Midis demokracisë dhe autoritarizmit: sfidat dhe perspektivat
Nga Dr Selim IBRAIMI
Alexis de Tocqueville (1805-1859), diplomat, politikan dhe historian francez, hyri në politikë si ministër i Jashtëm i Francës. Tokvilli ishte autor i botimeve për politikën dhe qeverisjen. Ai u bë i njohur me dy botimet mbi “Demokracinë në Amerikë” dhe “Regjimi i Vjetër dhe Revolucioni”. Tokvilli në analizën e tij mundohet të paraqesë kushtet shoqërore në SHBA dhe në Evropën e atëhershme të dalë nga luftërat e napoleonike. Në vitin 1831 pas një udhëtimi nëntë mujor në SHBA, ai u habit nga jeta demokratike, ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve amerikane. Përveç habisë, ai kishte disa rezerva rreth pabarazisë së klasave.
Megjithatë, pas 150 viteve të vështrimit dhe udhëtimit të Tokvillit, raportet nga SHBA-ja dhe prej shteteve tjera demokratike thonë se demokracia është në rrezik dhe e sulmuar nga të gjitha anët si asnjëherë më parë që kur Lufta e Dytë Botërore mori fund. Dezinformimi, forcimi i tiranisë dhe rënia e standardeve demokratike në vendet që synojnë implementim të plotë të vlerave demokratike mbeten sfidat kryesore të koalicionit të shteteve demokratike. Është herët të vlerësohet nëse ky koalicion global do të mund të dalë fitues në këtë shekull të fuqizimit të shteteve diktatoriale dhe të qeverive autoritare nga Evropa Lindore, Ballkani, Lindja e Mesme e deri në Azi dhe Afrikë.
Sipas një raporti të qeverisë amerikane të vitit 2021 i quajtur si “Një udhërrëfyes për udhëheqjen globale të SHBA-së”, në vitin 2020 gati 75% e popullsisë së botës ka jetuar në një shtet që është përballur me përkeqësimin demokratik. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Zgjedhje, zgjedhjet janë shtyrë ose anuluar në të paktën 78 vende ose territore, edhe atë nga shkurti i vitit 2020 deri në mars të 2021-ës. Freedom House gjithashtu ka raportuar se në 158 shtete të botës janë vendosur kufizime të reja që lidhen me protestat. Në luftën kundër dezinformimit thuhet se informacioni i rremë është përdorur për të ndërhyrë në zgjedhje, për të ndikuar opinionin publik dhe manipuluar informacionin që kryesisht buron nga shtetet si Kina, Irani, Pakistani, Rusia, Arabia Saudite dhe vende tjera autoritare. Sipas raportit, 81 shtete të botës i kanë përdorur mediat sociale për të përhapur propagandën digjitale dhe dezinformimin.
Duhe i parë të gjitha këto aktivitete të qeverive autoritare, për rrtije të standardeve demokratike, dhe ndërtim të një muri të fuqishëm demokratik, pikësëpari duhet që shtetet lidere në demokraci të jenë shembull për ato shtete që janë në dilemë se cilin sistem duhet të mbështesin. Ka dallime të shumta në mes shteteve evropiane, dhe SHBA-së dhe shteteve tjera semi-autoritare. Në historinë e marrëdhënieve euro-amerikane, përkundër që Tokvilli dikur kishte një mendim negativ për Evropën e atëhershme, dhe ishte habitur me Amerikën, sot çështjet kanë ndryshuar.
Evropa (BE) pas vitit 1952 ka një demokraci të avancuar, dhe ekonomi stabile ku të gjithë qytetarët i gëzojnë të drejtat dhe janë të kënaqur me kushtet jetësore. Në anën tjetër, kemi një Rusi anti-demokratike dhe luftënxitëse ku bashkë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor që pretendojnë se janë demokratike, po të njëjtit nuk respektojnë asnjë ligj ndërkombëtar dhe asnjë vlerë nga demokracia liberale. Në këtë kontekst, demokracia liberale në të dyja kontinentet mbetet hapësirë e lirë për shtetet mbyllura. Hapësira demokratike vazhdon të jetë faktor konkurues në politikën ndërkombëtare.
