Nga Ramadan AVDIU, politolog
Konflikti mes Izraelit dhe Iranit, është një nga nyjet më komplekse gjeoplitike në Lindjen e Mesme dhe me potencial të lartë për përshkallëzim rajonal.
Pas përplasjesh indirekte prej vitesh, lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fazën më të rrezikshme të historisë së saj: një konflikt i hapur me pasoja rajonale, ku raketat, dronët dhe bombardimet janë bërë tashmë shqetësim i madh që vjen nga Lindja e Mesme. Sulme masive ajrore, atentate të sofistikuara dhe përgjigje raketore me rreze të gjatë veprimi, po shkatërrojnë objektiva strategjike, duke e zhytur rajonin në një krizë me përmasa të paimagjinueshme.
Në vitet 1960–70, Irani i Shahut ishte një nga partnerët më diskretë të Izraelit në rajon, i lidhur përmes interesave gjeopolitike dhe bashkëpunimit energjetik.
Por Revolucioni Islamik i vitit 1979 ndryshoi gjithçka. Teherani i ajatollahëve e shpalli Izraelin “armik të Islamit” dhe nisi ta ndërtojë fuqinë e tij rajonale përmes milicive të armatosura që veprojnë nga Libani, Siria, Iraku dhe Jemeni. Në dekadat që pasuan, Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë gri: atentate ndaj shkencëtarëve, sulme kibernetike, bombardime të milicive në Siri dhe furnizim të Hezbollah-ut me arsenal ushtarak. Por gjithmonë duke shmangur përplasjen direkte. Deri tani.
Në javën e fundit, konflikti është kthyer në një luftë të hapur ndërmjet dy shteteve. Më 11 qershor, Izraeli nisi një fushatë të gjerë ajrore duke goditur caqe të shënjestrusra brenda territorit të Iranit si :
– Qendra të pasurimit të uraniumit në Isfahan, Fordow dhe Natanz.
– Komandantë të Gardës Revolucionare Islamike dhe gjeneralë të ushtrisë iraniane ;
– Krerët e Shërbimit të Inteligjencës iraniane ;
– Shkencëtarë të programit bërthamor ;
– Kompleksin e raketave balistike në provincën Khuzestan ;
Izraeli proklamon ndërrimin e regjimit të ajatollahëve duke ftuar popullin iranian të ngritet kundër atij regjimi, por shihet qartë se synon një dobësim sistematik të strukturave vendim-marrëse ushtarake dhe shkencore të Iranit, për të penguar çdo ambicie për të prodhuar armë bërthamore.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar me sulme me raketa balistike dhe dronë ndaj qyteteve izraelite si Tel Avivi, Haifa dhe Beer Sheva. Forcat iraniane po përdorin gjithashtu rrjetin e tyre të aleatëve në Liban, Siri dhe Jemen për të goditur objektiva në Izrael dhe kërcënojnë edhe bazat ushtarake amerikane në rajonin e gjirit persik.
Derisa Izraeli thekson se do të shkatërroj me themel qendrat e pasurimit të uraniumit, Irani kërcënon se do ta bëjë Izraelin vend të pabanueshëm….
Përshkallëzimi i luftës sjell me vete rrezikun e përfshirjes së aktorëve të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Hezbollah është tashmë i përfshirë me lansim raketash nga jugu i Libanit. Milicitë shiite më heret kanë sulmuar bazat amerikane në Irak. Houthi-t në Jemen tradicionalisht të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet në Detin e Kuq dhe Gjirin Persik.
Arabia Saudite dhe Emiratet, megjithëse të kujdesshme, janë të ekspozuara ndaj goditjeve në rast se lejojnë përdorimin e territorit të tyre nga aleatët perëndimorë. Rreziku i një lufte rajonale shumëpalëshe është më i larti që nga Lufta e Dytë e Gjirit.
Izraeli prej vitesh ka paralajmëruar se Irani, nëse i lihet hapësirë, është vetëm disa muaj larg prodhimimt të një arme bërthamore. Edhe pas marrëveshjes mes fuqive të mëdha dhe Iranit në vitin 2015, në Montreux të Zvicres, për programin bërthamor të Iranit, zvogëlimin e numrit të cnetrifugave për pasurimin e uraniumit dhe përdorimin e tij vetëm për qëllime energjetike, Irani ka vazhduar objektivën e tij për të pasur armë bërthamore.
Duke goditur qendrat e pasurimit të uraniumit dhe shkencëtarët kryesorë, Tel Avivi po përpiqet të çmontojë kapacitetin teknik të Iranit për të ndërtuar armë bërthmore. Kjo përbën një akt të lartë rreziku, pasi Irani e ka shpallur çdo goditje të tillë si “vijë të kuqe”, duke kërcënuar me hakmarrje totale.
Lufta mes Izraelit dhe Iranit nuk është më një konflikt i tërthortë apo ideologjik. Është një përballje e drejtpërdrejtë ushtarake, me potencial katastrofal për gjithë rajonin. Kur kësaj i shtohen edhe luftërat në Ukrainë dhe Gazë, mund të konkludojmë se ndodhemi para sfidave serioze, jo vetëm të përmasave rajonale.
Ndonëse Kosova është larg nga frontet e përplasjeve, pasojat indirekte do të janë të pashmangshme. Këto luftra do të prodhojnë kriza të reja. Krizat dhe pasiguria gjeopolitike globale mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e brishtë të Kosovës, por edhe mund t’a vendosin atë para sfidave të reja politike me të cilat qeveria aktuale në detyrë nuk ka kapacitete të përballet dhe të modelojë ndonjë zgjidhje!
Kosova e preokupuar me krizën institucionale është krejtësisht indiferente ndaj gjendjes së krijaur, situatës gjeopolitke dhe asaj socioekonomike që po krijohet. Posaqërisht kjo strukturë qeverisëse nuk është duke menduar fare për masat që do të duhet ndërmarrë për të përballuar gjendjen me të cilën do të ballafaqohemi.
______________
Shënim: Pikëpamjet e shprehura në këtë analizë janë të autorit dhe jo domosdo paraqesin
qëndrimet e Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë.