Në hyrje, para Shtëpisë së Bardhë, gjatë përshëndetjes mes Fridrih Mercit dhe Donald Trumpit të enjten bota pa drejtpërdrejt një përballje të shkurtër atipike. Në këtë përballje – në të cilën kancelari nuk e lejoi veten të frikësohej nga presidenti amerikan.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Dje bota ishte me sy nga Shtëpia e Bardhë. Në Zyrën Ovale përballë Donald Trump-it pritej të vinte kancelari gjerman Fridrih Merc. Objektivat e kamerave nga e gjithë bota ishin aty, komentatorët më profesional ndërkaq nga studiot televizive po përcollnin konferencën atipike për shtyp, pa lënë anash edhe komentimin e vizitës.
Kishte komentator europian që këtë përballje që në start e cilësuan si një “lojë e shkurtër pushteti mes Mercit dhe Trumpit”! Kur kancelari mbërriti në Shtëpinë e Bardhë me limuzinën e tij të enjten, pasoi një përballje e shkurtër mes tij dhe Presidentit të SHBA. Trump priti kancelarin për herë të parë që kur dy krerët e shteteve morën detyrën në Uashington.
Kamerat ndiqnin çdo lëvizje. Edhe shtrëngimin e duarve para Shtëpisë së Bardhë, me ç’rast Trumpi përpiqet të frikësojë Merc-in, por ai megjithatë qëndron në këmbë.
Demonstrimi i fuqisë me “Trumpshake”
Vizita inauguruese e Kancelarit Friedrich Merz e pritur me padurim te presidenti amerikan Trump megjithë pritjet nga dashkëqinjtë e marrëdhënieve transatlantike, përfundoi pa prodhuar farë skandali të madh.
E përjavshmja politike gjermane FOCUS kështu e përshkruan këtë moment:
Në përshëndetje, Presidenti u përpoq të demonstronte fuqinë e tij në mënyrën e vërtetë të Trump. Ai shtrëngoi duart fort dhe tërhoqi dorën e Merzit drejt tij. Por kancelari reagoi rrufeshëm dhe kopjoi lëvizjen, duke buzëqeshur miqësisht. Një barazim. Presidenti i SHBA-së nuk arriti ta largonte Merz-in nga rruga me “Trumpshake”.
Termi përshkruan një shtrëngim duarsh energjik dhe të fuqishëm, i bërë i famshëm nga Trump. 78-vjeçari e përdor rregullisht për të frikësuar homologun e tij. Një shembull i njohur është shtrëngimi i duarve me kryeministrin japonez Shinzo Abe në shkurt 2017 – zgjati 19 sekonda dhe Abe u shfaq dukshëm i lehtësuar kur krahu i tij ishte sërish i lirë.
Ngadhnjeu tradita gjermane e diplomacisë së matur
Kancelari gjerman duket se ishte i pregaditur mirë; pati raste kur e lajkatoi Trumpin dhe megjithatë shprehu qartë mendimin e tij. Në situata të tensionuara, ai diti të shmangej ose të përmbahej. Ndërkaq presidenti i SHBA-ve para kamerave mori pjesën më të madhe të kohës, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga më të ndryshmet, duke shijuar shqeto shfaqjen para kamerave.
Sjellja e Fridrich Merc para Shtëpisë së Bardhë ishte e papërkulshme, dinjitoze, por e kujdesshme. Si e tillë ajo dëshmon disa shtresa thelbësore të karakterit dhe strategjisë diplomatike gjermane, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve transatlantike dhe balancimin e fuqisë ndërkombëtare. Kjo qasje nuk është e rastësishme. Ajo pasqyron para së gjithash traditën gjermane të diplomacisë së matur.
Gjermania, si fuqi qendrore e Europës, shmang konfrontimin e drejtpërdrejtë, por nuk hutohet nga presioni. Merci u shfaq si:
- I papërkulur në parimet (duke reflektuar qëndrimin e Gjermanisë për sovranitetin evropian dhe multilateralizmin).
- Dinjitoz në formë (respektues ndaj partnerëve, por jo nënshtrues).
- I kujdesshëm në lëvizje (duke evituar provokimet e panevojshme, por pa braktisur interesat strategjike).
Një mesazh për SHBA-të: “Partneritet, jo nënshtrim”
Përballja e kancelarit gjerman Fridrih Merc me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk është thjesht një takim diplomatik, por një sinjal i fortë i rikthimit të Gjermanisë si fuqi diplomate globale dhe një konfirmim i pozicionit të saj si kryesuese e vërtetë e Europës në prologun e një Rendi të Ri Botëror.
