Eshtë fjala për Turqinë, e cila provën e parë si aktore, faktore dhe ndërmjetësuese gjeopolitike në proceset paqebërëse në Libi, Irak, Siri, në Ballkan dhe gjetkë e ka dhënë me sukses gati 20 vite më parë.
Nga Dr. Jorgji KOTE
Gjithsesi, ajo po spikat më shumë me ndërmjetësimin e tanishëm për konfliktin Rusi-Ukrainë i cili ka filluar tre vjet më parë. Faktet flasin më shumë se fjalët. Kështu, në muajin Mars 2022, vetëm një muaj pas agresionit rus kundër Ukrainës, Turqia u bë vendi mikpritës i negociatave për një armëpushim të mundshëm. Kjo mbasi qysh atëhere, Ankaraja spikati me qëndrimin e saj të paanshëm ndaj të dyja palëve, edhe pse me të dyja, ndryshe nga disa vende të tjera ajo mbante marrëdhënie shumë të mira.
4 muaj më vonë, në korrik 2022, ajo u bë sërish mikpritësja e bisedimeve lidhur me realizimin e Marrëveshjes jetike për transportin e drithrave nëpërmjet porteve turke; ajo marrëveshje lidhej me çbllokimin e lëvizjes së anijeve për eksport-importin e drithit. Një arritje e madhe duke patur parasysh se Rusia dhe Ukraina janë dy nga eksportueset më të mëdha të grurit në botë me shumë ndikim në botë.
Ndërkohë, Ankaraja vijonte kontaktet diplomatike me të dyja palët, nga nivelet e ekspertëve deri te nivelet më të larta diplomatike. Ajo ka mbështetur luftën e Ukrainës për mbrojtjen e vendit, e ndihmonte atë me armatime në kuadrin e NATO-s, por pa bujë; ndërkaq, ajo vazhdon të presë miliona turistë rusë në Turqi dhe pa qëndrime të ashpra ndaj Presidentit Putin, në përpjekje për të mbajtur nën kontroll mospërhapjen e mëtejshme të flakëve të luftës.
Në gusht 2024 sërish në Turqi u arrit marrëveshja tjetër e rëndësishme dhe me ndjeshmëri të madhe njerëzore mbi shkëmbimin e mbi 2500 robërve të luftës të Ukrainës dhe Rusisë. Krahas aspektit humanitar, nëpërmjet asaj marrëveshjeje synohej dhe krijimi i masave të besimit, një ndër komponentët themelorë të OSBE-së që ndihmon në realizimin e një paqeje të mundshme të mëvonshme. Ndonëse për fat të keq, duke patur parasysh kushtet e tjera, as që mund të bëhet fjalë për këtë besim dhe mirëkuptim midis atyre dy vendeve, kryesisht për faj të Rusisë, e cila me fjalë shprehet për paqe, ndërsa ne fakt vazhdon me bombardime.
Dhe së fundi, më 14 – 16 Maj sërish, Stambolli dhe Ankaraja nën kujdesin e vetë Presidentit Erdogan u bë mikpritësja e bisedimeve të radhës për paqe, të cilat ishin menduar se do të ishin në nivelin e tyre më të lartë, me pjesëmarrjen e Presidentit Trump, Putin, Erdogan dhe Zelenski, në përpjekje për të patur një armëpushim të paktën 30 ditor, i cili do t’i çelte rrugën demarsheve për një paqe të mundshme të qëndrueshme. Mirëpo, megjithë përpjekjet dhe demarshet turke dhe aspak për fajin e saj, siç dihet kjo mbeti vetëm tentativë; bisedimet e 16 Majit u zhvilluan në nivele më të ulta dhe pa ndonjë rezultat, me përjashtim të dakordësisë për shkëmbimin e 1000 robërve të luftës. Putini dërgoi në Ankara siç pohuan mediat ndërkombëtare “ garniturën e tij të tretë” çka nuk premtonte asgjë tjetër, veç shtyrjes së kohës.
Gjithsesi, ndërmjetësimi turk e bëri të vetën; ai shërbeu si “ ushqim për mendim” dhe mbi të gjitha nxitje për veprim, duke i paraprirë 19 Majit, me bisedën e shumëpritur telefonike Trump – Putin të ndjekur po atë ditë me bisedën Trump -Zelenski dhe Trump – me liderët kryesorë europianë me rezultatet dhe zhgënjimet tashmë të njohura; themi kështu mbasi pavarësisht nga deklarimet euforike ruso-amerikane, për fat të keq armëpushimi dhe sidomos paqja e vërtetë në Ukrainë tani duken akoma më të largëta. Kjo sepse ndryshe nga Kievi dhe Perëndimi që bëjnë diplomaci për paqe, Moska e shfrytëzon diplomacinë si mjet për të vazhduar luftën. Kësisoj, pa nënvleftësuar ndonjë vend tjetër si Zvicra apo dhe Vatikani, Turqia ka epërsi më të madhe si vend ndërmjetësues i bisedimeve të ardhëshme për paqe.
