Nga Dr. Selim IBRAIMI
Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon me të gjitha mjetet, Federata Ruse ka ndryshuar taktikat se si të manipulojë opinionin dhe palët e tjera të interesit në të gjithë BE-në dhe jo vetëm kaq. BE ka dënuar javën e kaluar veprimet e Rusisë për të manipuluar informacionin në shtetet e BE-së, Ballkan dhe gjetiu. Zyrtarë të lartë të unionit disa herë kanë akuzuar Kremlinin për veprime të pahijshme me tendenca për të destabilizuar Evropën. Në njoftimin e Shërbimit Diplomatik të BE-së (EEAS) thuhet se “Çekia, Finlanda, Estonia, Gjermania, Franca, Letonia, Lituania, Hollanda, Polonia, Suedia dhe Rumania dënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të manipuluar në hapësirën e informacionit të shoqërive demokratike”.
Për lexuesit tanë duhet të rikujtojmë se “manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj i referohet përpjekjeve të qëllimshme dhe të koordinuara të aktorëve shtetërorë ose jo shtetërorë për të manipuluar hapësirat e informacionit për të arritur objektiva politike, të sigurisë etj, etj. Manipulimi i informacionit ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë thelbësore e aktiviteteve ruse.
Zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë shfaqur drojë se një fushatë kaq e fuqishme e informacionit të rremë gjithsesi se krijon mosbesim tek opinioni dhe i bën ndarjet etno-fetare më të thella. Ndërsa në vendet e brishta demokratike, manipulimi i informacionit nga Rusia ka ndikuar në vendimmarrjen demokratike.
“Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë aktiviteteve të tilla keqdashëse mbetet e njëjta: ekspozimi i tyre, sigurimi i fakteve dhe të vërtetave dhe mbështetja e shtypit të pavarur”- ka reaguar përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas.
Institucionet tjera të BE-së po ashtu kanë reaguar në lidhje me fuqizimin e propagandës dhe dezinformimit rus. Eurodeputetët thanë se lufta e Rusisë në Ukrainë është e pajustifikueshme dhe e paligjshme. Sipas tyre dezinformimi rus përbën një kërcënim real. Eurodeputetët më tej kanë votuar një rezolutë në favor të sanksioneve kundër mediave ruse, duke rritur rregullat e kontrollit të fakteve dhe duke hedhur poshtë përpjekjet ruse për të justifikuar luftën kundër Kievit. Parlamenti Evropian po ashtu i ka bërë thirrje Komisionit Evropian (KE) që të zbatojë rreptësisht “Aktin e Shërbimeve Digjitale” në një përpjekje për të kundërshtuar lehtësimin e fundit të rregullave të moderimit nga kompanitë kryesore të mediave sociale. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë se ky zhvillim i fundit do të mundësojë më tej fushatën e dezinformimit të Rusisë të përhapet në mbarë BE-në dhe në Ballkan.
Në këtë linjë, në opinionin e gjerë është dëgjuar pak për fushatën e dezinformimit rus të quajtur “Doppelganger”, emër i programit që qeveria dhe agjencitë ruse e kanë ndërtuar për të “infektuar” opinionin jo rus. I aktivizuar në publik, në mediat sociale dhe në platformat online në vitin 2022 nga kompania ruse “Social Design Agency” (SDA), programi rus ka synuar Ukrainën, Gjermaninë, Francën dhe SHBA me të vetmin qëllim të minojë mbështetjen për Ukrainën. Po ky program para disa ditëve i përhapur shumë në Rusia Today dhe Sputnik, po manipulonte me bashkëshorten e presidentit francez Emmanuel Macron. Në këtë fushatë të re të dezinformimit rus që nuk mund të parandalohet, pas zgjedhjeve amerikane janë shtuar spekulimet për ish- zyrtarët amerikanë të ish-administratës së Bajdenit.
Dhe ashtu siç po shkojnë çështjet ndërkombëtare, dhe më shumë pas ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë të presidentit amerikan Donald Trump, fushata ruse ka shumë pak gjasa të ndalohet. Kështu Sputnik po tallej me vizitën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Britani të Madhe, duke lëshuar mesazhe se deri kur Londra do të paguajë për luftën e Zelenskyt, duke kështu forcuar narrativën kundër Ukrainës në opinionin perëndimor. Në Sllovaki dhe Serbi, pavarësisht protestave, mediat e lartë përmendura ruse me teknikat e “Doppelganger”, kanë arritur të krijojnë një imazh stabil për qeverinë e kryeministrit sllovak Robert Fico, dhe për presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Ajo që vërehet në postimet e mediave ruse që transmetojnë në gjuhën angleze, është se po përdorin metoda të reja të programit të vënë në përdorim në vitin 2022, duke bërë redaktime të kohës së fundit të videove, duke forcuar komentet e fotove dhe videove kur dëshirohet të arrihet efekti, dhe njëkohësisht duke shkëputur citate nga intervistat apo deklaratat e zyrtarëve për të mbështetur politika të caktuara. Përveç formave tradicionale tashmë të njohura për publikun si në BE, Britani të Madhe, SHBA dhe në Ballkan, qeveria ruse dhe i gjithë aparati i sigurisë bashkë me mediat kanë kaluar në një shkallë më të avancuar të dezinformimit. Me mundësitë e ndryshimit të rrjedhës së luftës dhe perspektivës së paqes në Ukrainë, keqinformimi do të marrë një formë tjetër nga Rusia dhe aktorët tjerë.
Beteja mes Rusisë dhe BE-së do të vazhdojë, pasi deklarata e fundit e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte tregon shumë, duke përfshirë këtu edhe Ballkanin. Kur tani politika e jashtme e SHBA-së po pëson ndryshime të shpejta dhe rrënjësore, Në muajt e ardhshëm, Rusia do të ndryshojë gjithashtu metodat e saj të propagandës për t’iu përshtatur çështjeve aktuale ndërkombëtare, dhe veçanërisht problemeve rajonale, me një sërë dezinformimesh dhe operacionesh speciale që mund të përfshijnë Ballkanin.