Replikë me shkrimin në DITA të Fatos Tarifës për Albin Kurtin dhe bashkimin
[Publikuar më 26 qershor, 2024]
Dr. Sadri RAMABAJA
Botuar në Dita
[Pjesa e parë]
Politika shqiptare ka nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, respektivisht të një doktrine politike, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit kombëtar. Shqiptarët, për realizimin e Federatës Shqiptare dhe zgjerimin e ndikimit në rajon, kanë nevojë për një doktrinë të re politike.
Akademiku Fatos TARIFA ka publikuar një shkrim të gjatë, në dy pjesë, në gazetën DITA [24 & 25 qershor 2024], me një titull pamfletist “Populizmi, patetizmi dhe solipsizmi politik i Albin Kurtit”. Kisha lexuar pjesën e parë dhe po prisja publikimin e pjesës së dytë, duke shpresuar shumë se, më në fund, një akademik i yni kalon rubkonin e politikës ditore dhe do të merret me çështje serioze, siç është kjo e hartimit dhe publikimit të strategjive që mëtojnë t’i japin shpjegim të ardhmes sonë si komb, qoftë në një Europë federale, siç e shestojnë një lagje ideologësh nga spektri i së majtës europiane, qoftë në një Europë konfederale, siç e parapëlqejnë lagjia tjetër që janë më të lidhur me mendimin konservativ politik, duke i dhënë kështu rrugë pozicionimit të shqiptarëve qoftë edhe në një Europë post-BE-së.
Dr. Fatos Tarifa, ashtu si edhe një lagje e mirë e akademikëve tanë, çështjen që ka të bëjë me të ardhmen e Kombit, për fat të keq, nuk e kishin objekt të trajtimit shkencor, as dje e as sot, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por, sidoqoftë, në hapësirën shqiptare ka akademikë dhe politikanë që këtë çështje e kanë pasur dhe e kanë mision jetësor. Mjafton t’i zëmë në gojë disa prej personaliteteve tona të mendimit iluminist, filozofik, juridik e politik dhe publikimet për këtë çështje:
1. Prof. Dr. Rexhep QOSJA, “Strategjia e bashkimit shqiptar” [Prishitnë,1998];
2. Prof. Ukshin HOTI, “Filozofia politike e çështjes shqiptare” [Tiranë, 1995];
3. Prof. Dr Ksenofon KRISAFI, “Organizimi politik në trojet shqiptare” [Tiranë, 2014];
4. Prof. Dr Enis SULSTAROVA, “Hegjemonia Kombëtare” [2017];
5. Dr. Sadri RAMABAJA, “Federata Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE”, Prishtinë/Lubjanë [2016], etj.
Pas leximit të plotë të shkrimit, rrjedimisht jam i prirë ta shoh si pjesë të një fushate të mirëorganizuar nga politika, që tashmë ka hall jo mungesën e mendimit teorik mbi rrugët që duhet të ndiqen për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por faktin se cili do të jetë piemonti politik që do t’i prijë këtij misioni historik: Tirana apo Prishtina dhe kush nga politikanët do të jetë bartës i këtij projekti historik?!
Përmes aderimit të Shqipërisë politike në projektin e Ballkanit të Hapur, për çka Fatos Tarifa kishte futur veshët në lesh dhe nuk bënte zë, u dëshmua se idetë për një ribashkim të shqiptarëve po tentohej të vriteshin në embrion, duke shestuar heqjen dorë nga pjesa më jetike e Kombit, siç është veriu i Kosovës.
Pikërisht këtu e kanë burimin përplasjet politike mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës, që qesin kokë në vitin 2018, kur po bëhej gati pranimi i aneksimit të veriut të Kosovës, ndërkaq deklaratat e tipit se “Veriu i Kosovës është shndërruar në Nomansland” dhe thirrjet për “Një Konferencë Ndërkombëtare”, janë nusprodukt i atyre “marrëveshjeve” të fshehta, për të cilat z.Tarifa nuk ia kishte ngenë të shkruante as edhe një kolumnë të vetme.
Ndërkaq, tani kur teza e Albin Kurtit mbi funksionalizimin e Republikës së Kosovës si parakusht i ecjes drejt bashkimit, që në fakt është vazhdim i mendimit politik të Profesor Ukshi Hotit, po realizohet, ai – pra Dr. Tarifa – ka kohë t’i rikthehet analizës historike dhe të citojë fjalimet e liderit të Vetëvendosjes, kur ajo si forcë e re politike po afirmohej edhe si faktor politik i së ardhmes së Kosovës, siç po dëshmohet çdo ditë, sot e kësaj dite.
Megjithëkëtë, derisa po lexoja pjesën e dytë, sikur mu largua mllefi që po më rritej nga fryma përçarëse e përçmuese e përqëndruar në pjesën e parë të shkrimit, i denjë për drejtuesit e agjitpropeve të BRSS-së, por jo për një akademik, aq më pak të pavarur, siç pretendoon të jetë Prof. Fatos Tarifa.
Pikërisht kjo lagje agjitpropësh në Tiranë, çuditërisht përafrohen e përbashkohen lehtë me atë të kosova-centristëve në Prishitnë dhe madje edhe me bijtë ideologjikë e biologjikë të titistëve, duke i qasur ata jo vetëm si këshilltarë politik në Kryeminsitri, po edhe duke iu krijuar hapësirë të pakufizuar në media! Kjo lagje “inelektualësh” që shkojnë prapa politikanëve, që me kohë ishin identifikuar nga Profesor Hoti, si nusprodukt i esadizmit në Prishtinë, tani ngrejnë kokë edhe në Tiranë.
Këtë lagje kuazi-mendimtarësh e pengon organizimi i shqiptarëve, qoftë edhe në trajtën e një Federate Shqiptare, si fazë e parë e faktorizimit të Kombit, në rrjedhat e rirreshtimit gjeopolitik që tashmë ka filluar. Segmente të kësaj lagjeje kuazi-ideologësh në Kosovë patën selitur idenë e krijimit të “Kombit kosovar”, si pjesë e strategjisë që gjente njëfarë mbështetjeje tek modeli Austriako-Gjerman!
Prandaj, këtu, në këtë pjesë të parë të reagimit tim, dua të sjell disa argumente dhe të hedh dritë mbi disa teza që kanë të bëjnë jo vetëm me historinë e shtetit, por edhe me atë të kombit, duke filluar nga vetë nocioni mbi kombin deri te shteti-komb.
1.
Në literaturën bashkëkohore, tashmë është përpunuar gjykimi, se kuptimi më i gjerë i nocionit “komb” është ai që ka kontekst politik. Ai njësohet, shkrihet me nocionin që shënon edhe shtetin. Por jo gjithmonë shteti njësohet me kombin. Janë një varg rastesh, kur një komb është i ndarë në disa shtete.
