E vetmja gjë që i ka mbetur Serbisë tani është njohja e Kosovës

Vuçiq nuk do ta nënshkruajë kurrë rrëfimin sepse është i vetëdijshëm se serbët, të cilët ai i indoktrinoi me sukses, do ta vrisnin.
Nga Mario Stefanov .Geopolitika News, Zagreb]
Duke u frikësuar se mos vonohet shumë, duket se serbët goditën para kohe, të shtyrë nga iluzioni se në tensionet aktuale dhe përshkallëzimin e mundshëm në nivel global, do të mund të rikuperonin gjithçka të humbur deri më tani në luftërat e humbura, por gjasat për një gjë të tillë pas debaklit rus në Ukrainë janë në rënie.
Pasi parandaloi me sukses tentativën për rebelim të armatosur të serbëve në veri të Kosovës, Serbia e humbi lojën e dyfishtë që kishte luajtur për një kohë të gjatë.
Në të njëjtën kohë, kjo ishte edhe një përpjekje e dështuar e Rusisë për ta shndërruar Ballkanin në një vatër të re konfliktesh të armatosura.
Në çdo rast, rebelimi i armatosur i serbëve në Kosovë nuk do të kishte nisur pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar. Dhe Beogradi nuk do ta bënte këtë të paktën pa pëlqimin, nëse jo kërkesën e drejtpërdrejtë, të Moskës, e cila do të ishte e kënaqur me konfliktin në Ballkan për të shpërqendruar forcat e Perëndimit dhe për të larguar vëmendjen e publikut botëror nga dështimi i Rusisë. Lnë uftën në Ukrainë.
Por ashtu si ideja e të ashtuquajturës botë ruse, ideja e “botës serbe” po shkatërrohet edhe në Kosovë.
Përpjekja e dështuar për një rebelim të armatosur është një debakël për politikën serbe dhe ruse dhe për sistemet e tyre të sigurisë dhe inteligjencës. Është plotësisht e qartë se përgatitjet dhe fillimi i zbatimit të rebelimit të armatosur u mbuluan plotësisht nga inteligjenca dhe forcat e sigurisë së Kosovës, ndërkaq në sajë të informacioneve inteligjente të shërbimeve amerikane dhe aleatëve tjerë, e përballuan me lehtësi sulmin e armatosur dhe më pas i rrethuan dhe i mundën terroristët. Është vërtet e pabesueshme që shërbimet serbe që menaxhuan operacionin e armatosur, nuk ishin në dijeni se ishin depërtuar plotësisht nga inteligjenca dhe se thjesht prisnin që ata të fillonin ta zbatonin atë. Duke marrë parasysh llojin e njerëzve që aplikuan e drejtuan operacionin, është lehtësisht
e mundur që disa prej tyre të luanin edhe një lojë të dyfishtë, sepse, me sa dihet, do të bënin gjithçka për para. Pra, është e mundur që politika serbe në fakt i vlerëson e trajton si heronjë ata që shitën çdo gjë.
Moska nuk ka më shanse të ndryshojë pozicionin e saj humbës në përpjekje për të rivendosur ish-perandorinë sovjetike ose ndonjë formë të perandorisë Romanov, as mundësinë për të ndryshuar politikën e saj, pavarësisht se ajo po çon në një luftë afatgjatë, por edhe drejt izolimit dhe shpërbërjes së mundshme të shtetit.
Tentativa për kryengritje
Por Serbia ka ende mundësinë që të përfundojë lojën e dyfishtë për të cilën nuk ka as potencial gjeopolitik dhe as ekonomik dhe të njohë gjendjen faktike duke e njohur Kosovën. Me fjalë të tjera, ekziston një shans për të rimarrë kontrollin mbi të vetëm pas një lufte bërthamore, kur ata pak serbë të mbijetuar do të përcaktonin se ka më shumë prej tyre sesa shqiptarët e paktë të mbijetuar gjatë dimrave bërthamorë, nëse nuk do të vdisnin nga sëmundja e rrezatimit dhe uria më shpejt. Në realitet, Serbia nuk ka asnjë shans për të rivendosur sundimin e saj mbi Kosovën. Persekutimi i Kosovës si një grua që la një martesë të pasuksesshme dhe të palumtur dhe përpjekjet për ta rikthyer atë janë në thelb një politikë fëminore, absolutisht joreale e Beogradit.
