Nga Bardhyl MAHMUTI, politolog
Në pjesën e sipërme lexuesi pati mundësi të shihte, se autorët që hedhin dyshime për vërtetësinë e “Planit Patkoi”, mbështeten në elemente që lidhen me autenticitetin e tij. Edhe pse të gjithë janë në dijeni se ky plan u zbulua nga Shërbimi Sekret Bullgar dhe se nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti plani u bë i njohur edhe për vendet e tjera anëtare të NATO-s, autorët e lartpërmendur përsëritin qëndrimin propagandistik të Millosheviqit dhe vënë theksin në atë “përse emri i këtij plani nuk ishte në gjuhën serbe, ‘Potkovica’, por në atë bullgare, ‘Potkova’”!
Sipas kësaj logjike, në rast se ky plan do të ishte zbuluar nga UÇK-ja, ashtu siç pretendon Michel Collon-i në veprën e tij “Monopoly – NATO-ja në pushtimin e botës” dhe do t’u ishte shpërndarë shteteve të NATO-s nëpërmjet një raporti në gjuhën shqipe, atëherë “argumenti” kryesor i kundërshtarëve të vërtetësisë së tij do të përqendrohej rreth asaj se, “përse emri i këtij plani nuk ishte në gjuhën serbe, ‘Potkovica’, por në atë shqipe, ‘Patkoi’!
Me një fjalë, autorët që kontestojnë vërtetësinë e këtij plani këmbëngulin se “mungon dokumenti origjinal i këtij plani”, sepse nuk është gjetur dokumenti në gjuhën serbe dhe me nënshkrim të Millosheviqit!
Në “mungesë të këtij dokumenti origjinal”, që do të “kënaqte” mohuesit e ekzistimit të planit gjenocidal “Patkoi”, nuk do të ndalem në shkrimet e shumta që artikulohen rreth faktit, nëse ishte gjenerali serb, Momčilo Perišić-i (Momçillo Perishiq), ai që dha informatat për këtë plan, apo ishte zbulimi i këtij plani, arsyeja e shkarkimit të tij nga funksioni i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave. Mungon “dokumenti origjinal”!
Edhe deklarata e kolonelit të Armatës së Jugosllavisë, Dragan Vukšić-it (Vukshiq), se “operacionin Patkoi e kishte urdhëruar personalisht Millosheviqi”, dikush si Jürgen Elsässer-i mund ta kundërshtojë se i “mungon origjinali”[1]. Por lexuesit që ka mundësi të lexojë në gjuhën serbe, i rekomandoj t’i hedhë një vështrim veprës “Fshehtësitë ushtarake – pjesa e dytë”, e autorit Vladan Vlajković-it (Vlladan Vllajkoviq) për të parë revoltën e pushtetit serb, sidomos atë të ushtarakëve, ndaj deklaratave të tilla. Kjo do t’u mundësojë të krijojnë një ide të përafërt për rrezikun që u kanosej personave që dilnin jashtë kornizës së lejueshme për interpretimin e ngjarjeve në Kosovë.
Debati rreth “autenticitetit të dokumentit” të publikuar për “Planin Patkoi” fsheh thelbin e planit serb për shkatërrimin e shqiptarëve të Kosovës, si të tillë.
Mirëpo, siç thotë një shprehje e njohur popullore, “atyre që mbarsen tinëz, kopili u del në shesh!”. Në çdo rast që u jepej mundësia, nxënësit e shkollave fillore dhe të atyre të mesme të Serbisë brohoritnin njëzëri: “Ubi! Zakolji! Da Šiptar ne postoji!” (Vraj! Ther! Që shqiptarët të mos ekzistojnë!). E njëjta gjë ndodhte me tifozët e ekipeve sportive: sallat dhe stadiumet buçisnin nga i njëjtin refren: “Ubi! Zakolji! Da Šiptar ne postoji!”. Pikërisht këto brohoritje shpërfaqin qëllimin e projektit serb, për të shkatërruar shqiptarët si të tillë.
