Nga Dr. Gurakuç KUÇI
[Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, bashkëpunëtor i Institutit Shqiptar për Geopolitikë, profesor]
Deklarata e presidentit rus, Vladimir Putin më 19 qershor 2025 në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut se “DPR (Donjecku) dhe LPR (Luhansku) kishin të drejtë të shkëputeshin nga Ukraina pa lejen e Kievit, bazuar në precedentin e Kosovës”, përbën një akt të strategjikisht të rrezikshëm. Ajo është njëkohësisht një instrument presioni ndaj Perëndimit dhe një sinjal i dyfishtë me pasoja konkrete për të ardhmen e Kosovës, sidomos për veriun e saj.
Kjo deklaratë u parapri nga dy zhvillime të tjera:
– Pjesëmarrja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Samitin e Evropës Juglindore në Odesa të Ukrainës, më 11 qershor; dhe
– Deklarata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Truth Social se do të rikthente paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 15 qershor;
Ky rend kronologjik mund të jetë një rastësi, por edhe sinjal se një valë e re e diplomacisë është në zhvillim dhe Kosova duhet të ketë kujdes.
1. Kosova – ofertë për pazarin e Ukrainës?
Në pamje të parë, deklarata e Putinit mund të interpretohet si një “pranim faktik” i ekzistencës së Kosovës. Megjithatë, ky “pranim” nuk është as njohje politike, as pohim juridik, por një instrumentalizim cinik i rastit të Kosovës.
Putini kërkon që ajo çfarë u lejua për Kosovën nga Perëndimi, të lejohet tani për Donjeckun dhe Luhanskun.
– Ai përdor gjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për Kosovën, të vitit 2010, por me interpretim jo të plotë.
– Në fakt, GJND nuk krijoi precedent. Ajo tha se “deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare” dhe se Kosova është rast sui generis (sepse pyetja drejtuar GJND-së ishte në atë mënyrë).
Kjo do të thotë se deklarata e Putinit është një ofertë e kamufluar për marrëveshje, ku Ukraina detyrohet të pranojë ndarjen territoriale në këmbim të paqes, dhe këtë ai e legjitimon përmes shembullit të Kosovës.
2. Një sinjal i rrezikshëm për Kosovën: Legalizimi i modelit Donjeck-Luhansk në veri
Deklarata e Putinit është një thikë me dy tehe, sepse përveç që i drejtohet Perëndimit, dërgon sinjale destabilizuese për Ballkanin, veçanërisht për Kosovën. Këtu shfaqet një rrezik strategjik i rëndësishëm:
a. Legalizimi i ndarjes së veriut të Kosovës?
Putini, përmes përmendjes së Kosovës, po jep sinjal të rrezikshëm për një model të ndarjes së kontrolluar në veri të Kosovës, me këto hapa të mundshëm:
– Faza 1: Intensifikimi i përplasjeve civile dhe kërkesa për një “kordon sanitar” ndërkombëtar, si “masë stabilizimi”.
– Faza 2: Krijimi i strukturave paralele dhe mohimi i autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri.
– Faza 3: Shpallje e një “pavarësie lokale” dhe kërkesë për bashkim me Serbinë, një reflektim i skenarit Donjeck-Luhansk.
Putini e ka dhënë precedentën që i nevojitet Beogradit. Mjafton një shkëndijë për të aktivizuar këtë skenar me kosto të lartë për sigurinë e Kosovës.
b. Tradhti ndaj Serbisë apo koordinim strategjik?
– Nga një këndvështrim serb, kjo deklaratë duket si një lëshim i madh, një njohje e Kosovës që minon vetë narrativën serbe.
– Por në thelb, kjo mund të jetë e koordinuar me Beogradin, si pjesë e një zgjidhjeje të madhe: Serbia heq dorë nga “e gjithë” Kosova në këmbim të një pjese (veriut).
– Kjo do të jetë një fitore për Rusinë dhe Serbinë, që e përdorin “Kosovën si precedent” për të institucionalizuar ndarjen e mëtejme në rajone të tjera të Ballkanit dhe ish-BRSS.
