Tre muaj pas rënies së Asadit, Siria është tronditur nga luftime të ashpra në bregdet. Vendi është gjithashtu objekt loje nga të fuqishmit përtej kufijve të tij.
Nga Seyed Alireza Mousavi [Berliner Zeitung]
Forcat e armatosura siriane po avancojnë me armë të rënda në fshatrat në periferi të Latakisë
Rajoni Mesdhetar sirian i Latakisë, i cili është i banuar kryesisht nga alavitët, ka qenë skena e luftimeve të ashpra për ditë të tëra midis luftëtarëve të HTS të udhëheqjes së re islamike në Damask, të cilët u zhvendosën nga Idlibi, dhe grupeve të armatosura lokale. Në vendin bregdetar, milicitë alavite përshkallëzuan dhunën të enjten me sulme të koordinuara ndaj forcave të sigurisë së qeverisë qendrore. Një grup që e quan veten Këshilli Ushtarak për Çlirimin e Sirisë lëshoi një deklaratë të enjten duke bërë thirrje për përmbysjen e “regjimit xhihadist”. Si përgjigje, luftëtarët e qeverisë qendrore kryen një gjakderdhje në Latakia.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mbështetet në një rrjet burimesh lokale, raportoi më shumë se 1000 vdekje të shtunën, duke përfshirë më shumë se 700 civilë. Videot që qarkullojnë në internet tregonin të shtënat ndaj njerëzve të pambrojtur. Njëri tregonte dhjetëra kufoma meshkuj të grumbulluar në rrugë.
“Idlibizimi i Sirisë”
Udhëheqja e re siriane u përpoq të zbehte reagimin ndaj masakrës. Presidenti i vetëshpallur Ahmed al-Sharaa tha gjatë një paraqitjeje në një xhami në Damask se dhuna në rajonin bregdetar ishte “brenda fushës së sfidave të pritshme”. Sirianët janë në gjendje të jetojnë së bashku në paqe.
Teprimet e dhunës në ditët e fundit kanë nxjerrë në pah jo vetëm urrejtjen e vazhdueshme sektare në Siri, por edhe kufijtë e regjimit të ri. Shtrirja e përdorimit të dhunës vë edhe një herë në pikëpyetje aftësinë e sundimtarëve të rinj islamikë për të mbrojtur pakicat.
Al-Sharaa ende mbështetet kryesisht në fuqinë e zjarrit të një lëvizjeje radikale islamike nga Idlibi, në radhët e së cilës luftojnë luftëtarët salafistë nga Azia Qendrore – tashmë flitet për “Idlibizimin e Sirisë”. Zyrtarë të shumtë nga Idlibi, provinca ku Al-Sharaa kishte sunduar më parë si udhëheqës i milicisë islamike Hayat Tahrir al-Sham (HTS), u promovuan në poste të larta, nga shefi i ri i policisë së Damaskut në kreun e Autoritetit të Antikiteteve. Pakicat si alavitët janë plotësisht të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeveri.
Presidenti i ri sirian tani duket se po përballet me dilemën për të qetësuar mbështetësit e tij islamikë duke forcuar bazën e tij të pushtetit ose duke ndarë pushtetin me pakicat dhe grupet etnike të Sirisë. Deri më tani, ai nuk është dëshmuar as mjaftueshëm këmbëngulës për të ruajtur rendin dhe as gjithëpërfshirës sa duhet për të qetësuar pakicat.
