Prof. Ksenofon Krisafi
Rreth 10 vjet më parë, së bashku me kolegun dhe mikun tim, akademikun Pëllumb Xhufi, ishim në qytetin Bajram Curri. Me nismën e tij, shkuam edhe te varrezat e dëshmorëve të rrethit. Varret e djemve dhe vajzave, eshtrat e të cilëve preheshin në dheun e vendit për të cilin kishin dhënë jetën, ishin pothuajse të shkatërruar. Pamje tepër e vështirë.
Donim të besonim se ishte pakujdesi e autoriteteve vendore, por numri i madh dhe mënyra mizore e shkatërrimit, nuk e përligjnin mendimin tonë. Nuk përjashtohej që të ishte shfaqje e shëmtuar e ndonjë prej ekceseve të shumta, që u vunë re pas rënies së komunizmit, që ndonjë a disa individë, kanë dashur të nxirrnin dufin e papërligjur ndaj luftës së partizanёve për çlirimin e vendit. Mëkatin e kishin çuar shumë larg, deri te shkatërrimi i vendprehjeve të martirëve.
Ndoshta ishin trashëgimtarë të ndonjë prej atyre që, gjatë dhe pas luftës, shpërndanë shpifjen se ata 70 mijë njerëz, që sfiduan vdekjen në emër të lirisë dhe jetës së atdheut dhe 28 mijë të rënët, që dolën malit, nuk luftuan me nazi-fashistët, por me ata që ishin bashkuar me nazi-fashistët. Lufta antifashiste Nacional-çlirimtare, sipas tyre, ishte luftë civile.
Zvogëlimi i pakuptimtë, deri në përmasa simbolike i numrit të shqiptarëve të rënë në luftë, nga njëra anë dhe shkatërrimi i varreve të dëshmorëve nga ana tjetër, duket sikur lehtëson shpirtrat e avokatëve të pushtuesve dhe kolaboracionistëve të tyre.
Mendojnë se zhdukin të vërtetën. Nuk ndjejnë keqardhje që kështu lëndojnë ish partizanët, familjet e tyre dhe të dëshmorëve të luftës. Ato shkojnë ndesh me imperativin e kultivimit të klimës së pajtimit kombëtar, me idealet dhe frymën europiane të lirisë, paqes, bashkimit, mirëkuptimit, solidaritetit, miqësisë etj. Ish kryeministri polak Mateusz Mazowiecki thotë se “Europa bashkëkohore është ndërtuar mbi kujtesën e fitores mbi nazizmin… Aftësia për t’u përballur me të vërtetën për Luftën e Dytë Botërore është detyra jonë jo vetëm ndaj të kaluarës por edhe ndaj të ardhmes.”
Është pjesë e kësaj të vërtete fakti i pakontestueshëm që Shqipëria ishte i pari shtet në Europë, mbi të cilin, u përplas furia e fashizmit italian në 7 prill të vitit 1939, të cilën e përballoi me dinjitet. Ajo u braktis dhe u tradhëtua nga mbreti i vetshpallur. Ai nuk ndërmori asnjë hap zyrtar, formal e juridik, në dobi të vendit. Më e pakta dhe më e thjeshta që mund e duhej ndërmarrë, do të ishte shpallja zyrtare e luftës ndaj pushtuesve, organizimi i rezistencës së armatosur dhe nisja e luftës për mbrojtjen e atdheut. Nuk “mbathi opingat dhe nuk doli në mal për luftë”, siç kishte deklaruar, por kapitulloi, mori arratinë drejt Greqisë, duke tradhëtuar interesat kombëtare. Minimumi që lypsej të bënte do të ishte shpallja e luftës ndaj okupatorit. Ky veprim mund të kishte kontribuar deri diku në pozitën juridiko-ndërkombëtare të vendit pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sepse gjatë diskutimeve në Konferencën e Paqes, ata që shqiptarëve iu lakmonin pa asnjë të drejtë vendin, formalisht do të kishin më pak mundësi për ta konsideruar veten në gjendje lufte me Shqipërinë.
Në këtë mënyrë do të shtohej një argument më shumë në arsyetimet për zhvleftesimin formal të pseudo-aktit të të ashtuquajturës qeveri të kuislingut Shefqet Verlaci, që “i shpallte luftë” Greqisë. S’ka asnjë dyshim, se nga çdo pikëpamje, përfshirë edhe atë juridiko-ndërkombëtare, edhe pa këtë veprim formal, juridikisht ai ishte dhe mbeti nul e i paqenë.
