Dr Sadri Ramabaja*
Në vitin 1945, diplomati dhe poeti francez Paul Claudel, shkruante: “Gjermania nuk është këtu, që t’i ndajë popujt, por të gjithë atyre kombeve të ndryshme që rrethojnë kombin gjerman, t’i bëjë të ndiejnë se ata nuk mund të jetojnë pa njëri-tjetrin”. [Hans-Dietrich Genscher: 1997]
Këtë fakt tashmë duhet ta kuptojnë kombet e Europës Juglindore (EJ) dhe ta kenë më se të qartë se, Federata Shqiptare (FSH) do të jetë faktor koheziv dhe në shërbim të interesave të sigurisë dhe mirëqenies për popujt e rajonit. Shqetësimet e një sërë shtetesh të BE-së lidhur me rreshtimin e mundshëm të FSH-së në krah të aleancave gjeopolitike në ngjitje, e që do të mund të ishin kundër BE-së dhe interesave të saj jetikë afatgjatë, përmes promovimit të qartë e pa ekuivok të interesave tonë jetikë nacionalë brenda BE-së, duhet mënjanuar e nulifikuar me urgjencë. Dihotemia politike në këtë rrafsh strategjik nuk ka vend. Prandaj çfarëdo koketimi i tepruar me Turqinë erdoganiste, e madje edhe me elementë të njohur radikalë dhe të pozicionuar dikur kundër pavarësisë së Kosovës, që tashti janë në administratën e Trump-it, në dëm të Gjermanisë dhe BE-së, do ta bënin Federatën Shqiptare dhe çfarëdo integrimi brenda shqiptarëve, të trajtohet si faktor shqetësues për sigurinë e BE-së dhe interesave nacionalë gjermanë në Europën Juglindore. Ne nuk guxojmë të shndërrohemi assesi as në faktorë përçarës, por as edhe anues, në çfarëdo gare të mundshme të brendshme mes boshtit të BE-së. Vizioni i Federatës Shqiptare si faktor kohezoni brenda EJ-së dhe, më tej, në nivele të BE-së, duhet të jetë pjesë e strategjisë sonë së veprimit edhe në të ardhmen e afërt, kur do të jemi pjesë e familjes europiane, anëtarë të denjë të BE-së, bashkësisë së kombeve, që tashmë njihet si bashkësi politike.
Federata Shqiptare nuk realizohet dot brenda “ëndrrës amerikane”, por ajo përmbushet plotësisht si “ëndërr jona, pra ëndërr shqiptare “brenda” ëndrrës europiane”. Aleida Assmann në studimin e saj me titullin “Ëndrra europiane”, e sheh këtë fenomen politik si “një panoramë të përbashkët të mendimit dhe veprimit për kombet e BE-së” [A. Assmann: 2019], që duhet të jetë produkt i leksioneve të përvetësuara të historisë, por edhe si propozim i denjë i saj. Kjo ëndërr e realizuar pjesërisht brenda BE-së rezulton të jetë plotësisht “e lidhur përmes historisë së dhunës”. [A.Assmann: 2019] Dhe kjo ndodhi dhe po ndodh çdo ditë, meqë në Europë historia është materie, prej së cilës nuk ngjizen vetëm ëndrrat e trishta dhe traumat, por edhe ato me shije pranvere. Ajo është vetë mishërimi i së ardhmes së përbashkët e formësuar mbi bazën e vullnetit politik, si garanci e paqes, mirëqenies dhe lirisë. Historia moderne e Europës dëshmon se përmbushja e kësaj ëndrre është e mundshme. Popujt e Europës tashmë e njohin mirë historinë e dhunës, ndërkaq përmes realizimit të BE-së, ata kanë dëshmuar se dinë të përvetësojnë, ta njohin dhe të reflektojnë mirë ndaj leksioneve që u ka dhënë historia.
Historia moderne e Europës, për fat të mirë, ka përgënjeshtruar mendimtar kolosal, siç ishin, p.sh., Xhorxh Fridrih Hegel dhe Bernard Shou, të cilët kishin ardhur në konkluzione pesimiste, duke pohuar se “gjithçka që ne mësojmë nga historia, është se nga ajo nuk mësojmë dot gjë”.
BE-ja është produkt i një procesi të gjatë të të mësuarit nga historia.
Kohezioni i shtet-kombit
Në ligjëratën me titull “Çka është kombi?”, të mbajtur në Sorbonë më 11 maj 1882, filozofi francez Ernest Renan, përveç të tjerash sheston edhe për të ardhmen e shtet-kombit. Me këtë rast, ai vjen deri te përfundimi: “Kombet nuk janë të përjetshme. Konfederata Europiane, sipas të gjitha gjasave, do t’i shuajë ata”. [Ernest Renan:1995] Po të ishte Renani në jetë në vitet 1989-’91, e veçanërisht në këto vitet e fundit 2015 e më tej, duke veneruar me kujdes frymën që po përjeton riafermimi i kombit dhe shtet-kombit, sidomos në Europën Lindore dhe atë Juglindore, fare lehtë do ta korrigjonte tezën e tij, duke i dhënë përparësi nevojës dhe domosdoshmërisë së kultivimit të kohezionit të shtet-kombit, që në realitet nënkupton shtetin modern, respektivisht shtet-kombet edhe brenda Federatës (a Konfederatës) Europiane, respektivisht ëndrrës europiane, si diçka imanente për të ardhmen e përbashkët në kontinentin tonë.
Historiani amerikan Tony Judt, në vitin 1996 shkruan për “iluzionet e mëdha të Europës”. Ndërkaq, politologu britanik, Alon Milvard, në një studim të tij me frymë klasike, shkruan për BE-në si “shpëtimtare e shtet-kombeve”. [Tony Judt:1996]
Që të dy kanë konstatuar me të drejtë se, ndërkohë, në Europë, si në Lindje, edhe në Perëndim, kemi të bëjmë me fenomenin e “rizbulimit dhe ridëshmimit të shtet-kombeve”. Pikëpamjet e shprehura nga teoricienë të milieut kozmopolit, që mbrojnë tezën se shtetet janë tashmë struktura të vjetruara, që duhet dhe do të zëvendësohen me organizata të karakterit ndërkombëtar, rezultojnë të jenë problematike, meqë deri tashti askush nuk ka zbuluar ndonjë metodë, që të “tilla struktura, respektivisht bashkësi, të pajisen me Përgjegjësi Demokratike” Ndërkaq, fakti se funksionimi i këtyre struktura “varet prej normave të përbashkëta, perspektivës dhe, së fundi, edhe nga kultura, që tashmë ekzistojnë në nivelin e strukturave nacionale, por jo edhe në ato me karakter ndërkombëtar”, [F. Fukujama: 2019] flet në dobi të tezës mbi Federatën Shqiptare. Në këtë stad, procesi i integrimit të brendshëm i të dyja republikave shqiptare në një shtet federal, është fare i natyrshëm, madje edhe i domosdoshëm.
