Nga izolime të thella, shqiptarët e gjetën vetën në një botë moderne plot teknologji, ku shumë zakone të vjetra, që popujt perëndimorë i kishin humbur gjatë industrializimit, u kthyen në avantazh për shqiptarët si aftësi dhe shkathtësi që u hapën rrugë atyre për të depërtuar dhe arritur në majat e çdo fushe dhe veprimtarie, nga shkencat dhe artet deri te sportet dhe mafia.
Nga Dr.Durim ABDULLAHU
A janë shqiptarët modernë? Ka një paradoks në pyetjen në dukje aq të natyrshme: a janë shqiptarët modernë? Mendojmë t’i përgjigjemi kësaj pyetje dhe sapo i qasemi, përballemi me kuptimin e pamundshëm të saj: a janë shqiptarët një popull i kohës së tyre? Nëse jo, atëherë …? Albanologu i shquar kanadez Robert Elsie e tregonte me humor një ngjarje personale të mesviteve ’90-të, kur në një rast, teksa ai po fluturonte me avion nga Gjermania drejt Tiranës, njëri nga pasagjerët e kishte pyetur pa të keq duke parë orën e tij: “A ka ndryshim të zonës kohore në Shqipëri?”. “Po, kthejeni orën 250 vite pas.” – i ishte përgjigjur me humor dikush tjetër nga udhëtarët.
Po ku ishin shqiptarët 250 vite më parë, atëherë kur kontinenti i tyre hyri në erën moderne? Kur filozofët perëndimorë me idetë dhe teoritë e tyre ia dhanë shek. XVIII epitetin e Epokës së Arsyes dhe Ndriçimit nga Lëvizja e Iluminizmit dhe hodhën bazat e shkencave moderne? Ç’po bënin shqiptarët kur Europa po kalonte nëpër Revolucionin Industrial dhe po ndërtonte sistemin aq total ekonomik të kapitalizmit? Çfarë halle kishin shqiptarët kur mendimtarët racionalistë po debatonin mbi temat e mëdha të modernitetit? Ç’mendonin politikisht shqiptarët kur europianët e tjerë po krijonin kushte për sekularizmin dhe liberalizmin në shoqëritë e tyre?
Aftësitë kulturore të shqiptarëve për t’u përshtatur në kultura të huaja kanë prodhuar histori antologjike, shpesh vështirë të besueshme. Shqiptarët luftonin në një Regjiment Shqiptar (Régiment albanais) për Napoleon Bonapartin, në të njëjtën kohë kur Muhamed Ali Pasha, një shqiptar që e krahasonin me të, duke e quajtur “Bonaparti Mysliman”, drejtonte me Egjiptin. Pak dekada më pas, duke ndërtuar linja hekurudhore në Austro-Hungari, inxhinieri shqiptar Karl Gega bëri bujë dhe emër me variantin e gjermanizuar të emrit të tij, si Carl Ritter von Ghega. Gjysmë shekulli më pas, po në Vjenë, aktori Aleksandër Moisiu arriti majat e teatrit europian, veçanërisht në botën gjermanofone. Kjo kronologji personalitetesh do të mund të vazhdohej duke radhitur të tilla histori deri te të sotshmet, por ajo do të merrte pamjen e një katalogu me profile personash të mirënjohur për të cilët shqiptarët kanë zhvilluar një kulturë të tërë të identifikimit dhe të mburrjes me ta, që arrin deri te personazhe aq të ndryshme si humanistja Nënë Treza dhe këngëtarja Dua Lipa. Sado të shumta qofshin, gjithë këto profile paraqesin më shumë raste përjashtuese sesa rregulli, përveçse rregullit të njohur që shqiptarët kanë veçanti kulturore që i bën ata të aftë të përshtaten lehtësisht edhe në kultura krejt të ndryshme dhe madje të largëta nga e tyrja.