Duhet pranuar se BE-ja me anëtarësimin e shteteve të reja nga Evropa Lindore nuk qëndron mirë. Politikat dhe bllokadat e Viktor Orbanit për refuzimin e Suedisë në NATO dhe shumë pengesa tjera janë një goditje shumë e rëndë për BE-në, NATO-n dhe demokracitë e reja. Marrëdhëniet e Orbanit me Rusinë dhe njëkohësisht raportet e shkëlqyera të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, e nënvlerësojnë të gjithë angazhimin e bllokut perëndimorë për një hapësirë të qëndrueshme demokratike dhe stabilitet në këtë shekull. Prania e Hungarisë në BE-së deri më tani nuk ka treguar një pamje të mirë për demokracitë me të meta dhe as për vetë BE-në. Kjo mund të konsiderohet si një njollë e zezë për Evropën në luftën e bllokut demokratik për mbrojtje të demokracisë në Ukrainë dhe gjetiu. Demokracitë lindin, zhvillohen dhe vdesin.
Një mbrojtje e re për shtetet demokratike duhet të ekzistojë, pasi në të gjithë botën kemi rritje të fuqisë së shteteve jo demokratike. SHBA me shqetësimet e brendshme dhe të jashtme nuk do të jetë e gatshme që deri në fund të shekullit të jetë plotësisht e përkushtuar në mbrojtje të demokracive të konsoliduara dhe atyre të rejave. Për të përballuar krizat aktuale dhe të ardhshmet, përveç rritjes së buxheteve ushtarake të shteteve demokratike, strategjia do të kërkojë po ashtu një plan të madh për zhvillimin e ekonomisë, lidhjes më të fortë të qytetarit me qeverinë, një infrastrukturë të modernizuar, digjitalizim të mbrojtur, dhe mbështetje të kërkesave sociale të qytetarëve të shteteve demokratike për një standard më të mirë jetësor. Kjo veçanërisht vlen për SHBA-të ku lufta racore dhe pabarazia e klasave po e bëjnë të vështirë jetën dhe ngritjen e demokracisë amerikane në nivel të ri global për të luftuar tiraninë.
Pra përveç një politike të jashtme të koordinuar me aleatët, do të duhet një përqëndrim ekonomik dhe teknologjik edhe brenda vendeve që janë në betejë me shtetet antidemokratike.
Sipas “Indeksit të Demokracisë” të revistës “Economist” në raportin e fundit të botuar në vitin 2022, vetëm 24 shtete në botë janë vlerësuar si “demokraci të plota”, që përfaqësojnë 8% të popullsisë së botës. Indeksi tregon një ngadalësim global në fushën e demokracisë. Vlerësohet se 37% e popullsisë së botës jetojnë nën një regjim autoritar. Ndërkaq në Ballkanin Perëndimor gjatë këtyre viteve shumë pak është bërë në fushën e demokracisë. Semi regjimet autoritare dhe hibride ende gjejnë mbështetje nga jashtë duke rrezikur shtetet e brishta të Ballkanit që kanë bërë disa përparime gjatë këtyre tre dekadave.
Poqese do të ishte gjallë Tokvilli me siguri se përsëri do të habitej për gjendjen globale të demokracisë, dhe luftës së shteteve diktatoriale kundër demokracive të reja për të vendosur regjime që kontrollojnë individin dhe shoqërinë.
Për të mbajtur gjallë koalicionin demokratik, gjatë këtij shekulli duhet punuar më shumë në frontin e brendshëm të shteteve që kanë peshë në politikën ndërkombëtare dhe të demokracisë. Më tej duket forcuar shtetet që janë në rrezik të përhershëm prej shteteve diktatoriale dhe prej kërcënuesve të fshehtë global, që ka shumë gjasa të përdorin mjetet e luftës hibride. Këtu duhet theksuar edhe politikat e atyre shteteve që do të përpiqen të keqpërdorin inteligjencën artificiale kundër demokracive të reja dhe atyre stabile.