Një vend i shkatërruar
Dhuna e fundit në Siri fillimisht dukej se shkatërroi shpresat për stabilitet të ri dhe formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse. Por të hënën në mbrëmje, një lajm befasues erdhi se trupat e SDF-së të udhëhequra nga kurdët në Sirinë verilindore kishin arritur një marrëveshje me sundimtarët e rinj në Damask për t’u integruar në institucionet shtetërore. Marrëveshja bie ndesh me qëndrimin e mëparshëm të kurdëve sirianë për zhvillimet në Siri: komandanti i grupeve të milicisë së udhëhequr nga kurdët (SDF) në Siri, Mazloum Abdi, kishte deklaruar dy ditë para takimit të tij me Al-Shaara në Damask se presidenti i përkohshëm i vendit duhet të mbajë përgjegjës autorët e dhunës në zonat bregdetare siriane për të akuzuar grupet e Turqisë për mbështetje për ushtrimin e dhunës ndaj popullsisë alavite.
Aktualisht në internet qarkullojnë zëra se SHBA-ja ka rritur masivisht presionin ndaj kurdëve për të normalizuar marrëdhëniet e tyre me Damaskun në mënyrë që të parandalojnë një kolaps të mundshëm të qeverisë qendrore pas masakrës në Latakia. Deklarata e fundit e Këshillit Demokratik të Sirisë (Rojava) të udhëhequr nga kurdët tregon gjithashtu se marrëveshja me Al-Shaara ishte një veprim taktik për të qetësuar situatën e tensionuar në Siri. Deklarata thoshte se marrëveshja ishte një “marrëveshje kuadër” që ishte pregaditur për “kohë të gjatë”. Rojava e konsideron nënshkrimin si një akt në kohë të mirë pasi Siria është në një fazë të ndjeshme që mund të çojë në “konfrontim ose luftë civile”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar ngjarjeve të fundit në rajonin bregdetar sirian.
Rebelët në Sirinë jugore dhe alavitët në zonat bregdetare vazhdojnë t’i rezistojnë vendosjes së ndjekësve të Sharaa në zonat e tyre dhe refuzojnë kërkesën për dorëzimin e armëve. Ditët e fundit, për herë të parë që nga rënia e Asadit, ka pasur përleshje të rënda midis trupave të qeverisë së re islamiste dhe milicive të pakicës Druze të mbështetur nga Izraeli në Jaramana, një periferi e Damaskut. Druzët janë një pakicë fetare që jeton në Izrael, Liban dhe Siri, kryesisht në tre rajone jugore. Shumica e druzëve, si kurdët, duan autonomi të gjerë në Sirinë e re – dhe nuk duan të heqin dorë nga armët e tyre.
Megjithatë, nuk janë vetëm pakicat që po i rezistojnë sundimit të HTS në Damask, por edhe sirianët arabë nga Daraa në jug. Komandanti i milicive arabe në jug, Ahmed al-Awdeh, vazhdon t’u paguajë rroga 15,000 luftëtarëve të tij – me sa duket me ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Brigadat rebele nga Siria jugore kanë sfiduar tashmë pretendimin e HTS për udhëheqje dhe, ashtu si kurdët, qëndruan larg “Konferencës së fitores” të iniciuar nga Al Sharaa në Damask në fund të janarit.
