Nga Dr. Selim IBRAIMI
Në prag të shpërbërjes së BRSS-së, ish- ministri i Jashtëm i Gjermanisë Perëndimore Hans-Dietrich Genscher gjatë një fjalimi në Bavari, foli për bashkimin e Gjermanisë. Nuk voni shumë, ambasada e SHBA-së në Bon, sipas dokumenteve të deklasifikuara e të publikuara nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare të Universitetit “George Washington” (GWU), kishte informuar Uashingtonin zyrtarë se ministri Genscher e bëri të qartë “se ndryshimet në Evropën Lindore dhe procesi i bashkimit gjerman nuk duhet të çojnë në një ‘dëmtim të interesave të sigurisë sovjetike’”. Sot më shumë se tre dekada, çështjet duken ndryshe në Evropën Qendrore dhe në Ballkan. Lufta e Rusisë në 2014 dhe në 2022 në Ukrainë, e ka vënë Evropën dhe NATO-n para shumë dilemave.
“Ne duhet të parandalojmë një luftë tjetër të madhe në territorin e NATO-s dhe të ruajmë mënyrën tonë të jetesës”. “Por, kjo kërkon që të gjithë ne të jemi më të shpejtë”. “Është koha për të kaluar në një mentalitet të kohës së luftës bashkë me prodhimin dhe shpenzimet e mbrojtjes”-tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte. “Rusia po përgatitet për një konfrontim afatgjatë, me Ukrainën dhe me ne”, – tha më tej Rutte gjatë një fjalimi në Bruksel. Rutte njoftoi se aleanca nuk është e përgatitur për kërcënimet me të cilat do të përballet nga Rusia në vitet e ardhshme. “Ne nuk jemi gati për atë që do të vijë pas 4 deri në 5 vite,” spikati Rutte. Më tej Rutte ka nënvizuar se nëse aleatët e NATO-s nuk shpenzojnë më shumë së bashku tani për të parandaluar luftën, çmimi më vonë do të jetë shumë më i lartë. “Jo miliarda, por triliona euro”.
Në kontekst të shpenzimeve dhe të zgjerimit të aleancës në lindje, që në fakt solli një debat të madh gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Tramp, dhe aktualisht para se ai të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në janar të 2025-ës, paraprakisht janë zhvilluar ngjarje që sot paraqiten si ngarkesë e madhe për anëtarët NATO-s. Aty kah fundi i 1994-ës, zhvillohej debati rreth nevojës së zgjerimit apo jo të NATO-s me ish- anëtarë të bllokut komunist. Në atë kohë, nga dokumentet e publikuara nga (GWU), shihet se SHBA-të u zotuan se nuk do të pranojnë në gjirin e aleancës ish- anëtarë të Bllokut të Varshavës. Me zgjedhjen e presidentit Bill Klinton, e në veçanti gjatë mandatit të dytë, gjërat ndryshuan në favor të Perëndimit dhe në dëm të Rusisë. Atëherë, në Uashington dhe në Berlin, kalkulohej se një Rusi e shkatërruar ekonomikisht nuk do të jetë në gjendje të hyjë në një luftë të re me Perëndimin, andaj pse aleanca të mos zgjerohet me anëtarë të rinj.
Në vitin 1999 në muajin mars, tre shtete të ish- bllokut komunist u pranuan në NATO. Hungaria, Polonia dhe Çekia u bënë anëtaret e para të aleancës, që më vonë hapën derën për shtetet tjera të Baltikut, dhe të ish- hapësirës jugosllave. Kur tani lufta në Ukrainë nxori telashe të reja për evropianët dhe amerikanët, shpenzimet në mbrojtje duken të vështira me një hapje të debatit nëse anëtarësimi në NATO është i lehtë dhe pa obligime e përgjegjësi. Në këtë hamendje të qeverive në mes hapësirës së siguruar nga aleanca dhe SHBA-ja, disa shtete evropiane po mendojnë të bëjnë më shumë. Disa shtete jo zyrtarisht po mendojnë të dërgojnë një forcë ushtarake në Ukrainë për të testuar ujërat e reagimit rus.
Realisht është ide që mund të prishë shumë plane në këtë kohë kur në Uashington flitet për ndërprerjen e luftës në Ukrainë. Ndërsa në anën tjetër, Rusia dhe NATO po armatosen. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm në Bruksel Mark Rutte, “aleanca ndërton kapacitete për luftën e ardhshme dhe prodhimi duhet të ndryshojë për të kundërshtuar kërcënimet e ardhshme”. Ndërsa shtetet perëndimore dhe NATO përgatiten për luftën e ardhshme të mundshme, skenari për të vendosur personel ushtarak përpara çdo marrëveshjeje që mund të arrihet midis Ukrainës, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Rusisë, do të ishte një plan që lufta të mos përfundojë asnjëherë.
Që nga viti 1994 kur Ukraina u çarmatos nga armët bërthamore, debati i nisur dhe që po vazhdon në këtë kohë asnjëherë nuk sqaroi se ku qëndronte Perëndimi dhe NATO në këtë lojë të zgjerimit. Duke qenë në një ngarkesë kaq të madh në aspektin financiar, vendet e NATO-s tani duhet të shpenzojnë më shumë, sepse duhet të prodhojnë armë, për të mbrojtur territore më të mëdha në krahasim me ish- hapësirën e dikurshme territoriale, detare dhe ajrore e Luftës së Ftohtë. Garancia e ish -Sekretarit të Shtetit, James Baker, se “asnjë milimetër drejt lindjes” për zgjerimin e NATO-s, ishte pjesë garancish për sigurinë sovjetike. Por më vonë gjerat ndryshuan, NATO filloi zgjerimin, ndërsa Rusia filloi të bëhet më ashpër. Ndërsa sa i përket Ballkanit, vakumi i sigurisë është ende i pranishëm. NATO ka përmirësuar aftësitë e vendeve ballkanike anëtare të aleancës. Serbia ka vendosur të mbajë pozicionin e saj të “neutralitetit” edhe pse NATO është gati ta pranojë Beogradin. Bosnja për arsye të njohura nuk është në gjendje të anëtarësohet. Edhe Kosova për shkak të Rezolutës së OKB-së të vitit 1999 mban forca të NATO-s, po nuk është anëtare e aleancës. Shpenzimet në mbrojtje në këtë kohë do të konsiderohen si veprime strategjike për të parandaluar largimin e SHBA-ve nga NATO dhe mbajtur Rusinë dhe Kinën jashtë sferës demokratike evropiane.