Nga Gzim RUSHITI, PhD
ABSTRACT
Diplomacia paraqet njërën ndër shtyllat kryesore dhe më të rëndësishmë të politikës së jashtme të shteteve dhe të organiztave ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Baza për diplomacinë evropiane është përcaktuar në traktatet që themelojnë Komunitetin Evropian dhe Bashkimin Evropian .
Kjo analizë analizon rolin dhe kontributin e diplomacisë së Bahkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Kjo analizë përveç se e analizon rolin dhe kontributin e diplomacisë së Bashkimit Evropian në përgjithësi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, poashtu synon që të analizojë edhe rolin, rëndësinë, kontributin dhe marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me secilin nga gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Edhe atë në këtë analizë studjohen dhe analizohen marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Roli, rëndësia dhe kontributi i Bashkimit Evropian për ndërtimin dhe zhvillimin e proceseve në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe të secilit nga shtetet që e përbëjnë këtë rajon në veçanti është me rëndësi jetike.
Bahkimi Evropian ka dhënë kontribut jetik për ruajtjen dhe zhvillimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për zhvillimin e proceseve politike dhe ekonomike, për ndërtimin e institucioneve demokratike, për ndërtimin e infrastukturës etj.
DIPLOMACIA E BASHKIMIT EVROPIAN NË RAJONIN E BALLKANIT PERËNDIMOR
Bashkimi Evropian është një organizatë rajonale e shtrirë në rajonin e Evropës, e cila në gjirin e saj përfshinë, shtetet që kanë pozitë gjeo-strategjike në këtë kontinent. Kjo organizatë. funksionon në bazë të principit mbi-nacional, që do të thotë, në mënyrë të pavarur nga vullneti i shteteve anëtare të tyre, të cilët ia kanë bartur një pjesë të kompetencave të tyre, ushtron pushtet politik dhe juridik. Që nga themelimi i saj BE-ja ka tentuar që ndikimin e saj ta përqendrojë tek të gjitha shtetet që kanë shtrirje territoriale në këtë kontinent.
Ballkani perëndimor është një grup i përbërë prej 6 shteteve Kosovës, Shqipërisë, Republikës Veriore të Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi të cilat shtrihen në Evropën Juglindore. Kjo zonë territoriale ka qenë interes strategjik i Bashkimit Evropian që prej kohësh, por mungesa e stabilitetit dhe konfliktet e vazhdueshme që kanë qenë pjesë e kësaj zone gjeografike, i kanë vështirësuar marrëdhëniet mes palëve.[1]
Një hetim mbi diplomacinë e BE-së natyrisht kërkon një analizë të diplomacisë së zhvilluar në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë (CFSP) të Bashkimit Evropian. Por po aq e rëndësishme është edhe ‘diplomacia e brendshme’ e fokusuar në zgjidhjen e marrëdhënieve të ndërsjella midis shteteve anëtare dhe veçanërisht ‘diplomacia strukturore’ e bazuar në strategjitë dhe partneritetet e BE-së me rajone të tjera në botë, e cila synon të promovojë ndryshimet strukturore afatgjata në këto rajone. [2]
Fqinjësia e BE-së, veçanërisht vendet kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE, është në krye të listës së prioriteteve për Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian (KESE) në lidhje me marrëdhëniet e jashtme.
Për të dhënë një kontribut më efikas në negociatat e anëtarësimit në BE, politika e KESE-së ka qenë të krijojë Komitete të Përbashkëta Konsultative (KPK) të Shoqërisë Civile vetëm pasi të hapen kapitujt e parë të negociatave. Komiteti Shqyrtues i KESE-së i Ballkanit Perëndimor ka vazhduar praktikën e organizimit të studimeve të rregullta ose vizitave shqyrtuese në vendet me të cilat nuk është krijuar ende një Komitet i Përbashkët Konsultativ, për të mbajtur kontakte me organizatat lokale.[3]
Vendet e BE-së dhe vendet Ballkanike që aspirojnë për aderim, ndajnë të njëjtën përgjegjësi për një Evropë të përbashkët paqësore dhe të begatë. Bazuar edhe në përvojën e mirë të vendeve të Europës Veriore dhe Perëndimore, ekziston gjithashtu një mënyrë për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit, madje edhe të kenë kontakte miqësore. Ashtu siç vepruan shtetet e Europës Perendimore në vitet ’50, shtetet Ballkanike duhet të fillojnë të intensifikojnë fillimisht tregtinë dhe biznesin e tyre dy-palësh dhe shumë-palësh që do të kontribuojë drejt arritjes së fqinjësisë së mirë. Kjo do të ulë mosbesimin, madje edhe antagonizmin e hershëm. Në të njëjtën kohë do të rrisë integrimin ekonomik dhe social. Të dyja këto mundësi, ulja e antagonizmit dhe rritja e integrimit, janë parakushte për një anëtarësim të ardhshëm në BE.[4]
Diplomacia e BE –së për rajonin e Ballkanit, mbështet një sistem gjeopolitik që kërkon të balancojë interesat kombëtare me një strukturë të bashkuar ekonomike, politike dhe shoqërore, e cila shtyhet nga liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe ideve. Ky koncept në përgjithësi, e në veçanti, për vendet ballkanike doli vetëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë. Megjithatë, realiteti evropian dhe ai ballkanik janë goxha të nndryshëm. Madje këtë pikëpamje mbi Ballkanin e minojnë akoma më shumë edhe dallimet midis anëtarëve të BE –së, e cila përkrah një strukturë të fuqishme evropiane të mbrojtjes, ndryshe nga ajo e NATO –s. Kjo pikëpamje për Ballkanin paraqet kërcënim numër një gjatë periudhës së ardhshme sa i takon stabilitetit dhe integrimit.
