Serbia edhe sikur të anëtarësohej nesër në NATO, gjysmën e oficerëve do t’i mbante kontigjente rezervë të armatës ruse, sepse ajo edhe atëherë kur e ka inicuar Luftën e Parë Botërore , edhe tash nuk mund të shkëputet plotësisht nga vagonat e dyshimt që importojnë destabilizim nga Kremlini. Mosdistancimi i Perendimit ndaj politikave konfliktuoze të Vuçiqit, në plan afatgjatë janë të dëmshme për vet Serbinë, sepse këtë shtet po e mbajnë me infuzione të rrejshme të njëfarë ekuidistance gjeopolitike, kurse Kosovës poi a vështirësojnë rrugët e integrimit më të shpejt euro-atlantik.
Nga Emin AZEMI
Mirë që kush po çohet më herët po i teket e po flet nga ‘burime të sigurta’ për prapskenat dhe prapaperdet e vizitës së shefit të CIAs në Prishtinë, por nuk po thonë asgjë, ose nuk po thonë mjaftueshëm, kur po ‘konstatojnë’ se ai paska ardhë për të parandaluar eskalimin e ndonjë situate të rrezikshme në rajon, që po mundka të ndodhë në ditët, javët muаjt në vijim….
Nga kush mund të vijë ky eskalim?
Pse nuk po i shkohet deri në fund përgjigjes së kësaj pyetjeje?
Nëse në Beograd pati një ‘ shkollë hegjemoniste’ që frymëzoi rininë radikale serbe për të inicuar Luftën e Parë Botërore, pse e njejta ‘shkollë’, e ndihmuar nga Moska, nuk po mundka të inicojë sërish konflikte të reja në rajon, përfshi edhe Kosovën?!
Nëse nuk jepen shkoqur këto përgjigje, për t’i dëgjuar edhe shefi i CIAs, atëherë sikur krjohet përshtypja se edhe në Prishtinë, njësoj sin ë Beograd, gjoja ka potencial destabilizues.
Shefi i CIAs, që ka qenë ambasador në Moskë, e di fort mirë se kush mund ta destabilizojë rajonin, por këtë duhet t’ua thonë edhe analistët, mediat dhe opozitarët në Kosovë.
Në diskursin e deritanishëm publik të Kosovës, është ndërtuar narrativi se edhe Prishtina edhe Beogradi janë njësoj përgjegjës për situatën në terren. Madje pati njëfarë ekzaltimi infantil për njëfarë ‘ngrehje veshi’ të kryeminstrit Kurti nga ana e shefit të CIA-s, për çështjen e (mos)hapjes së Urës së Ibrit dhe kurreshtja e parë që të rrok në mëngjes posa ke filluar t’i lexosh portalet, mbështillet me habinë: Si është e mundur që në Prishtinë të lexosh komente gazetarësh e analistësh, shumë identik me kolegët e tyre në Beograd (!). Sepse edhe në Beograd , njësoj si në shumë media të Prishtinës, po thuhet e po shkruhet se Kryeministri Kurti është e keqja më e madhe e raporteve shqiptaro-serbe; se Kryeministri Kurti me hapjen e Urës së Ibrit, po synoka destabilizimin e situatës (!).
Se, sikur të mos ishte Kurti kryeministër, Kosova do të frymonte më shlirë nën tingujt e këngëve melankolike, të një paqeje të rrejshme shqiptaro-serbe, me dirigjent Grenellin dhe me Daçiqin ‘kafanski pevaç’!
Si dhe nga kush po u destabilizoka situata nga hapja e një ure?!
Pse nuk shtrohet ndryshe pyetja: Sa mund të destabilizojë situatën një urë që ndan në dy pjesë një qytet brenda një shteti?!
Kush qenkan, pra, destabilizuesit?
Ata që kërkojnë të lëvizin lirisht përmes një ure të hapur, apo ata që kërkojnë të enklavizohen përmes një ure të mbyllur?
Evropa a ishte më e rrezikuar kur e kishte Murin e Berlinit, apo u bë më e lirë kur u rrëzua ky mur? Këtë më së miri e di edhe shefi i CIAs….
Nëse thuhet se hapja e Urës së Ibrit e destabilizon situatën, atëherë e ke amnistuar Beogradin nga të qenit burim destabilizimi…
Nëse thuhet se hapja e Urës së Ibrit e destabilizon situatën, sikur aludon në Qeverinë e Kosovës, e cila përmes Albin Kurtit e paska ndërmend me kallë krejt Ballkanin….
