Nga ARIAN GALDINI
Jetojmë në një epokë ku bota po riformulohet me shpejtësi që s’e ka njohur më parë. Kufijtë gjeopolitikë nuk po ndryshojnë më me tanke, por me teknologji, me rrjete mendimi, me ekonomi të reja dhe logjika që s’pyesin më as për të shkuarën, as për gjuhën, as për kujtesën. Sistemet që dikur konsideroheshin të palëkundura, demokracia liberale, globalizmi i tregut të lirë, vetë ideja e rendit ndërkombëtar po sfidohen, rishkruhen, relativizohen.
Ndërsa fuqitë e mëdha po kërkojnë pozicionime të reja në hartën e interesave, kombet e vegjël, si yjet në vorbullën e një galaktike kanë vetëm dy zgjedhje: të projektojnë veten me vetëdije, ose të treten në fatin që t’u caktojnë të tjerët. Në këtë botë që ndryshon më shpejt se refleksi, shqiptarët nuk mund të jenë më spektatorë të historisë. Sepse historia, këtë herë, nuk do të na falë. Dhe këtu vjen Neoshqiptarizmi, jo thjesht si ide, por si hartë. Jo si nostalgji, por si strategji e thellë për mbijetesë dinjitoze dhe përparim të bashkërenduar kombëtar.
Pse shqiptarëve u duhet një zgjim i madh?
Të gjithë e ndjejmë se ka një plogështi të rrezikshme në shpirtin shqiptar. Një zhgënjim i përhapur, një përhumbje në ditën që vjen e në ditën që ikën, pa horizont, pa një “ne” që e ngre veten bashkë. Nga Gjirokastra në Preshevë, nga Malësia në Tetovë, nga Shkupi në Prishtinë, nga diaspora në lagjet e Tiranës, të gjithë jemi në një lëvizje të heshtur drejt individualizmit shpëtimtar, ku secili përpiqet të shpëtojë vetë dhe askush s’mendon më për të shpëtuar “ne-në”. Por, siç thoshte Martin Heidegger, “shkalla më e lartë e humbjes është të harrosh se ke qenë”. Dhe Neoshqiptarizmi na vjen si kujtesë filozofike e doktrinore se përkatësia nuk është vetëm koincidencë gjenetike, por rrënjë që duhet mbajtur gjallë me vetëdije morale dhe shoqërore.
Pse një Rinisje Kombëtare është emergjencë dhe domosdoshmëri?
Një komb, për të qenë i gjallë, nuk mjafton të ketë gjuhë, flamur dhe territor. Duhet të ketë qëllim. Duhet të ketë ideal. Duhet të ketë drejtim të përbashkët.
Sot, shqiptarët janë më të shpërndarë se kurrë, por nuk kanë qenë kurrë kaq pa një qëllim të përbashkët kombëtar. Të ndarë në shtete, në sisteme arsimore të ndryshme, në ligjësi kushtetuese të papërbashkëta, të veçuara në interesa politike, që shpesh i kundërvihen njëri-tjetrit.
Andaj, Rinisja Kombëtare, siç e propozon Neoshqiptarizmi, nuk është një retorikë romantike, por një domosdoshmëri strategjike.
Pse na duhet një hartë identitare e unifikuar?
Sepse në një botë ku identitetet janë të lëkundura, ai që nuk e përkufizon vetveten, do të përkufizohet nga të tjerët.
Në epokën e rrjeteve sociale, ku gjithkush është konsumator i përkatësive sipas trendit, shqiptaria duhet të jetë më shumë se një tifozeri stadiumesh apo “bio” në “Instagram” a “Facebook”.
Duhet të jetë një formë përmbajtjeje personale dhe shoqërore.
Neoshqiptarizmi propozon një identitet shqiptar që është moral, kulturë, drejtësi dhe përpjekje për ndriçim. Jo një Shqiptari që e përkufizon veten vetëm me fjalë si “jemi të lashtë sa bota” e “jemi bijtë e Skënderbeut”, por një Shqiptari që bëhet drita dhe vlera e botës sot e në vijim dhe që përkufizon veten me vlerat që Skënderbeu mishëroi.
Sipas Charles Taylor, në librin “The Malaise of Modernity”, identiteti modern ka nevojë për një narrativë të brendshme që ngre individin në bashkësi morale.
Neoshqiptarizmi është ajo narrativë për ne shqiptarët, na lidh jo vetëm me njëri-tjetrin, por me vetveten e thellë, të harruar.
Pse na duhet unifikimi i mendimit, strategjisë dhe veprimit kombëtar?
Sepse një komb që mendon në mënyrë të fragmentuar, vepron në mënyrë të çorientuar dhe zhvillohet në mënyrë të pabarabartë. Dhe nuk mund të ketë qëndrueshmëri kombëtare pa simetri në përpjekje. Për këtë, Neoshqiptarizmi ofron një shtyllë të re bashkimi, jo mbi baza krahinore, politike apo mitike, por mbi përbashkësinë e qëllimit, të vlerës dhe të vetëdijes kombëtare.
Ukshin Hoti, në librin e tij “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, thekson se: “Kombet që nuk projektojnë të ardhmen e tyre me mendim dhe vullnet, janë të destinuar të bëhen shërbëtorë të projekteve të të tjerëve”.
Sot, jemi në një moment ku ose e ndërtojmë një strategji kombëtare të re, të përbashkët e të mençur, ose mbetemi si grimca në vorbullën e një bote që nuk ndalet për ne.
Bota sot dhe uria për vetëdije dinjitoze
Në dhjetë vitet e fundit, filozofë si Yuval Noah Harari, Francis Fukuyama dhe ByungChul Han kanë paralajmëruar se njerëzimi po hyn në një epokë post-identitare, ku individi zhvishet nga lidhjet me historinë, përkatësinë dhe bashkësinë. Por pikërisht në këtë kontekst, ajo që e shpëton njeriun është përkatësia me kuptim, jo si barrë, por si ndërtim.
Neoshqiptarizmi është antidoti shqiptar i kësaj krize. Ai nuk i kundërvihet globalizmit me izolim, por e përballon atë me vetëdije të qartë dhe me një shqiptari që është paqësore, dinjitoze, krijuese dhe bashkëkohore.
Neoshqiptarizmi si rrugë për të mos mbetur thjesht shqiptarë, por për t’u bërë komb
Sot, më shumë se kurrë, nuk mjafton thjesht të jesh shqiptar. Duhet të jesh me vetëdije, me vlerë, me ndershmëri dhe me mision. Kombi shqiptar ka nevojë jo për më shumë flamuj nëpër podiume, por për më shumë rrënjë në ndërgjegje, më shumë qartësi në vizion, më shumë bashkim në strategji, më shumë drejtësi në shpirt. Neoshqiptarizmi është projekti i shekullit XXI për shqiptarinë. Një projekt që nuk thërret për luftë, por për përmirësim. Që nuk kërkon përjashtime, por bashkime të thella. Që nuk ushqehet me frikë, por me besim. Që nuk e ndërton kombin mbi armiq, por mbi virtyt. Që nuk kërkon pushtet, por zgjim.
Kombet që duan të jetojnë, zgjedhin t’i japin kuptim vetvetes përpara se të jetë vonë. Dhe ky është kuptimi i vërtetë i Neoshqiptarizmit. Një dritë që lind jo për të ndezur flakë, por për të mos na lejuar të flemë më në errësirë.