Politika energjetike e Bashkimit Evropian është në rrëmujë. Përgjigja për luftën në Ukrainë duhet të jetë një Union i vërtetë edhe në lëmin e Energjisë.

Nga Michel Derdevet/ Paris *
Pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia dhe lufta e vazhdueshme që po shpaloset tani në zemër të Evropës na kujtojnë se si energjia gjithmonë ka formësuar gjeopolitikën globale. Energjia ka një ndikim vendimtar në shfaqjen e fuqive të mëdha, në formimin e aleancave dhe shpesh edhe në rezultatin e konflikteve.
Të gjithë rendet moderne ndërkombëtare janë bazuar në një lëndë djegëse të vetme: në shekullin e 19-të, qymyri ishte shtylla kurrizore e Perandorisë Britanike; në “shekullin amerikan” që pasoi, nafta luajti një rol qendror; dhe për 20 vjet Vladimir Putini ka përdorur energjinë e gazit natyror si një mjet të rëndësishëm politik. Në vendin e tij ai po e mirëmbanë imazhin e tij në rrafsh kombëtar, ndër të tjera përmes një ofensive të madhe elektrifikimi, dhe së jashtmi po demonstron fuqinë e tij (mbi)rajonale duke siguruar që nuk ka rrugë që anashkalon Rusinë në tregun evropian dhe global të energjisë.
Sot, siç dihet, Rusia ka një kapacitet potencial tranziti prej më shumë se 250 miliardë metra kub gaz në vit për tranzit në Evropë; kjo korrespondon me më shumë se gjysmën e konsumit vjetor të gazit të BE-së, i cili është rreth 450 miliardë metra kub.
Jo të gjitha vendet varen njëlloj nga gazi rus. Disa vende anëtare të BE-së importojnë shumicën ose të gjithë gazin e tyre natyror nga Rusia. Kjo vlen për Letoninë (100 përqind), Republikën Çeke (100 përqind), Finlandën (97.6 përqind), Hungarinë (95 përqind), Estoninë (93 përqind) dhe gjithashtu disa nga ekonomitë më të mëdha të BE-së. Megjithatë, më 1 prill, shtetet baltike morën një vendim të përbashkët për të ndaluar të gjitha importet e gazit rus me efekt të menjëhershëm. Ky është rezultat i një politike çlirimtare që ekziston që nga viti 2014. Mosbesuese për një kohë të gjatë ndaj qeverisë ruse, shtetet baltike filluan një politikë gjithëpërfshirëse të rrjetëzimit, veçanërisht me Poloninë dhe Finlandën, e cila u mbështet financiarisht nga Komisioni Evropian. Ndërkohë, Lituania ka ndërtuar një terminal lundrues për rigazifikimin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) të quajtur Independence në Klaipeda. Estonia, nga ana tjetër, gjeneron 90 për qind të energjisë elektrike të saj nga nafta e importuar dhe gazi i naftës argjilore, e cila nxirret nga toka vendase. Pjesa tjetër e energjisë elektrike të Estonisë prodhohet kryesisht nga biomasa dhe energjia e erës. Së fundi, Letonia ruan rezerva nëntokësore të gazit, nga të cilat dy fqinjët e saj Estonia dhe Lituania mund të marrin gjithashtu gazin e tyre.
Me 50 miliardë metra kub importe të gazit natyror në vitin 2020, Gjermania është 66 për qind e varur nga Rusia, duke e bërë atë importuesin më të madh në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, në një intervistë për aix Echos, Christian Lindner, së fundmi e cilësoi strategjinë gjermane të energjisë si një “gabim serioz”, veçanërisht në sfondin e pushtimit rus të Ukrainës.
Italia është gjithashtu shumë e varur nga Rusia, duke marrë pothuajse gjysmën e gazit të saj natyror nga atje.
