Nga Larry C. Johnson
Ish-zyrtarë i lartë i CIA-s, ekspert dhe analist kulminant dhe Zv.Drejtor Departamentit Amerikan të Shtetit – Zyra për Kundër-Terrorizëm në Washington DC, SHBA
Former top CIA expert analyst and Deputy Director of the U.S. State Department Office of Counterterrorism in Washington DC, USA
14 gusht 2023, 243 komente
Do të përpiqem ta trajtojë këtë si cështje të thjeshtë. Kjo është një cështje komplekse, dhe prandaj është diçka që duhet ta mendojmë mirë e mirë nëse bota do të shmangë një holokaust dmth një kataklizmë bërthamore. Cështja redukohet në tre mundësi:
- Dorëzim Pa Kushte
- Zgjidhje e Negociuar
- Konflikt i Zgjatur dhe Rraskapitja, përkatësisht Pat-Pozicion
Nga këndvështrimi i Rusisë, operacioni ushtarak në Ukrainë nuk është një luftë. Luftë do të thotë të shkatërrosh armikun – fizikisht, materialisht dhe politikisht. Pavarësisht pretendimeve të propagandës Perëndimore, Rusia i është shmangur dhe ka evituar shkaktim masiv të viktimave civile në Ukrainë. Rusia nuk është përpjekur të shkatërrojë platformat perëndimore të Inteligjencës, Survejimit dhe Zbulimit elektronik dhe satelitor /ISR ose Intelligence, Surveillance and Reconnaisance/, as infrastrukturën qeveritare ukrainase apo të godasë zyrtarët e lartë politikë ukrainas. Me pak fjalë, Rusia ka zbatuar dhe shfrytëzuar vetëm disa nga mundësitë goditëse ushtarake që disponon. Të shkosh në luftë do të thotë të hysh në luftë me të gjitha mjetet, /gjë që Rusia nuk e ka bërë dhe akoma nuk po e bën, o.p./
Ukraina dhe aleatët e saj në NATO lidhur me këtë kanë pikëpamje diametralisht të kundërt – dhe këtë e quajnë luftë dhe agresion rus. Për dallim nga Rusia, Ukraina jo vetëm që ka mobilizuar popullsinë e saj të të moshës ushtarake, por ka rekrutuar në mënyrë detyryese, madje edhe duke i kapur dhunshëm dhe zvarritur në rrugë të rinjtë për ti mobilizuar, madje edhe ata nën moshën 18 vjeçare, si dhe meshkujt të moshës serioze prej 45 gjer 65 vjeçare detyrimisht në uniformë dhe i ka hedhur në front si ‘mish për top’ të armëve shkatërrimtare të Rusisë. Aftësia e Ukrainës për të mbajtur një këso niveli lufte në vazhdimësi varet në tërësi nga paratë dhe armatimet e dërguara nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet evropiane, si dhe ato të tjera të NATO-s dhe aleatëve të tyre. Pa mbështetjen e huaj Ukraina as që mund të mendohet se do mund të vazhdojë të luftojë një këso luftë moderne industriale.
Pra, le të shqyrtojmë disa fakte thelbësore:
- Ukraina po pëson viktima shpartalluese ushtarake dhe nuk ka madje as forcë rezervë të trajnuar që mund ta dërgojë në fushën e betejës.
- Ukrainës i mungon aviacion luftarak me konfiguracion të fiksuar gjeometrik të krahëve.
- Ukrainës i mungonjnë tanket rezervë, automjete ushtarake, artileri, si dhe predha dmth municion për artilerinë e saj që ka në dispozcion.
- Ukraina nuk ka as objekte apo baza të sigurta trajnimi në teritorin e saj dhe duhet të mbështetet në bazat ushtarake të vendeve tjera të NATO-s për trajnime ushtarake të kontigjenteve të rekrutuara dhe mobilizuara. (Kjo do të thotë se trajnimi është i kufizuar dhe jo-standard përkatësisht jo solid dhe i improvizuar).
- Kundër-ofensiva e Ukrainës, e cila supozohej se do të mund të depërtonte nëpër linjat mbrojtëse të Rusisë, të konceptuara dhe ndërtuara nën komandën e gjeneralit rus Surovikin, ka dështuar – dhe Ukrainës i mungon fuqia e mjaftueshme luftarake për të përshkallëzuar sulmet ndaj tyre.
- Rusia, përkundrazi, ka një numër të madh rezervash të trupave të trajnuara, municione pothuaj të pakufizuara artilerie, artileri të avansuar (të lëvizshme dhe fikse), raketa të sofistikuara dhe shumë efektive me vetë-dirigjim dhe rreze të gjata veprimi, numër të madh dronesh të avansuar, më shumë se një mijë avionë luftarakë me konfirguracion krahësh të fiksuar, helikopterë sulmues dhe sisteme masive të mbrojtjes ajrore.