Përkthimi i këtij realiteti diplomatik brenda BE –së karshi të ardhmes së Ballkanit, mund të kuptohet në dy aspekte të zhvillimit diplomatik në të ardhmen :
- BE –ja e konsideron Ballkanin si një zonë gjeopolitike e gjeostrategjike, e cila ka nevojë për balancë ekonomike, shoqërore dhe liri e të drejta të njeriut, si parakusht për integrim, process të cilin të gjitha vendet e Ballkanit e përkrahin.
- BE –ja përmes diplomacisë së saj për Ballkanin konsideron se ontegrimet rajonale, duke përfshirë edhe Serbinë, janë të mundura vetëm përmes një strukture të re mbrojtëse jashtë asaj të NATO –s, pasi për Serbinë dhe Rusinë, NATO –ja paraqet kërcënim strategjik. Kjo pikëpamje në vetvete paraqet problem te popujt e tjerë gjatë proceseve të ardhshme.[5]
DIPLOMACIA E BASHKIMIT EVROPIAN NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË
Pas luftës në Bosnje e cila përfundoi në dhjetor 1995, Bashkimi Evropian ka intensifikuar aktivitetet e tij strategjike drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor në tërësi, duke përfshirë Bosnjën. Fundi i luftës ishte zhvendosja e qeverisjes së BE-së drejt Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe Bosnje dhe Hercegovinës në veçanti. Kjo do të thotë, BE-ja propozoi njëra pas tjetrës iniciativat që supozohej të forconin perspektivën evropiane të Bosnje dhe Hercegovinës.
Nisma e parë e tillë erdhi nga Franca gjatë presidencës së saj të BE-së në dhjetor 1996 në kuadër të të ashtuquajturit Procesi Royaumont. Objektivi kryesor i nismës ishte stabilizimi dhe ndërtimi i paqes në Evropën Juglindore. Procesi Royaumont ishte strategjia e parë rajonale ndaj Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, BE-ja zhvilloi një qasje rajonale duke nisur një qasje politike dhe ekonomike kushtëzimi për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Më mirë të themi se përmes programeve humanitare PHARE dhe OBNOVA, duke filluar nga viti 1997, BE-ja inicioi për herë të parë në rajon kushtëzimin politik dhe ekonomik, pasi ndihma e saj ekonomike në kuadër të iniciativave të përmendura jepej me kusht që. marrësit respektojnë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.[6]
Bosnja dhe Hercegovina ka kaluar një proces të gjerë reformash evropianizimi që nga fundi i viteve 1990, kur ajo hyri në Procesin e Stabilizim-Asociimit (SAP) së bashku me vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor. Pritej që procesi i evropianizimit të sillte ndryshime pozitive në vend pas zbatimit të normave politike, ekonomike dhe ligjore nga acquis communautaire.[7]
Bosnja dhe Hercegovina së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor u identifikua si një kandidate e mundshme për anëtarësim në BE gjatë samitit të Këshillit Evropian të Selanikut në qershor 2003.Qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës përfitojnë nga udhëtimi pa viza në zonën Shengen që nga viti 2010. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2015; dispozitat e saj tregtare janë zbatuar që nga viti 2008, duke çuar në liberalizimin progresiv të tregtisë. Bosnja dhe Hercegovina aplikoi për anëtarësim në BE në shkurt 2016. Komisioni miratoi Opinionin e tij (Avis) për aplikimin e vendit për anëtarësim në BE në maj 2019, duke identifikuar 14 prioritetet kryesore që vendi duhet të përmbushë në funksion të hapjes së negociatave të pranimit në BE. Këshilli i BE-së miratoi Opinionin dhe prioritetet kryesore në dhjetor 2019. Opinioni përbën një udhërrëfyes gjithëpërfshirës për reforma të thella në fushat e demokracisë/funksionalitetit, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe reformës së administratës publike. Në tetor 2022, Komisioni rekomandoi Bosnjën dhe Hercegovinën për statusin e kandidatit, duke kuptuar se janë ndërmarrë një sërë hapash. Në dhjetor 2022, Këshilli Evropian i dha Bosnjë dhe Hercegovinës statusin e vendit kandidat. Në dhjetor 2023, Këshilli Evropian vendosi se do të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën, pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit. Ai gjithashtu ftoi Komisionin t’i raportojë Këshillit mbi progresin më së voni në mars 2024, me synimin për të marrë një vendim. Duke u mbështetur në rekomandimin e Komisionitmë 12 mars 2024, Këshilli Evropian vendosi në mars 2024 të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Këshilli Evropian e ftoi Komisionin të përgatisë kuadrin e negociatave me synimin për miratimin e tij nga Këshilli në momentin që të ndërmerren të gjithë hapat përkatës të përcaktuara në rekomandimin e Komisionit të datës 12 tetor 2022. BE-ja vazhdon të vendosë burime të konsiderueshme në Bosnje dhe Hercegovinë brenda kornizës së Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Misioni ushtarak i BE-së EUFOR Althea është i pranishëm që nga viti 2004 në Bosnje dhe Hercegovinë me një mandat ekzekutiv të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbështetur autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës në ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt në vend. [8]
DIPLOMACIA E BASHKIMIT EVROPIAN NË MALIN E ZI
Bashkimi Evropian është një partneritet ekonomik dhe politik që përfaqëson një formë unike bashkëpunimi midis vendeve anëtare sot. BE-ja e ka parë prej kohësh procesin e zgjerimit si një mundësi historike për të çuar më tej integrimin e kontinentit me mjete paqësore. Analistët pretendojnë se procesi i menaxhuar me kujdes i zgjerimit është një nga mjetet më të fuqishme të politikave të BE-së dhe ka ndihmuar në transformimin e ish-diktaturave si Spanja dhe shumë prej shteteve ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore në demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi të tregut të lirë. BE-ja pohon se dera e zgjerimit mbetet e hapur për çdo vend evropian, përfshirë Turqinë dhe ato të Ballkanit Perëndimor, të aftë për të përmbushur kriteret politike dhe ekonomike të BE-së për anëtarësim.[9]
Menjëherë pas referendumit për pavarësinë, si qeveria ashtu edhe parlamenti i Republikës së Malit të Zi theksuan proceset integruese evropiane dhe euroatlantike si prioritet për Malin e Zi. Marrëdhëniet e plota diplomatike ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi u vendosën më 12 qershor 2006, si dhe marrëdhëniet diplomatike me të gjitha shtetet anëtare. [10]
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një synim strategjik i politikës së jashtme të Malit të Zi. Ministria e Punëve të Jashtme ka një Drejtori të Përgjithshme për Bashkimin Evropian, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Çështjeve Evropiane dhe institucione të tjera dhe aktorë ndërkombëtarë, merr pjesë në aktivitete që synojnë monitorimin e politikës së BE-së dhe integrimin tonë në BE. Fokusi i aktiviteteve janë analiza, monitorimi dhe pjesëmarrja aktive në zhvillimin dhe zbatimin e politikës së BE-së, në kuadër të statusit të Malit të Zi si vend kandidat për anëtarësim në BE; përgatitja e qëndrimeve zyrtare mbi bazën e të cilave Mali i Zi paraqitet dhe merr pjesë në aktivitete të përbashkëta me BE-në në kuadër të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë Evropiane (CFSP); pjesëmarrja në grupin e punës për kapitullin 31 të negociatave, monitorimi i dimensioneve politike të bashkëpunimit rajonal në kuadër të Politikës së Zgjerimit dhe përgatitjet për takimin ku Mali i Zi ishte i ftuar si vend partner.
