Koordinimi më i fortë strategjik SHBA-BE për t’i dhënë fund tentativave të Beogradit për rishikim të hartës politike në dëm të Kosoëvs, Malit të Zi dhe Bosnjës, është i nevojshëm dhe urgjent. Vetëm kështu i jepet fund projektit serb për ringjalljen e Jugosllavisë dhe rikthimin e dominimit serb në rajon, respektivisht rikthimit të flakëve të luftës në Ballkan.
Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA
Pristinë, 1 shtator — Ballkani Perendimor përmes Procesit të Berlinit kishte për qëllim t’ia arrijë një gjakimi politik mes SHBA-ve dhe BE-së, që kishte të bënte dhe ka të bëjë me koordinimin e tyre më se të nevojshëm dhe urgjent për të parandaluar mundësinë e shpërthimit të sërishëm të konflikteve mes Serbisë dhe shteteve që ndjehen të kërcnuar nga Beogradi.
Përmes doktrinës së Joi Biden-it SHBA-të po pretendojnë të rikthejnë “besueshmërisë dhe autoritetin moral” (amerikan), fillimisht tek partnerët e tyre kryesor (BE), por edhe tek të tjerët që epoka e Donald Trump-it ju kishte krijuar ndeshtrasha të panumërta.
Në këtë kuadër, Kosova ishte shteti dhe aleati më specifik i SHBA-ve që po rrezikonte të pësojë keq, duke humbur pjesë strategjike të vendit. Ndërkaq Bosnja dhe Mali i Zi, rrezikonin të shuheshin fare.
A mund të thuhet se ka kaluar ky rrezik?
Duket se jo, e për këtë flasin dy projektet serbe që po ngriten para syve tanë: ai i Ballkanit të hapur dhe armatimi I sofistikuar që Serbia po merr nga Rusia, përfshi këtu edhe aeroportin e ri ushtarak në Trebinje të Srbska Republikës.
Rikthimi i Perendimit në Ballkan — pjesë e gjeopolitikës
Ndërkohë administrata e Biden ka filluar të ushtrojë strategjinë e saj për t’shmangur ambiciet në rritje të Rusisë për të rivalizuar Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perednimor dhe në Baltik, duke aplikuar opcionin që kishte vënë në jetë burrë-shteti austriak Clemens von Metternich në shek. 19-të. Kjo strategji ka të bëjë me krijimin e një strukture që do të ndihmojë në parandalimin ose kufizimin e konfliktit dhe vënien e Ballkanit nën ombrellën e sigurisë amerikane. Si metodë e paramenduar ajo u përdorë në shekullin XIX nga austriaku Clemens von Metternich, i cili përfshiu kundërshtarët e Austrisë, Francës dhe Rusisë, në një koncert të fuqive të mëdha, i cili siguroi paqen në Evropë për gati një shekull.
Ekuivalenti modern i strategjisë së Metternich për Ballkanin Perednimor do të ishte veprimi i Amerikës për të përdorë procesin e integrimit të rajonit në BE dhe NATO në tërësi, duke ruajtur kufijtë aktual. Kjo duket të jetë ajo që administrata e Biden-it ka në mendje, kur përpiqet të gjejë gjuhë të përbashkët me Berlinin dhe Moskën për çështjen e Ballknait Perednimor, duke ia bërë të qartë kësaj të fundit se, jo vetëm Ballkani, po as Baltiku, nuk mund të përdoren si “Kalë Troje” për t’i krijuar vetes favore në Ukrainë e gjetkë, apo Kinës në Taivan…
Hinterllandi i Maccinder-it, pra pjesa qendrore dhe Europa Lindore, respektivisht zemra e masës tokësore euroaziatike, ka vite që është shndërruar në pikërëndesë të konfrontimit të forcave më të fuqishme të botës moderne. Pikërisht në vendin e shënuar nga Mackinder në fillim të shekullit të 20 -të. Betejat përtej kësaj linje, duke provokuar rikthimin rus në Ballkan, janë pjesë e këtij konfrontimi.
