me liderë autoritarë si Lukashenko, Aliyev dhe Orban.
Nga Dr Daniel Serwer
Jim O’Brien, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane i sapo-emëruar në këtë detyrë, foli javën e kaluar në një aktivitet të institutit kërkimor “German Marshall Fund”. I fokusuar kryesisht mbi luftën në Ukrainë, ai foli pak për gjendjen në Ballkan. Dhe kjo është shumë domethënëse.
Është një provë e radhës, se rajoni i Ballkanit nuk është më një prioritet në Uashington. Kur u ndal shkurtimisht tek Ballkani, ai e vuri theksin tek çështjet ekonomike. Edhe ky detaj është shumë tregues. O’Brien dyshon se çështjet politike mund të zgjidhen së shpejti.
Ai ishte një zyrtar i përkushtuar ndaj programit të dështuar të “Ballkanit të Hapur”, i cili propozoi një qasje të udhëhequr nga ekonomia ndaj reformave që kërkohen me ngulm nga vendet e rajonit. Por ai u dominua nga Serbia, ndaj Kosova e bojkotoi. Ky projekti ka pasur pak ose aspak gjëra për t’u mburrur.
Heather Conley e pyet në një moment zyrtarin e lartë amerikan mbi ekuilibrin që duhet pasur midis stabilitetit dhe reformave në raport me zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit të vitit të kaluar. O’Brien u përpoq t’i kontestojë sidomos zgjedhjet në Beograd, pasi OSBE-ja nuk i vëzhgoi zyrtarisht ato. Por faktet janë të mirë-njohura. Qeveria solli me autobus mijëra votues nga Bosnja dhe Hercegovina për të votuar në Beograd, pasi kishte frikë nga një humbje e mundshme.
Edhe përmes kësaj manovre, nuk arriti të fitojë 50 për qind të vendeve në këshillin bashkiak. Se kush do të qeverisë atje kjo mbetet ende e paqartë. O’Brien e trajton rezultatin si një shenjë reformimi dhe jo manipulimi. Dhe ky qëndrim është një shembull akoma më shqetësues sa i përket qasjes në përgjithësi shumë tolerante të SHBA-së ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Më pas ai iu kthye tek qasja e tij e preferuar ndaj një politike të udhëhequr nga ekonomia, e bazuar haptazi tek ecuria e Beogradit në tërheqjen e investimeve të huaja. Ai shpreson që udhëheqësit e tjerë në rajon do ta imitojnë këtë qasje. Por investimet e huaja në Serbi kanë rënë vitet e fundit, pasi Beogradi i është shmangur vazhdimisht përafrimit të politikës së jashtme me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.
Vuçiç po e mbështet Rusinë në Ukrainë dhe po afrohet akoma më shumë me Kinën, duke pretenduar zyrtarisht se po qëndron “neutral”, ndërsa darkon dhe bën biznes me liderë autoritarë si Lukashenko, Aliyev dhe Orban. Kompanitë evropiano-perëndimore dhe amerikane pyesin me të drejtë nëse do të trajtohen siç duhet. Dhe kjo teksa po përkeqësohet indeksi i respektimit të sundimit të ligjit në këtë vend.
Qasja e duhur është reformimi përmes stabilitetit. Paqëndrueshmëria e Serbisë vitet e fundit është e lidhur me refuzimin e presidentit Vuçiç për të reformuar vendin e tij. Kjo ka nxitur demonstrata masive kundër dhunës, korrupsionit dhe kundër qeverisë. Nuk ka gjasa që të ketë stabilitet derisa të përmbushen të paktën disa nga këto kërkesa të opozitës.
Koncepti se Vuçiç mund t’i japë fund protestave dhe të imponojë stabilitet duke përdorur masa gjithnjë e më autokratike nuk është bindës. Dhe sigurisht kjo nuk është diçka që SHBA-ja duhet ta mbështesë. Po ashtu as sulmet e saj konstante ndaj Kosovës.
Uashingtoni dhe Brukseli duhet të artikulojnë dhe mbështetin një politikë që kërkon reforma reale, politike dhe ekonomike. Parlamentarët e tyre po e bëjnë tashmë këtë. Edhe degët e tyre ekzekutive duhet të ndjekin drejtimin e tyre. Gjithashtu, një fushë e rëndësishme e reformës, por e lënë pas dore prej kohësh, janë shpenzimet ushtarake.