Fushëveprimi i punës përfshin edhe bashkëpunimin e Malit të Zi me shtetet anëtare, shtetet kandidate dhe kandidatët potencialë në procesin e anëtarësimit dhe anëtarësimit në BE; bashkëpunimi me përfaqësitë diplomatike të vendeve të tjera lidhur me negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE; monitorimin e mekanizmave të Politikës Evropiane të Fqinjësisë, Partneritetit Evropian, Sinergjisë së Detit të Zi si dhe Komunitetit të Energjisë, Komunitetit të Transportit në kuadër të fushëveprimit të tij dhe Komunitetit Politik Evropian, përgatitjes së dialogut politik dhe monitorimit të dimensionit politik të bashkëpunimit rajonal. në kuadër të politikës evropiane të zgjerimit. Gjithashtu, integrimi i Malit të Zi monitorohet në lidhje me bashkëpunimin me nismat rajonale, proceset dhe mekanizmat që kontribuojnë në procesin e integrimit evropian, siç është Plani i Rritjes. [11]
Mali i Zi është një vend kandidat për anëtarësim në BE. Më 15 tetor 2007 Mali i Zi nënshkroi një Marrëveshje Stabilizim Asociimi (MSA) dhe një Marrëveshje të Përkohshme për tregtinë dhe çështjet e lidhura me tregtinë. Kjo e fundit hyri në fuqi më 1 janar 2008 ndërsa MSA-ja hyri në fuqi më 1 maj 2010. Me aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Mali i Zi ra dakord zyrtarisht për një asociim me Komunitetin Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij, duke pranuar kështu përgjegjësinë për e ardhmja e saj evropiane. Në vitin 2008, vendi i ri aplikoi për anëtarësim në BE. Në vitin 2010, Komisioni lëshoi një opinion të favorshëm për aplikimin e Malit të Zi, duke identifikuar 7 prioritetet kryesore që do të duhej të adresoheshin për fillimin e negociatave dhe Këshilli i dha statusin e kandidatit. Në dhjetor 2011, Këshilli nisi procesin e anëtarësimit me synimin për hapjen e negociatave në qershor 2012. Negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi filluan më 29 qershor 2012. Pas tetë vjet negociatash për anëtarësim, të 33 kapitujt e shqyrtuar janë hapur, nga të cilët 3 janë mbyllur përkohësisht. Që nga viti 2007, BE ka dhënë rreth 1.2 miliardë euro grante të pakthyeshme drejtpërdrejt për Malin e Zi. Përveç kësaj, Mali i Zi ka përfituar nga një gamë e gjerë programesh rajonale për Ballkanin Perëndimor . Ndihma e kahershme financiare është shpenzuar në programe dhe projekte të cilat kanë nxitur zhvillimin dhe reformat konkrete, duke kontribuar kështu në mirëqenien e qytetarëve në shumë fusha.[12]
DIPLOMACIA E BASHKIMIT EVROPIAN NË SERBI
Karakteristikë themelore e marrëdhënieve bashkëkohore ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian është paqëndrueshmëria e besimit të ndërsjellë që përcaktohet, nga njëra anë, nga kushtet e vazhdueshme politike të BE-së, të cilat në Serbi perceptohen se i rrezikojnë interesat jetike kombëtare dhe shtetërore; dhe nga ana tjetër, ndjenja e poshtërimit dhe paaftësisë së lidershipit serb, që në Union interpretohet si taktikë dhe pasinqeritet në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. [13]
Serbia dhe BE-ja normalizuan marrëdhëniet e tyre pas ndryshimit të madh politik në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë në tetor 2000. Qeveria e sapokrijuar e konsideroi fillimin e procesit të integrimit në BE si parakusht për stabilizimin dhe konsolidimin e përgjithshëm të vendit. Në atë kohë, BE-ja ishte e gatshme të ndihmonte shumë për të çuar përpara aspiratat evropiane të Serbisë dhe Mali të Zi si njësia e dytë federale e RFJ-së). Që nga fillimi i procesit, BE-ja e ka përfshirë RFJ-në në procesin e stabilizimit dhe asociimit të nisur më parë në 1999 për vendet e të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor.
Për të gjitha këto vende, përfshirë ish-RFJ-në, samiti i BE-së në Selanik në qershor 2003 ishte i një rëndësie të madhe. Samiti miratoi një deklaratë e cila hapi qartë një perspektivë anëtarësimi për të gjitha vendet e Ballkanit të afta për të përmbushur kushtet e asociimit.
Pasi pranoi të ashtuquajturin “mekanizëm të dyfishtë”, bisedime të ndara midis BE-së dhe dy përbërësve të federatës, Serbisë dhe Malit të Zi, Serbia po përgatiste axhendën e saj integruese. Pas marrjes së studimit të fizibilitetit në prill 2005, Serbisë iu ofrua dhe filloi përgatitjet e negociatave. Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) u hapën në formatin e mekanizmit të dyfishtë dhe shumë shpejt, pasi Mali i Zi shpalli pavarësinë në 2006, vazhdoi plotësisht i ndarë me dy vende sovrane.[14]
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) me Serbinë u nënshkrua në vitin 2008. Në vitin 2012, Këshilli Evropian konfirmoi Serbinë si vend kandidat dhe një vit më vonë miratoi rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave me Serbinë. Në vitin 2013 hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Serbi. Konferenca e parë ndërqeveritare BE-Serbi u mbajt në janar të vitit 2014, ndërsa në vitin 2015 u hapën dy kapitujt e parë nga 35 kapitujt e negociatave. Që nga viti 2020, janë hapur 18 kapituj negociues dhe autoritetet serbe kanë njoftuar se procesi do të vazhdojë duke përdorur metodologjinë e re për të cilën është rënë dakord në fillim të atij viti. Në vitin 2018, Komisioni Evropian miratoi një strategji për ‘Një perspektivë të besueshme të zgjerimit dhe angazhimin e zgjeruar të BE-së me Ballkanin Perëndimor’.
