PROF. DR. ARBEN MALAJ
“Paqja botërore nuk mund të ruhet pa bërë përpjekje krijuese proporcionale me rreziqet që e kërcënojnë”, do të theksonte Robert Schuman, më 9 maj 1950. Më shumë se shtatë dekada pas Luftës së Dytë Botërore, Europa, e njohur për konfliktet e saj të nxitura nga nacionalizmi gjendet sërish në një kryqëzim historik. Projekti i BE-së ka qenë një arritje e jashtëzakonshme, duke siguruar një periudhë të gjatë paqeje dhe prosperiteti në kontinent. BE-ja mbetet edhe sot një aspiratë për 17 shtete, përfshirë Shqipërinë, me një popullsi të konsiderueshme prej 150 milionë banorësh, duke ofruar potencialisht një rritje të madhe të popullsisë së BE-së me rreth 30 për qind. Ky opsion zgjerim vjen në një kohë sfiduese, përballë fuqive globale si Kina dhe BRICS, si dhe pasigurisë së politikave të SHBA-ve ndaj partneritetit transatlantik edhe me vetë BE-në.
Arritjet kryesore historike të BE-së përfshijnë: kontributin më të madh të BE-së, që është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Evropë për mbi 70 vjet, duke shmangur konfliktet e mëparshme shkatërruese. Krijimi i tregut të përbashkët dhe monedhës së përbashkët, euros, që ka nxitur rritjen ekonomike, ka lehtësuar tregtinë dhe investimet midis vendeve anëtare. BE-ja ka luajtur një rol thelbësor në forcimin e demokracisë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore pas rënies së komunizmit. Por aktualisht demokracia është në rënie dhe në rrezik jo vetëm në vendet e Evropës Lindore, për shkak të faktit që rritja varfërisë dhe pabarazisë aq sa 8 individë miliarderë kanë pasuri me shumë se rreth 3.5 miliardë banorë, ka nxitur dhe favorizuar rritjen e forcave të ekstremit të djathtë në jo pak vende të BE-së. BE-ja ka vendosur standarde të larta në mbrojtjen e mjedisit, të drejtat e punëtorëve dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve.
Por rrugëtimi 70-vjeçar i projektit të BE-së përfshin edhe dështime, ku më kryesoret janë: menaxhim i dobët i krizave financiare dhe të borxhit sovran, duke zbuluar dobësi në arkitekturën e saj ekonomike dhe duke testuar solidaritetin midis vendeve anëtare. Fluksi i madh i refugjatëve dhe emigrantëve ka vënë në provë solidaritetin dhe aftësinë e BE-së për të menaxhuar sfidat e përbashkëta, duke shkaktuar tensione politike dhe sociale. Partitë euroskeptike dhe nacionaliste kanë fituar terren në disa vende anëtare, duke sfiduar themelet e projektit evropian dhe duke penguar integrimin e mëtejshëm. Mekanizmat e vendimmarrjes së BE-së shpesh janë shumë të ngadalta mesatarisht rreth 160 ditë, kur shtetet federale apo edhe unike i marrin vendimet në kohë të krizave jo vetëm financiare me shpejtësi të menjëhershme. Kjo dobësi strukturore e BE-së ushqehet nga fakti që BEja edhe pas 70 vitesh nuk arriti të behej një shtet federal, ashtu siç Churchill më 1946 apeloi publikisht për Shtetet e Bashkuara të Evropës (SHBE) njësoj si SHBA–të. BE-ja është një prej gjigantëve ekonomikë, por është një “liliput” në fuqinë e saj globale. Kjo, sepse BE-ja ende nuk ka arritur të veprojë si një entitet i vetëm federal dhe shpesh nuk ka një qëndrim të unifikuar në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke kufizuar fuqinë dhe ndikimin e saj global.
Përballë zhvillimeve aktuale gjeostrategjike dhe politike, BE-ja do të duhet të përgatitet për përballje jo të lehta në arenën e konkurrencës globale. Konflikti në Ukrainë ka rikthyer luftën konvencionale në Evropë, duke sfiduar arkitekturën e sigurisë evropiane dhe duke kërkuar unitet të vazhdueshëm në mbështetjen e Ukrainës dhe sanksionimin e Rusisë. Evropa ka kohë që këshillohet që nga “Soft power”, që është kryesisht diplomacia, duhet të investonte për “smart power”, që sipas profesorit të Harvardit, Nye, kuptonte domosdoshmërinë dhe dobishmërinë për vetë Evropën, të investonte më shumë në “hard power”, që nënkupton fuqinë ushtarake. Rritja e Kinës si një fuqi globale paraqet sfida dhe mundësi komplekse për BE-në në fusha si tregtia, teknologjia dhe politika ndërkombëtare, duke kërkuar një ekuilibër delikat midis bashkëpunimit dhe konkurrencës.