Fatkeqësisht i njëjti refren dëgjohet edhe sot e kësaj dite në Serbi dhe në shtete të ndryshme ku zhvillojnë ndeshje ekipet serbe! Madje, për shkak të këtyre brohoritjeve nxitëse për të kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në ndeshjen e Serbisë kundër Zvicrës, në ekipin e së cilës luanin dy lojtarë me prejardhje shqiptare nga Kosova[2], dhe përdorimit të një flamuri në ndeshjen kundër Brazilit, ku shpaloseshin ambiciet e tyre kundër Kosovës, FIFA ndëshkoi Serbinë me një gjobë prej 50 mijë frangash zvicerane.
Terminologjia që përdoret në planin gjenocidal për të shkatërruar shqiptarët si të tillë është tërësisht e harmonizuar. Në përputhje me fjalën “patkua”, që emërton planin që bartte me vete porosinë që shqiptarët të trajtohen si kafshë, edhe në moton “Ubi! Zakolji! Da Šiptar ne postoji!” përdoret folja “zakolji”, që emërton therjen e kafshëve duke ua prerë gabzherrin.
Që të shmangim grackat ku na tërheq logjika e argumentimeve rreth “autenticitetit të dokumentit” të publikuar për “Planin Patkoi”, ne duhet të përqendrohemi në kontekstin e përgjithshëm të kryerjes së akteve kriminale, të cilat ishin të drejtuara në mënyrë sistematike kundër shqiptarëve si grup; të japim dëshmi konkrete për përzgjedhjen e qëllimshme dhe sistematike të viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre të grupit etnik shqiptar, duke i veçuar anëtarët e grupeve të tjera, sepse kjo na mundëson të sigurojmë prova që nxjerrin në shesh qëllimin gjenocidal të akteve kriminale të forcave të armatosura serbe.
Në këtë studim do të përmend vetëm disa nga rastet, që më duken tipike për formën sistematike të zbatimit të këtij plani.
Në të gjitha rastet e krimeve masive të përshkruara në dosjet e Fondit për të Drejtën Humanitare[3], aksioni fillonte në orët e hershme të mëngjesit. Në intervalin kohor mes orës 03:00-06:00, forcat policore dhe ushtarake rrethonin vendbanimet shqiptare në formë patkoi, bombardonin shtëpitë me artileri, me tanke dhe me tërë arsenalin e armatimit që zotëronin dhe, në fund, grupe të vogla prej 3-5 ushtarësh dhe policësh hynin nëpër shtëpi, i keqtrajtonin, i poshtëronin dhe i frikësonin në mënyra nga më brutalet shqiptarët që kishin mbetur gjallë nga bombardimi. Disa i vrisnin në prani të familjes, ndërsa të tjerët duhej të ballafaqoheshin me përzgjedhjen që bëhej në pjesën e daljes “nga patkoi”. Aty vendosej se kush do të vritej, kush do të përdhunohej seksualisht dhe kush do të dëbohej.
Për të zhveshur të vërtetën para opinionit publik serb dhe atij ndërkombëtar, Fondit për të Drejtën Humanitare publikoi Dosjen për Brigadat e Motorizuara të Ushtrisë Jugosllave.
Në këtë dosje të Fondit për të Drejtën Humanitare përshkruhen tmerret që kjo brigadë ka shkaktuar në Kosovë dhe jepen detaje për operacionet e vrasjeve vetëm në tetë fshatra të Kosovës.
Kështu, dosja fillon me rastin e vrasjeve në fshatin Bellacërkë të komunës së Rahovecit, ku u vranë 65 shqiptarë. Nga 54 kufoma të zhvarrosura, autopsia e së cilave ishte bërë nga Seksioni i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Glasgout (Skoci), 47 ishin kufoma meshkujsh dhe shtatë kufoma femrash[4]. Një vend i veçantë në dosje i kushtohet tragjedisë që përjetuan familjet Zhuniqi dhe Spahiu të këtij fshati. “Pesë anëtarë të familjes Zhuniqi (Çlirim, Lumturie, Dhurata, Dardane dhe Dardan), dhe shtatë anëtarë të familjes Spahiu (Xhemajl, Qamile, Fiqirie, Ilirjana, Marigona, Labinot dhe Lirim) u vranë në këtë fshat dhe nga këto familje shpëtoi vetëm fëmija 4-vjeçar, Shkodran Zhuniqi”[5].