Të lashtë për nga origjina, paraardhësit e tyre antikë, ilirët, ishin këndej bashkë me grekët e Aristotelit që në kohën kur ai e vizitoi koloninë e Apolonisë së Ilirisë (sot në Pojan të Fierit); siç ishin edhe mes romakëve kur ushtria e Cezarit u ndesh me atë të Pompeut në Durrës; kur Konstandini i Madh i hapi rrugë krishterimit por edhe kur Justiniani i Madh e ngriti në zenit Perandorinë Bizantine. Në mes të shek. XV, kur humanisti i shquar Enea Silvio Picolomini, që shërbeu edhe si Papa Piu II, i shtroi themelet e konceptimit të Europës me veprën e tij “Mbi Europën”, ai i demarkoi vijat e kufirit të Europës edhe si botëkuptim edhe si kontinent, pikërisht deri atje ku shtriheshin arbërit. Por, pikërisht në atë kohë, përkundër një rezistence të madhe që mori famë me emrin e Skënderbeut, arbërit ranë nën sundimin e osmanëve dhe gjatë pesë shekujve pasues, bashkëjetuan në Perandorinë Osmane me fqinjët e tyre grekë, bullgarë, serbë, malazezë, boshnjakë dhe me mbi 30 popuj të ndryshëm nga Hungaria deri në Persi dhe nga Algjeria deri në Arabi. Deri atëherë më së shumti ortodoksë dhe pjesërisht katolikë, arbërit u islamizuan me shumicë, gjatë një procesi të gjatë dhe shumë kompleks të osmanizimit. Aq transformues ishin dy shekujt e parë në perandorinë e osmanëve që zgjerohej vazhdimisht, sa që në shek. XVII, arbërit e ndërruan edhe emrin e tyre, duke e quajtur veten “shqiptarë”, pasi etnonimit të vjetër i ishte bjerrë kuptimi etnik. Në hartat e kohës, territoret ku jetonin shqiptarët, që gjeografikisht ishin territore europiane, por politikisht të Perandorisë Osmane, përmblidheshin në një term gjeopolitik si “Turqia Europiane”. Do të duhej të kalonin edhe dy shekuj të tjerë, që shqiptarët të arrinin të shkëputeshin nga orbita osmane dhe të krijonin një shtet të tyre të pavarur kombëtar, Shqipërinë (1912). Ata që e ideuan kombin modern shqiptar besonin se, duke u pavarësuar politikisht nga shteti perandorak osman, shqiptarët do të mund t’i riktheheshin Europës, atje për ku poeti Naim Frashëri shkroi se “për shqiptarët dielli lind në Perëndim” – një frazë kjo e keqcituar deri në abuzim.
Në inteligjencën shqiptare, periudha e historisë së shqiptarëve në Perandorinë Osmane është parë nga disa autorë si një ndërprerje fatkeqe e udhëtimit të natyrshëm të shqiptarëve mes popujve të tjerë europianë. Kjo është mbështetur veçanërisht në gjendjen e mëpastajme të shqiptarëve, kur perandoria e osmanëve u shemb dhe kur në panoramën totale të kontinentit europian të shek. XX shqiptarët qartazi dukeshin që ishin më të vonuarit. Aq më tepër që edhe pas shkëputjes nga Perandoria Osmane, shqiptarët nuk arritën të shkëputeshin nga trashëgimia osmane dhe as të ktheheshin menjëherë në rrugën me kahe nga Europa. Edhe dy dekada pas krijimit të shteti shqiptar, në vitin 1935, kur gazetari suedez Sven Auren e vizitoi Mbretërinë e Shqipërisë dhe shkroi për këtë udhëtimin, ai e titulloi librin e tij “Orienti i Europës”, sepse në sytë e tij Shqipëria ishte ende një vend oriental atje tej në skaj të Europës.
Pjesa tjetër e Shqipërisë, që ishte pushtuar nga Serbia dhe përfshirë në Mbretërinë e Jugosllavisë, sikur Kosova dhe të tjera territore të banuara me shqiptarë, ishin ndër zonat më të prapambetura të Ballkanit, ku viktimat shqiptare të dhunës shtetërore ishin aq të shumta, sa për to u raportua deri në Lidhjen e Kombeve. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, katër dekada e gjysmë të Luftës së Ftohtë shqiptarët i kaluan mes dy zjarresh dhe mes dy regjimesh diktatoriale komuniste: atij të Enver Hoxhës në Republikën e Shqipërisë dhe atij të Josip Broz – Titos në Jugosllavi. Kur këto regjime u rrëzuan, rrënojat e tyre ishin aq të mëdha, saqë ishte e vështirë t’i shmangie për të ndërtuar diçka të re nga fillimi. Shqipëria kaloi një dekadë trazirash civile dhe kolapsesh ekonomike, kurse Kosova kaloi një dekadë nën regjim aparteidi para se të bëhej vatër e luftës së fundit të shek. XX në Europë. Tetë vite më pas, më 2008, Kosova u bë republika më e re e Europës.