Dilema gjeopolitike
Por problemi i Al-Shaara nuk janë vetëm pakicat që po shkaktojnë trazira. Vendi i tij duhet të ripozicionohet qartë dhe gjeopolitikisht: në lartësitë e Golanit në jug, trupat izraelite kanë pushtuar një ish zonë tampon të OKB-së që dikur ndante forcat izraelite dhe siriane, me IDF që lëvizte në 25 kilometra larg Damaskut. Tel Avivi tani po shfrytëzon situatën aktuale në Siri për të legjitimuar politikën e tij pushtuese në Siri. Në një lëvizje të pazakontë, Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, doli në anën e alavitëve dhe, në dritën e masakrave të qindra civilëve në Siri, u bëri thirrje shteteve perëndimore që të mos e njohin qeverinë tranzitore islamike në Damask.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara hezitojnë t’i ofrojnë ndihmë urgjente qeverisë së re në Damask dhe Katari dhe Arabia Saudite nuk kanë dhënë ende miliona dollarë ndihmë financiare që kanë premtuar, Rusia ka një mundësi të papritur jo vetëm për të ruajtur, por edhe për të rritur praninë e saj. Si shenja e parë konkrete e përmirësimit të marrëdhënieve, Rusia i dorëzoi Bankës Qendrore në Damask ekuivalentin e 23 milionë dollarëve në monedhën siriane me kursin zyrtar të këmbimit muajin e kaluar. Moska shtypi kartëmonedhat për ekonominë e dobët siriane në rrafshin financiar, kur shumica e vendeve të tjera refuzuan të investonin në Siri nga frika e sanksioneve. Furnizimet me para janë thelbësore: ekonomia e Sirisë e shkatërruar nga lufta ka vazhduar të shembet muajt e fundit për shkak të mungesës së parave të gatshme. Siria i printonte paratë e saj në Austri përpara se të detyrohej t’i drejtohej Rusisë për shkak të sanksioneve.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Rusisë dhe Sirisë do të rivendoste shumë nga lidhjet që karakterizonin marrëdhëniet midis dy vendeve nën sundimin e Asadit. Nën Asadin, Siria ishte një nga aleatët më besnikë të Rusisë dhe Rusia ishte një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Sirisë. Afrimet filluan kur zëvendësministri i Jashtëm rus Mikhail Bogdanov dhe i dërguari i Sirisë, Alexander Lavrentyev, vizituan Sirinë në janar pas ndryshimit të pushtetit. Synimi i tyre ishte të negocionin të ardhmen e bazës ajrore ruse në Khmeimim dhe bazës detare në Tartus, por bisedimet shpejt u zgjeruan për të përfshirë marrëdhënie më të gjera ekonomike. Motivi i lidershipit të ri në Damask për afrimin me Moskën është ndër të tjera zgjerimi i aleatëve përtej Turqisë, ndërkohë që Perëndimi heziton.
Probleme të pazgjidhura sigurie dhe krizë ekonomike
Shumë vëzhgues dyshojnë se Teherani nuk do ta pranonte thjesht humbjen e ndikimit të tij në Siri. Është e imagjinueshme që Teherani mund të ofrojë mbështetjen e tij për milicinë e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të dominuara nga kurdët, nëse Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e Donald Trump tërhiqen gradualisht si fuqia e tij e mëparshme mbrojtëse. Ndërsa Irani e klasifikon PKK-në si një organizatë terroriste, kjo nuk vlen për degët e saj siriane si SDF dhe YPG.
Pasi islamistët morën pushtetin në Siri, Ankaraja ka frikë se Teherani mund të përdorë kurdët si levë kundër Damaskut. Kur u pyet nëse Irani do të mbështeste forcat kurde në Siri, të cilat Turqia i konsideron një grup terrorist, ministri i Jashtëm Hakan Fidan u përgjigj hapur në një intervistë me Al Jazeera: “Nëse përpiqeni të krijoni trazira në një vend tjetër duke mbështetur një grup atje, një vend tjetër mund të mbështesë një grup në vendin tuaj për të krijuar trazira për ju”. Publiku iranian e interpretoi këtë deklaratë si një kërcënim se Ankaraja mund të nxiste grupet turqishtfolëse në Iran kundër shtetit.
Me pak fjalë, problemet e sigurisë dhe kriza ekonomike në Siri nuk mund të zgjidhen për sa kohë që udhëheqja e re nuk ndjek një linjë të qartë të politikës së jashtme. Al-Shaara po përpiqet të liberalizojë ekonominë me shpresën e stimulimit të rritjes, por në të njëjtën kohë ajo po lëkundet midis kërkesave të shteteve perëndimore dhe negociatave me rivalët amerikanë si Rusia, dhe nuk po merr asnjë vendim strategjik pa pëlqimin e Turqisë. Kjo qeveri duhet të llogarisë gjithmonë me një ngatërrestar si Irani, i cili ka ende ndikim të madh në Siri. [Përktheu: ISHGJ]