Shkruar nga Helen Thompson
Kur shpiku idenë e gjeopolitikës në një leksion të mbajtur në Shoqërinë Mbretërore Gjeografike në vitin 1904, akademiku britanik Halford Mackinder e përcaktoi kontrollin e zemrës së Euroazisë, pjesë e së cilës është territori për të cilin po luftojnë sot Rusia dhe Ukraina, si strumbullarin e historisë botërore…
Gjatë shekullit XIX-të, Britania e Madhe dhe Rusia kishin qenë rivale në një lojë të madhe për ndikim në Azinë Qendrore, dhe sidomos në Iran. Mackinder parashikoi një të ardhme në të cilën fuqia që do të kontrollonte Rusinë dhe Kinën, ndërsa ishte aleate me Gjermaninë, do të arrinte të ndërtonte një perandori botërore.
Duke qenë se nuk kishte mbetur asnjë territor për t’u pushtuar, po përfundonte ajo që ai quajti Epoka Kolumbiane, e cila nisi në shekullin XV-të me imperializmin detar iberik. Për Mackinder-in, hekurudhat transkontinentale që do të ndërtoheshin më pas në mbarë Euroazinë, do të shndërroheshin në motorin tregtar të një epoke të re ekonomike, në të cilën do të ishin në disavantazh fuqitë detare si Britania dhe SHBA-ja.
Por, profecia e tij nuk u vërtetua nga historia. Shekulli XX-të do të dominohej nga një shtet oqeanik nga Hemisfera Perëndimore, SHBA-të, që do të ndikonte direkt në ekuilibrin e fuqisë në Euroazi dhe jo siç parashikoi Mackinder në mënyrë indirekte – përmes Rusisë.
Sot, Euroazia duket ende me shumë peshë në imagjinatën gjeopolitike. Ndërsa Rusia, nën mbrojtjen e armëve bërthamore që garantojnë Shkatërrimin e sigurt reciprok, synon t’i japë fund pavarësisë së Ukrainës, Irani dhe Izraeli po zhvillojnë një luftë fetare afatgjatë.
Ndërkohë Kina pretendon të rivendosë kontrollin e saj mbi Tajvanin, ku prodhohen 90 për qind e mikroçipave më të përparuar në botë. Prandaj ajo çka është në lojë në Euroazi është dramatike dhe e dukshme. Ndërkaq, ngjarjet në Amerikë mund të duken më pak të rëndësishme historikisht, dhe të paktën për evropianët, një shpërqëndrim i padëshiruar për Uashingtonin në lidhje me fatet e Ukrainës dhe Gazës.
Por, kjo do të thotë, të anashkalosh faktin se e ardhmja e historisë botërore është përcaktuar shpesh nga ndryshimet në Hemisferën Perëndimore. Ngjarjet aktuale në Amerikë, flasin tashmë për këtë realitet. Nëse Donald Trump do të rimarrë presidencën në janar të vitit të ardhshëm, qasja “America First” (Amerika e Para) do të zërë një vend qendror, duke pasur parasysh se fuqia dominuese e botës, ndan një kufi me një shtet që e ka humbur kontrollin e territorit të tij nga organizatat e trafikut të drogës, të cilat sundojnë përmes dhunës dhe zhvatjeve.
Gjatë administratës së tij të parë, thuhet se Trump shqyrtoi disa opsione ushtarake për të sulmuar kartelet meksikane të drogës në vendin e tyre. Gjatë fushatës aktuale, ai ka premtuar të përdorë “të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake” për t’i ndalur ata.
Kur Mackinder mbajti fjalimin e tij të famshëm në vitin 1904, rritja e fuqisë amerikane kishte treguar se edhe konfliktet që në dukje ishin të një nivelit të ulët në Hemisferën Perëndimore, mund të kenë një ndikim historik tek Euroazia.
Që kur fitoi pavarësinë nga Spanja, në vitin 1821, Venezuela pretendoi territorin në anën perëndimore të lumit Essequibo, që në atë kohë i përkiste kolonisë britanike të Guajanës. Për dekada me radhë, Karakasi kërkoi ndihmën e Uashingtonit për të vënë nën kontrollin e tij atë territor, duke përmendur edhe Doktrinën Monroe të SHBA-së të vitit 1823.