Në gusht të vitit 2019, Zyra Statistikore Europiane (Eurostat) publikoi disa të dhëna për qasjen e europianëve në rrjetin e internetit, ku Kosova renditej mes 10 vendeve me përhapjen më të shtrirë të internetit në kontinent. 93 për qind e territorit të Kosovës rezultoi të ishte e mbuluar me rrjet valësh të internetit. Kjo e bën Kosovën një nga vendet prej ku më së lehti mund t’i qasesh online botës për të dhënë dhe për të marrë prej saj. Duke pasur një nga popullsitë me moshën mesatare më të re në Europë, Kosova ka një shoqëri të mbushur me njerëz që punojnë në fushën e teknologjisë informative (IT), prej ku shumë të rinj kryejnë shërbime për kompani dhe firma gjithandej botës, e veçanërisht në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komunikimi dhe ndërveprimi shumë intensiv dhe i pakufizuar në rrugë online i shoqërisë kosovare dhe shqiptarëve me botën, nuk është thjesht një e dhënë formale statistikore, por një aktualitet që duhet lexuar në terma realitetesh virtuale që e riprodhojnë universin mendor shqiptar në një gjithësi multiversesh të përshkuar prej panumër linjash marrëdhëniesh me botën. Shqiptarët mund të jenë një nga popujt më të komunikuar botërisht apo me më së shumti shikueshmëri online. Madje, për të vazhduar kurreshtitë e nisura më lart, vetë pionerja e Inteligjencës Artificiale (AI), Mira Murati, dhe studiuesja më e njohur e teorisë së multiverseve, Dr. Laura Mersini-Houghton, janë gjithashtu nga Shqipëria.
Por, kjo hapje kaq totale e shqiptarëve me botën vjen vetëm tre dekada (1991) prej kur shqiptarët dolën nga një diktaturë komuniste që e kishte shndërruar Shqipërinë në vendin më të izoluar në Europë dhe vetëm një vit e gjysmë (janar 2024) prej kur Bashkimi Europian ia hoqi regjimin e vizave Kosovës, që për 25 vjet e kishte mbajtur atë si vendin më të izoluar në Europë. Këdo dy ekstreme kanë prodhuar realitete shoqërore ku ekstremet janë sinkretizuar: të dalë nga izolime të gjata në hapje totale, shqiptarët mund të jenë njëkohësisht njerëzit më jomodernë dhe më modernë të kontinentit europian.
Në dhjetë vitet e fundit, në mediat shqiptare janë raportuar dhjetëra raste vdekjesh të moshuarish mbi 100 vjeç, plaka dhe pleq të lindur në fillim të shek. XX. Kjo brezni moshe, e ka në përvojën jetësore të tyre paradoksin e raportit plot shpërputhje të shqiptarëve me modernitetit. Kjo meqë ajo është një gjeneratë e cila ka lindur në një kohë kur një pjesë e madhe e shqiptarëve, veçanërisht në zonat rurale, jetonin ende në kushte paramoderne. Për t’u marrë si shembull, për rastësi, ndër ta ishte edhe gjyshja ime, e cila kishte lindur në mes të vitit 1918 dhe kur vdiq më 2021, ishte 103 vjeçare. Kur rrëfente për fëmijërinë dhe rininë e saj të hershme, ajo tregonte për kushte jetese krejt primitive, që ishin të rëndomta dhe me shumicë në Kosovën e asaj kohe. Kështu, në vitet ’50-të, kur ajo i lindi fëmijët e saj, këto lindje i kreu në kushte shtëpie dhe pa asistencë mjekësore, në shtretër të improvizuar me kashtë të ngjeshur në kuadrate dërrasash. Ndërkaq, gjysmë shekulli më vonë, në dekadën e dytë të shek. XXI, ajo fliste me djalin e saj që jetonte në Gjermani me kamerë telefoni të lidhur me internet. Nga lindja e fëmijëve në shtretër kashte deri te bisedat online përmes internetit, mund të shquhen të gjitha epokat e historisë së njerëzimit, por këtu të shkuara brenda një jete njeriu.