Profesor amerian i Strategjisë në Kolegjin e Luftës Detare, James Kurth, në artikullin e tij të publikuar kohë më parë në “Foreign Affairs” potencon se “u deshën dy luftëra botërore dhe një luftë e ftohtë për të parandaluar këtë profeci të Mackinder (për një forcë ose grup fuqish që sundojnë Euroazinë – vërejtja ime) një realitet. ”Kurtha duhet të plotësohet. As dy luftërat botërore dhe as një luftë e ftohtë në të vërtetë nuk parandaluan një konfrontim në skenën gjeopolitike euroaziatike të Mackinder. Domethënë, një Luftë tjetër e Ftohtë po zhvillohet për të kontrolluar “Heartland-in” dhe “World Island”. [James Kurth: 2021]
Sipas postulateve të teorive gjeopolitike klasike të Sir Halford Mackinder dhe Admiral Alfred Thayer Mahan nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit të 20 -të, “sot po zhvillohen dy beteja paralele midis fuqive globale dhe aleatëve të tyre. Doktrina e Mahan për sundimin e deteve është konfirmuar në vepër, si dhe doktrina e Mackinder për sundimin e tokës qendrore të botës – Euroazisë.”[1] [Mario Stefanov: 2021]
Për zbatimin e asaj që mund të quhet një strategji globale e “kufizimit të dyfishtë”, Joe Biden gjatë qershorit dëshmoi gadishmëri për të punuar me Rusinë. Rezultat i kësaj strategjie amerikane ishte zgjatja e Traktatit të ri START për pesë vjet, Biden ofroi të përfshihej në diskutime të drejtpërdrejta me presidentin Vladimir Putin mbi “gamën e plotë të çështjeve me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe Rusia”.[2] [Hall Gardner, The National Interest: 2021]
Përngjasimet e Rusisë ës sotme me atë të epokës së Maternih-ut në vizionet amerikane mbi Ballkanin Perendimor sot dhe metodologjia e reagimit të politikës amerikane ndaj forcës konkurruese është më se e qartë.
Në takimin e qershorit 2021 Biden-Putin u përfshinë në diskutim çështje me peshë, si: siguria kibernetike, përhapja bërthamore, ndryshimi i klimës, marrëveshja bërthamore me Iranin, marrëveshja me Korenë e Veriut, ajo me Afganistanin, si dhe të drejtat e njeriut.
Le të kujtojmë se oferta fillestare e Bidenit për bashkëpunim me Putinin u bë pak para se Uashingtoni të vendoste sanksione shtesë financiare ndaj Moskës, pasi kishte vendosur tashmë sanksione në përgjigje të rolit të supozuar të Rusisë në ndërhyrjen kibernetike SolarWinds, si dhe përpjekjet e saj të pretenduara për të ndikuar në zgjedhjet amerikane në vitin 2020, plus “Abuzimet e rënda të të drejtave të njeriut” të Moskës në Krime.
Krejt kjo pasoi deklaratën e njohur të J.Biden-it, përmes së cilës ai akuzoi Putinin si “vrasës”. Nëdrkaq më heret ai pati akuzuar presidentin kinez Xi Jinping se ishte një autokrat i cili vinte bast se ai mund të tejkalonte “demokracinë”.
Sipas D.Fried-it, de fakto, kemi të bëjmë me një “strategji të rrënjosur në besim se një sistem ndërkombëtar i bazuar në rregulla e që favorizon lirinë, do të jetë i mirë si për Shtetet e Bashkuara dhe për botën; që interesat e SHBA-ve do të përparojnë me vlerat e tyre; se prosperiteti i SHBA-ve varet nga prosperiteti i të tjerëve; dhe, për këtë arsye, që mbështetja dhe udhëheqja e SH.B.A.-së për një botë të tillë — pra për një botë të lirë, siç kemi thënë më parë — nuk është bamirësi, por interes i mençur personal.”[3] [D.Fried: 2021]
Në këtë linjë mendimi, mund të konkludojmë se vizioni i SHBA-ve i bazuar në vlerat demokratike, përputhet me interesat jetike të popujve të Ballkanit, para së gjithash me interesat nacionale të shqiptarëve. Kjo strategji madje është në përputhje edhe me projeksionet tona gjeoekonomike dhe gjeopolitike.
Prandaj, kushdo që del si pengesë në këtë objektiv gjeostrategjik, duhet mënjanuar.
Shqetësimi i Moskës
Shih për këtë, Moska nuk e fsheh shqetësimin e saj në raport me revolucionin elektoral të Vetëvendosjes më 14 shkurt.
“Nuk duket rastësi që menjëherë pas fitores elektorale të “Vetëvendosjes” propaganda ndërkombëtare ruse nisi një fushatë sulmesh ndaj qeverisë ende të pa krijuar të “Vetëvendosjes” për lidhjet me SHBA. Organi mediatik qeveritar rus “eadaily.ru” me titullin “Radikalët e Prishtinës presin instruksionet e Bajdenit”, shkruante në 14 shkurt: “Ardhja në pushtet në SHBA e Xho Bajdenit dhe e partisë demokrate, që mund ta quash kuratore të Albin Kurtit, mund t’i japin atij peshë politike, meqë administrata amerikane synon të aktivizojë përkrahjen për projektin kosovar dhe Kurti është përfaqësuesi i interesave të demokratëve amerikanë”[4] [Shaban Murati: 2021]
Ndërkaq establishmenti I vjetër politik, më saktë segmente të tij të njohura për lidhjet dhe nostalgjinë pro ruse, kishte kohë që po mbillnin iluzione në popull se gjoja “Rusia mund të ndryshojë qëndrim dhe ta mirëkuptojë Kosovën, sidomos pas takimit të pazbardhur të presidentëve të Rusisë dhe të Kosovës në Paris në 11 nëntor 2018”, do ët marrin përgjigjen e duhur të Perendimit më 5 nëntor 2020.