Shtetet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore, që dikur ishin pjesë e Bllokut Sovjetik, aderimin në BE, krahas atij të çlirimit nga tutela ruse, e shihnin si proces strategjik e në dobi të sigurisë afatgjatë nacionale. Si i tillë, ky proces mbetet për aq kohë sa merret si i mirëqenë mendimi i presidentit rus, Vladimir Putin (2005) lidhur me cilësimin e shembjes së Bashkimit Sovjetik si “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shek. XX” dhe për aq kohë sa është në jetë “Doktrina Putin”.
Sidoqoftë, krizat nëpër të cilat po kalon BE-ja (2008 e më tej). Por edhe ndeshtrashat e përditshme në raport me përmbylljen e procesit historik, që ndërlidhen me të drejtën e kombeve për vetëvendosje (Irlanda, Katolonia, Skocia), pastaj çështja e hapur e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (qoftë edhe duke iu njohur të drejtën minimale për vetëvendosje të brendshme), ajo e Sanxhakut (Novi Pazarit), e Republikës Sërbska (në Bosnjë) etj., nuk na lënë të jemi shumë optimistë e të pohojmë se procesi i shndërrimit të Europës nga një kontinent i luftërave në atë të paqes, krijimin e Federatës Shqiptare, jam i prirë ta shoh edhe si kontribut të veçantë për ruajtjen e paqes në rajon dhe të kohezionit të shtet-kombit në BE.
Katër leksionet e historisë dhe ëndrra europiane
Në librin e saj, “Der europaeische Traum” (Ëndrra europiane), Alajda Asman potencon katër nga leksionet e historisë, që kanë kontribuar në shndërrimin e qytetarëve europianë në banorë të një utopie, po aq sa edhe të një historie të përbashkët:
- Sigurimi i paqes;
- Promovimi, respektivisht restaurimi i shtetit të së drejtës dhe ngritja e demokracisë;
- E vërteta historike dhe ndërtimi i kulturës gjermane të kujtesës;
- Rizbulimi i të drejtave të njeriut.
Epoka prej 9 majit 1945, që shërben si datë simbolike e kujtesës për rënien e nacional-socialistëve të Hitlerit, e që konsiderohet edhe si data e kthesës historike, fitores kundër fashizmit si ideologji, shënon edhe fillimin e historisë moderne të përbashkët të BE-së. Historiani britanik, Timothy Garton ASh, pavarësisht eurokrizës, ndeshtrashave të mëdha, për pasojë, në lëmin e financave edhe në raportet veri-jug (Gjermani/Francë/Danimarkë në njërën anë dhe Greqi/Itali/Spanjë, në anën tjetër), lidhur me historinë e së ardhmes së BE-së, në një intervistë dhënë të përditshmes gjermane “Süddeutsche Zeitung” më 4 korrik 2013, qe shprehur:
“Europa, sidoqoftë, është një krijesë e papërsëritshme, një herë e krijuar”. [T.G.ASh: 2013].
Si të tillë – të papërsëritshme, BE-në, këtë projekt politik sui generis, e bën vetë historia.
Çlirimi i Kosovës (qershor 1999), si pjesë e historisë progresive europiane, ka krijuar parakushtin për zgjerimin dhe përmbylljen e këtij projekti. Ai ka krijuar parakushtet edhe për sigurimin e paqes në EJ dhe ka hapur perspektivën për integrim të shteteve të rajonit në strukturat euroatlantike. Pa çlirimin e Kosovës nga Serbia as që do të mund të paramendohej aderimi i Shqipërisë, por sidomos ai i Malit të Zi dhe, së shpejti, edhe i Maqedonisë Veriore në NATO, duke çelur kështu mundësitë reale për aderim edhe në BE.
Me aplikimin e vetingut në drejtësi, edhe Shqipëria aktualisht po promovon gradualisht shtetin shqiptar, këtë nukleus të Federatës Shqiptare, si shtet i së drejtës. Nëpër këtë proces (duke e përvetësuar edhe si leksion të historisë europiane), gjithsesi do të kalojë edhe Republika e Kosovës.
Leksioni i tretë, ai që ka të bëjë me të vërtetën historike dhe ndërtimin e kulturës së kujtesës, megjithëse ka të bëjë më shumë me Serbinë, elemente të tij duhet përvetësuar edhe nga shqiptarët.
Emërtimi i rrugëve dhe i institucioneve të kulturës etj., me emrat e kuislingëve fashistë të tipit të Xhafer Devës, Rexhep Mitrovicës etj., në Prishtinë, në Mitrovicë e gjetkë, kudo në Kosovë, flet për “mbetje në provimin e vjeshtës” në lëmin e historisë për institucionet e arsimit, e jo vetëm. Memorizimi i së vërtetës edhe kur na dhemb (siç është edhe rasti me “Batalionin Skandebeg”), është në dobi të krijimit të kulturës së kujtesës. Ai proces duhet vlerësuar si leksion i çmueshëm për brezat që vijnë. Ndërkaq, për shekullin e përballjeve me projektet serbe për zhdukjen e shqiptarëve (1877-1999), për aq sa ka nevojë ta mësojë e stivojë leksionin e historisë Serbia, po aq ka nevojë edhe Europa.
Duke mësuar këto leksione, që zë në gojë profesoresha Asman, e duke i respektuar të drejtat e njeriut, por edhe duke i kuptuar ato si pjesë përbërëse të idesë moderne, që tashmë është përvetësuar nga kombet e civilizuara, gjithnjë duke pasur për objektiv modernitetin e kombit, Federata Shqiptare bëhet realitet më shpejt brenda ”Ëndrrës europiane”.
“Riformatimi” i demokracisë – nevojë e përditshme
Luftërat në dekadën e fundit të shek. XX në ish-Jugosllavi, disi “të papërfunduara”, por edhe ringjallja e diktatorëve, fillimisht në trajtën e udhëheqësve autoritarë të tipit të Orbanit, Erdoganit etj., gjithandej në Europën Juglindore (dyshja Vuçiq-Thaçi janë sinjifikimi i këtij fenomeni), ka rrezik të shërbejnë për rikthimin e diktaturave të llojit të vet.
Në historinë shqiptare, rikthimi i diktatorit Ahmet Zogu në pushtet (janar 1925), pas Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, të udhëhequr nga F. S. Noli, Shqipërisë i kushtoi, përveç të tjerash, edhe me rrudhjen e gjeografisë politike të shtetit (perla e Shën Naumit në juglindje dhe malet e Vermoshit në veri), tok me inaugurimin e diktaturës dhe shndërrimin e Shqipërisë nga një Republikë Demokratike në ngritje, në një Monarki, fillimisht të varur nga Beogradi (3), e më pas të shitur te Roma fashiste (4).
