Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Ky është kapitulli i parë i librit “LIRIA PA HERONJ – REPUBLIKA NË KTHETRAT E OLHOKRATËVE“, botuar nga ONUFRI, Tiranë, 2021
Libri është shkruar në rrethana të jashtëzakonshme – derisa isha peng i Hashim Thaçit dhe krerëve të SHIK-ut në Burgun e Lipjanit, në vitet 2018/19, ndërkaq i pregaditur për shtyp në pjesën e dytë të vitit 2020, sa isha në një lloj burgu shtëpiak [me detyrim paraqitje në Polici përplot 6 mauj!]. Sidoqoftë, nga ky pozicion kisha mundësitë ta shfrytëzoja bliotekën “Pjetër Bogdani” – literaturën që më kishte munguar në burg dhe ta zgjeroja e përpunoja materialin, duke e paisur këtë kapitull dhe librin në tërësi me referencat e duhura shkencore.
Po e risjell këtu me shkas, në shenjë homazhi për të rënët e Pranverës së 1981-ës, në vigjilje të 1 e 2 prillit, kur demonstratat kishin marrë kthesën e duhur, duke e vënë në epiqendër të kërkesave politike atë për Republikën e Kosovës.
Hyrje
Kjo ese politike është produkt i përqasjes me karakter e qëllim studimor multidisiplinor, i mbrujtur dhe i shtjelluar në vetvete për vite të tëra, dhe që përthekon një pjesë të ideve të mia mbi fenomenet shoqërore të jashtëzakonshme, siç ishin demonstratat e pranverës së 1981-it. Në këtë vigjilje jubilare, në dyzetvjetorin e demonstratave, kjo ese vjen edhe si konkluzion i mendimit tim politik, me mundësi reale që të cilësohet si provokim i llojit të vet, por që ka për objektiv nxitjen e debatit shkencor të munguar.
Gjatë studimit të kësaj epoke do të ishte e rrugës që, tok me rrethanat dhe shkaqet reale, që ndikuan në shpërthimin e revolucionit të vonuar antikolonial (1981-1989), një vend i rëndësishëm t’u kushtohet idealeve që përqafoi rinia jonë studentore e atij brezi dhe vlerave politike, siç është nacionalizmi progresiv, drejtësia sociale etj., që u dëshmuan më pas si bartëse e idealeve për ndërtimin e shtetit modern.
Historianët, sigurisht, ndoshta me të drejtë, do të vazhdojnë të insistojnë, që në shërbim të kërkimit të së vërtetës historike, të bazohen përgjithësisht në të dhënat arkivore, në dokumente, në të dhëna faktike e të provueshme.
Politologët, antropologët, sociologët…, ndërkaq, do t’i inkurajoja t’i kushtojnë vëmendje të veçantë, mbi të gjitha, ideve dhe qasjeve socio-kulturore.
Bota perëndimore, para së gjithash gjermanët, pas viteve ’70-të të shek. XX, filloi të përballet me të vërtetën e hidhur të gjenocidit të paramenduar ndaj hebrenjve, që gabimisht do të hyjë në histori si nocion që njihet gjerësisht si Holokaust, megjithëse si i tillë do të zëvendësohet edhe zyrtarisht më 12 prill 1951 nga shteti i Izraelit me termin “Shoah”, që në disa gjuhë përkthehet me fjalën “katastrofë”.1
Kjo përballje nuk do të bazohet vetëm në të dhënat historike, muzeale, por edhe ato të shpërfaqura në vepra arti: në letërsi, film dhe, së fundmi, edhe përmes përqasjes ndaj idealeve të grupeve e shtresave të tëra, të mbi gjashtë milionë hebrenjve që i janë nënshtruar gjenocidit (Shoah-s), atij makthi çnjerëzor që ndodhi në kampet naziste. Për rrjedhojë, perceptimi i këtij realiteti është më i prekshëm, ndërkaq, e vërteta e shpjeguar në rrafshin kulturor është një përvojë e re pozitive.
Ndryshimi që ndodhi në botën e idealeve, p.sh., të dy brezave: atij të Republikës (1981) dhe brezit që po e sendërton atë (Republikën), ka nevojë për përqasje specifike ndërdisiplinore, që do të hidhte dritë mbi disa fenomene shoqërore që përjetuan këta breza. Vlerat kulturore që ka populli ynë, siç do të theksonte Moor-i, nuk kanë rënë nga qielli për të ndikuar ecurinë e historisë së kombit shqiptar.
Nëse venerojmë2 këtë rrjedhë, klasa politike në Kosovën e viteve 1981-1989, që shënjojnë vitet e degradimit të autonomisë, do të mund të dalim në përfundimin se ka dështuar plotësisht. Ky dështim nuk gjen dot ngushëllim te faktet historike, duke u arsyetuar se kështu na qenkan sjellë vasalët gjatë gjithë historisë sonë nën okupim, sado i kamufluar të ketë qenë ai. Edhe më keq e me pasoja për moralin politik do të ishte më tej qëndrimi tepër oportun, duke e cilësuar “të paqenë” vasalitetin e fshehur të elitës drejtuese të LDK-së gjatë dekadës kur në Kosovë Serbia aplikoi apartheidin. Këtë sjellje antihistorike nuk mund ta shpjegojmë dot, e as ta arsyetojmë, duke i mbajtur në sirtarë e arkiva faktet që flasin se gjatë dekadës së fundit të shek. XX e që dëshmojnë kolaborimin e politikanëve legalë të veçantë, madje në koordinim me ushtarakë serbë, në dobi të agjendës politike të Beogradit etj.
Prirjet e shkencës sonë gjatë këtyre katër dekadave, e sidomos të periudhës pas çlirimit (1999), për ta justifikuar ose lënë në heshtje sjelljen aktive të kolaboratorëve, marionetave dhe sabotatorëve jo të paktë, por edhe më keq, të atyre që morën pjesë aktivisht në përndjekjen, burgosjen dhe vrasjen e veprimtarëve politikë të ilegales, si Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia etj., janë të papranueshme dhe irrituese.
Ashtu siç do të duhej të ishin irrituese edhe deklaratat e politikanëve, që fshehin të vërtetën për qëllime të pastra konjukturale politike.
Një model i keq i këtij tipi deklaratash është edhe ky:
“Në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe i lavdisë, në saje të sakrificës së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982. Ndërkaq, sot e 35 vjet më parë, në një qëndresë heroike përballë aparatit policor serb e jugosllav, ranë trimërisht dy veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha…“3
Deklarata të kësaj natyre përgjithësuese janë në masë të ndjeshme shprehje e amnistisë së paligjshme të krimit e terrorit shtetëror. Ato nuk i falen as Presidentit të Republikës.
I gjithë aksioni për vrasjen e Rexhep Malës e Nuhi Berishës është organizuar nga Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme të Kosovës, dikaster në krye të të cilit ishte një shqipfolës, ashtu si atëbotë edhe në krye të Qeverisë. Këto deklarata janë tepër përgjithësuese dhe politikisht mund të cilësohen korrekte, meqë Policia e Kosovës atëherë ishte pjesë e Policisë së Serbisë, alias Jugosllavisë, por, sidoqoftë, Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk mund të amnistohen kaq lehtë. Ata nuk mund t’i lajnë dot duart kaq lehtë e shpejt, si Pont Pilati, për aksione të kësaj natyre, ku pothuajse 90% e pjesëmarrësve, madje edhe udhëheqësit e aksionit, ishin shqiptarë, pra zyrtarë të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës! Ata zyrtarë dhe policë, së paku, do të duhej të kërkonin falje publike dhe të shprehnin një lloj pendese.
Por, si të kërkojnë zyrtarët policorë e policët falje, kur janë tepër të rrallë ata udhëheqës politikë legalë, që do të shprehnin publikisht një lloj pendese?!4
Ne kemi nevojë të njohim vetveten, t’i kthehemi vetvetes. Ky kthim do të jetë i mundur vetëm me mirëkuptim të thellë, e duke u rikthyer te qenia jonë. Ky proces do të mund të bëhej edhe përmes kulturës sonë, kthimit te vlerat tona, duke pasur si objektiv ndërtimin e kryeveprës sonë politike – Republikës funksionale, gjithmonë në shërbim të bashkimit.
Shoqëria e hapur si koncept socio-politik dhe me dinjitet të pacenueshëm është boshti vertebral i së drejtës moderne, por që ndër shqiptarë ajo gjente zbatim edhe falë së drejtës zakonore, që i kishte dhënë, sidomos dinjitetit personal, vend të merituar. Bashkësia shqiptare që në nukleusin e saj (në bashkësi e më pas në fis), nuk ishte asnjëherë hermetikisht e mbyllur. Përkundrazi, ajo pranonte tjetrin, madje duke e njësuar me vetveten, duke e trajtuar si pjesë të “vëllazërisë”. Ndërkaq, “nderi e dinjiteti” i secilit ishte çështje që e garantonte e drejta jonë zakonore – ajo e drejtë tradicionale jona, lashtësia e aplikimit të së cilës zbret thellë në shekuj e vetë antikitetit. Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në esenë e tij “Eskili, ky humbës i madh”, vë në dukje se kjo e drejtë është pjesë e një kodi të lashtë ndërballkanik, shumë e ngjashme me të drejtën e vjetër greke nga koha e Homerit e deri në lulëzimin e Athinës.
Edhe më qartë zëri që ka të bëjë me “Nerin e dinjitetin”, është pasqyruar te Kanuni i Lekë Dukagjinit, që tashmë konsiderohet si burimi kryesor i së drejtës zakonore; ai përbën korpusin më të plotë e të ruajtur më mirë të së drejtës zakonore.
E drejta zakonore shqiptare ngrihej mbi disa parime themelore, që përbënin shtyllat e përhershme të saj, si barazia e njerëzve nga gjaku, nderi vetjak, mikpritja dhe besa.
1. Barazia e njerëzve nga gjaku – është shprehje e demokracisë primitive dhe njëkohësisht dëshmi e lashtësisë së kanuneve shqiptare. Sipas këtij parimi: “Në kanu të maleve gjithsa djelm të lejnë, njehen të mirë e nuk veçohen prej njani-tjetrit. Shpirt për shpirt, se dukën e falë Zoti”.
2. Nderi vetjak – në shoqërinë ku vepronin normat kanunore, nderi dhe dinjiteti i njeriut ishin ndër vlerat më të larta shoqërore. Për formimin e një mendësie të tillë kishin ndikuar vetë kushtet e jetesës, bota e vogël ku njerëzit e njihnin njeri-tjetrin, ndjenja e theksuar e pavarësisë, e krenarisë dhe e individualitetit. Për këto arsye KLD-ja theksonte: “Ai të cilit i muer ndera xehet i dekun kah kanuja”. 5
Neni 121 i KLD-së potencon barazinë e njerëzve në kanu:
“Në kanu të maleve gjthësa djelmë të lejnë, njehen të mirë e nuk veçohen njani prej tjetrit. “Shpirt për shpirt, se duken e falë Zoti”6.
Gjakimi për një jetë të dinjitetshme dhe me nder, që dikur ndër qytetet tona mesjetare, e sidomos në bashkësitë e lira të maleve tona e gëzonte jo vetëm ajka e aristokracisë, por secili pjesëtar i vëllazërisë, ndërkohë është përpunuar në të drejtën moderne, edhe në kushtetutën tonë, si nevojë imanente e garantuar, meqë shtetasi i Republikës, qytetari ynë, trajtohet si qenie cilësisht sipërore.