Ndryshe nga Rusia, Serbia ka ende një shans për t’u kthyer nga e ardhmja në vend që të kërkojë atë që ishte dhe ka ende një shans për t’u pranuar nga Evropa dhe gjithë Perëndimi. Se është kështu, dëshmojnë edhe reagimet e para të Perëndimit, mbi të gjitha të SHBA-së, të cilët pretendojnë se nuk e dinë ose nuk janë të sigurt se Serbia qëndron drejtpërdrejt pas tentativës për rebelim të armatosur.
Kjo edhe nëse drejtuesit me më pak kapacitete e mundësi reale të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës të Serbisë, të cilët qëndrojnë pas gjithçkaje që ndodhi, nuk i mbulonin mjaftueshëm lidhjet, të dhënat dhe provat që të çonin në Beograd, gjë që nuk do të ishte befasuese. Gjithçka tjetër të kujton operacionin e vrazhdë dhe amator të atentatit të kohëve të shkuara në Sarajevë, përveç se kësaj radhe nuk arritën të vrasin arkidukën Ferdinand, pra të nisin luftën në Kosovë. Këtë herë makina nuk u kthye në drejtim të një lloj Parimi të ri thjesht sepse shërbimet perëndimore dhe ato të Kosovës e bënë punën e tyre në mënyrë perfekte.
Por kjo është arsyeja pse edhe sot, si atëherë, binarët të çojnë drejt në Beograd, qëllimisht ose, më shumë, për shkak të paaftësisë së udhëheqjes së grushtit të armatosur. Një javë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës, në opinion u paraqitën një sërë indikacionesh që flasin për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, që nga armatimet dhe pajisjet e grupit të shpërbërë paramilitar që erdhën nga arsenali i ushtrisë serbe deri te liderët e rebelimit të armatosur të lidhur drejtpërdrejt me presidentin serb Vuçiq dhe rrethin e tij politik.
Pjesa kryesore e provave ende nuk është paraqitur për publikun. Ato u mblodhën me punë afatgjatë të inteligjencës së shërbimeve amerikane dhe aleate me qëllim parandalimin e aktivizimit rus të zjarrit të luftës në Ballkan. Është plotësisht e qartë se rebelët që ishin pajisur dhe stërvitur nga Serbia ishin të mbuluar tërësisht nga inteligjenca dhe forcat e Kosovës. Prandaj, kryengritësit serbë u hetuan menjëherë, u rrethuan dhe u shpartalluan. Se Serbia qëndronte pas tyre u zbulua në mënyrë indirekte nga vetë Vuçiq kur, në stilin e Mile Martiqit – i cili u mburr publikisht para kamerave se kishte bombarduar objektiva civile në Zagreb dhe qytete të tjera kroate – ai deklaroi se gjithçka po monitorohej nga pala serbe në kohë reale, duke përmendur dhe biseda përmes radiolidhjes së policëve të Kosovës, dhe se sipas tij Prishtina nuk ka mundur të mbledhë as 460 forca speciale në një kohë kaq të shkurtër, kështu që, pra, është evidente se ka sulmuar e para. Përkundrazi, Prishtina ishte vetëm në pritje dhe kryengritësit serbë ishin të parët që goditën, ndërsa Beogradi me të vërtetë e ndoqi zhvillimin e operacionit që kishte organizuar në kohë reale. Është një debakël total i sistemit ushtarak dhe inteligjent serb, si dhe i elementeve të aparatit të inteligjencës ruse të përfshirë në operacionin për fillimin e konfliktit të armatosur në Kosovë.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, bëhet fjalë edhe për dështimin e lojës së dyfishtë shumëvjeçare të Beogradit, balancimin mes Perëndimit dhe Rusisë dhe shmangien e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Serbia tani është kapur me duar në thes dhe vazhdimi i politikës aktuale vështirë se është i mundur.
Nëse vërtetohet se ishte një rebelim i armatosur dhe se ekzekutorët e tij janë të lidhur me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, është e mundur të vendosen sanksione ndaj Serbisë, shkruan e përditshmja britanike Guardian e 28 shtatorit.
Lidhje të forta
Udhëheqësi rebel Milan Radoiçiç, i cili pranoi organizimin e terroristëve dhe kryerjen e sulmit, ka lidhje të drejtpërdrejta me elitën politike serbe dhe është nënkryetari i partisë Srpska të mbështetur nga Beogradi, e cila dominon politikën në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ai tashmë është nën sanksionet e SHBA dhe MB dhe thuhet se po shërohet në Spitalin Mjekësor Ushtarak (MMA) në Beograd.
