Gjeneral Piro Ahmetaj
Sytë dhe vëmendja e kancelarive, institucioneve, instituteve, medias si dhe ekspertëve të sigurisë strategjike janë drejtuar në Damasku, ku në fundajavën që lamë forcat rebele të njohura si Hayat Tahrir al-Sham, festuan rrëzimin e regjimit ose dinastisë së familjes Al-Assad, që 50 vjet ka sunduar me barbari Sirinë.
Në statusin e ekpertit për çështjet e Sigurisë Kombetare, Rajonit dhe NATO-s, në vijim po paraqes një përmbledhje strategjike, mbi të kaluarën, realitetin dhe sfidat e së ardhmërisë së Sirisë, vendit që mban peshë kritike në Lindjes së Mesme si dhe rrafshin global:
Kush është Bashar Al-Assadi, një nga liderët më të diskutuar dhe më të kontestuar të Lindjes së Mesme, i cili është këto ditë në Top-lajmet e TV dhe mediave ndërkombëtare? Çfarë ka qenë ai dhe dinastia e familjes së tij në gati 50 vitet e fundit? Çfarë roli ka luajtur Siria në Lindjen e Mesme? Cilat kanë qenë marrëdhëniet e regjimit të Assadit me SHBA, Kinën dhe Rusinë si dhe me vendet e rajonit? Po marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore, politike dhe fetare në vend? Çfarë përfaqësojnë grupet rebele dhe kush janë interesat dhe ideologjitë e tyre? Cila është e ardhmja e Sirisë në këtë udhëkryq të historisë së saj?
Kush është Bashar Al-Assad? Lindur në vitin 1965 në Damask, kryeqytetin e Sirisë, sot 59 vjeç, pas vdekjes së babait të tij, Hafez al-Assad, në vitin 2000, Bashar Al-Assadi mori drejtimin e Sirisë, duke u bërë president. Para se të futet në politikë, ai kishte një karrierë mjekësore dhe ishte i panjohur për shumicën e botës si një lider politik. Shumë shpresonin që Assadi do të sillte një frymë reformiste, por ai shpejt dëshmoi se do të ndiqte një politikë të ngjashme me atë të babait të tij, duke forcuar kontrollin e (gjithë) pushtetit si dhe duke trajtuar si fasade ose duke shtypur opozitën. Ai ka qenë në pushtet për më shumë se dy dekada dhe ka kaluar përmes krizash të mëdha, përfshirë luftën civile që ka shkatërruar vendin me pasoja të rënda për të gjithë rajonin. Ndërkohë që shumë analistë, sidomos perëndimorë, e shohin atë si një tiran që ka shtypur popullin sirian me një regjim të dhunshëm, disa të tjerë e kanë konsideruar si një lider që ka mbajtur stabilitetin në një rajon të përfshirë nga luftërat dhe tensionet???
Pushteti i Dinastisë Al-Assad. Pushteti i Bashar al-Assad është pjesë e një dinastie që ka kontrolluar dhe drejtuar Sirinë për mbi 50 vjet. Hafez al-Assad, babai i tij, e vendosi regjimin e tij në vitin 1970 pas një grushti shteti dhe sundoi për 30 vjet. Hafez al-Assad krijoi një shtet autoritar, të centralizuar, dhe përdori ushtrinë dhe shërbimet sekrete për të shtypur çdo kundërshtar. Pas vdekjes së Hafez al-Assad, Bashar al-Assad mori pushtetin dhe e ruajti këtë model autoritar, duke përdorur dhunën dhe represionin për të mbajtur pushtetin dhe kontrollin mbi vendin. Ky regjim ka mbajtur kontrollin e Sirisë për më shumë se gjysmë shekulli, duke e shndërruar familjen al-Assad në një nga dinastitë më jetëgjata të Lindjes së Mesme.
Cfarë solli regjimi i Asadit për Sirinë? Për popullin sirian, regjimi i Assadit ka qenë një burim i konflikteve dhe tensioneve të ndryshme. Nga njëra anë, ai ka sjellë një periudhë të qëndrueshmërisë, sidomos pas periudhës së trazirave dhe grushtit të shtetit të Hafez al-Assad. Siria ishte një vend relativisht i sigurt dhe me zhvillim të moderuar krahasuar me disa vende të tjera të rajonit. Megjithatë, kjo periudhë e stabilitetit ka ardhur në kurriz të lirisë politike dhe të drejtave të njeriut. Regjimi i Bashar al-Assad ka përdorur dhunën masive për të shtypur çdo formë kundërshtimi, sidomos kundër protestuesve gjatë “Pranverës Arabe” të vitin 2011 dhe shkaktuar një luftë civile që ka marrë jetë të pafajshme.
