Nga Dr. Jorgji KOTE
Në këto 10 vitet e fundit Shqipëria e ka rritur ndjeshëm rolin e saj aktiv në skenën ndërkombëtare, duke forcuar imazhin dhe duke pasuruar përvojën diplomatike. Kryesimi për herë të parë i OSBE-së në vitin 2020, zgjedhja anëtar jo i përhershëm i KS të OKB-së (2022 – 2023) mikpritja në dy vitet e fundit i 4 samiteve europiane të zhvilluara në Tiranë mbi Paktin e BEsë për rritjen ekonomike të rajonit, Procesit të Berlinit dhe mbështetjes së Ukrainës, kryesimi këtë vit i tri nismave të rëndësishme rajonale, disa vizita të shtetarëve më të lartë të huaj dhe së fundi, çelja e negociatave të anëtarësimit në BE për grup-kapitujt e parë dhe të pestë më 15 tetor dhe 17 dhjetor janë dëshmi madhore bindëse të këtij realiteti pozitiv.
Prania jonë aktive në këto dhe forume të tjera të larta ka rëndësi për imazhin tonë diplomatik, për të shtuar përvojën me dosje të ndryshme dhe zgjerimin e kontakteve diplomatike. Padyshim që në këtë drejtim kanë meritën edhe qeveritë e mëparshme, se në diplomaci asgjë nuk realizohet brenda natës apo vitit, çdo arritje është produkt i demarsheve të shumta diplomatike për vite dhe dekada me radhë.
Megjithatë, sërish kjo nuk mjafton që të jesh apo të quhesh “aktor, ca më pak i rëndësishëm gjeopolitik”. Dihet se për realizimin e pikësynimeve strategjike, kjo e fundit kërkon burime dhe nivele të larta të forcës politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, madhësinë gjeografike, demokracinë, stabilitetin politik dhe institucional, të cilat ne nuk i kemi as tani dhe as në një të ardhme të afërt.
Ja pse, për të qenë realistë, veç mesazheve kryesisht simbolike jo pa rëndësi në këto forume, nuk është se kemi luajtur ndonjë rol të qenësishëm; thjesht kemi bërë detyrën që na takon si pjesëtarë të tyre. Aq e vërtetë është kjo sa dhe sikur çdo vit të ishim në këto forume, apo dhe në krye të OKB-së, sërish nuk do të ishim aktorë, se siç thamë edhe më lart, nuk kemi këllqet dhe besueshmërinë e duhur politike.
Vërtet që në funksion të kësaj gjeopolitike, vitet e fundit kemi “importuar” muxhahedinë, afganë dhe tani pritet të strehojmë deri 3000 refugjatë në muaj që do të dërgohen nga Italia në Gjadër. Lajme që kanë pushtuar faqet e para të medias ndërkombëtare. Por, prapë dhe ato nuk na bëjnë dot aktorë. Në morinë dhe vëllimin e pafund të problematikave përkatëse, ato janë thjesht “një pikë uji në oqean”.
Nga ana tjetër, pse të mos e themi se këto raste dhe veprimtari gjeopolitike janë tejet joshëse për komoditetin dhe imazhin e liderëve tanë – udhëtime, vizita, dreka e darka, foto familjare, fjalë të bukura, pa asnjë qeder, me batuta dhe fabula të përsëritura që thjesht i relaksojnë dëgjuesit. As organizimi i tyre, veç fondeve të majme, nuk u kushton ndonjë gjë të madhe dhe është shumë më lehtë se sa problemet dhe telashet e brendshme politike e sidomos ekonomike dhe sociale.
Ja, në maj të vitit të ardhshëm, Kryeministri Rama ka ftuar në Tiranë 45 homologët e tij në Samitin e Komunitetit Politik Europian. Ky i fundit, një komunitet pa adresë, pa seli, pa instanca drejtuese, pa agjendë, me takime të lirshme mes tyre, “talk and eating”, siç i thonë, një drekë, fotot familjare dhe ca batuta si zakonisht. Por sa imazh dhe jehonë mund të ketë samitit i tij brenda vendit për qeverinë dhe Ramën, ca më tepër vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve të reja parlamentare, gjithë vëmendja do të jetë atje dhe jo te zgjedhjet. Ndaj, është e vështirë të kuptohet se si do ta pranojnë liderët europianë ftesën për një datë të tillë problematike për vendin tonë. Ndaj më shumë besohet se atë ditë ata do të parapëlqejnë ta kalojnë në Bruksel, Strasburg dhe kryeqytetet e tyre, duke festuar ditën e Europës; ca më tepër, se pret puna për Tiranën dhe Samitin shëtitës të KPEsë!