Qytetari shqiptar në Kosovën e pushtuar ndër vite do të detyrohet të bëjë edhe punë të rënda, të shkojë në Beograd e të kryejë punën e druvarit, sharrëtarit, qymyrxhiut, hamallit e gjithçka tjetër (sidomos në vitet 1950-1970), por ai nuk lejonte askënd ta shkelte në nderin dhe dinjitetin e tij.
Ndryshimet kushtetuese (1974) gjakimin për një jetë më të dinjitetshme të shqiptarit po e bënin disi të prekshëm, ligjërisht të garantuar, por ende nuk e shndërronin në realitet të mirëfilltë në rrafshin politik.
Në kushtetutat moderne gjithandej në Europën e viteve ’80-të dhe ’90-të, dinjiteti i qytetarit po fillonte të garantohej jo vetëm në rrafshin ligjor, por edhe në atë social. Shteti i mirëqenies e shndërronte qytetarin në qenie sipërore, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Dinjiteti i tij duhet të garantohet dhe të jetë i pacenueshëm në punën dhe jetën e përditshme.
Brezi i ri, ai që do të hyjë në histori me emrin “Brezi i Republikës” (1981), këtë frymë të shtetit të mirëqenies ekonomike e sociale ëndërronte e angazhohej politikisht që ta përvetësonte dhe ta aplikonte edhe në hapësirën shqiptare.
Nuk është e rastësishme, që në shumicën e bashkësive shqiptare janë ruajtur brez pas brezi vlerat cilësore që prodhon jeta e dinjitetshme dhe fryma e solidaritetit, duke mos e përjashtuar në këtë kuadër edhe përmasën socio-estetike të jetës. Prindërit mund të jenë analfabetë, por dëshira dhe këmbëngulja e tyre për t’i arsimuar fëmijët, ajo ndjesi e iluminizmit autentik, e ka burimin pikërisht te kulti për Dijen dhe Dinjitetin. Lidhja e qytetarëve të Prishtinës me kauzën e studentëve ngjitet në përmasat e revolucionit më 1 e 2 prill 1981. Ndërkaq, kërkimi i rrugëve nga prindër-qytetarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për t’i regjistruar e arsimuar fëmijët edhe në universitetet më prestigjioze në botën perëndimore sot, qoftë edhe me çmimin kapital të shitjes së shtëpive të tyre, është në përputhje me vetëdijesimin sipëror për rolin e dijes në shoqërinë moderne. Për këtë, gjykimi për të vërtetën historike fiton peshë jo vetëm në rrafshin shkencor, por edhe në atë praktik, në jetën e përditshme, në funksion të formimit e maturimit si qytetar.
Bashkekzistenca e konceptit sipëror mbi vlerat dhe të vërtetën historike, ndërkohë pret të përballet me të vërtetën plebiane (i imponuar në masë të madhe nga ai i Zadrugës sllave, jo rrallë edhe i ambalazhuar me petkun e vulën e Akademisë! Në këtë rol absurdi socio-politik, ne shohim herë-herë se si djali a vajza e një ish-veprimtari politik të Ilegales, ish-të burgosuri politik e, madje, edhe e dëshmorit, i shkon prapa si manar, një ish-funksionari të lartë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (për Kosovën), tashmë i konvertuar në demokrat, apo një marionete politike të shërbimeve të huaja, që gjatë luftës së UÇK-së ia kishte dalë të katapultohet në piramidën drejtuese të UÇK-së! Ndërkaq, si qershia mbi tortë, në këtë garë absurditetesh e fenomenesh shoqërore ndër ne, na vjen e ashtuquajtura gardë e “komandantëve” të UÇK-së e “drejtuesish politikë” të saj, që u transferuan në kapitalistë e, ndërkohë, në fashistë modernë, që mbrohen nga ish-ushtarët e thjeshtë, që i përngjajnë aq shumë fshatarit rrondokop, Sanço Panços, atij dëshmorit besnik të Don Kishotit te romani “Don Kishoti i Mançës” të Servantesit, që me të drejtë nga studiuesit është cilësuar si “roman i ndërgjegjes”.
Mundësinë për vendosjen në vend të dinjitetit dhe rishkrimin e historisë në përmasat e saj reale, bazuar në metodologji të rreptë shkencore, na e kanë hapur pikërisht demonstratat e vitit 1981. Ato ishin gurthemeli i kryeveprës politike të ilegales, që do të kurorëzohej me themelimin e UÇK-së.
Ato vendime tashmë janë pjesë e historisë.
Vendimin për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka marrë Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore të Kosovës, më 27 korrik 1993, mbajtur në Prishtinë.
Kryesia e LPK-së, në mbledhjen e saj më 17 nëntor 1994, vendosi t’i emërtoj grupet guerile nën një emërtim të përbashkët: Ushtria Çlirimtare e Kosovës.7
Krijimi i Republikës së dytë shqiptare, që ishte de fakto një kompromis politik me aleatët tanë, i hapi rrugën kombit për rikthim të dinjitetshëm në familjen politike e kulturore europiane, aty ku ishim shkëputur aksidentalisht pas vdekjes së Gjergjit.
Këtë kthesë të madhe që i imponuam historisë, na e kanë mundësuar pikërisht demonstratat e vitit 1981. Prandaj ato shënojnë epokë. Ishin demonstratat e pranverës së vitit 1981, ato që e formësuan idenë për Republikën si gjakim tonin kolektiv për liri. Në sheshin kryesor të Prishtinës, më 1 e 2 prill 1981, Republika si Ide kishte nisur të hidhte shtat, duke u shndërruar në ide politike e pranueshme në rrafshin kombëtar.
Kriptoelita dhe demonstratat e 1981-it
Për të hedhur dritë mbi shkaqet që ndikuan në shpërthimin e Luftës Civile në SHBA (1860-1862) historianët nuk ngurrojnë t’i kthehen asaj epoke. Dhe, pavarësisht pozicionimit të tyre dhe rreshtimit prapa njërës prej tri tezave tashmë të ngritura për këtë luftë, që të gjithë, me gjasë, pajtohen se ajo, pra Lufta Civile në historinë amerikane, “quhet zakonisht vija që ndau në mënyrë të dhunshme epokën agrare nga ajo industriale”8.
Pse kemi nevojë sot dhe më tej, që t’i kthehemi herë pas here vitit 1981, demonstratave për Republikë, por edhe degradimit politik që pësoi Kosova e dy dekadave të fundit të shek. XX?
Nëse kjo ndodh fare pak ose krejt shkarazi në të ardhmen e afërt, jam i prirë të besoj se studiuesit do t’i rikthehen asaj epoke me seriozitetin shkencor që meriton. Historiografia jonë, mendimi ynë politik gjatë dy dekadave të fundit të shek. XX (të parës në vitet 1981-1989 dhe asaj që do ta cilësoj si dekada e apartheidit serb në Kosovë – 1989-1999), duhet t’ia heqë vellon e misticizmit trajtimit folklorik e tejet amator, duke ua nënshtruar metodave të hulumtimit e studimit të thellë shkencor.
Tezat e parashtruara nga Ukshin Hoti, Arbën Xhaferi, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi etj., nuk janë pasuar më tej me studime multidisiplinare, me prezantimin e dokumenteve faktike relevante për shkencën dhe konkluzione përkatëse të qëndrueshme. Për këtë, jo rastësisht në përvjetorë jubilarë, nga qarqet nostalgjike titiste publikohen e ripublikohen teza mbi gjoja qëndrimin e KGB-së dhe UDB-së prapa demonstratave të pranverës së vitit 1981. Në gati çdo përvjetor ata ripublikojnë me djallëzi edhe deklarata e intervista të ish-bashkëpunëtorëve të UDB-së të penetruar në lëvizjen ilegale9.
Demonstratat e vitit 1981 dëshmuan se e ashtuquajtura elitë politike autonomiste (institucionale) e Kosovës, edhe nëse kishte pasur çaste (një pjesë e saj), kur ishte zë i interesit nacional (gjatë periudhës kur po bëhej diskutimi publik për kushtetutën në prag të demonstratave të vitit 1968), shpejt ishte zmbrapsur dhe ishte shndërruar në klasë vasale, marionetë e heshtur e Beogradit, duke u shërbyer pa zë interesave kolonialë serbë.
Demonstratave të vitit 1968, ndërkohë, u kishin paraprirë një varg aksionesh të organizatave që kriptoelita jonë kishte krijuar. Le të kujtojmë disa sosh, që patën jetë e ndikim më të gjatë:
1. Në vitin 1958, Metush Krasniqi themeloi organizatën “Partia revolucionare për bashkimin e tokave shqiptare me shtetin amë”.
2. Në vitin 1960, Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha themeluan organizatën “Komiteti revolucionar për bashkimin e trojeve shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë”.
3. Më pas, në qershor 1963, Adem Demaçi, Skender Kastrati dhe veprimtarë të tjerë nga të gjitha anët e Kosovës themeluan organizatën ilegale “Lëvizja Revolucionare për bashkimin e shqiptarëve”.
Në programet e të gjitha këtyre organizatave potencohet karakteri i tyre revolucionar dhe idetë për bashkim kombëtar.
Në dallim nga organizimi dhe mbrojtja e kauzës së demonstratave të 1968, që pati njëlloj pikëtakimi edhe me të ashtuquajturën elitë institucionaliste, ato të vitit 1981 në vend që ta përafronin këtë elitë me kriptoelitën tonë si organizatore e demonstratave, e thelluan ndarjen edhe më keq se ishte!
Në vitin 1968 pati një akordancë mes kriptoelitës dhe institucionalistëve për kërkesën e statusit të Republikës. Ishin organizatat ilegale, ato që organizuan demonstratat gjithëpopullore gjithandej ku jetonin shqiptarët, pra jo vetëm në Kosovë, por edhe në Tetovë, Preshevë, Ulqin etj. Si ndodhi ky përafrim? Studiuesit nuk kanë dhënë ende një përgjigje të duhur e bindëse. Por fakti se pati një lloj ujdie, nuk mohohet nga askush.
Në mbledhjen e mbajtur më 16 mars 1968, kryetari i Komisionit për Status të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë (ky ishte emri zyrtar atëbotë i Kosovës), politologu i njohur, profesor Gazmend Zajmi, kishte paraqitur tezën për vetëvendosje të brendshme dhe për njësi të veçantë federative të Kosovës. Kjo tezë do të sqarohej më pas në mbledhjen e këtij Komisioni më 28 prill të të njëjtit vit, kur nisi shqyrtimi lidhur me propozimet për statusin e Kosovës. (…) Më pas, institucionalistët më këmbëngulës, që në vitin 1968 kërkuan hapur krijimin e Republikës së Kosovës, ishin prokurori krahinor i Kosovës, Rrezak Shala, dhe kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Ramadan Vraniqi. Por, siç pohon në një studim të tij publicisti Qani Mehmeti, “ata që e frymëzuan në përmasa më të gjera çështjen e krijimit të Kosovës-Republikë, ishin intelektualët më të njohur të saj, si Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Fehmi Agani, Dervish Rozhaja, Bardhyl Çaushi, Hasan Mekuli e disa të tjerë, një numër i të cilëve atë kohë ishin edhe pjesë e strukturave legale qeverisëse apo partiake të Kosovës”.10
Për fat të keq, ky koordinim, qoftë edhe i heshtur, mes institucionalistëve dhe kriptoelitës, që ndodhi në prag të demonstratave të vitit 1968, nuk do të vazhdonte në prag të demonstratave të vitit 1981. Siç e dëshmoi koha, pasoja ishin edhe më të rënda për të dyja palët.