Në fillim, Shqipëria u gjend pa asnjë ndihmë edhe nga ndërkombëtarët, si nga Fuqitë e Mëdha, fqinjët ashtu edhe nga Lidhja e Kombeve.
Rezistencën dhe luftën e saj ndaj pushtuesve nuk e bëri shteti apo strukturat e tij. Ato ranë sapo pushtuesit kaluan kufirin. Ishin vetë shqiptarët që i dolën zot vendit, duke filluar nga Mujo Ulqinaku me shokët e vet dhe më pas, dhjetra mijëra djem, burra, gra e vajza që, për rreth 5 vjet, përballuan plot privacione e vështirësi.
***
Në këtë përvjetor shqiptarët vijnë gjithë krenari për kontributet që kanë dhënë. I pari dhe më kryesori ishte LANÇ-i, e cila është cilësuar me të drejtë, thellësisht unike.
Lëvizja antifashiste nisi që në ditët e para të pushtimit dhe kulmoi me krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar në vitin 1942. Ajo u mbështet nga të gjithë. U ngrit një ushtri me rreth 70 mijë partizanë, të organizuar në 27 brigada, të përfshirë në 8 divizione, në 3 korpuse dhe 3 korp-Armata, e cila veproi pothuajse tërësisht mbi bazën e burimeve të brendshme, e mbështetur nga populli, që kontribuoi për t’i siguruar strehimin, ushqimin dhe luftëtarët.

Luftëtarët e saj si dhe mbarë populli, shkatërruan strukturat e pushtimit, krijuan institucione funksionale të vetëqeverisjes, ngritën organet e shtetit të pasluftës dhe shtruan çështjen e njohjes ndërkombëtare. “Shqipëria, siç shprehet Kizinger në librin Diplomacia, ishte një ndër të vetmit vende që u çlirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe, ose aleatëve perëndimorë”.
Çlirimi riafirmoi vendosmërinë e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi dhe shërbeu si vazhdim i inagurimit të stinës së rënies së fashizmit dhe triumfit të aspirates liridashëse të popujve në Europë e në Botë. Ai siguroi hedhjen e themeleve të shtetit të ri shqiptar dhe krijoi premisat e nevojshme për riafirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Fitorja ndaj nazi-fashizmit ishte edhe një kapital politik për vendin. Tregoi se shqiptarët bënë atë që duhet të bënin dhe e bënë në mënyrë shembullore. Ajo krijoi bindje te Fuqitë kryesore të Koalicionit Antifashist – SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe ish-Bashkimit Sovjetik, për vendosmërinë e tyre, çka solli në vijim përkrahjen dhe ndihmën e tij.
Marrëdhëniet konstruktive me të, me gjithë kompleksitetin dhe vështirësitë që u vërtetuan herë pas here, për shkak të një vargu rrethanash që, përgjithësisht nuk lidheshin me Shqipërinë dhe shqiptarët, përbëjnë një tjetër kontribut në kauzën e përbashkët antifashiste.
Shqiptarët bashkëpunuan jo vetëm me aleatët e mëdhenj, por edhe me fqinjët, ish-jugosllavët dhe grekët, duke bërë kujdes ndaj synimeve të disa prej qarqeve ekspansioniste për aneksimin e pjesëve të atdheut të vet, i cili rrethohej nga shtete të përfshira në konflikte të armatosura, luftëra të brendshme ose pushtime të huaja. Ata treguan mënçuri, anashkaluan tensionet e trashëguara nga e kaluara, abstraguan përkohësisht ekzistencën e çështjeve të hapura historike ose etnike.
Lidhja me Koalicionin antifashist dhe lufta heroike i shpëtoi shqiptarët nga rreziku i copëtimit. Nëse do të përqafonin platformën e Ballit Kombëtar dhe të forcave të tjera kolaboracioniste, në mbarim të luftës do të trajtoheshin me statusin e të mundurve dhe do të ndëshkoheshin, ndoshta edhe me copëtimin ndërmjet fqinjëve.