Një tjetër problem është se ndërsa disa grupe, veçanërisht pakicat fetare si Alavitët (nga të cilët vjen edhe vetë Bashar al-Assad), kanë përfituar nga mbështetje e regjimit, shumica e popullsisë siriane, veçanërisht ata që ishin të lidhur me opozitën, janë shtypur dhe shtrënguar të jetojnë në kushte të mjerueshme. Lufta civile ka shkaktuar miliona të vdekur, të plagosur dhe të pastrehë, duke përfshirë shkatërrimin e qytetit të Aleppos dhe Damaskut.
Akuza për përdorimin e Armëve Kimike. Ka fakte dhe akuza serioze nga organizata ndërkombëtare dhe qeveri të ndryshme për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Bashar al-Assad kundër popullsisë civile Siriane. Ja disa prej rasteve më të njohura të përdorimit të Lëndëve Kimike nga Assadi: Sulmi në Goutha në 2013 ku besohet se forcat e Assadit përdorën Sarin, një gaz nervor i fuqishëm që shkaktoi vdekjen e mbi 1400 qytetarëve, shumica e të cilëve ishin civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Po ashtu, një sulm tjetër me këtë gaz nervor ishte sulmi në Khan Shaykhun, më 4 prill 2017. Ky sulm shkaktoi vdekjen e më shumë se 80 personave, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë. Më 7 prill 2018, u krye sulmi në Douma, gjithashtu në provincën e Idlib, ku shumë civilë raportohet se u vranë nga përdorimi i klorit, një substancë kimike e ndaluar që përdoret për të shkaktuar dëm të madh në frymëmarrje dhe shëndet. Regjimi i Bashar al-Assad e mohoi përdorimin e armëve kimike dhe akuzoi opozitën për ngjarjet tragjike. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) ka mbledhur prova dhe ka zhvilluar hetime që kanë konfirmuar përdorimin e substancave të rrezikshme, si Sarin, VX dhe Klorin, nga forcat e regjimit sirian. Po ashtu, Këshilli i Sigurimit të OKB ka kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për këto krime, por kanë hasur vështirësi për shkak të bllokimeve nga aleatët e regjimit të Assadit, si Rusia dhe Kina.
Marrëdhëniet e Brendshme dhe Shtetet e Rajonit. Bashar al-Assad ka ruajtur marrëdhënie të forta me grupe të ndryshme të brendshme që i kanë ofruar mbështetje për mbajtjen e pushtetit, si ushtria, shërbimet sekrete dhe elita politike dhe fetare. Pjesa më e madhe e mbështetjes vjen nga grupet Alavite dhe grupe të tjera të pakicave fetare që shohin tek regjimi një garanci për mbrojtjen e interesave të tyre. Në rajon, marrëdhëniet e Bashar al-Assad janë shumë të ndërlikuara. Ai ka pasur aleatë të fortë, si Irani dhe Rusia. Irani ka mbështetur regjimin e Assadit me armë, para dhe trupa ushtarake, për të siguruar stabilitetin e regjimit në Siri dhe për të ruajtur ndikimin e tij në rajon. Po ashtu, Rusia ka luajtur një rol kyç në luftën civile, duke ofruar mbështetje ushtarake dhe diplomatike për të parandaluar rënien e regjimit të Assadit.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet e Assadit me shtetet e tjera të rajonit kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur kundërshtarë të fuqishëm si Arabia Saudite, Turqia dhe disa shtete të tjera të Gjirit, të cilat mbështesin opozitën dhe janë kundër regjimit të tij. Siria ka luajtur një aktor kyç në destabilizimin e rajonit përmes mbështetjes së grupeve militante si Hezbollah dhe Hamas, duke krijuar një atmosferë të tensionuar me shtetet si Izraeli dhe SHBA.
Ndersa marrëdhëniet e Bashar al-Assad me Izraelin kanë qenë gjithmonë të tensionuara, për shkak të konflikteve të vazhdueshme dhe politikave të mbështetjes së tij për grupet që luftojnë kundër Izraelit. Kjo ka bërë që Siria të ruajë një marrëdhënie shumë të ndërlikuar me fuqitë perëndimore dhe shtetet e tjera të rajonit që kanë njohur Izraelin.
Cilët janë Grupet Rebele dhe Axhenda e tyre? Forcat që drejtuan rebelimin dhe rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad janë të përbëra nga një gamë e gjerë grupesh, përfshirë grupet e opozitës civile, grupet islamike dhe grupet kurde. Këto grupe janë të shumëllojshme dhe përfshijnë një spektër të gjerë, që variojnë nga grupe islamike të moderuara, deri tek ato radikale, si dhe grupe laike. Këto grupe janë mbështetur kryesisht nga shtete si Turqia, Arabia Saudite, SHBA dhe disa shtete perëndimore që kanë dëshiruar të shohin rënien e regjimit të Assadit. Megjithatë, këto grupe janë të ndara dhe me axhenda të ndryshme, si dhe kanë pasur përplasje të brendshme, duke e bërë rebelimin gjithmonë e më të vështirë për tu menaxhuar.