Franca, përkundrazi, ka diversifikuar furnizimin e saj. Ajo merr pjesën më të madhe të gazit nga Norvegjia (36 përqind). Rusia është e dyta me 17 për qind të importeve të gazit francez, e ndjekur nga Algjeria me 8 për qind. Ndryshe nga ekonomitë e tjera të mëdha evropiane, Franca përdor pak gaz për të prodhuar energji elektrike, duke kufizuar natyrën ‘strategjike’ të kësaj lënde të parë.
Megjithatë, rritja e pritshme e çmimeve të naftës dhe gazit në mbarë botën do të ketë ndikim edhe në çmimet e energjisë në Francë, si për familjet private ashtu edhe për kompanitë. Në muajt e fundit, qeveria në detyrë ka vendosur për ndihma të ndryshme dhe “mburoja mbrojtëse” për të ngrirë çmimet ose për të zbutur rritjen e çmimeve për këto produkte. Sipas analistëve, megjithatë, këto masa në asnjë mënyrë nuk e zgjidhin problemin aktual thelbësor dhe kanë më shumë gjasa të shihen si masa të fushatës në prag të zgjedhjeve presidenciale në mars të këtij viti.
Dhe çfarë rrjedh nga e gjithë kjo? Duke pasur parasysh këtë situatë, pesë konluzione më vijnë në mendje.
Së pari: Varësia energjetike nga Rusia erdhi vetëm për shkak të ne evropianëve. Që prej tre krizave të gazit në dimrat e viteve 2005-2008, Evropa ka “fjetur” dhe ka shfaqur dritëshkurtësi kriminale.
Madje edhe atëherë, Vladimir Putin po i bënte presion Kievit dhe Perëndimit që të furnizonin Evropën Perëndimore me çmimet që ai dëshironte, duke e hapur e mbyllur rubinetin e gazit sipas interesave të tij.
Megjithatë, shumë farëra në BE ishin në mëshirë të interesave ruse, veçanërisht përmes investimeve në Nord Stream 2, kur do të kishte qenë më e arsyeshme të shihej në akset e tjera strategjike, si gazsjellësi Nabucco me Azerbajxhanin, i parashikuar nga Komisioni – një korridor i Evropës Jugore që anashkalon Rusinë – dhe kështu për të diversifikuar furnizimin tonë me gaz.
“Infrastruktura” ka triumfuar dukshëm mbi “superstrukturën” – për të marrë hua një metaforë të Karl Marksit – dhe interesat financiare padyshim kanë fituar mbi një sasi të vogël kujdesi politik dhe taktik. Mbrojtja vigjilente e interesave sovrane i la vendin lobimit, i cili praktikohet në nivelin më të lartë në demokracitë e mëdha evropiane.
Së dyti, situata e gazit në Evropë nuk është plotësisht e njëjtë me atë në vitet 2000. Gazi natyror i lëngshëm (LNG), i cili kompresohet dhe shpërndahet nga cisterna të gazit të lëngshëm në e nga kontinente tjerë, sot bën të mundur diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe furnizimin nga burime gjeografikisht të largëta që nuk janë të lidhura me Evropën me tubacione. LNG tani mbulon 9 për qind të kërkesës, dhe pjesa pritet të rritet në 30 për qind deri në vitin 2030. Në Poloni, Spanjë, Francë, Belgjikë, Itali, Portugali, Greqi, Britaninë e Madhe dhe Holandë, janë planifikuar tashmë vënia në punë e terminaleve të LNG-së që mund të trajtojnë anijet dhe të rimagazinojnë LNG-në. Më 20 mars, Gjermania vendosi të përshpejtojë ndërtimin e dy terminaleve LNG, kryesisht për të siguruar furnizimin me gaz nga Katari.
Për të mos harruar investimet e mëdha që janë bërë në dekadën e fundit në mënyrë që rrjetet evropiane të transportit të gazit të operojnë në dy drejtimet, respektivisht në dy drejtime rrjedhjeje. Kjo do të thotë që një vend si Polonia, për shembull, mund të furnizohet nga portet e mëdha të LNG në Detin e Veriut dhe nuk varet vetëm nga lidhjet e furnizimit lindje-perëndim.
