(Një leksion për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare)
Ekspertët gjermanë insistojnë se qeveria federale në ardhje duhet të angazhohet më shumë për ruajtjen e balancit mes ndërvarësisë dhe sovranitetit të vendit.
Është rendi e koha që si komb të jemi në anën e fituesve.
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Prishtinë, 21 tetor – Zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani, javën që lamë pas, janë njëra nga ngjarjet që do të shenjojë kthesën historike në Europë. Studjues të mendimit politik gjerman, gjeopolitologë e gjeoekonomistë të shquar, jo pa shqetësim e kurreshtje të ligjshme, shtrojnë pyetjen legjitime: Cili do të jetë drejtimi që do të marrë politika e jashtme dhe e sigurisë e Berlinit në një epokë post-Merkel?
Për drejtimin e pritshëm të Berlinit sa kurreshtarë, po aq janë me një dozë të shqetësimit të venerueshëm edhe partnerët e Gjermanisë, vendet aleate dhe ato konkurrente. Shih për këtë, fitorja relative e SPD-së (socialdemoratëve) dhe humbja histrike e CDU/CSU-së (konservatorëve popullor), po merrë vëmendjen e plotë. Ndërkohë janë publikuar dhjetra, në mos qindra analiza e komente që e bjnë më të parashikueshëm kursin nga do të çajë tutje anija gjermane në detin e trazuar të gjeopolitikës moderne.
Supozohet se kandidati i SPD -së, Olaf Scholz, do të bëhet së shpejti kancelari i radhës i shtetit më të fuqishëm të BE-së, me çmimin që duket se ekipi i tij ka marrë në konsideratë – dhënien e ministrive tejet të rëndësishme partnerëve të koalicionit – liberalëve (FDP) dhe të majtëve të moderuar (Die Gruenen).
Çështjet më urgjente në axhendën e qeverisë federale në ardhje
Gjermania kishte kaluar në duar të kancelares demokristiane që nga viti 2005. Që nga ai mot, socialdemokratët, ose ishin në opozitë ose pjesë e koalicionit të gjerë, por nuk kishin timonin në qeveri. Nga viti 2005 edhe „Të Gjelbrit“ nuk ishin më pjesë e qeverisë. FDP-ja ka qenë jashtë pushtetit gjatë gjithë kohës, që nga viti 1998, me përjashtim të 4 viteve.
Çështjet më urgjente në axhendën jo vetëm të negociatorëve, por edhe të qevrisë në ardhje, mbesin ato të brendshme, por pothuajse të gjitha ato kanë edhe dimensione të theksuara të politikës së jashtme. Siç bëhet e ditur, kjo axhendë përfshinë: modernizimin e infrastrukturës fizike, administrative, arsimore dhe dixhitale të Gjermanisë, si dhe realizimin e një tranzicioni të drejtë dhe të gjelbër.
Qeveria e ardhshme federale pritet ta fillojë punën në një kohë të ndryshimeve të shpejta dhe shumëdimensionale ndërkombëtare. Kërcënimet e reja, rreziqet transnacionale dhe një ndërthurje në rritje e zhvillimeve të jashtme dhe të brendshme do ta sfidojnë aftësinë e qeverive për të vepruar. Shumica e shteteve – përfshirë Gjermaninë – po humbasin fuqinë e tyre krijuese. Në të njëjtën kohë, po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme të jesh në gjendje të ndikosh në zhvillimet ndërkombëtare për të arritur qëllimet klasike politike të brendshme: sigurinë, prosperitetin dhe rendin politik. [https://dgap.org/de/forschung/publikationen/smarte-souveraenitaet]. Ndërkaq dihet se, Rendi i ri ndërkombëtar kërkon nga Gjermania më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane.