Sipas shprehjes republikane francize, “kombi duhej të ishte një dhe i pandashëm”. Nga ky përkufizim rrjedh ideja që kombi është i paracaktuar të formojë një shtet të vetëm dhe që përbën një tërësi të pandashme. Sipas këtij koncepti, “kombi” është një tërësi qytetarësh, sovraniteti kolektiv i të cilëve konstituonte një shtet, si shprehje e vullnetit të tyre politik. Në këtë përkufizim, barazimi komb=shtet=popull, veçanërisht Popull Sovran, padyshim që e lidhte kombin me territorin.
Historia si vlerë e veçantë shënjuese e kombit në kujtesën e përbashkët për të kaluarën, luan rol të rëndësishëm. Kombi është dëshmuar si fuqia kohezive më e madhe politike për integrimin e pjesëtarëve të grupit.
Shteti nënkupton kuadrin juridik dhe institucional, ndërkaq kombi përmbledh dimensionet morale dhe kulturore.
Shtet-kombi është një bashkim konceptesh, i cili nuk vetëkuptohet. Ai më shumë përbën një tip ideal dhe rezulton si produkt i transformimeve, konflikteve dhe i përballjeve të shumta gjatë historisë moderne europiane. Shtet-kombi në thelb është shteti me kombin (popullin, etninë), si bartës të shtetësisë.
E kundërta e këtij nocioni është ai për shtetin multietnik.
2.
Dhjetëvjeçari i fundit i shekullit XX është epoka kur po përmbysej rendi shoqëror në Europën Lindore. Kjo periudhë do të hyjë në histori edhe si epokë e rilindjes së dytë të shtet-kombit për këtë pjesë të Europës.
SHBA-ja kontribuoi shumë për këtë rilindjeje, përmes doktrinës që legjitimonte planet për ngritjen e shteteve qoftë edhe të vogla, por funksionale. Kjo strategji u aplikua edhe në Kosovë.
Kundër kësaj strategjie ishin dhe mbesin të angazhuar Beogradi dhe aleatët e tij. Vetëvendosja dhe, rrjedhimisht, edhe Albin Kurti, angazhohen pikërisht për funksionalizimin e Republikës, që do të rezultonte me shndërrimin e saj në shtet zhvillimor. E kundërta ndodh me autokratët që kanë marrë peng Shqipërinë politike për dekada me radhë. Ishin pararendësit e Albin Kurtit, për të cilët nuk i mungojnë lavdatat ideologëve dhe agjitpropëve të Edi Ramës, që për dy dekada rresht ishin angazhuar pikërisht për ta zhbërë Republikën. Pra, për defunksionalizimin e Republikës dhe shndërrimin e saj në një shtet të dështuar.
Dhe në kulmin e këtij dështimi, na vinte në Prishtinë Edi Rama dhe bënte propozimet për një president të përbashkët, ndërkaq, në planin e brendshëm, i sillte në Tiranë si ministra bijtë dhe bijat e ish funksionarëve të lartë të UDB-së, që të pregatiste terrenin politik të ndarjes së pranueshme të veriut të Kosovës, madje duke e propaguar atë akt tradhëtie si pragmatizëm politik, kompromis historik, respektivisht zgjidhje të nyjes serbo-shqiptare!
Në fakt, në këtë betejë, VV na rezulton si mbrojtësja më reale e Republikës, ndërkaq ata që nënshkruajtën marrëveshje të tipit si ajo e prillit 2013, vunë themelet e federalizimit të brendshëm, rrjedhimisht ndarjes së Republikës. Marrëveshja e vitit 2015 ishte rrjedhojë e së parës. Ajo ndante Gjyqësorin mbi baza etnike. Ndërkaq ti, i dashur akademik Tarifa, e di se, shtylla e tretë e Shtetit të së drejtës dhe garantuesja e lirive qytetare është Gjyqësori. Ajo kastë politikanësh, që e solli Republikën e Kosovës në atë stad zhbërjeje, përbëhej pikërisht nga ata që njiheshin edhe si këshilltarë të Edi Ramës, por që ishin njëkohësisht edhe këshilltarë të Hashim Thaçit.
Në këtë epokë ndryshimesh të mëdha, sidomos tashti kur fushëbeteja mes konceptit perëndimor mbi shtetin modern dhe atij lindor mbi shtetin me sovranitet të kufizuar (teoria e Brezhnjevit, për të cilën angazhohet sot Putini), janë pikërisht kombet e Europës Lindore dhe asaj Juglindore, që ndihen të rrezikuara. Ukraina është viktima e parë e këtij koncepti. Prandaj teoria mbi shtet-kombin del sërish në skenë si struktura që garanton shtetin dhe qytetarin, rrjedhimisht lirinë, paqen dhe sigurinë.
Arsyet janë të natyrave të ndryshme. Madje, konstatimi se vetëm në shtet-komb demokracia, në kuptimin e gjerë të fjalës, gjen truallin më të përshtatshëm për selitjen e saj të mirëfilltë, tashmë pas kapjes së shtetit nga mafia politike dhe bandat e krimit në Shqipërinë tonë politike, pas eksodit pothuajse biblik të qytetarëve, që de fakto po nulifikon legjitimitetin e qeverisë së “Rilindjes”, merr peshë edhe më specifike.
3.
Kryengritja gjithëpërfshirëse e vitit 1912 filloi me Kuvendin e Junikut të majit 1912. Në ballë të saj ishte Hasan Prishtina, korifeu i saj, që shtroi edhe programin politik. Më 28 nëntor 1912, ajo u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimi i Shtetit të Pavarur Shqiptar po hapte një epokë të re për shqiptarët.
Edhe në relacion me bashkësinë ndërkombëtare të kohës, prej 28 Nëntorit të vitit 1912 e deri në marrjen e vendimeve nga Fuqitë e Mëdha dhe fillimin e zbatimit të tyre, në muajt e parë të vitit 1914, Shqipëria ishte dhe sillej si shtet i pavarur.
Ajo kishte një qeveri legjitime dhe organe të tjera shtetërore, të cilat kishin shpallur dhe kishin vendosur autoritetin e vet mbi popullsinë që jetonte në territore, të cilat formalisht dhe juridikisht përfshinin katër vilajetet e Perandorisë Osmane të banuara nga shqiptarë. Në to bënin pjesë edhe Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Greqi, të njohura tradicionalisht nën emërimin Shqipëri.
