Retorika e vjetër e Serbisë si kërcënim i ri për Ballkanin
Nga Dr. Arben FETOSHI
[Drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”]
Gjithnjë e më qartë po përballemi me rrezikun e déjà vu-sësë historisë: Serbia e Vuçiqit e ka rikthyer narrativën e Millosheviqit për “viktimizimin” e serbëve, por tani me qëllimin që ta kurorëzojë projektin hegjemonist të “botës serbe”. Në betejën me Kosovën ajo ka intensifikuar strategjitë perfide të mobilizimit dhe manipulimit, derisa në Bosnjë-Hercegovinë e përdor etnonacionalizmin e Dodikut, kurse në Mal të Zi ideologjinë identitare dhe fetare përmes partive serbe dhe Kishës Ortodokse.
Imitimi i modelit rus të “përmbytjes me gënjeshtra”, duke aplikuar teknika të njohura si ajo e “rrëmbimit emocional”, që synon mobilizimin përmes nxitjes së indinjatës tek qytetarët, apo ajo e “gaslighting”, që synon mashtrimin në nivelin ndërkombëtar përmes shtrembërimit të realitetit, përbën instrument “justifikimi” njëjtë si në kohën e Millosheviqit, apo të ndërhyrjeve ushtarake të Putinit në Gjerogji (2008) e Ukrainë (2014).
Lufta fillon me fjalë
Ndërsa po i afrohemi përvjetorit të “Vidovdanit” (një festë e shndërruar në simbol të serbëve që kultivon ndjenjën e “viktimës historike”), agresiviteti i propagandës dhe mesazhet shoviniste të Serbisë, e rikthejnë paralajmërimin e Millosheviqit të po kësaj date të vitit 1989 për “luftë në mbrojtje të serbëve”. Rrjedha e ngjarjeve më pas dihet: Në Kroaci, serbët si “viktima” të “ustashëve”, për të “justifikuar” pushtimin e Kninit; në Bosnjë-Hercegovinë, serbët si “viktima” të “gjenocidit”, për të “justifikuar” krimet dhe gjenocidin në Srebrenicë; në Kosovë, serbët si “viktima” të “terroristëve” shqiptarë, për të maskuar represionin, masakrat dhe spastrimin etnik.
Sërish sot, 26 vjet pas bombardimeve të NATO-s që e ndalën Serbinë, lufta e saj informative kërcënon sigurinë, stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Duke mos e pranuar realitetin e ri me Kosovën e pavarur, të konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND, 2010), Serbia vazhdon të orkestrojë fushata të koordinuara shpifjesh përmes strategjisë së viktimizimit, për kinse “spastrimin etnik të serbëve në Kosovë”.
Përmes diplomacisë publike, ajo ka lansuar në mediat sociale edhe një thirrje për rezistencë (të gatshëm t’i mbrojnë shtëpitë me trupat e tyre), ndërsa e akuzon botën se “i ka mbyllur sytë”. Ky videomesazh i drejtorit të Zyrës për diplomaci kulturore dhe publike, Arno Gujon, pason një fushatë të sinkronizuar shpifjesh të Listës Serbe dhe të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, për “ngacmimin e vajzave e grave”, “uzurpimin” e objekteve dhe “sulmet kundër të rinjve”, me qëllim të demonizimit të institucioneve të Kosovës dhe thellimit të ndarjes etnike, si parakusht për skenarët e dhunës.
Duke keqpërdorur tragjendinë e një familjeje serbe në Obiliq, Petkoviq fantazon “ndryshimin e roleve” me deklaratën se Kosova ka projekte shoviniste për zhdukjen e serbëve. Jo vetëm që e “harron” Kushtetutën, e cila i garanton komunitetit serb të drejta të privilegjuara në Kosovë, por edhe periudhën e administrimit ndërkombëtar të Kosovës (UNMIK), si dhe ato që kishte pohuar vetë shefi i tij lidhur me akuzat ndaj shqiptarëve. Nëse Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar më 2013 se “krimi në ‘Panda’ s’është kryer nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani”, çfarë po kërkon Petkoviq me “aludimet” e rrezikshme për një rast tjetër tragjik të krimit ndaj familjes Stoliq në vitin 2003? Një aludim i tillë i pabazë, i përzier me pretendimin e “pogromit” nga trazirat e marsit 2004, s’është asgjë tjetër pos një tendencë për të rindërtuar narrativën e “viktimizimit” si në vitet 1980-1990.
