Nga Dr. Selim IBRAIMI
Hegeli, filozofi i njohur gjerman i shekullit të XIX-të (1770-1831), propozoi një perspektivë unike mbi historinë si progres. Sipas Hegelit, historia zhvillohet në një seri fazash, secila e karakterizuar nga një konflikt idesh ose forcash kundërshtare. Hegeli gjithashtu e shihte shtetin si mishërim të lirisë racionale, ku individët arrijnë vetërealizimin përmes institucioneve etike. Sipas Hegelit, paqja, në këtë këndvështrim, nuk është thjesht mungesa e luftës, por kushti që një shtet të promovojë prosperitetin dhe potencialin njerëzor.
Në kontekstin e përditshmërisë në Ballkan dhe vuajtjeve shekullore për liri dhe standarde, mendimet e Hegelit në këtë kohë bëhen të nevojshme. Ballkani, një rajon ku etnitë, ideologjitë dhe perandoritë janë përplasur, vazhdon të mbetet midis mosmarrëveshjeve të pafundme dhe mundësisë së arritjes së një paqeje të qëndrueshme. Mirëpo stabiliteti i përkohshëm në Ballkan nuk është garanci se rajoni nuk do të trazohet në një të ardhme të afërt, jo vetëm për arsye të njohura historike, por edhe për shkak të kostos që duhet të paguajnë vendet që nuk peshojnë në politikën ndërkombëtare.
Për të parandaluar këtë fazë, e cila mund të dëmtojë përgjithmonë marrëdhëniet e popujve të rajonit, qeveritë, përveçse kanë potencial luftarak, kanë edhe fuqi të sjellin paqe ose të bëjnë marrëveshje për stabilitet afatgjatë. Nga një perspektivë historike, pas pushtimit osman, në shekullin XVI-XVII, rajoni i Ballkanit përjetoi stabilitet relativ, por nuk zgjati shumë për shkak të tatimeve të rënda të vendosura nga Perandoria Osmane.
Gjatë kësaj kohe, kur mbizotëronte stabiliteti relativ, rajoni i atëhershëm i Ballkanit u bë një qendër e rëndësishme jo vetëm gjeopolitikisht, por edhe më shumë. Lidhjet ekonomike dhe kulturore, së bashku me ato fetare, midis qyteteve që u zhvilluan nga Sarajeva, Shkupi, Manastiri, Selaniku deri në Stamboll u shndërruan në një urë lidhëse midis Evropës së krishterë dhe Lindjes së Mesme. Ballkani mund ta luajë ende këtë funksion sot nëse qeveritë dhe popujt janë të përkushtuar të bëjnë më shumë dhe të mendojnë për paqen dhe jo për luftën. Siç dihet, në fillim të shekullit të XIX-të, Kriza Lindore dhe më pas luftërat ballkanike, së bashku me LPB-në dhe LDB-në, njohën ose prodhuan një atmosferë lufte në Ballkan dhe Evropë, duke lënë pas miliona viktima. Në veçanti, kostoja njerëzore e luftërave ballkanike të shekujve të fundit vazhdon të shoqërojë popujt pas dhe deri më sot, kur shtetet ballkanike aspirojnë drejt BE-së, por janë larg të qenit shtete me standarde evropiane. Nuk është për t’u habitur që marrëveshjet nuk mund të arrihen midis popujve.
Ekzistojnë vështirësi që vazhdojnë ta mbajë peng të kaluarën ndaj të tashmes. Janë pikërisht masakrat dhe spastrimet etnike që kanë ndodhur në Ballkan nga Bosnja-Hercegovina, në Mal të Zi, Kosovë, Serbi dhe madje edhe në Maqedoninë e Veriut. Jo nga fuqitë e huaja, por nga ushtritë e vendeve ballkanike. Edhe pse konfliktet mund të zgjasin disa vite, ato kanë një efekt të paparashikueshëm me pasoja afatgjata politike, sociale, ekonomike dhe fetare. Gjatë luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, ekonomia u shkatërrua pothuajse dhe mbeti në duart e krimit të organizuar. Shembull është Bosnja- Hercegovina, e cila për më shumë se një dekadë nuk arriti të rikuperohej nga pasojat e luftës së viteve 1992-95.