“Kjo Shqipëri, sipas teorisë deklarative të njohjes, e cila mbizotëron në të drejtën ndërkombëtare, formalisht ishte shtet dhe subjekt i saj, për rrjedhojë edhe anëtar i bashkësisë botërore të asaj kohe”, – konstaton me të drejtë prof. Ksenofon Krisafi.
Këtë fakt, ju zoti Tarifa si sociolog që jeni, e kaloni sikur të mos ishte zënë në gojë asnjëherë, por nuk di pse përsërisni tezat e dy-tre publicistëve të Prishtinës që mbrojnë tezën e “Kombit kosovar” që thirren po në tezën tuaj se “Kosova nuk na ishte kurrë pjesë e shtetit shqiptar”!
4.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër la jashtë hartës politike të shtetit shqiptar më shumë se gjysmën e territorit që banohej nga shqiptarët.
Përmes një marrëveshjeje irracionale në mars të 1913, Traktatit të Bukureshtit të 11 gushtit 1913 dhe Protokollit të Firences të 17 dhjetorit 1913, Konferenca e Ambasadorëve shpërbleu fqinjët e shqiptarëve me sipërfaqe të tëra të banuara kryesisht nga shqiptarët.
Pas këtij vendimi kaq tragjik, ishte plotësisht e natyrshme të pritej rezistenca e shqiptarëve të krahinave të pushtuara dhe mosnënshtrimi i tyre. Kjo rezistencë në forma të ndryshme përthekoi tërë shekullin XX, deri më 12 qershor 1999, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.
5.
Politika shqiptare ka nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, respektivisht një doktrine politike, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit kombëtar. Në këtë pikë, unë dhe ti, zoti Tarifa, pajtohemi plotësisht.
Nëse anglosaksonët pas Luftës së Dytë Botërore ishin përqendruar në ndërtimin e kësaj metode të të menduarit politik, duke marrë në konsideratë aspektet dhe interesat gjeostrategjikë, ndërkaq francezët krahas përqendrimit në selitjen e mendimit mbi interesin hapësinor, kishin kultivuar, përmes shkencave sociale dhe politike, komponentin filozofik dhe ideologjik, ne, pra shqiptarët, për realizimin e projektit të Federatës Shqiptare dhe zgjerimin e influencës në rajon, kemi nevojë për kombinimin e të dy shkollave të lartpërmendura, duke i shtuar kësaj konceptin ushtarak të të menduarit.
Ky koncept do ta bënte Federatën Shqiptare më me peshë në syrin e aleatëve tanë gjeopolitikë, para së gjithash SHBA-së dhe Gjermanisë. Në këtë rast, Aleancës sonë gjeopolitike (NATO-s) në vend që t’i japim refugjatë, qytetarë që ikin nga mjerimi nga republikat tona, siç po ndodh në ditët e sotme, do t’i jepnim gjeneralë e ushtarë.
Federata Shqiptare duhet të krijohet dhe, besoj e pres, të krijohet ose disa vite para integrimeve të rajonit në BE, ose në hap me të. Natyrisht, nëse mbijeton projekti ambicioz i BE-së.
Prandaj Federata Shqiptare, tashmë, po shndërrohet në domosdoshmëri.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Federata Shqiptare si dimension i ri kombëtar (II)
[Publikuar më 28 qershor, 2024]
Dr. Sadri Ramabaja
Botuar në Dita
Federata Shqiptare – bazamenti i ligjërimit politik të Vetëvendosje. Pse Federatën Shqiptare do të duhej konceptuar si një “dimension të ri kombëtar”? Ajo është e ndërlidhur dhe e ndërvarur tej mase nga kohezioni i forcave politike në dy republikat ekzistuese.
Pjesa e dytë
Trashëgimia politike për ngritjen e platformës së Federatës Shqiptare
Kuvendi i Lezhës dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit – shërbejnë para së gjithash si përpjekjet kulmore që krijojnë trashëgiminë pozitive të popullit shqiptar për bashkim. Dy kuvendet historike – ai i Lezhës (1444) dhe Lidhja e Prizrenit (1878) – mund të cilësohen si bazamente historike të platformës për ngritjen e Federatës Shqiptare, brenda së cilës do të inkorporoheshin dy republikat aktuale (Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës).
Në Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i mblodhi princat shqiptarë nga të gjitha trevat për të krijuar unitetin shpirtëror dhe ushtarak, si kërkesë iminente e kohës për t’u mbrojtur nga pushtimi osman.
Në historinë e popullit shqiptar, kuvendet, si ai i Lezhës dhe ai i Prizrenit, është theksuar me të drejtë, se i kanë përshpejtuar zhvillimet e proceseve të ligjshme dhe me peshë për kombin, sikur që ishte bashkimi i krahinave në një shtet të vetëm, që ruante elemente të federalizmit, por mbetej i përqendruar në çështjet jetike, si mbrojtja dhe siguria e vendit.
Edhe njëri edhe tjetri kuvend historik i kishin parashtruar vetes detyrën historike të bashkimit të popullit shqiptar dhe të klasës feudale në një front të vetëm antiturk. Për këtë qëllim, Skënderbeu organizoi Kuvendin e Përgjithshëm Kombëtar, që hyri në histori me emrin Kuvendi i Lezhës.
Kuvendi u mblodh më 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, që atëbotë ishte nën sundimin e Venedikut. Ai ishte i pari kuvend gjithëpërfshirës, në shkallë kombëtare. Në të merrnin pjesë edhe feudalë më të vegjël, po edhe krerë që e përfaqësonin fshatarësinë e lirë të malësive të Shqipërisë, si dhe një përfaqësues i Venedikut në cilësinë e vëzhguesit. [1]
Kuvendi i Lezhës, duke qenë një bashkim politiko-ushtarak vullnetar princërish të lirë dhe përfaqësues krahinash gjithëshqiptare, mori një sërë vendimesh të rëndësishme dhe historike, që përcaktuan, jo vetëm natyrën juridike të këtij organi, por shpërfaqën edhe vullnetin politik të kohës.
Ideja e bashkimit të të gjitha forcave politike, ushtarake dhe ekonomike të vendit në një front të përbashkët u konkretizua në një sërë vendimesh të Kuvendit. Midis tyre, më i rëndësishmi ishte vendimi për krijimin e një besëlidhjeje ndërmjet bujarëve shqiptarë me emrin “Lidhja e princave shqiptarë”, ose “Lidhja e Lezhës”. Skënderbeu u zgjodh njëzëri kryetar i saj.