Serbia e ka forcuar ndjeshëm ushtrinë e saj vitet e fundit, përfshirë dronët e armatosur, sistemet e mbrojtje ajrore dhe mjetet e blinduara për të garantuar sjelljen tolerante të amerikanëve: Arsyeja e vetme për një riarmatim të tillë është presioni ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.
Asnjë prej tyre nuk e kërcënon Serbinë, që megjithatë është në ankth për të kontrolluar popullsinë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Përpjekja për ta bërë këtë njihet me emrin “Bota Serbe”. Në këto Uashingtoni dhe Brukseli duhet t’i thonë Beogradit se bota serbe është mallkuar, dhe ngritja ushtarake duhet të ndalet.
Opozita serbe doli më mirë sesa pritej në zgjedhjet parlamentare. Mjedisi elektoral formalisht ishte i lirë, por haptazi i padrejtë. Megjithatë, opozita fitoi çerekun e vendeve në parlament. Ajo nuk ka aq forcë sa të kundërshtojë politikën serbe ndaj Kosovës. Përkundrazi, shumë prej mbështetësve të saj përpiqen të kenë më shumë pozicione nacionaliste dhe irredentiste sesa qeveria aktuale.
Por është kryesisht një opozitë pro-BE dhe shumë më e bashkuar se në të kaluarën. Nëse do t’i afrohet ndonjëherë pushtetit, asaj do t’i duhet të rivlerësojë qasjen ndaj Kosovës. Përfundimi i pashmangshëm është se anëtarësimi në BE varet nga marrëdhëniet serioze të fqinjësisë së mirë dhe nga njohja përfundimtare formale.
Asgjë më pak se kaq, nuk do të sjellë hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ata e dinë këtë, por tani për tani s’mund ta thonë apo bëjnë diçka. Atëherë, çfarë duhet bërë? Një nga çështjet që trajtoi O’Brien në fjalën ë tij ishte mbështetja e politikanëve të përgjegjshëm që mund të sjellin përfitime për qytetarët.
Dhe kjo nuk është ajo që po bën presidenti Vuçiç. Ky i fundit e ka detyruar Brukselin dhe Uashingtonin të blejnë “stabilitet” në rajon në këmbim të reformave modeste, nga të cilat nuk përfitojnë vërtet qytetarët. Situata është edhe më e rëndë në Bosnje Hercegovinë.
Atje Uashingtoni dhe Brukseli kanë gabuar duke mbështetur politikanët kroatë, të cilët nuk janë të gatshëm të kryejnë ndonjë reformë serioze apo me përfitime për qytetarët.
Nëse ka një politikan që ka treguar angazhim serioz për reformat në Ballkan, ai është sot kryeministri i Kosovës Kurti. Brukseli ka marrë “masa” kundër tij për shkak se guxoi të mbajë në detyrë kryetarët e komunave të zgjedhur në mënyrë legjitime në veri të Kosovës. Është e vërtetë se ai ka hezituar edhe në krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, siç është rënë dakord më herët.
Por ky është një çmim që duhet paguar në fund të procesit të dialogut, me njohjen zyrtare diplomatike, dhe jo tani. O’Brien ka të drejtë kur thotë se çështjet kryesore politike të sovranitetit dhe integritetit territorial, nuk mund të zgjidhen sipas mënyrës që e dëshiron sot SHBA-ja. Nuk më shqetëson qasja e tij e “përfitimeve për qytetarët”.
Është logjike të fokusohemi tek çështjet relativisht teknike dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve të kaluara, si ato për targat dhe dokumentet shtetërore, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por nuk ka kuptim të imagjinohet se Serbia nën Vuçiç do të dëshirojë të bëjë më shumë sesa kaq.
Apo që Ballkani do të jetë së shpejti pjesë e Evropës së tërë dhe të lirë. Tani për tani, vija ndarëse midis Lindjes dhe Perëndimit do të kalojë përmes Ballkanit, me Serbinë dhe Republikën Srpska (entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë) në anën lindore të tij, së bashku me Bjellorusinë. I takon Serbisë të zgjedhë. Kështu ka bërë, dhe ne duhet të pranojmë dhe respektojmë zgjedhjen e saj. [Burimi “Pamfleti” nga “Dtt.net”
Shënim: Daniel Serwer, profesor i praktikës së menaxhimit të konflikteve në Shkollën Xhon Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, SHBA.