Ekspert eminent gjerman të mendimit politik e eokonomik, i rekomandojmë qeverisë së re federale të miratojë të ashtuquajturën „qasje të sovranitetit të zgjuar“, sipas të cilës ajo, pra qeveria gjermane, duhet të përdorë burimet e energjisë gjithnjë e më të kufizuara, ashtu që të ketë në vëmendje objektivin për të parandaluar „çdo humbje të mëtejshme të veprimtarisë krijuese dhe ndikimit, por edhe të hapë mundësi të reja për veprim përmes bashkëpunimit. Qëllimi është të parandalohet një zbërthim tjetër strategjik: Gjermania nuk duhet të miratojë qëllimet e të tjerëve në fushat kryesore, por duhet të jetë në gjendje të përcaktojë dhe zbatojë qëllimet e veta. Gjithashtu, ajo duhet të jetë në gjendje të mbështesë qëllimet e partnerëve të saj, nëse e konsideron këtë të rëndësishme.“ [Po aty]
Zbërthimi i këtij mesazhi nga ana e qeverive tona, në Tiranë dhe Prishtinë, do të ishte i mjaftueshëm për të ngarendur në krijimin e strategjisë kombëtare, që ka për objektiv arritjen e qëllimeve në disa nga fushat qensore të zhvillimit ekonomik dhe të ngritjes së sigurisë, që, para së gjithash, janë interes jetik i kombit. Natyrisht krejt kjo do të duhej të shkonte në përputhje edhe me interesat dhe qëllimet e partnerëve tanë në rrafshin global e ata në rajon.
Ndërvarësia dhe sovraniteti
Më tej, zëri i arsyes insiston në ruajtjen e balancit mes ndërvarësisë dhe sovranitetit të vendit. Në këtë kuptim, ekspertët gjerman i sugjerojnë qeverisë federale të marrë në konsideratë arritjen e katër objektivave:
1. Të përcaktojë qëllimet dhe zgjidhjet për problemet politike dhe të jetë në gjendje të vendosë politikisht;
2. Të zhvillojë struktura dhe procese që lehtësojnë analizën e problemeve të zhvillimeve të brendshme dhe të jashtme dhe mundësojnë vendimet politike dhe zbatimin e tyre;
3. Të sigurojë burime, aftësi dhe instrumente për zbatimin e qëllimeve;
4. Për të bërë oferta bashkëpunimi për partnerët në të tri fushat – domethënë në lidhje me qëllimet, strukturat dhe burimet. (Po aty)
Secili nga këta katër objektiva, nuk është e rastit, përputhen shumë me interesat strategjike të dy republikave tona dhe fare lehtë mund të shndërrohen edhe në objektiva të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.
Si për qeverinë federale gjermane në ardhje, ashtu edhe për qeveritë tona, fushat e veprimit dhe problemet, por edhe zgjidhjet janë të ndërvarura dhe ndikojnë në sfera të ndryshme. Zgjidhje „të zgjuar” do të thotë që masat dhe veprimet e ndërmarra, jo vetëm që duhet të kenë një nivel relativisht të lartë efektiviteti në zgjidhjen e problemeve në fusha të ndryshme, por gjithashtu të kenë efekte të ulëta negative për shkak të pasojave të padëshiruara. Ky është një kriter që i kushton vëmendje efikasitetit të përdorimit të energjisë. Në këtë kontekst duhet shikuar dy vendimet e pritshme të dy qeverive tona: ai që ka të bëjë me ndërtimin e Hec Skavica në kanjonin e Drinit të Zi (Peshkopi) dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me projektin për gazsjellësin, që de fakto nuk ka të bëjë fare me gaz amerikan ose të përkatësistë së ndonjë shteti tjetër, por për infrastrukturën që do ta sillte gazin natyror, strategjinë eurpiane në këtë fushë dhe koston.
Qeveria e Kosovës, megjithëse ishte për bashkëpunim të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit që është agjension zhvillimor i SHBA-ve, ajo mbetet në pritje të rezultateve të studimit të inicuar të MCC e që ka të bëjë me parafizibilitetin e më pastaj edhe fizibilitetin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë. MCC ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë, i cili do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Por meqë MCC nuk do të financonte tërë projektin, pasojat duket të jenë të padëshirueshme për ekonominë tonë dhe veçmas për ekonomitë familjare në një të ardhme të afërt. Rrjedhimisht, sipas qëndrimeve të qeverisë, duket se, gjasat janë të vogla që ky projekt të kalojë. Ky vendim, shih për këtë, do të mund të quhej i zgjuar.
