Nga Dr Mark PALNIKAJ
Hyrje
Konferenca e Bujanit u mbajt në shtëpinë e Sali Manit në fshatin Bujan të Krasniqes nga data 31 Dhjetor 1943 deri më datën 2 Janar 1944. Vendimi për mbajtjen e kësajë konference është marrë në mbledhjen e datës 4 deri 6 Nëntor 1943 në malin e Sharrit.
Deri në vitin 1990 për këtë konferencë është folur pak në ish Jugosllavi kurse në Shqipëri është mbajtur në heshtje për 46 vite.
Mbas vitit 1990, janë mbajtur disa konferenca dhe janë shkruar një numër shumë i madh shkrimesh kryesisht nëpër gazeta dhe televizione por edhe në libra të veçantë.
Konferenca të tilla mbas vitit 1990 janë mbajtur me rastin e 50 vjetorit, 70 vjetorit, 75 vjetorit por edhe disa konferenca studimore të veçanta ku janë analizuar vendimet dhe pasojat që pati kjo konferencë.
Njëra nga simpoziumetmë serioze ka qenë ai që u mbajt me 7 janar 1994 në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë me pjesëmarrje të gjerë, me studjues shumë serioz nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Referatet dhe materialet e tjera të këtij simpoziumi përkujtimor u botuen të plota, me seriozitetin që e ka merituar, nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë nën titullin “Konferenca e Bujanit”.
Studjues të ndryshëm, varësisht nga pozicioni dhe formacioni politik ku bënin pjesë, kanë shkruar duke sjellë këndvështrime pro dhe kundër kësaj konference, duke e vlerësuar ose sharë dhe duke e cilësuar si një mbledhje komunistësh ku u shitën interesat kombëtare – sipas tyre. Studjues të vemendshëm, të pa ndikuar nga subjektet politike, e kanë vlerësuar shkencërisht, duke marrë në analizë çdo gjë dhe të lidhur me rrethanat, politike, ushtarake dhe ekonomike të kohës dhe duke arritur në konkluzione shkencore për efektet që pati kjo konferencë.
Duke patur parasysh faktin që të gjith studjuesit pjesëmarrës të kësaj Konference Shkencore Ndërkombëtare për “Konferencën e Bujanit” janë të njohur me punimet kryesore të botuara tashmë për këtë konferencë, në këtë rast, nuk do të zgjatem të përsëris ato që janë thënë në shumë konferenca të mëparëshme, por shkurtimisht, do mundohem të sjell një panoramë të trajtimit të kësaj konference në Shqipëri, Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Për këtë më duhet të pozicionohem shkurt dhe qartas në tre pika:
- Si është trajtuar kjo konferencë nga dita e mbajtjes së sajë deri në vitin 1990 nga faktorët politik shqiptar, posaçërisht nga Partia Komuniste Shqiptare e cila më vonë është quajtur Partia e Punës së Shqipërisë e cila deri në vitin 1990 është konsideruar pozicion zyrtar i shtetit Shqiptar dhe i partisë në pushtet.
- Si është trajtuar kjo konferencë në ish shtetin e quajtur Jugosllavi nga mbajtja e sajë deri në vitin 1999, vit kur Kosova është çliruar nga zgjedha serbe.
- Si është trajtuar kjo konferencë në arenën ndërkombëtare nga mbajtja e sajë deri në vitin 1999.
- Konferenca e Buanit në optikën politike shqiptare
Konferenca e Bujanit zgjati nga data 31 dhjetor 1943 deri me 2 janar 1944 në shtëpinë e Sali Manit bajraktar i fisit Krasniqe dhe përkrahës i Frontit Nacionalçlirimtar me të gjith rrethin e tij familjar dhe miqësor. Në atë kohë mjetet teknike dhe njerëzit e shkolluar ishin me pakicë. Për të shkruar dokumentacionin dhe rezolucionin e kësaj konference është caktuar Hajdar Dushi, njeri i shkolluar dhe njohës i pesë gjuhëve të huaja. Shtëpia e Sali Manit ishte tip kulle me ambiente me sipërfaqe të kufizuara. Dhoma e miqve ishte në dispozicion të përfaqësuesve të ftuar kurse dhoma e gjumit e mikpritësit u vu në dispozicion të Hajdar Dushit për të shtypur me makinë materialet e nevojshme për konferencën. Në kushtet e vështira të asajë kohe rezolucioni u shtyp në pesë kopje dhe u firmosën të gjitha nga të gjith pjesëmarrësit.