Konfliktet dhe paqëndrueshmëria në rajonet fqinje të Evropës mund të shkaktojnë flukse migratore dhe kërcënime të sigurisë, duke kërkuar një qasje të koordinuar. Sfidat ambientaliste kërkojnë veprime të koordinuara deri në nivel global. BE-në që duhet të mbetet lidere në tranzicionin e gjelbër, por duke mos dëmtuar konkurrencën e saj globale. Tranzicioni digjital kërkon rregullim dhe investime të duhura për të siguruar një ekonomi dhe shoqëri të drejtë dhe të sigurt. BE-ja është shumë e prapambetur në konkurrencën në ekonominë e dijes dhe inteligjencën artificiale. BE-ja posedon sot vetëm rreth 2 për qind të patentave në fushën e IA. Kjo kryesisht për shkak të rregullimit të tepruar dhe të paharmonizuar dhe balancuar në nivelin global. Kjo kambanë duhet të lë pa gjumë çdo politikëbërës të vendeve dhe institucioneve të BE-së, por edhe të Ballkanit Perëndimor. Përhapja e dezinformimit dhe përpjekjet për të ndërhyrë në proceset demokratike janë kërcënime serioze për stabilitetin dhe vlerat e BE-së. Në një sistem ndërkombëtar të bazuar në rregulla, BE-ja duhet të mbrojë dhe forcojë bashkëpunimin multilateral.
Përballë këtyre sfidave, uniteti i shteteve anëtare të BE-së duhet të përkthehet në veprime konkrete dhe solidaritet aktiv. Synimi për një zë të vetëm dhe efektiv në skenën ndërkombëtare në politikën e jashtme dhe të sigurisë është imediat. Forcimi i kapaciteteve në mbrojtje, energji, teknologji dhe zinxhirët e furnizimit duhet të ketë mbështetje unike brenda BE-së. BE duhet të angazhohet për garantimin e sigurisë së kontinentit dhe forcimin e rolit të saj brenda NATO-s. Investime strategjike në teknologji të gjelbër, digjitale dhe thellimi i integrimit të tregut të brendshëm. BE-ja duhet të përballet me risqet e dezinformimit dhe kostot e tij në dobësimin e demokracisë, ekonomisë dhe keqpërdorimit për përfitime gjeostrategjike dhe gjeopolitike abuzive nga vendet armiqësore me demokracitë perëndimore. BE-ja duhet të përkushtohet për ndërtimin e koalicioneve të forta për të mbrojtur vlerat e përbashkëta. Ajo duhet të eliminojë vonesat në reformat kritike, në reduktimin e deficitit demokratik dhe të ketë rritjen e produktivitetit konkurrues, prioritet të prioriteve. Jo vetëm për të mbijetuar, por për t’u bërë një fuqi globale bashkëpunuese dhe imponuese nëpërmjet fuqisë së saj konkurruese në demokraci dhe ekonomi.
Përmirësimi i efikasitetit të vendimmarrjes në institucionet e BE-së është fillimi fundit të shumicave bllokuese e abuzuese. Pasiviteti rrezikon ta zvogëlojë ndikimin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Evropës, prandaj ajo duhet të zgjohet, të forcojë unitetin, autonominë strategjike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare. BE-ja duhet të përkushtohet që të mbrojë vlerat e saj edhe në një botë gjithnjë e më të pasigurt dhe konkurruese. Është përgjegjësia e popujve evropian dhe liderëve të tyre të sigurojnë që projekti evropian të vazhdojë të jetë një burim shprese dhe prosperiteti për brezat e ardhshëm. Për ketë apelonte Churchill kur thekson se, “Edhe nga rrënojat më të mëdha, shpirti njerëzor mund të ngrihet për të ndërtuar një botë më të mirë. E ardhmja e Evropës varet nga guximi dhe vendosmëria jonë”./Gazeta Panorama