Nga Dr. Selim IBRAIMI
Përderisa presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka “lëshuar” pe, dhe është gati të nënshkruajë marrëveshjen e mineraleve e të punojë me administratën e presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerjen e luftës, shtetet evropiane në krye me Britaninë e Madhe janë zotuar për një plan ushtarak ambicioz dhe me trupa ushtarake për të ruajtur armëpushimin e mundshëm. Plani sipas kryeministrit britanik Keir Starmer do t’i parqitet edhe SHBA-së. Për ironi një plan i tillë është hedhur poshtë nga zv. presidenti amerikan J.D. Vance duke u tallur me evropianët se nuk kanë zhvilluar luftë gjatë 20-30 viteve të fundit e lerë më të ruajnë paqen.
Në të njëjtën faqe të talljes ka qenë dhe Viktor Orbani, kryeministri i Hungarisë. Krahës takimit emergjent në Paris dhe në Londër, shtetet evropiane po mobilizohen për luftë me Rusinë, duke u pajtuar të shpenzojnë 800 miliardë euro për mbrojtjen. “Nuk kam nevojë të përshkruaj natyrën e rëndë të kërcënimeve me të cilat përballemi, apo pasojat shkatërruese që do të duhet të durojmë nëse këto kërcënime do të ndodhin”, tha të martën komisionerja e BE-së Ursula von der Leyen. Plani i ri i mbrojtjes i BE-së u paraqit pasi Uashingtoni ndërpreu ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe po rikalibron marrëdhëniet me Evropën. Po në anën tjetër të Atlantikut, SHBA ka hyrë në një luftë tregtare me aleatin e saj të ngushtë Kanadanë dhe në jug me Meksikën. Kryeministri në largim i Kanadasë Justin Trudeau, ishte mjaft i ashpër në fjalimin e tij si asnjëherë më parë më Trumpin, duke njoftuar se kanadezët nuk do të mposhten nga tarifat amerikane.
Raporte më të këqija amerikano-kanadeze nuk janë parë asnjëherë. Shqetësimet në rritje për marrëdhënie të vështira në mes dy shteteve janë të arsyeshme, pasi Kanadaja tashmë është pjesë e koalicionit ushtarak që mbështet Ukrainën nën udhëheqjen e Britanisë së Madhe. Nuk ka dyshim se një kaos dhe konkurrencë globale në mes shteteve dhe atyre të dobëta do të nxjerrë pakënaqësi të reja. Tani le të shohim gjendjen aktuale të punëve ushatarke në BE dhe në
Britaninë e Madhe në lidhje me planin e SHBA-së dhe Rusisë për të përmirësuar raportet e tyre dhe propozim buxhetin ushtarak nëse do të mund të shpëtojë Evropën. Shtetet evropiane bashkë me Britaninë e Madhe janë në
proces të krijimit të një ushtrie evropiane që do të shërbejë sipas tyre si mburojë kundër kërcënimeve ruse dhe plotësimit të vakumit në fushën e mbrojtjes nga mundësia e tërheqjes amerikane nga Evropa.
Në këtë drejtim, fjalimi i presidentit Donald Trump në “State of Union”, përveç një fjalimi të pritur nuk kishte gjë të re. Zemërimi nga vendimet e tij në BE rreth politikave të tarifave dhe të mbrojtjes në botën perëndimore ishte i madh, pasi sipas kritikëve, kur administrata e Trumpit është duke planifikuar të shfuqizojë sanksionet ndaj Rusisë, në mënyrë tinzare po ju vendos tarifa shteteve mike dhe aleate. Sipas evropianëve, jo vetëm hakmarrja ekonomike
është në mendjen e Trumpit, por edhe ajo ushtarake duke kërcënuar Evropën me heqje të sigurisë. Kjo mund të jetë një shenjë e keqe për të gjithë, veçanërisht për vendet që janë në proces asociimi në BE dhe që mundohen të gjejnë mënyra se si të mbijetojnë në këtë kohë të ndryshimeve të shpejta në politikën ndërkombëtare. Të qenit kaq të sigurtë pas shumë vitesh mbështetjeje te SHBA-ja, sot mund të konsiderohet si e kaluar. Veprimet e fundit amerikane janë një thirrje zgjimi për Evropën, e cila duhet të kishte marrë seriozisht shumë kohë përpara planet e mbrojtjes pa SHBA-në.
Shtetet e BE-së, së bashku me Britaninë e Madhe, duhet të kishin punuar përpara se SHBA të hiqte dorë nga politikat e mbrojtjes falës për aleatët. Në këtë lojë inatesh në mes SHBA-së dhe evropianëve, fitues është Rusia e cila tashmë ka fituar mbështetjen e administratës së Trumpit për më shumë bashkëpunim. Uashingtoni dhe Moska kanë rënë dakod që të fillojnë një fazë të re të marrëdhënieve duke lënë pas epokën e keqe ruso-amerikane. Kur të dyja shtetet po diskutojnë në nivele të ndryshme të zvogëlimit të armatimit bërthamorë, zotimet evropiane se do të pavarësohen nga SHBA (e cila edhe ashtu nuk dëshiron të mbajë barën kryesore ekonomike-ushtarake), mbeten të dyshimta, pasi duhet të mbështeten me veprime konkrete si nga BE dhe Britania e Madhe.
Realisht do të jetë vështirë të ndërtohet ushtri evropiane me kaq dallime të mëdha brenda vetë BE-së. Nëse do të kemi një ushtri evropiane gjatë pesë viteve të ardhshme, do të balancojë SHBA-në në njërën anë, Rusinë, Kinën dhe disa shtete të tjera që kanë peshë në sigurinë e Evropës Juglindore. Shtetet e Ballkanit që janë jashtë sferës aktuale të NATO-s do të kenë rol të rëndësishëm varësisht se në cilën anë do të rreshtohen ose janë anëtarësuar më herët në strukturat ushtarake. Ndryshe si proces mund të shihet si pjesë e çrregullimit të balancës brenda Evropës dhe pjesës tjetër të botës. Ose ndryshe mund të shihet si një rikthim i Evropës dhe Ballkanit në mënyrën si ishin para vitit 1914.