Simbas të dhënave që kemi katër kopje u morën nga përfaqësuesit e Kosovës sepse edhe objekti kryesor i kësaj konference ishte problemi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Një kopje ju dorëzue delegatëve nga trojet e Shqipërisë politike që në konferencë ishin në pakicë. Këtë kopje e mbajti për rreth 16 vjet delegati Mehmet Bajram Mulosmani dhe është kopja e vetme që kemi sepse katër kopjet e tjera nuk e dimë se ku kanë përfunduar por që nga ajo kohë asnjëra prej tyre nuk është publikuar. Kësaj çeshtje do ti kthehemi më poshtë në shkrimin tonë.
Mbas përfundimit të konferencës u njoftuan nga pala kosovare shtabi i Jugosllavisë i kryesuar nga Josip Broz Tito dhe Shtabi i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë i kryesuar nga Enver Hoxha.
Më 4 dhjetor 1943, udhëheqësi jugosllav Tito duke folur para gazetarëve anglezë për marrëdhëniet me Frontin Nacional Çlirimtar, në pjesën për Kosovën kishte deklaruar se “ardhmëria e Kosovës do të rregullohet me plebishit dhe kufijtë, nëse është nevoja, do të rregullohen në të mirë të Shqipërisë”.
Nga ana e shtabit të Titos reagimi ishte i menjëhershëm dhe kritik qoftë për vendimet që ishin firmosur qoftë për ata që ishin pjesëmarrës.
Nga materialet që kemi në dorë tani pas tetëdhjetë vjetësh na rezulton se udhëheqësi jugosllav Tito kur u njoftua zyrtarisht pak kohë më pas ishte shprehur se “Është e parakohëshme”. Në kushtete e luftës kundërshtimi me tone më të forta mund të kishte pasoja të rrezikshme për qëndrimin e shtabit të Kosmetit i cili vepronte si një pol i veçantë i shtabit qendror jugosllav të luftës. Tito kundërshtimin ekstrem të kësaj konference e ruajti për ta demostruar mbas një viti, në vitin 1945 në një mbledhje të mbajtur në qytetin e Prizrenit. Ata që e kishin firmosur u detyruan ta mohonin këtë konferencë, të distancoheshin nga vendimet e sajë dhe të bënin autokritikë për “shkarje në pozitat e nacionalizmit shqiptaromadh”. Në rast të kundërt ata u kërcënuan me zhdukjen e tyre me anë të vrasjes.
Në Shtabin Nacional Çlirimtar të Shqipërisë kjo konferencë nuk u kundërshtue dhe njoftimi për mbajtjen e sajë u botue në gazetën e Partisë Komuniste Shqiptare “Zëri i Popullit” të datës 7 shkurt 1944 duke përshëndetur pjesëmarrësit dhe vendimet e sajë.
Po në muajin shkurt të vitit 1944 në gazetën “Bashkimi” që ishte në varësi të këtij shtabi u botua edhe një pjesë e rezolutës.