Nëse thuhet se hapja e Urës së Ibrit e destabilizon situatën, sikur ke ngritur një farë simetrie faji për të gjitha problemet e shkaktuara në veri të Kosovës…
Por, kjo nuk është e vërtetë.
Asnjëherë politikanët e Prishtinës që këmbëngulin për ta larguar Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë dhe eliminimin e pasojave që vijnë nga ky fakt, përfshi edhe shtrirjen e sovranitetit në gjithë teritorin e vendit, nuk mund të jenë njësoj përgjegjës si politikanët e Beogradit, të cilët edhe pas 25 viteve të përfundimit të luftës, nuk kanë kërkuar falje për vrasjen dhe zhdukjen e 1432 fëmijëve shqiptarë në Kosovë, në periudhën 1981-1999 si dhe për krimet makabre që janë kryer mbi gratë, fëmijët dhe pleqtë e Kosovës.
Politikanët e Prishtinës nuk mund të jenë njësoj përgjegjës si politiikanët e Beogradit, të cilët nuk kanë bërë asnjë përpjekje minimla për të denacifikuar institucuinet, mediat dhe tekstet shkollore ku shqiptarët dhe Kosova ende paraqiten si e keqja më e madhe për popullin serb (!).
Si mund të jetë Kryeministri Kurti njësoj përgjegjës si Vuçiqi, nëse ky i fundit në çdo forum ndërkombëtar e përsërit se jo vetëm që nuk do ta njoh shtetësinë e Kosovës, por shteti i tij do të punoj që të gjithë serbët në Ballkan të përfshihen në kuadër të projektit ‘bota serbe’.
Nëse angazhimi i Kryeminstrit Kurti për hapjen e Urës së Ibrit qenka e barazvlefshme me angazhimin e Vuçiqit për krijimin e ‘botës serbe’, atëherë diplomaca ndërkombëtare duhet sa më shpejt të paiset me fjalorë të rinj ku Koreja e Veriut do të konsiderohej pioniere e demokracisë botërore, ku Federata Ruse do të konceptohej si mikja më e madhe e Ukrainës që për çdo ditë e ‘bombardon’ me buqeta lulesh, ku Kina dhe Bjellorusia do të paraqitnin modele të përkryera të përhapjes së frymës euro-atlantike në raportet midis vendeve të botës etj. etj.
Mbase, ‘faji’ i vetëm i Kurtit është se ai po punon ende me fjalorët e vjetër të diplomacisë dhe demokracisë, ku shumë bukur janë të sqarura dhe definuara nocionet dhe parimet mbi të drejtën sovrane për të qeverisur një vend dhe mbi nevojën e avancimit të kulturës së mirënjohjes ndaj aleatëve strategjik.
Nëse kultura e mirënjohjes zëvendësohet me dorëzimin pa kushte ndaj Serbisë, si përgjigje ndaj sfidave destabilizuese ruse në rajon, atëherë partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA, NATO dhe BE po mundohen të mbjellin një trung të ri (Serbia) duke e pre degën (Kosova) në të cilën qëndron stabiliteti i rajonit.
Serbia edhe sikur të anëtarësohej nesër në NATO, gjysmën e oficerëve do t’i mbante kontigjente rezervë të armatës ruse, sepse ajo edhe atëherë kur e ka inicuar Luftën e Parë Botërore , edhe tash nuk mund të shkëputet plotësisht nga vagonat e dyshimt importojnë destabilizim nga Kremlini.
Mosdistancimi i Perendimit ndaj politikave konfliktuoze të Vuçiqit, në plan afatgjatë janë të dëmshme për vet Serbinë, sepse këtë shtet po e mbajnë me infuzione të rrejshme të njëfarë ekuidistance gjeopolitike, kurse Kosovës po ia vështirësojnë rrugët e integrimit më të shpejt euro-atlantik. Ky mosdistancim, në fakt është burim destabnilizimi për gjithë rajonin.
Vizita e shefit të CIAs në Sarajevë, Beograd dhe në Prishtinë mund të lexohet dhe deshifrohet me disa kode, por kodi i vetëm që tash më është i deshifrueshëm mbetet faktori destabilizues serb i cili po stimulohet me qasje të gabuara dhe me standard të çuditshme të diplomatëve perendimorë.
Shkup, 25 gusht 2024