Prof. Dr. Irakli Koçollari
Vitin, madje edhe ditët e fundit, opinion shqiptar ka mësuar përmes mjeteve të informimit publik, televizionit, rjeteve sociale dhe shtypit të shkruar për disa zbulime arkeologjike me rëndësi të madhe dhe të veçantë historike për shqiptarët, kulturën materiale dhe vendshtrirjet e tyre.
ZBULIMI I PARË
Është fjala për kërkimet arkeologjike dhe gjetjen mes të tjerave të një pllake të madhe, ndoshta mortore, në nekropolin antik, në afërsi të Shkupit, e cila mbante në epigrafinë e saj emrin e fisit të shquar ilir të Dardanëve, “Dardanus”. E tërë ajo ngjarje, e cila mund të ishte fshehur tërësisht, u bë e njohur falë vëmëndjes dhe kurajës së një punëtori të thejeshtë shqiptar, i cili ishte pjestar në ata ekspeditë arkeologjike, të përbërë vetëm nga arkeologë sllavo-maqedonë dhe asnjë shqiptar!!!.
Pasi puntori shqiptar njoftoi për sa sipër, ngjarja dhe vetë objekti arkeologjik i fotografuar u bë publik, me interesimin dhe insistimin e gazetarit Marin Mema dhe prej tij u bë prezente edhe në media.
Ndërkohë nga pala maqedonase, një prej arkeologëve sllavo-maqedonë, pjestar në ekipin e gërmimeve, pati një prononcim të çuditshëm publik. Ai me një kurajë autoritariste, aspak shkencore, madje pa ja bërë syri tërr, deklaroi se në ato territore, ku ishte gjetur pllaka me epigrafinë “Dardanus”, nuk bëhej fjalë për vendbanime të fiseve ilire, por për një vendbanim dhe qytetërim romak!!!
A thua se bota që e dëgjonte përreth ishin një masë amorfe, baritore, pa kulturë, e cila porsa kishte zbritur nga stepat e largëta të Lindjes.
Pas atij prononcimi, absurd dhe antishkencor, gjithçka u mbyll, nën një heshtje të pakuptuar. Dukej qartë se në ambientet e institucioneve kërkimore maqedonase sundonte një klimë sekrecie, censure, për të fshehur ç’ishte gjetur dhe mos hapur asnjë portë apo kanatë nga ku mund të dilnin lajmet apo informacionet për ato dëshmi me vlera historike.
Por, për fat të keq, as nga institucionet shkencore shqiptare, të shtetit amë, nuk pati ndonjë prononcim!!! Askush nuk guxoi të nxirrte kokën, të replikonte apo ndriçonte opinionin, për atë ngjarje dhe artefakt me rëndësi të shumfishtë historike dhe shkencore.
Askush në këtë anë nuk piptiu!
U shfaq vetëm një zë!
Një gazetar, Marin Mema, për të bërë publike atë që gjer atëhere nga pala maqedone ishte fshehur, ishte mbajtur nën drynët e ndryshkur të mentaliteteve të vjetëruara nacionaliste sllavo-maqedonase, të mendësive perverse, që duan të fshehin, shuajnë apo tjetërsojnë historinë e një populli dhe origjinën e tij, ndër më të lashtët në Ballkan e më gjërë!
Dhe prej asaj dite e gjer më sot, për atë ngjarje me rëndësi jo të vogël historike, që është pjesëz dhe provë e vazhdimësisë, trashigimisë dhe autoktonisë Iliro-Arbërore-Shqiptare në ato anë, askush nuk shkruan dhe institucionalisht askush nuk flet apo kërkon informacion prej palës maqedonase – se çfarë u bë me ato artefakte dhe pasuri historike!!!
Një drojë, apo më keq se kaq, një pasivitet dhe heshtje e pakuptuar qëndron mbi institucionin tonë shkëncor – Akademinë!
Por, zbulimet dhe inventaret arkeologjike nuk janë pronë vetëm e vendit ku ato gjenden, as ekskluzivitet i territoralialitetit politik të atij shteti ku ato zbulohen. Ato janë edhe pjesë e fondit historik dhe kulturës së popujve, e inventarit pasuror të qytetërimit botëror!
Natyrisht, së pari ato duhet të jenë në vëmëndjen dhe interesimin e veçantë të institucioneve të atij populli, origjina e të cilit lidhet më ato produkte materiale dhe shpirtërore, që gjenden apo zbulohen nga arkeologjia.