Në këtë pikë, le t’u kthehemi pyetjeve të shtruara që në fillim të këtij teksti, duke i rimarrë ato. Në ç’botë jetonin shqiptarët e Kosovës në kohën kur popujt e tjerë në Europë, po kalonin nëpër sfidat e modernitetit? Në shek. XVIII, kur Europa po përjetonte ndriçimin e mendjes nga Racionalizmi dhe Iluminizmi, shqiptarët bashkë me grekët dhe popujt e tjerë ballkanikë, ishin duke u përballur me një nga shekujt më anarkik të periudhës osmane, i quajtur edhe si shekulli i kleptokracisë (sundimit të hajdutëve), pasi Perandoria Osmane e kishte humbur aftësinë e zgjerimit të mëtutjeshëm dhe po shkonte në dekadencë. Tutje në shekullin pasues, atë të nëntëmbëdhjetin, kur u specializuan dhe kanalizuan dijet duke u ndarë në fusha shkencore, e kur vende si Anglia, Franca e Gjermania po industrializoheshin gjerësisht, shqiptarët po jetonin në llogoret e dyshimit dhe rezistencës osmane ndaj çdo lëvizje a mode që vinte nga Perëndimi i pafe.
Në mes të shek. XIX, kur diplomati gjerman Johan Georg von Hahn udhëtoi gjerësisht nëpër Shqipëri, gjatë një ekspedite që shkrepi fotografitë e para të qyteteve shqiptare, ai shkroi se megjithëse lumi Drin ishte fare pak kilometra në jug të kufirit të Austro-Hungarisë, ai ishte po aq i panjohur sa disa nga lumenjtë e thellë të Afrikës. Me një reliev të ashpër dhe të përthyer si dhe pa investime infrastrukturore, Shqipëria e shek. XIX ishte një vend i fragmentarizuar në zona dhe bajraqe që kishin pak komunikim mes tyre. Në vitet ’70-të të shek. XIX, kur u ndërtua linja e parë hekurudhore në Vilajetin e Kosovës, banorët e Prishtinës protestuan duke e parë atë rrugë hekuri dhe trenin mbi të si një vepër djalli, çka i detyroi autoritetet osmane ta devijonin linjën e hekurudhës më në periferi të qytetit.
Udhëtarët e shumtë të huaj, që e kanë përshkuar çdo cep të Shqipërisë gjatë shek. XIX dhe deri në mes të atij të XX, kanë evidentuar mënyra jetese dhe botëkuptime tejet arkaike dhe primitive për kohën kur ata i kanë përshkruar ato në ditarët dhe librat e tyre. Veçanërisht në disa krahina malore dhe të thella, shqiptarët vazhduan të jetonin të izoluar në përmasa të papërfytyrueshme, madje edhe deri në mes të shek. XX. Kështu, megjithëse shqiptarët ishin i vetmi popull dhe Shqipëria i vetmi vend ku në vitet e errëta të Luftës së Dytë Botërore u strehuan dhe u shpëtuan hebrenjtë, pas luftës, të izoluar politikisht, shqiptarët nuk morën pjesë fare në debatet e mëdha të dala nga historia e Holokaustit. Edhe historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët u zbulua madje edhe prej vetë atyre vetëm në fund të shek. XX dhe në këtë fillim të shek. XXI, kur u njoh botërisht.
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur bota akademike dhe qendrat universitare hynë në një epokë liberalizimi masiv, rreth 80 për qind e shqiptarëve ishin ende analfabetë. Dy universitetet e para shqiptare u themeluan vetëm në gjysmën e dytë të shek. XX: Universiteti i Tiranës më 1957 dhe Universiteti i Prishtinës më 1970. Deri në mes të viteve ’70-të në Kosovë ende kishte familje të mëdha disabreznore që kishin deri në 100 anëtarë dhe të cilat përgjithësisht jetonin pothuajse si ekonomi familjare, që gati gjithçka që u duhej për të jetuar e prodhonin me duart e tyre.
Pastaj, nga izolime të thella, shqiptarët e gjetën veten në një botë moderne plot teknologji, ku shumë zakone të vjetra që popujt perëndimorë i kishin humbur gjatë industrializimit, u kthyen në avantazh për shqiptarët si aftësi dhe shkathtësi që u hapën rrugë atyre për të depërtuar dhe arritur në majat e çdo fushe dhe veprimtarie, nga shkencat dhe artet deri te sportet dhe mafia. Një lloj veçorie kulturore dhe etnopsikologjike për të cilën Faik Konica shkruante se shqiptari mund të bëhet me lehtësi francez, italian, gjerman apo anglez sipas nevojës, vazhdon t’i bëjë ata lehtësisht të përshtatshëm në kultura dhe sisteme pune krejt të ndryshme dhe të jetojnë fare natyrshëm në kushtet e një bote moderne dhe në modernizim të pafre. Por, a janë shqiptarët një popull modern? Me kapërcime të mëdha mbi hendeqe të mëdha gjithashtu, nga vilajeti te republika, shqiptarët janë një popull modern, ndonëse pa modernitet!