Edhe republikat e reja që ishin ngritur në vitet ’30-të gjithandej në Europë, po përmbyseshin e gdhiheshin në diktatura shpejt e shpejt. Ky fenomen nuk kishte si mos të përfundonte në një kasaphanë, siç ishte Lufta e Dytë Botërore. Urtia popullore shqiptare thotë: “Çka mbjellim do të korrim”. Prandaj, leksioni i dytë, sipas leximit të historisë europiane që i ka bërë profesoresha A. Asman, që ka të bëjë me mbarështrimin e së drejtës dhe ndërtimin e demokracisë, mbetet aktual për Europën Juglindore.
“Riformatimi” i demokracisë, kultivimi i saj permanent, mbajtja dhe selitja e saj, është nevojë e përditshme; ky proces politik prandaj pati nevojë si për Gjyqin e Nyrbergut (1945 pas fundit të LDB-së), ashtu edhe për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë pas luftërave në ish-Jugosllavi (1990-1999), që për objekt trajtimi kishte gjenocidin dhe krimet serbe, para së gjithash në Bosnjë dhe Kosovë.
Nga këto dy gjykata, rëndësi historike kishte sidomos ajo e Nyrbergut, meqë e çliroi drejtësinë si nocion universal, duke e nxjerrë atë nga gëzhoja e parimeve të drejtësisë nacionale e duke i dhënë asaj karakter të mirëfilltë universal. Që të dy këto gjykata i shërbyen projektit që ka të bëjë me “ëndrrën europiane”.
Kategoritë e reja juridike, që u promovuan në Gjykatën e Nyrbergut si prurje të reja në fondin juridik ndërkombëtar, janë:
- Krimi kundër paqes [luftërat sulmuese];
- Krimet e luftës [lufta kundër pengjeve e të burgosurve në kohë lufte];
- Krimet kundër njerëzimit [dhuna me karakter racist kundër hebrenjve dhe pakicave të tjera], do të shërbejnë si leksion historie edhe për Gjykatën e Hagës dhe udhëheqësit e zbatuesit e krimeve e masakrave, që risollën skenat e llahtarshme gjithandej në ish-Jugosllavi dhe, në fund, edhe në Kosovë - rastet e shumta të përqendrimit të masakrat, si ato në Sarajevë, Bihaq, Srebrenicë… e deri tek ato në Prekaz, Reçak, Mejë etj., të kryera nga aparati i dhunës nën komandën e Hitlerit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi.
Në proceset në Nyrnberg dhe Hagë, konstaton A. Asman, shtet-kombi nuk ishte më instanca e fundit që do të kishte të bënte me definicionin e së mirës dhe së keqes. [A. Asman: 2019] Por nga ky çast historik, të gjitha kombet marrin përgjegjësi dhe detyrime për përballje me këto norma të larta juridike. Këto norma juridike, që de fakto burojnë nga procesi i Nyrbergut (1945), do të gjejnë vend edhe në aktet juridike me karakter ndërkombëtar (Deklarata e të Drejtave të Njeriut, 1948), por edhe në vetë kushtetutat e shteteve që po ngriheshin mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore (bie fjala në kushtetutën e Gjermanisë Federale).
Nocioni postulat juridiko-politik, se “dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm”, si formulim qe adaptuar edhe në preambulën e kushtetutës gjermane.
E tillë, ajo është edhe në dy kushtetutat e dy republikave shqiptare sot.
Ora zero, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe ëndrra europiane
Çlirimi i Kosovës (qershor 1999) ishte akt historik për Kombin Shqiptar. Qershori i vitit 1999, lufta e UÇK-së dhe ndihma e NATO-s, pra e demokracive perëndimore, i jepnin fund kolonizimit dhe shfrytëzimit njëshekullor të Piemontit të kombit shqiptar. Të kujtojmë faktin se ngjarja kulmore për krijimin e shtetit modern shqiptar u zhvillua në Kosovë: Lidhja e Prizrenit (1878), por edhe barra më e madhe e Kryengritjes së Përgjithshme për Pavarësi të Shqipërisë (1910-1912), ra mbi këtë krahinë të Shqipërisë.
Çlirimi i Kosovës (1999) de fakto shënonte edhe një lloj thyerjeje mes diktaturës dhe demokracisë. Lindja e kësaj të fundit (demokracisë), siç do të konstatonte me të drejtë profesor Ukshin Hoti, do të ishte e llojit të vet (që zë fill me rënien e katër dëshmorëve në fshatin Brestoc më 1994). [U. Hoti: 1995] Por, nëse rënia e dëshmorëve të parë të demokracisë (më 1994) nuk prodhoi orën zero, atë të një fillimi të ri, siç do ta shënojë 12 qershori i vitit 1999 – ajo ditë do t’i hapë rrugë lindjes së UÇK-së. Prandaj rënia e dëshmorëve të demokracisë prodhon kthesën e madhe, të atyre përmasave që kishin prodhuar demonstratat e pranverës së vitit 1981. Ndërkaq, orën zero, në kuptimin e shënjimit të një fillimi të ri që prodhon të ardhme e që nuk do të lejonte mbarësimin me virusin e së keqes, duke mbyllur procesin e rikthimit në diktaturë, do ta shënjojë ngritja në forcë politike me ndikim në të gjithë hapësirën kombëtare e Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Mbështetja dhe ndërveprimi mes forcave politike të Kosovës dhe atyre në BE, sipas modelit të Partisë Socialdemokrate Gjermane me Partinë Socialiste Spanjolle (1977) gjatë përpjekjeve për kalim “të butë nga diktatura në demokraci”, por edhe gjetkë në Europën Jugore (Portugalia, Greqia…), do të mund të shërbente për demokratizimin dhe funksionalizimin të Republikës së Kosovës. Kjo ndërmarrje komplekse, sipas A. Asman, do të duhej të përthekonte tri rrafshe veprimi:
- Politik – që nënkupton vullnetin politik bazuar në konceptin e shtetit të së drejtës;
- Juridik – që nënkupton ringritjen e shtetit përmes një gjyqësori kalimtar [Transitionnal justice];
- Shoqëror dhe kulturor – që nënkupton edukimin e qytetarit dhe shndërrimin e tij në demokrat të maturuar.
Veprimi aktiv i komisioneve hetuese parlamentare (sidomos i atij që kishte për objekt trajtimi dëbimin e 6 “gylenistëve” për Turqinë dhe çështjen e Telekomit), e shoh si vullnet politik (sidomos nga opozita) për veprim konkret në rrafshin juridik, që flet për nevojën urgjente për ngritjen e Republikës moderne, të ngritur mbi konceptet e shtetit juridik në funksion edhe të shkapjes së shtetit, respektivisht funksionalizimit të Republikës.