3. Rreziku i manipulimit të së drejtës ndërkombëtare
Putini nuk është duke apeluar realisht te e drejta ndërkombëtare, ai po e përdor atë si armë retorike për të maskuar një akt agresioni. Duke përdorur Kosovën si precedent të gënjeshtërt, ai përpiqet të krijojë një iluzion të barazisë midis dy rasteve që janë thelbësisht të ndryshme.
– Rasti i Kosovës erdhi pas shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut nga Serbia, pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe nën një administratë të përkohshme të OKB-së (UNMIK).
– Rasti i Donjeckut dhe Luhanskut është produkt i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të ushtrisë dhe shërbimeve sekrete të Federatës Ruse, pra një agresion klasik ndërkombëtar.
Krahasimi është i rremë në substancë, por funksional në propagandë.
Udhëtimi i Vuçiq-it në Odesa: “Sinjal i zgjidhjeve të imponuara mbi territore të caktuara”
Deklarata e Putinit nuk është gjest paqësor, as sinjal për tërheqje nga narrativat anti-Kosovë. Ajo është një përdorim cinik i Kosovës si instrument për qëllime strategjike në Ukrainë dhe Ballkan.
Në thelb:
– Kosova përdoret si mjet presioni diplomatik ndaj Perëndimit, për të barazuar rastet e saj me ato të rajoneve separatiste pro-ruse;
– Njëkohësisht, legjitimohet ideja e ndarjes së veriut të Kosovës, si pjesë e një “zgjidhjeje realiste” mbi baza etnike;
– Më e rrezikshmja: e drejta ndërkombëtare keqpërdoret si mbulesë propagandistike, jo si bazë për paqe dhe stabilitet.
Vizita e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Odesa nuk ishte ndoshta thjesht simbolike. Ajo duket se u përdor si kanal paralel për dakordime të heshtura mbi territore të kontestuara, nga Donbasi e deri te veriu i Kosovës. Me këtë akt, Ukraina dhe BE-ja, duke e pranuar Vuçiçin si të barabartë në tryezë, jo vetëm që minojnë integritetin e vet politik, por u japin legjitimitet strukturave të jashtme që mbështesin ndarjet etnike dhe gjeopolitike në Ballkan dhe Ukrainë, gabim që e bëri edhe Zelenski.
E ardhmja e Kosovës dhe rreziku për shqiptarët në Luginën e Preshevës
Kosova është një shtet sovran dhe çdo ide për ndarje territoriale është e papranueshme. Qëllimi i skenarëve të tillë nuk është as stabiliteti dhe as kompromisi, por defunksionalizimi dhe, në fund, zhdukja e Kosovës si entitet shtetëror.
Rreziku nuk qëndron vetëm në veri. Në momentin që pranohet të flitet për ndarje, qoftë edhe teorikisht, etnocidi administrativ dhe kulturor mbi shqiptarët në Luginën e Preshevës do të intensifikohet, me qëllim të krijimit të një “realiteti tjetër në terren”.
Ky është një model që Serbia e ka provuar më parë:
• Që nga momenti kur ideja e shkëmbimit të territoreve u shfaq në diskursin politik, shteti serb intensifikoi fushatat e diskriminimit institucional dhe ekonomik ndaj shqiptarëve në Luginë;
• Sepse kur një ide e tillë del në sipërfaqe, duhen vite për t’u negociuar dhe implementuar, ndërsa terreni përgatitet që në heshtje me mjete administrative;
• Kjo do të çojë drejt një spastrimi gradual dhe të heshtur të shqiptarëve nga Lugina, deri në atë pikë sa çdo opsion për reciprocitet apo korrigjim do të shndërrohet në një mashtrim diplomatik pa përmbajtje reale.
Kosova nuk ka luksin të jetë spektatore në këtë lojë të re gjeopolitike. Ajo duhet të forcojë pozicionin e saj si subjekt aktiv dhe jo objekt i diplomacive ndërkombëtare, duke kërkuar qartësisht nga partnerët ndërkombëtarë që precedenti i saj të mos përdoret për të legjitimuar agresionin, ndarjen dhe shkatërrimin e shteteve të tjera.