Në shenjë vlerësimi, por edhe besimi ndaj shqiptarëve antifashistë, aleatët akredituan misione ushtarake pranë strukturave të LANÇ-it dhe forcave të tjera politike shqiptare, kurse një mision ushtarak shqiptar u dërgua në Shtabin Aleat, në Kazerta të Italisë. Ato do të plotësonin njohjen e luftës antifashiste të shqiptarëve, bërë me deklaratat e dhjetorit 1942.
Të rreshtuar zyrtarisht në krah të Koalicionit Antifashist të Popujve, shqiptarët dëshmuan qartësinë, vizionin dhe vendosmërinë për të qenë në kahun e duhur të historisë.
***
Kontributi në Luftë, pavarësisht kontestimit nga ndonjë prej fqinjëve, u njoh zyrtarisht nga faktori ndërkombëtar i asaj kohe edhe në forma të tjera. Në dhjetorin e vitit 1945 Shqipëria u pranua në Konferencën e Reparacioneve të Parisit, në mars 1946 u bë anëtare e Agjencisë Ndëraleate të Reparacioneve (IARA), në korrik-tetor 1946, u thirr në Konferencën e Paqes, të Parisit, dhe pas aderimit në Traktatin e Paqes me Italinë, ajo u cilësua “fuqi shoqe”. Italianët dhe gjermanët shpërblyen Shqipërinë për dëmet e luftës.
Për rastin e Italisë, Traktati i Paqes, vendosi që shpërblimi të realizohej në formën e njohjes së vlefshmërisë së shtetëzimit të pasurive publike e gjysmëpublike të shtetit dhe enteve italiane në Shqipëri, që kishte bërë shteti shqiptar. Shuma e tyre arinte në rreth 700 milionë USD me kursin e vitit 1938. Italia njohu gjithashtu pronësinë shqiptare të rezervës së arit të grabitur në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, kanonierës Iliria dhe jo pak objekteve të tjera të rrëmbyera prej saj.
Shqiptarët kontribuan për fitoren e Koalicionit duke u përleshur me disa dhjetra mijëra trupa nazi-fashiste, të cilët, në vitet 1939-1944, qëndruan ose kaluan nëpër Shqipëri, duke i gozhduar në territorin e vet pa iu lënë mundësinë të zhvendoseshin në fronte të tjera, ku mund të shkaktonin dëme të mëdha duke zgjatur përfundimin e luftës etj.
Dëmet që iu shkaktuan ushtrive pushtuese, që përbëjnë një tjetër kontribut të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, përfshijnë disa dhjetra mijëra italianë e gjermanë të vrarë, të plagosur ose të zënë rob, qindra tanke, autoblinda, kamiona të shkatërruara, topa, mortaja, mitraloza të kapura etj.
Partizanët shqiptarë kontribuan në LDB edhe nëpërmjet bashkëpunimit me ata grekë dhe jugosllavë. Roberto Bataglia, thotë se bashkëpunimi çoi ndër të tjera edhe në copëtimin e 12 divizioneve gjermanë në Ballkan. “Rrallëherë, thotë ai,- popujt europianë … kishin parë suksese të tilla të shkëlqyera.ˮ
***
Kontributi i shqiptarëve shfaqet edhe në pjesëmarrjen e mbi 6 000 grave dhe vajzave në radhët e Ushtrisë Nacional-çlirimitare. Për trimëreshat shqiptare që veshën uniformat partizane, Feride Papleka ka shkruar me të drejtë se “pjesëmarrja e gruas në luftën çlirimtare mbetet fenomeni më emancipues i krejt shoqërisë shqiptare. Ai është një nga pamjet më sublime të idealit partizan.”
Shqiptaret e sotëm, të frymëzuar nga antifashizmi i atyre që 80 e ca vjet më parë iu bashkuan aleatëve antifashistë, kanë privilegjin dhe avantazhin të luajnë një rol me rëndësi për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe rendit. Kjo edhe sepse ata kanë pas vetes një histori politike pa asnjë njollë a hije problematike. Askurrë nuk kanë krijuar probleme në rajon, asnjëherë nuk kanë sulmuar ndonjë prej fqinjëve.

Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore patën rastin të jepnin shembullin e sjelljes së qytetëruar me fqinjet dhe shpalosën me këtë rast edhe një nga vyrtytet e tyre, pjesë të kodit shekullor shqiptar. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me grekët. Jorgos Margaritis pohon se “regjimi që kishte vendosur në vendin fqinj Fronti Nacionalçlirimtar i Shqipërisë, nuk pranoi t’i jepte vetes të drejtën të kryente të njëjtat raprezalie në kurriz të minoritetit grek që jetonte në Shqipëri. Në kundërshtim me praktikat e vazhdueshme ballkanike, gjaku nuk u shpërblye me gjak, dhe dëbimi nuk u shpërblye me dëbim… në Ballkanin e viteve të fundit – dhe jo vetëm, – vetëm vendi ynë, Greqia, “mësoi qytetërim”. Në këtë rast mësimi është i jashtëzakonshëm, por sigurisht nuk vjen nga pala greke.”
Shqiptarët dëshmuan shkallë të lartë humanizmi dhe civilizimi edhe duke strehuar dhe mbrojtur disa mijëra izraelitë që zgjodhën Shqipërinë si strehë kundër nazizmit.
Ushtria Nacional-çlirimtare e luftoi armikun duke e trajtuar sipas normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare të zhvillimit të luftimeve. Provë është qëndrimi shumë human ndaj italianëve që mbetën në Shqipëri pas kapitullimit të shtetit të tyre. Më 8 shtator 1943, kur Italia kapitulloi, 90 000 italianë u zunë robër nga gjermanët, 45 000 të tjerë u shpërndanë në familjet shqiptare. Në fund të luftës në Shqipëri ndodheshin rreth 20 mijë ushtarë italianë. Pas mbarimit të luftës ata u riatdhesuan normalisht, kurse eshtrat e bashkatdhetarëve të rënë u kthyen në tokën e vet.
Në vazhdim, u riafirmua dëshira për marrëdhënie normale dhe bashkëpunimi me shtetin që i kishte pushtuar. Sot Italia është partner strategjik i Shqipërisë.
***
Kontributet e shqiptarëve në luftë meritonin një vlerësim më objektiv, çka nuk ndodhi në përmasat që priteshin, sepse në disa raste nga ndonjë prej të mëdhenjve, e ardhmja politike e tyre kushtëzohej me detyrimin për të pranuar projektet greko-jugosllave të përfshirjes në ndonjë prej formave të bashkimeve juridike të shteteve si dhe me detyrimin për të mos kundërshtuar rivendikimet territoriale greke në jugun shqiptar. Publikisht ripohohej pavarësia e Shqipërisë, praktikisht tentohej të prekej statusi dhe tërësia e saj territoriale. Në dokumentet arkivore, ku pasqyrohen bisedimet ndërmjet disa prej super të mëdhenjve, gjatë luftës, lexohet, fjala vjen, se Britania e Madhe, iu kërkonte “rusëve… të njihnin synimet greke mbi… Shqipërinë e Jugut”.
Megjithëse e dinte luftën dhe kontributin e shqiptarëve, dilte hapur në mbrojtje të ambicjeve ekspansioniste greke, duke shpërfillur aspiratat e tyre për liri e pavarësi.
***
Është e pamundur të shpërfillet kontributi i shqiptarëve në fitoren e 9 majit 1945. Dëshmitë janë të pafundme. Flasin ndër të tjera numri i njerëzve në radhët e Ushtrisë Nacional-çlirimtare, ushtarakët, mjetet dhe armatimet e nazi-fashistëve të angazhuar në frontin shqiptar, bilanci tronditës i pasojave të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri etj.
Ajo nisi si sulm i forcave fashiste ndaj lirisë dhe pavarësisë së popujve dhe përfundoi si triumf popullor. U zhvillua si përleshje e 61 shteteve, që përbënin 80 % të popullsisë të rruzullit, në territoret e 40 shteteve në Europeë, Azi dhe Afrikë dhe zgjati 2077 ditë.
Studiuesit që janë marrë me historinë e saj, pohojnë se në tërësi, ajo, sikurse Lufta e Parë Botërore, iu morën jetën dhjetëra milionë vetëve. Sipas Zbigniev Brzhezhinskit, ato e bënë “shekullin e XX shekullin më të pergjakur dhe me të urryer të njerezimit, shekullin e vrasjeve te perbindshme”. “Kurrë më parë në histori, vrasja nuk kishte qene kaq boterisht e perhapur, kurre me pare ajo nuk kishte rrembyer kaq shume jete njerezish.”
Shekulli i XX, i përshkuar nga dy luftra boterore dhe së paku tridhjetë luftra të mëdha ndërkombëtare ose civile, është quajtur “shekulli i megavdekjes”, ose i “marrëzisë së organizuar”. Ai çoi në zhdukjen e qëllimshme të jo më pak se 167 000 000, ndoshta të mbi 175 000 000 vetëve.