Në përgjithësi, rebelët mund të ndahen në disa kategori kryesore: Grupe me Orientim Islamik, të tilla, si Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që janë më radikalë dhe kanë lidhje me ideologjinë e al-Kaidës ose grupe të tjera islamike, që synojnë një shtet islamik që i përshtatet interpretimit të tyre të Sheriatit; Grupe të Moderuara: si Ushtria e Lirë Siriane (FSA), që kanë kërkuar një qeverisje më të hapur dhe më demokratike, megjithatë këto grupe kanë qenë shpesh të fragmentuara dhe jo të konsoliduar; Grupe të Kurdëve: si YPG (Yekîneyên Parastina Gel), që ka zhvilluar një forcë të madhe ushtarake me ndikim të madh në lindje të Sirisë. Ata janë të angazhuar për një autonominë e Kurdëve në Siri, gjë që bie në kontrast me qëndrimet e Assadistëve dhe disa grupeve arabe.
Sa i përket zgjedhjeve demokratike në Siri, qëndrimet e rebelëve janë të ndryshme, dhe kjo është një prej arsyeve përse janë të vështira të arrijnë një marrëveshje të gjerë politike. Shumë grupe, sidomos ato më të moderuara, janë pro zhvillimit të një sistemi politik demokratik, bazuar në zgjedhje të lira dhe të drejta. Ata kërkojnë një kalim drejt paqes dhe stabilitetit, ku qytetarët sirianë do të kenë mundësinë të vendosin për të ardhmen e vendit.
Megjithatë, zhvillimet demokratike në Siri janë një mision i mundshëm, por shumë i vështirë, për disa arsye:
Së pari, sepse grupet janë shumë të fragmentuara në interesa dhe ideologji. Disa grupe kanë interesa dhe ideologji shumë të ndryshme, dhe kjo ka bërë të vështirë krijimin e një fronti të bashkuar.
Së dyti, është prania e grupeve Radikale si HTS dhe ato të tjera që lidhin luftën me ideologjitë islamike radikale, të cilat mund të pengojnë një kalim në një sistem demokratik, pasi ata kanë qëndrime të kundërta ndaj vlerave demokratike, si liria e besimit dhe pluralizmi politik.
Së treti, është mungesa e një mbështetjeje ndërkombëtare të qëndrueshme. Pavarësisht mbështetjes që disa grupe të moderuara kanë marrë nga perëndimi dhe shtetet e tjera të botës arabe, mungon një mbështetje e qëndrueshme dhe një plan i qartë për rindërtimin e një shteti demokratik në Siri. Kush do të bëhet organizatë apo vend ndërmjetës për të marrë përsipër ngritjen e shtetit të ri Sirian?
Së katërti, është bashkëpunimi i mëtejshëm me Assadin dhe me Rusinë, ku disa grupe janë akoma të gatshme të negociojnë me të, çka e bën zhvillimin e një shoqërie demokratike më të vështirë. Grupet që kanë mbështetur deri tani regjimin janë ato që kërkojnë kontrollit mbi Sirinë, si Alavitët, grupe të tjera fetare dhe ata që e shohin Assadin dhe Rusinë si një garant të interesave të tyre në rajon.
Konkluzion. Pyetja që bëjnë pothuaj të gjithë agjencitë e mëdha të lajmeve është ʺWhat is nextʺ?
Sipas mediave Ruse, Assadi, ka marrë strehim politik në Kremlin. Gjithesesi, rrezimi ketij rregimi konfirmon jo vetëm lidhjet e ngushta mes diktarorëve dhe autokrateve, por edhe një shuplake e rëndë për të gjitha tiranitë, përfshi Rusinë – Putiniste, Kim-Jong-ët, Shtetet dhe organizatat teroriste.
Ndersa SHBA ka mbajtur një qëndrim asnjanës të konfliktit të brendshëm në Siri duke u shprehur se ʺGrupet që rrëzuan regjimin në Siri kanë një histori të dyshimtë. Ata duhet të vlerësohen jo më nga fjalët, por nga veprat e tyre. SHBA do të bashkëpunojë me një qeveri demokratike, dalë nga zgjedhjet e lira, dhe që kërkon dialog dhe mirëkuptimʺ. Ndërsa Presidenti i zgjedhur Trump në një postim të fundit ka shprehur qëndrimin e tij të fortë: ʺKjo nuk është lufta jonë. Tani për tani, ne do të presim si do të sillenʺ!
Gjithësesi, grupi opozitar islamik sirian (HTS) dhe zyrtarë nga qeveria e përmbysur Asad-iste caktuan udhëheqësin politik të xhihadistëve, inxhinierin Mohammed al-Bashir, i cili gjithashtu ka luajtur nje rol kyç në administratën e mbikëqyrur nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), për të formuar një qeveri kalimtare.
Nga ana tjetër, konflikti është shumë i ndërlikuar dhe impakte të mëdha për sigurinë dhe politikën ndërkombëtare, për një të ardhme më të sigurt dhe më demokratike për Sirinë dhe rajonin.
Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj: Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish: Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.