Të kërkosh nga administratorët e këtyre thesareve, publikimin e artefakteve të gjetura, studimet rreth tyre, veçsa është shenjë e koshiencës kulturore dhe nacionale të institucioneve shkencore përgjegjëse shqiptare, kërkesa e njohjes me to është gjithashtu një detyrim historik për të inventarizuar, vlerësuar dhe konsoliduar themelet e arritjeve shkencore, rreth origjinës, etnogjenezës dhe historisë së shqiptarëve në këto anë të Ballkanit. Tek e fundit ky është misioni parësor i shkencës së Albanologjisë. Çuditërisht, kjo vëmëndje dhe ky interesim, për fat të keq, nuk ka ndodhur dhe vazhdon të mos ndodhë gjer më sot!
Por, nuk do të ndalemi vetëm tek kjo ngjarje e një viti të shkuar!
Pak ditë më parë – Dy zbulime të tjera, të njëpasnjëshme, mjaft të rëndësishme, unike në llojin ne tyre, tërhoqën vëmëndjen, jo vetëm të botës shkencore, por edhe opinionit publik në tërësi, në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, në Ballkan e më gjërë.
ZBULIMI I DYTË
Është fjala për për një zbulim, një gjetje arkeologjike me mjaft interes dhe rëndësi shkencore, për historinë e popullit tonë. Atë e bëri prezent, në një emision në media, gazetari i njohur Ferdinand Dervishi.
Prej disa miqve të tij shqiptarë, me banim në Maqedoninë e Veriut, ai ishte informuar për një gjetje arkeologjike, me mjaft interes. Ishte fjala për një shtatore mermeri e gjetur në fshatin Raveni, të banuar nga shqiptarë, në afërsi të Gostivarit. Statuja e punuar nga mermeri i asaj zone, sipas Profesor Doktor Luan Përzhitës, ndoshta i takonte shekujve të I-rë, Para Erës së Re apo gjer shekullit të II të Erës sonë. (Sidoqoftë kjo gjë do të saktësohet nga studimimet dhe vlerësimet e mëtejme shkencore).
Fshatarët e shqetësuar, që e kishin gjetur statujën në punimet rastësore të tokës, e kishin marë atë plot merak në shtëpi, si të ishte një pjestar i vyer i familjes së tyre (kushedi edhe mund të ishte një pararendës i lashtë i fisit) për ta ruajtur. Ata e kishin ndërmarë këtë akt përkujdesje, që ajo vepër arti të mos bëhej objekt i ndonjë grabitje të mundëshme, apo të shpërdorohej nga njerëz të papërgjegjshëm dhe për ta dorëzuar paskëtaj në institucionet shtetrore të Maqedonisë së Veriut.
Por, përpara dorëzimit të objektit, ata kishin njoftuar mikun e tyre, Ferdinantin, për të qënë edhe ai prezent dhe dëshmitar i asaj gjetjeje me vlerë. Ndoshta ky veprim ishte një akt i ndërgjegjshëm prevenues për të parandaluar njëkohesisht çdo përpjekje të rretheve ekstremiste nacionaliste, në institucionet e Shkupit, të cilët pse jo, mund ta fshehnin apo tjetërsonin këtë provë me vlera identifikuese historike. Këto rrethe jo rallë kanë shfaqur dhe shfaqin revanshe antishqiptare, madje gjer deformime antishkencore të historisë së popullit tone dhe së fundmi thirrje për heqjen e shqipjes si gjuhë zyrtare e atij vendi!!!.
ZBULIMI I TRETË
Para pak ditësh, një tjetër zbulim i rëndësishëm arkeologjik, ndosha i vetmi gjer më tani në llojin e tij, është bërë i njohur në një tjetër fshat shqiptar pranë Strugës. Është fjala për gjetjet në një terren të gjërë gërmimesh arkeologjike, me rëndësi unike, në fshatin Koroshishtë. Një numur varresh monumentale (mbretërore), janë identifikuar në këtë territor, të njohur që në antikitet si vendbanim i fisit ilir të Enkelejve. Paraprakisht vlerësohet se varret i takojnë shekujve të VII-VI p. e. r., një tregues ky me mjaft rëndësi i kulturës së lashtë të fiseve ilire në këto anë.
