Kush e sundon veriun e Kosovës – fiton legjitimitetin ndërkombëtar: nxjerrja mësim nga Bosnja dhe nëntë ofertat për paqe!
Nëse Kosova shtrin sundimin e ligjit në veri, Kosova do e ketë nën kontroll këtë zonë, në të kundërt nëse Serbia e kontrollon, kjo e fundit do e shtrij sundimin e saj. Nëse Kosova nuk e shtrin sovranitetin e saj në veri, nuk i nevojiten fare formalitetet tjera ligjore për integrime të rrejshme të serbëve nëpërmjet asociacionit, por nëse Kosova shtrin sovranitetin në veri, atëherë asociacioni do jetë emër i madh me një përmbajtje formale për serbët. Bosnja është shembulli më i mirë se si ofertat ndërkombëtare për paqe legjitimojnë faktorin real sundues të territorit të caktuar
Dr Gurakuç KUÇI
Nga viti 1991 deri në Marrëveshjen e Dejtonit për Bosnjën, çdo ofertë ndërkombëtare shërbeu për të legjitimuar pushtimin serb të Bosnjës duke i dhënë herë më shumë e herë më pak por rreth 49% të territorit, Republika Srpskas. Megjithatë, këto oferta u refuzuan vazhdimisht për shkak të pushtimeve të vazhdueshme nga serbët të cilët synonin pushtimin e zonave të rëndësishme strategjike, që u përcaktuan si “zona të sigurta” nga OKB. Këto zona të sigurta përfshinin Sarajevën, Tuzlën, Zhepën, Gorazhden, Bihaçin dhe Srebrenicën. Pesë të parat u bënë zonë e sigurt pas masakrës tragjike që ndodhi në Srebrenicë. Pra, atë që e mbronte OKB-ja e pushtonte Serbia.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) ka konfirmuar strategjinë e Serbisë për ndarjen etnike të Bosnjës. Për më tepër, e njëjta gjykatë ka verifikuar objektivin serb për krijimin e republikave serbe në Kroaci dhe Bosnje, me qëllimin përfundimtar bashkimin me Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ). Po ashtu, në aktgjykimin e ndërmjetëm Gjykata ka vërtetuar se Serbia është e përfshirë në gjenocid, fakte të cilat më vonë u shmangën në padinë që Bosnja bëri ndaj Serbisë për gjenocid. Si duket, më shumë është bërë politikë se drejtësi edhe në vendimet e gjykatës. Gjykata dinte për provat, Serbia nuk i dorëzoi ato, gjykata prapë mori vendim edhe pse ishte në dijeni të provave.
Vlen të theksohet se kur Alija Izetbegoviç, lideri i Bosnjës, refuzoi të zbatonte planet e Millosheviçit, ky i fundit dhe udhëheqësit serbë në Bosnje iu drejtuan Adil Zufilkarpashiqit dhe arritën të ashtuquajturën “marrëveshje historike” që synonte të fitonte mbështetjen e myslimanëve në Bosnje. Mirëpo, Zufilkarpashiq nuk kishte autoritet të fliste në emër të boshnjakëve dhe si rrjedhojë kjo marrëveshje nuk u realizua kurrë. Pra, kjo është e ngjashme sikur në Rambuje, pala shqiptare nga UÇK-ja refuzonte të nënshkruante dhe në
një moment Ibrahim Rugova kishte dashur ta nënshkruante, duke shfrytëzuar postin e presidentit, por që nuk ishte pranuar nga amerikanët pa u përfshirë edhe UÇK-ja, sepse kërkohej që marrëveshja të gjente zbatueshmëri në masë. Një zyrtare e LDK-së së fundmi ka deklaruar se: “LDK-ja do ta formojë Asociacionin nëse vjen në pushtet”. Mirëpo, mungesa e legjitimitetit publik mund t’ia prishë qëllimin LDK-së!
Ofertat e Paqes për Bosnjën, 1992-1995 Për ta vërtetuar hipotezën se: “kush e shtrin sovranitetin në veriun e Kosovës e fiton legjitimitetin ndërkombëtar”, kemi renditur më poshtë nëntë ofertat për paqe në Bosnjë, të cilat japin shembullin se si ofertat ndërkombëtare për paqe çdo herë legjitimonin pushtimet serbe.
1. Plani i Paqes Cutilerio – propozoi një strukturë kushtetuese për Bosnjën me kontroll 44% për serbët, 44% për boshnjakët dhe 12% për kroatët, por nuk përmbushi pritjet e palëve, veçanërisht asaj serbe.
2. Konferenca e Londrës – në gusht të vitit 1992 nuk arriti ta ndaloj Serbinë nga ndërhyrja në Bosnjë dhe kthimin e refugjatëve, përkundër që Serbia kishte dy palë që e përfaqësonin, njëra nga Millosheviqi dhe tjetra nga Milan Paniç dhe Dobrica Qosiç.
3. Plani Vance-Owen -prezantoi pesë modele, mbizotëroi ideja e një federate të çlirët etnike. Serbët e Bosnjës kërkuan 75% të territorit, por plani nuk ofronte asgjë më shumë sesa ai i Cutilerios. Millosheviqi me ngurrim e pranoi këtë plan në parim, duke shpresuar për heqjen e sanksioneve, por ai përfundimisht nuk arriti të përmbushë interesat strategjike serbe dhe dështoi.