Kjo lidhje princërish ishte plotësisht në frymën e kohës. Diçka ngjashëm kishin vepruar edhe feudalët e fshatarët e lirë zviceranë në vitin 1291 [2], tek mblidheshin në Kantonin e Urit. Atëbotë ishte krijuar bërthama e Zvicrës së sotme, kur përfaqësuesit e tri kantoneve malore krijuan “Besëlidhjen” e tyre, e cila do të shndërrohet në një bërthamë magnetike për qytetet dhe krahinat tjera, që do t’i bashkohen më pas dhe do të krijojnë Konfederatën Helvetike.
Kuvendi i Lezhës, me vendimet që mori, e shndërroi Krujën në fushë magnetike për të gjitha krahinat shqiptare. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, shteti i përqendruar shqiptar shtrihej nga brigjet e Adriatikut deri në Prizren dhe nga lumi Devoll e Seman në Jug, duke përfshirë zotërimet e Aranitëve në Shqipërinë Qendrore, deri në Dibër e Pollog.
Siç shihet, nga pikëpamja territoriale, bashkimi shtetëror i Shqipërisë nuk u arrit plotësisht, por krahinat që mbetën jashtë pushtetit të Skënderbeut, në një formë a tjetër, iu gjetën atij pranë, qoftë duke shërbyer si logjistikë, qoftë edhe si mbështetje direkte me ndihma të tjera për nevojat e mbrojtjes dhe ruajtjes së pacenueshmërisë së kufijve.
Kuvendi i Lezhës, si edhe ai i Prizrenit, kishin marrë vendime largpamëse, sidomos në rrafshin e mbrojtjes dhe sigurisë. Edhe njëri, edhe tjetri kuvend, ndër vendimet e para që kishin aprovuar ishte krijimi i ushtrisë shqiptare. Në krye të ushtrisë shqiptare, Kuvendi i Lezhës e pati zgjedhur njëzëri Skënderbeun, si komandant të përgjithshëm të Ushtrisë së Lidhjes (capitaneus generalis). Ndërkaq, Lidhja e Prizrenit, komandant të ushtrisë së saj e pati emëruar Sylejman Vokshin, një burrë të urtë e trim, që Gjakova ia dha Lidhjes së Prizrenit.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, mblidhen përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare, nga të katër vilajetet shqiptare, pa dallim bindjesh politike dhe përkatësie fetare, dhe krijojnë qeverinë e parë të shtetit modern shqiptar.[3] Kjo qeveri merr përsipër dy detyra me rëndësi jetike për kombin shqiptar: e para kishte të bënte me ruajtjen e tërësisë tokësore shqiptare, meqë vendit i kanosej rreziku nga fqinjët, dhe e dyta synonte përgatitjen e terrenit për shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, duke i dhënë përparësi, edhe për shkak të rrethanave të krijuara në Ballkan, fillimisht konceptit politik mbi pavarësinë e brendshme.
Kuvendi i Vlorës – gjithashtu do të mund të shërbente si bazament i tezës që arsyeton dhe argumenton platformën për formimin e Federatës Shqiptare.
Kuvendi i Vlorës (1912), i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë, madje mund të konsiderohet ndër trashëgimitë historike më pozitive që ofron argumente në dobi të tezës sime. Duhet ritheksuar se Kosova ishte në krye të kryengritjeve për shpalljen e kësaj pavarësie.
Kuvendi i Vlorës me të drejtë është cilësuar edhe si Asamble mbarëshqiptare. Në Qeverinë e Përkohshme të dalë prej tij, përfaqësoheshin pothuajse të gjitha trojet shqiptare, duke përfshirë edhe viset e pushtuara nga ushtritë e vendeve ballkanike.
Qeveria e dalë nga kjo Asamble u themelua më 4 dhjetor të vitit 1912. Në punimet e Asamblesë merrnin pjesë 63 delegatë, ndërkaq nga Kosova dhe kryeqendra e saj, Shkupi, morën pjesë 16 delegatë, pavarësisht gjendjes së luftës, pasi këto krahina ndërkohë ishin pushtuar nga Serbia.
Në përbërjen e qeverisë së Ismail Qemalit – qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur – kishte disa prej personaliteteve më të mëdha të kohës nga Kosova dhe viset tjera shqiptare të pushtuara, si Vehbi Dibra (Agolli), në cilësinë e Kryetarit të Pleqësisë. Në përbërje të këtij organi hynë edhe anëtarë të tjerë nga Kosova, si Bedri Pejani, Sali Gjuka dhe Ajdin Draga. Mehmet Pashë Deralla u vendos Ministër i Mbrojtjes dhe Hasan Prishtina, më vonë, Ministër i Bujqësisë.[4]
Këtu më poshtë po sjell pjesë nga Memorandumi që delegatët e Kuvendit të Vlorës ia dërguan Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) dhe që dëshmon katërcipërisht vizionin që kishin ata për Shqipërinë dhe pozicionin e saj në raport me fqinjët. Ky dokument mund të shërbejë edhe sot e kësaj dite si burim frymëzimi në përpjekjet e ligjshme për ta korrigjuar historinë dhe për ta vënë kështu në vendin e vet drejtësinë e nëpërkëmbur në emër të ruajtjes së paqes në këtë pjesë të Evropës.
“Të nënshkruarit, përfaqësues të Qeverisë së Përkohëshme Shqiptare, kanë nderin t’i parashtrojnë Mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikëpamjen shqiptare dhe të vënë në dijeni të tyre kërkesat e ligjshme të Shqipërisë.
Është një fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar përbën grupimin etnik më kompakt, më homogjen dhe më të rëndësishëm të Gadishullit Ballkanik. Prejardhja dhe gjuha e tij, zakonet dhe karakteri i tij e dallojnë plotësisht nga racat (lexo popujt SR), që janë fqinjë me të […]
Populli shqiptar […] frymëzohet nga nevojat lokale, nga ndjenjat e popullsive fqinje në Ballkan për të deklaruar se paqja dhe qetësia e Gadishullit do të sigurohen vetëm në qoftë se do t’i jepet Shqipërisë së ardhshme një konfiguracion homogjen.
Duke u nisur nga kjo, populli shqiptar kërkon për vendin e vet, kufijtë që janë për të të natyrshëm dhe që imponohen si nga kushtet etnike, ashtu edhe nga e drejta e tij si banues i parë (autokton SR) […] Kufijtë që ne rivendikojmë janë ata që do të shkojnë gjatë një vije demarkacioni, që niset nga kufijtë e tanishëm të mbretërisë malazeze dhe që përfshijnë sidomos bashkë me hinterlandet e tyre, qytetet e Pejës, të Mitrovicës, të Prishtinës, të Shkupit dhe të Manastirit deri në Mecovë, duke ruajtur kufijtë e tanishëm deri në Prevezë…”[5]
Rezoluta e Konferencës së Bujanit (1943)[6] – forcon edhe më tej bazamentin historik të përpjekjeve të pandërprera të shqiptarëve për bashkim. Rrjedhimisht, ajo mund të shërbejë si argument historik e politik i dorës së parë, që flet në dobi të tezës mbi arsyeshmërinë, respektivisht rrjedhën e natyrshme të procesit drejt Federatës Shqiptare.
