DR.JORGJI KOTE
Ashtu siç pritej, zgjedhjet e parakohshme të 23 shkurtit në Gjermani u fituan nga Bashkimi Kristial – demokrat CDU/CSU me 28,6 për qind të votave. Vetëm 5 për qind më shumë se zgjedhjet e kaluara, por fitorja e saj “historike” i dedikohet dhe disfatës së rëndë të Partisë Social–Demokrate të Kancelarit Olaf Scholz me vetëm 16, 4 për qind.
Për herë të parë u rendit e treta, ndërsa në Berlin doli e pesta! Katastrofa më e madhe politike dhe zgjedhore për partinë 163-vjeçare qysh nga viti 1890! Fituesja tjetër e madhe është Alternativa për Gjermaninë (AfD) e Alice Waidel, e renditur e dyta me 20,8 për qind, ose dyfishin e katër viteve më parë. Të Gjelbërit me vetëm 11,8 ose me një rënie 9 për qind të votave. Ndërsa Liberalët deri nëntor në qeverisje, nuk e kapërcyen dot pragun zgjedhor prej 5 për qind, ashtu si dhe BSW e ekstremit të majtë. Surpriza tjetër e këtyre zgjedhjeve ishin “Të Majtët”, të cilët e dyfishuan rezultatin në 9 për qind, falë një lidereje karizmatike si Reichinek dhe shfrytëzimit të “TikTok”-ut, sidomos te moshat e reja. Ata dolën të parët dhe në Berlin me 20 për qind, rezultati i tyre më i mirë qysh nga ribashkimi i tij.
Këto ishin zgjedhjet më të rëndësishme në historinë moderne gjermane, mbasi kishte kohë që po kërkohej me zë të lartë krijimi i një koalicioni qeveritar që të shpëtojë vendin dhe bashkë me të dhe Europën. Kur bota është rrokopujë, kur partneri i saj më i madh amerikan po flirton me Putinin, me alergji ndaj Europës dhe sidomos Gjermanisë e kur Ukraina dhe bashkë me të Europa është në rrezik. Ndaj pjesëmarrja në votime kapi shifrën rekord 80 për qind, më e larta në 35 vitet e fundit. Ky fakt domethënës dhe numërimi i saktë brenda 8 orësh u vlerësuan dhe nga Presidenti Trump dhe Elon Musk, si shembull edhe për SHBAtë! Tri temat madhore të kësaj fushate ishin ato për të cilat gjermanët “nuk të falin”: rënia social–ekonomike, rritja e krimit/pasigurisë dhe imigracioni i paligjshëm. Këto dy të fundit u rishfaqën tragjikisht vitin e kaluar në Manheim e Solingen, ndërsa kulmi arriti më 20 dhjetor 2024, kur shtetasi me origjinë saudite Taleb u fut me një autoveturë mes turmave të njerëzve në Tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, duke lënë 5 viktima dhe duke plagosur me qindra të tjerë. Pyetja tronditëse “Deri kur?” dhe thirrja kushtrim “Mjaft më!” ishin aktakuza të forta ndaj qeverisë së Scholzit, që në 3 vite qeverisje bëri shumë pak në këtë fushë. Vërtet që pati rritje të numrit të të kthyerve, mirëpo nga ana tjetër hynë në Gjermani sa 100-fishi i tyre, duke e bërë kufizimin e imigrimit të paligjshëm një çështje që bërtiste fort për zgjidhje dhe ku SD-ja “kishte ngritur duart lart”!
Jo më mirë paraqitet tabloja social-ekonomike gjermane. Pa rritje ekonomike, me gjithë disa përmirësime të lehta pas pandemisë, papunësia mbeti në nivelin 6 për qind dhe pa shenja përmirësimi, me mbi 22.000 falimente të subjekteve ekonomike gjatë vitit të kaluar. Dhe më shqetësues është ndikimi i tyre në përkeqësimin e ekonomisë gjermane në vitet e ardhshme, sidomos sa i takon industrisë në përgjithësi dhe prodhimit/eksportit të autoveturave, “zemreku” i ekonomisë gjermane.