***
Serbia, ngjashëm me fuqitë e tjera koloniale të kohës mes dy luftërave botërore, me ta pushtuar Kosovën përmes dy portave, në Merdar dhe në Kumanovë, në tetor 1912 kishte startuar me procesin e ndërtimit të strukturës së re të pushtetit kolonial dhe rrjetit të vasalëve, që do t’i nënshtrohen plotësisht atij pushteti. Pasi instaloi pushtetin ushtarak e atë administrativ, Serbia e gjeti disi të gatshme këtë strukturë tek ajo shtresë që i kishte shërbyer me shekuj Perandorisë Osmane dhe nuk kishte marrë rrugën drejt Anadollit tok me ushtrinë e administratën osmane. Këto struktura (feudale) ishin të lidhura fort me klerin, prandaj Beogradi, për të ndërtuar e aplikuar politikat e tij koloniale e shkombëtarizuese njëkohësisht, i mbylli edhe ato pak shkolla laike që ishin, ndonjë sosh edhe në gjuhën shqipe, e vazhdoi të hapë xhami, duke kulmuar në këtë politikë antishqiptare me hapjen e Medresesë së Madhe në Shkup, që, si për ironi, do ta pagëzonte me emrin e “Mbretit Aleksandër” (1924), disi ngjashëm me atë të Sulltan Hamitit në Prishtinë, që mban po atë emër edhe sot e kësaj dite! Ndërkaq, personelin drejtues dhe numrin më të madhe të ligjëruesve për këtë medrese do ta sjellë nga Bosnja, që de fakto ishin oficerë të lartë të Shërbimit Sekret Serb.11
Kriptoelita ekzistuese e kohës e kishte të njohur këtë strategji serbe, prandaj po punonte në hartimin e strategjisë për kundërveprim afatgjatë në kohë “paqeje të imponueshme”, duke mos përjashtuar asnjë çast organizimin e kryengritjes antikoloniale.
Demonstratat e vitit 1981 dëshmuan se, ndërkohë, kriptoelita shqiptare tashmë ishte e aftë të hidhej në veprim dhe tash e tutje ajo do të ishte mbartësja e luftës për liri. Qëndrimi i prerë i kriptoelitës ishte se Kosova nuk do të duhej dhe nuk do të lejohej që tash e tutje të trajtohej si “pjesë e Botës së Tretë”: koloni e Serbisë.
***
Nocioni i “Botës së Tretë” ishte afishuar për herë të parë në Francë në vitet ’50-të të shek. XX, ndërkaq në vitet ’70-të do të gjente aplikim të gjerë në jetën publike-politike në nivel europian. Nocioni “Bota e Tretë”, tok me kontekstin kohor kur po aplikohej, nuk ishte i natyrës shkencore e analitike, por thjesht kishte të bënte me atë politiko-ideologjike. Kjo ndarje i segmentarizonte sistemet shtetërore ekzistuese në tri grupe, duke marrë në konsideratë zhvillimin e tyre socio-ekonomik, bazën ideologjike të sistemit të tyre shoqëror-politik, si dhe strukturën organizative e ndërveprimin politik të institucioneve.
Në Botën e Parë, konform këtij koncepti, hynin vendet e Perëndimit: Amerika Perëndimore, Europa Perëndimore, Japonia dhe Australia (bota e OECD-së). Ato shquheshin për shkallën e lartë të zhvillimit industrial dhe atij të shërbimeve, për sistemet funksionale të sigurisë dhe mirëqenies sociale në shkallë të gjerë.
Bazat e tyre ideologjike ishin vlerat e liberalizmit demokratik, ndërsa në rrafshin ekonomik vlerat që garantonin zhvillimin dhe prosperimin e ekonomisë së tregut, respektivisht të kapitalizmit të bazuar rregullativ me përkufizime të ndërhyrjes së shtetit.
Përballë botës perëndimore ishte e ashtuquajtura “Botë e Dytë”, që nuk cilësohet dot as bllok politik unik, por as edhe si një hapësirë unike ekonomike jokapitaliste, brenda së cilës përfshiheshin shtetet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore, bashkë me BRSS-në.
Të gjitha këto vende shquheshin për strukturën e theksuar të zhvillimit agrar e industrial, por me nivel të ulët konsumi. Në rrafshin ekonomik dhe atë shoqëror, këto shtete ishin të organizuara mbi bazat e socializmit dhe monopolit shtetëror. Ndërkaq, si të ashtuquajtura “demokraci popullore” të kësaj hapësire, interesat e shtetit dhe të “klasës punëtore” i përfaqësonin partitë komuniste.
Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) bënte pjesë formalisht në këtë grupim shtetesh, ndërsa realisht në kohë (fill pas LDB-së më 1948), ishte shndërruar në një laborator eksperimental për testimin e fenomeneve shoqërore dhe në një instrument të suksesshëm në Luftën e Ftohtë të Perëndimit ndaj Lindjes.
Në “Botën e Tretë” hynin vendet në zhvillim të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine dhe Oqeanisë. Ekonomia e tyre karakterizohej nga ngecje të theksuara, pabarazi të thella sektoriale e prodhim të ulët deri në mjerim social.
Në rrafshin ideologjik, këto vende ishin një miks i theksuar mes ideve tradicionale karakteristike për shoqëritë rurale dhe atyre moderne me nota të demokracive autoritare, me rend të theksuar politik, që kishte elemente të despotizmit, ekonomisë hibride dhe shtetit/parti (njëpartiak).
Kosova e periudhës para pranverës 1981, de fakto ishte “Botë e Tretë” brenda Federatës Jugosllave.
Përfaqësuesi më tipik i “Botës së Tretë” në të gjithë Lëvizjen Antikoloniale të viteve ’50-të e ’60-të të shek. XX do të bëhej shkrimtari e filozofi afro-amerikan, Franc Fanoni, autori i librit shumë të popullarizuar të kohës, me titull sinjifikativ “Të mallkuarit e botës” (i botuar edhe në shqip në vitin 1984).
Kjo ishte epoka, kur në diskursin politik e shkencor bënte jetë aktive teza mbi përgjegjësinë morale dhe mbi fajin që kishin fuqitë koloniale për prapambetjen ekonomike të Botës së Tretë (shih: Galtung, 1972; Brock, 1992).
Gjithashtu, kjo epokë shënon shkallën e lartë të shtrirjes së valës së tretë demokratizuese në rrafshin global, që filloi në agsholin e dekadës së shtatë, kur ranë diktaturat ushtarake në jugun e Europës (Greqi, Spanjë e Portugali) e shtrihet deri më tej, duke arritur kulmin pas rënies së Murit të Berlinit, kur po shkërmoqeshin të ashtuquajturat shoqëri të “demokracive popullore” në Europën Qendrore, Lindore e Juglindore.
Në këtë periudhë, kriptoelita jonë, përmes shtypit klandestin (Zëri i Kosovës, Liria, Lajmëtari i lirisë, Bashkimi…) ishte bërë pjesë e këtij diskursi politik.
Edhe diskutimet publike për statusin e Kosovës që po bëheshin gjithandej në Kosovë nëpër kuvendet e komunave, në prag të miratimit të kushtetutës së vitit 1974, ishin të ndikuara nga ky diskurs politik i krijuar tashmë në nivel europian.
Të gjithë indikatorët bazë për vlerësimin e nivelit të jetës në Kosovën e periudhës 1912-1981 japin pasqyrën e një vendi tipik kolonial.
Një pasqyrë reale e indikatorëve realë ekonomikë, që do të ishte produkt i komponentëve bazë, dëshmon qartë pozitën koloniale që kishte Kosova. Të dhënat në këto fusha, që po i bënte publike kriptoelita jonë në shtypin ilegal (sidomos te Liria, Bashkimi dhe Lajmëtari i Lirisë), gjithsesi ishin domethënëse për pozitën koloniale ku po e mbante RSFJ-ja krahinën e Kosovës.
Të dhënat statistikore zyrtare për indikatorët dhe komponentët specifikë për periudhën 1971-1981, në rastin konkret, shkojnë në favor të tezës së mbrojtur me forcë nga kriptoelita jonë, se janë pikërisht faktorët e brendshëm ekonomikë e politikë, pozita koloniale ku e ka katandisur Beogradi Kosovën.
Tabela e mëposhtme (nr. 1) pasqyron ndeshtrashat12 me efekte afatgjata veprimi.
Humanitare/sociale e politike | Ekonomike | Ekologjike |
Uri, popullsi me ushqim jocilësor | Kapacitete të vogla | Të natyrshme, si: klima, mungesa e ujërave (ujësjellësve) |
Varfëri absolute | Aftësi të kufizuara konkurrimi | Ndarja e ambientit e kushtëzuar nga varfëria |
Arsim të dobët/ Rikualifikim | Deficite në rikualifikim dhe dije teknologjike | Shkatërrimi i ambientit përmes industrisë dhe shfrytëzimit kolonial të lëndëve të para |
Përkujdesje shëndetësore e dobët | Mungesë kapitali; borxhe | Emetimi i gazrave, erozioni |
Në fushën e lirisë e të të drejtave të njeriut. Participimet | Në strukturimin e tregtisë së jashtme | Mbipopullimi Dendësia e popullsisë |
Papunësia | Papunësi | Mbipopullimi i qyteteve; zbrazja e fshatrave |
Emigrimi | Ekzogjene: varësi për pasoja të shfrytëzimit të theksuar kolonial; ndarje jo e drejtë e punës dhe e shkëmbimit | Shfrytëzimi i egër i resurseve natyrore |
Tabela nr. 1 Ndeshtrashat (sfidat) e politikave koloniale
Pasojat e këtyre përballjeve me politikat koloniale të Beogradit, nëse analizojmë këto ndeshtrasha me të cilat u përball Kosova për dekada me radhë, reflektojnë edhe sot e kësaj dite, dy dekada pasi Kosova është çliruar.
Mashtrimi logjik i kolaboratorëve
Një grup kolaboratorësh, për fat të keq aktivë në skenën politike e publike edhe sot e kësaj dite, vazhdimisht, në përballje me demonstratat e 1981-it, në komunikimin e tyre publik, qoftë në memoaristikë, qoftë në media vizive a të shkruara, shprehje të opinioneve me rastin e përvjetorëve, kanë aplikuar dhe po aplikojnë të ashtuquajturin “Post Hoc Ergo Proter Hoc” (Mashtrim logjik), duke e drejtuar gishtin për gjendjen e mjerë të Kosovës për vite të tëra drejt irridentës. Ata shkruajnë e broçkullisin pa ndërprerë edhe para kamerave, edhe për përgjegjësinë që na paska irridenta për degradimin e asaj gjysmautonomie që na e “paska garantuar” kushtetuta e vitit 1974!
Ky grupim iluzionistësh e mashtruesish (vetëmashtruesish) nuk marrin fare në konsideratë premisën se Kosova ishte e pushtuar dhe, rrjedhimisht, mbahej e robëruar, në kundërshtim me vullnetin politik të popullit shqiptar. Kjo klasë iluzionistësh e vetëmashtruesish jo rrallë si epokë pushtimi a robërimi, në diskursin publik cilësojnë vetëm dekadën e apartheidit (1989-1999)! Ata “edhe sot mendojnë se luani nuk do të zgjohej, po të mos ngacmohej”, duke shpërfaqur edhe më qartë mashtrimin logjik që kishin e vazhdojnë ta ushqejnë edhe sot e kësaj dite.