Sikundër është bërë e njohur, nga gërmimet e deritanishme, janë gjetur rreth 100 objekte që u takojnë inventarit të këtyre varreve dhe mes të tjerave renditen përkrenare dhe mburoja ilire, armë, doreza dhe sende zbukurimi të punuara me njëmjeshtri të rallë, çka flet për shkallën e lartë të kulturës së punimit të metalit dhe të arit ndër Enkelejtë. Gjetjet janë gjithashtu pasqyrë e statusit të lartë që zinin në shoqërinë e kohës njerëzit e varosur në këto objekte mortore monumentale.
Këto lloj zbulimesh dhe gjetjesh vijnë rallë në historinë apo kërkimin shkencor të një vendi, madje shumë më gjërë se kaq. Për shkak të vlerave dhe interesit të veçantë shkencor që paraqesin, ndaj tyre kërkohet një vëmëndje dhe reagim i nevojshëm nga institucionet tona shkencore, që asgjë të mos shpërdorohet, të mos dëmtohet, të mos deformohet aq më keq të fallsifikohet apo tjetërsohet. Nuk do të ishte aspak e tepërt që në këto ekipe arkeologësh gërmimi të kërkohej të ishin pjestarë edhe shqiptarë, shtetas maqedonas, por pse jo edhe specialistë të institutive tona. Pra të kërkojmë, as më shumë dhe as më pak, atë që ne, me kritere dhe bujari shkencore, bëjmë për arkeologë dhe specialistë të huaj në ekspeditat kërkimore në vendin tonë.
Nuk kam si të mos përmënd në këto rreshta Profesor Luan Përzhitën, i thirur për tu prononcuar rreth gjetjeve. Ai me një ndjeshmëri të veçantë ka kthyer tërë vëmëndjen dhe interesimin e tij mbi zbulimet e fundit, ndaj kësaj pasurie të përtej kufirit, përmes miqve të tij në ato anë.
Por, këto zhvillime kaq intensive, me prurje vlerash unike në llojin e tyre, kërkojnë edhe vëmëndje dhe përkujdesje nga institucionet tona shkencore. Në të treja këto ngjarje, me prurje të rëndësishme, nuk ka asnjë zë institucional, të Akademisë së Shkencave!!!
DEBATE PUBLIKE DHE PËRSËRI HESHTJE E AKADEMISË SË SHKENCAVE
Veç heshtjes institucionale për rastet e mësipërme, heshtja e atij institucioni është shtrirë edhe më gjërë se kaq, përtej rasteve të fundit. Prej disa vitesh janë bërë të pranishme dhe kthyer në debate publike një numur çështjesh me karakter historik shkencor, që vënë në diskutim studime të konfirmuara të etnogjezes tonë, të gjuhës, trashëgimisë kulturore, shtrirjes territoriale historike, kulturës materiale, diasporës shqiptare, etj…….
Të aftë dhe të paaftë, mediokër dhe diletantë, shkenctarë dhe pseudoshkenctarë, patriotë naivë apo edhe të dyshimtë predikojnë teori apo gjetje, përtej kërkesave, standardeve dhe limiteve shkencore. Ka mes tyre syresh që mohojnë hapur origjinën dhe praninë e ilirëve në këto anë!!!, të tjerë që përpiqen të shpërfillin arritjet shkencore të historiografisë serioze shqiptare, ngrenë apo rrëzojnë personalitete, studime dhe gjetje të konfirmuara, prezantojnë çudira, me apo pa argumente të mirfillta disiplinore… Jo rallë ata bëjnë përgjegjës apo damkosin me barrën e mëkatit studjues apo studime serioze.
Të pranishëm në medja, këta “studjues” të pakontrolluar, për shkak edhe të mungesës së profesionizmit gazetaresk, thirren nëpër studjo televizive ku prezantojnë jo pak nga këto teori dhe gjetje, të cilat duhet pranuar se kanë zënë jo pak vend në mëndësitë e opinionin shqiptar.
Sigurisht, në këtë botë të fjalës së lirë, çdokush mund të shfaqë mendimin e tij, jo rallë të gabuar. Por, në këto raste përgjegjësia nuk është vetëm e tyre.
Përgjegjëse është edhe – heshtja!