Rezoluta e trajtoi qartë, guximshëm e pa ekuivoke çështjen kombëtare të shqiptarëve dhe rrugën që duhej ndjekur për zgjidhjen e saj. Nëpërmjet kësaj rezolute, delegatët e Mbledhjes së Bujanit kishin marrë qëndrim që, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të shkohej drejt bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Në rezolutën në fjalë janë theksuar qartë objektivat e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës në raport me vizionin dhe gjakimin e shqiptarëve për bashkim[7]. Këtë vizion të kësaj pjese të popullit shqiptar, delegatët e kësaj konference historike shpresojnë se do ta realizojnë edhe me ndihmën e aleatëve që ishin bashkuar në luftë kundër nazizmit dhe fashizmit, që e kishte përmbytur gjithë Evropën.
Pikat e kësaj rezolute, që ndërlidhen me vizionin në fjalë, janë si vijon:
1. Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të banuara kryesisht me shqiptarë.
2. Shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë, dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.
3. Rruga më e mirë për shqiptarët që të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë.
4. Populli shqiptar i Kosovës do të ketë mundësi ta caktojë fatin e vet si rezultat i luftës kundër pushtuesit.
5. Përcaktimi i fatit të vet përfshin edhe të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.
6. Kjo e drejtë garantohet nga Lufta Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe nga aleatët e mëdhenj antifashistë, ashtu siç është premtuar nga Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit.
UÇK-ja – betimi i saj – “[…] Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa e kursyer as jetën time, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem! Betohem! Betohem!”
Në rrethanat e krijuara në fillim të viteve të ‘90 të shek. XX, gjatë procesit të zhbërjes së RSFJ-së (Jugosllavisë), krijimi i unitetit politik brenda faktorit shqiptar në Ballkan po shtrohej si domosdoshmëri kohe. Tashmë, pjesa dërrmuese e shqiptarëve kishin arritur të identifikoheshin me idenë për domosdoshmërinë e krijimit të Republikës së Kosovës, që si e tillë po krijonte parakushtet që të humbnin normat standarde me të cilat njerëzit jetojnë.
Ato norma standarde në vitet e fundit të shek. XX e humbën madje edhe “vlerën e tyre”, duke u shndërruar në faktorë nxitës për krijimin e normave të reja, “që i kapërcejnë kufijtë e zakonshëm të kohës dhe standardet e instaluara të historisë”[8], duke krijuar kështu parakushtet që individi shqiptar ta ndiejë zero-çastin e ngjarjes që e bën historinë.
Këtë zero-çast shqiptarët po e jetonin në vendimet historike të organizatave që e krijuan UÇK-në (si LPK, LKÇK), e më pas në aksionet e para të kësaj ushtrie, e në mënyrën më të veçantë në aktin e vetësakrifikimit të Adem Jasharit (komandantit legjendar të UÇK-së, më 7 mars 1998, me gjithë familjen e gjerë – 54 veta, gra dhe fëmijë), akt që do ta inspironte njërin prej administratorëve të UNMIK-ut, Bernard Kushner (2000), tek i vizitoi kullat ku ishte bërë beteja (më 5, 6 dhe 7 mars 1998) dhe varrezat në Prekaz, të shprehej se po të ekzistonte Çmimi Nobel për Liri, ai pa dyshim do t’i takonte së pari Adem Jasharit.
Në një dokument të vitit 1993, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) konstatonte: “Populli shqiptar duhet të bashkohet rreth një platforme unike kombëtare. Kësaj platforme SR i duhet një organizim unik kombëtar dhe centralist, që do ta organizojë një lëvizje kombëtare shqiptare të fortë dhe luftarake”.[9]
Qëllimi më i lartë i kësaj ndërmarrjeje ishte çlirimi i Kosovës dhe krijimi i kushteve për vetëvendosje. Bazuar në këtë platformë politike, më 1993 u themelua, nga Kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës[10], që gëzoi mbështetje të plotë, më pas, nga Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB) dhe Partia Parlamentare e Kosovës (PPK), duke u shkrirë tok në radhët e kësaj ushtrie, që nga ekspertët ushtarakë do të cilësohej si një nga guerilet më të suksesshme.
Viti 1999 do të hyjë në historinë moderne shqiptare si viti i UÇK-së. Ajo do të shndërrohet në një organizatë politiko-ushtarake, që do të shërbejë si amalgamë e kohezionit kombëtar, e cila do të kulmojë me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.
2. Determinuesit gjeopolitikë
Bashkimi i popullit shqiptar (edhe në formë të një Federate Shqiptare), me gjithë kufizimet dhe kushtëzimet që i vihen Kosovës me Kushtetutën e saj, të bazuara në pakon e Ahtisarit, ka qenë, është dhe do të mbetet synim i vazhdueshëm i popullit shqiptar, pjesë e projektit madhor të krijimit të shtetit nacional në kushte dhe rrethana moderne.
Determinuesit gjeopolitikë që flasin në favor të krijimit të Federatës Shqiptare janë si vijon:
1. Faktori historik dhe ai gjeografik;
2. Faktori shoqëror/politik dhe diplomatik;
3. Faktori ushtarak/politik dhe gjeostrategjik;
4. Faktori ekonomik – potencialet / mundësitë materiale;
5. Rruga e Kombit (tashmë e realizuar);
6. Projekti i hekurudhës (i ideuar);
7. Sistemi energjetik unik;
8. Faktori demografik;
9. Faktori shkencor, tekniko-teknologjik.
(Këtë faktor do të duhej ta trajtonim ndër më qenësorët, meqë zhvillimi dhe prosperimi i tij do të determinojë edhe ndryshime sistemesh në shkallë globale. Të kujtojmë futjen e internetit në shfrytëzim masiv dhe gjithë kompleksin e rrjetit të shërbimeve kibernetike në vitet ‘90 të shekullit XX dhe rolin e tij në zhvillimin e ekonomisë në shkallë globale. Ndërkaq faktorët shkencorë tekniko-teknologjikë [Intelegjencia Artificiale] zhvillimi i hovshëm i kibernetikës dhe sistemit energjetik me burime të ripërtërishme etj., do të shënojnë fillimin e epokës së re me karakter tërësisht revolucionar, të paparë në civilizimin modern të epokës sonë.)