Partneriteti Lindor dhe marrdhëniet gjermano-ruse
Demokratët e Gjelbër (Die Gruenen) dhe Liberal Demokratët e Lirë (FDP) – tashmë janë profiluar qartë si dy parti pro-amerikane dhe anti-ruse. Dy ministritë që në raste të tilla, tradicionalisht i kanë marrë të gjelbërtit janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Ambientit, si fakt i vetkuptueshëm politik. Ky fakt ia mundësonë fare lehtë kancelarit në ardhje – Olaf Scholz, të vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë duke përmbyllur projektin-simbol të partneritetit gjermano-rus, siç është ky i tubacionit të gazit Nord Stream 2, madje pa hequr dorë nga shmangja e thellimit të këtij partneriteti në fshat tjera.
Por, meqë partneri kryesor në fushën e sigurisë – pra SHBA-të, mbesin të interesuara ,që varësia e Gjermanisë dhe Europës në përgjithësi nga gazi rus, të jetë sa më e vogël, administrata e Biden-it do të ushtrojë presionin e duhur ndaj Shulcit që të përfshijë sa më shumë “të Gjelbër” ose politikanë të afërt me pikëpamjet e tyre, në qeverinë e ardhshme gjermane. Shih për këtë, zërat, sidomos brenda qarqeve të biznesit e me ndikim në politikën gjermane për selitjen e të ashtuquajturit Partneriteti Lindor – po bëhen publik, duke paralajmëruar për ftohjen e mundshme të marrëdhënieve gjermano -ruse, e për pasojë edhe për rriskun që e pret biznesin gjerman, që ka vite ka investuar në tregun rus dhe shenjonë prezencë të fuqishme në gjithë hapësirën ruse. Pavarësisht këtyre zërave, Moska po reagon me gjakftohtësi dhe po insiston të dëshmojë rëndësinë e vazhdimit të marrëdhënieve të qëndrueshme ruso-gjermane në dy drejtime: për stabilitetin e të gjithë Evropës, por edhe për zhvillimet në rrafshin global.
Ballkani sferë e interesit Perendimor
Qëndrimi i Gjermanisë në raport me Ballkanin Perendimor, githmonë në përputhje me interesat e saj gjeopolitike, por edhe të partnerëve strategjik, do të mund të ndalonte fare lehtë Perendimin dhe Rusinë që të vazhdojë tutje „të ushqejnë krokodilin (alias Beogradin – SR) me mish, duke shpresuar që ai një ditë të bëhet vegjetarian“. [https://www.geopolitika.news/analize/prestaje-li-zapad-hraniti-krokodila-mesom-nadajuci-se-da-ce-postati-vegetarijanac/]
Në këtë plan duhet kuptuar kontekstin pse SHBA-të po dërgojnë klasin e parë të diplomatëve në Republikën e Serbisë dhe më gjerë – Gabriel Escobar dhe Christopher Hill. Në këtë rrafsh hedhin dritë edhe gjykimet me interes të
Dr. Dubravka Stojanović, profesoreshë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Beogradit.