Me më shumë se 3 miliardë euro ndihmë të pakthyeshme gjatë dy dekadave të fundit, Bashkimi Evropian është donatori më i madh në Serbi dhe partneri numër një i vendit në mbështetjen e zhvillimit dhe reformave në vazhdim. Serbia ka përfituar ndjeshëm nga integrimi tregtar dhe ekonomik me BE-në. BE-ja është tradicionalisht partneri kryesor tregtar i Serbisë që përbën gati 65% të eksporteve totale të Serbisë dhe rreth 64% të importeve totale të mallrave të Serbisë në vitin 2019, me përqindje të ngjashme që vazhdojnë gjatë viteve. Vlera e eksporteve serbe në BE u trefishua nga gati 3.4 miliardë euro në 2009 në pothuajse 11.3 miliardë euro në 2019.
Eksportet e Serbisë në BE janë rritur më shpejt se importet nga BE. Për më tepër, mbulimi i importeve me eksporte nga pala serbe kundrejt BE-së është përmirësuar; nga nën 50% në 2009 në mbi 74% në 2019, 74.3% e importeve nga BE mbuloheshin nga eksportet serbe në BE.[15]
DIPLOMCIA E BASHKIMIT EVROPIAN NË KOSOVË
Kosova dhe në përgjithësi shqiptarët u shkëputën nga Evropa për një periudhë pesëqindvjeçare të pushtimit osman dhe, më pas, Kosova për afro njëqind vjetët e tjera përjetoi peshën e sundimit të egër serb. Përpjekja për kthim në Evropë nuk ishte e lehtë, ashtu siç ishte menduar në fillim të viteve të 90 –ta. Ajo, madje, shpesh acaroi edhe kancelaritë evroperëndimore. Vetëm me luftën e Kosovës shënohet një qasje më kualitative e politikës së jashtme evropiane dhe e formësimit të identitetit të saj, si aktor global. Roli i kësaj politike në Kosovë ka shënuar ngritje graduale positive që nga Rezoluta e Parlamentit Evropian ( 1989 ). Njëkohësisht është në përgjegjësinë e BE –së ta ndihmojë rajonin në tejkalimin e pasojave të luftës në Kosovë, si dhe afrimin e saj dhe të rajonit me Evropën.[16]
Integrimi në Bashkimin Evropian është një qëllim thelbësor për Kosovën pavarësisht shpejtësisë dhe vështirësive të cilat mund të hasen gjatë këtij procesi. Infrastruktura institucionale dhe ligjore e Kosovës duhet të zhvillohet në atë mënyrë që më së miri ti shërbej këtij qëllimi. Integrimi i Kosovës në BE konsiderohet të jetë nxitësi kryesor për reforma ligjore, transformimin e përgjithshëm social dhe në mënyrë të konsiderueshme për zhvillimin ekonomik. Sa më tepër ndodh afrimi me BE-në, kjo qasje vetëm sa do të përforcohet. Prandaj edhe nevoja për të adaptuar politika përkatëse të cilat do ta intensifikojnë procesin bëhet prioritet që duhet adresuar. Problemet të cilat duket se po e vështirësojnë procesin e afrimit të Kosovës me BE-në, janë: mungesa e kapaciteteve të duhura institucionale, mungesa e burimeve njerëzore, dhe mungesa e koordinimit të duhur ndër-qeveritar. Këto probleme konsiderohen se mund të adresohen brenda një periudhe afatshkurtër dhe për shkak se kostoja për implementimin e tyre është e përballueshme. Vetëm një zgjidhje e suksesshme e këtyre problemeve do të mundësonte adresimin e problemeve me karakter afatgjatë të cilat kanë të bëjnë më planifikimin strategjik, shkollimin dhe trajnimin e personelit profesional i cili do të punoj në procesin e integrimit në BE.[17]
MARRËDHËNIET POLITIKE TË BASHKIMIT EVROPIAN ME KOSOVËN
Bashkimi Evropian ka luajtur një rol udhëheqës në përpjekjet ndërkombëtare për të ndërtuar një të ardhme të re për Kosovën që nga viti 1999. Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane si pjesë e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë luan një rol kyç në zbatimin e agjendës së BE-së në territor, veçanërisht në promovimin e normave evropiane. Zyra siguron dialog të përhershëm politik dhe teknik ndërmjet Kosovës dhe institucioneve të BE-së.
BE-ja është gjithashtu aktive në Kosovë përmes Përfaqësuesit të saj Special (EUSR), i cili ofron këshilla dhe mbështetje për Qeverinë e Kosovës, koordinon praninë e BE-së dhe promovon të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
Gjithashtu, misioni i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ofron mbështetje për institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, multietnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.
Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës më 1 prill 2016, korniza e dialogut zhvillohet brenda kornizës së MSA-së, në nënkomisione.