Çështje më e komplikuar do të jetë implememtimi i fazës së dytë, ndërtimi i shtetit, meqë na imponohet me urgjencë gjyqësori kalimtar ose një proces vetingu i përshpejtuar. Nëse tashmë është fakt i pranuar nga instanca kredibile kombëtare e ndërkombëtare, se “gjyqësori në Kosovë kontrollohet nga mafia” [T. Sommer: 2018], ndërkaq shteti autokrat ka prodhuar akte juridike e marrëveshje (edhe ndërkombëtare) me pasoja të reja afatgjata, atëherë e vërteta dhe drejtësia kërkojnë veprime demokratike urgjente, që rezultojnë të domosdoshme.
Në një analizë të gjatë e që ndërlidhet me këtë fenomen, Christiane Hess vjen në përfundimin, se do të duhej të llogaritej edhe nevoja për instrumente të reja juridike. Këto instrumente, nënvizon ajo, do të duhej të kishin parasysh, gjithsesi, “përmirësimin e pozicionin e viktimave si në nivelin juridik, ashtu edhe në planin praktik”. [Christine Hess: 2007] Ndërkohë, nëse ngrihen aktakuzat e para, respektivisht fillon së vepruari Gjykata Speciale (Hagë), atëherë Kosovës, këtyre institucione të reja të drejtësisë që Hess i sheh si “instrumente të reja të drejtësisë”, i hiqet një pjesë e barrës, madje ndër më të ndjeshmet.
Studiuesi i letërsisë, Fiedler, ka theksuar se kombi amerikan kundruall kombit anglez apo atij francez, nuk është formësuar në saje të kujtimeve të përbashkëta, por në saje të vizionit të përbashkët. “Si amerikan, – potencon ai, – jemi banues të një UTOPIE të përbashkët dhe jo të një historie të përbashkët”. [Leslieb Fiedler: 1988] Kjo ëndërr ka karakter individual e jo kolektiv, meqë nga kjo ëndërr përjashtohen segmente të tëra të shoqërisë.
Ndaj ëndrra e shqiptarëve është e realizueshme në kuadër të konceptit europian, meqë ajo përmbush jo vetëm vizionin e individit, por edhe të kombit.
Njëra nga dhjetë tezat mbi të ardhmen e BE-së të studiuesit zviceran, politologut N. Nuspliger, ka për objekt thellimin e procesit integrues europian. “Eskalimi i mundshëm i krizës së euros mund ta bëjë të pashmangshëm centralizimin e politikave financiare në BE. Për rrjedhojë, do të ndryshojë edhe ambienti gjeopolitik përmes integrimit (unifikimit) të politikave në fushën e mbrojtjes dhe atë të politikës së jashtme”. [Niklaus Nuspliger: 2019]
Në këtë kuadër të thellimit të integrimeve brenda BE-së, Federata Shqiptare nuk mund të mbetet vetëm një vizion utopik, por meqë është shprehje e vullnetit për bashkim, rrjedhimisht duke qenë ëndërr e kombit, shndërrohet në një realitet historik dhe, si e tillë, ajo është bartësja e kujtimeve të përbashkëta historike dhe pjesë e vizioneve të përbashkëta të pajtueshme me vizionet europiane. Nëse BE-ja është bashkimi vullnetar i shteteve - kombe sovrane, që mbështet e selit diferencat e shteteve veç e veç, Federata Shqiptare lehtësisht bëhet realitet politik për kombin shqiptar në marshin e tij integrues në këtë bashkësi kombesh të dinjitetshme.
Autenticiteti ynë kulturor dhe botëkuptimi optimist
Autenticiteti kulturor i kombit tonë duhet trajtuar si forcë shtytëse në procesin e ndërtimit të Federatës Shqiptare. Ngjashëm si me vendet e jugut të kontinentit, që bënë kalimin nga statusi politik kolonial, në vende të lira (1950-1960), në rrafshin ekonomik ato, megjithatë, nuk arritën dot ta fitonin pavarësinë. Edhe Kosova, nën administratën e UNMIK-ut dhe më pas EULEX-it (1999-2008), u shndërrua gradualisht nga një koloni klasike e Serbisë, siç ishte, në neokoloni. Ky pozicion kaq i favorshëm për Serbinë, do të lëkundet në një masë të ndjeshme vetëm në sektorin e energjetikës në vitin 2020, kur, më në fund, u arrit të krijohet Sistemi Energjetik Unik Shqiptar.
Pavarësisht kësaj, hapësira shqiptare si tërësi mbetet më tej në të ashtuquajturën Zonë Periferi, nëse i referohemi ndarjes së shteteve në zona ekonomike sipas Immannuel Walerstein-it (1988), e herë në Zonën -Qendër, megjithëse nën “radarin” e Zonës – Qendër të SHBA-së dhe BE-së, por me tendenca të rrëshqitjes në zonën e “Semi-Periferisë” (Turqia dhe Rusia).
Në këtë sistem të ndarjes strikte, jo vetëm ekonomike, ecja drejt faktorizimit të kombit, që nënkuptohet drejt krijimit të Federatës Shqiptare, ka si parakusht stabilitetin politik, respektivisht konsolidimin e elitës politike.
Krijimi i Bllokut Energjetik Unik duhet kuptuar si një prej hapave të parë që bëri politika në shërbim të unifikimit dhe zhvillimit të zonës sonë ekonomike, do të duhej të pasohej me krijimin e “Blloqeve politike” unike në rrafshin ideologjik e kombëtar. Krijimin e Qendrës së Vetëvendosjes së fundmi në Tiranë (2019) e shoh si hap shumë serioz në këtë rrafsh.
Federata Shqiptare duhet parë si faktor koheziv në procesin e rikthimit të plotë të kombit në shtratin e tij autokton të selitjes së ndërgjegjes nacionale në frymën e qytetërimit perëndimor.
Duke u hequr çdo mundësi egocentrikëve për të na trajtuar më tej si “vend i copëtuar” (torn contry) edhe në rrafshin kulturor, ne lëmë prapa në histori strategjitë e armiqve të kombit për të stagnuar ecjen tonë përpara, respektivisht për të na kthyer në një drejtim krejtësisht tjetër (drejt Lindjes, siç janë tendencat ndërkohë). Federata Shqiptare do të mund të shihet edhe si zgjim yni në trajtën e një revolucioni, që nuk nënkupton braktisje të “një pjese të vetvetes” ose “të një shtrese identitare”, por, përkundrazi, rikthim i plotë në vetvete, te Shqipëria e Gjergjit.