Me të drejtë ekspertët e politikës dhe diplomacisë shtrojnë pyetjen se ku qëndron sekreti apo sekretet e këtij suksesi dhe dukurie të re diplomatike të Ankarasë? Në mënyrë të përmbledhur do thënë se Turqia i ka shanset dhe kushtet për t’u afirmuar si ndërmjetësuese nisur nga pozita e saj gjeopolitike, si fuqi e madhe politike, ekonomike, diplomatike dhe më e rëndësishmja në momentet e tanishme ushtarake. Është anëtare aktive e fuqishme e NATO-s, me ushtrinë e dytë më të madhe të saj pas SHBA-ve dhe me përvojë të madhe luftarake.
Ndërkohë, pozicioni i saj i lakmueshëm gjeostrategjik, si ndërlidhëse midis Europës dhe Azisë, si nyje e madhe e transportit detar, tokësor dhe ajror ia lehtëson dhe më shumë këtë mision.
Nga ana tjetër, ky vend i madh me atraksione të panumurta historike, kulturore dhe turistike i bën dhe më të këndshme negociatat e gjata dhe të vështira si në rastin konkret në Pallatin madhështor të Sulltanit ose “Dolma Bahçe”, i ndërtuar në vitin 1842 si selia e Sulltanatit, e pajisur me të gjithë logjistikën më moderne të nevojshme për negociata të tilla në kushte komode dhe larg zhurmës mediatike. Për rrjedhojë, Ankaraja e sidomos Stambolli nuk i lenë asgjë mangut, madje kanë dhe avantazhe të tjera lidhur me kushtet e saj ideale si ndërmjetësuese kundrejt kryeqyteteve të tjera më të famshme për negociata të kësaj natyre, sidomos Gjeneva buzë liqenit, Helsinki në distancë dhe Vjena e qetë dhe muzikore.
Gjithsesi, ajo që përbën avantazhin më të madh në këtë fushë është përmbajtja, substanca, takti dhe etika e lartë e diplomacisë turke dhe e Presidentit Erdogan, qëndrimet e moderuara që ajo mban në çdo situatë, me përjashtim të ndonje rasti, kur vërtet “ia sjellin në majë të hundës”, me një profil praktik, pa deklarime dhe deklamime të bujshme, duke menduar jo për përfitime çasti por për ato afat-gjatë. Natyrisht këtu Turqinë e ndihmon dhe i jep besueshmëri përvoja dhe traditat e gjata diplomatike ndërkombëtarere qysh në periudhën e Perandorisë Otomane dhe në vazhdim, mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare dhe respektimit të secilës palë.
Turqia ka një diplomaci brilante dhe elitare, tejet të aftë, të kualifikuar në shkollat më të mira perendimore; diplomatët turq të çdo niveli dinë ta vendosin vehten e tyre mjaft mirë në pozicionin e “ tjetrit”. Kjo është me shumë rëndësi për suksesin e shumëpritur, sepse nëse do ta përshkruanim me një fjalë të vetme thelbin e saj, “diplomacia moderne konsiston në mirëkuptimin e pozicionit dhe interesave të TJETRIT dhe mbi atë bazë të ndërtosh veprimin tënd diplomatik. Diplomatët turq vlerësohen për shumë cilësi të spikatura; në përgjithësi ata nuk bëjnë retorikë, nuk qortojnë, nuk paragjykojnë, në telefona nuk thonë “por, prit, shiko e duke të numëruar kushte dhe probleme. Në vend të tyre, ata bëjnë me shumë lezet pyetje “ Cili është mendimi juaj, si t’ia bëjmë, etj” Po ashtu dallohen për shprehje evasive, jo të prera dhe asnjanjëse.
Kështu, në një prej takimeve të tyre, Erdogani i ka thënë Zelenskit se “ në një luftë nuk ka fitues dhe humbës”! Ndërkohë, ata nuk shprehen copë ose açik për koncepte të tilla delikate si “ paqe e vërtetë” mbasi kjo varet nga këndvështrimi dhe perceptimi i secilës palë; ndaj, sipas tyre, më mirë të flitet thjesht për paqe. Kur të vijë puna te tiparet e paqes, kjo do të jetë objekt negociatash sipas të drejtës ndërkombëtare dhe respektimit të secilit. Shto pastaj këtu dhe klimën, mjedisin, atmosferën e ngrohtë dhe kushtet ideale që mikpritësit turq krijojnë në të tilla raste. Këtë e kam përjetuar vetë në disa raste, në përbërje të delegacioneve zyrtare në Turqi qysh përpara ‘90 dhe pastaj në vitet 2000 në Berlin, Bruksel dhe gjetkë; gjatë bashkëpunimit të frutshëm me diplomatët turq, përfshi dhe ata të nivelit të lartë nuk e ke fare të vështirë të dallosh se veç profesionalizmit të spikatur, ata shquhen për mirësinë, modestinë dhe urtësinë e tyre dalluese karakteristike.