Kjo vizitë kishte për qëllim të dëshmoi se Gjermania dëshiron të ruajë aleancën me SHBA-në, por jo me çdo çmim. Ajo nuk pranon ultimatat që kundërshtojnë interesat e BE-së (p.sh., kërkesat për t’u shkëputur nga Kina ose Rusia pa nuanca).
Gjermania tashmë qartë insiston në vendimmarrje të pavarura evropiane (sipas modelit të “sovranitetit strategjik” të promovuar nga Berlini.
Por a mund të thuhet se vizita ishte plotësisht e sukseshme. Sigurisht se jo. Një kënvështrim më realist do t’na shpërfaqte anët nën hije të takimit. Kancelari gjerman donte ta bindte Trumpin që të vendoste sanksione kundër Rusisë. Kjo duket se nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Merci donte që Trumpi të etiketonte Rusinë si agresore në luftën e Ukrainës. Dështoi.
Ky dështim de fakto kishte ndodhur para se Merci të shkelte në Zyrën Ovale. Ai kishte zënë fill që në vitin 2014, kur BE-ja kishte dëshmuar se i mungon agjenda gjeopolitike për Ukrainën. Ndërkaq mungesa e kësaj agjende vërehet edhe sot: Merci-ja nuk mund ta shmang faktin që nuk do të ketë kurrë një strategji të unifikuar të BE-së për Ukrainën, siç nuk pati e nuk ka as për Kosovën!
Megjithatë, ky stad i zhvillimeve në marrëdhëniet transatlantike është reflektim i pastër i pragmatizmit të Gjermanisë. Fridrih Merc nuk u shfaq si rebel (si më heret Makron kur fliste për “vdekjen cerebrale të NATO-s”), por as si ndjekës i verbër i SHBA-së.
Kjo qasje tejet pragmatiste tregon dy anët e medaljeve në raportet mes partnerëve: një balancë midis bashkëpunimit dhe autonomisë – Gjermania do të luftojë për interesat e saj, por pa cënuar lidhjet me SHBA-të.
Kjo qasje mund të shihet një kundërshtim i heshtur ndaj unipolaritetit amerikan, duke promovuar një botë me shumë pole fuqie (BE, SHBA, Kina, Rusia).
Pozicioni i Gjermanisë në “Rendin e Ri Botëror”
Bota po lëviz drejt një sistemi me shumë pole (SHBA, Kina, BE, Rusia, Indi). Në këtë kontekst, Gjermania po pozicionohet si:
- Udhëheqëse e BE-së: Koordinon përgjigjen e Europës ndaj luftës në Ukrainë dhe krizave ekonomike.
- Digë e balancimit: Nuk bie në linjë me SHBA-në kundër Kinës, por nuk toleron agresionin rus.
- Forca industriale dhe teknologjike: Investon masivisht në energji të gjelbër, AI, dhe prodhim baterish për të reduktuar varësinë nga SHBA/Kina.
Nëse SHBA-ja e Trumpit bëhet më izolacioniste, Gjermania do të jetë një nga fuqitë që do ta mbajë Europën më të qëndrueshme.
Përfundime
Përqasja e Gjermanisë në raportet transatlantike dëshmon se kemi të bëjmë me një Komb të vjetër që di të luajë lojn në plane afatgjata.
Në një botë të zhytur në trazira, Gjermania po dëshiron të jetë një nga arkitektët e paqes, jo thjesht një vëzhgues.
Sjellja e Mercit nuk ishte impulsive, por e llogaritur; ajo është reflektim I fuqisë së një Kombi që nuk hutohet nga retorika, por vepron bazuar në interesat e gjata.
Por ajo që kalon kufijtë e përfaqësimit nacional, Gjermania edhe përmes këtij përfaqësimi dinjitoz sinjalizon një Europë më të pavarur, edhe nëse jo plotësisht të shkëputur nga SHBA. Ndërkaq aktualisht paralajmron se Gjermania nuk do të bëhet “vasal”, as i Amerikës, as i Rusisë, as i Kinës.
Takimi Merc-Trump nuk ishte thjesht foto-op, por një shprehje e reflektimeve në raportet transatlantike me tone më të qarta:
- Gjermania nuk është më ajo që ishte para agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës– ajo po kërkon ndikim global.
- Europa nuk do të lihet në mëshirën e SHBA-së ose Rusisë– ajo do të ketë zërin e vet.
- Rendi i Ri Botëror do të kërkojë më shumë Gjermani, më pak Amerikë të izoluar.