Nga Dr. Sadri RAMABAJA
6. Republika e Kosovës – produkt i luftës së UÇK-së, gjenocidit serb dhe
rikthimit të gjeopolitikës
Lufta në Kosovë (1998-1999), shpesh e quajtur “Lufta e Kosovës”, ishte një konflikt i përgjakshëm dhe një moment i rëndësishëm përfundimtar për ekspansionin serb në Ballkan dhe për shpërbërjen e Jugosllavisë. Kjo luftë shënoi fundin e përpjekjeve të Serbisë për të mbajtur kontrollin mbi territoret e ish-Jugosllavisë, veçanërisht mbi Kosovën, një rajon me rëndësi të madhe historike, kulturore dhe etnike për serbët. Lufta e Kosovës gjithashtu ishte një ngjarje që ndihmoi në krijimin e një rend të ri ndërkombëtar dhe gjithashtu përfaqësoi një pikë kthese të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht me ndërhyrjen e NATO-s në rajon.
6.1 Prapavija e Luftës
Kosova është trungu dhe epiqendra e kryengritjeve për krijimin e Shqipërisë moderne. Lidhja e Prizrenit [1878] shënon kulmin e përpjekjeve të etnisë shqiptare për çlirim nga Perandoria Osmane dhe krijim të Shtetit modern shqiptar duke u bazuar në parimin e shtrirjes etnike. […]
Kosova u pushtua nga Serbia në vjeshëtn e vitit 1912, pas një sërë kryengritjesh antiosmane që do të kulmonin me shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
Me vendimet e Konferencës ssë Ambasadorëve në Londër 1913, Kosova do t’i aneksohej Serbisë. Fillonn kështu nata e gjatë serbe dhe trajtimi i Kosovës si koloni tipike.
****
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të tjera në Ballkan (si në Bosnjë dhe Kroaci), Kosova për një periudhë mbeti nën kontrollin e Serbisë, por lëvizjet politike që po artikulonin kërkesat për pavarësi vazhduan të rriteshin.
Në vitin 1998, situata përshkallëzoi me përgjigjen e dhunshme të Serbisë ndaj Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila kërkonte pavarësinë e Kosovës. Përballë kësaj, serbët përdorën taktikën e luftës për pastrimin etnik kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, që përfshinte vrasje, dëbime dhe shkatërrimin e fshatrave. Viktimat civile ishin shumë, dhe më shumë se 800,000 shqiptarë kosovarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të shpërnguleshin në vende të tjera, përfshirë në Shqipëri dhe Maqedoni.
6.2 Masakrat dhe Krimet e luftës: Gjenocidi i heshtur
Në Kosovë vetëm brenda periudhës mars 1998, kur u ushtrua masakra ndaj një familjeje të tërë në Prekaz, me ç’rast vriten e masakrohen plot 54 anëtarë, e deri më 9 qershor 1999, kur Serbia do të nënshkruante kapitullimin në Kumanovë1, janë ushtruar gjithësejt … masakra. Studjuesi Skëlzen Gashi ka bërë punë voluminoze për të dëshmuar secilën prej tyre.
Le të kujtojmë se ishte pikërisht Kumanova, fronti i saj i rezistencës, që Serbia do ta thente pas tri ditë luftimesh të rrepta në tetor 1912, që do t’i hapte rrugë pushtimit të Kosovës. Historia prodhon edhe koinçidenca të kësaj natyre. Pikërisht në Kumanovë, Serbia do të nënshkruaj kapitullimin e sja dhe Kosovës, me atë marrëveshje i hapet sipari i Lirisë, që do ët kurorëzohet me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Por, le t’i kthehemi sërish Planit Patkoi. Çfarë e shoqëroi atë projekt monstruoz serb, që kishte të bënte me zhdukjen e shqiptarëve?
