Prania digjitale e Kinës në Serbi ka hapur një betejë midis SHBA dhe Kinës mbi kontrollin e rrjeteve globale dhe rajonale të fibrës optike. Në fakt, kjo mund të konsiderohet si një pushtim digjital i infrastrukturës kritike në Serbi, në Ballkan dhe në zonat tjera të rivalitetit.
Shkruan: Selim Ibraimi
Tetovë, 7 gusht – Maqedonia e Veriut (MV) ka ndërmarrë disa nisma për të digjitalizuar institucionet si veprim që duhet bërë para hyrjes në BE. Përderisa reformat janë të rëndësishme, digjitalizimi i infrastrukturës kritike është shumë vështirë të bëhet nga vetë MV, për arsye të mungesës së teknologjive dhe kapaciteteve njerëzore për ta përmbyllur këtë ndërmarrje sfiduese. Pasi vendet e Ballkanit e kanë të vështirë ta përmbyllin këtë proces, mund të ndodhë që qeveritë të bien në grackën e fuqive të jashtme, të politikave ekspansioniste shtetërore drejt Ballkanit Perëndimor.
Dy fuqitë SHBA dhe Kina kanë hyrë thellë në Evropën Juglindore me mjete të diplomacisë së butë dhe në disa fusha me kapital të konsiderueshëm për të pushtuar disa pjesë të infrastrukturës kritike. SHBA tre vitet e fundit ka zhvilluar një fushatë të madhe në Ballkanin Perëndimor kundër hyrjes së Kinës në infrastrukturën kritike të shteteve. Më e prekur këtu nga ndikimi kinez është Serbia, e cila me vetë dëshirë ka nënshkruar disa marrëveshje me palën kineze.
“Huawei” kinez tashmë ka zënë një hapësirë të konsiderueshme në institucionet e shtetit serb, duke e bërë të varur plotësisht Serbinë nga produktet teknologjike dhe politika e ndikimit kinez. Prania digjitale e Kinës në Serbi ka hapur një betejë midis SHBA dhe Kinës mbi kontrollin e rrjeteve globale dhe rajonale të fibrës optike. Në fakt, kjo mund të konsiderohet si një pushtim digjital i infrastrukturës kritike në Serbi, në Ballkan dhe në zonat tjera të rivalitetit. Përderisa SHBA ka zhvilluar dhe vazhdon të ushtrojë presion mbi disa shtete të Ballkanit Perëndimor, Evropës Lindore dhe Qendrore për të përjashtuar “Huawei”-in nga frika e dominimit të rrjeteve globale dhe të spiunazhit, Kina nga ana tjetër me “Rrugën e Mëndafshit” dhe teknologjitë si “Huawei” është stacionuar fortë dhe ka hyrë në rrjetin telefonik të shteteve të rajonit, duke mos i përjashtuar kabllot nënujore që transmetojnë pothuajse të gjitha të dhënat e duhura për qeveritë, agjencitë e spiunazhit dhe të kundërzbulimit.
Në botën moderne mbi 380 kabllo aktive me fibra optike lidhin botën dhe bëjnë të mundur qarkullimin e informacionit dhe mesazheve. Përderisa SHBA kontrollon Atlantikun dhe Paqësorin, siguria e tyre është e garantuar, megjithatë politikat e qeverisë së Kinës i kanë vënë SHBA dhe aleatët e NATO-s para sprovave të reja. Prania kineze në Greqi, Serbi dhe Mal të Zi, sipas të gjitha gjasave do të jetë sfiduese për SHBA të mbajë nën kontroll vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm me “fuqinë e butë”.