Në fshatin Celinë, në një skenar të ngjashëm, u ekzekutuan 81 civilë shqiptarë[6]. Nga 78 kufoma që u gjetën pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, 18 kufoma ishin të djegura[7]. Në mesin e të vrarëve, 13 persona ishin fëmijë. Tragjedia e vërtetë goditi familjen Zeqiri të këtij fshati, të cilës iu vranë tetë fëmijët: Alma (18-muajshe), Albani (5 vjeç), Bledari (8 vjeç), Besarti (10 vjeç), Albulena (11 vjeçe), Suzana (11 vjeçe), Burbuqja (13 vjeçe), Nazlija (16 vjeçe). Krahas fëmijëve të familjes Zeqiri, në këtë fshat u vranë edhe Ramazan Salihu (8 vjeç), Alban Rexhepi (14 vjeç), Bedrush Hasani (15 vjeç), Mejreme Salihu (15 vjeçe) dhe Gëzim Salihu (17 vjeç)[8].
Në rrugën kryesore të fshatit Krushë e Vogël u bë përzgjedhja e atyre që duhej të vriteshin. I bastisën, ua morën paratë dhe dokumentet e identifikimit dhe 120 meshkuj, në mesin e të cilëve edhe Mehmet Shehu (13 vjeç), Xhelal Shehu (13 vjeç), Abdyl Baliu (72 vjeç)… i futën në stallën e Qazim Batushës dhe, përmes dritareve, filluan të shtinin me armë për disa minuta rresht. Pastaj u kontrollua stalla nga brenda dhe vazhduan të shtinin kundër atyre që jepnin shenja jete[9]. Kur përfunduan krismat, pjesëtarët e MUP-it[10] i mbuluan trupat me sanë dhe i dogjën”[11].
Edhe në fshatin Krushë e Madhe ishte e njëjta formë krimi. Vetëm “në stallën e Selami Elshanit u vranë 18 civilë shqiptarë, kufomat e të cilëve u mbuluan me sanë dhe u dogjën[12], ndërkaq numri i të vrarë nga forcat serbe në Krushë të Madhe gjatë periudhës 25-30 mars 1999 është 204 civilë shqiptarë”[13].
Në Landovicë, në të njëjtën formë u ekzekutuan 17 civilë shqiptarë[14]. Në Lubizhdë të Hasit u vranë 53 civilë[15].
Më 25 mars 1999, në fshatin Tërnjë të komunës së Suharekës, forcat serbe ekzekutuan më së paku 24 shqiptarë[16]. Vetëm në shtëpinë e Musli Gashit u pushkatuan 18 persona, 16 prej të cilëve vdiqën, ndërkaq dy shpëtuan me plagë të rënda.
Në faqen 25 të kësaj dosjeje janë dhënë emrat dhe datëlindjet e këtyre të vrarëve: “Emira Gashi (3 vjeçe), Natyra Gashi (8 vjeçe), Fisnik Gashi (10 vjeç), Altion Bytyqi (11 vjeç), Sedat Gashi (13 vjeç), Blerta Gashi (15 vjeçe), Lumturije Gashi (18 vjeçe), Shqipe Bytyqi (27 vjeçe), Habibe Gashi (31 vjeçe), Selvete Gashi (31 vjeçe), Luljeta Gashi (33 vjeçe), Shyqëri Gashi (50 vjeç), Hyrie Gashi (57 vjeçe), Musli Gashi (72 vjeç), Shefkinaze Gashi (72 vjeçe)”[17]. Siç mund të shihni, janë vetëm dy burra. Të tjerët janë gra dhe fëmijë!
Vrasjet vazhduan deri më 30 mars dhe gjatë periudhës ushtria vrau së paku 36 civilë shqiptarë[18]. Pastaj Batalioni i Prapavijës mori me vete kufomat e grave dhe të vajzave dhe i varrosi në varreza masive në rrethin e Dragashit[19]. Sot e kësaj dite nuk janë gjetur kufomat e 20 personave të vrarë në këtë fshat[20].
Më 26 mars 1999, në Suharekë u pushkatuan 52 shqiptarë të familjes Berisha. Po sjellim emrat dhe moshën e atyre që figurojnë në aktvendimin[21] e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kundër Milan Milutinović[22] dhe të akuzuarve të tjerë për krimet në Kosovë.