Çmimet e artikujve bazë u rritën 30 për qind, ato të gazit dhe energjisë elektrike 35 për qind, ndërsa kostoja e jetesës u rrit mbi 20 për qind. Këto deficite dhe dështime ulëritëse ishin përgjegjësi e gjithë klasës politike gjermane, por në radhë të parë e SPD-së, e cila 4 vite më parë “premtonte qiejt” por shumë pak i mbajti dhe nuk po jepte shenja përmirësimi, veç gërvëreve me partnerët e koalicionit, duke “u ngopur me lugën bosh” dhe me statistika boshe. Përgjegjësia historike e SPD-së është se nuk u bë e vetëdijshme për këto halle dhe telashe, por i besoi gati verbërisht “gjenisë dhe një mrekullie” utopike të Scholzit. Akoma më dobët u paraqit ajo dhe vetë Scholz në fushën e politikës së jashtme.
Atij i mbeti në dorë “dopio gjashta” e lëvizjeve dhe gabimeve fatale të diplomacisë qetësuese gjermane ndaj Moskës, Pekinit dhe Teheranit me “karremin” e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, me qëllim që të fitohej “dividenti i paqes”, dmth., tarifa të lira të gazit dhe energjisë elektrike dhe për rrjedhojë qetësimi i gjendjes dhe shmangia e një lufte. Dihen tashmë pasojat tragjike të kësaj politike. Dhe këtu halli i madh i Scholzit ishte se përgjegjësinë për këtë varësi të madhe ekonomike gjermane dhe dështimet e saj diplomatike nuk mund t’ia hidhte dot as opozitës dhe as Merkelit. Kjo sepse në 11 vitet e fundit, SPD-ja ka qenë në koalicionin qeveritar me ish-Kancelaren Merkel. Vetë Scholzi ka qenë 5 vjet zv.Kancelar dhe ministër i Financave dhe në 4 vitet e fundit Kancelar. Ca më pak mund të qortonte kundërshtarin e tij Merz, mbasi ky i fundit u rifut në politikën aktive dhe në CDU vetëm në pesë vitet e fundit, kësisoj, Merz nuk “ka fare gisht” as në politikat ekonomike dhe as në politikën e jashtme gjermane.
Ndonëse në këto zgjedhje kjo e fundit nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm, Kancelari Scholz dështoi edhe aty, madje dhe në ndihmat ndaj Ukrainës, me politikën “tërhiq e mos e këput”. Ai nuk “ngjiti” as me pretendimin se do të ishte “kancelari” i “luftës” dhe tani së fundi i “paqes”! Ai la gabimisht të nënkuptohej se kush do paqe, të votojë për të, ndryshe me Merz do të keni luftë! Por, kjo iu kthye në bumerang dhe shumë e quajtën “kancelar i frikës”. Po ashtu, ai u bë problem dhe pengesë për BE-në dhe për Francën në disa aspekte madhore gjeopolitike, sidomos lidhur me huat e përbashkëta, financimin e mbrojtjes etj.. Veç sa sipër, Scholzit i mungoi fryma dhe stili i duhur frymëzues i udhëheqësisë politike, ai nuk krijoi dot bindje dhe besueshmëri, nuk nxiti, nuk garantoi dhe për pasojë nuk mobilizoi dot më madje as të vetët.
Mbeti shumë larg imazhit dhe personalitetit rrezatues të paraardhësve social-demokratë, BrandtSchmidt dhe Schroder rezultoi më jetëshkurtri dhe i vetmi ndër tyre që nuk mundi të rizgjidhej. Këtu pati ndikimin e vet dhe fakti i çuditshëm se si një parti me tradita 163-vjeçare demokracie si SPD-ja e mbylli me imponim nga lart, pa e nisur ende diskutimin e brendshëm lidhur me kandidaturën alternative për Kancelar të ministrit karizmatik të Mbrojtjes, Boris Pistorius, politikani më i pëlqyer gjerman. Të paktën me Pistoriusin humbja do të ishte shumë më e lehtë. Padyshim që përfituesja e situatave kaotike të krijuara nga kjo keqqeverisje është partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD).