Parimi mbi të cilin ndërtohet mashtrimi logjik ka të bëjë me pohimin se, përderisa ngjarja Y pasoi ngjarjen X, ngjarja Y mund të jetë shkaktuar nga ngjarja X.
Mashtrimi logjik, siç shihet, është produkt i konkluzioneve të bazuara në rrjedhën e ngjarjeve, pa marrë parasysh faktorët që mund të kenë çuar te kjo lidhje.
23 marsi i 1989-ës dhe suprimimi i autonomisë, qoftë edhe formale, nuk është rezultat i organizimit të demonstratave të 1981-it nga ana e irridentës, me ç’rast kërkesa qendrore ishte qëllim për avancimin e statusit të autonomisë në Republikës (realizimi i vetëvendosjes së brendshme), por meqë revolucioni antikolonial nuk ishte mbështetur nga autonomistët, klasa politike legale, e meqë ai kishte rrëshqitur nga binarët e tij, ishte mjaftuar me betejat, respektivisht pozicionimin për mbrojtjen e autonomisë! Në këtë betejë, siç dihet tashmë, qenë manipuluar edhe minatorët e Trepçës, që patën shprehur përkushtimin për vetëflijim në mbrojtje të Kosovës. Ndërkaq, demonstratat gjithëpopullore të marsit 1989, në vend që me kërkesa e tyre politike ta çonin revolucionin antikolonial të 1981-it një hap para, me ikonografinë jugosllave (flamuj jugosllavë e foto të satrapit Tito në ballë), e kthyen atë dy hapa mbrapa!
Në Angli, në Francë e kudo, rezultatet e revolucioneve dhe të përplasjeve shoqërore të shek. 18-të e 19-të dhe të Luftës Civile në SHBA ishin të natyrës politike. Të tilla rezultojnë të jenë edhe rezultatet e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, pavarësisht ngritjet e zbritjet, humbjet e fitoret gjatë gjithë betejave politike që pasuan për dy dekada radhas, meqë mbi atë bazament u ngrit UÇK-ja. Ndërkaq, do të jetë lufta e UÇK-së, ajo që do të imponojë rirreshtimin gjeopolitik të shoqërive shqiptare dhe fundin e eksperimenteve të mundshme me të ashtuquajtura “Republika autonome” të tipit rus.
Kamuflimi i pushtetit kolonial
Kosova edhe para pushtimit serb (1912), duke qenë nën okupimin osman, qe shndërruar në një tip citadelle e rendit të “Islamit hanefi”, ndërkaq pas vitit 1919, ajo përfundoi në një citadellë të Kishës Serbe. Si e tillë, për shtetin, për elitat e pushtetit dhe Kishës, në periudhën mes dy luftërave botërore ajo u shndërrua në një burim kolonial të jashtëzakonshëm, respektivisht në një lloj citadelle e oligokratëve agrarë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore edhe si burim i industrisë minerare. Shfrytëzimi i këtyre pasurive do të shërbente për Serbinë si burim kryesor i mbushjes së arkës së shtetit.
Nëse Irlanda në shek. XIX ishte shndërruar për Anglinë në “forcën e saj më të madhe morale”13, edhe Kosova e shek. XX ishte bërë e tillë për Serbinë. Nga ky këndvështrim, historia e kolonializmit serb (të Kosovës) na rezulton si ajo angleze në Azi, Afrikë, Amerikë e gjetkë; ashtu si historia e kolonializimit francez gjithandej në Afrikë e gjetkë etj., si histori politike dhe kaotike.
Në Kosovë, vitet pas Plenumit të Brioneve (1966), kur me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së do të eliminohet rryma radikale e prirë nga nënkryetari i Federatës Jugosllave, Aleksandar Rankoviqi, i njohur për antishqiptarizmin e tij, që po e çonte Jugosllavinë drejt rikthimit në sferën e plotë të interesit rus14, pason një periudhë diçka më e qetë, më liberale, që nga distanca kohore e sotme do të mund të cilësohej si epoka e pushtetit kolonial të kamufluar.
Nën presionin e frymës politike të antikolonializmit që kishte shpërthyer gjithandej në Europë e botë, ndryshimet kushtetuese të vitit 1974 dhe avancimi i autonomisë (nga ajo formale që ishte sipas kushtetutës së vitit 1963) edhe në përmbajtje, vërehet edhe në rrafshin ekonomik e kulturor. Kosova po hynte në një të ashtuquajtur dekadë të Revolucionit të vonuar Industrial, megjithëse tepër e kontrolluar nga lart.
Në këto vite të promovimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, lëvizjeve të mëdha e përmbysjeve të monarkive e me këtë, edhe të zgjerimit të hapësirës së lirisë, Kosova nuk mund të trajtohej më tej si koloni klasike. Jemi në epokën kur po merrte fund lufta antikoloniale, dhe shtete të reja po i bashkoheshin Bashkësisë së Kombeve të lira, ndërkaq, shoqëritë gjithandej po ecnin drejt emancipimit social dhe prosperimit demokratik. Në këto rrethana, Kosova nuk mbahej dot më si koloni klasike. Sidoqoftë, natyra e raporteve të pushtetit tashmë të kamufluar kolonial, që po ushtrohej më tej, pavarësisht ngritjes së shkallës së autonomisë, sidomos në rrafshin kulturor e atë arsimor (hapja e universitetit në këtë rrafsh ishte pika kulmore e kësaj autonomie kulturore), duhet të trajtohet e studiohet në nivele akademike, me të dhëna empirike e akribi të vërtetë shkencore.
Tabela nr. 2. Pozita koloniale e Kosovës sipas modelit të indikatorëve në nivelin jetësor
KOMPONENTI | INDIKATORËT |
Zhvillimi
Përkujdesi bazë personal | Shfrytëzimi i kalorive për banor Shfrytëzimi i sasisë së ujit për banor Shfrytëzimi i sasisë së energjisë për banor |
Puna | Shkalla e papunësisë Ndarja e përqindjes së të punësuarve sipas sektorëve Angazhimi i supozuar në sektorin formal |
Rezultatet ekonomike | BPS për banor, respektivisht të ardhurat për banor Zhvillimi ekonomik mesatar vjetor në 10 vitet e fundit Kuota e investimeve |
Pavarësia ekonomike | Eksporti dhe importi Pjesëmarrja e mineraleve në prodhimin e përgjithshëm Borxhi në raport me BPS-së |
Barazia / Drejtësia sociale | Ndarja e patundshmërive Të ardhurat, paga mesatare në shumën e përgjithshme të të ardhurave Barra e peshës së sigurimit social |
Arsimi / Pjesëmarrja | Shkalla e alfabetizmit / shkollimit Shkalla e diplomimit në raport me vitet më të suksesshme Angazhimi politik dhe sindikal |
Përkujdesja shëndetësore | Numri i mjekëve në raport me popullsinë Vdekshmëria e foshnjave Mosha mesatare (e pritshme) |
Komunikimi / Telefonia | Numri i lidhjeve telefonike (fikse) në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë Shkalla e realizimit të mendimit të lirë dhe lirisë së shtypit Qendrat e shitjes / Rrjeti hekurudhor shprehur në km |
Faktorët ekologjikë | Bilanci i emetimit Rezervuarët e ujit Ndryshimi i gjendjes së pyjeve në 10 vitet e fundit |
Për kriptoelitën, pasqyra negative e shprehur në të gjithë indikatorët e dhënë për nivelin jetësor, ekonomik etj., në tabelën nr. 2, ishin thjesht produkt i pozitës koloniale të Kosovës në Federatën Jugosllave. Prandaj kriptoelita jonë nuk heshti, por ishte e ndërgjegjshme për rolin që i takonte, ndaj u hodh në veprim. E tillë ishte ajo, përderisa organizoi dhe doli në krye të demonstratave të pranverës së vitit 1981, duke dhënë kështu secili shembull personal, por njëkohësisht duke sinjalizuar qartë, se revolucioni antikolonial që startoi, sado i vonuar që ishte, nuk kishte më kthim prapa. Historia dëshmoi se me demonstratat e vitit 1981, de fakto po fillonte epoka e re ndër shqiptarët jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha viset shqiptare nën ish-RSFJ.
***
Në Kinë, vite më parë ka funksionuar një shkollë filozofike, e cila vlerësonte si të nevojshëm aktin e “korrigjimit të emrave, nocioneve”. Ai qark filozofësh që promovuan atë tip shkolle filozofike kineze, mendohet se ishin të bindur që “Filozofia e urtësisë politike dhe shoqërore”, si e quanin ata atë shkollë, qëndronte në thelb tek intenca kur gjërat thirreshin me emrin e duhur15.
Ata që studiojnë historinë politike të Kosovës, ka ardhur koha që fenomenet politike, qoftë edhe ato të hidhura për ne, t’i emërojmë e cilësojmë saktësisht, me emrin real, “me emrin e duhur”, duke i vënë kështu, më në fund, pikat mbi “i”, gjithnjë në emër të mbrojtjes së hierarkisë së vlerave reale dhe të vetë historisë. Në këtë rast, si shoqëri, do të përballemi me përmbysje “realitetesh të etabluara” mbi kuazivlera; ca nga “heronjtë” tanë të shpallur nga politika jonë foshnjore dhe historiografia e ngatërruar keq me politikën, mund të na rezultojnë si marioneta apo edhe si kolaboratorë të pushtuesve tanë. Pastaj aktet individuale të ndonjërit, që ndërkohë është promovuar si heroizëm i llojit të vet, e deri te “beteja” e “epope” të cilësuara si akte rezistence e “beteja për çlirim” të na rezultojnë si veprime të natyrës anarkiste e tërësisht devijante nga kauza kombëtare, e jo rrallë edhe si produkt i manipulimit në dobi të agjendave politike të fqinjëve tanë sllovenë, sidomos të Serbisë…
Nuk do të duhej të shihej assesi si diçka e papritur, kur të mësojmë nga kujtimet e letërkëmbimi i personaliteteve të kësaj epoke, sidomos atëherë kur do të fillonte mundësia për shfrytëzimin e arkivave të shteteve ku ata kanë jetuar për një kohë të caktuar, që të na rezultojë e faktuar dilema se, së paku dy organizata ilegale të krijuara në vitet ’70-të të shek. XX, do të na rezultojnë si produkt i UDB-së, respektivisht i agjentëve të saj të katapultuar në krye të atyre organizatave, e që për një kohë të gjatë mbajnë të veshur petkun e veprimtarëve për Republikë!
Vetëm kur të studiohet veprimtaria e ilegales sonë, do të mund të vlerësohet si duhet dhe do të vijnë në vendin e vet meritor në panteonin e historisë organizata, si ato që udhëhiqeshin nga Metush Krasniqi, Ali Aliu, Adem Demaçi etj., për të kaluar tek ajo që drejtohej nga Hydajet Hiseni e Mehmet Hajrizi (OMLK), e sidomos LPK-ja, që ia arriti të krijojë UÇK-në dhe të përjetojë lirinë.