Deri në vitin 1981 në asnjë organ të shtypit shqiptar kjo konferencë nuk u zu me gojë dhe nuk ju kushtue asnjë lloj vemendje edhe pse ishte ngjarje me rëndësi kombëtare për kombin shqiptar. Për Konferencën e Pezës organizoheshin çdo vit festime me pjesëmarrje masive në këtë fshat. Për Konferencën e Bujanit, edhe më e rëndësishme për fatet e kombit, u mbajt heshtje e plotë. Nuk u shkrue asnjë rresht dhe nuk u mbajt asnjë takim që ta përkujtonte. Në vitin 1968 u botua “Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë” me 420 faqe dhe me një tirazh prej njëqind mijë kopje. Autorësinë e këtij botimi e kishte Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste pranë Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Në asnjë faqe të këtij botimi nuk përmendej Konferenca e Bujanit as vendimet e sajë. Shpesh e kam analizue me mendjen time nëse ka qënë një harresë dhe një mosnjohje nga ana e hartuesve të këtij libri apo një lënie e qëllimshme pa u përfshi në këtë botim. Këtë nuk mund ta them me saktësi por më poshtë do të sjell një fakt interesant për këtë problem.
Në vitin 1981 studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në demostrata të cilat për pjesëmarrësit e këtij simpoziumi janë të njohura. Qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar nëpërmjet zëdhënëses së vet, Partisë së Punës së Shqipërisë ishte në mbështetje të këtyre demostratave dhe të demostruesve. Për këtë u botuen në organin kryesor të kësaj partie “Zëri i Popullit” dy artikuj redaksional me nga dy faqe në mbështetje të këtyre demostratave por pa e përmendur Konferencën e Bujanit.
Por në shtypin jugosllav të kohës nga ana e organeve zyrtare të shtetit të asaj kohe u tha se këto demostrata ishin të frymëzuara nga irridentistët shqiptar dhe ishin të ndikuara nga vendimet e Konferencës së Bujanit. Këto publikime ndiqeshin me vemendjen më të madhe nga ana e qeverisë shqiptare dhe e Partisë së Punës. Duke mos pasur asnjë informacion arkivor për këtë konferencë ata ju drejtuan organeve në varësi të tyre si Arkivi i Shtetit, Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste dhe Institutit të Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme.
Mbasi në asnjërin nga këto institucione nuk kishte kurrfar informacioni as të shkruar as me gojë u ngarkua për të sjellë informacion Zv/Drejtori i Institutit të Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme Z. Vladimir Prela.
Vladimiri ishte Tropojan, djali i atdhetarit Bajram Hoxha, familje me origjinë shqiptare nga Kolashini i Malit të Zi. Familja e tij ishte mbështetëse e luftës nacionalçlirimtare dhe e shtetit të kohës. Edhe ky nuk kishte asnjë lloj informacioni për këtë konferencë por ju drejtue për ndihmë korrespondetit të gazetës “Zëri i Popullit” për Tropojën, Z. Halil Buçpapa.
Siç ma ka konfirmuar me gojën e tij, edhe Halili nuk kishte asnjë lloj informacioni por për një tropojan nuk ishte e vështirë të merrje informacion për këtë problem sepse ishin me qindra personat dëshmitar të kësaj konference që kishin qenë përveçse pjesëmarrës me mandat në këtë konferencë, edhe në mbështetje të sajë si roje e armatosur e këtij grupimi, punonjës shërbimesh në funksion të mbarëvajtjes së sajë etj.
Këtu del në pah kopja e pestë e rezolucionit që ishte e ruajtur nga Mehmet Mulosmani.
Ky person kopjen e vet ja kishte dhuruar me dedikim me shkrim dhëndërrit të tij nga fisi Gashi, Z. Osman Gega, një veteran i luftës Nacional Çlirimtare, burrë shumë fisnik dhe i ditur, në atë kohë Drejtor i Shërbimeve Komunale të qytetit Bajram Curri. Kopjen e tij Z. Mehmet Bajram Mulosmani, pjesëmarrës dhe firmëtar i rezolucionit të Konferencës, ja dhuroi mikut të tij me një përkushtim të shkruar një faqe me këtë përmbajtje: “Konferenca e Parë e Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë e Metohi, 31 XII 1943 dhe 2 –I- 1944:
Shokut Osman Hysen Gega, me qëllim që në bibliotekën t’ande e të djemve tu të gjindet dokumenti me randsi, ku përfaqsuesit e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, me pjesëmarrje të delegatëve të Malsis, të Serbisë e Malit të Zi vendosin të përforcohet lufta Nacional Çlirimtare e në shlirim Kosova me rrafshin e Dukagjinit të vetvendosi, dmth të bashkohet me Shqiprinë nanë ose të shkojë me popujt e Jugosllavisë. Asht nji me origjinalin. (Kolonel Mehmet Bajram Mulosmani) Tiranë, 26-9-1962 ora 14 30 .”