Ndërkaq, ndoshta harrohet se edhe vendet e tjera, sidomos ato më të mëdha dhe më të fuqishme se ne në çdo aspekt bëjnë gjeopolitikë, por ato janë “pesha të rënda” strategjike dhe kryesorja i kanë vënë me kohë punët e tyre themelore në vijë. E kundërta ngjet me ne, kur spektaklet dhe simbolet e natyrës gjeopolitike “i shesin” do thënë mjeshtërisht si pjesë të një loje demek të madhe strategjike, veçse pa zgjidhur dhe duke lënë në hije apo mbas dore problemet e shumta të brendshme, krizat, aferat dhe skandalet ulëritëse. Apo mjaftohemi me superreklamimin e arritjeve në fushën e turizmit, ndonëse dhe ky “low cost”, të ndërtimeve gjigande, modernizimit të infrastrukturës në arteriet kryesore, aeroporte etj.. Pa mohuar rëndësinë e tyre jetike, sërish dhe ato duhen parë bashkë me dritëhijet e tyre; si kostoja e tyre tejet e lartë, pasojë e aferave korruptive dhe ndikimi në mjedis, duke cenuar zhvillimin tonë të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Për këto dhe të tjera arsye, sado suksese të ketë gjeopolitika e një shteti, kur ajo nuk pasqyrohet në përmirësimin e qeverisjes së vendit, atëherë ajo kthehet në një luks që pakkujt i hyn në punë! Përvoja ndërkombëtare dëshmon se me gjithë rëndësinë e tyre, këtë mirëqeverisje nuk e garanton diplomacia dhe gjeopolitika, as samitet dhe arritjet në këto fusha. Ato ndihmojnë për ta përmirësuar qeverisjen dhe në përgjithësi zgjidhjen e tematikave të ndryshme, shmangien e pasojave negative nga krizat, konfliktet, luftërat etj.. Ndaj ish-Kryeministri emblematik britanik, William H. Gladstone thoshte se “parimi i parë i politikës së jashtme është mirëqeverisja brenda vendit”.
Kjo qeverisje e mirë dhe funksionale arrihet duke përmirësuar në vazhdimësi treguesit ekonomikë, financiarë dhe socialë, të konfirmuara nga Banka Botërore, BE-ja dhe agjencitë e njohura ndërkombëtare.
Mirëpo, po t’i hedhësh qoftë dhe një vështrim kalimthi këtyre treguesve, bindesh lehtë se këtu politikës sonë i “ka ngecur sharra në gozhdë”! Ato janë në një kontrast të thellë me sukseset tona gjeopolitike. Mjafton të ndiqni emisionet investigative “ Fiks Fare” dhe “Stop” dhe do të shihni se si bashkitë tona nuk janë në gjendje apo vuajnë shumë për të mbushur dhe për të shtruar një rrugë të shkurtër fshati, për të sqaruar një çështje administrative, për pastrimin e mjedisit, sistemimin e ujërave të zeza, për të zgjidhur hallet e të moshuarve, menaxhimin e plehrave, etj.. Mosqeverisja efektive, e përfshirë nga skandalet shihet kudo, në fshat dhe në qytet. Më konkretisht, me gjithë rritjen e tyre, sipas revistës së specializuar “Monitor”, paga mesatare te ne është sa 30 për qind e mesatares rajonale, ndërsa në sektorin e tekstileve pagat janë 10 herë më të vogla se në Europë.
Gjithë zhurma dhe buja propagandistike qeveritare për rritjen e pensioneve gjatë këtij viti përfundoi me indeksimin rutinor 4 për qind dhe bonusin e fund vitit!
Lidhur me ndihmën sociale, sipas Bankës Botërore, Shqipëria renditet në tri vendet e fundit në Europë; ajo plotëson vetëm 20 për qind të nevojave të qytetarit!
Sa i takon shëndetësisë, sipas OBSH-së, Shqipëria zë vendin e fundit në Europë me vetëm 12 mjekë për 10.000 banorë! Askund nuk ndodh që të mbeten 400 paciente me tumor në mëshirë të fatit, sepse mungojnë aparaturat përkatëse.
Më tej, të dhënat e fundit të Eurostat nxjerrin në pah dallime të mëdha mes nesh dhe vendeve të tjera lidhur me strukturën dhe dinamikën e çmimeve të artikujve ushqimorë, ku ne i kemi më të lartat në rajon. Veç mishit dhe peshkut, i jemi afruar shumë BE-së dhe për çmimet e vezëve, qumështit dhe djathit me 97 për qind të mesatares së saj! Ndërkohë, sipas Eurostatit, Shqipëria renditet e dyta në Europë për çmimet më të larta të energjisë elektrike për familjarët.