Kjo thoshte se çdo përpjekje nga një fuqi e huaj, përfshirë Britaninë, për të ndërhyrë në Hemisferën Perëndimore ishte një kërcënim për sigurinë e SHBA. Presidenti Grover Cleveland e pranoi kauzën e Venezuelës në vitin 1895, duke e detyruar Londrën ta çonte mosmarrëveshjen në arbitrazh ndërkombëtar.
Më pas, Hemisfera Perëndimore u bë një sferë pothuajse ekskluzive e influencës së SHBA-së, ashtu si nafta po zbulohej në tokat përreth Gjirit të Meksikës dhe Detit të Karaibeve. Ndërsa fuqitë evropiane luftuan njëra-tjetrën për kontrollin mbi rajonet e pasura me naftë të Euroazisë në Lindjen e Mesme dhe Kaukaz, asnjëra nuk mund të mbështeste me fuqi ushtarake një prani tregtare në Meksikë dhe Venezuelë.
Dhe pasi e ktheu një pohim retorik në një fakt gjeopolitik, SHBA-ja u zhvendos me vendosmëri drejt Paqësorit, duke aneksuar me forcë ishujt e Hawaii dhe Guam ndërsa mori kontrollin e Filipineve nga Spanja në vitin 1898. Më pas ajo mbeti e shqetësuar për mbrojtjen e ndikimit në Hemisferën Perëndimore dhe Paqësor.
Në vitin 1917, Vudrov Vilson [Woodrow Wilson] hyri në Luftën e Parë Botërore jo për shkak të luftës së nëndetëseve gjermane në Atlantik, por për shkak të komplotit të Berlinit me Meksikën për të pushtuar Teksasin, Nju Meksikën dhe Arizonën.
Gjatë Luftës së Ftohtë, kur SHBA-ja mbante nën kontroll fuqinë e Bashkimit Sovjetik – dhe në një kohë kur aleanca e këtij të fundit me Kinën dhe kontrolli mbi Gjermaninë Lindore, prodhoi një fuqi euroaziatike të ngjashme me atë që i druhej dikur Mackinder – Uashingtoni e vendosi në Paqësor pjesën më të madhe të marinës së tij.
Nëse SHBA-të do të mbeten apo jo fuqia dominuese e Paqësorit, kjo varet nga ajo që do të ndodhë në Ngushticën e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore. Pasi u dëbua nga bazat e tij ushtarake në Filipine në fillim të viteve 1990, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Uashingtoni është marrë dekadën e fundit me ringjalljen e marrëdhënieve të tij ushtarake me ish-koloninë e tij.
Po ashtu SHBA-ja po përpiqet të pengojë lundrimin e lirë të Kinës në Oqeanin Paqësor Perëndimor, ndërsa fuqitë revizioniste të Euroazisë – Rusia, Kina dhe Irani – zgjerojnë ndikimin e tyre në Hemisferën Perëndimore. Tani Pekini po ushtron një ndikim ekonomik më të madh në rajon.
Ai është partneri më i madh tregtar i Amerikës së Jugut, dhe 22 shtete të Amerikës Latine dhe Karaibeve janë anëtarë të nismës së saj infrastrukturore të Brezit dhe Rrugës. Uashingtoni ka kërkuar që qeveritë e Amerikës Latine të largojnë kompaninë kineze të teknologjisë Huawei nga rrjetet e tyre të telekomunikacionit.
Por apelet e tij, kanë qenë më pak efektive sesa në Evropë. Prania tregtare e Kinës në Meksikë, po e dëmton përpjekjen e Joe Biden-it për prodhimin industrial tek vendet “mike”. Disa mallra kineze, përfshirë makinat dhe pjesët e tyre përbërëse, që dikur eksportoheshin drejtpërdrejt nga Kina në SHBA, tani po ri-eksportohen nga Meksika.