Kujtimet e pjesëmarrësve dhe kjo kopje e rezolucionit shërbeu për tu përdorur në përgjigje të propagandës së egër të shtetit jugosllav të dirigjuar nga nacionalistët serbomëdhenj. Tani kjo kopje ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë.
- Konferenca e Bujanit dhe trajtimi i saj nga Jugosllavia
Cili ishte qëndrimi ndaj Konferencës së Bujanit në vitet 1944 – 1945 në Jugosllavi?
KQ i PKJ, pasi u njoh me vendimet e Konferencës së Bujanit, tërhiqte vëmendjen: “…sot nuk duhet të flitet për bashkimin me Shqipërinë, sepse në këto momente nuk është fjala për caktimin e kufijve në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, që të dyja të pushtuara nga Gjermania, por që të dyja këto vende, me luftë të armatosur të çlirohen prej pushtuesit fashist”.
Siç shihet, ndonëse përgjigjja e udhëheqjes jugosllave është e kujdesshme dhe e shprehur me gjuhë diplomatike, nënteksti i sajë ishte i qartë: ajo nuk ishte dakort me Rezolutën e Konferencës së Bujanit, me të drejtën e popullit në Kosovë për të vetvendosur vetë për fatin e tij: me cilin shtet do të ishin ata pas përfundimit të Luftës.
Në një letër tjetër të KQ të PKJ, drejtuar KK të Kosovës më 28. 3. 1944, kërkohej largimi nga terreni i Kosovës, i kuadrove dhe lënia aty vetëm e një numri minimal të celulave. Në këtë mënyrë atyre do t’u hiqej mundësia të propogandonin Vendimet e Koferencës së Bujanit dhe kuadrot shqiptarë do të zvendësoheshin me kuadro serbë e malazezë.
Më 18 qershor 1944 KQ i PKJ urdhëronte: “Treva juaj nuk paraqet ndonjë krahinë kompakte; prandaj të hiqet emri Komiteti Krahinor dhe të mbetet Komiteti Qarkor”. Kjo do të thoshte të kishte më pak kompetenca udhëheqja e Kosovës. Po përgatitej terreni që ajo të mos kishte varësi nga KQ i PKJ siç e kishte deri në këtë kohë…
Në Koferencën e Tretë të KQ i PKJ për Kosovën, më 28. 3. 1945, u komunikua kalimi i varësisë nga KQ i PKJ tek PKJ për Serbinë. Synimi ishte i qartë: Kosova duhej t’i jepej Serbisë.
Vendimi për vendosjen e administratës ushtarake në Kosovë, më 8. 2. 1945 është rrjedhojë e vendimeve të padrejta në kurriz të çështjes shqiptare, për të cilat udhëheqja jugosllave kishte dijeni. Serbët po përgatiteshin me çdo mjet ( edhe me forcën e armëve) të mbanin patjetër Kosovën koloni të tyre si në vitet e paraluftës së Dytë Botërore. Më 2 shtator 1944 shtabi Kryesor i Kosovës u shndërrua në shtab Operativ dhe më 14 shtator 1944 u vu nën varësinë e shtabit Kryesor të UNÇJ për Serbinë. Sipas diplomatit të Foreign Ofisit, i ngarkuar me problemet shqiptaro-jugosllave, më 1 nëntor 1944: “Ne nuk duhet të njohim përfshirjen e Kosovës në Shqipëri. Unë mendoj se ne duhet të bëjmë gjithçka që të ndalojmë dhënien e këtij rajoni Shqipërisë”. Në qarqet e udhëheqjes jugosllave në vitin 1944 flitej për dy variante për zgjidhjen e çështjes kosovare:
a) Rrafshi i Dukagjinit me qytetet Pejë, Gjakovë, Prizren deri në Fushë-Kosovë t’i jepeshin Shqipërisë, kurse pjesa tjetër e Kosovës, duke përfshirë Mitrovicën, Podujevën, Prishtinën, Gjilanin t’i jepeshin Serbisë.
b) Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkoheshin Shqipërisë, që ajo pastaj të hynte në Federatën Jugosllave.
Por asnjëri prej varianteve nuk i kënaqte orekset e pangopura të shovinstëve serbë, të cilët kërkonin medoemos që Kosova tu përkiste atyre dhe vetëm atyre për ta shfrytëzuar, grabitur dhe kolonializuar si para vitit 1941. Është kjo arsyeja që Eduard Kardeli në këtë kohë shprehej: ˝ … më e natyrshme do të ishte që Kosova dhe Metohia t´i bashkoheshin Shqipërisë, mirëpo, me që raportet e forcave në Shqipëri nuk janë dominuar akoma nga Lëvizja Nacionalçlirimtare si në Jugosllavi, edhe situata në Ballkan është e komplikuar… tani për tani nuk vjen në konsideratë që Kosova dhe Metohia t’i bashkohen Shqipërisë.
Me dinakëri dhe hipokrizi ai përpiqet të gjejë arsyet dhe shkaqet përse Kosova duhet të jetë përsëri pjesë përbërëse e Jugosllavisë jashtë dëshirës e vullnetit të shqiptarëve në Kosovë, të cilët në atë kohë përbënin 70 për qind të popullsisë në atë trevë.
Duke e arsyetuar më tej këtë ide Eduard Kardeli në takimin me Titon dhe Bakariçin, deklaron:
“ Në qoftë se do të merrej çfarëdo lloj vendimi për Kosovën, në bazë të kuptimit abstrakt të parimit të vetvendosjes deri në shkëputje, kjo do dobësonte shumë luftën tonë në Serbi dhe do t’i shërbente Drazha Mihajlloviçit si dhe forcave shoviniste të Serbisë si argument i fuqishëm për të na akuzuar se po e coptojmë Jugosllavinë”.
2.1 Baza reale e asgjësimit të Rezolutës së Mbledhjes së Bujanit
Sipas udhëheqjes së lartë jugosllave dhe serbe, parimi i vetëvendosjes së shqiptarëve në Kosovë ishte diçka abstrakte, jashtë realitetit dhe kohës dhe si i tillë ai nuk mund të realizohej. Është kjo arsyeja që udhëheqja e ngushtë e KQ e PKJ më 18 shkurt 1945 aprovoi propozimin e Eduard Kardelit dhe vendosi përfundimisht që “Kosova dhe Metohia t’i bashkangjiten Serbisë”. Për të realizuar këtë, duhej goditur dhe asgjësuar Rezoluta e Mbledhjes së Bujanit, të bëheshin ndryshime në Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për Kosovën e Metohinë, e dalë prej sajë. Në Bujan ishin zgjedhur 9 vetë në kryesi, sipas raporteve të popullatës në Kosovë: 7 shqiptarë, 1 serb, 1 malazez. Për t’i ndryshuar këto raporte u propozua që kryesia, nga 9 vetë të bëhej 11, me pretekstin se Fadil Hoxha, Ali Shukriu dhe Pavlo Joviçeviqi ishin të ngarkuar me probleme ushtarake, 2 shqiptarë dhe një serb nga kryesia ishin vrarë. Pra, duheshin zgjedhur 5 anëtarë të rinj dhe me metodën e kooptimit u futën në kryesi pesë serbë dhe malazezë, duke ndryshuar edhe raportin nga 7:2 për shqiptarët në 6:5 për serbët dhe malazezët. Kështu po përgatiteshin kushtet për të ndryshuar Vendimet e Konferencës së Bujanit. Në Konferencën e Këshillit Popullor të Kosovës (19- 24 mars 1945) ku morën pjesë 400 vetë, Xhavit Nimani tha se Titoja i kishte falur kosovarët që kishin marrë pjesë në qëndresën e udhëhequr nga Shaban Poluzha”. Halim Spahija dhe Ramiz Cërnica e kundërshtuan këtë dhe theksuan se Kosova dhe viset e tjera shqiptare duhej të shkonin me Tiranën.