Eron Berisha (1-vjeçar, mashkull), Redon Berisha (1-vjeçar, mashkull), Ismet Berisha (2-vjeçar, mashkull), Granit Berisha (2-vjeçar, mashkull), Dorentina Berisha (4-vjeçare, femër), Genc Berisha (4-vjeçar, mashkull), Mirat Berisha (7-vjeçar, mashkull), Hanumsha Berisha (9-vjeçare, femër), Merita Berisha (10-vjeçare, femër), Altin Berisha (11-vjeçar, mashkull), Kushtrin Berisha (11-vjeçar, mashkull), Edon Berisha (12-vjeçar, mashkull), Herolinda Berisha (13-vjeçare, femër), Drilon Berisha (13-vjeçar, mashkull), Zana Berisha (13-vjeçare, femër), Dafina Berisha (15-vjeçare, femër), Majlinda Berisha (15-vjeçare, femër), Vlorjan Berisha (17-vjeçar, mashkull), Sherine Berisha (17-vjeçare, femër), Arta Berisha (18-vjeçare, femër), Fatmire Berisha (22-vjeçare, femër), Afrim Berisha (24-vjeçar, mashkull), Lirije Berisha (24-vjeçare, femër), Sebahate Berisha (25-vjeçare, femër), Mevlude Berisha (26-vjeçare, femër), Mihrije Berisha (26-vjeçare, femër), Besim Berisha (26-vjeçar, mashkull), Faton Berisha (27-vjeçar, mashkull), Fatime Berisha (37-vjeçare, femër), Hajdin Berisha (37-vjeçar, mashkull), Nexhmedin Berisha (37-vjeçar, mashkull), Flora Berisha (38-vjeçare, femër), Bujar Berisha (40-vjeçar, mashkull), Avdi Berisha (43-vjeçar, mashkull), Nexhat Berisha (43-vjeçar, mashkull), Sedat Berisha (45-vjeçar, mashkull), Fatime Berisha (48-vjeçare, femër), Zelihe Berisha (50-vjeçare, femër), Hamdi Berisha (54-vjeçar, mashkull), Nefije Berisha (54-vjeçare, femër), Jashar Berisha (56-vjeçar, mashkull), Sofije Berisha (58-vjeçare, femër), Vesel Berisha (61-vjeçar, mashkull), Hava Berisha (63-vjeçare, femër), Musli Berisha (63-vjeçar, mashkull), Hanumsha Berisha (81-vjeçare, femër), Sait Berisha (83-vjeçar, mashkull)[23].
Për t’u ikur bombardimeve të fshatit Poklek, më 17 prill 1999 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha ishin nisur në drejtim të qytetit Gllogovc[24]. Në hyrje të qytetit forcat serbe i kishin detyruar të ktheheshin në shtëpinë e familjes Muqolli.
Pasi kthehen në shtëpinë e familjes Muqolli, forcat serbe i detyruan të dilnin në oborr për t’i numëruar dhe të ktheheshin sërish brenda shtëpisë. Pak çaste më vonë kanë nxjerrë në oborr Sinan Muqollin dhe Ymer Elshanin dhe kanë ekzekutuar. Pastaj, nëpërmjet dritareve kanë hedhur granata dore dhe janë futur brenda dhomave për të ekzekutuar ata që jepnin shenja jete.