Federata Shqiptare do të mundësonte forcimin e homogjenitetit tonë kulturor, në aspektin e çështjes së përkatësisë sonë civilizuese. Rrumbullakimi i këtij projekti (FSH) ka si parakusht që të mbështetet nga, së paku, tre faktorë:
1. Të ELITËS politike dhe ekonomike;
2. Të POPULLIT dhe
3. BE-së, respektivisht qendrave të saj vendimmarrëse, para së gjithash Berlinit).
Mbështetja e faktorit të parë, elitës politike dhe asaj ekonomike, ndërkohë duhet të materializohet përmes dy qeverive me projekte konkrete. Faktori “popull” është një hap para elitave tona. Këtë e ka dëshmuar pjesa e kombit në Shqipërinë politike gjatë luftës, sidomos reflektimi i kuksianëve në raport me atë përmasë biblike të të dëbuarve nga Kosova (1999), por edhe ai i çdo shqiptari deri në fshatrat e thella në jugun e atdheut.
Kjo ndjesi e të qenit “NJË” u shpërfaq me solidaritetin e ridëshmuar sërish më 26 nëntor 2019, me rastin e tërmetit me pasoja të rënda në Durrës, por kësaj radhe nga kosovarët, pjesa tjetër e kombit, me shfaqjen e solidaritetit të përmasave të jashtëzakonshme, që e kishte burimin sërish te ndjesia e të qenit NJË.
Mbështetja e duhur nga faktori i tretë është e ndërvarur nga konsolidimi i faktorit të parë; ajo e pason vetvetiu.
Ngritja e Federatës Shqiptare është projekti më madhor i kombit. Si i tillë ai nënkupton, para së gjithash, ruajtjen e kultivimin e strukturës mendore, që asocion me rolin e sintaksës në ruajtjen e mëvetësisë së gjuhës. Jo rastësisht gjuhëtari ynë, Tafil Kelmendi, e kishte cilësuar atë, pra sintaksën, “si kështjellë të gjuhës”; kultivimin e stilit të të jetuarit dhe të shprehjes së ndjesive dhe riprodhimit të vërtetës.
Shqiptarët si komb nuk kanë nevojë të adaptojnë e huazojnë stile të të menduarit e të të jetuarit nga të huajt, aq më pak nga ata me të cilët i lidh vetëm aksidenti historik (të qenit nën Perandorinë Osmane, pra të pushtuar nga ajo perandori).
Qytetërimi shqiptar është sa autokton, aq edhe perëndimor. Procesi i krijimit të Federatës Shqiptare duhet parë edhe si hap madh historik, që do të krijojë parakushtet për rikthimin te Shqipëria e Gjergjit, te vetvetja, por edhe si një garanci e mirëfilltë për ecje përpara, duke qenë plotësisht vetvetja, pjesë e qytetërimit perëndimor.
Federata Shqiptare duhet konsideruar edhe si një gjedh mbrojtës kundruall tendencave neootomane, respektivisht tolerimit të nanuritjes së “pjesës së konvertuar” (national conversion), që sot identifikohet si nusprodukt i islamit politik, që me të drejtë Williams e cilëson si përfaqësim i “zgjimit kulturor të një brezi strategjik, të gjallë e dinamik” (5).
Kësaj dinamike të islamit politik, Federata Shqiptare mund t’ia kundërvërë fare lehtë intencën e brendshme që ruan civilizimi shqiptar përmes mëtimit të ngritjes së elementeve autoktone në vlera universale, si: besën, tolerancën, bashkëjetesën, shpirtin individual, dinamikën e grupit, forcën e shtetit, konkurrencën lojale etj., që reflektohen suksesshëm në fusha, si: shkencë, sidomos në mjekësi e informatikë, respektivisht inovacion. Mjafton të shihen vetëm të dhënat e fondacionit “Think Bank Albania” (Banka e Mendjes Shqiptare), për të veçuar 4-5 emra nga ai numër relativisht i madh shkencëtarësh (Dr. Kristi Panqe, Dr. Tomorr Imeri, Dr. Eriona Heta, Dr. Edi Prifti, Dr. Liva Tepshi, Dr. Edor Kabashi…); nga kultura (vokalistë e instrumentistë të shkollave shqiptare sot ka gjithandej, pothuajse në të gjitha shtëpitë më në zë të operave në Perëndim; në sport (futbollistë e xhudistë yje që performojnë gjithandej në të gjitha arenat sportive më cilësore të Perëndimit); muzikë pop (emrat e Rita Orës, Bebe Rexhës, Dua Lipës na bëjnë të ndihemi krenarë kudo)…
Ndërkohë, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pres që civilizimit tonë, pra civilizimit perëndimor, ne t’i japim edhe gjeneral të klasit të W.Clark-ut.
Mbijetesa e qytetërimit shqiptar në Shqipërinë e jashtme (Kosovë me vise) nën Jugosllavi, nën zotërimin sllav, i dedikohet kryesisht forcës shtytëse, respektivisht fuqisë rezistuese që ka ruajtur në vetvete qytetërimi ynë autentik, që ndërlidhet, sidomos gjatë shek. XX, me ekzistencën e nukleusit shqiptar – Shqipërisë politike (1912). Autenticiteti kulturor i kombit sigurisht që ka krijuar një lloj botëkuptimi (Weltanschaung) optimist dhe individualiteti specifik, që është kultivuar në ndërdijen e shqiptarit. Këtë fenomen e pasqyron më së miri reflektimi i tij (i këtij botëkuptimi) tek e drejta jonë zakonore, e njohur dhe e vlerësuar tashmë edhe nga qarqet akademike të jashtme, por edhe te mendimi politik shqiptar modern (Ukshin Hoti - Demokracia autentike).
Qytetërimi islam, pavarësisht depërtimit të tij në trupin dhe shpirtin e një pjese të kombit tonë, dhe ndryshimeve të jashtme të dukshme që ka sjellë, nuk ia ka arritur dot ta cenojë këtë botëkuptim të brendshëm që përmendëm më lart, që ka burimin te vetë etnopsikologjia e kombit.
Elita jonë, ajo kulturore e politike e krijuar kryesisht në Perëndim (fillimisht në Itali, Austri, Francë e gjetkë) dhe, së fundmi, në Gjermani, në Angli, në SHBA etj., në përputhje me sistemin e vlerave autentike, ishte gjithashtu në harmoni të plotë me vetëdijen dhe formimin e brendshëm familjar e nacional, të selitura mbi tabanin autokton.
Përjashtim bënin ca familje të “kasabave”, ku fryma otomane po bënte depërtimin e saj si pykë në trup të huaj, duke davaritur me këtë rast ndërgjegjen dhe identitetin nacional. Në ruajtjen e identitetit kulturor, në rrethana aspak të lehta, në vitet e pushtimit të egër otoman, si fanar drite shërbeu mendja e zemra e elitës sonë të kohës, si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, Gjon Nikollë Kazazi e deri te Gjergj Fishta e, së fundmi. At Zef Pllumi, të selitur tërësisht në frymën e civilizimit perëndimor.
Ky fakt ka ndikuar, gjithsesi, në forcimin e identitetit tonë kombëtar, bazuar në parimet e gjuhës e kulturës dhe duke refuzuar ndërhyrjet e huaja të çfarëdo karakteri të mundshëm.