Ndonëse nuk ka shans të hyjë në qeveri, rritja e saj e ndjeshme do t’i japë zemër më shumë me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare të synojë dhe për vendin e parë. Ndonëse Kancelari i ardhshëm Merz ka premtuar që me politikat e tij do ta ulë AfD-në në 5 për qind. 20 dhjetori tragjik në Magdeburg i dha asaj “municion” të bollshëm dhe të gatshëm “për qitje” kundër partive të tjera tradicionale me nëntekstin e fortë: “E shihni, a ju paralajmëruam se me këto politika “nuk kemi gjë në torbë”? Ndaj, dëgjojeni thirrjen tonë, nuk na intereson mbështetja për Ukrainën, së pari dhe mbi të gjitha duam Gjermani të fortë, të sigurt, pa emigrantë dhe për kthimin e tyre andej nga kanë ardhur dhe ata që mund të qëndrojnë, t’u ofrohen vetëm tri B-të “Brot, Bett, Butter” (bukë, gjalpë, shtrat) e deri te dalja nga BE-ja, shkaktare sipas tyre e të këqijave që kanë përfshirë Gjermaninë, ekonominë dhe jetën e tyre. Në këtë atmosferë, asaj i erdhi shumë në ndihmë dhe multimiliarderi Elon Musk, i cili i “hodhi benzinë zjarrit” ekstremist.
Krahas sulmeve personale ndaj Kancelarit Scholz dhe Presidentit Steinmeir, Musk shkoi dhe më larg, duke e shpallur AfD-në si alternativën dhe shpresën e vetme të sigurt për Gjermaninë dhe AfD-ja, hyri në këto zgjedhje me një bazë shumë më të gjerë elektorati, kryesisht të rinj dhe në zonat lindore. Vlen të theksohet se ajo fitoi bindshëm në 45 nga 48 zonat zgjedhore në të pesë landet (shtetet) ish-lindore, duke marrë më shumë vota se të gjitha partitë e tjera së bashku.
Ajo tashmë do të ketë grupin e dytë më të madh në Bundestag dhe bashkë me Të Majtët e fuqizuar mund të bllokojë ligje të cilat kërkojnë 2/3 e votave. Gjithsesi, në shumicën e tij elektorati i përparuar gjerman nuk mund t’i besonte qeverisjes me një parti si AfD-ja, kur asaj nuk i besojnë as të vetët në Europë. Ca më tepër, kur në Gjermani ka një alternativë tradicionale, të besueshme dhe me plot tradita në të gjitha fushat sikurse është Bashkimi Kristian-Demokrat CDU/CSU. Ky i fundit është dhe fituesi i vërtetë dhe më i madh i 23 shkurtit 2025. Lideri i saj 69-vjeçari, Friedrich Merz, konkurroi në këto zgjedhje me shumë avantazhe konkurruese. Me përvojë të gjatë në politikën gjermane deri në vitin 2008, kur e ndërpreu totalisht mbas papajtueshmërisë politike me Kancelaren Merkel. Rihyri bindshëm në drejtimin e CDU-së në vitin 2018, lider energjik, karizmatik, familjar model, tejet i suksesshëm në veprimtarinë sipërmarrëse, orator dhe polemist brilant.
Kohët e fundit u bë dhe pajtimi i shumëpritur mes tij dhe Merkelit, duke siguruar dhe përkrahjen e “butë” të mbështetësve të saj të shumtë. Duket se fjala e tij zuri vend te pjesa më e madhe e elektoratit gjerman dhe me programin zgjedhor “Për një Ndryshim politik në Gjermani”, i cili parashikon masa dhe reforma të shumta për modernizimin ekonomik, uljen e ndjeshme të taksave dhe tatimeve, në përgjithësi uljen e kostos së jetesës sidomos për shtresat e mesme, masa dragoniane për ndalimin e azilit të paligjshëm, rritjen e sigurisë publike etj..