Në këtë akt gjenocidal u vranë 53 civilë shqiptare, prej të cilëve 23 ishin fëmijë:
Lirie Muqoli (gjashtë muajshe), Qëndrim Muqolli (1 vjeç), Kushtrim Muqolli (2 vjeç), Fatos Muqolli (2 vjeç), Florentina Muqolli (3 vjeçe), Eronita Muqolli (4 vjeçe), Egzon Muqolli (4 vjeç), Vahide Muqolli (4 vjeçe), Mërgim Muqolli (5 vjeç), Albulena Muqolli (6 vjeçe), Mirsad Muqolli (7 vjeç), Ylber Muqolli (10 vjeç), Hafije Muqolli (10 vjeçe), Agron Muqolli (10 vjeç), Nderim Elshani (11 vjeç), Mendohije Muqolli (12 vjeçe), Hasan Caraku (12 vjeç), Besart Caraku (13 vjeç), Avdullah Muqolli (13 vjeç), Rexhep Muqolli (13 vjeç), Naser Muqolli (13 vjeç), Shehide Muqollli (14 vjeçe), Kujtim Elshani (16 vjeç), Fatmire Muqolli (18 vjeçe), Sherife Muqolli (18 vjeç), Kimete Muqolli (18 vjeçe), Elife Muqolli (21 vjeçe), Arife Muqolli (21 vjeçe), Vezire Muqolli (21 vjeçe), Miran Elshani (21 vjeç), Naime Muqolli (23 vjeçe), Lendita Hoxha (23 vjeçe, mbesë e familjes Muqolli), Emine Muqolli (24 vjeçe), Zarife Muqolli (24 vjeçe), Florie Muqolli (24 vjeçe), Hylije Muqolli (24 vjeçe), Nexhmie Muqolli (25 vjeçe), Bahrie Muqolli (25 vjeçe), Adrian Elshani (25 vjeç), Shehrije Muqolli (28 vjeçe), Hydajete Muqolli (32 vjeçe), Feride Muqolli (34 vjeçe), Bahtije Muqolli- Carraku (34 vjeçe), Hasime Muqolli (38 vjeçe), Shukrije Elshani (41 vjeçe), Shemsie Muqolli (42 vjeçe), Nafije Elshani (44 vjeçe), Mihrije Caraku (45 vjeçe), Ymer Elshani (51 vjeç), Elheme Muqolli (54 vjeçe), Sinan Muqolli ( 54 vjeç), Miradie Muqolli (56 vjeçe) dhe Mehreme Muqolli (58 vjeçe).
Në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit, për tri ditë rresht forcat serbe i kanë djegur kufomat me gomat e plaçkitura në një gomisteri.
Më 27 prill 1999, në dy fshatra të Gjakovës u pushkatuan 344 civilë shqiptarë: në fshatin Mejë 277, ndërsa në fshatin Korenicë 67 civilë shqiptarë….[25]. Ndërsa në qytet, vetëm në shtëpinë e Lulëzim Vejsës u vranë 20 shqiptarë:
“Rita Vejsa (2-vjeçare, femër), Diona Caka (2-vjeçare, femër), Rina Haxhiavdija (4-vjeçare, femër), Arlind Vejsa (5-vjeçar, mashkull), Egzon Haxhiavdija (5-vjeçar, mashkull), Delvina Caka (6-vjeçare, femër), Sihana Vejsa (8-vjeçare, femër), Marigona Vejsa (8-vjeçare, femër), Doruntina Haxhiavdija (8-vjeçare, femër), Dorina Vejsa (10-vjeçare, femër), Dalina Caka (14-vjeçare, femër), Flaka Hoxha (15-vjeçare, femër), Tringa Vejsa (30-vjeçare, femër), Valbona Caka (34-vjeçare, femër), Valbona Haxhiavdija (38-vjeçare, femër), Manushe Nuçi (50-vjeçare, femër), Hysen Gashi (50-vjeçar, mashkull), Shahindere Hoxha (55-vjeçare, femër), Fetije Vejsa (60-vjeçare, femër) dhe Shirine Nuçi (70-vjeçare, femër)”[26].
Më 22 maj 1999, qyteti i Vushtrrisë u vu në “patkua”. Shqiptarët që ende kishin mbetur në qytet, u detyruan të dilnin nga shtëpitë e tyre dhe të grumbulloheshin te vendi i quajtur “Te varrezat”. Aty përzgjodhën pjesën që do të vritej, ata që do të dërgoheshin si pengje në burgun e Smrekovnicës, ata që do të trajtoheshin në mënyrën më çnjerëzore në sallën e sportit të qytetit (rreth 1000 shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive) dhe ata që do të vazhdonin rrugëtimin në zinxhirin e “patkonjve” të tjerë, për të kërkuar shpëtim në Shqipëri apo Maqedoni.
Të përzgjedhurit për t’u vrarë u detyruan të futeshin nëpër shtëpi të ndryshme dhe aty u ekzekutuan në mënyrë mizore. Vetëm në shtëpinë e Kahriman Pasomës u vranë 68 shqiptarë nga mosha 15-vjeçare (Besnik Shaqiri dhe Ramadan Meha) e deri te Miradie Feka (62 vjeçe). Në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit, kufomat u transferuan me kamionë frigoriferikë në pavijonin e Njësive Speciale Antiterroriste në Batajnicë[27].