Bashkimi Evropian si shtetet anëtare ashtu edhe institucionet e tij, veçanërisht Komisioni Evropian – luajtën dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. BE-ja është deri tani donatori i vetëm më i madh që ofron ndihmë për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa ndihma e BE-së fillimisht u fokusua në veprimet e ndihmës emergjente dhe rindërtimin, ajo tani përqendrohet në promovimin e institucioneve të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.[18]
DIPLOMACIA E BASHKIMIT EVROPIAN NË SHQIPËRI
Sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE janë të ndryshme dhe jo dornosdoshmërisht kanë të bëjnë vetëm me përparimin e vendit në konsolidimin e demokracisë, sundimin e Iigjit dhe të ekonomisë së tregut.[19]
Shqipëria ka pika të forta të rëndësishme mbi të cilat duhet të mbështetet më shumë për të ecur përpara. Është një vend i ri, dinamik, ku ka harmoni fetare që mund të shërbejë edhe si shembull për vendet e tjera. Pozicioni i saj gjeostrategjik dhe roli i saj i rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal i konfirmuar edhe nga BE-ja duhet t’i mundësojë Shqipërisë të ecë përpara në rrugën e saj drejt integrimit. Politika e kushtëzimit e ndjekur nga BE-ja ka ndikuar shumë dhe vazhdon të ndikojë në demokratizimi i vendit që filloi pas rënies së komunizmit.[20]
Integrimit në institucionet euro·atlantike është një proces tërheqës edhe pse i vështirë. Tërheqës, sepse procesi i integrimit nxit shpirtin e ekipit, ndërsa rrit rolin dhe statusin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. I vështirë, sepse ndarja e vlerave të përbashkëta është një proces që duhet mësuar. Procesi i integrimit inkurajon solidaritetin në mënyrë të tillë që larmia të projektohet si një pasurim i sistemit të vlerave të përbasbkëta të komunitetit. Për më tepër, integrimi jep rezultate pozitive që pasqyrohen në treguesit ekonomik dhe social të zhvillimit të një vendi dhe margjinalizim të atyre që nuk janë në gjendje për të vazhduar me dinamikën e integrimit.[21]
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, bazuar në objektivin kombëtar të integrimit në BE, janë strategjike dhe prioritare të politikës së jashtme. Interesi parësor i Shqipërisë në raport me BE-në është anëtarësimi në BE në të ardhmen. Më 12 qershor 2006 u përmbyll procesi i negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, e cila u nënshkrua në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (GAC), në Luksemburg. Më 1 prill 2009 MSA-ja hyri në fuqi. Në po të njëjtin muaj, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në BE.[22]
Ndihma financiare e ofruar nga Bashkimi Evropian përbën shtyllën kryesore mbështetëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. BE është donatori më i madh në Republikën e Shqipërisë dhe mbështetja financiare e këtij blloku vendesh vazhdon të rritet nga viti në vit. Qëllimi i saj është mbështetja e Shqipërisë në procesin integrues të vendit, duke synuar forcimin e shtetit të së drejtës dhe stabilizimin demokratik, vendosjen e standardeve europiane si dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.[23]
Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE e ka transformuar vendin në disa drejtime: duke futur një reformë të thellë juridike dhe me përafrimin e plotë të politikës së saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe “bashkëpunimin rajonal”. . Në fakt, nën kujdesin e integrimit në BE, vendi po bën të gjitha përpjekjet për të realizuar një nga reformat më transformuese të ndërmarra në rajon, atë të sistemit të drejtësisë. Kjo i jep BE-së tiparet e një “fuqie reformuese”. Termi tregon BE-në si një forcë lëvizëse që i detyron vendet të ndërmarrin reforma të thella që nuk do t’i kishin realizuar ndryshe, nëse jo me kushtëzimin e integrimit në BE.[24]
Partneriteti me BE-në dhe Shtetet Anëtare do të përmirësohet më tej edhe për shkak të rritjes së kapaciteteve tona programuese dhe zbatuese. Qeveria e Shqipërisë vlerëson se interesat e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në vendet fqinje nuk ndryshojnë nga interesat evropiane. Mbi këtë bazë, ne do të inkurajojmë çdo iniciativë në vendet ku ata jetojnë që i konsiderojnë proceset integruese si të pandashme nga nevoja për forcimin e standardeve dhe institucioneve demokratike sipas modelit euroatlantik. Vlerësojmë se interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që jetojnë, bashkë me përfaqësuesit e tyre legjitimë, konvergojnë në përshpejtimin e standardit reformat e zhvillimit dhe integrimit evropian.[25]
DIPLOMACIA E BASHKIMIT EVROPIAN NË REPUBLIKË N E MAQEDONISË SË VERIUT