Ndikimi sllav është më i pavenerueshëm në botëkuptimin tonë, meqë qytetërimi ynë perëndimor, edhe nga vetë serbët, është akceptuar si më superior deri vonë. Madje, në rrafshin e mendimit politik, elita jonë, edhe në përballjet e rrepta në fillim të viteve ’80-të, do të dëshmohet më superiore.
Rikthimi i Shqipërisë politike në gjirin e civilizimit perëndimor, në mekanizmat e tij të sigurisë dhe mbrojtjes, siç është NATO-ja dhe prosperimi i saj drejt anëtarësimit në BE, si dhe pozicionimi i NATO-s pro mbrojtjes së qenies shqiptare në krahinën shqiptare (Kosovë) në vitin vendimtar (1999) nga gjenocidi serb, duke përmbyllur këtë mbështetje me krijimin e republikës së dytë shqiptare në truallin e Ilirisë (2008), e rikthen edhe më bindshëm Kombin tonë te Shqipëria e Gjergjit, duke krijuar kështu mundësinë reale të korrigjimit të kolateralit historik (epokës osmane dhe pasojave që solli ajo me çarjen e kombit në rrafshin kulturor).
Federata Shqiptare, gjithsesi, do t’i shfrytëzojë përfitimet që i ofron ky rreshtim i ri i Shqipërisë politike dhe, me të, krijimi edhe i Republikës së Kosovës, në dobi të faktorizimit të kombit në rajon dhe brenda civilizimit perëndimor.
Qendrat urbane ku është selitur qytetërimi shqiptar, si Shkodra, Arta, Shkupi, Ulpiana… në antikitet; ato si Janina, Manastiri, Prizreni, Shkodra… në epokën e Rilindjes, janë djepi i mëkëmbjes e selitjes së qytetërimit tonë, ku është krijuar botëkuptimi ynë, ku janë krijuar institucionet tona shoqërore e politike, por edhe stili i jetës dhe ndjesitë tona të përkatësisë nacionale.
Krijimi i Federatës Shqiptare do t’i jepte hov zgjimit e zhvillimit të kësaj ndjesie, por edhe vetëpozicionimit të faktorit shqiptar brenda civilizimit perëndimor dhe familjes politike europiane (BE-së), duke forcuar e stabilizuar krahun juglindor të tij.
Shqiptarët si komb i bashkon me kombet e tjera të Perëndimit jo vetëm të qenit gjeografikisht në të njëjtin kontinent, jo vetëm historia, por edhe vlerat e përbashkëta, që de fakto janë pasaporta e prototipit Homo Occidentalis.
Ngritja, mirëmbajtja e kultivimi i institucioneve të njëjta (shteti, shteti i së drejtës , pra sistemi juridik; konstitucionalizmi; pluralizmi dhe liritë individuale; ekonomia e tregut dhe mirëqenia sociale si vlera të përbashkëta, e përafrojnë, respektivisht e bëjnë kombin shqiptar të barabartë me kombet e tjera, pjesë integrale të qytetërimit perëndimor.
Federata Shqiptare dhe ekonomia
Federata Shqiptare në procesin e krijimit të saj, si model prosperimi mund të ketë Republikën Federale të Gjermanisë, duke shkrirë brenda kësaj përvoje pozitive edhe elementet autentike të organizimit tonë shtetëror ndër shekuj. Gjithsesi, si shtet modern, Federata Shqiptare do të jetë e ngritur mbi parimet e ekonomisë, që bazohet në hyrjet vetjake tatimore. Mbi këtë bazë, bëhet transferimi i Federatës Shqiptare nga një shtet në zhvillim në një shtet modern të zhvilluar. Të ardhurat e shtetit modern të zhvilluar bazohen kryesisht në tatimin e të ardhurave dhe fitimin, ndërsa një pjesë e shteteve jeton, para së gjithash, nga të ardhurat dhe renta, nga shitjet e pasurive minerale, sidomos e naftës dhe e gazit. Kjo është arsyeja përse shpërndarja dhe mbarështimi i peshës tatimore mbetet më tej pjesë e përbërësve të strategjive politike të brendshme të secilit shtet. Meqë Federata Shqiptare në objektivin e vet strategjik, bazuar në interesat jetikë nacionalë, është e përkushtuar të jetë pjesë e strukturave euroatlantike si tërësi, konform politikave të BE-së, ajo do të duhej të ishte po ashtu e përkushtuar t’i marrë tri nga çështjet bazë, si vijon:
1. Një ekonomi në ngritje e prosperim është interesi bazë i çdo shteti. Rrjedhimisht, çdo shtet mbetet i interesuar që, brenda kufijve të tij, të tërheqë sa më shumë ndërmarrje ekonomike profitabile.
2. Me objektivin e qartë, që të krijojë imazhin e vendit atraktiv për investime, shteti ndërton politikat tatimore më tërheqëse për investitorët seriozë, duke shkuar madje drejt zonës së lirë tatimore. Në këtë rrafsh, objektivi i politikave tatimore të Federatës Shqiptare duhet të jenë korporatat shumëkombëshe. Me këtë kartë ka luajtur Irlanda për vite të tëra si vend periferik i BE-së, por edhe shtete të tjera, duke mbështetur të ashtuquajturat “Zona të lira ekonomike”, ku parashihet heqja e tatimit dhe e detyrimeve të tjera shtetërore.
3. Në fund, Federata Shqiptare do të duhej të përqendrohej, në mungesë të korporatave tona me aktivitet ekonomik jashtë Republikës, që të tërheqë përmes politikave tatimore, respektivisht përmes shmangies së tatimit të dyfishtë, të bëjë të mundur sjelljen në vend të korporatave apo pjesëve të korporatave që udhëhiqen nga bashkëkombësit tanë ose personalitete me prejardhje të lartë shkencore e menaxheriale. Në këtë kuadër, sektori i shërbimeve në përgjithësi dhe ai i IT-së në veçanti, merr peshë më specifike.
Kur të ardhurat shtetërore në formën e tatimit bazohen, respektivisht vijnë nga burimet që kanë peshë edhe në ekonominë botërore, atëherë subvencionet shtetërore, pra dora e shtetit (në trajtën edhe të heqjes dorë nga tatimi) në dobi të personave privatë apo subjekteve juridike, do të kishin efekte shumëdimensionale. Këto politika do t’u shërbenin, në rastin tonë konkret, degëve të ndryshme të ekonomisë, p.sh., turizmit, mbështetjes së prodhuesve vendorë, agrobiznesit, industrisë minerare, shkencës e arsimit etj., duke i dhënë vend meritor mendimit nacional ekonomik.