Kur të njihet mirë historiku i LPK-së dhe roli i disa prej themeluesve e drejtuesve të saj, sidomos të periudhës 1987-1999, do të mund të bënim diferencimin real të saj nga LDK-ja, e sidomos nga pararendësja e kësaj të fundit, LKJ-ja për Kosovë. Ndërkaq, studimi i mirëfilltë shkencor i rolit të LKJ-së (seksionit të saj në Kosovë) dhe roli i saj në tezgjatjen e jetës së kolonializmit në Kosovë, si parti-shtet, duke i rishikuar me sy objektiv edhe levat e saj, duke përfshirë në këtë kuadër edhe “Bashkësinë Islame”, atëherë do ta kemi të qartë përmasën e saj si organizatë tipike kuislinge.
Demonstratat e viti 1981 dhe ngjarjet që pasuan, thekson Arbën Xhaferi në esenë e tij me titull “15 vjetori i demonstratave të Kosovës”, të publikuar më 31.03.1996, nxorën në shesh të drejtat e rrejshme, ligjet e pavlefshme, autonominë formale.
Përfaqësuesit shqiptarë nuk kishin pushtet real, por ishin transmision, pushtues i pushtetit të qarqeve të hirta, që me ideologji komuniste i impononin interesin e tyre të zhveshur nacional. Shqiptarët nuk kishin autonomi, por atë e kishte oligarkia politike; shqiptarët nuk i mbronin ligjet, por ata i fshikullonin me të marrë urdhrin politik.
“Këtë gënjeshtër, këtë hipokrizi, këtë represion latent, këtë pushtet formal e nxorën në pah të analizës, – përfundon A. Xhaferi, – demonstratat e vitit 1981”16.
Ajo strukturë e partisë-shtet që mbikëqyrte autonominë dhe çdo sferë të jetës në Kosovë (LKJ e UDB), ia kishte arritur ta krijonte një klasë zyrtarësh dhe intelektualësh oportunë (përfshirë këtu edhe policinë letrare), që i shërbenin aparatit kolonial si maskë e mirë për të fshehur realitetin dhe pozitën koloniale të Kosovës, sidomos gjatë periudhës 1974-1981, kur statusi autonom i Kosovës përgjithësisht kishte shënuar progres të prekshëm.
Sidoqoftë, siç vëren publicisti ynë Qani Mehmedi, edhe brenda sistemit, gjatë kohës, po sidomos në vitet ’70-të ishin strukturuar dy rryma politike: e para, që mund të cilësohet me plot gojën autonomiste (në kuptimin pozitiv), me pretendime të qarta për ruajtjen e prosperimin e interesave nacionalë, në përpjekje permanente për të prosperuar statusin e Krahinës dhe të shqiptarëve në ish-Federatën Jugosllave; dhe e dyta, që hapur ishte vënë në shërbim të politikave koloniale të Beogradit, e që gradualisht do ta marrë drejtimin e Krahinës pas demonstratave të 1981-it deri në mars të vitit 1989, kur do të suprimohet statusi i saj, që “ia garantonte” kushtetuta e 1974-ës17.
***
Gjuetia e shtrigave në formën e “Mc Carthyismus” që kishte startuar në Beograd e shumë shpejt ishte etabluar edhe në Prishtinë, me spastrimin e strukturave të sigurisë, ishte përmbyllur me likuidimin politik e fizik të oponentit kryesor të S. Millosheviqit, Ivan Stambolliqit, atëbotë kryetar i LKJ-së në Serbi.
Aprovimi i apartheidit në Kosovë (1989) i kishte dhënë fund eksperimentit të pretenduar për Republikën autonome në Kosovë (të tipit rus 36 sosh – Republikat Autonome Sovjetike Socialiste (ASSR, sa kishte në BRSS)18, që përmes polit të tretë, i përvijuar brenda LKJ-së për Kosovën pas demonstratave të 1981-it, me në krye Azem Vllasin, po ideohej të aplikohej në Kosovë. Dështimi i këtij projekti sikur i hapi rrugë operacionit “Patkoit” në fund të asaj dekade (pranverë 1999).
E për këtë mund të themi se, në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, demonstratat e 1981-it dhe tri ngjarjet specifike pasuese, janë në embrion të paradigmës që do t’i paraprijnë krijimit të UÇK-së.
- Mbledhja themeluese e LPK-së (1987), aprovimi i platformës politike të LPK-së (1993), e pasuar me krijimin/emërtimin e UÇK-së (1994), paraqesin aktet e kthesës historike, që do t’i paraprijnë luftës së UÇK-së për liri (1998-1999).
- Platforma politike e LPK-së ishte dokumenti më i fuqishëm juridiko-politik, që shënjon dekadën e fundit të shek. XX në Kosovë, si dhe
- Modeli i projektuar i republikës autonome.
Po risjellim me këtë rast, pikat qendrore të platformës politike të LPK-së:
1. Të fillohej menjëherë me shndërrimin e rezistencës pasive në atë aktive dhe çlirimtare, duke
përkrahur aksionet çlirimtare në Kosovë, të cilat po kryheshin nga radhët e UÇK-së;
2. Të “ngriheshin” programet partiake për interes të programit kombëtar dhe çlirimtar;
3. Të krijoheshin grupe pune për punë diplomatike jashtë vendit;
4. Të organizohej Fronti Kombëtar për Çlirimin e Kosovës.
Miratimi i kësaj platforme dhe veprimtaria e organizuar politiko-ushtarake në terren, do ta shpjerë kryesinë e LPK-së natyrshëm drejt vendimit historik për emërtimin e UÇK-së.
Kryesia e LPK-së, më 17 nëntor 1994 në Arau të Zvicrës, duke pasur parasysh edhe propozimet e grupimeve ushtarake në terren, mori vendim që organizmi i ri ushtarak të quhet “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”19.
Demonstratat e 1981-it tok me këto ngjarje të rëndësisë së dorës së parë në historinë tonë politike, paraqesin paradigmën më të veçantë të reflektimeve të natyrës gjeopolitike, që do t’u imponohen tri qendrave politike vendimmarrëse në trekëndësh: Beograd – Moskë – Uashington.
Republika autonome e tipit rus
Modeli i projektuar i Republikës autonome nga Ivan Stambolliqi me shokë (ku bënte pjesë edhe Azem Vllasi), kishte gjasa reale të ishte i pranueshëm si për Moskën, ashtu edhe për Uashingtonin, por gjithsesi me këtë projekt do të kënaqej edhe Brukseli.
Dokumentet arkivore do të hedhin dritë mbi faktorët që ndikuan në dështimin e atij projekti, që duhet të jetë hartuar nga akademikët e krahut të nacionalistëve të matur të ASHA-së të Serbisë, që angazhoheshin njëkohësisht edhe për ruajtjen e Jugosllavisë.
Por, a mund të ruhej Jugosllavia më tej si një tamponzonë, kur blloku rus pritej të shembej dhe ribashkimi i Gjermanisë tashmë ishte bërë akt i kryer?
Dukej që krahu i nacionalistëve konservatorë serbë, të mbështetur edhe nga Kisha, meqë e kishin të qartë se shpërbërja e Jugosllavisë, tashmë kur Lufta e Ftohtë po luante epilogun e saj, e bashkë me të do të pushonin edhe arsyet e natyrës gjeopolitike të mbijetesës së Jugosllavisë, do të përqendrohen në dy fronte njëkohësisht: i pari, që kishte të bënte me krijimin e rrethanave politiko-ushtarake, duke sjellë opinionin para aktit të kryer, që do të garantonte ruajtjen e Kosovës si “Zonë të interesit jetik nacional serb” dhe, në frontin e dytë, që kishte të bënte me zgjerimin e Serbisë në Perëndim, drejt Bosnjës.
Perandoria Austro-Hungareze tashmë mungonte, që ta pengonte këtë objektiv të kahershëm serb (1875), të zgjerimit serb drejt Perëndimit. Shtabmadhoria Serbe në këtë kthesë epokash gjykonte se Kosovën e kishte në dorë tashmë, prandaj me urgjencë ata do t’i jepnin fund statusit formal të autonomisë (23 mars 1989, duke intensifikuar dealbanizimin (në radhë të parë në rrafshin demografik). Në këtë rrafsh, Beogradi do të shënonte rezultate në dy nivele: së pari, duke i lënë terren të lirë LDK-së për mirëmbajtjen e “Piramidës mashtruese” përmes “tolerimit” të të ashtuquajturit “shtet paralel” në fushën e arsimit, atë sociale e humane. Ndërkaq, në planin tjetër, duke nxitur e stisur shpërnguljen masive të të rinjve. Brenda disa vitesh, sidomos gjatë dekadës së fundit të shek. XX, Kosovën do ta lënë mbi 500 000 veta, shumica dërmuese djem të rinj, duke e lënë, siç do të thoshte Fishta, Kosovën n’vasha!
Përgjigjja e pyetjes se përse ndodhi çarja e thellë mes institucionalistëve dhe kriptoelitës pas demonstratave të viti 1981, duhet kërkuar brenda tri rrymave ekzistuese të institucionalistëve:
– rrymës së parë, që identifikohej me Fadil Hoxhën, e strukturuar brenda Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, por që shquhej për një lloj sensi të nacionalizmit institucional, e që shpërfaqej me idealin për zhvillimin kombëtar të Kosovës, gjithmonë pa dalë nga kornizat e sistemit jugosllav;
– rrymës së dytë, e strukturuar fuqishëm brenda Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, që prihej nga Ali Shukriu, i njohur si reaksionar e kolaborator i bindur ndaj Beogradit, prandaj ajo do të gëzojë mbështetje të fuqishme nga Beogradi përgjatë gjithë periudhës 1981-1989, duke gëzuar privilegje të theksuara.
– Ndërkaq, me kalimin e kohës do të krijohet rryma e tretë, që për ideator kishte Azem Vllasin, i cili, në koordinim me Ivan Stambolliqin, kryetarin e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë për një periudhë të gjatë, do të angazhoheshin për ngritjen e statusit të Kosovës në një tip miksi, as autonomi e as Republikë, siç ishin ca të ashtuquajtura Republika autonome në Bashkimin Sovjetik.
Azem Vllasi në të gjitha analizat serioze politike dhe studimet për historinë politike të Kosovës, pa mëdyshje, nga i gjithë eshaloni i titistëve kosovarë, do të vlerësohet si pjesëtari më sharlatan i asaj nomenklature. Në bisedat private që pata me Mahmut Bakallin përgjatë kohës kur të dy ishim të angazhuar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ai si këshilltar politik, ndërsa unë si zyrtar i lartë për Çështje Politike, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj (mandati i parë), ai e cilësonte me fjalorin më pezhorativ të mundshëm. Ndërkaq, për ne, brezin e mesëm, që i mbajmë mend paraqitjet e tij publike nën petkun e komunistit jugosllav, intelektualisht pak dallonte nga Ali Shukriu.
Në rrafshin politik, secila analizë e mirëfilltë, duke pasur parasysh teoritë politike moderne të analizës, do ta shpërfaqte si njërin nga arrivistët dhe politikanët më të ulët të Kosovës së viteve 1970-’80, rrjedhimisht edhe tejet të rrezikshëm për fatin e Kosovës. Ai na rezultonte shumë i ngarkuar ideologjikisht si një nga titistët më fanatikë, ndërkaq, në përcaktimin e tij politik prej kuislingu, atij mund t’ia kalojë vetëm Sinan Hasani dhe Ali Shukriu20.