Më 19 maj 2021 në një mesazh në “twitter” Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkruante se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohet hyrja në vend.
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante taksativisht Sekretari Amerikan i Shtetit.
Diçka e ngjashme mund të pritet të ndodhë edhe me liderët tjerë të Ballkanit Perednimor që bien ndesh me doktrinën Baiden.
Prandaj Tirana zyrtare, me konsolidimin ndërkohë të Kuvendit dhe krijimin e qeverisë, duhet të rakordojë qëndrimet dhe veprimet me Uashingtonin dhe me Prishtinën, duke braktisur projektin e “ballkanit të hapur”, duke ju kthyer angazhimit real pro interesave jetike të Kombit, që nënkuptojnë avancimin e Kosovës si subjekt I pavarur i së drejtës ndërkombëtare dhe shpejt anëtare e NATO-s.
Kompromitimi në ekstrem i demokracisë liberale duket se nuk do të tolerohet tutje, sidomos jo kur ai veprim vije nga liderët e Ballkanit.
Kambanat bien për ata që kanë vesh.
Kur vjeshta në Tiranë pritet ta sjell erën nga jugu
Lëvizjet e Biden-it për të filluar veprime konkrete në rajon do të reflektohen gjatë kësaj vjeshte si në Tiranë, duke sjellë freskinë e jugut, ashtu edhe në kryeqendrat tjera të Ballkanit. Me këto veprime, mundet që Moska dhe Beogradi të gjykojnë se Uashingtoni po angazhohet në forma të reja të “luftës hibride”.
Krejt këtë, me qëllim që të synojnë kontrollimin e interesave të tyre gjeostrategjik, duke pamundësuar krijimin e “Botës Serbe”. Kjo kunëdrvënje, gjykojnë tutje strategët serb, mund të arrihet duke pamundësuar lidhjen dhe forcimin e aleancave, qofshin ato të hapura me presidentin e Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, apo më të sofistikuara me kryeministrin maqedon Zoran Zajev e atë shqiptar, Edi Rama, që po fshihen prapa projektit “Ballkani i Hapur”.
Për t’zgjidhur një herë e mirë çështjet e hapura në Ballkan, që mund të rikthehen si tema të nxehta në muajt në vijim, është thelbësore që Shtetet e Bashkuara dhe BE të ushtrojnë trysni të duhur ndaj Beogradit, duke ia lënë historisë strategjitë alternative (të propozuara nga presidenti francez E.Macro), që me çdo çmim duan ta “zbusin” reagimin e Beogradit, respektivisht ta mbajnë Serbin sa më larg ndikimit rus. Kjo strategji dubioze e aleatëve të vjetër serb (Francës, Rusisë…), nënkupton sakrifikimin e veriut të Kosovës, anschluss-in serb të Malit të Zi dhe atë të Republikës Serbe, poashtu Serbisë dhe dalje të Serbisë në Adriatik, kësaj radhe përmes ripushtimit të Malit të Zi.
Ky do të ishte çmim tepër i lartë dhe i pa akceptueshëm qoftë edhe në formën e “pushtimit të btë” që do ët bëhej përmes projektit të “Ballkanit të hapur”. Prandaj kundërshtimi për këtë projekt nuk ishte vetëm nga qeveria e Kosovës, por edhe nga ana e Malit të Zi dhe Bosnjës. Çfardo insistimi në për realizimin e këtij projekti, pashmangshëm rajonin do ta përfshinin sërish flakët e një lufte të re.
Një afrim SHBA-BE me një Serbi autoritare, në krye të së cilës qëndron tutje establishmenti politik i epokës së Milosheviqit, në emër të zgjidhjes definitive të çështjes serbe dhe asaj shqiptare në Ballkanin Perednimor, e me këtë edhe në emër të gjoja interesave gjeostrategjike që imponojnë rrethanat për ta tërhequr Serbinë nga lëvizjet e saj drejt Rusisë, do të mund të rezultojë si dështimi i dytë i madhë i Perendimit, pas fiaskos në Avganistan.
Ky rikthim më i fuqishëm i Perëdnimit në Ballkan, me theks në Kosovë, është pjesë e kthimit “të realizmit të vjetër dhe të ashpër” të gjeopolitikës. Në fakt jemi në epokën, kur është bërë konfirmimi i plotë i teorive klasike të gjeopolitikës. [ISHGJ]
______________________________
Fusnotat
1. https://www.geopolitika.news/analize/mario-stefanov-povratak-geopolitike/
3. https://www.atlanticcouncil.org
4. Shaban Murati, http://pamfleti.net/pse-e-humbi-moska-qetesine-nga-rezultati-i-zgjedhjeve-ne-kosove-roli-i-tiranes/