Kjo nuk ishte ndërmarrja e parë që do ët hyjë në histori me nocionin PASTRIM ETNIK. Në fakt ky ishte gjenocidi i tretë serb ndaj shqiptarëve. I pari, ishte ai që Shtatmadhoria Serbe kishte aplikuar në janar e shkurt të vitit 1878 kundrejt krahinës së Toplicës deri në Vrajë e Kurshumli [ku përfshiheshin 8 qytete e 998 katunde të banuara me shumicë shqiptare, që sot janë pjesë e Serbisë jugore]; herën e dytë, kur Serbia do të ushtroi gjenocidin e dytë ndaj shqiptarëve ishte viti periudha e pushtimit të Kosovës [1912/13].
Këto krime u përsëritën fill pas Luftës së Parë Botërore , në vitet 1918/’19, gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, si dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore [1944-1945. I njejti model dhune vazhdoi gjatë viteve 1946-’66, dhe u përsërit gjatë dekadës së fundit të shekullit XX [1989-’99.2 Ndërkaq në pranverën e vitit 1999 masakrat morën përmaësn e gjenocidit.
Harta e masakrve3 që ushtroi soldateska serbe në Kosovë në periudhën 1998-1999 përfshinë gjithë territorin e Kosovës. Studjuesi Gashi, në librin në fjalë, sjellë të dhëna të detajuara për gjithësejt 83 masakra të kryera anë e kënd Kosovës, kryesiht ndaj popullsisë civile.4
Më 9 prill 1999, Ministri Gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping-u shpalosi para opinionit publik Planin serb për dëbimin e shqiptarëve. Sipas këtij plani, operacioni i emëruar «Patkoi» përbënte dëshminë se, dëbimi i shqiptarëve nga Kosova nuk ishte pasojë e “hakmarrjes për shkak të bombardimeve të NATO -s”, por rezultat i një projekti politik të përpiluar në detaje.5
Miroslav Filipović-i, gazetar i gazetës beogradase «Danas», korrespondent i «Agjencisë France-Presse» dhe analist i Institutit Raportues për Luftën dhe Paqen , i cili u etiketua dhe u dënua si spiun i Perëndimit, rreth planit Patkoi pohon:
“Ekzistimi i planit ‘Patkoi’ është përmendur disa herë dhe shumë shpejt është përgënjeshtruar nga pushteti. Njohuritë e mia për këtë plan datojnë që nga mesi i viteve 70-të”, deklaron Filipović-i. “Një grup komunistësh serbë filluan të brengoseshin se çka do të bëhej me serbët kur të vdiste Tito-ja. Si të ruhej Jugosllavia dhe komunizmi në këtë vend dhe si të shpëtohej nga invadimi shqiptar. Atëherë u përpilua projekti ideor ‘Patkoi’, plan që përbëhej nga po aq patkonj të vegjël sa ka edhe fshatra shqiptar.
Ky plan parashihte që përreth çdo fshati të vendoseshin njerëz të armatosur në formë të patkoit, me ‘hapje’ nga Shqipëria, dhe t’u jepej vendasve afat prej disa dhjetëra minutash që me gjërat më të domosdoshme t’i lëshonin shtëpitë e tyre. Pastaj fshati digjej, ndërsa pronat plaçkiteshin dhe asgjësoheshin.
Në pjesën e ‘hapur’ të ‘Patkoit’, njerëzve u merreshin dokumentet dhe paratë tepricë dhe bëhej seleksionimi i tyre. Kështu, disa qindra mijëra njerëz do të shpërnguleshin nga Jugosllavia në Shqipëri. Shkatërrimi i shtëpive dhe krimet monstruoze, që do ta shoqëronin planin, do t’i dekurajonin për t’u kthyer edhe ata më të vendosurit. Edhe në rastin, kur do të shtrëngoheshim të kthenim një pjesë të popullsisë shqiptare, do t’i kthenim vetëm ata që do të dëshironim ne.