Rimëkëmbja e përgjakur e ilegales
Demonstratat e 1981-it i hapën rrugën ristrukturimit të shoqërisë sonë, duke promovuar një shtresë revolucionarësh, që objektiv jetësor do ta kenë lirinë. Udhëheqësit e tyre, e jo vetëm ata, ishin të vetëdijshëm se të gjitha ato grupe e organizata veprimtarësh revolucionarë, që u formuan e po formoheshin gjatë viteve ’70-të e ’80-të të shek. XX, objektivin do ta arrinin më shpejt, vetëm nëse do t’ia dilnin të bashkonin energjitë, duke krijuar një qendër drejtuese. Demonstratat këtë bashkim e kishin shpërfaqur si nevojë e imperativ jetësor.
Vullneti për bashkim të të gjitha grupeve e organizatave të mirëfillta atdhetare ishte dominant. Ky vullnet e kjo frymë gjatë verës së vitit 1981 prodhuan dokumentin “Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, përmes të cilit potencohej nevoja urgjente për bashkim.
Këto teza paraqesin dokumentin më qenësor që kishte prodhuar ilegalja e vitit 1981, e që do t’i shërbente brezit pasues për themelimin e LPK-së21.
Produkt i këtij bashkimi politik nga poshtë, siç sugjeronin Tezat…, ishin përpjekjet për mbarështrim e bashkim, që do të bëheshin fill pas demonstratave brenda në Kosovë, për të pasuar më tej në diasporën e re (Gjermani, Zvicër etj.), me organizimin e takimeve, diskutimeve gjithëpërfshirëse e organizimin e demonstratave edhe jashtë. Këtij bashkimi i kishin prirë pjesëtarë të denjë të kriptoelitës sonë në Perëndim (Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla e Ibrahim Kelmendi).
Në konferencën e parë shkencore të iniciuar nga shoqëria “Lëvizja” e në bashkëpunim me Institutin e Historisë, Institutin Albanologjik dhe Shoqatën e Ish-të Burgosurve Politikë, të mbajtur më 17 janar 2017, dolën në dritë shumë të dhëna për këto përpjekje për bashkim e bashkëpunim22.
Për këtë pjesë të historisë, me interes të veçantë do të rezultojë studimi dhe hedhja dritë mbi takimin e Stambollit mes të dërguarit të Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK-së), Kadri Zekës dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe e Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), Sabri Novosellës, që merrte pjesë në takim në cilësinë e udhëheqësit (!), e Bardhosh Gërvallës krah tij, si dhe arsyet reale të dështimit të tij23. Por, po aq me interes do të ishte ndriçimi i plotë i takimit pasues mes përfaqësuesve të LNÇKVSHJ-së (Sabri Novosellës) dhe përfaqësuesve të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ-së) udhëheqës e themelues i së cilës ishte Abdullah Prapashtica, pjesëmarrës edhe i atij takimi24.
Për të krijuar ide të plotë mbi bashkëpunimin paraprak, qoftë për botimin e “Lirisë”, “Bashkimin” e “Lajmëtarit të Lirisë”, por edhe për dakordimin mes Kadri Zekës (përfaqësues i OMLK-së), Jusuf Gërvallës (në emër të LNÇKVSHJ-së) dhe Ibrahim Kelmendit (Frontit të Kuq), për krijimin e LPRK-së më 17 janar 1982, burime të dorës së parë janë librat e intervistat e Ibrahim Kelmendit, por edhe letërkëmbimi i Jusuf Gërvallës me personalitete të veçanta të kohës25.
– Çfarë tha Ali Lajçi para studentëve protestues në Prishtinë?
Takime të së njëjtës natyrë (mbarështrimi e bashkimi i forcave) ishin mbajtur edhe në Kosovë në periudha më të vonshme mes grupeve e organizatave të tjera. Kjo ishte periudha, kur disa prej veprimtarëve të grupit “Para Agimit”, që vepronim në Dardanë, pas takimit që kisha me Nuhi Berishën, ishim shkrirë në LRSSHJ (pararendëse e LPRK-së).
Takimi i 16 janarit 1982 në Untergrupenbach26, në banesën e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, ku do të mblidheshin përfaqësuesit e tri organizatave atdhetare: OMLK-së (Kadri Zeka), LNÇSHVJ (Jusuf Gërvalla) dhe Fronti i Kuq (Ibrahim Kelmendi) dhe vazhdimi i tij më 17 janar, do të vinte themelet e organizatës, që të tre dakordësohen ta quajnë Lëvizja për Republikën e Kosovës27.
Ky ishte një kurorëzim fisnik i të gjitha përpjekjeve për bashkim, megjithëse, siç do ta cilësojë Bedri Islami, do të rezultonte “Lindje e përgjakur”.
Por ky dakordësim për mbarështrimin e mirëfilltë të veprimtarisë atdhetare në Kosovë e jashtë, i kurorëzuar me hartimin e dokumentit përkatës nga Kadriu e Jusufi, meqë Ibrahim Kelmendi do të ngarkohej ndërkohë pas dakordimit, me një detyrë në terren tok me bashkëveprimtarë që kishin themeluar klubin e parë shqiptar të pavarur në Dyseldorf, atë “Emin Duraku”, do të na mungojë si fakt historik, meqë duket se e ka marrë policia gjermane pas kontrollit rutinë që bëri për kompletimin e dosjes “Gërvalla”. Dokumenti në fjalë mund të jetë tashmë në pronësi edhe të familjes Gërvalla, meqë policia gjermane pohon se i ka dhënë asaj çdo gjë që kanë pasur në dosjen Gërvalla. E kërkon nderi për Jusufin e Bardhin, por edhe për historinë, që ai dokument t’i dorëzohet arkivit të shtetit dhe të bëhet publik.
Nga ky bashkim sui generis, dy nga tre nënshkruesit e atij akti historik do të vriten në atentatin e organizuar nga UDB-ja pa kaluar 24 orë të plota. Fati ka dashur që, në mesin e të gjallëve të mbetet Ibrahim Kelmendi, një nga revolucionarët më të devotshëm që më ka rënë të takoj në jetën time, por edhe ta kisha bashkëveprimtar sa isha në LPK (nga themelimi e deri në pranverën e vitit 1991), në cilësinë e anëtarit të redaksisë së “Zërit të Kosovës”.
***
Demonstratat e vitit 1981 e kishin shndërruar individin në qytetar aktiv, i gatshëm për t’u vënë në ballë të shoqërisë në lëvizje, në kërkim të progresit shoqëror dhe lirisë. Ngritja e vetëdijes politike dhe e formimit kombëtar, sidomos te brezi i ri, tashmë ishte garanci e mirë për ruajtjen e selitjen më tej të identitetit shqiptar. Në përputhje me frymën e kohës, në piramidën e kriptoelitës sonë po vinte një bërthamë e fuqishme e nacionalistëve progresivë. Në këtë periudhë nuk mund të ishte i rastësishëm përafrimi në dobi të kauzës për çlirim i së majtës revolucionare (që atëbotë identifikohej me OMLK-në) me elemente e organizata që njiheshin si vazhduese të aktivitetit e frymës së Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH), që ishte, de fakto, forca e parë politike mirëfilltazi e djathtë e demokratike e krijuar në hapësirën shqiptare nën Jugosllavi, në verën e vitit 1943. Ajo do të intensifikojë veprimtarinë e vet pas përfundimit të LDB-së, konkretisht pas mbajtjes së Kongresit të Blinajës (25 korrik 1946) dhe do të veprojë deri në fund të vitit 195028, në krye të së cilës ishin intelektualë të njohur e antifashistë si: Halim Spahiu, (Prizren), Gjon Sereqi (Ferizaj), Luan Gashi (Prishtinë), Ibrahim Kelmendi (Preshevë) etj.
Ajo lagje intelektualësh revolucionarë, pjesë e kriptoelitës sonë në vitet para dhe pas demonstratave të 1981-it, e kishin të qartë se vetëm bashkimi i forcave, e të gjitha energjive pozitive të kombit, pa cenuar asnjë çast sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, do të mund ta përshpejtonin fundin e Revolucionit antikolonial të vonuar, duke avancuar statusin e Kosovës në Republikë brenda Federatës Jugosllave, si realizim i vetëvendosjes së brendshme më lehtë të pranueshme edhe nga faktori ndërkombëtar. Prandaj ata qenë hedhur në veprim për të koordinuar bashkimin rreth asaj platforme politike.
Kundërveprimi i aparatit shtetëror jugosllav ishte tejet i ashpër. Ndërkaq, në vitet pas demonstratave të vitit 1981 mori përmasat e terrorit shtetëror.
Vetëm brenda tri viteve, fill pas pranverës së 1981-it, do të pasojnë vrasjet: ajo e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, tok me Kadri Zekën (17 janar 1982 në Gjermani). Ndërkaq, më 11 janar 1984 ajo e Rexhep Malës e Nuhi Berishës në Prishtinë, që do ta dërmojnë procesin e bashkimit të ilegales.
Por, nëse atentati i 17 janarit 1982 ishte organizuar dhe ekzekutuar nga strukturat e larta të shtetit dhe segmente eliare të sigurisë (me koordinim nga Beogradi), ai i 11 janarit 1984 ishte nominalisht i organizuar nga strukturat e së ashtuquajturës Qeveri e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës!29
Vrasja e dy prej ilegalëve kryesorë të strukturës së organizimit u krye nga Policia e Kosovës, që atëbotë ishte nën komandën e kusilingut Jusuf Karakoshi, e vetëkuptueshme, e mbështetur edhe nga qeveria kuislinge e Kosovës.
Paralel me këto vrasje do të bëhen arrestime masive e të pandërprera, duke kulmuar me ato të nëntorit e dhjetorit 1985, kur numri i të arrestuarve do të kalonte mbi 500 veta30. Ishte një nga goditjet më të ashpra… afërsisht në të njëjtën orë, që nga lagjet e Prishtinës dhe deri te godinat e studentëve në Zagreb, që nga fshatrat e Drenicës dhe deri te viset shqiptare buzë liqenit të Pogradecit ndodhën arrestime. Nuk kishin ndodhur asnjëherë arrestime me shtrirje kaq të gjerë; ishte, si të thuash, i gjithë kontributi i viseve ku flitej shqip dhe jetonin shqiptarë”31.
Në librin që do të botonte shoqëria “Lëvizja” në shenjë të mbështetjes për lirimin tim më 2018, në kontributin e tij, me titull sinjifikativ: “Terrorin e organizojnë gjithmonë shërbimet e fshehta”, Dilaver Goxhaj, ish-komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë dhe gjatë luftës në Kosovë, zëvendësshef i SHP-së të UÇK-së, shtron pyetjen logjike: “Kush ia dha UDB-së adresat e sakta të kësaj organizate ilegale, kur organizimi i tyre ishte me sistem tresh?! Dhe vazhdon: “Patjetër, dikush që bënte pjesë në udhëheqjen e lartë të të OMLK-së (Komiteti Drejtues – SR). Sipas Bedri Islamit, njëri nga anëtarët e këtij komiteti që ishte nga Kosova, nuk do të arrestohej dhe pikërisht ai do të bëhet “edhe anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së”32, i cili për vite të tëra do të jetë nënkryetar i Kuvendit të Republikës!
Pas atyre arrestimeve (nëntor e dhjetor 1985), ristrukturimi dhe rigjenerimi i organizatës do të kërkojë kohë të gjatë, ndërkaq segmentet e mbetura dhe ata që do të arrijnë të arratisen në Zvicër, do të akordohen për bartjen e Qendrës Drejtuese në Zvicër33.