Historikisht vendosja nën detare e kabllove të para daton që nga viti 1850, e zhvilluar më vonë me vendosjen e fibrave optike për një lidhje më të sigurt dhe të shpejtë në mes Evropës dhe Amerikës Veriore. Në epokën globale të digjitalizimit, komunikimi i të gjitha formave luan kryesorë në përparësitë dhe dobësitë e shteteve. Gjeopolitika e digjitalizimit sa është tërheqëse po aq ka disa sfida përpara, pasi shtetet që arrijnë të sigurojë dhe kontrollojë informacionin global, njëkohësisht janë në gjendje të kenë rol qendror në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pa një sistem të mirë të siguruar të ekonomisë dhe financave, informacioni digjital rrezikon që të keqpërdoret nga shtetet rivale. Një ndër sfidat tradicionale të sigurisë janë politika e burimeve, ndryshimet klimatike dhe politika e Fuqive të Mëdha në shkallë globale dhe rajonale.
Nuk duhet lënë anësh edhe “Rrjetin” 5-G, sepse është pjesë aktive e infrastrukturës kritike ashtu njëjtë si tubacionet e gazit natyrorë dhe burimet e naftës. Te tre pikat kritike janë në fokus të konkurrencës gjeopolitike në rritje edhe atë në disa shtete të Evropës. BE dhe Ballkani kanë disa ambicie të mëdha se mund ta bëjnë digjitalizimin pa ndërhyrjet e jashtme. Mirëpo as BE dhe as qeveritë e Ballkanit nuk kanë ndonjë strategji që ofron mbrojtje nga sulmet e jashtme, pasi mjetet teknologjike sigurohen nga Kina dhe shtetet që paraqesin konkurrencë për SHBA dhe aleatët. Në qoftë se BE nuk ka një strategji se si t’ia bëjë me gjeopolitikën e digjitalizimit, atëherë është ende më vështirë për shtetet e rajonit t’i hyjnë kësaj nisme. Digjitalizimi në të ardhmen e afërt do t’i ndryshojë pothuajse marrëdhëniet midis qeverive dhe kombeve. Konkurrenca digjitale ka gjasa të sjellë ndarje të reja, të forcojë emocionet për rritjen e nacionalizmit në rajon dhe duke zgjidhë figura politike ashtu siç dëshirojnë fuqitë e huaja. Pasi fuqia gjeopolitike e shteteve të vogla është e pallogaritshme për shtetet që kanë fuqinë e vetos, shtetet kombëtare do të ndryshojnë, pasi vetë digjitalizimi do t’i shtyjë shtetet e pastra kombëtare drejt një kompromisi me shtetet më të forta ushtarakisht dhe që janë lidere në fushën digjitale.
Digjitalizimi i sektorëve në dekadën që kemi hyrë gjithnjë e më shumë do të jetë pjesë e gjeopolitikës. Rasti më konkret është nevoja e serbëve të Bosnjës, atyre në veri të Kosovës dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut apo qoftë edhe Shqipërisë, që në të ardhmen me unionin e ri (Open Balkan), procesi i digjitalizimit të sektorëve kritikë të bëhet nga Serbia e cila ka një mbështetje ruso-kineze në këto sektorë.
Një botë e tillë do të duket krejt ndryshe nga ajo që e shohim sot me fqinjët dhe të tjerët. Forma digjitale e funksionimit të shtetit dhe institucioneve do të jetë mënyra më e lehtë e pushtimeve ekonomike, financiare dhe ndikimeve politike në Ballkan. Konfliktet në rajonin tonë gjithashtu do të ndryshojnë në të ardhmen dhe nuk do të jenë si dikur, sepse beteja do të kalojë në fushën virtuale me hakerë që do të sulmojnë rrjetet e infrastrukturës kritike të vendeve që do të jenë vasale si p.sh. ndaj SHBA-së, Rusisë, Kinës, Serbisë apo edhe Turqisë. Transformimi i drejtimit të shtetit në botën digjitale do të jetë tepër i ndërlikuar për qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe atyre në zhvillim. Nga veprimet e fundit në mes Serbisë dhe Kinës dhe nga ana tjetër të SHBA, mund të nënvizojmë se epoka e digjitalizimit do t’i mprehë edhe më shumë aktorët tradicional gjeopolitik në Ballkan, pa i lënë anësh këtu edhe nismat e fuqishme kineze.