Deri në vitin 2015 Serbia ka kthyer mbetjet mortore të 67 civilëve shqiptarë të vrarë në shtëpinë e Kahriman Pasomës, ndërkaq për fatin e Bukurie Shkrelit (16 vjeçe) ende nuk dihet asgjë.
Po përmend edhe rastin e vrasjes së të gjithë anëtarëve të familjes së Selatin Gërgjaliut në fshatin Studime e Ulët e Vushtrrisë. Më 31 maj, forcat serbe ia kishin pamundësuar edhe një herë kësaj familjeje të largohej nga fshati dhe e kishin detyruar të kthehej në shtëpinë e tyre. Pastaj kanë hyrë brenda dhe fillimisht kanë ekzekutuar 7 fëmijët në sy të prindërve: Sabahudinin (7 vjeç), Muberanë (8 vjeçe), Abdurrahimin (10 vjeç) Mexhitin (11 vjeç), Muharremin (14 vjeç), Shahinin (15 vjeç) dhe Shabanin (16 vjeç), pastaj prindërit e fëmijëve: Selatinin (49 vjeç) dhe gruan e tij, Fexhrijen (39 vjeçe)], djalin e vëllait të Selatinit, Safer Negjmedin Gërgjaliu (8 vjeç), gruan e Negjmedinit, Sofije Ahmeti Gërgjaliu (38 vjeçe) dhe në fund nënën e Selatinit, Salihen (74 vjeçe).
E njëjta gjë ndodhi në Likoshan, Qirez, Prekaz, Obri, Oshlan, Dubravë, Skenderaj, Lubeniq, Krelan, Staradran, Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe në qindra vendbanime të tjera shqiptare, ku u kryen akte gjenocidale, që kishin për qëllim shkatërrimin e grupit etnik shqiptar si të tillë.
William A. Schabas dhe bashkëmendimtarët e tij duhet ta dinë se ka një dallim domethënës ndërmjet qëllimit specifik të politikës, që synon dëbimin e popullsisë së caktuar për të realizuar kontrollin e një territori nga një grup tjetër etnik dhe akteve materiale të kryera gjatë zbatimit të planit të fshehtë gjenocidal që shpërfaqej në moton “Ubi! Zakolji! Da Šiptar ne postoji!” (Vra! Ther! Që shqiptarët të mos ekzistojnë!) e që kishin për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë:
- vrasja e 1392 fëmijë shqiptarë, e 1739 grave shqiptare dhe e mijëra pleqve e plakave shqiptare (myslimanë, katolikë, ateistë …);
- zbatimi i dhunës seksuale ndaj 20 mijë femrave dhe meshkujve shqiptarë;
- vendosja e mijëra shqiptarëve në burgjet serbe në kushte skajshmërisht të rënda të jetesës, që pati si rezultat vrasjen dhe lëndimin e rëndë të integritetit trupor ose mendor të një numri të konsiderueshëm shqiptarësh;
- shkatërrimi në vendbanimet shqiptare i 100 589 shtëpive dhe i 88 101 objekteve përcjellëse që ishin pronë e shqiptarëve; i 358 shkollave, i 30 shtëpive kulturore, i 93 bibliotekave, i 123 institucioneve shëndetësore dhe i 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike); dhe
- dëbimi me dhunë i rreth 1 milion shqiptarëve që kishin mbetur pa u vrarë, janë akte materiale që dëshmojnë për qëllimin e Serbisë, që në aspektin e shkatërrimit fizik dhe biologjik, të shkatërrojë PJESËRISHT grupin etnik shqiptar si të tillë, dhe TËRËSISHT çdo gjë që lidhet me identitetin historik, kulturor, fetar dhe pronësor të shqiptarëve të Kosovës, e jo siç e i interpreton në mënyrë tendencioze William A. Schabas, se gjoja “Millosheviqi dëshironte t’i dëbonte Myslimanët e Kosovës dhe nuk dukej i shqetësuar nga ideja që ata të jetojnë gjetiu, në Maqedoni apo në Shqipëri”!