Tani që zgjedhjet përfunduan, del në krye të rendit të ditës krijimi sa më shpejt i koalicionit të ri qeveritar. Për fatin e tij të mirë, tashmë ky koalicion mund të krijohet pa shumë vështirësi vetë me SPD-në, pa pasur nevojë për ndonjë aleat tjetër, mbasi të dy këto parti e kanë shumicën absolute në Bundestag.
Një partner tjetër si “Të Gjelbërit” vërtet mund të shtonte numrat, por ama jo më pak dhe telashet qeverisëse. Objektivi i shpallur nga Merz, që ky koalicion të jetë në punë në fund të muajit prill është i realizueshëm. Edhe pse në Gjermani kjo është punë e vështirë, jo thjesht çështje emrash dhe ofiqesh, por në radhë të parë vlerash e parimesh, lëshimesh dhe kompromisesh programatike. Por tani problemi madhor është se asnjëherë në 80 vitet e fundit, një koalicion qeveritar gjerman, sado i madh dhe i fuqishëm nuk ndeshet në të njëjtën kohe me aq shumë tema/ problematika të nxehta të brendshme dhe të jashtme. Kur gjithë BE-ja, duke përfshirë dhe aleatin tjetër të boshtit të BE-së, Francën, i ka kthyer sytë nga Berlini, në pritje të një “mrekullie” tjetër gjermane siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën e afërt me Shtetin social, Ostpolitikën dhe Shembjen e Murit të Berlinit. Këtu citohet me të drejtë thirrja e kryeredaktores së “Bild”, Marion Horn, një ditë përpara zgjedhjeve “që të shpëtojnë vendin, ta kthejnë atë sërish në një lokomotivë ekonomike që të na marrin seriozisht në botë!
Të forcohemi aq shumë ushtarakisht sa të jemi në gjendje të mbrojmë veten dhe Europën, pavarësisht nga çmimi! Ne duhet ta mendojmë sërish Europën dhe bashkë me miqtë tanë të krijojmë vërtet një Europë të Bashkuar. Lajmi tjetër i mirë gjeopolitik është se koalicioni i riqeveritar do të sjellë rrjedhoja pozitive në qëndrimet gjermane ndaj Aleancës Euro-Atlantike, mbështetjes së Ukrainës dhe një paqeje të vërtetë e të qëndrueshme atje, një rol më aktiv në Lindjen e Mesme etj.. Së fundi dhe tejet e rëndësishme është se të dy partitë më të mëdha, CDU/CSU dhe SPD, si në pushtet dhe në opozitë kanë treguar se mbeten në favor të shpejtimit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe vendit tonë në veçanti.
Ato kanë qenë pioniere dhe mbështetëse aktive të marrëdhënieve miqësore dhe reformave integruese me rajonin dhe vendin tonë. Mjaft të rikujtojmë tri vizitat historike të Strausit legjendar në vitet ‘80, atë të Gensherit emblematik më 2 tetor 1987, strehimin e 3000 azilkërkuesve tanë në ambasadën gjermane në Tiranë më 2 korrik 1990, mbështetjen e Kohlit për demokracinë, nismën dhe kryesimin gjerman të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore gjatë Kancelarisë Schroeder dhe Procesin historik të Berlinit me nismëtare Ish-Kancelaren Merkel më 2014. Po ashtu, Gjermania me të dy këto parti dhe të tjera ishte ndër të parat shtete perëndimore që njohu dhe mbështeti pavarësinë e Kosovës, që ka dhënë mbështetje aktive për dialogun me Serbinë dhe modelin franko-gjerman, si bazë e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit./Gazeta Panorama/