Nga Dr. Selim IBRAIMI
Në kohët e trazuara të kësaj dekade, dilema vazhdon të mbetet nëse kombet dhe shtetet do të mund të mbijetojnë në botën e ashpër anarkike, vetëm duke i mbrojtur interesat e tyre pa hyrë në raporte bashkëpunimi. Në vitin 2025, bota po lundron në një peizazh të fragmentuar të shënuar nga ndryshimi i aleancave, rivaliteteve ekonomike, tregtare dhe konflikteve rajonale. Pasi shtetet e fuqishme vendosin për të gjitha çështjet, duke përfshirë paqen, luftërat, ekonominë, tregtinë, etj, atëherë është e pamundshme që të arrihen të gjitha objektivat pa një përshtatje dhe qëndrueshmëri.
Mësimet nga kohët e lashta, janë shembuj të mirë për problemet e sotme. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy mijë vjet nga vdekja e Ksenofonit, (430-350 p.e.s.), publikimet dhe përvoja tij ushtarake, mund të na shërbejnë për dinamikat aktuale gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Përvoja e Ksenofonit, veçanërisht në Anabasis, nxjerr në dritë rëndësinë e ndërtimit të koalicioneve, qëndrueshmërisë dhe përshtatjes. “Nga ana ime, unë mendoj se nëse duam të shpëtojmë, duhet të ndërmarrim veprime vetë… Nëse nuk sigurojmë për veten tonë, kush do ta bëjë? Dhe nëse nuk qëndrojmë së bashku, si mund të presim t’i mposhtim armiqtë tanë? Le të vendosim të ecim përpara me guxim, secili duke bërë maksimumin e tij, sepse nuk ka siguri në tërheqje.” (Anabasis, Libri III, Kapitulli 2, pjesa 16-17, Carleton L. Brownson, 1922).
Përvoja e Ksenofonit në Anabasis nuk është thjesht një histori mbijetese, por një dëshmi e aftësisë për të kthyer disavantazhet në mundësi përmes përshtatshmërisë, aleancave, bisedimeve, diplomacisë etj. Për shembull, tensionet e vazhdueshme midis fuqive të mëdha, të mesme dhe të vogla mbi politikën, tregtinë, burimet natyrore dhe teknologjinë, ju bëjnë jehonë mësimeve të Ksenofonit mbi nevojën për “fleksibilitet strategjik”. Tregimi i tij për udhëheqjen e dhjetë mijëve ushtarëve nëpër territore të huaja dhe armiqësore, nënvizon se si lojtarët më të vegjël, ose fuqitë e mesme, mund të përdorin diplomacinë dhe pragmatizmin për të mbijetuar mes konkurrencës dhe situatave të panjohura. Në kontekstin aktual përsëri e kemi të pamundur mos ta përmendimim luftën në mes Ukrainës dhe Rusisë, ku Kievi edhe pse i mbisunduar nga një fuqi më e madhe ushtarake me një fleskibilitet dhe mbështeteje diplomatike-ushtarake arriti të përballojë pushtimin rus deri në një marrëveshje të mundshme paqësore në mes dy shteteve. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se Ukraina dëshiron të bëjë paqe, por Rusia duhet të vendosë. “Putini dhe Rusia duhet të marrin një vendim: nëse janë seriozë për paqen apo jo”. “Këtë do ta shohim brenda disa javësh, jo muajsh”.
Një deklaratë që ka një ndërlidhje me mësimet e Ksenofonit mbi fleksibilitetin dhe përshtatjen me një realitet të ri. Më tej mund të sjellim si shembull vendosjen e tarifave nga qeveria amerikane ndaj disa shteteve. Shumica e shteteve përveç ruajtjes së interesit kombëtar tregtar, kanë paralajmëruar për vendosjen e tarifave kundër SHBA-së, duke u zotuar se do të veprojnë si të gjitha shtetet, duke filluar nga Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Meksika, Kanadaja, Britania e Madhe etj. Këtu as shtetet e rajonit të Ballkanit nuk kanë qenë jashtë këtij shqetësimi që kërkon adresim dhe përshtatje. Shtetet ballkanike si të gjithë të tjerat, duhet të vendosin nëse tarifat tregtare do të ndikojnë në marrëdhëniet diplomatike- ekonomike me SHBA-në. Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë tarifa më të larta krahasuar me Kosovën dhe Shqipërinë.