[1] Të interesuarit rreth kësaj teme mund të informohen më gjerësisht në veprën “Fshehtësitë ushtarake – pjesa e dytë”, të autorit Vladan Vlajković-it.
Vladan Vlajković, VOJNA TAJNA, 2. Deo, Tekstin e plotë e gjeni në faqen e internetit:
http://www.helsinki.org.rs/serbian/doc/Vojna%20Tajna%20-%202%20Deo.pdf
[2] Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
[3] Fond za humanitarno pravo, Dosije “125. motorizovana brigada Vojske Jugoslavije“
http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2013/10/Dosije-125.pdf
Fond za humanitarno pravo, Dosije “549. motorizovana brigada Vojske Jugoslavije“
Fond za humanitarno pravo, Dosije Diković Ljubiše, (Dosja e Lubiša Diković-it)
http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2012/01/Januar-23-2012-Dikovic-Ljubisa-Dosije.pdf
[4] Po aty, f. 14.
[5] Po aty, f. 12.
Po saktësojmë moshat: Dardan Zhuniqi 5 vjeç, Dardanë Zhuniqi 7 vjeçe, Dhuratë Zhuniqi 9 vjeçe, Labinot Zhuniqi 17 vjeç, Labinot Spahiu 2 vjeç, Lirije Spahiu 3 vjeçe, Marigonë Spahiu 7 vjeçe, Agon Popaj 13 vjeç, Avdullah Popaj 16 vjeç, Behlul Popaj 17 vjeç, Shëndet Popaj 17 vjeç, Ardian Fetoshi 15 vjeç… dhe, e fundit, Qamile Spahiu, 73 vjeçe. Fëmijë, gra, pleq.
[6] Po aty, f. 15.
[7] Po aty, f. 19.
[8] Po aty, f. 17.
[9] Po aty, f. 19.
[10] Ministria e Punëve të Brendshme.
[11] Dosja “Brigada 549”, f. 20.
Në faqen 21 të Dosjes për Krimet e Brigadës 549 shënohen emrat e 111 civilëve shqiptarë të ekzekutuar në këtë stallë.
[12] Dosja “Brigada 549”, f. 23.
[13] f. 24. Burimet shqiptare sjellin të dhënat për 241 civilë të vrarë.
[14] Po aty, f. 27.
[15] Dosja “Brigada 549”, f. 28.
[16] Po aty, f. 25.
[17] Po aty, f. 25. Meqenëse ka kaluar një çerek shekulli nga ajo periudhë, në vend të viteve të lindjes, kemi shënuar moshën, që të shmanget gjatë leximit përllogaritja e viteve të çdonjërit.
[18] Po aty, f. 24.
[19] Po aty, f. 26.
[20] Po aty, f. 26.
[21] Lënda nr IT-05-87-T, e cituar më lart.
[22] Milan Milutinović (Millan Millutinoviq) ishte kryetar i Republikës së Serbisë nga 29 dhjetori 1997 – 29 dhjetor 2002.
[23] Po aty, viktimat e përfshira në Listën D të Aktakuzës (Suharekë), f. 213-229.
[24] Pas luftës i emërua Drenas.
[25] Dosja “Brigada 549”, f. 35. Për ata që u interesojnë detajet, në f. 36-37 të Dosjes për Brigadën 549 është lista e emrave të shqiptarëve që u pushkatuan. Burimet shqiptare dëshmojnë për 376 shqiptarë të vrarë, të moshës ndërmjet 15-68-vjeçare.
[26] Tribunali Ndërkombëtar për Ndjekjen Penale të Personave Përgjegjës për Shkelje të Rënda të
së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare të Kryera në Territorin e ish-Jugosllavisë prej vitit 1991,
Lënda nr. IT-05-87-T, aktvendimi kundër Milan Milutinović, Nikola Šainović, Dradoljub Ojdanić, Nebojša Pavković, Vladimir Lazarević dhe Sreten Lukić i datës 26 shkurt 2009, f. 3-7. https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/tjug/sq/090226_vol4.pdf
[27] Batajnica ndodhet rreth 20 km në periferi të Beogradit. Gjatë vitit 2001 janë zhvarrosur 744 trupa të civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat e armatosura serbe.