Procesi i integrimit evropian sot ka ndikim në të gjithë kontinentin dhe është një pjesë e botës që po ndryshon me shpejtësi dhe rrënjësisht dhe që ka nevojë për një formë të re stabiliteti. Integrimet evropiane do të vazhdojnë me vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE, si Republika e Maqedonisë, në aspektin e tregtisë, globalizimit, tregut të përbashkët, zhvillimit rajonal dhe social, rritjes dinamike ekonomike etj. Bashkimi Evropian ka shumë për të bërë përpara se të mund të thotë se flet me një zë dhe se është një aktor i besueshëm në skenën e politikës dhe diplomacisë globale.[26]
Anëtarësimi i plotë i Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE ka qenë një prioritet strategjik kyç që nga shpallja e pavarësisë në shtator 1991, kur lidershipi politik i atëhershëm shprehu një interes të qartë që Maqedonia të bëhet pjesë e BE-së, e cila më vonë u zyrtarizua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.[27]
Përballë sfidave, ndryshimeve dhe reformave të reja në rrugën drejt hyrjes në Bashkimin Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut po përballet edhe me sfidën e forcimit të kapaciteteve të administratës publike, që do të thotë pashmangshmërisht informimin e saj për vlerat dhe sistemet operative evropiane. por edhe informimin e publikut për risitë dhe ndryshimet që anëtarësimi sjell drejt së ardhmes.[28]
Vendi ishte i pari në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi një marrëveshje stabilizimi dhe shoqërimi (MSA) me BE, e cila hyri në fuqi në prill 2004. Komiteti i Përbashkët Parlamentar është themeluar në vitin 2004. Komisioni shqyrton të gjitha aspektet e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht zbatimin e MSA-së. Vendit iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE në dhjetor 2005. Qytetarëve të vendit iu lejua udhëtimi pa viza në zonën Shengen në dhjetor 2009. Në mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Pasi Këshilli miratoi Kornizën Negociuese, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, më 19 korrik 2022 BE-ja filloi fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Në dhjetor 2023, vendi përfundoi procesin e shqyrtimit.
BE-ja është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut, që përbën 77.5% të eksporteve të vendit dhe 51% të importeve të saj. Programet dhe iniciativat kryesore të BE-së për të mbështetur rritjen e bizneseve dhe ekonomisë më gjerë janë të hapura për kompanitë me bazë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Organizatat e shoqërisë civile mbështesin autoritetet e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e reformave strukturore në rrugën e anëtarësimit. Ata mobilizojnë qytetarët, shprehin shqetësimet e njerëzve, kanalizojnë energjinë e komuniteteve në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm. BE-ja dëgjon shoqërinë civile, punon me shoqërinë civile dhe mbron rolin e zgjeruar të organizatave të shoqërisë civile në dialogun e politikave të bazuar në sektorë të vendit. BE-ja gjithashtu ofron ndihmë financiare për projektet e shoqërisë civile përmes Instrumentit të Para-Aderimit (IPA). BE-ja themeloi Institucionin e Shoqërisë Civile në 2008 për të mbështetur zhvillimin e shoqërisë civile në Evropën Juglindore.[29]
Republika e Maqedonisë së Veriut ka gati dy dekada që dëgjon shpjegimet për refuzimin e anëtarësimit në BE, të cilat edhe pse të ndryshme, ende përmbajnë fjalë të ngjashme me; “jo gati” për anëtarësim në BE ose “shumë herët”. “Lodhja” e ndërsjellë e ka sjellë BE-në dhe Maqedoninë e Veriut, në një qorrsokak. Në përgjithësi, Evropa e “pasur” është e shqetësuar me të drejtë për implikimet e pranimit të anëtarëve të rinj, ekonomitë dhe politikat e të cilëve janë të pazhvilluara dhe kërkojnë dekada vëmendje dhe mbështetje. Megjithatë, pasiviteti ka edhe një çmim. Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së janë një sfidë serioze gjeostrategjike dhe mund të ketë aq pasoja sa edhe anëtarësimi i këtyre vendeve në BE, pavarësisht nga gatishmëria e tyre reale.[30]
PËRFUNDIME
Diplomacia e BE –së për rajonin e Ballkanit, mbështet një sistem gjeopolitik që kërkon të balancojë interesat kombëtare me një strukturë të bashkuar ekonomike, politike dhe shoqërore, e cila shtyhet nga liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe ideve. Ky koncept në përgjithësi, e në veçanti, për vendet ballkanike doli vetëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë. Megjithatë, realiteti evropian dhe ai ballkanik janë goxha të nndryshëm. Madje këtë pikëpamje mbi Ballkanin e minojnë akoma më shumë edhe dallimet midis anëtarëve të BE –së, e cila përkrah një strukturë të fuqishme evropiane të mbrojtjes, ndryshe nga ajo e NATO –s. Kjo pikëpamje për Ballkanin paraqet kërcënim numër një gjatë periudhës së ardhshme sa i takon stabilitetit dhe integrimit. Integrimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian ka një rrëndësi të jashtëzakonshme si për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian. Shtetet e Ballkanit Perëndimor për aq kohë sa vazhdojnë që të mbeten jashtë BE-së janë një sfidë serioze gjeostrategjike dhe mund të ketë aq pasoja sa edhe anëtarësimi i këtyre vendeve në BE, pavarësisht nga gatishmëria e tyre reale.