Së treti, pushtimi rus i Ukrainës është një sfidë e madhe për të gjithë ata në Evropë që ende besojnë në Marrëveshjen e Gjelbër dhe se kontinenti do të jetë plotësisht pa karbon deri në vitin 2035 ose 2050. Është e pakuptueshme që vende të ndryshme të BE-së nuk janë ende gati për të qenë në gjendje të operojnë 100 për qind me energjitë e rinovueshme. Deri atëherë, ekonomitë e mëdha evropiane si Gjermania, do të duhet të importojnë lëndë djegëse fosile jo-evropiane (naftë, gaz, etj.) dhe kështu të rëndojnë bilancin e tyre tregtar si dhe të dëmtojnë gjurmën e tyre të karbonit. Si rezultat I kësaj, autonomia strategjike e Evropës dhe akoma më shumë lidershipi ynë global në mbrojtjen e klimës do të vuajë ndjeshëm.
A është me të vërtetë energjia e së ardhmes një burim energjie që emeton CO2, siç është gazi, i cili duhet të importohet nga vende prodhuese jo-evropiane që dinë për varësinë tonë nga ky gaz dhe për rrjedhojë mund të na diktojnë çmimet? A nuk është ky akt “fluturimit në perspektivë”, i cili mund të jetë i nevojshëm për shkak të varësisë së ekonomive tona dhe zgjedhjes strukturore për gazin si “energji kalimtare” (shih debatin e taksonomisë në fund të 2021), bie ndesh me tre objektivat kryesore dhe me çdo politikë të arsyeshme energjetike – siguria e furnizimit, qëndrueshmëria ekologjike e burimeve të preferuara të energjisë dhe çmime të përballueshme për konsumatorët? Nëse e humbisni këtë treshe, rrezikoni të humbni në linjë.
Javët e fundit kanë treguar se mbështetja në Nord Stream 2 për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm, të sigurt dhe të mjaftueshëm me gaz natyror, veçanërisht për industrinë, ishte padyshim i rrezikshëm. Dimensioni gjeostrategjik i këtij burimi energjie në lojën diplomatike të Rusisë të paktën u injorua në besimin e gabuar se kishte të bënte me një partner tregtar “klasik”.
Së katërti, kriza e afërt e energjisë sigurisht që do të ndihet në kuletat e konsumatorëve, pasi pasiguria po rritet deri në qiell në të gjithë Evropën dhe energjia është në krye të listës së shqetësimeve për qytetarët evropianë.
Paradoksalisht, kriza energjetike mund të jetë gjithashtu një mundësi e madhe. Përballë emergjencës klimatike, është e domosdoshme të përshpejtohet kalimi në shkallë të gjerë drejt energjisë me karbon të ulët në vendet konsumuese evropiane. Përveç kësaj, ekziston një nevojë urgjente për një “detoksifikim” të lëndëve djegëse fosile, të cilat ende përbëjnë 72 për qind të energjisë primare të konsumuar në BE: nafta 33 për qind, gazi 25 për qind dhe qymyri 14 për qind.
Jean Monnet deklaroi në fillim të viteve 1950: “Evropa do të farkëtohet në kriza dhe do të jetë shuma e zgjidhjeve të miratuara për t’u përballur me këto kriza”. Kjo deklaratë është më e rëndësishme sot se kurrë.
Le t’ia lëmë Vladimir Putinit vendimet e djeshme për karburantet fosile, duke e lënë ekonominë e tij, e cila është jashtëzakonisht e varur nga të ardhurat nga nafta dhe gazi, të shndërrohet në ekonomi të cenueshme – eksportet e naftës dhe gazit kontribuojnë më shumë se 36 për qind të buxhetit kombëtar të Rusisë.
Dhe le të shkojmë një hap më tej në marrëveshje për ambiciet evropiane për mbrojtjen e klimës.