Shqipëria politike, duke qenë se së fundmi ka fituar statusin e vendit kandidat për aderim në BE, (ndërkaq, mundësia reale për aderim parashihet të jetë diku nga fillimi i dekadës së tretë – 2030-2035), po brenda kësaj periudhe do të duhej të hapte edhe procesin e integrimit të plotë brendakombëtar. Në funksion të kësaj strategjie shkon fillimi i procesit të vetingut në drejtësi, shkuarja në pension politik e klasës së olhokratëve, që ishin e vazhdojnë të jenë për më shumë se dy dekada në krye të dy republikave tona, dhe paralajmërimi i ardhjes në skenën politike i një brezi të ri idealistësh, të formuar intelektualisht e me dinjitet. Në dobi të kësaj strategjie duhet të shfrytëzohen edhe mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive tona. Ministrat dhe zyrtarët e shtetit, që janë atdhetarë të mirëfilltë, duhet të insistojnë në realizimin e plotë të vendimeve që merren në ato mbledhje të qeverive tona, duke mos lejuar që ato të shndërrohen në takime miqësore e me motive thjesht propagandistike.
Meqë Shqipëria politike, ndërkohë, nuk ishte as anëtare e BE-së e, rrjedhimisht, as e EUROZONËS, ajo e kaloi m lehtë krizën financiare (2008-2010), në të cilën u zhytën një pjesë e mirë e shteteve të jugut të kontinentit tonë, para së gjithash Greqia dhe Italia. Banka Qendrore Shqiptare nuk përfilli edhe aq objektivin e ruajtjes së inflacionit të shkallës së ulët që aplikoi Banka Qendrore Europiane, madje mbi “objektivin e punësimit të plotë dhe rritjes” (Thomas Piketyy: 2016). Si pasqyrim i reflektimit ideologjik, çka bëri të mundur ndërhyrjen e herëpashershme të Bankës së Shqipërisë në tregun financiar, duke mundësuar zhvleftësimin e lehtë të monedhës sonë, lekut, duke i lejuar kështu politikës që të rivendoste konkurrueshmërinë, në dobi të rinisjes së aktiviteteve ekonomike, sidomos në lëmin e turizmit.
Krijimi i Federatës Shqiptare brenda kësaj periudhe, Republikën e Kosovës do ta përfshinte automatikisht brenda interesave dhe politikave të BSH-së, duke e nxjerrë “euron konvertibile” nga tregu kosovar si monedhë qendrore, por duke ia rezervuar e ruajtur asaj pozitën e konkurrueshme me dollarin amerikan. Në këtë rast, Banka e Shqipërisë do të mund të aplikonte të njëjtat masa të aktivitetit ekonomik për sektorin minerar dhe atë agrar, siç i kishte vënë ato në veprim për sektorin e turizmit në vitet 2010-2015. Për Kosovën si njësi federale, automatikisht do të nënkuptonte se asaj i shtohen dividentët nga sovraniteti në lëmin monetar, duke qenë pjesë e politikave unike kombëtare monetare, meqë atëherë në ruajtjen e interesit nacional, që në këtë rast nënkupton ruajtjen e normës së ulët dhe të parashikueshme.
Federata Shqiptare tashmë është bërë çështje me prioritet.
Për aq sa do të shtyhet ky projekt, ne do të vazhdojmë të humbasim territor: 8200 ha që iu dhanë Malit të Zi pa shpjegime të mirëfillta dhe në kundërshtim të plotë me interesat tonë jetikë, por edhe tendencat që, në emër të korrigjimit të kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve, në emër të ndarjes së Kosovës, mbesin të hapura!
Federata Shqiptare – në harmoni me projektin “Europa”
Federata shqiptare, respektivisht bashkimi i dy republikave shqiptare në një njësi federale, nuk guxon, por as edhe nuk mund të ndodhë bazuar në tezën dilerante të Ramës e Thaçit, që afishohet ndërkohë edhe si një lloj kërcënimi (gogoli) ndaj BE-së!
Bashkimi i kombit është çështje shumë serioze që të lihet në duart e këtyre dy mashtruesve të llojit të vet! “Bashkimi kombëtar, – shprehet dr. Islam Lauka, – për të cilin flasin Thaçi e Rama, i ngjan më shumë atij bashkimit të rapsodëve popullorë, me çifteli dhe me lahutë, që e bëjnë në këngë, por realiteti është tjetër”. [Islam Lauka; 2019] Teza në fjalë, de fakto, promovon procesin e ndarjes së Kosovës si akt të pashmangshëm!
Këtë lloj bashkimi (pa Veriun e Kosovës), që këta aventurierë politikë e promovojnë, brezi aktual i politikanëve, kombi si i tërë, duhet ta refuzojë me forcën e argumenteve. Kjo arrihet vetëm duke i larguar ata nga pushteti me votën plebishitare. Hapi i radhës do të ishte funksionalizimi urgjent i Republikës së Kosovës, që do të pasohej me promovimin gradual në një fazë të afërt, Federatën Shqiptare si akt të natyrshëm, si përplotësim edhe i vetë BE-së në funksion të kohezionit të shtetit modern që garanton paqe e prosperitetit në Europën Juglindore.
Projekti i Federatës Shqiptare nuk bazohet në egocentrizmin nacional ose si negacion i Europës, siç po ndodh aktualisht në Poloni, Hungari, Itali etj. Përkundrazi, që nga epoka e Rilindjes sonë Kombëtare (shek. XIX), shqiptarët e kishin bazuar doktrinën e tyre politike dhe gjakimin për lirin, mbi parimet progresive që kishte promovuar iluminizmin europian, Revolucioni Demokratik në Francë dhe mendimi racional gjerman i kohës. Vlerat mbi të cilat ishte ngritur civilizimi europian, si: arti, kultura, arsimi dhe shkenca, si bazament i këtij civilizimi, ishin përvetësuar nga rilindësit tanë e deri në ditët tona nga të gjitha rrymat progresive politike në secilën epokë, rrjedhimisht edhe në epokën e lirisë që gëzon Kosova.
Nëse, p.sh., në diskursin politik të Polonisë zyrtare projekti “Europa” nuk shihet asgjë më pak se si një version, që do të çonte drejt shuarjes së Polonisë si shtet e, rrjedhimisht, edhe të kombit polak. Federata Shqiptare, përkundrazi, duhet vlerësuar e gjykuar si projekt i papajtueshëm me projektin “Europa” dhe se që të dytë, tok, përmbushin e përplotësojnë njeri-tjetrin, meqë në gjykimin tonë, shteti-komb është në kohezion të plotë me Europën Federale [konfederale].
“Europa nuk do të thotë se është projekt që rrezikon apo shuan shtetin-komb, por, përkundrazi, ai ofron gjasa për ruajtjen e identitetit dhe nxitjen e mundësive për zhvillim të mëtejshëm”. [Aleida Assmann: 2019] Në këtë kuadër, Federata Shqiptare do të ishte një faktor shtesë pozitiv, që do të ndikonte në përparimin ose zbutjen e diferencave mes Lindjes e Perëndimit europian.