LITERATURA:
Ilche Dimovski, EU and the Republic of North Macedonia – relations and influence, after the renaming period, International Virtual Academic Conference Education and Social Sciences Business and Economics, International Academic Institute, Skopje, Republic of N. Macedonia, 2021, f, 21
Mergim Rrecaj, Roli i BE-së në shtet-ndërtimin e Kosovës, University for Business and Technology – UBT, Prishtinë, 2019, f, 1
Stephen Keukeleire, The European union as a diplomatic actor: internal, traditional, and structural diplomacy, Diplomacy&Statecraft, 2010, f, 31
Marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor – rekomandime të KESE-së, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian, Brussel, 2019, f, 1
Frank Hantke, Bashkëpunimi Rajonal si Forcë Shtytëse për Rritje Ekonomike dhe Stabilitet, Rezultate dhe Rekomandime të Konferencës Rajonale, Fondacioni “Friedrich Ebert”, Tiranë, 2014, f, 8
Fidan Mustafa, Gjeopolitika e Ballkanit – e ardhmja e shqiptarëve në rajon, Tiranë, 2022, f, 224
Bedrudin Briljavac, Europeanisation of Bosnia and Herzegovina : European Union ( non ) actorness, Marmara Journal of European Studies, No : 2, Volume 19, Turkey, 2011, f, 96
Bedrudin Briljavac, Europeanisation of Bosnia and Herzegovina : European Union ( non ) actorness, Marmara Journal of European Studies, No : 2, Volume 19, Turkey, 2011, f, 110
https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/enlargement-policy/bosnia-and-herzegovina_en
Kristin Archick, Vincent L. Morelli, European Union Enlargement, Congressional Research Service, Washington, DC, 2014, f, 1
Momčilo Radulović, Montenegro’s journey towards EU accession, European Union Institute for Security Studies (EUISS)&JSTOR, 2011, f, 80
https://www.gov.me/en/article/european-union
https://www.eeas.europa.eu/montenegro/european-union-and-montenegro_en?s=225
Jovan Bazić, Relations of Serbia and European Union : soci-historical determinants and the contemporary political issues, Politeja, No. 3(60), 2019, f, 320
Slobodan Samardžić, Evolution of the Relations between Serbia and the European Union, Poland, 2015, f, 142
https://www.eeas.europa.eu/serbia/european-union-and-serbia_en?s=227
Sylë Ukshini, Kosova në politikën e jashtme të BE –së 1991-2007, Logos-A, Shkup, 2008, f, 13
Bekim Çollaku, Kosova dhe kapacitetet e saja për integrim në BE Mos lejo që bari të rritet nën këmbë!, KIPRED (Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave), Prishtinë, 2006, f, 3
https://www.eeas.europa.eu/kosovo/eu-and-kosovo_en?s=321
Enika Abazi, Perspektivat dhe sfidat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Alban lan lnstltute for International Studles, Tirana, 2013, f, 3
Elda Nasho Ah-Pine, Albanian integration into the UE : security, Europeanization, democratization: which project for the democracy?, 6th ECPR General Conference, Aug 2011, Reykjavik, Iceland, f, 20
Enika Abazi, Perspektivat dhe sfidat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Alban lan lnstltute for International Studles, Tirana, 2013, f, 21
https://integrimi-ne-be.punetejashtme.gov.al/anetaresimi-ne-be/historiku/
https://integrimi-ne-be.punetejashtme.gov.al/mbeshtetja-e-be-se/historiku/
Klodiana Beshku, Orjana Mullisi, The European Union as a reformin power in the Western Balkans : the case of Albania, Institute for Research and European Studies – Bitola, 2018, f, 40
Darjel Sina, Arjan Vasjari, Albania’s Integration in EU, Mediterranean Journal of Social Sciences Published by MCSER-CEMAS-Sapienza University of Rome, Vol 4 No 6, 2013, f, 1
Makedonka Vilarova, Procesi i anëtarësimit në BE dhe përpjekjet e Republikës së Maqedonisë, Perspektivat Euro-Atlantike të Republikës së Maqedonisë : problemet, sifdat dhe realiteti politik pas deshtimit të samitit të NATO –s në Bukuresht, Universiteti i Evropës Juglindore Tetovë, Tetovë, 2009, f, 80
Ilche Dimovski, EU and the Republic of North Macedonia – relations and influence, after the renaming period, International Virtual Academic Conference Education and Social Sciences Business and Economics, International Academic Institute, Skopje, Republic of N. Macedonia, 2021, f, 21
Hava Mustafa, The impact of diplomatic communication and its role in the EU integration process (case study, Republic of North Macedonia), Internationale Journal of Albanology (Albanologjua), Number 19/20, 2023, f, 194
https://www.eeas.europa.eu/north-macedonia/european-union-and-north-macedonia_en?s=229
____________________________
Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë
ISSN: 3005-2777
____________________________