Kartelet e drogës, që ndoshta kontrollojnë një të tretën e Meksikës Veriore, importojnë nga Kina fentanilin, një opioid sintetik, duke prodhuar kimikatet e nevojshme për të prodhuar drogat sintetike që vërshojnë në SHBA nga kufiri jugor. Çdo shans që mund të ketë SHBA-ja në frenimin e trafikut të drogës nga Meksika Veriore, kërkon bashkëpunimin e Kinës. Megjithatë, kjo mund të kufizojë opsionet e SHBA-së në Paqësor. Kjo u pa kur Kina pezulloi të gjitha operacionet kundër narkotikëve me Uashingtonin për më shumë se një vit, pasi kryetarja e atëhershme e Kongresit, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin në gusht 2022.
Nën një sërë sanksionesh të vendosura nga SHBA, Venezuela i ka thelluar
marrëdhëniet e saj me të gjitha shtetet revizioniste euroaziatike, duke eksportuar atë që ende mundet në Kinë, ndërsa pranon ndihmën teknike nga iranianët dhe rusët për ta ri-ngritur sektorin e saj jofunksional të hidrokarbureve.
Ndërkohë gjeopolitika rreth Kanalit të Panamasë, është transformuar nga kthimi i Kinës si një fuqi e madhe. Në kohën midis shpalljes së Doktrinës Monroe në vitin 1823 dhe realizimit të saj politik në vitin 1895, Britania dhe Franca synuan të ndërtonin një kanal përtej Istmit të Panamasë.
Por pasi vendosi hegjemoninë e saj në Hemisferën Perëndimore, dhe duke garantuar ushtarakisht pavarësinë e Panamasë nga Kolumbia, SHBA-ja siguroi në vitin 1903 një lëshim territorial për Zonën e Kanalit të Panamasë. Ashtu si SHBA-ja në fillim të shekullit XX-të, Kina ka sot të njëjtin interes mbi tregtinë nëpër të dyja oqeanet kryesore të botës.
Ndërsa 14 për qind e tregtisë detare brenda dhe jashtë SHBA-së kalon ende përmes kanalit të Panamasë, Kina kontrollon portet në skajet e saj në Atlantik dhe në Paqësor. Politika e Uashingtonit nën presidentin Trump për të inkurajuar Kinën të importojë gaz natyror të lëngshëm nga Gjiri i Meksikës, vetëm sa e shtoi interesin strategjik të Pekinit për kanalin. Edhe marina e Iranit është treguar shumë aktive. Meqenëse kalimi përmes kanalit duhet të jetë jo-diskriminues dhe Panamaja ka kontrollin e plotë të tij që nga viti 1999, SHBA-ja nuk ishte në gjendje që në shkurtin e vitit 2023 të detyronte Panamanë të pengonte 2 anije detare iraniane të mos lundronin përmes kanalit, për shkak të zhurmës së madhe që bëjnë motorët e tyre
Amerika Latine zotëron mbi gjysmën e rezervave botërore të litiumit dhe bakrit, dy metale që janë thelbësore për kalimin tek energjia me pak emetime të karbonit në atmosferë. Pjesa më e madhe e investimeve të Kinës në rajon, ka qenë në sektorin e burimeve, veçanërisht tek litiumi.
Një nga qëllimet e administratës Biden, është të zhvillojë zinxhirë furnizimi konkurrues me qendër në SHBA për mineralet me të rëndësishme. Por Uashingtoni i kishte lejuar tashmë kompanitë kineze të dominonin minierat dhe përpunimin në trekëndëshin e litiumit midis Kilit, Bolivisë dhe Argjentinës, përpara se t’i bashkohej lojës së re të madhe për burimet natyrore.
Presidenti argjentinas i krahut të djathtë, Javier Milei, kandidoi duke premtuar se do të distancohej nga Pekini. Por, që nga marrja e pushtetit në dhjetor 2023, ai nuk ka vepruar për ta larguar Kinën nga industria e litiumit. Pavarësisht qasjes pro-SHBA-ve të Milei-t, ku përfshihet edhe dëshira për t’iu bashkuar NATO-n, Buenos Aires-i nuk mund të distancohet nga Pekini, veçanërisht sepse është në rrezik të mospagimit të borxhit të saj sovran dhe kërkon ndihmën e Kinës.
Në këtë moment historik që po shpaloset, tentativa për një revolucion energjetik global ka nisur të shfaqet si një konflikt midis Kinës dhe SHBA-së mbi burimet minerare në Hemisferën Perëndimore, teksa Evropa mbetet kryesisht në rolin e spektatores.[“New Statesman”]