Së bashku, shtet-kombet në Europën Perëndimore, Lindore e Juglindore do të prosperojnë projektin e përbashkët : Europën e Bashkuar.
Ashtu siç është Federata Shqiptare, projekt i përbashkët i të gjithë kombit shqiptar, edhe BE-ja, do të cilësohet e pranohet gradualisht si projekt i përbashkët, ëndërr e të gjithë europianëve.
Pavarësia e Shqipërisë (1912) është produkt i luftës së disa brezave. Ndërkaq, Shqipëria politike paraqet nukleusin e atdheut të shqiptarëve. Republika e Kosovës (2008) është bashkimi i qëndresës timoteiane po ashtu e disa brezave, që u kurorëzua me luftën e UCK-së. Janë jo vetëm të gjallët, por para së gjithash të vdekurit (mbi 2500 ushtarët e UÇK-së) dhe mbi 11 000 civilë, në mesin e të cilëve 1 133 fëmijë, që i kanë hapur rrugën Federatës Shqiptare.
“Të vdekurit janë ata të padukshmit. Por ata nuk janë të munguarit”, – shkruan shkrimtari Viktor Hygo. [V. Hygo: 1865].
Edhe më qartë për kontributin e dëshmorëve do të shprehet Georges Bernos: “E ardhmja nuk u takon të vdekurve, por atyre të cilët flasin (dëshmojnë) për të vdekurit dhe shpresojnë se përse ata vdiqën”. [George Bernanos: 1949].
Ideali i Dëshmorëve të Kombit bëhet realitet vetëm përmes Federatës Shqiptare. Vetëm ne të gjallët që dëshmojmë e shpjegojmë për qëllimin sublim pse ata ranë, mund ta ndërtojmë e gëzojmë ëndrrën shqiptare. Federata Shqiptare është vetë shtet-kombi modern shqiptar i definuar, para së gjithash, mbi bazat konceptuale të një lloj identiteti distiktiv, i ngjizur e formësuar në bazë të gjuhës së përbashkët, territorit dhe historisë së përbashkët.
Federata Shqiptare duhet të akceptohet edhe nga fqinjët tanë, si një fuqi faktike rajonale, por edhe si një Faktum Normativ. Në të ardhmen e afërt, si pjesë e BE-së, edhe Federata Shqiptare, si të gjitha shtetet e kësaj bashkësie politike, do të jetë e ndërvarur nga shtetet e tjera, pjesë e kësaj bashkësie, në raporte interdependente (ndërvarësie), çka do të thotë se veprimet krejtësisht të lira përmes këtij aderimi kufizohen ndjeshëm nga stadi i ndërvarësisë nga Brukseli. Ky stad mund të cilësohet si “diçka formale”. Prandaj ajo duhet të shndërrohet në faktum normativ para ose gjatë procesit të aderimit të BE-së.
Federata Shqiptare nuk mund të jetë një “kopje e thjeshtë” e federatës gjermane a austriake, meqë ajo do të ketë shumëçka nga autenticiteti ynë politik e kulturor si komb, por gjithsesi nga modeli gjerman ajo duhet të marrë shumëçka.
Federata Shqiptare duhet të jetë sa SOVRANE, po aq edhe DEMOKRATIKE dhe vetëm si e tillë ajo hyn në marrëdhënie dhe veprim politik të duhur me faktorët e brendshëm, po aq edhe në rrafshin ndërkombëtar.
_______________________________________________________________________
*Universiteti ILIRIA, Prishtinë
_______________________________________________________________________
Literatura
1. Hans-Dietrich Genscher: Erinerungen, Hamburg 1997.
2. J.A.Williams, Themes of Islamic Civilization (University of California Press), Los Angeles, 1971.
3. Alajda Asman, Der europaeische Traum, 2018.
4. Islam Lauka, Gjarpri i shtëpisë rrezikon Kosovën, 2019.
5. J.A.Williams, Themes of Islamic Civilization (University of California Press), Los Angeles, 1971.
6. Franc Fokuyama, Identiteti, Hamburg 2019.
7. Thomas Piketyy, Kapitali në shekullin XXI, Tiranë, 2016.
Faqet e internetit
1. https://sq.wikipedia.org/wiki/Wikipedia_shqip
2. https://a2news.com/2020/01/11/20-vite-ne-pushtet-karriera-politike-e-carit-putin/
3. Süddeutsche Zeitung
4. https://a2news.com/2020/01/11/20-vite-ne-pushtet-karriera-politike-e-carit-putin/
5. Më 25 prill 2005, Putini iu adresua popullit rus nga parlamenti, me një mesazh, që niste nga Bashkimi Sovjetik, që ishte shembur vite më parë. “Kolapsi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa gjeopolitike më e madhe e shekullit. Për qytetarët rusë ishte një dramë reale. Miliona qytetarë rusë dhe patriotë përfunduan jashtë Rusisë. Epidemia e kolapsit preku, mbi të gjitha, vetë Rusinë, kursimet e popullit u shkatërruan, bashkë me to edhe idealet tona më të forta”, tha ai. Shih: https://a2news.com/2020/01/11/20-vite-ne-pushtet-karriera-politike-e-carit-putin/
6. Në fillim të dhjetorit 1924, Zogu erdhi nga Beogradi në afërsi të kufirit me Shqipërinë.
Ai hyri në Shqipëri me përkrahjen e trupave jugosllave, atyre bjellogardiste të gjeneralit Vrangel, të drejtuar nga Sergei Ulagaj [Врангелове команде у Врању и Скопљу (shqip: Komanda e Vrangelit në Vranjë dhe Shkup). // Politika, 4 dhjetor 2017, f. 19.39] dhe me vullnetarë shqiptarë të rekrutuar në viset shqiptare të zonave të ndikimit të Begollajve të Pejës, kunatit Ceno bej Kryeziu dhe pjesën më të madhe të parisë dibrane. [Daci, Fatos (5 shtator 2015) “Si e solli Jugosllavia Ahmet Zogun në fron”. Koha jonë. Arkivuar nga origjinali më 9 janar 2016. Marrë më 8 janar 2019].
Pjesa më e madhe e 4000 trupave që u vunë në dispozicion ishin serbë, malazezë dhe bjellorusë. Armatimet dhe shpenzimet ushtarake u mbuluan nga Beogradi. [Frashëri 2014, f. 68-69] Ndërhyrja u krye nga toka jugosllave dhe greke. Në dispozicion të Zogut ishin fillimisht edhe dy batalione të rregullta të ushtrisë jugosllave, të pajisura me armë të rënda, topa dhe mitraloza. [Akademia, 2007, f. 238] Më 24 dhjetor Zogu hyri në Tiranë. [Akademia 2007, f. 246]