Nga Dr. Selim IBRAIMI
Konkurrenca e fuqive të mëdha po bëhet gjithnjë e më ngushtë, duke përfshirë BE-në, ish-bllokun sovjetik, Ballkanin etj., etj. Me afrimin e inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump, atmosfera ndërkombëtare e sigurisë po ndryshon për shkak të deklaratave të tij në lidhje me Kanalin e Panamasë, Grenlandën dhe Kanadanë. Po në fund të javës, NATO-ja mori përsipër mbrojtjen ajrore në Poloni nga SHBA-ja, vetëm disa ditë para se zyrtarët e administratës së Trumpit të fillojnë me planin konkret ndaj Ukrainës dhe Rusisë.
Përhapja e jehonës historike nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, po shihet dhe vlerësohet me frikë nga shtetet e tjera. Kësaj frike i parapriu 100 vjet më parë gjeografi britanik Halford Mackinder (1861-1947), i cili përshkroi garën në “Heartland” (një hapësirë gjeografike që mbulon Arktikun dhe Euroazinë), në mes fuqive të kohës si nevojë të domosdoshme. Rastësisht apo jo, sot duket se të gjitha ngjarjet po shkojnë në atë drejtim.
Disa analistë mendojnë se fushata e një retorike të ashpërsuar në Uashington, duhet t’i sjellë më fuqishëm SHBA-të në skenën botërore, të paktën për të qenë konkurruese në shekullin e 21-të. Përveç kritikave nga fuqitë evropiane, si politikë (agjendë) e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare amerikane mund të konsiderohet e drejtë. Pavarësisht kritikave, retorika dhe ndoshta realizimi i një politike të tillë të pushtimit të territoreve të reja nga SHBA-ja me interes kombëtar, mund t’i ndihmojë edhe evropianët dhe aktorët e tjerë politikë rajonalë në Ballkan, si një mundësi për t’u përfshirë në “botën e re” të konkurrencës dhe mbijetesës.
Ndërkohë që gjërat në skenën globale shkojnë lart e poshtë, në Ballkan viti 2025 ka nisur me fjalime të nxehta nacionaliste. Duke përfituar nga atmosfera e re ndërkombëtare, faktorë të tjerë të interesuar për të marrë pjesën e dominimit ekonomik dhe territorial në Ballkan, me deklarata të nxehta si në Bosnjë – Hercegovinë, Bullgari, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, po bëhen pjesë e nxitjes së trazirave të brendshme. Në vend të konkurrencës, aktorët politikë në Ballkan po kthehen në shekullin 19-20. Në këtë fazë, liderët politikë evropianë nuk kanë qenë më të mirë, duke filluar me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili bëri thirrje për një koalicion të ri ushtarak evropian për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë dhe kërcënimeve të tjera si një alternativë ndaj NATO-s.
“Ne nuk mund të mbështetemi tek (SHBA) apo pjesa tjetër e botës”, tha Macron. Sipas tij, ekziston plani, dhe ai është krijimi i një ushtrie evropiane me Britaninë e Madhe, Italinë, Poloninë, shtetet baltike dhe të gjithë ata që kërkojnë të bashkohen. Nga zhvillimet e fundit është shumë e qartë se BE-ja, Ballkani dhe vatrat ndërkombëtare të krizës do të kenë vëmendje të ndryshme, për arsyet e sigurisë me të cilat po përballen si BE-ja dhe SHBA-ja.
Në këtë kontekst, nuk dihet se si do të integrohen shtetet ballkanike në projektin e ri amerikan, për të cilin kemi shkruar vitet e fundit. Në këtë linjë, disa qeveri ballkanike, si ajo serbe, kanë zbatuar politika të dyfishta. Si shembull i konkurrencës në mbrojtjen evropiane, sistemet raketore kineze do të përdoren për herë të parë në Ballkan. Do të jetë Serbia ku sistemet kineze do të vihen në funksion nga ushtria serbe. Sistemi raketor kinez FK-3 do të bëhet kryesori në Serbi si një përzierje e pajisjeve ushtarake të dhuruara gjatë viteve nga SHBA dhe vendet evropiane.
Krahas ngjarjes me sistemet raketore kineze, në Banja Llukë të Bosnjë-Hercegovinës, situata e sigurisë sa vjen e vështirësohet. Në paradën paraushtarake për “Ditën e Republika Srpska”, kryeministri serb Millosh Vuçeviç drejtoi një delegacion nga Serbia për të marrë pjesë në këtë ngjarje, duke shkaktuar kritika nga zyrtarët në Sarajevë dhe më gjerë. Gjithashtu, lideri serb i Bosnjës Millorad Dodik, në një intervistë në prag të “Ditës së Republika Srpska”, deklaroi se “detyra e shenjtë për ne është të shkëputemi nga Bosnjë- Hercegovina”. “Nëse Trumpi mund të aneksojë Grenlandën, edhe ne mundemi”.
Në Ballkanin jugor, në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, gjërat nuk kanë shkuar mirë si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Kështu, lideri i partisë politike bullgare “Rilindja”, Konstantin Kostadinov, ka deklaruar se “nuk ka asgjë më logjike dhe normale se sa dy vende me histori, origjinë, gjuhë dhe popull të përbashkët, si SHBA-ja dhe Kanadaja, të bëhet një shtet i vetëm”. Këto janë vetëm disa ngjarje që kanë ndodhur në Ballkan të pasuara nga të tjerat në Kosovë dhe në Serbi.
Ndërsa konkurrenca globale po bëhet gjithnjë e më e ashpër me tone ndërluftuese, në skenën rajonale gjatë kësaj faze mund të shohim disa ndryshime në aleancat e krijuara dekada më parë. Këto ndryshime do të jenë vendimtare për politikën rajonale dhe globale, duke forcuar më tej partitë kombëtare të djathta, të cilat do të kenë mbështetjen e SHBA-së në rreshtimin e ri aktual. Në këtë kontekst, siç shihet nga deklaratat e fundit të liderëve ballkanikë, mundësitë e një kalimi nga realiteti i konkurrencës së fuqive të mëdha në një lojë rajonale dhe lokale duke i kushtuar vëmendje të shkuarës po bëhet gjithnjë e më afërt.
Defokusimi nga gara globale, mund të dëmtojë marrëdhëniet tashmë të acaruara ndërshtetërore në Ballkan. Prandaj shtetet ballkanike në këtë kohë dhe në vitet në vijim kanë mundësi të kufizuara ose të integrohen në agjendën e SHBA-së ose t’iu bashkohen fuqive evropiane si në shekullin 19-20 me mundësi të larta konfliktesh rajonale.
Në fund, për t’iu rikthyer idesë kryesore të këtij artikulli, pavarësisht planeve të administratës së Trumpit për të ripërsëritur disa projekte kombëtare të ekspansionit amerikan të shekullit 18-19 të blerjes së tokave, SHBA -të do t’i përdorin aleancat, presionin ekonomik, diplomatik dhe mjetet ushtarake për të arritur qëllimet strategjike si mbijetesë për ruajtjen e statusit global. Këtë politikë do ta ndjekin edhe shtetet që janë në këtë garë.
Padyshim se rrugëtimi do të jetë me shumë armiq dhe miq, ku ashtu siç e përmenda në këtë artikull do të përfshihen BE-ja, shtetet e Ballkanit, ish- shtetet e bllokut sovjetik etj., etj. Gjithçka tjetër mbetet për t’u parë se sa shpejt do të ecin shtetet aktuale në garën për dominim gjeografik me implikime globale dhe rajonale.