Në këtë replikë e konsiderojë me interes të kufizohem tek njohja dhe të kuptuarit e pozicionimit, respektivisht konfigurimit gjeopolitik të gjithë hapësirës shqiptare në hartën gjeopolitike të Ballkanit të pas-shpërbërjes së ish-Federatës jugosllave, i cili po duket se është në rrugën e përmbylljes, me:
• Republikën e Shqipërisë – si një “Rimland” i gjeografisë politike;
• Republikën e Kosovës – si një “Hinterland” i gjeografisë politike dhe gjeopolitikës shqiptare, të dominuar nga shqiptarët (parë nga elementi demografik dhe fuqia e ndikimit), de-jure multi-etnik (me gjashtë entitete);
• Një shtet me shqiptarët element shtetformues – Republikën e Maqedonisë së Veriut, si pjesë dhe periferi e “Hinterlandit” – gjeografisë politike dhe gjeopolitikës shqiptare dhe
• Një periferi gjeopolitike shqiptare – periferi e “Hinterlandit”; nga prania e elementit shqiptar me identitet të ruajtur kombëtar, nën juridiksionin e Serbisë dhe Malit të Zi, por me fuqi të vogël të ushtrimit të pushtetit në trojet e veta etnike.
Silogjizmat e përdorur në këtë konfigurim të gjeopolitikës shqiptare duhet kuptuar si fuqi refleksi në rrugën e integrimeve dhe procesit të krijimit të Federatës Shqiptare; Republikën e Shqipërisë si pjesë ekuatoriale – “Rimland” dhe Republikën e Kosovës si pjesë kontinentale – “Hinterland, në hartën gjeopolitike shqiptare, kushtimisht i kemi quajtur ashtu, sepse reflektimi gjeopolitik i njërës është rezultat i fuqisë së hapësirës ujore – detare të saj, ndërsa i tjetrës, si rezultat i fuqisë kontinentale.
Por, për dallim nga të kuptuarit burimor të këtyre koncepteve si “përplasje e pjesës detare me atë kontinentale” (kuptim i britanikut, themeluesit të këtij koncepti – Mackinder), pozicionin gjeopolitik të tyre duhet kuptuar në funksion të forcimit, integrimit dhe bashkimit të pjesës kontinentale apo zemrës – Hinterlandit të gjeopolitikës shqiptare me pjesën detare- Rimlandit, për ta fuqizuar kështu së bashku procesin e integrimit dhe krijimit të Federatës Shqiptare.
Për të shërbyer pozicionin – konfigurimin gjeopolitik të paraqitur më sipër, në funksion të ngritjes së
fuqisë së ndikimit dhe në interes të integrimit dhe krijimit të Federatës Shqiptare, duhet fuqizuar zemra e dheut – Hinterlandin e gjeopolitikës shqiptare, si çelës i gjithë fuqisë gjeopolitike shqiptare. Kjo duhet konsideruar në përputhje me konceptin e Dr. Haxhi Feratit, që konsideron se, “kulmi i piramidës” së gjeopolitikës shqiptare do të duhej të ishte pikërisht pjesa e “Hinterlandit”[11], tani për tani i mbështetur mbi bazën e tri shtyllave nga ai konfigurim gjeopolitik.
Ky proces nënkupton bashkëpunimin me faktorët ndërkombëtarë me peshë në përcaktimin e kthesës historike në këtë pjesë të Evropës Juglindore dhe, para së gjithash, me Brukselin, si partner strategjik. Aplikimi i modelit gjerman në ngritjen e një shteti federal me ekonomi të shëndoshë, sistem politik tërësisht në mbështetje të filozofisë politike evropiane, me një sistem edukimi që merr e selit më tutje atë çka është më pozitive nga tradita e tij, por është krejtësisht i hapur për shkollën dhe mendimin racional evropian, do t’i ndihmonte procesit të ngritjes së një federate stabile dhe prosperuese.
Ndërkaq, bartja e kryeqendrës së Federatës Shqiptare në Prizren, bashkë me selitë qendrore, do të shkonte në dobi të këtij qëllimi gjeostrategjik. Gjithësesi ky hap do të duhej të arrihej me unitet të plotë.
Gjithashtu, me interes praktik gjeopolitik, në dobi të paqes në rajon dhe proceseve integruese evropiane, Federata Shqiptare do ta përjashtojë mundësinë e ngritjes së saj mbi bazën e koncepteve dhe strategjive të provuara, të cilat kryesisht si mjet e kanë pasur luftën e armatosur. Në realitetin e ri gjeopolitik duhet kuptuar dhe pasur qasje të re. Prandaj, Federatën Shqiptare do të duhej konceptuar si një “dimension të ri kombëtar”, me koncepte dhe strategji të reja, për të qenë në funksion të ndërtimit të perspektivave të reja, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për popujt tjerë të Evropës Juglindore, në dekadën që pason, e që do të duhej të shënjonte prologun e integrimit në gjirin e Familjes Evropiane, pjesë e së cilës janë dhe duan të mbeten edhe shqiptarët.
Bashkimi kombëtar kalon nëpër Federatën Shqiptare
Ballkani, që prej shembjes së Perandorisë Austro-Hungareze dhe asaj Osmane, si rajon me peshë të veçantë gjeopolitike, u është nënshtruar një varg proceseve rikonfiguruese. Harta politike e tij në shtrirjen kohore, që përthekon shekullin XIX dhe shtrihet deri në fund të shekullit XX, ka pësuar ndryshime të thella.
Në Ballkan ka shtete të panatyrshme, të cilat, në disa raste, mbahen në këmbë me hapësira shqiptare dhe popull shqiptar. Prandaj, krijimi i Federatës Shqiptare do të shënojë prologun e kthimit të normalitetit dhe me këtë edhe të krijimit të parakushtit elementar për relaksimin, e më pas edhe normalizimin e raporteve ndërmjet dy kombeve tejet të ndërvarura në Ballkan – kombit shqiptar dhe atij serb.
Formimi i Federatës Shqiptare është i ndërlidhur dhe ndërvarur tej mase nga kohezioni i forcave politike në dy republikat ekzistuese. Ky proces nënkupton forcimin dhe zgjerimin e grupeve politike që kanë për platformë bashkimin e kombit, por edhe mbështetje të gjallë politike dhe financiare nga diaspora shqiptare dhe ligjvënës të aftë dhe me vullnetin e duhur politik për sakrifica dhe kompromise të nevojshme.
Ndërkaq, këto forca politike kanë nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit nacional.