- Rusia është e vetë-mjaftueshme në resurset e nevojshme kyce natyrore dhe humane për të furnizuar në mënyrë efektive industrinë e saj të mbrojtjes.
- Rusia nuk është më e varur nga Perëndimi në domenin e tregtisë dhe ekonomia e saj po rritet pavarësisht sanksioneve ekonomike perëndimore.
Shumë analistë perëndimorë këmbëngulin se situata që po shpaloset në Ukrainë është një pat-pozicion dhe vlerësojnë se lufta me Rusinë do të zvarritet për vite me rradhë. Kjo është marrëzi! Duke pasur parasysh faktet e përshkruara më lart, avantazhet janë qartazi dhe tërësisht në favor të Rusisë. Ukraina nuk posedon asnjë avantazh të vetëm ndaj Rusisë në këtë fazë lufte. Sipas mendimit tim, nuk ka gjasa që lufta ruso/ukrainase të rezultojë në cfarëdo pat-pozicioni apo bllokimi të tipit të ngrirjes së gjendjes ndër-luftuese.
Por, si mund të duket cështja e një zgjidhje të negociuar? E mundur, por, çdo marrëveshje do të jetë e imponuar sipas kushteve që do të diktojë Rusia. Rusia do të insistojë në njohjen ndërkombëtare të Krimesë, Khersonit, Zaporizhisë, Donjetskut dhe Luhanskut si pjesë të përhershme dhe integrale të Rusisë. Kjo është e panegociueshme! Udhëheqësit politikë të Ukrainës vazhdojnë të këmbëngulin dhe insistojnë se kjo nuk mund dhe nuk guxon të ndodhë. Me fjalë të tjera, nuk ka asnjë marrëveshje për të ardhmen në horizont.
Dhe kjo na lenë me mundësinë e tretë – dorëzim dhe kapitullim të pa kusht. Ushtria e Ukrainës po shkon drejtë një pike shpartallimi dhe shpërbërje për shkak të viktimave të saj gjithnjë në rritje. Ukraina nuk ka kuadër rezervistësh të stërvitur ushtarak që presin të gatshëm dhe të pregaditur për të nxituar të hidhen në front për të vazhduar përpjekjet për të shpërthyer linjat mbrojtëse të Rusisë. Ukraina po përballet me një situatë si ajo me të cilën është përballur gjenerali i Konfederatës Jugore amerikane gjatë Luftës Civile shkatërrimtare në Amerikë, konkretisht gjenerali Robert E. Lee në Appomattox. Ushtria e rrethuar e gjeneralit Lee donte të vazhdonte luftën edhe më tej kundër forcave të Veriut amerikan, por, pavarësisht nga shpirti i tyre i guximshëm luftarak, atyre u mungonte logjistika dhe fuqia ushtarake njerëzore për të vazhduar luftën. Gjenerali Lee që komandonte Konfederatën Jugore amerikane ndërkaq kuptoi se situata ishte e pashpresë dhe u dakordësua me kushtet relativisht të favorshme për kapitullim dhe dorëzim të ofruara nga komandanti i forcave Veriore gjenerali Ulysses Grant. Unë besoj se po afrohet momenti kur komandanti i forcave ushtarake të Ukrainës gjenerali Zaluzhny do të përballet së shpejti me një moment të hidhur të ngjashëm që po i afrohet gjithnjë e më shumë.
Lidhur me këtë unë vlerësoj poashtu se skenari më i mundshëm që do të mund të ndodhë nëse do të vazhdojë lufta është një shpërthimi i një përçarje të madhe mes Zelensky-t dhe komandantëve të tij ushtarakë. Ukrainasit, përkundër trimërisë, guximit dhe motivimit të fuqishëm të dëshmuar për të vazhduar luftën, vetëm ato cilësi nuk mund të zëvendësojë mungesën e furnizimeve të nevojshme të armatimeve efektive, si dhe ajo që është më e rëndësishmja, mungesën e trupave ushtarake të trajnuara për t’i përdorur ato armatime. Aktualisht, Ukraina nuk ka rrugë premtuese dhe të qëndrueshme për të realizuar operacione efektive ushtarake pa mbështetje të plotë dhe të garantuar nga NATO-ja.