Më shumë se kaq, përgjegjëse është heshtja institucionale, mungesa e reagimit të studjuesve të kualifikuar, me tituj dhe grada shkencore, gjer akademikëve, e instituteve dhe strukturave shkencore, që mbulojnë fushat e kërkimit dhe të ngarkuara për të ndriçuar çështje në lëmij specifikë.
Institucionet dhe studjuesit duhet të dalin dhe ballafaqohen me opinionet, me korrektësi dhe me argumente, pa përbuzur dhe pa shpërfillur askënd. Ata duhet ti sjellin opinionit tonë argumentin bindës shkencor. Kërkimet e tyre nuk duhet të mbetet vetëm në fletët e një referati, kumtesa në konferenca apo në raftet e një bibloteke.
Bota mediatike tanimë ka zënë një vend dhe rol të veçantë në përhapjen e informacionit dhe transformimet e rëndësishme të botës në të cilën jetojmë. Kush nuk ka kuptuar këtë duhet të dijë se ka lënë boshllëqë të pariparushme në kulturën, moralin dhe vetëdijen e një populli.
Institucionet kërkimore shkencore dhe Akademia e Shkencave kanë për mision të sqarojnë dhe prevenojnë publikisht keqinformimin, deformimet shkencore, që mund tu përcillen brezave. Ky mision nuk realizohet me urdhëra as me kapardira nga rangje dhe funksione, por me aftësi, argumente, zotësi shkencore, ballafaqim dhe prezantimin e dijeve avangardë, metodologjive dhe aritjeve bashkëkohore të botës që na rrethon.
Sigurisht, këtë nuk mund ta bëjë kushdo. Këtë mund ta bëjnë vetëm individë që punojnë e kërkojnë pa u lodhur, që studjojnë, ballafaqohen dhe përthithin të rejat e botës dhe arritjet e institucioneve të certifikuara në fusha specifike të kërkimit.
Por, këtë nuk mund ta bëjë as një studjues i shkencave ekzakte, që del dhe flet për linguistikën, historinë e antikitetit apo historinë e kohëve moderne, pa qënë njohës i fushës, aq më keq pa lexuar më parë asgjë nga këto lëminj.
Cili është ndryshimi mes këtij njeriu dhe diletantëve që dalin dhe parashtrojnë pretendimet e tyre përpara opinionit!?
Argumentet bindëse shkencore nuk mund t’i sjellin as funksionet administrative dhe as hierarkia përtej fushave specifike të shkencës. Por, sigurisht argumentet shkencore nuk mund ti sjellë as “Heshtja”.
KURAJOJA I KA RRËNJËT TEK FUQIA E DIJES
Heshtja e institucioneve dhe specialistëve të fushës, na shtyn të mendojmë se duhet të ketë disa arsye që shkaktojnë këtë pasivitet;
– ose ka pasiguri për t’u përballur me realitetet dhe pretendimet e oponentëve, qofshin këta edhe diletantë të fushave;
– ose ka mungesa të theksuara në dijet dhe kapacitetet intelektualë për të ndjekur dinamikat, gjetjet, zbulimet dhe zhvillimet e reja rreth arealit tonë historik
– ose organizimi institucional i drejtimit të Akademisë tonë është bërë tanimë pengesë për lirinë dhe debatin akademik.
Secilës fushe duhet t’i dalin zot studjuesit përkatës. Ata duhet të përballen dhe të debatojnë me mendimet alternative, të saqrojnë dhe të hedhin poshtë çfarë argumentohet si jo shkencore dhe të pranohet ç’është racionale dhe brenda formatit dhe fushës së studimit korrekt.
Në çdo rrethanë, heshtjen nuk mund ta thyejnë dhe argumentin shkencor nuk mund ta sjellë grada apo titulli shkencor, marrë në mënyrë të merituar apo të pa pamerituar. E themi këtë pasi në radhën e atyre strukturave ka njerëz që vërtet mbajnë tituj e grada të larta shkencore, por është po aq e vërtetë që ka mes tyre që nuk kanë qoftë edhe një botim të vetëm shkencor dhe më keq akoma nuk kanë lexuar asë për sa flitet.
Dhe së fundi, heshtjen nuk duhet ta thyejnë as ndonjë individ i atyshëm, që me instrumente antishkencore ka tjetërsuar vlera të trashëgimisë tonë identitare, sikundër polifonia labe, duke ua dhuruar atë padrejtësisht dhe pa argumente shkencore fqinjëve grekë! [DITA]