Procesi i ngritjes në këmbë të Federatës Shqiptare nënkupton bashkëpunimin me faktorët ndërkombëtarë me peshë në përcaktimin e kthesës historike në këtë pjesë të Evropës Juglindore dhe, para së gjithash me Brukselin, si partner strategjik. Aplikimi i modelit gjerman në ngritjen e një shteti federal me ekonomi të shëndoshë, sistem politik tërësisht në mbështetje të filozofisë politike evropiane, me një sistem edukimi që merr e selit më tutje atë çka është më pozitive nga tradita e tij, por është krejtësisht i hapur për shkollën dhe mendimin racional evropian etj., do t’i ndihmonte procesit të ngritjes së një federate stabile dhe prosperuese.
Ndërkaq, bartja e kryeqendrës së Federatës Shqiptare në Prizren, bashkë me selitë qendrore, do të shkonte në dobi të këtij qëllimi gjeostrategjik.
Duke e krijuar një treg kombëtar të përbashkët, shqiptarët do ta krijonin një ekonomi të qëndrueshme, konkurruese dhe me mundësi për të prosperuar shpejt.
Popullsia shqiptare është e re, më e reja në Evropë. Ky resurs ekonomik do t’i jepte shtysë zhvillimit të vendit po ta kishte një arsim të mirëfilltë evropian.
Gjatë këtyre dy shekujve të fundit, shqiptarët nuk kanë pasur partner ndërkombëtar strategjik që t’i mbronte interesat e tyre kombëtare. Lufta në Kosovë (1999) e ndryshoi këtë raport. Shqiptarët aktualisht e kanë një partner strategjik në marrëdhëniet ndërkombëtare, SHBA-të.
Në kuadër të zhvillimeve të pritshme të partneritetit strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Unionit Evropian, shqiptarët do ta kenë peshën që e meritojnë në dobi të forcimit të këtij partneriteti.
Si territor gjeografik, hapësira që shtrihet ndërmjet koordinatave 41°N 20°E 42.6°N 20.85°, nga shqiptarët njihet si atdheu i tyre dhe i paraardhësve të tyre, ilirëve. Federata Shqiptare do të krijohej duke përfshirë pjesën më të madhe të saj brenda kufijve federalë dhe do të kishte efekte të prekshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Shqiptarët, si autoktonë dhe trashëgimtarë të këtij rripi toke që laget nga detet Adriatik, Jon dhe Egje, e që këputet nga vargmalet e Kopaonikut, Dinarikeve dhe atyre të Pindit Jugor, e ndiejnë veten zot të kësaj hapësire.
Nëse i kemi parasysh këto koordinata gjeografike, Federata Shqiptare, në këtë kuadër, do të ishte një urë e fortë lidhëse e rrugëve detare nga Kanali i Otrantos, nëpër Mesdhe, Ngushticën e Gjibraltarit dhe atë të Bosforit. Rrugët ajrore nga Azia e Vogël, bregu verior afrikan dhe pjesa e poshtme e Evropës do të fitonin peshë e rëndësi shumë më të madhe se sa kanë sot.
Rrugët tokësore, si hekurudha Selanik-Munih dhe që vazhdon tutje e degëzuar nëpër Pollog dhe Luginën e Preshevës, pastaj rruga romake Egnatia, lidhësja e Adriatikut me Panoninë, ajo Tivar-Beograd e shumë nëndegëzime të tjera, do ta bënin Shqipërinë një faktor edhe më të pëlqyeshëm në hartën e Kontinentit të Vjetër.
Dhe, në fund, sa i përket transportit, rritja gjithnjë e më e madhe e kërkesës për naftë dhe gazra që vijnë nga pellgu i Kaspikut, ai i Detit të Zi dhe rajonit të Kaukazit, ngre portet e Vlorës, Durrësit, Shëngjinit dhe Tivarit si porte me rëndësi, jo vetëm ekonomike, në dobi të Federatës Shqiptare dhe Unionit Evropian.
* * *
Por, krahas këtij aspekti të perspektivës që do të krijonte Federata Shqiptare, perspektiva evropiane, pas vrojtimeve të gjithanshme, na rezulton se është e varur shumë nga rrumbullaksimi i procesit shtetit-komb në Evropën Juglindore dhe ruajtjes së sferave dhe kompetencave të shtetit në raport me interesat e qytetarit, respektivisht mirëqenies së tij.
Projekti i Federatës Shqiptare i ka kundërshtarët e vet në rajon (Ballkan) dhe brenda UE-së.
E vetëkuptueshme se Serbia do të vazhdojë të mbetet pengesa më serioze e çfarëdo përpjekjeje të integrimit brendashqiptar dhe faktorizimit të kombit shqiptar në rajon, përderisa Brukseli nuk do të ketë qëndrim më të prerë ndaj Beogradit. Ndërkaq Greqinë, Qipron dhe Rumaninë, Beogradi do të vazhdojë t’i ketë mbështetëse të politikave të tij që shkojnë në dobi të ruajtjes së status quo-s, në mos edhe më keq, në prezantimin e faktorit shqiptar si destabilizues në rajon, por edhe element defaktorizimi të BE-së në këtë pjesë të kontinentit.
Fakti që Republikën e Kosovës nuk e kanë njohur 5 nga 27 shtetet, që ka unioni, shpreh se kundërshtarët e këtij projekti mund të jenë pengesë serioze, por jo edhe e pakalueshme për rrumbullaksimin e projektit të Federatës Shqiptare.
Në rast se kundërshtimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Rumania, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Spanja vazhdon, e për pasojë integrimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian bëhet i pamundshëm, ky qëndrim i pesëshes evropiane, për politikën zyrtare të Prishtinës dhe Tiranës do të duhej të ishte motiv shtesë për inicimin më të përshpejtuar të integrimit ndërmjet dy republikave.
Ndërkaq, parimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit, i aprovuar në takimin e nëntorit të vitit 2007, në Nju-Jork, respektivisht pasuesi i tij që thekson se “…nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër…” mbetet ndër pengesat më serioze, por jo të pakalueshme.
I një rëndësie strategjike mbetet fakti se asnjë forcë politike parlamentare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, nuk është deklaruar kundër projekteve integruese ndërmjet dy republikave.
Çfarëdo përpjekje serioze e shndërrimit të UE-së nga një union ekonomik ne një union politik, për faktorin shqiptar është i mirëseardhur. Krijimi i një hapësire të hapur graviteti nga një lagje shtetesh që pretendojnë thellimin e kursit të integrimeve brenda BE-së, për Republikën e Kosovës dhe faktorin shqiptar, në tërësi, është i mirëseardhur.
Madje, për këtë “bërthamë” aktive të BE-së, Federata Shqiptare fare lehtë shndërrohet në partner të forcimit të kësaj “hapësire të gravitetit”. Si bllok i tillë, hapësira e hapur e gravitetit do të shndërrohej në një lokomotivë tërheqëse në objektivin e saj për shndërrimin e Bashkimit Evropian në një union politik.