Milosević-i pranoi këtë zgjidhje ideore dhe gjatë sundimit të tij, ky ‘Patkua’ u shkri në plan operativ për realizimin e të cilit duhej, nëse jo ndonjë luftë e madhe, atëherë, së paku një konflikt lokal.
Prova e përgjithshme u zbatua në fillim të viteve të 90-të, në vendbanimet e bregut të djathtë të lumit Drina, kur banorët boshnjakë u detyruan të shpërnguleshin dhe një pjesë e territorit u pastrua etnikisht.” 6
Ky plan u zbatua në përpikmëri në Kosovë. Vetëm brenda periudhës sa NATO po godiste caqet e ushtrisë serbe, u shtrënguan të lëshonin Kosovën mbi 800.000 veta.
Por për dallim nga viti 1878 e 1912/13, në vitin 1999, Europa dhe Bota perendimore, nuk heshti. Reagimet e udhëheqësve të shteteve që merrnin pjesë në sulmet e NATO-s kundër regjimit të Milošević-it ishin në të njëjtën frymë.7 Kështu, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joschka Fischer-i, doli me qëndrim publik se ajo që po ndodhte në Kosovë nuk kishte të bënte me “çështje refugjatësh. Ne kemi të bëjmë me dëbimin e krejt një populli”8, deklaroi ai. Ndërsa, Presidenti francez, Jacques Chirac-u, në mesazhet e veta televizive drejtuar opinionit publik, theksoi se “fjala është për një operacion të përbindshëm spastrimi etnik të planifikuar dhe të udhëhequr më cinizmin më të lartë dhe me mizoritë më të mëdha të regjimit serb (…) Nuk ka asnjë dyshim sa i përket përgjegjësisë së këtij regjimi (…) Këto mizori (…) janë turp për Evropën dhe për botën. Aksionet e ndërmarra nga Milošević-i nuk do të triumfojnë. Barbaria nuk mund të ketë fjalën e fundit. Drejtësia do të ngadhënjejë dhe kriminelët do të japin llogari!”9
6.3 Intervenimi Ndërkombëtar
Në këtë periudhë, reagimi ndërkombëtar u intensifikua. Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan një pajtim politik, por Serbia dhe lideri i saj Slobodan Milošević refuzuan të pranonin çdo lëshim që do të mundësonte autonomi të Kosovës ose ndihmën ndërkombëtare për të ndaluar dhunën. Ky qëndrim i Beogradit shkaktoi një tension të madh dhe shqetësim të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht pas masakrave që ndodhnin në terren.
Në vitin 1999, pas dështimit të diplomacisë dhe përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje paqësore, NATO ndërhyri ushtarakisht me një fushatë bombardimesh ajrore kundër Serbisë, që nisi më 24 mars 1999. Kjo ishte një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e NATO-s, e cila nuk kishte miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, megjithëse ishte bazuar në nenin 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që argumenton faktin se ishte e nevojshme për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe për të shmangur përshkallëzimin e dhunës dhe zhdukjen e një populli.
6.4 Pasojat e luftës dhe fundi i ekspansionit serb
Fushata e bombardimeve nga NATO (e njohur si Operacioni Forca Aljance) i dha fund luftës në Kosovë. Pas 78 ditësh bombardimesh, Serbia u detyrua të pranojë një marrëveshje për armëpushim, dhe Kosova kaloi nën administratën e OKB-së, duke u vendosur si një protektorat ndërkombëtar.
Kjo ishte fundi i ekspansionit serb në Ballkan, pasi Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën, një territor që ishte një pjesë kyçe e projektit të Serbisë së Madhe të Milošević-it. Kjo ishte një humbje e rëndësishme për Serbinë, pasi Kosova për shumë serbë kishte një domethënie historike dhe kulturore të pazëvendësueshme, si dhe një pozicion të rëndësishëm strategjik. Për këtë arsye, humbja e Kosovës shënoi fundin e ideologjisë serbe të ekspansionizmit dhe nacionalizmit të fortë që kishte udhëhequr disa nga politikat dhe luftërat në Ballkan gjatë dekadave të fundit të shekullit të 20-të.
