Zbulimet e përgjimeve brenda Bundeswehr-it i sjellin kokëçarje kancelarit. Sidoqoftë, gjendja në frontin e luftës dëshmon se tutje Gjermania dhe BE-ja nuk kanë agjendë të qartë gjeopolitike për Ukrainën. Si kundërpërgjigje, rusët marshojnë përpara drejt realizimit maksimal të objektivave strategjike.
Nga Dr Sadri RAMABAJA [ISHGJ]
Gjermania dhe Rusia pas një periudhe të miqësisë që shkonte drejt një aleance të re në të cilën është investuar që para përfundimit të Luftës së Ftohtë, ndërkohë po hyjnë në një fazë të re të marrdhënieve të trazuara.
Pikërisht për këtë arsye, por edhe rrethanat tragjike historike [të kujtojmë Gjermaninë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore], në fillim të luftës në Ukrainë qeveria federale e kryesuar nga kancelari Olaf Scholz nën veladonin e përmbajtjes jo vetëm diplomatike, gjykoi se do të mund ta kalonte këtë ndeshtrashë brenda ca javësh dhe ta kalonte përplasjen e mundshme.
Ajo, natyrisht, si të gjithë aleatët e tjerë perëndimorë, dënoi pushtimin rus në termat më të ashpër dhe iu bashkua të gjitha sanksioneve antiruse.
Berlini megjithatë si pjesë e hemisferës perendimore, sado që në fillim ndihmoi Ukrainën me helmeta – një ndihmë tepër simbolike, gradualisht, kryesisht nën presionin amerikan dhe britanik, po miratonte paketë pas pakete ndihmash ushtarake në dobi të Ukrainës. Brenda dy viteve luftë ndihma gjermane kaloi nga armët e këmbësorisë dhe artilerisë dhe topat, tek armët e blinduara – mbi të gjitha tek tanket e njohura Leopard.
Nëdrkohë presioni nga aleatët, madje edhe blloku gjerman i opozitës CDU/CSU, ndaj qeverisë së kancelarit Sholc [Scholz] ishin të shkallëzuara dhe përherë në rritje, ai refuzoi të furnizonte Ukrainën me raketat gjermane Taurus me rreze të gjatë veprimi, madje edhe atëheër kur u bë publik fakti se britanikët dhe francezët tashmë e kishin furnizuar Ukriinën me atë tip rakete [me rreze më të shkurtër – rreth 300 km, Storm Shadow ose Scalp].
Ishte çështje kohe kur të njejtën gjë pritej ta bënte edhe Gjermania. Herën e fundit Scholz e refuzoi atë dhjetë ditë më parë kur ju kërkua qeverisë përmes një deklarate nga grupi parlamentar i bllokut opozitar, dërgimi i raketave me rreze të gjatë (të quajtur Taurus) forcave të armatosura të Ukrainës, madje duke I vënë në dispozicion edhe personelin e specializuar ushtarak për përdorimin e tyre.
Përgjimet e publikuara po e dëshmonin pikërisht këtë fakt.
Prishet ekuilibri që ishte ndërtuar që nga 2014-ta
Reagimet nga Berlini dhe Moska ndaj rrjedhjes së Bundeswehr-it rreth planeve për të hedhur në erë urën e Krimesë me raketat Taurus tregojnë një çekuilibër thelbësor. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, i cili akt shkeli ligjin ndërkombëtar, rusët janë të vendosur të vazhdojnë politikën me mjete ushtarake. Nga ana tjetër, Gjermania po manovron. Moska ndihet e rrethuar dhe nuk i beson më Perëndimit. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha në një konferencë për shtyp të shtunën që lam pas se, ishte i bindur se Evropa nuk do të devijonte nga planet e saj, të cilat përfshijnë edhe luftën me Rusinë. Lavrov tha se ai e nxori këtë përfundim nga fjalët e presidentit francez, Emmanuel Macron, për dërgimin e ushtarëve të NATO-s në Ukrainë dhe ato të shefit të Pentagonit, Lloyd Austin, për gatishmërinë e NATO-s për të luftuar Rusinë.
Në konferencën për shtyp pas diskutimeve të forumit diplomatik në Antalia, Lavrov shtoi se “kampi i luftës në Evropë është ende shumë i fortë”, sipas edicionit në gjuhën angleze të Pravdas. Kjo “konfirmohet nga një regjistrim audio i një bisede telefonike mes oficerëve gjermanë, në të cilën ata flasin për sulmet në Urën e Krimesë”. Lavrov tha se zbulimi ishte në përputhje me botimet e fundit në të cilat ish-udhëheqësit e Gjermanisë, Angela Merkel, Francës, Francois Hollande dhe Ukrainës, Petro Poroshenko, pranuan se ata kurrë nuk synonin ta bënin këtë, për të përmbushur marrëveshjet e Minskut.
Prishja e ekuilibrit të ndërtuar për vite, me theks nga tumirja në heshtje e pushtimit të Krimesë [2014] – që ishte përfundim logjik i qëndrimeve kontradiktore për Ukrainën, tashmë duket e pashmangshme. Merr fund kështu Ostpolitika gjermane dhe predispozitat për ndërtimin e një aksi gjeopolitik europian Moskë-Berlin-Paris.
Këtë çekilibrin gjithësesi e ndihmoi deklarata bombë e presidentit frances Emmanuel Makron, e bërë publike më 27 shkurt në Paris përmes së cilës ai pohoi se nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake franceze dhe atyre të NATO-s në Ukrainë.
Kancelari gjerman i ndodhur në pozicion tërësisht të palakmuehsëm, në mos poshtrues, pas dy ditësh mohoi me forcë çdo mundësi që Gjermania do të dërgonte forcat e Bundeswehr-it në luftën e Ukrainës për sa kohë që ai ishte kancelar. Pas kësaj deklarate të gjitha vendet kryesore të aleancës së NATO-s, përfshirë SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar, pohuan po të njejtën, me çka presidenti francez Macron mbeti i izoluar në atë iniciativë.
Pavarësisht këtyre reagimeve, është e qartë, Macron në të vërtetë këtë deklaratë duket se e ka bërë në akordim të plotë me ministrin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili një javë më parë kishte pohuar në qarqe të mbyllura se ai mendon se NATO do të hyjë në luftë me Rusinë, sepse një fitore ruse është e papranueshme.
Burimi real i drosë gjermane për furnizimin e Ukrainës me armë të tilla si raketat Taurus – të cilat supozohet me të drejtë se mund të përdoren për ta hedhur në erë urën e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë, e me gjasë edhe për të goditur Moskën – përgjegjia e pritshme ruse kundër Gjermanisë.
Siç shkruan Politico e 7 marsit, Gjermania deri tani ka dhënë ndihmë ushtarake në vlerë prej rreth 17.7 miliardë euro. Kjo e rendit atë të dytën, pas Shteteve të Bashkuara, për sa i përket kontributit kryesor, por vetëm në vendin e 11-të si përqindje e PBB-së.
Përgjigjia ruse
Kremlini ka reaguar ashpër ndaj idesë për vendosjen e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë. Dërgimi i trupave do ta bënte një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s jo vetëm të mundshëm, por të pashmangshëm, tha të martën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass. Perëndimi duhet të jetë i vetëdijshëm se pasojat nuk korrespondojnë me interesat e tij dhe sigurisht jo me interesat e qytetarëve të tij, shtoi ai.
Gjuha e ashpërsuar e Kremlinit ishte në akordancë të plotë me deklaratën e Lavrovit edhe rreth përgjimeve të publikuara nga Telegrafi rus.
Lidhur me përgjimet Lavrov tha: “Ne dëgjuam se si ata (oficerët e Bundeswehr-it, shënimi i redaktorit të BZ) po përpiqen t’ia hedhin fajin oficerëve amerikanë ose britanikë që janë tashmë në Ukrainë. Ata përpiqen të shmangen që të duken vetë. Kjo është njësoj si kur Hollande dhe Merkel pranuan se nuk do të zbatonin marrëveshjet e Minskut”.
Sipas dpa-së, Ministria Federale e Mbrojtjes ka konfirmuar ndërkohë vërtetësinë e regjistrimit dhe supozon se është përgjuar një bisedë e brendshme mes oficerëve të Forcave Ajrore. “Sipas vlerësimit tonë është përgjuar një bisedë brenda Forcave Ajrore. Aktualisht nuk mund të themi me siguri nëse janë bërë ndryshime në versionin e regjistruar apo të shkruar që po qarkullon në mediat sociale”, tha një zëdhënëse e ministrisë në Berlin të shtunën që lamë pas.
Fjalët e hidhura të Lavrov tregojnë se besimi në fakt është shkatërruar. Zbulimet në lidhje me aktivitetet e Bundeswehr-it do të forcojnë mosbesimin e Moskës ndaj Gjermanisë. Sepse edhe nëse trajtohet regjistrimi i bisedës kryesisht si një diskutim teknik në lidhje me përdorimin e raketave Taurus, rezulton i qartë fakti nga regjistrimi se, Udhëheqja e Bundeswehr-it është marrë me shkatërrimin e objekteve ruse në detaje – edhe nëse ata vetë. nuk duan të marrin pjesë. Madje niveli i planifikimit nuk është larg nga lëvizjet që mund të interpretohen si një shpallje lufte. Një zëdhënës i Dumës së Shtetit nuk la asnjë dyshim të premten: ata do të reagonin reciprokisht.