The Guardian thekson se, nëse vërtetohet se ka qenë i përfshirë edhe Vuçiq, kjo mund të ndryshojë qasjen ndaj negociatave që kanë marrë deri tani SHBA dhe BE-ja. Këto struktura politike të Evropës dhe SHBA-së janë kritikuar si shumë të favorshme e pro Beogradit. Në vazhdim të sqarimit të asaj që ka ndodhur, pra prezantimit të dëshmive në Beograd për të cilat opinioni ende nuk i di, sanksionet mund të jenë lehtësisht në rendin e ditës nëse qeveria në Serbi e udhëhequr nga Vuçiq nuk tregon bashkëpunim të mjaftueshëm.
E kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, tregon pa hezitim se nga ka nisur rebelimi dhe me çfarë qëllimi. Ajo shprehet: “Është gjithnjë e më e qartë se ishte në punë një skenar i provokimit të konfliktit që ushtria serbe të hynte në Kosovë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe për të kryer ndarjen e Kosovës. Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe përtej së cilës Perëndimi nuk mund të tolerojë më sjelljen e Beogradit. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komenton shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri, dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”.
Dhe këtu ai ka absolutisht të drejtë – qeveria në Beograd ka kaluar vijën e kuqe të Perëndimit, pas së cilës do të jetë e vështirë t’i kthehet politikës së vjetër.
Deri më tani në Beograd kanë ndryshuar vetëm aktorët, por drejtimi themelor i politikës serbe ka mbetur gjithmonë i njëjtë, i njohur për të gjithë. Duke vonuar zgjidhjen përfundimtare dhe mbylljen e krizës ballkanike me ndihmën e manipulimit shumëpalësh dhe duke përdorur dobësitë e palëve të përfshira, politika serbe po përpiqet të fitojë kohë për të pritur një lloj përmbysjeje të re të madhe gjeopolitike.
Luftërat e humbura
Në momentin e luftës së madhe evropiane që Rusia filloi në Ukrainë, Beogradi vlerësoi se trazirat kishin filluar dhe se pavarësisht nga përfundimi i saj, Serbia mund të merrte diçka për vete, veçanërisht në zonën e Kosovës.
Duke u frikësuar se mos vonohen, duket se kanë goditur para kohe, të shtyrë nga iluzioni se në tensionet aktuale dhe përshkallëzimin e mundshëm në nivel global, mund të rikuperojnë gjithçka të humbur deri tani në luftërat e humbura. Por gjasat për një gjë të tillë pas debaklit rus në Ukrainë dhe debaklit serb me një tentativë rebelimi të armatosur që i kapërceu vijat e kuqe të Perëndimit, po bëhen më të vogla. Bëhet fjalë gjithashtu për dështimin e përpjekjes së Rusisë për të zgjeruar konfliktin me Perëndimin për të lehtësuar pozicionet në Ukrainë dhe për të dobësuar pozicionet perëndimore rajonale dhe globale. Kur Serbia është në mes, flasim për kolapsin e plotë të politikës serbe deri tani dhe dëbimin e saj nga loja e ngatërruar e shumëfishtë e gjoja multilateralizmit. Fakti që ajo ende nuk është ekspozuar ndaj të vërtetës së plotë për atë që ka organizuar, duke përfshirë edhe sanksionet e mundshme, mund t’i atribuohet vetëm faktit se Perëndimi ka nevojë për të dhe se dialogu dhe bashkëpunimi i qeverisë serbe pritet të dëshmohet në masë më të madhe se më parë. Nëse në media nisin të zbulohen prova më konkrete të përfshirjes së drejtpërdrejtë të Beogradit dhe Moskës në sulmin terrorist në Kosovë, do të jetë një sinjal i sigurt se Perëndimi e ka lënë në fund qeverinë në Beograd.
Nuk është koha më e përshtatshme për Perëndimin që të ndryshojë partnerin e tij në Beograd, por nëse është e nevojshme, nuk është pa opsione. Prej kohësh një pjesë e opozitës kërkon ndryshimin e politikës dhe afrimin me Bashkimin Evropian, e me këtë edhe me integrimin perëndimor.