Pavarësisht kësaj presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka propozuar qeverisë së Kosovës që të mos aplikojë masa tregtare kundër SHBA-së. Në veçanti, politika e tarifave mund të ndryshojë mënyrën dhe qëndrimin e qeverive në Ballkan ndaj SHBA-në, por jo e nevojshme për të përkeqësuar marrëdhëniet e ngushta diplomatike dhe strategjike me SHBA-në. Ashtu siç tha edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kristijan Mickoski për masat tregtare se kanë qenë në kuadër të parashikimeve dhe nuk janë befasuar, tregon për një përpjekje që qoftë të Shkupit dhe Prishtinës zyrtare që politika e tarifave megjithëse me ndikim të drejtëpërdrejtë të mbetet jashtë interesave afatgjata të këtyre shteteve me SHBA-në. Këto janë shembuj që gjejnë mbështetje në përvojat historike të shteteve, ku si referencë përsëri mund të meren burimet nga lashtësia, mesjeta dhe pse jo nga ngjarjet e shekullit të 20-të. Megjithëse është ende e paqartë se sa dëm do të shkaktojë politika e luftës së tarifave, nuk mund të injorojmë faktin se tregtia dhe ekonomia ballkanike janë të ndërlidhura më shumë me BE-në dhe ndërrajonalisht. Pasi nuk mund të funksionojnë të izoluara, qeveritë do të detyrohen të balancojnë, bashkëpunojnë dhe negociojnë ashtu si dikur grekët duhej të bisedonin me fiset lokale për të ruajtur unitetin dhe bashkëpunimin si një politikë për të përballuar kërcënimet afatgjata që vinin prej Persisë.
Ringjallja e aleancave ushatarake dhe ekonomike qoftë në Ballkan apo në nivel global, në fakt pasqyron theksin mbi “forcën kolektive”. Ndërkohë, luftërat për burime natyrore dhe materiale strategjike të rralla siç është rasti me Grenlandën dhe përpjekjet për një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Kievit, pasqyrojnë po ashtu të njëjtin “determinizëm gjeografik” që na ofron Ksenofoni në “Anabasis” ku hapësira gjeografike dhe burimet sipas tij formojnë fuqinë qoftë ushtarake dhe ekonomike. Një shembull tjetër është Kanadaja, e cila duhet të marrë një qasje për ndërtimin e pavarësisë ekonomike dhe ushtarake. Për ta arritur këtë duhet të bashkëpunojë me vendet e tjera si Meksikën dhe shtetet europiane. Për më shumë, në një realitet euro-ballkanik, ajo që nga mësimet e Ksenofonit do të nxirrnin qeveritë ballkanike, është bashkëpunimi, dhe pavarësia ushatarake e BE-së. Një ushtri europiane dhe një sistem të pavarur financiar janë dy shembuj kryesorë që përpudhen me idetë e Ksenofonit. Kështu Shefja e Bankës Qendrore Europiane, Kristine Lagarde, “bëri thirrje për një alternativë ndaj ‘American Visa’ dhe ‘Mastercard’ në një marshim drejt pavarësisë”. Lundrimi në një ambient kaq të ashpër gjeoekonomik, natyrisht që nuk është i lehtë, por kombet për të mbijetuar, përveç masave për tu vetëmbrojtur dhe interesit kombëtar, duhet t’i përshtatin veprimet e tyre me realitetin. Së fundmi, për sa i përket bashkëpunimit ushtarak, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nënshkruar një marrëveshje që ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit në mes shteteve në kuadër të aleancave ekzistuese. Të njëjtën gjë e kanë propozuar përfaqësuesit e Republika Srpska me idenë që Serbia dhe Hungaria të kundër balancojnë.
Më poshtë janë disa shembuj aktualë të veprimeve të BE-së dhe të qeverive në Ballkan që pasqyrojnë përpjekjet për të ruajtur ekuilibrin në politikën rajonale dhe atë ndërkombëtare. “Plani i Rritjes” i BE-së prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor; SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione ndaj liderit të Republika Srpska Millorad Dodik; NATO- në Kosovë ka rritur praninë e trupave ushtarake; Diplomacia e udhëhequr nga BE-ja në dialogun Serbi-Kosovë ka vazhduar të ndërmjetësojë në mes Beogradit dhe Prishtinës, si përpjekje e vazhdueshme europiane për të shmangur një konflikt të ri në Ballkan. Nga shekulli i kaluar mund t’i nënvizojmë disa marrëveshje si ndarja e Gjermanisë në atë Lindore dhe Perëndimore; Marrëveshja e Dejtonit 1995; Marrëveshja e Ohrit 2001 etj. Shembuj të ngjajshëm me karakteristika që i gjejmë në veprën “Anabasis” të Ksenofonit, por me rëndësi për kohën tonë kemi shumë. Të njëjtat përvoja duhet të mirren në konsideratë nga shtetarët dhe qendrat e vendosjes, si një politikë parandaluese dhe e balancës qoftë në kontekst të Ballkanit, BE-së etj.
Edhe pse luftërat e sotme dhe kërcënimet e së ardhmes janë të ndryshme nga ato të kohëve të lashta, dhe nga ajo që Ksenofoni u përball në Anabasis, shtetet kur përballen me kërcënime, ose luftojnë ose bashkëpunojnë. Për kohën tonë të vështirë, zgjidhja e çështjeve përmes diplomacisë dhe negociatave janë opsionet më të mira për të tejkaluar disavantazhet që vijnë nga faktorë të ndryshëm dhe forca të tjera gjeopolitike.