Edhe në rastin e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, Turqia është treguar tejet e përmbajtur në çdo aspekt, “duke i bërë vend vehtes” te të dyja vendet e duke fituar besueshmërinë e tyre politike dhe diplomatike. Ky qëndrim asnjanjës dhe pragmatik e ka ndihmuar jo pak Ankaranë ë kapërcimin e pengesave të ndryshme. Pa dyshim që dhe marrëdhëniet personale politike të Presidentit Erdogan me Zelenskin dhe Putinin, krahas liderëve të tjerë botërorë kanë luajtur rolin e tyre të qenësishëm. Me përvojën e vet mbi 20 vjeçare si President, në situata nga më të ndërlikuarat, brenda dhe jashtë Turqisë, me logjikë, intuitë dhe nuhatje politike, Erdogan kupton dhe reagon drejt në përputhje me interesat e vendit e natyrisht dhe të pushtetit të vet.
Nga ana tjetër, ai ka ditur me mjeshtëri dhe fuqinë diplomatike të shfrytëzojë koninkturat gjeopolitike për të kapërcyer sfidat dhe vështirësitë në tregun e brendshëm politik. Më tej, Erdogan ka ditur dhe ia ka dalë mbanë të akomodojë pozicionet e tij me ato të BE-së dhe vendeve të tjera nevojtare. Kështu, Turqia ka vite që ka strehuar 4 milionë refugjatë nga Libia dhe Siria, duke lehtësuar ndjeshëm situatën dhe duke shmangur një krizë tjetër të madhe azili për BE-në.
Natyrisht kjo ka bërë që BE-ja të mos e ngrejë zërin për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtetit të drejtës në Turqi. Ajo dhe SHBA-të “kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh”, sepse sot interesat e Real politikës kanë marrë përparësi të madhe, për të mos thënë absolute ndaj vlerave dhe parimeve themelore, sepse pa mbrojtjen dhe realizimin e këtyre interesave dhe nevojave, as që mendohet të ketë vlera dhe parime. Ndaj, as Europa dhe as Amerika nuk mund të mbajnë dot më “dy kunguj nën një sqetull”. Kjo po shihet dhe me rastin e burgimit të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, që e ka kapur BE-në në momentin kur ka shumë nevojë për “ta patur mirë” me Erdoganin.
Ndërkohë, sa herë ia ka dashur puna brenda vendit, Erdogan nuk ka nguruar të përplaset fort me Athinën, Parisin, Berlinin dhe vetë Uashingtonin. Por dhe me të njëjtën diplomaci sharmi dhe të butë ka ditur t’i sfumojë ato, duke vërtetuar thënien proverbiale të Ambasadorit të famshëm amerikan Thomas Pickering se “ ndryshe nga arkeologjia që zbulon të panjohurën, diplomacia mbulon të njohurën” Së fundi, shënojmë se ka vende të tjera me emra të njohur dhe në mes të Europës, por që nuk e kanë besueshmërinë, kapacitetet dhe lehtësitë e tjera politike dhe diplomatike, për të qenë ndërmjetësuese në kriza dhe konflikte të ndryshme, edhe pse kanë diplomatë elitarë dhe ndërmjetësues të afirmuar. Kjo ndodh sepse, siç shprehet ish ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher “ për të patur sukses në një ndërmjetësim duhet diplomacia shik, por me kusht që ajo të mbështetet dhe në një fuqi të madhe ushtarake.” Turqia i ka të gjitha këto komponente dhe ingredintë përbërës.
Fat i madh dhe për vendin tonë që kemi një vend mik dhe aleat strategjik si Turqia. Lidhur ndikimin turk në rajon, është për t’u habitur përse BE-ja vazhdon ta konsiderojë dhe ta trajtojë Serbinë si aktor dhe faktor kryesor stabiliteti në rajon, kur kemi Turqinë, pastaj Italinë, krahas Greqisë, e deri te Kroacia si anëtare të BE-së! Ndërsa me Serbinë dihet tashmë se ku mund të shkosh! Pastaj, të na falë BE-ja, por pa Turqinë, krahas Britanisë së Madhe, synimi i saj gjeostrategjik për t’u kthyer në një Bashkim të Madh Mbrojtës do të mbetet utopi e vërtetë! [Gazeta Panorama]