Ekonomia informale është mbi 50 për qind, nga 25 dhe 40 për qind 2007 dhe 2015 dhe nga 32 për qind që është mesatarja e ekonomisë informale në 158 vende në botë!
Mungesa e mirëqeverisjes shfaqet dhe në nivelin e lartë të papunësisë, sidomos te të rinjtë, zyrtarisht me 20 për qind, por që realisht mund të jetë dy herë më e lartë! Vërtet që ka dhe vende të BE-së, të cilat kanë nivel të lartë papunësie, por ndryshe nga ne, ato kanë leva dhe mekanizma që i zbusin ndjeshëm efektet e papunësisë.
Këto dhe faktorë të tjerë kanë ushtruar ndikim të madh në vazhdimin e prirjeve të emigracionit të paligjshëm. Raporti më i fundit i OKB-së tregon se në 30 vitet e fundit janë larguar nga vendi ynë 1,2 milionë veta, shumica dërmuese këto 10–15 vitet e fundit, shifër rekord, duke u renditur në vendet e para në botë. Dhe, ndryshe nga vendet e tjera, shumica dërmuese e shqiptarëve kanë shkuar për azil të paligjshëm edhe me fëmijë, në pamundësi për të jetuar në vendin tonë; jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe për shumë arsye të tjera të njohura. Për pasojë, në renditjen botërore, na e kalojnë vetëm Siria, Libia, Iraku dhe vende të tjera që dihet se janë në gjendje lufte, ndërsa ne kemi çelur negociatat e anëtarësimit në BE!
Ca më keq akoma, në parashikimet e saj më të fundit, “The Economist” tregon se në 3 dekadat e ardhshme, pas Bosnjës me 37 për qind, ritmin më të lartë të tkurrjes së popullsisë pritet ta ketë vendi ynë me 26 për qind! Duke ia kaluar dhe Kosovës me 11 për qind, ndërsa Mali i Zi vetëm me 3 për qind!
Duke parë këta tregues, shihet qartë dhe kontrasti i fortë midis vlerësimeve që liderët e SHBA-ve dhe të BE-së bëjnë kur vijnë në Tiranë ndaj vendit dhe drejtuesve tanë më të lartë. Ky kontrast bie dhe më shumë në sy kur i krahason ato me dokumentet e tyre zyrtare, veçanërisht Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Progres Raportet e BE-së, me plot vërejtje, kritika, qortime dhe detyra.
Është pikërisht ky kontrast që nxjerr më shumë në pah hendekun e madh midis suksesit tonë gjeopolitik me performancën e dobët të brendshme, me arritje, por edhe shumë dështime, sidomos kur vjen puna te krimi i organizuar dhe korrupsioni, dy të këqijat më të mëdha, të cilat kompromentojnë dhe arritjet e pamohueshme!
Dëgjohet shpesh pohimi justifikues se dhe jashtë ka krim dhe korrupsion. Po, por atje krimi dhe korrupsioni i çdo lloji ndëshkohet ashpër dhe nuk bëhet fjalë që bartësit e tij të hynë në Kuvend dhe në pushtetin lokal, si te ne! Bërtasim me të madhe se reformën tonë në drejtësi nuk e kanë bërë as vende anëtare të BE-së; mirëpo harrojmë se askund në BE nuk ka pasur e as nuk ka një vend tjetër me një shkallë aq të madhe krimi dhe korrupsioni!
Përfundimisht, le ta ritheksojmë se po, ka arritje dhe ka akoma më shumë vend për të qenë shumë më aktivë në skenën ndërkombëtare. Veç kjo larg gjigandomanisë, zhurmës dhe bujës propagandistike dhe manive të tjera populiste për t’u dukur; politika jonë e jashtme dhe diplomacia të jenë me këmbë në tokë, jo të shërbejnë si gjethe fiku apo kopertinë për dështimet e brendshme dhe për forcimin e pushtetit në dëm të parimeve dhe vlerave demokratike, por të ndihmojnë dhe kontribuojnë për një nivel me dinjitoz jetese, për siguri, për reforma europiane, për imazh, për pensione të mjaftueshme, për pastrimin nga krimi dhe korrupsioni, për shtetin e së drejtës dhe për përshpejtimin e anëtarësimit në BE. Vetëm kështu, Shqipëria do të ketë imazhin e saj të vërtetë dhe të besueshëm brenda vendit e për rrjedhojë dhe jashtë tij. Le ta mbyllim shkrimin me thënien e famshme të Hubert H.Humphrey se, “politika e jashtme nuk është gjë tjetër, por politikë e brendshme me kapele”. [Gazeta Panorama]