Kundërshtimi i tezës për konstituimin e Federatës Shqiptare do të thotë realisht kundërvënie e hapur ndaj së drejtës universale të kombeve për vetëvendosje.
Federata Shqiptare mund të vlerësohet edhe si një gur provues i ngritjes, mëkëmbjes dhe mbijetesës së vetë BE-së, respektivisht ecjes së Unionit drejt një sistemi politik që do të ngrihej mbi parimet e federatës funksionale.
Federata Shqiptare do ta krijonte një realitet të ri gjeopolitik në Evropën Juglindore, duke e shndërruar kombin shqiptar në partner të dinjitetshëm e të barabartë me të tjerët.
Ajo (Federata Shqiptare) do të ishte gjithësesi e dobishme për qytetarët e të dy republikave shqiptare dhe më gjerë, por edhe për vetë bashkësinë familjare evropiane, së cilës i takon kombi shqiptar.
Integrimi i brendshëm i kombit shqiptar duhet shikuar edhe si nevojë imediate e brendshme. Nga ky këndvështrim, edukimi politik i qytetarëve shqiptarë në këtë rrafsh merr konotacione shtesë të përgjegjësisë politike, jo vetëm për elitën intelektuale.
Ndërkaq, insistimi për mbajtjen e shqiptarëve kështu të ndarë nënkupton investim dhe insistim në brishtësinë e Evropës Juglindore dhe pozitës së saj në BE, si periferi e Brukselit.
Është e drejtë e Serbisë që ta zgjedhë rrugën e saj: të mbetet në pozicionin e saj tradicional “neutral”, ose edhe me Lindjen (Moskën), edhe me Perëndimin (Brukselin), por nuk është e drejtë dhe politikisht korrekte të mbetet paqja dhe prosperiteti i Ballkanit peng i Serbisë.
_______________
1. Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Luarasi University Press, Tiranë 2007, fq. 131
2. Brockhaus-Enzikplopädie, Vëllimi 19, Mannheim 1992, fq. 657
3. Në Kuvendin e Përgjithshëm, që u mblodh në Prizren, më 1 korrik 1878, nga 300 delegatë njihen sot të paktën 140 emra, nga të cilët 96 ishin nga Kosova, 26 nga Vilajeti i Shkodrës dhe 20 nga Vilajeti i Janinës. Në një mbledhje të fshehtë të Këshillit, ai vishet me funksionet e Legjislativit, ndërkaq Komiteti Kombëtar do të ushtronte funksione ekzekutive. (ASHA & Instituti i Historisë, Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar, Tiranë 2002, fq. 160)
4.Koço Danaj, Platforma e Shqipërisë Natyrale, Tiranë 2009
5. Cituar nga Platforma e Shqipërisë Natyrale, fq. 18-19
6. Konferenca e Bujanit u thirr në kohën kur po vëreheshin ndryshime të mëdha në fushëbetejat kryesore të Luftës së Dytë Botërore dhe kur po paralajmërohej kthesë e madhe në dobi të Koalicionit Antifashist. Nga fundi i vitit 1943 dhe fillimi i vitit 1944 pati zhvillime edhe në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kosovë. Udhëheqja e saj vendosi ta thërriste Konferencën Themeluese të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Një vendim i tillë ngjalli reagim në qarqet udhëheqëse të PKJ-së, të cilat u druheshin vendimeve që mund të merreshin aty. Në anën tjetër, shqiptarët e Kosovës dhe forumet e luftës në Kosovë po bindeshin çdo ditë e më tepër se nga PKJ-ja nuk mund të pritej zgjidhja e çështjes së tyre kombëtare. Prandaj, këtë çështje ata duhej ta merrnin vetë në dorë. Thirrja e Konferencës shihej si hapi i parë i domosdoshëm për zgjidhjen e këtij problemi.
Konferenca i zhvilloi punimet më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, në Bujan, Malësi e Gjakovës. Nga 61 delegatë të ftuar, në konferencë morën pjesë 49, ndërkaq të tjerët, për shkak të kushteve të vështira, nuk arritën dot. Sipas përkatësisë kombëtare, 43 delegatë ishin shqiptarë, 4 serbë, 3 malazezë dhe një mysliman (boshnjak SR).
Në konferencë mori pjesë dhe përshëndeti edhe përfaqësuesi i Misionit Anglez, major Baili. Ai e vlerësoi angazhimin e popullit të Kosovës në radhët e Lëvizjes Antifashiste.
Konferenca e nxori edhe Rezolutën e saj historike.
7. Materialet e Konferencës (Proklamata, Rezoluta, telegramet përshëndetëse etj. ishin botuar fill pas kësaj ngjarjeje historike, në gazetën “Lirija- Sloboda”, në numrin solemn të saj. Ato materiale u ishin dërguar edhe komiteteve partiake dhe këshillave nacionalçlirimtarë të Kosovës, si dhe vetë udhëheqjes së Partisë dhe të Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, ndërkaq nëpërmjet Shqipërisë, tutje edhe Miladin Popoviqit në Shqipëri dhe Svetozar Vukmanoviq-Tempos në Maqedoni. Reagimi i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë ishte jo vetëm dinak, por edhe i prerë. Aty theksohej “gabimi kryesor” i konferencës, tek kishte lejuar që të miratohej në rezolutë kërkesa e shqiptarëve për bashkim, në njërën anë dhe, në anën tjetër, përvijohej diskursi politik dhe vetë strategjia e PKJ-së që do të hedhë kokë në vitet 1945-1948 për përfshirjen e Shqipërisë në kuadër të Jugosllavisë. Produkt i këtij qëndrimi ishte vendosja e Administrimit Ushtarak (“Vojna Uprava”) në Kosovë, në vitin 1945.
Shih për këtë kujtimet e Fadil Hoxhës në: Veton Surroi, Fadil Hoxha në vetën e parë, Koha, qershor 2010, fq. 191-198
8. Ukshin Hoti, Po aty, fq. 175
9. Shih: Thirrja e LPK-së, 1993
10. Shih: Komunikata e LPK-së, 1993
Muhamet Kelmendi “Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës”, Tiranë 1999;
Gafurr Elshani “UÇK – Dokumente dhe artikuj”, Prishtinë 2003
11. Prof. dr Haxhi Ferati, Koncepti dhe ideja e integrimeve brendakombëtare dhe bashkimit kombëtar, në realitetin e ri gjeopolitik me Kosovën shtet (dorëshkrim)
—-
©Copyright Gazeta DITA