Një politikë e mirëfilltë evropiane energjetike duhet të rishpiket mbi rrënojat e iluzioneve të shkatërruara. Kjo presupozon që – si në vitin 1951 me Traktatin për themelimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC) dhe në 1957 me Traktatin për themelimin e Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike (EAEC) – pavarësia dhe sovraniteti i politikës energjetike të Evropës përcaktojnë kursin për politikën tonë të përbashkët. Ky synim ambicioz mund të arrihet vetëm nëse çdo shtet anëtar nuk vendos më për vendime të rëndësishme strategjike pa marrë parasysh pasojat për fqinjët e tij evropianë. Kërkimi i izoluar dhe i pakoordinuar për zgjidhje të jashtme për furnizimin me energji duhet të marrë fund, në vend të kësaj, të gjitha shtetet anëtare duhet të veprojnë në mënyrë të bashkuar dhe fleksibile.
Një Komunitet Evropian i Energjisë, siç e kemi theksuar së bashku me Jacques Delors që nga viti 2009, mund të rrisë vlerën strategjike të tregut të brendshëm dhe në këtë mënyrë të forcojë autonominë e tij duke e ndarë dhe promovuar atë nga jashtë.
Evropa duhet të reflektojë mbi fuqinë e saj ekonomike dhe gjeopolitike – mbi fuqinë e një ekonomie sociale tregu me 450 milionë konsumatorë, e cila falë fuqisë së saj integruese mund të krijojë një koalicion në të ardhmen. Ajo që nevojitet është një koordinim real i krizës, i cili nuk kufizohet në krijimin e një “zyre të përbashkët qendrore për blerjen e gazit” si kundërpërgjigje ndaj sjelljes së Rusisë, sepse kjo do të nënkuptonte kalimin në marshin e kundërt nga shekulli i 20-të dhe vazhdimin e mbështetjes në një burim energjie.
Tani duhet të gjejmë edhe zgjidhje të tjera të përbashkëta për të mbrojtur konsumatorët evropianë dhe për të shmangur shfaqjen e varësive të reja që do t’i dëmtonin ata në të ardhmen. Për ta bërë këtë, duhet të krijohen dhe forcohen aleancat e reja brendaevropiane, pasi ato ekzistojnë tashmë në fushën e prodhimit të baterive ose hidrogjenit të gjelbër.
Së pesti, energjia nuk duhet të jetë më përgjegjësi e vetme e shteteve anëtare veç e veç. Tani e tutje, Bashkimi Evropian duhet të flasë me një zë dhe të zhvillojë marrëdhënie vërtet solidare midis shteteve anëtare. Ajo duhet të prishë ekuilibrin e rehatshëm midis shteteve anëtare dhe “narcisizmin e dallimeve të vogla” (Sigmund Freud) nga lart, dhe t’i japë fund betejave të pakuptimta midis energjisë bërthamore dhe energjive të rinovueshme që kanë përcaktuar deri më tani horizontin (e zbehtë).
Sepse në Francë, për shembull, energjia bërthamore është dhe do të mbetet një shtyllë e politikës energjetike. Në fushatën presidenciale franceze, me dy përjashtimet e dukshme të Jean-Luc Mélenchon të lëvizjes së krahut të majtë La France Insoumise dhe Yannick Jadot të të Gjelbërve, kishte një konsensus pothuajse universal që 56 reaktorët bërthamorë në funksionim sot duhet të shtrihen përtej 50 vjetëve dhe në përgatitjen për kohën pas kësaj duhet të bazohen në zgjerimin e teknologjive të reja të reaktorëve.
Megjithëse Emmanuel Macron deklaroi se donte “të dyfishonte prodhimin e energjisë elektrike nga energjitë e rinovueshme deri në vitin 2030”, ai njoftoi më 10 shkurt në Belfort për një program gjithëpërfshirës për “rilindjen e energjisë bërthamore franceze”: Deri në vitin 2050 kreu aktual i shtetit dëshiron ndërtimin e gjashtë reaktorëve të rinj të gjeneratës së ardhshme të ujit me presion (EPR 2); do të shqyrtohet ndërtimi i tetë të tjerëve. I pari nga këta reaktorë është planifikuar të dalë në qarkullim në vitin 2035. Si kujtim: në fund të vitit 2021, Presidenti francez nisi një thirrje projekti për reaktorë të vegjël modularë dhe reaktorë inovativë me vlerë mbi 1 miliard euro me synimin për të ndërtuar prototipin e parë deri në vitin 2030.