2.2 Vendim tragjik i Kuvendit të Prizrenit – i paligjshëm
Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, që kishin votuar pro rezolutës së Konferencës së Bujanit, duke qenë nga organizatorët kryesorë të saj, po e braktisnin atë. Kjo ishte e pafalshme dhe pati pasoja tepër negative për fatin dhe të ardhmen e Kosovës.
Pati edhe shqiptarë nga Kosova që nuk i ndryshuan qëndrimet e tyre ndaj Vendimeve të Konferencës së Bujanit, por i mbrojtën me forcë dhe sakrifica. Për t’i bindur këta dhe për qëllime demagogjike, Titoja më 6. 4. 1945 u takua me një delegacion shqiptar. Përfaqësuesit e Kosovës folën për rolin destruktiv të V. Popoviqit (sekretar i Komitetit të PKJ të Gjilanit), për vrasjet e shqiptarëve në Kosovë. Ata parashtruan edhe shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës, duke theksuar se ata kërkojnë të dinë: “ përse kosova të jetë nën Jugosllavinë kur dihet se Shqipëria e ka nisur luftën më parë nga të tjerët dhe vetë është çliruar? Përse të mos vemë me Tiranën derisa na kanë thënë të vetvendosim?” Titoja, u premtoi atyre se “shqiptarët në Jugosllavi do të kenë të drejtat që një popull e bejnë popull”. Ai i akuzoi shqiptarët në Kosovë se “ ata e kishin ndihmuar armikun” dhe krahas kartës demagogjike tundi edhe kartën e forcës, duke deklaruar para tyre se “ nuk është e mjaftueshme bindja, por duhej të qëroheshin ata që nuk bindeshin”. Pra, duhej të bindeshin edhe ata. Në të kundërtën, do të ndëshkoheshin rëndë. Ashtu ndodhi, 9 nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm të takimit u likuiduan nga OZN-ja me akuzën e komplotit kundër shtetit.
Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës në takimin me Titon kërkuan nga ai t’u lejohet referendumi. Jo vetëm që ai nuk u lejua, por gati të gjithë meshkujt u dërguan në frontet e luftës – prej Sremit deri në Adriatik. Kjo ua lehtësoi punën brigadave Jugosllave për të nënshtruar dhe ripushtuar Kosovën.
Në kuvendin e Prizrenit që u mbajt më 8 – 10 korrik 1945, u hodh poshtë Rezoluta e Mbledhjes së Bujanit. Në këtë Kuvend morën pjesë 137 delegatë ( 33 ishin shqiptarë / 24.08 %, 71 serbë e malazezë 52. 82 %). Për 33 delegatë (24.08%) nuk është dhënë përkatësia kombëtare.
Referatin e mbajti Xhavit Nimani, në të cilën shtrohej pyetja: “ Përse masat e gjera popullore nga Kosova dëshirojnë të Bashkohen me Serbinë Federale?” Përgjigja ishte kjo: “Para së gjithash për arsye se populli serb, duke u ngritur i pari në luftë kundër okupatorit, njëkohësisht ka luftuar edhe hegjemonistët serbomëdhenj, kundër atyre që janë më së shumëti fajtorë për të gjitha të këqijat që u janë bërë popujve të Kosovës”. Në Kuvend u muar vendimi: “Këshilli Popullor i Kosovës deklaron në mënyrë të njëzëshme se banorët e këtij qarku, po ashtu si gjithë popujt e Jugosllavisë, nuk kanë pranuar kurrë copëtimin e qarkut të vet, as të Jugosllavisë, të bërë nga okupatorët dhe se shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale”.