Kartë apo faktor i paparashikueshëm në këto kalkulime është vetë NATO-ja. Në rastin më të keq, Shtetet e Bashkuara ose anëtarë të tjerë të NATO-s mund të vendosin të ndërhyjnë në operacionet ushtarake duke dërguar trupat e tyre në Ukrainë. Por, një ndërhyrje e tillë do të shënonte fundin e të ashtuquajturit “Operacion Special Ushtarak të Rusisë, dhe fillimin e një lufte të plotë dhe gjithë-përfshirëse mes NATO-s dhe Rusisë.
Nëse jeni të interesuar për disa nga “mundësitë teorike” për përfundimin e luftërave, unë do ju ofroj këtu disa vegëza elektronike të web-faqeve ku parashtrohen dhe elaborohen disa përpjekje teoriko-akademike lidhur me këtë tematikë si më poshtë. Unë personalisht nuk i përkrahë apo pajtohem me disa nga përfundimet e tyre, por, mendoj se ato do të mund të ishin me interes dhe të dobishme për ata që dëshirojnë të thellohen më shumë në këtë tematikë.
Pse Përfundojnë Luftërat: Përgjigje të CASCON-it nga Historia
Si Përfundojnë Luftërat: Roli i Negociatave
(Një kurs akademiko-teorik në Harvard)
Zakonisht mendohet se luftërat përfundojnë pas një betejë vendimtare ushtarake që rezulton në fitore përfundimtare – njëra palë dorëzohet dhe kapitullon, ndërsa pala tjetër del fitimtare. Në fakt, historia e kohëve të fundit sugjeron që gjërat zakonisht janë shumë më të ndërlikuara: negociatat mes kundërshtarëve në luftë zakonisht luajnë një rol kritik në përfundimin e konfliktit të armatosur. Duhet dhe mjafton të kemi parasysh vetëm rastin e Koresë, Vietnamin, Bosnjën, Afganistanin dhe Irakun. Grupi ynë shqyrtues lidhur me këtë temë do të mund eksplorojë rolin e negociatave në përfundimin e luftërave.
Si Përfundojnë Luftërat
(një libër nga Dan Reiter)
Dan Reiter shpjegon se si informacioni i vërtetë, real dhe objektiv rreth rezultateve të luftës dhe faktorëve të tjerë të ndërlidhur mund të bindë palën ndërluftuese të kërkojë më shumë apo më pak gjatë negocimit të paqës, dhe pse një vend mund të refuzojë të negociojë kushte të kufizuara dhe në vend të kësaj të ndjekë me këmbëngulje fitoren absolute, nëse ka frikë se armiku i tij mund të tërhiqet më pastaj nga ajo marrëveshje paqeje. Ai parashtron tërësisht teorinë relevante dhe më pastaj e teston të njejtën në më shumë se njëzet raste dhe qasje të përfundimit të luftërave, duke përfshirë aty edhe rastet e tilla gjatë Luftës Civile Amerikane, dy Luftërave Botërore, si dhe Luftës së Koresë. Reiter ndihmon në zgjidhjen e disa prej enigmave më afatgjata në historinë ushtarake, si për shembull pse Abraham Lincoln nxori Proklamatën e Emancipimit, pse Gjermania në vitin 1918 ripërtëriu sulmin e saj kundër Perëndimit pasi që siguroi paqen me Rusinë në Lindje, si dhe pse Britania refuzoi të negocionte dhe të kërkonte kushte paqeje me Gjermaninë pas rënies së Francës nën pushtimin Gjerman në vitin 1940.
Si do të Përfundojë Lufta? Çfarë na Tregojnë Luftërat e Kaluara për Mundësine e Shpëtimt të Ukrainës
(një dokument i Center for Strategic and Int’l Studies)
Koha për diplomacinë e krizës është tani. Sa më gjatë të zgjasë një luftë në mungesë të lëshimeve dhe koncesioneve përkatëse nga të dyja palët, aq më shumë ka gjasa që ajo të përshkallëzojë në një konflikt të zgjatur. Pavarësisht trimërisë së popullit ukrainas të dëshmuar përballë agresionit rus, kjo është një alternativë dhe perspektivë e rrezikshme. Kriza e refugjatëve do të zgjërohet më tej. Më shumë civilë do të vriten dhe vdesin. Rusia do të bëhej edhe më paranojake dhe irracionale. Dhe krahas ndëshkimit, zyrtarët rusë kanë nevojë edhe për një strategji diplomatike dhe reale dalëse nga konflikti që adreson shqetësimet dhe cështjet relevante të të gjitha palëve.
* Artikulli është i përkthyer dhe i përshtatur nga anglishtja në shqip nga Prof.Dr.Gazmend Pula, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri dhe anëtar i Insitutit Shqiptar për Gjeo-Politikë /ISHGJ/.