Nëse duam një Evropë të fortë, rezistente ndaj energjisë dhe klimës, pavarësisht nga teknologjitë, do të na duhet energjia bërthamore dhe të gjitha burimet e rinovueshme të energjisë për të mirë ose për të keq, në mënyrë që të zhvillojmë një koncept të përbashkët, elastik, autonom dhe sovran të energjisë.
Përndryshe, ne do të jemi përgjithmonë në mëshirën e kuotave të LNG-së të hequra nga miqtë tanë amerikanë, siç ndodhi në samitin e fundit të NATO-s, ku Bashkimi Evropian dhe SHBA nënshkruan një marrëveshje në të cilën Amerika u zotua të furnizojë Evropën me 15 miliardë metra kub shtesë të gazit natyror të lëngshëm në vitin 2022 dhe për të rritur sasinë në vitet në vijim deri në arritjen e objektivit prej 50 miliardë metër kub shtesë në vit.
Si mund të vazhdohet seriozisht të flitet për autonominë e energjisë dhe strategjisë dhe Marrëveshjen e Gjelbër kur në të njëjtën kohë ai mbështetet kaq shumë në prodhimin e CO2, i cili po ndodh edhe jashtë BE-së? Në çdo rast, nëse duam të ndryshojmë sistemin, duhet të kapërcejmë mosmarrëveshjet e pafrytshme që kemi pasur deri më tani – veçanërisht midis Francës dhe Gjermanisë – në mënyrë që energjia të mos jetë barrë, respektivisht temë përplasjesh për kompetenca midis Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, siç ishte rasti I sanksionuar në Traktatin e 2009 për Funksionimin e Punëve të Bashkimit Evropian, por të ecim tutje duke formuar një fushë të përbashkët veprimi.
Sovraniteti i shteteve anëtare mbi përzierjen e tyre në politikat energjetike dhe furnizimin e tyre me energji përfundon aty ku fillon varësia, margjinalizimi dhe dobësimi i përgjithshëm i të gjithëve në strukturën globale. Tani kemi arritur në atë pikë.
Për shembull, çfarë kuptimi ka neni 194 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, i cili i jep BE-së autoritetin e vetëm mbi sigurinë e furnizimit, nëse nën hijen e këtij sistemi çdo shtet anëtar mund të vazhdojë të marrë vendime për vete dhe negocion blerjet e veta të energjisë?
Në funksion të diktateve ruse, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një diplomaci të përbashkët shumëpalëshe energjetike, e cila, për shembull, kontribuon në forcimin e bashkëpunimit me vendet e Afrikës dhe të Magrebit me synimin për sigurimin e rezervave të hidrokarbureve atje në një afat të shkurtër dhe të kombinuar forcat, apo dialogun ndërmjet BE-së dhe vendeve përreth Detit Kaspik dhe në këtë mënyrë të integrojnë Turqinë në sistemin evropian.
Për më tepër, në muajt e ardhshëm do të duhet të rimendojmë rrënjësisht strukturën e ligjeve dhe përgjegjësive midis Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare dhe të zhvillojmë një “bashkim energjetik” të vërtetë, sepse përndryshe do të gjendemi shpejt si një vend i fragmentuar dhe i ndarë. ndaj Rusisë dhe Kinës, por edhe ndaj SHBA-ve, duke mbetur një kontinent I përçar e ndarë, që është në mëshirën e interesave tregtare të faktorëve joevropianë.
[IPG, 01.06.2022; përkthyer nga gjermanishtja: ISHGJ]
* Michel Derdevet është ekspert i politikave energjetike dhe president i Institutit francez të mendimit Confrontations Europe [Think Tanks Confrontations Europe]