4. Marrëveshja e Paqes Owen-Stoltenberg – e vitit 1993 shënoi një periudhë të rritjes së përfshirjes së SHBA-së. Presidenti Klinton propozoi heqjen e sanksioneve ndaj myslimanëve boshnjakë, pasi serbët po merrnin mbështetje nga Serbia dhe kroatët nga Kroacia, duke lënë të ndëshkuar vetëm myslimanët boshnjakë. Klinton sugjeroi një iniciativë “hiq dhe sulmo” për të shënjestruar bazat serbe që sulmojnë myslimanët boshnjakë. Edhe pse kjo rezolutë e OKB-së nuk u përball me kundërshtime, ajo nuk kaloi për shkak të abstenimeve të shumicës. Gjatë kësaj kohe, myslimanët boshnjakë, të mbetur me burime të kufizuara alternative të furnizimit, filluan të marrin mbështetje nga disa vende arabe, veçanërisht nga Irani, por shumë të kufizuara.
Lidhur me refuzimin evropian, Klinton sugjeroi se ndërsa evropianët kundërshtuan publikisht heqjen e embargos për arsye humanitare, pas dyerve të mbyllura, ata e kundërshtuan atë sepse nuk donin një shtet me shumicë myslimane në Evropë, duke e konsideruar atë “të panatyrshme”.
Presidenti francez Francois Mitterrand deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina nuk i përket Evropës dhe disa zyrtarë britanikë folën për nevojën për të rivendosur një “Evropë të krishterë”. Klinton besonte se evropianët favorizuan embargon sepse ajo dëmtoi Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ndërkohë, plani Owen-Stoltenberg u ofronte serbëve 53% të territorit, myslimanëve 30% dhe kroatëve 17%. Myslimanët boshnjakë e kundërshtuan, kroatët e pranuan me protesta dhe serbët e pranuan pa kushte. Megjithatë, edhe ky plan dështoi pasi i shërbente vetëm interesave të serbëve.
5. Paketa e Pamposhtur – në shtator 1993 ishte një tjetër nismë e pasuksesshme e paqes.
6. Plani i Veprimit i Bashkimit Evropian – në nëntor 1993, i cili përfshinte elemente nga ofertat e mëparshme, gjithashtu nuk arriti të sjellë një zgjidhje.
7. Marrëveshja e Uashingtonit – e vitit 1994 shënoi një angazhim të SHBA-së për të arritur një marrëveshje midis myslimanëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës, duke i dhënë fund luftës midis këtyre dy palëve që rezultoi me krijimin e një federate. Kjo marrëveshje u bë një gur themeli për negociatat e ardhshme të paqes.
8. Në prill 1994, Grupi i Kontaktit propozoi ndarjen e 49% të territorit për serbët dhe 51% për federatën. Millosheviçi duket se e mbështeti një marrëveshje të tillë, pasi e kuptonte mjaftë mirë që pushtimet serbe mund t’i legjitimonte vetëm komuniteti ndërkombëtar që edhe po e bënin. Megjithatë, serbët e refuzuan atë, duke argumentuar se territori i tyre nuk ishte mjaft kompakt.
9. Gjenocidi në Srebrenicë dhe zgjerimi i Republika Srpska në zona si Sarajeva, Tuzlla, Zhepa, Gorazhda dhe Bihaçi e detyruan OKB-në të zgjeronte zonat e sigurta përmes një rezolute që synonte ndalimin e zgjerimit gjeostrategjik serb. Në këtë pikë, SHBA-të morën përgjegjësinë për negociatat. Në gusht 1995, pas një ultimatumi të pasuksesshëm ndaj Serbisë, NATO filloi sulmet ndaj objektivave serbe për rreth 15 ditë, duke i detyruar serbët të bien dakord pa kushte për një zgjidhje politike ose të rrezikojnë humbjen ushtarake. Marrëveshja pasuese e Dejtonit rezultoi në legjitimimin e 49% të territorit për serbët, ndërsa myslimanët dhe kroatët morën 51%.
Situata në Bosnje pasqyron dinamikën komplekse në lojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor
Marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të bëhet edhe për veriun varësisht nga gjendja atje, se kush e kontrollon dhe kush e bënë ligjin. Nëse Serbia mban kontrollin atëherë kjo me marrëveshjen përfundimtare vetëm do të legjitimohej me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe e kundërta, nëse Kosova e vendos me sukses sovranitetin e saj, situata do të ishte ndryshe për Kosovën.
Pra, loja nuk është të jesh pro apo kundër ndërkombëtarëve, por është ta marrësh legjitimimin nga ndërkombëtarët. Serbia e di mirë këtë çështje dhe vazhdon të përdorë taktika të luftës hibride dhe terroriste, siç ishte rasti i fundit në Banjskë. Serbia është e gatshme të eskalojë edhe në luftë, pasi mbijetesa e tyre si shtet varet nga mendësia e tyre që duhet të jenë gjithmonë në ekspansion. Në momentin që do filloj e kundërta atëherë ata mund të eskalojnë në luftë frontale qoftë edhe me NATO-në. Andaj, veprimet e Serbisë nuk janë shumë të paparashikueshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe për ata që e njohin mentalitetin e ofertave ndërkombëtare për paqe dhe mendësinë serbe.
Kompleksiteti i këtyre situatave nxjerr në pah manovrat e ndërlikuara politike dhe strategjike që po ndodhin në rajon. Edhe në rast lufte apo jo, prapë palët duhet të negociojnë. Kosova duhet të jetë vigjilente dhe kjo vlen për të gjithë ata që janë në pushtet, opozitë, në kuadrin intelektual, media dhe qytetarët në përgjithësi.