Nga Dr Selim Ibraimi
Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin ishte për vizitë zyrtare në Arabinë Saudite dhe në Emiratet e Bashkuara. Rusia e izoluar nga bota demokratike dhe nën sanksione ndërkombëtare, ka arritur të mbajë gjallë ekonominë kombëtare. Këtë e ka bërë duke vazhduar bashkëpunimim me Kinën, Serbinë, Turqinë, Korenë e Veriut, shtetet e Lindjes së Mesme, Afrikën dhe me disa shtete të Amerikës Latine.
Moska ambiciet për të shkaktuar trazira dhe nisë luftëra të reja nuk i ka lënë anësh. Këtë energji të re e ka fituar nga burimet natyrore, bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak me shtetet që janë kundër Perëndimit. Këtu përjashtim bën raporti me Serbinë e cila hapur vazhdon të shkelë sanksionet ndërkombëtare dhe shkëmbejë miliona dollarë me Rusinë. Nga aksionet e fundit ruse shohim dy angazhime për ta bërë 2024-ën ende më të vështirë për demokracitë e reja dhe botën.
E para, ka të bëjë me Ballkanin ku së bashku me Serbinë, liderin serb të Bosnjës, dhe pa lënë anënsh këtu forcat radikale serbe në Kosovë, Moska po bën përpjekje që të nxisë konflikte të reja në rajon.
Angazhimi i dytë është më ndryshe, ka të bëjë me Lindjen e Mesme. Atje Rusia në lëvizje ka vënë diplomacinë ekonomike, kryesisht në funksion të problemeve ekonomike ruse. Pavarësisht pengesave ndërkombëtare dhe luftës me Ukrainën, mediat e Moskës kanë raportuar se eksporti rus me Emiratet e Bashkuara për vitin 2022 përbënte një shumë të rëndësishme prej 8.5 miliardë dollarë. Ndërsa me Arabinë Saudite tregtia për vitin 2022 arrinte deri në 1.75 miliardë dollarë.
Zyrtarë rusë janë zotuar se deri në fund të 2023-ës tregtia në mes dy shteteve do të arrijë deri në 5 miliardë dollarë. Prania ruse në Lindjen e Mesme ka ndyshuar në etapa të ndryshme të shek. XX dhe pas. Në vitet e 60-ta dhe 70-ta, ish- BRSS-ja vendosi lidhje të ngushta me pothuajse të gjitha shtetet e Lindjes së Mesme dhe të Magrebit. Në këtë linjë marrëdhëniet e Rusisë me shtetet arabe kanë një histori të gjatë. Rusia bashkë me shtetet arabe po bëjnë disa veprime që të vendosin një çmim të ri të naftës duke ndikuar që shtetet e OPEC-ut të mbajnë anën ruse. Këtu kemi disa dilema nëse shtetet e OPEC-ut do të bien tërësisht nën influencën ruse.
Rusia nuk është anëtare e OPEC-ut, por kryesorja në BRICS, ku në gusht të këtij viti gjatë Samitit të BRICS-ut në Johanesburg, Putini bëri thirrje që Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara të bashkohen me aleancën. Nga veprimet e fundit ruse shihet se Rusia dhe OPEC-u kërkojnë të ruajnë stabilitetin e çmimit të naftës dhe të konkurrojnë SHBA-të. Overtura diplomatike ruse në Lindje në plan afatgjatë ka një fund jo të mirë. Është diplomaci afatshkurtër dhe aspak nuk ofron siguri afatgjate për shtetet arabe. Rusia do të mundohet të shfrytëzojë luftën aktuale në mes Izraelit dhe Hamasit për të defokusuar SHBA-të nga Ukraina dhe problemet tjera.
Në kontekst të politikës ruse të destabilizimit, më shumë duhet vëzhguar Rusinë në Ballkan me regjimet e pro- Kremlinit. Serbia bashkë me serbët në rajon janë të interesuar për një aventurë ushtarake. Në një një skenarë të tillë Rusia e Putinit sigurisht se do të mbante anën serbe. Ka shumë paqartësi nëse BE-ja dhe SHBA-ja do të mund të gjejnë rrugë tjera për të mënjanuar këtë tendencë të hershme ruso-serbe.
Ditëve të fundit, Viktor Medvedçuku, një mik i ngushtë i presidentit rus Vlladimir Putin, ka nisur në Serbi një nismë politike të quajtur “Një Ukrainë tjetër”. Nisma është pritur mirë në Serbi nga politika dhe media pro -ruse. Aktualisht në vatrat potenciale në Ballkan, Beogradi dhe Moska e kanë forcuar propagandën në tre mujorin e fundit.
Si në Lindjen e Mesme dhe në Ballkanin Perëndimor, Rusia duhet të merret si rrezik për përshrirje në probleme të ndërlikuara historike. Andaj edhe pse diplomacia ruse mund të duket e shkatërruar nga Perëndimi, përsëri në politikën ndërkombëtare historikisht janë gjetur mënyra të veprimit dhe vënies në zbatim të të gjitha burimeve në funksion të sigurisë kombëtare. Të njëjtën gjë po e bën Rusia dhe të tjerët. Kur jemi në Ballkan, sipas të dhënave të “Comtrad-it” të OKB-së, eksportet e Serbisë në Rusi ishin 1.19 miliardë dollarë gjatë vitit 2022. BE-ja po ashtu ka ofruar një plan mjaft ambicioz për Ballkanin që shkon deri në 30 miliardë dollarë.
Pavarësisht shkëmbimit tregtarë, vëmendja duhet të përqedrohet në aksionet ruse dhe të ndërtohen strategji për të minimizuar efektet e një diplomacie ruse me mjete të ndryshme. Aksionet e BE-së dhe të SHBA-së bashkë me shtetet e Ballkanit duhet të jenë të kombinuara. Ndryshe vakumi do të shkojë në favor të Kremlinit dhe Beogradit. Ndërsa në Lindjen e Mesme loja është pak më e vështirë për Rusinë dhe për të gjithë lojtarët rajonal e global.