Për shkak të lëshimeve dhe dobësive profesionale e organizative të Komitetit Organizativ të OMLK-së së riorganizuar, duket se UDB-ja kishte arritur të penetronte me elementët e saj dhe, për pasojë, organizata ra pothuajse deri te celula e fundit. Penetrim i thellë brenda strukturave drejtuese të LPK-së duket të kenë ndodhur edhe në periudhën kur Kosova po hynte në fazën më kritike, kur po luhej prologu i luftës (maj 1998), për çka do të shkruajmë në vazhdim të kësaj eseje.
Organizimi i Lëvizjes Revolucionare do të kishte një shkallë të kënaqshme në vitin 1987, kur kjo lëvizje arrin t’i shtrëngojë radhët sërish në Kosovë e Maqedoninë Veriore, por edhe jashtë vendit, duke ia dalë të organizojë e mbajë me sukses Mbledhjen e Parë Themeluese34.
Në vitin 1989, LPRK-në e udhëhiqnin revolucionarë e idealistë të jashtëzakonshëm, si: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Ahmet Haxhiu, Behajdin Allaqi, Arif Seferi, Fahri Fazliu, Bedri Sokoli, Ali Ajeti etj.
Organizata, pas forcimit të kënaqshëm, do ta kthejë Komitetin Drejtues në Kosovë (1989), për ta rikthyer sërish në Zvicër, pas vrasjes së Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut35 dhe burgosjes së një vargu veprimtarësh. Kësaj radhe, sidoqoftë, një numër i mirë do të arrijnë të arratisen jashtë vendit. Por falë edhe degës së strukturuar mirë jashtë vendit (sidomos në Zvicër e Gjermani), LPK-ja do t’ia dalë jo vetëm të mbijetojë, por edhe të faktorizohet sërish në prag të luftës, duke arritur të ruajë kohezionin e brendshëm në këtë periudhë kthese të jashtëzakonshme36. Për fat të keq, ajo nuk do të arrijë ta shmangë puçin, që ndërkohë do t’i bëhet UÇK-së.
“Shteti paralel” i llumpendemokracisë
Hovi në rritje i LPK-së dhe i Lëvizjes Revolucionare përgjithësisht, do të pësojë goditje të rëndë, kur do të themelohej Lidhja Demokratike e Kosovës (23 dhjetor 1989). Po fillonte kështu epoka e bashkekzistencës së të ashtuquajturit “shtet paralel” në konkubinat me apartheidin, që Serbia kishte instaluar në Kosovë. Ndërkaq, këtu do të zërë fill imitimi i demokracisë në kushte okupimi të egër nga kjo e ashtuquajtur “elitë e re politike” e Kosovës, që de fakto i ngjan më shumë llumpendemokracisë.
Kjo “lëvizje e re”, që vetëcilësohej si “demokratike”, e që atëbotë herë-herë emërtohej si “Alternativa kosovare”, por që realisht identifikohej me LDK-në, për shumëçka do t’i ngjasonte Lëvizjes Reaksionare të Anglisë të fillimshekullit XIX.
Demonstratat masive të radhës (1989), që ishin një lloj “Revolucioni i kadifenjtë” në formë karikature, ishin iniciuar e organizuar nga “Poli i tretë” i LKJ-së për Kosovë, Azem Vllasi me shokë. Natyrisht, në akordancë me kreun e LKJ-së për Serbinë, Ivan Stambolliqin. Në pamje të parë ato po bëheshin për mbrojtjen e autonomisë. De fakto rezulton të kenë qenë në shërbim të agjendës politike ruse. Atëbotë planifikohej ngritja e statusit të Kosovës nga një Krahinë Autonome, në një Republikë Autonome të tipit rus. Krejt kjo do të shkonte në favor të krijimit të status quo-së edhe për disa vite, në mos dekada.
Këtë luftë të brendshme të rrymave politike në LKJ të Kosovës dhe këto kundërthënie në nivel më të gjerë, po i shfrytëzonte aq sa mundej Komiteti Drejtues i LPK-së, për t’u dhënë drejtim progresiv demonstratave. Prezenca e frymës së LPK-së qe reflektuar sidomos në Qendrën e Studentëve dhe në sallën e sporteve “1 Tetori” e gjetkë, aty ku ishin Afrim Zhitia, Behadin Allaqi etj.
Kjo ishte edhe arsyeja pse kërkesat e studentëve nuk përputheshin me ato të qytetarëve në rrugët e sheshet e Prishtinës, që drejtoheshin nga Drejtoria për Analiza e UDB-së për Kosovën, që për titullar kishte vëllanë e Azem Vllasit, Ali Vllasin.
Reflektimi politik i drejtuesve të LPRK-së ishte në përputhje me kursin politik të demonstratave të 1981-it dhe programin e organizatës. Por kjo frymë që u reflektua në mesin e studentëve në Prishtinë, tashmë bënte jetë aktive gjithandej në Kosovë.
Të dhënat dhe raportet e strukturave të sigurisë në disa prej shteteve perëndimore, kurdo që të jenë të qasshme për studiuesit, pritet të flasin se Perëndimi, ndërkohë, kishte filluar të ndiejë nevojën për një lëvizje më proaktive në Kosovë që nga përfundimi i Konferencës së Dejtonit. Ato shërbime më rezulton se duhet ta kenë parë me një lloj simpatie Lëvizjen tonë Revolucionare dhe përpjekjet e saj për riaktivizim të plotë. Këtë përfundim ma përforconin atëbotë edhe faktet relevante që kisha vënë re në komunikim me diplomatë e gazetarë gjermanë e zviceranë.
E para, LPK-ja tolerohej të vepronte si në Zvicër, ashtu edhe në Gjermani, e pjesërisht edhe në Austri e në Skandinavi. Interesat gjeopolitikë të këtyre shteteve duket se përputheshin me objektivin tonë politik: shpërbërjen e Jugosllavisë, që për ne rezultonte tashmë si parakusht për çlirimin e plotë të Kosovës. Këtë fakt nuk po e kapnin dot autonomistët tanë të mbledhur tashmë rreth LDK-së.
E dyta, për përfundimin në fjalë më ka ndihmuar komunikimi privat. Duke jetuar një kohë të mirë në Bazel, së fundmi si ndjekës i kurseve pasuniversitare në Institutin për Studime Europiane të Universitetit të Bazelit, kisha krijuar qasje e komunikim me politikanë, gazetarë e diplomatë zviceranë e gjermanë dhe kisha vënë re gatishmërinë e tyre për të na lehtësuar aktivitetin subversiv politik kundër Jugosllavisë.
Një nga deputetët aktivë të Bundestagut gjerman, dr. Gernot Erler, njohës i shkëlqyeshëm i historisë politike të Europës Juglindore, gjatë një shëtitjeje në një kopsht plot me trëndafila në periferi të qytetit të Freiburgut, pasi i bëra një ekspoze për gjendjen shpërthyese në Kosovë, u ndal e më tha tekstualisht: “Ju qenkeni në prag të luftës; apartheidi ju çon pashmangshëm në luftë. Fakti se Millosheviqi nuk ka respektuar as marrëveshjen e Shën Exhidios për shkollat, tregon se ai nuk është i interesuar për paqe e zgjidhje politike. Herët a vonë, ata vetë do ta provokojnë luftën. A jeni në gjendje ta përballoni luftën për një kohë të gjatë, meqë jeni të pakoordinuar me LDK-në?””Nuk do të jetë e lehtë, – ia ktheva shkurt. – Por kemi nevojë urgjente për armë të lehta e moderne.”
Pas një heshtjeje të gjatë, që m’u duk sa një orë, ma ktheu me një siguri tipike gjermane:”Ne do t’ju mbulojmë me propagandë dhe me veprime të natyrës diplomatike, por armët kërkojini e gjejini gjetkë”.
“Si fillim, mjafton edhe kjo mbështetje juaja në fushën diplomatike dhe atë të informimit e propagandës, – i thashë, – duke e përmbyllur bisedën me një falënderim të përzemërt. Më pas, për këtë bisedë kisha vënë në dijeni Bajrush Behramin (atëbotë kryetar në detyrë i UNIKOMB-it), duke qenë vetë në krye të Qendrës së UNIKOMB-it në Zvicër, por edhe diplomatët shqiptarë me të cilët kultivoja raporte të mira. Pas takimit me dr. Gernot Erler, ndërsa po kthehesha në banesë në Bazel, m’u kujtua një bisedë që kisha pasur me Halil Alidemajn (kryetari i UNIKOMB-it) në marsin e vitit 1992 në Tiranë. Pasi shkëmbyem informatat që kishim nga Kosova dhe pasi i raportova për gjendjen në Qendrën e UNIKOMB-it në Zvicër, më dha këtë informacion shtesë.
“Jemi duke përgatitur një grup djemsh këtu për luftë. Ramiz Alia më ka vënë në dispozicion disa oficerë shumë të përgatitur profesionalisht dhe atdhetarë. Po shfrytëzojmë një kazermë në malin e Dajtit dhe po i trajnojmë në zonën përreth. Udhëheqja e LDK-së është përcaktuar për një qasje tjetër “veprimi”, – tha ai me ironi dhe qeshi. “Ata presin t’ju rikthejë Beogradi autonominë e pezulluar, – vazhdoi më tej. – Po nuk vepruam me guxim e me urgjencë, duke u koordinuar edhe me “të kuqtë” (kështu e cilësonte ai LPK-në), ka rrezik që Kosovën, Beogradi i asistuar nga LDK-ja, do ta kthejë në një kënetë të ujërave të ndenjura e të pista. Këtë as nuk duhet e as nuk do ta lejojmë të na ndodhë”!
Po vinte çasti historik, për të cilin kishin punuar disa breza.
Në propagandën e brendshme LDK-ja më tej vazhdonte të propagandonte “Shtetin paralel”, të mburrej me sistemin që kishte krijuar dhe që po e mbante në jetë në fushën e arsimit paralel, por edhe në atë të shërbimeve sociale e shëndetësore përmes shoqatës “Nënë Tereza”. Ndërkaq, në konferencat e të premteve, lideri i saj vazhdonte të përsëriste formulën:
“E duam Kosovën shtet të pavarur, sovran, të hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë!”
I ashtuquajturi “Qark Kulturor i Prishtinës”, që de fakto ishte bartur në kryesinë e LDK-së, mëtonte të merrte në duart e veta flamurin e betejës ideologjike të “Neoshqiptarizmës” së rilindur, ndërsa Kosovën e imagjinonin si njëlloj “Sparte shqiptare” moderne. Shumica e anëtarëve të këtij “Qarku Kulturor”, që përbënin edhe ajkën e tij, kishin teserën e Partisë Komuniste Jugosllave (LKJ-së). Ata, të yshtur nga struktura politike e shtetërore jo vetëm perëndimore, LDK-në po e promovonin si “forcë politike të spektrit të djathtë”, ndërkaq në prapaskenë punonin me përkthimin e statusin të suspenduar të autonomisë (1989).
