[Në foto: Presidenti amerikan Joe Biden gjatë takimit me kryeministrin britanik në Uashington]
Pas takimit, SHBA dhe Britania e Madhe nuk bënë asnjë njoftim për përdorimin e mundshëm të armëve me rreze të gjatë nga Ukraina. Putin kishte lëshuar më parë një paralajmërim.
Nga Sophie Barkey [AFP]
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe kryeministri britanik Keir Starmer shtynë një vendim për përdorimin e armëve perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina kundër objektivave në Rusi. Pas takimit me Biden të premten në mbrëmje (me orën lokale) në Uashington, Starmer tha se ata kishin një “diskutim të gjerë rreth strategjisë” por jo “për çështje/aft[si specifike”.
Vladimir Putin kishte kërcënuar më parë se miratimi i Perëndimit për përdorimin e armëve të Ukrainës në territorin rus, do të nënkuptonte “luftë” kundër Rusisë. Ukraina, megjithatë, kishte kërkuar leje për operacione të tilla.
Pas bisedës, Starmer e bëri të qartë se ai dhe Biden-i do të diskutonin çështjen “me një grup më të madh njerëzish” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, javën e ardhshme. Para takimit në Uashington, pritej që Starmer-i të kërkonte mbështetje nga Biden-i për të vendosur rreth çështjes së prdorimit të raketave britanike Storm Shadow nga Ukraina në thellësi të territorit rus.
Ukraina lejon përdorimin e armëve me rreze të gjatë: SHBA zbut qëndrimin
Javët dhe muajt e ardhshëm mund të jenë “vendimtarë”, tha Starmer në Uashington. “Është shumë, shumë e rëndësishme që ne të mbështesim Ukrainën në këtë luftë jetike për liri.”
Para takimit, Shtëpia e Bardhë kishte zbehur tashmë pritjet për një vendim për përdorimin e armëve në territorin rus: “Nuk do të prisja që diskutimet të çonin në një njoftim të madh, të paktën jo nga ana jonë”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Udhëheqja në Kiev kohët e fundit u ka kërkuar gjithnjë e më shumë aleatëve të saj perëndimorë që të lejohen të përdorin armë më të shumta perëndimore në Rusi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi të premten Perëndimin se kishte “frikë” të fliste edhe për ndihmën perëndimore për Ukrainën në çështjen e përdorimit kundër raketave ruse. Ministri i ri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha tha se ishte e rëndësishme që “të hiqen të gjitha kufizimet në përdorimin e armëve amerikane dhe britanike kundër objektivave legjitime ushtarake në Rusi”.
Siç raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar diplomatë evropianë, Kievi thuhet se i ka paraqitur tashmë Britanisë së Madhe dhe SHBA-së një listë të objektivave të mundshëm brenda Rusisë nëse lejohen sulmet me armë me rreze të gjatë perëndimore.
Sulmet ndaj Rusisë me raketa me rreze të gjatë veprimi: preken armët gjermane?
Mediat britanike raportuan se Bideni, nga frika e një konflikti bërthamor, do të ishte i gatshëm të lejonte Ukrainën të përdorte raketa britanike dhe franceze me teknologji amerikane – por jo raketa të prodhuara nga vetë SHBA.
Sipas qeverisë federale, armët gjermane nuk preken nga kjo çështje. Zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit shpjegoi në Berlin se diskutimi aktual ishte “për armë që ne nuk ishim furnitor të tyre”. Armët në fjalë janë “cilësisht të ndryshme” nga ato të dërguara nga Gjermania në Ukrainë – dhe i tejkalojnë ato në rrezen e tyre. Në këtë aspekt nuk nevojiten ndryshime, theksoi Hebestreit.
Putin tha të enjten se miratimi i Perëndimit për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina kundër objektivave në Rusi, do të ndryshonte ndjeshëm natyrën e konfliktit. “Kjo do të thotë se shtetet e NATO-s, SHBA-të dhe shtetet evropiane, janë në luftë me Rusinë”, tha shefi i Kremlinit. Ambasadori rus në OKB Vasily Nebenzya, shtoi se lejimi i Ukrainës për të përdorur armë, do ta çonte NATO-n në një “luftë të drejtpërdrejtë” me një “fuqi bërthamore”. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë i përshkroi komentet e Putinit si “tepër të rrezikshme”.
Sipas Reuters-it, përfaqësuesi demokrat i SHBA-së, Jason Crow, i cili është anëtar i Komiteteve të Inteligjencës dhe Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i sheh gjërat pak më ndryshe. Prandaj ai dyshon se Putini mund të sulmojë Poloninë ose anëtarët e tjerë të NATO-s në shenjë hakmarrjeje. “Unë nuk mendoj se ka ndonjë shenjë se Vladimir Putin ka interes për të filluar një luftë me NATO-n,” i tha ai agjencisë së lajmeve, duke përmendur humbjet masive të njerëzve dhe pajisjeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë. “Përkundrazi, unë mendoj se ai po shmang një konfrontim me NATO-n”.
[Burimi: Berliner Zeitung: https://www.berliner-zeitung.de/news/nach-putins-warnung-angst-vor-nuklearkonflikt-mit-russland-entscheidung-zu-langstreckenwaffen-vertagt-biden-starmer-li.2253973 ]