Shpallja dhe manifestimi i „Ditës së bashkimit kombëtar serb“ ishte mesazhi i qartë i politikës serbe e ruse në raport me fqinjët e Serbisë. “Dita e bashkimit kombëtar dhe flamurit kombëtar të Serbisë deklaroi se shteti i Serbisë u dërgoi një mesazh irredentist vendeve fqinje, dhe në të njëjtën kohë “serbëve të tyre” – kudo që ata jetonin, të përpiqen t’i bashkohen ” atdheut”, siç bëri Sllobodan Millosheviqi, i cili vazhdimisht fliste për” shtetin në të cilin do të jetojë i gjithë populli serb. “
Sipas Stojanoviqit, që nga romani i Dobrica Ćosiçit “Koha e vdekjes” që nga fillimi i viteve ’70, dhe përmes prodhimit të madh artistik-historik të viteve tetëdhjetë, vetëdija e serbëve si viktima më e madhe është formuar (prodhuar). Lufta e viteve 1990 u bazua në këtë vetë-viktimizim, i cili e bëri atë moralisht të saktë, sepse në të viktima historike mbrohet nga armiqtë historikë, siç tregoi narracioni sundues para dhe gjatë luftërave. Lufta u quajt parandaluese, u tha se parandaloi viktimat e ardhshme serbe. (Po aty)
Këtë kurs po ndjek ndërkohë Beogradi pothuajse hapur, duke pregaditur terrenin për ndërhyrje me operacione ushtarake blic në Bosnjë e Kosovë (veri). Dhe ajo që është vendimtare për ta kuptuar sidomso Perendimi – një luftë e tillë interpretohet domosdoshmërisht si mbrojtëse, dhe për këtë arsye legjitime.
Projekti i Serbisë së Madhe siç duket shqeto, po zhvillohet nën ombrellën gjeopolitike ruse.
Këtë kurs duket se më mirë se kushdo e ka të qartë Berlini, rrjedhimisht edhe qeveria në ardhje.
Në këtë epokë të rreshtimeve dhe rirreshtimeve gjeopolitike si fituesit edhe humbësit e betejës gjeopolitike globle, do të dihen shpejt. Duket, si shumë logjike, se në këtë rirreshtim Rusia ka interes të jashtëzakonshëm të destabilizojë Ballkanin – meqë si zonë gjeostrategjike e veçantë është larg kufijve të saj…
Në këto rrethana duket se Beogradi vlerëson se ky është momenti për të realizuar disa nga aspiratat e tij.
Pikërisht në këtë kohë, Biden dërgon diplomatët e tij kryesorë në rajon, “buldozerë”, veçanërisht Christopher Hill i cili vjen në Beograd, por edhe Gabriel Escobar-in, i cili si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor, tashmë është aktiv në rajon, duke arritur në përfundimin se ardhja e të dyve në skenën politike në rajon është një mesazh për të gjithë. Ky fakt do t‘i imponohet edhe qeverisë federale gjermane në ardhje, duke reaguar konform interesave të Perendimit.
Kështu, sipas Sonja Biserko-s, drejtuese e Këshillit të Helsinkut për Serbi, këto përzgjedhje personalitetesh „shpallin synimin e Shteteve të Bashkuara për të zgjidhur përfundimisht situatën në këtë pjesë të Evropës, duke paraqitur dy supozime kryesore:
1. Ballkani përcaktohet si një sferë evropiane ose perëndimore e interesit;
2. Unë dyshoj se Amerika do të lejojë që misioni i saj më i suksesshëm në 20 vitet e fundit, në Bosnjë dhe Kosovë, të vihet në dyshim”! [https://www.geopolitika.news/analize/prestaje-li-zapad-hraniti-krokodila-mesom-nadajuci-se-da-ce-postati-vegetarijanac/]
Ky përcaktim, sipas diplomatit amerikan me përvojë shumë vjeçare në Ballkan, Daniel Frid, flet qartë në dobi të tezës sonë se Uashingtoni është shumë i vetëdijshëm për rreziqet në Ballkanin Perëndimor. Por për këtë rrezik duket se është e vetëdishme edh eqeveria në ardhje e Gjermanisë.
Pozicioni gjeopolitik i Gjermanisë është ndërlidhur fuqishëm me Evropën. I tillë është edhe pozicioni gjeopolitik i dy republkave tona dhe përgjithësisht hapësirës sonë kombëtare.
Studimi i këtij pozicioni do të mund të ishte një leksion i mirë për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare.Është rendi e koha që si komb të jemi në anën e fituesve.