Çfarë fshihet pas dramës së përgjimeve ruse?
Afera e përgjimeve shpërfaqi habinë gjermane mbi mundësitë e shërbimeve ruse për të regjistruar bisedën mes ushtarakëve gjerman. Reagimet nga pala gjermane megjithatë u përqëndruan jo te përmbajtja e regjistrimit, por tek mundësitë ruse për ta regjistruar atë bisedë. Ky fakt ndezi alarmin në Moskë dhe ndezi atmosferën në qarqet politike gjermane.
Se çështja është trajtuar tejet seriozisht nga pala ruse, dëshmon lajmi se më 4 mars, u bë e ditur zyrtarisht se Ministria e Jashtme ruse ka ftuar në ambientet e saj ambasadorin gjerman në Rusi, Alexander Lambsdorff. Sigurisht, në lidhje me bisedën midis oficerëve gjermanë për sulmin në urën e Krimesë, njofton TASS.
Kancelari Olaf Sholc është në dijeni të dramës që po zhvillohet rreth përgjimeve të publikuara. Shih për këtë, ai premtoi sqarime të shpejta pas publikimit të regjistrimit. Siç konfirmoi një zëdhënëse e qeverisë për Berliner Zeitung, Sholcit ju shtrua një pyetje në margjinat e një vizite në Vatikan: “Ka një regjistrim nga pala ruse e një bisede që katër oficerë të Bundeswehr-it patën me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë gjithashtu për Taurus-it, që do të rrëzonin Urën e Krimesë, ka të bëjë me faktin se britanikët, francezët dhe amerikanët supozohet se janë tashmë në Ukrainë duke ndihmuar. Sa i madh është dëmi i politikës së jashtme të shkaktuar nga një gjë e tillë?”
Në këtë pyetje tejet të drejtpërdrejtë, Sholc u përgjigj: “Ajo që raportohet atje është një çështje shumë serioze dhe për këtë arsye tani po sqarohet me shumë kujdes, shumë intensivisht dhe shumë shpejt. Kjo është gjithashtu e nevojshme.”
Por çështja tashmë shtrohet se a e ka kontrollin e plotë kancelari brenda koalicionit qeverisës dhe në armatë dhe çfarë mund të luhet prapa krahëve të tij. Sipas Pravda-s, në Gjermani ekziston frika se rusët mund të kenë përgjuar më shumë se vetëm këtë regjistrim audio të bisedës së zyrtarëve në fjalë. Eksperti ushtarak i CDU-së, Roderich Kiesewetter tha, sipas dpa, se ai priste që një sërë bisedash të tjera të jenë përgjuar dhe më vonë mund të zbuloheshin në dobi të Rusisë. Duhet të supozohet “se biseda u zbulua në mënyrë specifike nga Rusia në këtë moment dhe me një qëllim specifik”. Kjo mund të jetë “vetëm për të parandaluar dërgesat e raketave Taurus nga Gjermania”.
Deputeti i Wagenknecht-it, Sevim Dagdelen, i tha Berliner Zeitung-ut: “Planet e sulmit të oficerëve kryesorë të Bundeswehr-it me Taurus-ët, duke përfshirë qëllimin e tyre për ta mbuluar atë, nuk janë as në përputhje me Ligjin Themelor [kështu cilësohet kushtetuta në Gjermani v.a.] dhe as me të drejtën ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë nuk është një luftë mbrojtëse gjermane. Rusia nuk e sulmoi Gjermaninë. Këto lojëra simuluese rrezikojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Gjermanisë në luftë dhe kështu rrezikojnë masivisht sigurinë e popullatës në Gjermani. Kjo çmenduri duhet të ndalet menjëherë! Ne kemi nevojë urgjente për një armëpushim dhe diplomaci në vend të përshkallëzimit të mëtejshëm të përfshirjes së drejtpërdrejtë në luftë.”
Siç shkruan Berliner Zeitung, ndryshe nga Sholci dhe Dagdeleni, politikanët e opozitës, të koalicionit dhe CDU-së, nuk komentuan dimensionin e politikës së jashtme të bisedave të përgjuara. Përkundrazi, ata u fokusuan në çështjet e spiunazhit dhe kundër-spiunazhit – dhe për rrjedhojë edhe në çështjet e armatimit të mëtejshëm.
“Ne kemi nevojë urgjente për të rritur sigurinë dhe kundërspiunazhin tonë, sepse ne jemi padyshim të cenueshëm në këtë fushë”, tha ekspertja ushtarake e FDP-së, Marie-Agnes Strack-Zimmermann për rrjetin editorial të Gjermanisë (RND).