6.5 Pavarësia e Kosovës dhe pasojat për Serbinë
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, e cila u kundërshtua ashpër nga Beogradi dhe nga disa shtete të tjera (si Rusia dhe Kina). Megjithatë, shumë shtete të tjera, përfshirë ShBA-në dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, e njohën pavarësinë e Kosovës, duke e bërë këtë një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës.
Për Serbinë, humbja e Kosovës ka pasur pasoja të mëdha. Jo vetëm që ka shpërbërë idenë e Serbisë së Madhe, por gjithashtu ka shtuar sfida të reja për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Serbia ka pasur të vështirë të pranojë pavarësinë e Kosovës, duke e parë si një humbje të rëndësishme të territorit dhe të ndikimit në rajon, dhe ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. [Vijon]
1. Shënim: Marrëveshja e Kumanovës, e njohur edhe si Marrëveshja Ushtarako-Teknike, u nënshkrua më 9 qershor 1999 dhe u bë një moment kyç në fundin e Luftës së Kosovës. Kjo marrëveshje u arrit pas 78 ditësh bombardimesh të NATO-s kundër Serbisë dhe përpjekjeve intensive diplomatike për të ndaluar konfliktin e armatosur. Ajo u nënshkrua nga përfaqësues të NATO-s, Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe Serbisë, duke përfshirë gjeneralin britanik Michael Jackson dhe gjeneralin serb Nebojsha Pavković.
Marrëveshja e Kumanovës përmbante disa pika kryesore:
1. Tërheqja e forcave serbe: Serbia u detyrua të tërhiqte të gjitha forcat e saj ushtarake dhe policore nga Kosova brenda 11 ditëve.
2. Zonat e sigurisë: U vendosën një zonë ajrore sigurie prej 25 km dhe një zonë tokësore prej 5 km rreth kufirit të Kosovës, ku forcat serbe nuk mund të hynin pa lejen e NATO-s.
3. Zbarkimi i KFOR-it: NATO-ja filloi të dërgonte trupat e saj në Kosovë për të siguruar një mjedis të
qëndrueshëm dhe për të ndihmuar në rikthimin e refugjatëve.
4. Marrëveshja u integrua në Rezolutën 1244 të OKB-së, e cila autorizoi praninë ndërkombëtare në Kosovë dhe vendosi një kornizë për administrimin e përkohshëm të territorit, që pregaditi terrenin për shpalljen e pavaërsisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
2. Shkëlzen Gashi, Masakrat në Kosovë, [THE MASSCRES IN KOSOVO] 1998-1999, Prishtinë, 2024,f. 9
3. Shënim: Studjuesit e kësaj fushe kanë parasysh kur cilësojnë një akt krimi si masakër. Janë disa kritere që duhet plotësuar, që një krim të cilëson si masakër. Vrasja duhet të jetë mizore, e qëllimshme dhe e motivuar politikisht, duke synuar një numër të madh të individëve, veçanërisht të atyre që nuk janë të përfshirë në konflikt si luftëtarë dhe që nuk mund të mbrohen. Për më shumë, akti duhet të jetë moralisht I papranueshëm që të karakterizohet si masakër.
4. Shkëlzen Gashi, po aty f. 40-43
5. Bardhyl MAHMUTI, Mashtrimi i madh, Prishtinë , f.211
6. Republika, Ogledi, Nr. 263, Miroslav Filipović, «Dugi marš ka istini o zlocinima»
http://www.yurope.com/zines/republika/arhiv a/2001 /263/263_1 6.html
7. Bardhyl MAHMUTI, Mashtrimi i madh, Prishtinë , f.213
8. Anne-Sophie Paquez, La politique de la France au Kosovo était -elle “gaulliste”?, f.41
http://www.unige.ch/gsi/files/491 4/0351 /6343/paquez.pdf
9. Po aty , f.42