***
Në këtë numër të papërfytyrueshëm të vrarësh ose të vdekurish gjatë LDB, përfshihet natyrisht edhe kontributi i madh njerëzor i shqiptarëve, 28 mijë dëshmorët dhe disa mijëra viktimat. Edhe për këto të dhëna, nga disa individë dhe qarqe politike vendase dhe të huaja, konstatohet sërish një dëshirë e papërligjur, për t’i vendosur brenda pikëpyetjesh të pakuptimta.
Nga shqiptarët, janë ata që e panë luftën nga kolltuqet ministrore kuislinge ose nga kafe Kursali, të cilët duan të vënë shenjën e barazisë midis vetes dhe atyre që kaluan 5 vjet nëpër male, në zheg e në acar, në borë e në shi, veshur e zhveshur, ngrenë e pangrenë. E bëjnë që të zbehin madhështinë e luftës partizane dhe të aktorëve të saj, të cilët meritojnë të respektohen deri në sublimim. Cenojnë pa asnjë të drejtë jo vetëm partizanët, por gjithë shqiptarët, sakrificat dhe kontributet e tyre për kauzën e Aleancës së Madhe Antifashiste.
Krerët nacionalistë shqiptarë, siç shprehet Rexhinald Hibert, oficeri britanik, që u ndodh në teatrin shqiptar të luftimeve, janë në hall, për shkak se me ngurimin për të marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve, e flakën tej shansin për të luajtur një rol në Shqipërinë e pasluftës.
E flakën sepse kryeministri fashist Mustafa Kruja, në fjalën e mbajtur në teatrin “Savoja”, më 17 mars 1943, deklaronte se “elementi më i rëndësishëm i bashkimit të Shqipërisë me Italinë është regjimi fashist”. Në këtë mënyrë i bënte jehonë alibisë së pushtuesve italianë rreth të ashtuquajturit bashkim personal apo real italo-shqiptar, duke tentuar të vinte në dyshim kontributet e pafundme të shqiptarëve në Luftën e Madhe Antifashiste. Hibert pohon se “të huajt e kanë nënçmuar në mënyrë të ndjeshme forcën, qëndrueshmërinë dhe rëndësinë e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve”, por “mbetet fakt se ishin shqiptarët ata, të cilët përcaktuan fatin e atdheut të vet…”.
***
Misioni dhe kontributet e shqiptarëve përkrah aleatëve në LDB nuk mbaruan me çlirimin e vendit, nuk mbaruan as më 9 maj 1945, as edhe me marshimin dhe luftën e dy divizioneve në territoret e ish-Jugosllavisë. Ato vazhduan edhe disa muaj të tjerë dhe u shtrinë deri në viset e largëta të Azisë dhe Oqeanisë, siç shkruan studiuesi Mark Brunga. Një grup shqiptarësh, të cilët fati i kishte degdisur shumë larg trojeve amëtare, në Australi dhe territore të tjera të Oqeanisë, u përfshinë në njësitë ushtarake të shteteve ku u ndodhën.
Në fillim të viteve 1940, ata u përfshinë në operacione luftarake në Australinë e Jugut dhe Uellsin e Ri Jugor, Guinenë e Re Papua etj. Pas mbarimit të Luftës, në shtatorin e 1945, një pjesë u kthyen në atdhe, të tjerët mbetën atje, si dëshmi e kontributeve në frontet aziatike të LDB dhe në frontin e madh të Koalicionit Antifashist të Popujve.
***
Kontributi i pamohueshëm, heroizmi dhe trimëria e partizanëve, bashkuar me mënçurinë dhe vizionin largpamës të atyre që patën në krye, i radhitën në krahun e Aleatëve fitues dhe i vunë në ballë të faqes së lavdishme të historisë së Luftës kundër nazi-fashizmit.
Frymën e antifashizmit të kultivuar prej më shumë se 80 vjetësh shqiptarët do ta bartin si një kontribut modest edhe në BE, kur të zenë vendin e tyre të merituar në Bruksel.
—-
Autori është dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore me temën: “Shqiptarët në Koalicionin e Madh Antifashist të Luftës së Dytë Botërore”, organizuar në Akademinë e Shkencave, më 7 maj 2025