Po kështu, Kosova dhe vendet e tjera të prekura nga luftërat ndëretnike dhe fetare nuk janë më mirë. Në një perspektivë pak më të gjerë, SHBA-të, pas sulmeve terroriste të vitit 2001 dhe me ndërhyrjet në Irak dhe Afganistan, shpenzuan gati 8 trilionë dollarë. Nëse 8 trilionë dollarë do të ishin përdorur për të arritur marrëveshje, SHBA-të me siguri do të kishin pasur një situatë më të mirë ekonomike si brenda ashtu edhe jashtë botës. Luftërat e pafundme të SHBA-ve i sollën humbje dhe asgjë më shumë, duke humbur supremacinë si vend në shumë fusha, duke filluar nga arsimi, infrastruktura, zbulimet shkencore, etj.
Kur mendojmë për vendet e Ballkanit, ato tani kanë mundësinë, me Planin e Rritjes së BE-së me 6 miliardë euro, të zhvillojnë një hapësirë që konkurron për një të ardhme më të mirë ekonomike dhe ndërkombëtare. A do ta shfrytëzojnë qeveritë e rajonit këtë vullnet të BE-së? Kjo mbetet për t’u parë, pasi e kaluara e popujve luan një rol të rëndësishëm në politikat e shteteve dhe e bën të pamundur arritjen e një paqeje të qëndrueshme për të ecur përpara. Pavarësisht pesimizmit, historia e shteteve të Ballkanit mund t’u japë forcë brezave të rinj të tejkalojnë dallimet e tyre. Ashtu si me Planin Marshall të SHBA-së (1948) që synonte rindërtimin e Evropës së pasluftës, Ballkani duhet të përqafojë bashkëpunimin. Edhe pse është e vështirë ta bëjnë këtë duke pasur parasysh anët e errëta të përmendura më sipër, ku konfliktet dhe ideologjitë bashkëkohore, qofshin fetare apo jo, kanë zënë rrënjë, opsionet e tjera mbartin të panjohura.
Qeveritë pa hamendje duhet të zgjidhin probleme të hapura siç është çështja midis Kosovës dhe Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, etj. Ato mund ta bëjnë këtë duke investuar në infrastrukturë, në projekte të përbashkëta energjetike, duke nënshkruar marrëveshje për të parandaluar konfliktet e brendshme dhe marrëveshje që plotësojnë të vjetrat. Duke zgjedhur marrëveshje në vend të luftës, shoqëritë në Ballkan mund të krijojnë një të ardhme më të mirë. Rruga nuk është e lehtë, por është më mirë të provohet duke marrë si shembull shtetet evropiane, dhe pse jo ato në Azinë Juglindore? Në fund të fundit, takimi i përfaqësuesve të lartë të BE-së në Tiranë këtë javë ishte një rast i mirë për një qasje të re për t’u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme.
Qeveritë e Ballkanit duhet të kapërcejnë çështjet e hapura dhe të parandalojnë konfliktet. Gjithmonë duhet të punohet me idenë se, në paqe ose stabilitet relativ, problemet me të cilat përballen njerëzit dhe shtetet mund të zgjidhen më lehtë. Nëse dikur Sarajeva, Shkupi, Manastiri, Selaniku dhe shumë qytete të tjera nga rajoni ynë shërbenin si qytete ku mund të arrihej më shumë, sot nuk duhet të humbet rasti që rajoni të marrë rëndësinë e duhur që ka pasur historikisht. Në fund të fundit, Hegeli, si kurrë më parë, mund të jetë një referencë për një qasje më korrekte ndaj problemeve në Ballkan dhe gjetkë për sot dhe të ardhmen.