Ky vendim tragjik ishte i paligjshëm për këto arsye:
– Ai u muar në kushtet e gjëndjes së jashtzakonshme.
– Delegatët nuk u zgjodhën në mënyrë demokratike dhe si të tillë, nuk mund të përfaqësonin interesat dhe aspiratat e popullit të Kosovës.
– Në zgjedhjen e delegatëve nuk u mor për bazë, popullsia sipas përkatësisë kombëtare. Shqiptarët, të cilët përbënin 68.5% të popullsisë të Kosovës, u përfaqësuan me 24.08% delegatë, kurse serbët e malazezët, edhe pse si popullsi ishin 27.5%, u perfaqësuan në kuvend me 51.82% të delegatëve. Pra, vendimi për bashkimin e Kosovës me Serbinë ishte një vendim që e morën serbët dhe jo shqiptarët.
Një nga organizatorët kryesorë të Konferencës së Bujanit dhe të Kuvendit të Prizrenit, Fadil Hoxha, është shprehur se: “Më 10 korrik 1945… ligjërisht dhe në mënyrë demokratike njëherësh anullohet dhe pjesa e gabueshme e Rezolutës, e miratuar në Konferencën e Bujanit.
Atë që ai e quan “ nen të gabueshëm” – parimin e vetëvendosjes së shqiptarëve në Kosovë – është vendimi më i rëndësishëm historik, për të cilin u flijuan dhe luftuan mijra kosovarë.
Se sa lirisht e në mënyrë demokratike u muar vendimi për bashkimin e Kosovës me Serbinë përsëri, e theksuam më sipër.
Duke patur parasysh vendimin e Kuvendit të Prizrenit, në Rezolutën e miratuar në seancën e parlamentit jugosllav (KANCJ), të mbajtur më 7 – 10 gusht 1945, thuhet: “Kosova dhe Dukagjini në mbledhjen e zhvilluar dhe 10 korrik 1945 në Prizren, kanë miratuar rezolutën, në të cilën territori i Kosovës dhe Dukagjinit i bashkangjitet Serbisë Federale”.
Të bëjnë përshtypje dy momente nga kjo mbledhje:
Së pari, në këtë forum Kosova u përfaqësua me 15 deputetë, kurse Vojvodina dy herë më e vogël, me 30 deputetë, çka flet për trajtimin diskriminues të Kosovës në raport edhe me Vojvodinën, por edhe për frikën që kishin autoritetet jugosllave nga revolta popullore e shqiptarëve; kjo tregon edhe për përpjekjet e tyre, edhe pse antidemokratike, për të realizuar aneksimin e Kosovës Serbisë.
Së dyti, dokumentin e nënshkroi Ivan Ribar, i cili ka qenë kryetar i parlamentit mbretëror në vitet 1920 – 1923, kur u dogjën 182 fshatra shqiptare në Kosovë dhe u vranë 40.000 kosovarë.
Çfarë mund të pritej nga një parlament i tillë?… në këtë dokument antishqiptar, antidemokratik, e ka zanafillën lufta e shqiptarëve në Kosovë, në vitet 1945 e deri në vitin 1999.
Ky është qëndrimi Jugosllav, përkatësisht i nacionalistëve serbë për Konferencën e Bujanit në vitin e parë mbas mbajtjes së kësajë konference.
