Nga Dr. Selim IBRAIMI
Një vit më parë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë askush nuk mendonte se partnerët vendimtarë dhe më të fortë të luftës së Ukrainës me Rusinë do të ndryshonin kaq shpejt. Ëndrrat janë shuar dhe frika nga një tjetër ndarje e madhe po rritet. Zyrtarët e SHBA-së nga Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë kanë shprehur pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e Ukrainës dhe çështjeve të tjera të mbrojtjes.
Nga gjithë konfuzioni i fundit, në BE frika është rritur pas telefonatës së presidentit amerikan Donald Trump me presidentin rus Vlladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ndërkohë, përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të qeverisë amerikane nga ana tjetër, kanë diskutuar shfrytëzimin e burimeve natyrore si një mënyrë për të shkëmbyer mbështetje për Ukrainën ose ndoshta mbështetje në bisedimet diplomatike me Rusinë. Ukraina zyrtare ka hedhur poshtë çfarëdo marrëveshje në mes Rusisë dhe SHBA-së pa praninë e Kievit.
Këtu nuk kemi dilemë nëse po rrëshqet drejt tragjedisë së shteteve të dobëta nga të mëdhenjtë. Varësisht nga situata ndërkombëtare, tragjedia apo suksesi i këtij lundrimi lidhet me pozicionin e shteteve kundërshtare në procesin e negociatave dhe balancën e fuqive në terren.
Pa dyshim, Ukraina dhe shtetet e tjera të pafuqishme do të përballen me pengesa. Në Arabinë Saudite, negociatat për Ukrainën do të fillojnë këtë javë dhe e ardhmja nuk dihet. Krahas anës diplomatike, informatat se SHBA po e braktis Ukrainën, u bënë më të qarta kur Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës të mbajtur në Bruksel, më 12 shkurt njoftoi se procesi për dhënien fund të luftës nuk do të përfshijë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe as kthimin e territoreve të humbura pas 2014-ës. Ai theksoi nevojën për rritjen e udhëheqjes evropiane për ndihmën e sigurisë për Ukrainën. Vëzhgues të huaj kanë shfaqur drojën se SHBA po sinjalizon ndryshime në qëndrimin dhe pozicionin e saj për Ukrainën, duke përfshirë garancitë e sigurisë se nuk ka anëtarësim në NATO; nuk ka kthim në kufijtë e para 2014-ës; nuk ka trupa amerikane në Ukrainë; artikulli 5 i NATO-s nuk mund të aplikohet, dhe nuk mund të bisedohet për mision paqeje të NATO-s në Ukrainë.
Prej këtij pozicioni mund të themi se mbështetja amerikane për shumicën e fondeve ushtarake në ta ardhmen do të jetë e kufizuar jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe vendeve të tjera që gjenden përafërsisht në situatën e Ukrainës. Qëndrimi i papritur amerikan dhe i frikshëm për evropianët është komentuar si një ndryshim madhor. SHBA-ja më në fund heq dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO. Kjo është vërtet tragjike për të ardhmen e Ukrainës, por jo për Uashingtonin.
Kritikë të politikës së jashtme amerikane ndaj Ukrainës, kanë thënë se nëse do të ishte mbajtur ky qëndrim deri në fillimin e luftës në shkurt të 2022-ës, lufta dhe qindra mijëra viktima do të ishin shmangur. Pavarësisht zhvillimeve aktuale, pasiguria për fatin jo vetëm të një shteti vazhdon. Presidenti Trump tha se faji është tek Perëndimi, pasi i premtoi Ukrainës anëtarësim në NATO. SHBA-të mund ta kishin marrë këtë pozicion qysh atëherë, por administrata e ish- presidentit Joe Biden e mbështeti projektin e Ukrainës me afro 300 bilion dollarë amerikanë.
Kritikat amerikane nuk kaluan pa komente në Bruksel dhe Mynih. Përfaqësuesja e BE-së për siguri dhe politikë të jashtme Kaja Kallas ka deklaruar se pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës janë të pakushtëzuara. “Prioriteti ynë tani duhet të jetë forcimi i Ukrainës dhe sigurimi i garancive të forta të sigurisë”. “Në çdo negociatë, Evropa duhet të ketë një rol qendror”.
Po ashtu Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe është vënë në mbështetje të Kievit. “Në mbështetje për sigurinë evropiane – ne jemi dhe do ta bëjmë”. “Ne jemi të vendosur t’i japim fund luftës së Putinit”. “Paqja përmes forcës”. Ndërsa deklaratat e zyrtarëve evropianë kanë vazhduar, përçarja mes BE-së dhe SHBA-së nuk mund të fshihet dhe do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Ndërkohë që gjërat po ecin me shpejtësi, çështja që na shqetëson më shumë është reflektimi i politikave të sigurisë së SHBA-së dhe fati i Ukrainës, i cili siç e kemi theksuar në artikujt tanë të mëparshëm do të ketë ndikim në çështjet e hapura në Ballkan dhe drejtimin e rajonit. Një luftë që u mbështet aq fort nga komuniteti ndërkombëtar po i vjen fundi. Tani siç thonë SHBA-të është koha për negociata paqeje, pasi SHBA-të nuk janë në gjendje të vazhdojnë financimin e luftës.
Nga ana tjetër, pasiguria vazhdon në Ballkan, sepse nëse SHBA -ja largohet nga angazhimi strategjik me dekada nga Evropa, natyrisht se paqja, stabiliteti dhe çështjet e hapura në Ballkan, do të bëhen pjesë e kësaj tërheqje. Në rrezik po vihen Bosnja dhe Kosova ku i njëjti model i nisjes së negociatave me Rusinë mund të aplikohet për Bosnjën dhe Kosovën edhe atë pa i pyetur shtetet përkatëse.
Tash kur aplikacioni i Ukrainës për anëtarësim në NATO i nënshkruar në 2022 pothuajse se po refuzohet nga SHBA, atëherë çfarë mësimesh mund të nxjerrin të tjerët? Ndërsa përçarja mes SHBA-së dhe vendeve të BE-së vazhdon, sfidat në siguri dhe mbrojtje për BE-në do të jenë të përhershme. Është shumë herët të flitet për tërheqjen e konsiderueshme ushtarake të SHBA-së nga Evropa dhe Ballkani, por të gjitha opsionet janë të mundshme. SHBA-ja ka ndryshuar shumë dhe këto ndryshime janë rezultat i keqmenaxhimit afatgjatë të paktën në 40 vitet e fundit. Në këtë kuadër të angazhimit dhe tërheqjes strategjike të SHBA -së, rreziku është i lartë që disa shtete të përballen me një përfundim të keq e disa të mirë.
Ndarja e madhe në Mynih midis SHBA-së dhe BE-së, dhe fati i bisedimeve diplomatike në Arabinë Saudite do të kenë pasoja afatgjata si vendimet Konferencës së Postdamit dhe Jaltës (1945). Të gjitha duhet të vëzhgohen në kontekstin e Bosnjës dhe Kosovës me theks të veçantë edhe për Maqedoninë e Veriut.