Përndryshe, Petkoviq dhe krokodilët e tjerë në Serbi që “vajtojnë” për familjen Soliq, duhet të mendojnë fillimisht sa qindra e mijëra shqiptarë civilë të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, e sa familje të të zhdukurve kanë jetuar qe 26 vjet në ankth duke kërkuar drejtësi, si pasojë e ironizimit çnjerëzor, injorimit, fshehjes dhe “mbrojtjes” së kriminelëve brenda Serbisë. Sikur pretendimet e tyre për dialog, paqe dhe drejtësi, që të “shurdhojnë” sa zëshëm i përsërisin, të mos ishin qartazi një strategji për mashtrim, ata do t’i ndanin informacionet për të zhdukurit, siç janë “zotuar” në Bruksel, do të bashkëpunonin për t’i nxjerrë kriminelët e luftës para drejtësisë dhe do ta dorëzonin, e jo ta mbronin kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Vullneti për normalizim, paqe e drejtësi kërkon dëshmi e jo përralla të mbushura me shpifje, që i bien sërish këmbanave të luftës në Ballkan.
“Bota serbe” dhe kërcënimi Dodik
Nëse përgjegjësit e gjakderdhjes në ish-Jugosllavi “mashtruan” me paqen në Bosnjë-Hercegovinë (1995) dhe “vajtojnë” për padrejtësinë nga Perëndimi me shtetin e Kosovës, ata sot e kanë rikthyer Serbinë e viteve ’90 me projektin e “Botës Serbe” (2020), të motivuar nga ambiciet hegjemoniste të Putinit me “Botën Ruse” (2014)?
Politika ekspansioniste e Serbisë apo ëndrra e saj për “Serbinë e Madhe” sot fshihet pas këtij koncepti të Aleksandër Vulinit (i njohur për afërsinë me Putinin) dhe pavarësisht denoncimit nga shtetet e rajonit, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik e afirmon atë duke evokuar deklaratën e Kuvendit Gjithëserb, të cilën e kishin dënuar SHBA-të dhe Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës. Në një postim në X (7 qershor 2025), Dodik tha se “janë zotuar ta ndryshojnë rrjedhën e historisë” dhe “që nga atëherë është bërë shumë në unifikimin e akteve të veçanta në Republikën Serbe dhe në Serbi”. Ky postim s’është thjesht retorikë politike, por një thirrje e koduar për aneksim, e ngjashme me precedentin e Rusisë në Krime (2014).
Ndonëse është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i dënuar e në kërkim nga drejtësia e Bosnjë-Hercegovinës, Dodik ka vazhduar me agjendën seperatiste dhe vizitat e tij në Beograd e në Moskë. Thirrjet e tij për referendum nënkuptojnë shkëputjen de facto të Republikës Serbe, duke rrezikuar një shpërthim të ri të konfliktit me pasoja rajonale. Pra, ai nuk duhet të shihet vetëm si lider i rrezikshëm lokal, por si një aktor rajonal destabilizues që vepron në koordinim me strategjinë e Serbisë dhe Rusisë, për ta minuar Marrëveshjen e Dejtonit, shtetin e Kosovës dhe prezencën e NATO-s si pengesa të projektit hegjemonist të “Serbisë së Madhe” dhe depërtimit gjeopolitik të Rusisë në Ballkan.
Serbia që duhet të rindalet
Mbështetja për aktorë destabilizues si Millorad Dodik në Bosnjë-Hercegovinë, narrativa e “viktimizimit”, “bekimi” i kriminelëve të luftës nga Kisha Ortodokse Serbe, tendencat për serbizimin e Malit të Zi dhe përdorimi i mediave e strukturave paralele si instrumente sabotimi për shtetin e Kosovës, e kanë rishfaqur Serbinë e Millosheviqit, tani me nuanca më perfide e më të sofistikuara të luftës informative (weaponization of information). Koncepti i “Botës Serbe” tashmë është doktrinë e politikës së jashtme të Serbisë dhe sipas Qendrës për Analiza Politike Evropiane, jo vetëm që paraqet rrezik për integritetin territorial të shteteve të targetuara të rajonit, por edhe për stabilitetin e Evropës (CEPA, 2021).
Në luftën informative kundër Kosovës, të ashpërsuar më shumë kohëve të fundit, ajo e ka lansuar si veprim strategjik zgjerimin e “viktimave” të “terrorit shqiptar” edhe te komuniteti rom, pavarësisht se faktet e thonë të kundërtën. Duke “vajtuar” në Bruksel me “lista veprimesh përshkallëzuese” të Kosovës, Petkoviq anashkalon të vërtetën e ndërhyrjes brutale të Serbisë me bandat dhe institucionet paralele, mirëpo as Sorensen nuk i përgjigjet me të drejtën e Kosovës për sovranitet dhe sundim të ligjit në veri. Një ironi e tillë e “neutralitetit” të Brukselit ka rezultuar në një amplifikim të rrezikshëm të mashtrimit, me potencial shpërthimi. Pra, në qoftë se Serbia nuk ndalet nga Perëndimi, duke ia përplasur në fytyrë trashëgiminë gjenocidale dhe duke ia kujtuar bombat, lufta e saj hibride e stilit të Rusisë në Kaukaz, kërcënon të arrijë sërish pikën e vlimit dhe të zbrazë një valë të re konfliktesh në Ballkan.