Por problemi i vërtetë nuk është vetëm tek Vuçiqi dhe rrethi i tij politik. Edhe sikur vërtet të donte, nuk mund të bëjë atë që i kërkohet në rrethanat aktuale, para së gjithash ta njohë Kosovën dhe të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën. Shumica e qytetarëve serbë do ta konsideronin këtë një tradhti dhe thjesht do ta vinin në shtyllë nëse ai nuk do të arrinte të arratisej më parë. Prandaj, edhe një përmbysje e mundshme e jashtme e Vuçiqit nuk do të kishte efektet e pritura, përderisa shumica e trupit politik është e bindur se Kosova mund të kthehet nën kujdesin e Serbisë. Kushdo që e njeh Kosovën do të vihet në shtyllë.
Nga ana serbe, në një situatë të tillë të humorit civil, thjesht nuk ka vend për negociata dhe lëshime të mëdha. Problemi nuk është vetëm Vuçiqi, por politika mbizotëruese në Serbi, qoftë në pushtet apo opozitë, dhe qëndrimet mbizotëruese të qytetarëve.
Idetë e dështuara
Me arsye mund të thuhet se pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, ka ardhur momenti që Serbia të shkëputet nga Rusia dhe t’i përkushtohet partneritetit me vendet me të cilat kryesisht bashkëpunon ekonomikisht dhe në rrethin e të cilave është e integruar ekonomikisht. gjegjësisht vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë moment është e sigurt se ideja e të ashtuquajturës “botë ruse” ka pushuar dhe bashkë me të edhe ëndrrat e të ashtuquajturës “botë serbe”. Është e pabesueshme që politika serbe nuk e sheh se sa e rëndësishme është Serbia për Perëndimin dhe se si do të ishte një nga lojtarët më të privilegjuar në atë partneritet.
Përveç faktit se loja e politikës serbe praktikisht është e llogaritur për të përfituar nga një konflikt i madh i lojtarëve të fuqishëm jashtërajonal në të cilin do të përfitonte në këtë moment historik, është e vështirë të arrihet, megjithatë është jashtëzakonisht e rrezikshme sepse balancon vetë linjat e përballjes së vendeve më të fuqishme të botës. Pavarësisht se si zhvillohen ngjarjet, Beogradi dhe rrethi politik rreth Aleksandër Vuçiqit mund të jenë të sigurt se në ndonjë lojë të re të madhe lufte ata do të jenë të vetmit humbës dhe aspak fitues.
Nëse rrethi rreth Presidentit Vuçiq mendon se taktikat vdekjeprurëse të lodhshme dhe fakti që vetë Vuçiq është një lojtar perëndimor, në fund të fundit, si kryeministrja Brnabiç, doli nga USAID e lidhur me operacionet e CIA-s, do të thotë diçka dhe se ajo i mbron ata, ata janë keq. Saddami ishte gjithashtu një lojtar perëndimor, por të gjithë nën mbikëqyrjen e SHBA-së kanë një afat të ruajtjes që ata e shkurtojnë vetëm duke mos iu bindur dhe kundërshtuar drejtorin. Dhe presidenti egjiptian Mubarak ishte një aleat kyç rajonal amerikan, kështu që kur ai nuk ishte më i nevojshëm në lojën e re gjeopolitike, ai u pushtua nga dhuna në rrugë në revolucionet arabe të organizuara nga aleatët amerikanë dhe evropianë dhe përfundoi në gjykatë i mbyllur në një kafaz si nje majmun. Ish-miku i madh amerikan, marshalli ajror, komandanti i forcave ajrore egjiptiane në luftën mitike të Egjiptit me Izraelin në 1973, shpëtoi kokën vetëm sepse pushteti në Egjipt u mor nga Vëllazëria Myslimane pranë Turqisë, e cila nuk i përshtatej as Arabisë Saudite. si lider i bllokut sunit arab apo perëndimor. Sidomos që kur pjesë e korpusit ekstrem politik islamik erdhën në pushtet dhe filluan të flasin edhe për prishjen e piramidave. Grushti i shtetit të gjeneralit al-Sisi që përmbysi qeverinë e zgjedhur i shpëtoi kokën Mubarakut. Në fund të fundit, vetë Millosheviçi ishte një lojtar amerikan dhe perëndimor, por kur filloi të humbiste luftërat dhe të humbiste kontrollin, ai mori mijëra bomba dhe raketa në kokë.
Situata është identike me Vuçiqin dhe rrethin e tij politik. Nëse ai nuk e pranon atë që i kërkojnë, ai thjesht do të hiqet. Në politikën ndërkombëtare askush nuk është i pazëvendësueshëm. Loja e dyfishtë e Serbisë ka marrë fund.
[Përktheu: ISHGJ]
_____________________________