Në simpoziumin e mbajtur në Tiranë me 7 janar 1994 janë shkruar për këto probleme dhe nuk do të ndalem të jap hollësira sepse gjithshka është sqaruar në librin përmbledhës të temave të mbajtura. Shteti jugosllav besoj se mori dhe mbajti të burgosura në arkivat e veta famëkeqe katër kopjet e rezolucionit të përmendura më lart dhe për aq sa pati mundësi, nuk lejoi asnjëherë të flitej publikisht për këtë konferencë deri në vitin 1981. Me datën 13 dhjetor 1988, Dhoma Federative Jugosllave, me vendim të veçantë, i hodhi poshtë vendimet e Konferencës së Bujanit dhe e cilësoi një “Akt i Pavlefshëm”.
2.3 Etiketimi dhe mosvlerësimi i Konferencës së Bujanit është miopëri politike
Ky veprim i Dhomës Federative të Jugosllavisë dhe i atyre që e drejtonin tregon dy gjëra:
Së pari tregon paditurinë e tyre sepse një akt që ishte firmosur 44 vjet më parë nuk mund të zhbëhej mbas kaq vitesh sepse ai kishte ndodhur dhe ishte një fakt i kryer dhe i firmosur kolektivisht pa asnjë kundërshtim nga të gjith pjesëmarrësit.
Së dyti, ky veprim tregon se sa i rrezikshëm ishte ky dokument për politikën nacionaliste serbomadhe dhe sa i rëndësishëm ishte për ndjenjat kombëtare të popullit shqiptar që banonte në trojet e veta në Dardaninë e lashtë që tani quhej Kosovë.
Vetëm ky fakt, është i mjaftueshëm për të tregar se sa gabim bëjnë disa politikanë miopë të kombësisë shqiptare të cilët e kanë etiketuar këtë konferencë, pjesmarrësit dhe vendimet e sajë si antishqiptare dhe antikombëtare. Nëse do të ishte e tillë siç e etiketojnë ata kjo konferencë nuk do të kundërshtohej me forcë kaq të madhe nga lobi serb në Jugosllavinë e asaj kohe.
- Konferenca e Bujanit në arenën ndërkombëtare
Nga shtetet e tjera të interesuara për politikën dhe mardhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, më të interesuara kanë qenë qeveritë e shteteve si SH. B. A, Rusia, Anglia dhe Greqia. Shtetet e tjera kanë patur interesa të papërfillshme për këto mardhënie.
Qeveria ruse mbas vitit 1948 është marrë shumë me mardhëniet shqiptaro jugosllave por qëndrimet e tyre kanë mbetur në suazën e mardhënieve dipllomatike dhe nuk janë publikuar asnjëherë në organet e shtypit. Mbas vitit 1990, studjues të ndryshëm nga Kosova por kryesisht nga Shqipëria, kanë studjuar në arkivat ruse qëndrimet e këtij shteti për këto mardhënie. Nga punimet publikuara nga studjuesit Shaqir Vukaj dhe Pëllumb Xhufi, janë bërë të njohura shumë qëndrime të Rusisë për mardhëniet shqiptaro jugosllave dhe posaçërisht për Kosovën. Mbasi ato janë të botuara dhe janë në dispozicion të studiuesve dhe të publikut të gjerë, nuk e shof me arësye të ndalem veçanarisht dhe të përsëris mendimet atyre.
Qeveria e Mbretërisë së bashkuar në këtë konferencë ka patur një oficer të vetin që quhej Hendzi, i cili ka qenë i pranishëm gjatë gjith kohës së mbajtjes së konferencës dhe ka qenë në dijeni të të gjitha vendimeve që janë marrë aty.
Në atë kohë, qëndrimi i kosovarëve ndaj italianëve dhe gjermanëve nga ana e anglezëve është konsideruar i gabuar, sidomos mbas formimit të Batalionit “Skendërbeg” me kosovarë. Masakra e Tivarit besoj se u krye nga serbët me miratimin në heshtje të palës angleze. Edhe me palën greke, për sa i takon Shqipërisë, anglezët mbështesnin pretendimet greke dhe gjatë luftës ju kishin premtuar mbështetje në pretendimet e tyre për Voriopirin.
Tani këto probleme ju takojnë ti zbardhin me dokumente historianët.
Prishtinë, 8 dhjetor 2023