Ndërkaq Strack-Zimmermann tha se spiunazhi është “pjesë e mjeteve të luftës hibride të Rusisë”. Nuk është as për t’u habitur që po përgjohen bisedat. “Ishte vetëm çështje kohe para se të bëhej publike.”
Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit, Johann Wadephul, i bëri thirrje qeverisë federale të shtrëngonte rregullat për mbrojtjen e komunikimeve. Më specifik në deklaratën e tij ishte politikani i Të Gjelbërtëve, Konstantin von Notz, kur u shpreh për RND: “Shtrohet pyetja nëse kjo është një ngjarje e rëndomtë apo një problem strukturor i sigurisë.”
Zëdhënësi i politikës së mbrojtjes së Unionit, Florian Hahn, madje shkoi një hap më tej: “Nëse regjistrimi është i vërtetë, deklaratat e kancelarit nga kjo javë nuk janë vetëm të papërshtatshme, por edhe të rreme”, tha politikani i CSU për Agjencinë Gjermane të Shtypit.
Ministri Pistorius u informua në mënyrë eksplicite për Taurus-ët, përfshirë përdorimin e tyre të mundshëm. Ai pohoi për media se pret që “kancelari Sholc të flasë për këtë në Komitetin e Mbrojtjes.”
Nga krejt kjo rezulton se, përveç Sholc-it, asnjë politikan deri më tani nuk e ka trajtuar çështjen e pasojave të politikës së jashtme dhe rrezikun e shoqëruar, ndoshta në rritje të një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak.
Një hyrje e pa rëndomtë në psikologjinë e luftës
Zyrtarët gjermanë ndërkohë kanë konfirmuar se Kremlini po kryen një operacion në terrenin e luftës hibride që objektiv ka krijimin e një çarjeje të thellë në Perendim që do të pengojë operacionin për dërgimin e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainë – shkruan Instituti Amerikan për Studimin e Luftës – ISW.
“Lajmet nga Kremlini (TASS) dhe propagandistja veterane ruse dhe kryeredaktore e RT, Margarita Simonyan, përforcuan audion më 1 mars, në të cilën personeli ushtarak gjerman diskuton se sa trajnime dhe përgatitje do të duhet të ofrojë ushtria gjermane nëse Gjermania vendos të furnizojë Ukrainën me raketa Taurus dhe nëse Ukraina vendos të kryejë një sulm të komplikuar precizion me rreze të gjatë kundër objektivave ruse si ura e ngushticës së Kerçit”, shkruan ISW.
Këtë e konfirmoj ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke e cilësuar këtë publikim të videos nga pala ruse si pjesë të “luftës së informacionit” që presidenti rus Vladimir Putin po bën kundër Perëndimit.
Gjithë kjo dramë duket se po shfrytëzohet për përgatitjen e popullsisë gjermane për luftë, që do të mund të cilësohej si një hyrje jo e rëndomtë në psikologjinë e luftës.
Europa Juglindore, më konkretisht pjesa që sot në vokabularin diplomatik njihet si Ballkani Perendimor, pa kaluar mirë periudhën e traumatizimit të luftërave që kishte shkaktuar Serbia gjatë procesit të shkërmoçjes ës Jugosllavisë, po hyn në terrenin e nxehtë të psikologjisë së lufëts që po imponon presioni I luftës hibride I ushtruar gjatë dy viteve të fundit nga Rusia përmes satelites së saj në rajon – Serbisë.
Putini për arsyetimin e politikave të tij ekspansioniste kishte promovuar konceptin e njohur si “Ruski Mir” – Bota Ruse. Meqë gjatë procesit të shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik diku mbi 20 milion rus etnik kishin mbetur në pjesën tjetër të kufirit të Federatës Ruse, ata do të shfrytëzohen ndërkohë për të justifikuar pretendimin e Putinit ndaj vendeve të tilla si Ukraina, Moldavia apo Gjeorgjia dhe ndërkohë e zgjeron këtë front duke zënë në gojë edhe republikat baltike – Estonin, Letonin dhe Lituaninë, duke pretenduar se “bashkatdhetarët” rusë në këto shtete nuk mund të lihen pa mbrojtjen e duhur nga Federata Ruse. Një koncept i ngjashëm ka kohë që është promovuar në Ballkan nga eksponentë të lartë serb prej disa vitesh: “Srpski Svet” – bota serbe. Sipas këtij koncepti, serbët etnikë të rajonit “kanë të drejtë të natyrshme” të jetojnë të bashkuar, pavarësisht nëse ata jetojnë në Serbi, Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut. Ideja na rikthen tek gjakimi për një Serbi të Madhe, siç e kishte parashikuar ish-presidenti jugosllav dhe krimineli i luftës Sllobodan Millosheviq.