Dekada e fundit e shek. XX të pushtetit serb përmbush të gjitha elementet që të cilësohet si pushtet tipik jug-afrikan – apartheid i markës serbe. Krerët e LDK-së për të dëshmuar “ekzistencën e shtetit paralel”, në emër edhe të luftës politike për mbijetesë, duke qenë të bindur se gëzonin në popull një lloj “pushteti moral”, për ta shmangur nga fjalori politik nocionin “apartheid”, do ta aplikojë me një lloj eufemizmi togfjalëshin “okupimi serb” për periudhën në fjalë, pavarësisht se ai togfjalësh ishte dhe mbetet lapsus logjik!
Në “analizat politike” që prodhonte e afishonte “Qarku Kulturor i Prishtinës”, dikur të gjithë anëtarë të LKJ-së, tani të konvertuar në demokratë, të veshur me petkun e zyrtarit të lartë të partisë, ky lloj i diskursit politik, që “dekadën e apartheidit” e cilësonte si “dekadë e okupimit”, de fakto në thelb kishte një lloj “logjike politike” me bazë te ndërdija që kishte përpunuar Fanoni37 për popujt, që për kohë të gjatë i nënshtrohen kolonializmit. Ky diskurs, fundja, ishte në përputhje me “objektivin politik” që ata i kishin parashtruar vetvetes, meqë kjo lagje zyrtarësh të lartë të LDK-së, periudhën para marsit 1989, me theks atë që e solli në jetë këtë “qark kulturor” – 1969-1981, nuk e cilësonte si okupim!
Për këta ideologë të së djathtës shqiptare moderne, ajo ishte periudha e prosperimit kulturor e nacional, social e ekonomik dhe e gjykonin me bindje kudo e kurdo. Për këtë, nuk mund të shihet se ishte e rastësishme që këta ideologë në Kushtetutën e Kaçanikut kishin imponuar paragrafë të veçantë, përmes të cilëve zotoheshin për ruajtjen e Jugosllavisë si bashkësipolitike!38
Ky fakt shpërfaq majën e ajsbergut që paraqet mashtrimi i madh politik, që më vonë Arbën Xhaferi do ta cilësonte si produkt i “skemës piramidale të Rugovës”39.
Gjatë luftës së UÇK-së (1998-1999), për fat të mirë, elementë të veçantë të të ashtuquajturit “Qark Kulturor i Prishtinës”, që ishin ende në krye të LDK-së, por që kishin begraund familjar nacionalist, do ta braktisin atë dhe, ose do të rrinë anash, larg politikës, të strukur diku në Shkup a Tiranë, ose do t’i bashkohen UÇK-së, duke i bërë një shërbim të mirë kauzës së lirisë. Kjo po ndodhte meqë, me gjithë këmbënguljen e Beogradit dhe ecejaket në relacionin Prishtinë-Shkup të “shefit të protokollit të Presidentit”, me theks në ditët kur po përparonin kuotat e bombardimit të NATO-s, kreu i LDK-së nuk do t’ia dilte të krijonte një qeveri kuislinge në Prishtinë.
Ngrehina e “shtetit paralel”, për rrjedhojë, siç e dëshmoi koha (sidomos periudha e luftës intensive e shoqëruar me dëbimin masiv të qytetarëve nga Kosova) ishte edhe më për lumë se ndërtesat viktoriane40.
Filozofia politike e munguar e Rugovës
Në përvjetorin e dhjetë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, kryetarit të LDK-së, institucionet më me peshë të të dyja republikave shqiptare sërish në kor, por edhe mediet, në vend që të hapnin debatin politik mbi fenomenin “Rugova” në politikën shqiptare, u interesuan ta mbysin atë (debatin) me kohë përmes një kakofonie të pashembullt. Ka ca personalitete pa ndonjë begraund shkencor, që vazhdojnë më tej të ligjërojnë për kuazitrashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës!
Disa sosh, për të mos thënë shumica absolute, vijnë prej mileut social të “botës së letrave”. Për rrjedhojë, ata nuk e kanë idenë se kjo trashëgimi është krejtësisht e mjerë. Kjo kategori, duke qenë edhe vetë e zhytur në ujërat e kolaboracionizmit gjatë epokës së pushtimit serb, sidomos në dy dekadat e fundit të shek. XX, jo pa qëllim ngatërrojnë vizionin me veprimin politik.
Në këtë përvjetor, në vend që t’i hapet rrugë gjykimit racional, kjo sortë tallet me opinionin shkencor dhe publik, e na e risjell në kujtesë një të ashtuquajtur “Dekalog politik inekzistent”!
Nëse filozofia e Satiagrahës (pra, gandizmi, siç njihet botërisht) ishte përqendruar në trashëgiminë politike autoktone, që nënkuptonte përqasjen në kërkim të së vërtetës, dhe që kishte për qëllim, që “durimin përqendrues të indianëve” ta “aktivizonte në luftë dhe veprime jo të dhunshme për arritjen e qëllimit praktik: të largimit të britanikëve dhe të pavarësimit të Indisë”, çka mund të thuhet se kishte për qëllim e ashtuquajtura filozofi politike e Rugovës pas vitit 1995, kur të gjithë ata që kishin njohuri minimale në fushën e mendimit politik, tashmë e kishin të qartë se harta politike e Ballkanit do të pësonte ndryshimin e pakthyeshëm dhe, nëse edhe më tej skenën politike të Kosovës do ta dominonte LDK-ja, Kosova rrezikonte të mbetej koloni e Serbisë!
Por, nëse shohim me kujdes dallimin mes gandizmit real dhe të ashtuquajturës “filozofi politike të Rugovës”, do të konstatojmë pa hulumtime të thella empirike e pa analiza të stërmundimshme se, nëse i pari “nirvanën e besimit budist ia kishte kundërvënë frikës”, i dyti, përkundrazi, kishte arritur ta mbillte frikën te shtresa të tëra të popullit, që përgjatë gjithë historisë ishte shquar për shpirtin kryengritës.
Kjo është epoka, kur një polic serb “mbarështronte” lagje të tëra të qyteteve tona! Kjo ishte epoka, kur atë që nuk kishte arritur dot ta bënte Serbia, po e bënte LDK-ja përmes të ashtuquajturës “filozofi politike rugoviane”, meqë po shuhej gradualisht gatishmëria e popullit për t’iu bashkuar rezistencës aktive dhe mosbindjes aktive civile; po cenohej rëndë karakteri i tyre historik, i cilësuar si kryengritës. Në këto rrethana të çaktivizimit të plotë të një populli dhe rihapjes së rrugëve për dëbim të qindra e mijëra të rinjve nga Kosova, po krijohej disbalancimi tragjik demografik, që Kosova vazhdon ta vuajë edhe sot.
Duke i shkëputur nga atdheu, nga toka e tyre, të cilën “në thellësi të shpirtit të tyre kolektiv e barazonin me jetën”, siç kishte konstatuar me të drejtë Ukshin Hoti, po krijohej diaspora e re shqiptare në Europë.
***
Natyrisht, derisa të vazhdojnë të heshtin sociologët, politologët, historianët… me analiza të kësaj natyre, që për objekt studimi do të kishin struktura të tëra të shoqërisë, fenomenet shoqërore, por edhe personalitetet me ndikim, qoftë ky edhe Ibrahim Rugova, në Kosovë kryesisht këtë përqasje e bëjnë shkrimtarët dhe, si për t’i vënë qershinë mbi tortë, me panegjirikë specialë na paraqitet edhe ndonjë nga ish-oficerët e Armatës Jugosllave, i njohur si pjesëtar i Zbulimit Ushtarak (KOS-it), apo ndonjë ish-redaktor i gazetës jugosllave “Komunisti”!
Liria dhe drejtësia ishin dhe vazhdojnë të mbesin temat qendrore të filozofisë politike. Qëllimi kryesor i saj mbetet e ardhmja dhe përherë rivlerësimi i parimeve bazë, që rregullojnë raportet brenda shoqërisë, pasojat dhe ndikimet e rrymave të reja të mendimit politik dhe vetë jeta institucionale shtetërore, por edhe ndikimi i tyre në jetën dhe mirëqenien e njeriut.
Filozofia politike i jep përgjigje një varg çështjesh thelbësore, që ndërlidhen me raportet e individit dhe të shtetit. Në traktatet politike, studiuesit e çdo epoke u kanë dhënë përgjigje çështjeve që kanë të bëjnë me shtetin, politikën, lirinë, raportet e shtetit me qytetarin etj.
E gjithë “krijimtaria” intelektuale e Rugovës, që pretendohet edhe nga pasuesit e tij si bazamenti teorik i trashëgimisë së mendimit politik, ndërlidhet me esenë “Refuzimi estetik”. Kjo ese ka objekt trajtimi interpretimin e ideve kulturore, raportet e letërsisë me politikën dhe, rrjedhimisht, mund të trajtohet si një traktat i mendimit estetik. Kaq!
* * *
Çështjet thelbësore të filozofisë politike, që kanë të bëjnë me Njeriun si qenie politike dhe Shtetin, vazhdimisht, në çdo epokë, mëtojnë t’u japin përgjigje pyetjeve që ndërlidhen me politikën dhe raportet e qytetarit me politikën.
Një pjesë të shoqërisë sonë e karakterizon më tej papërmbajtja politike, tipike për shoqëritë e vonuara, te të cilat mendimi filozofik kaherë ka marrë arratinë nga sistemi shkollor, siç është rasti i Kosovës.
Kjo lagje publicistësh e shkrimtarësh jo rrallë na servirin refleksione, që janë produkt i mentalitetit autoritar. Për pasojë, përqasja që kanë ata ndaj fenomeneve shoqërore, përjashton çfarëdo mendimi kritik politik, që do t’i shërbente tejkalimit të kësaj prapambetjeje pothuajse historike.
Ky soj kuaziintelektualësh nuk ngurrojnë të sillen kaq oportunë dhe krejtësisht të padinjitetshëm, duke tërhequr paralele mes Ibrahim Rugovës dhe personaliteteve të mëdha të Kombit!
Pavarësisht diskursit moralizues me sfond human, kjo kategori vazhdon të jetë në thelb tepër konservatore dhe pengesa ndër më seriozet për rikëndelljen politike që kërkon momenti historik, çasti që po kalojmë si shoqëri.
Këmbëngulja për të vazhduar më tej me deformimin e realitetit historik të dy dekadave të shek. XX, është produkt i mendimit politik prej kolaboratorësh, nga i cili shoqëria shqiptare, për hir të së ardhmes, duhet të çlirohet sa më parë, nëse nuk duam që Republika dhe demokracia të mbesin peng i kësaj mendësie.
Këtë soj homosapiensi politik, Ukshin Hoti e cilësonte, me plot të drejtë, si përrallëtar.
Manipulimi me doktrinën e gandizmit dhe rezistencën paqësore
Suspendimi i statusit të autonomisë që kishte Kosova në kuadër të kushtetutës jugosllave të vitit 1974, shpërfaqi dukshëm dy rrymat ekzistuese të LKJ-së, jo vetëm në Beograd, por edhe gjetkë në nivel të Federatës, duke përfshirë edhe Kosovën. Por, siç e vumë re më lart, në Kosovë, ndërkohë, ishte profiluar edhe poli i tretë i LKJ-së.
Rryma e ashtuquajtur “nacionalistë institucionalë”, të cilët pretendonin se përfaqësonin interesat e “nacionalizmit institucional shqiptar”, pavarësisht edhe lojalitetit që dëshmonin në raport me ruajtjen e Federatës Jugosllave, do të transformohet pothuajse e tëra në LDK, duke i hapur rrugë me këtë akt, qoftë edhe pa paramendim, homogjenizmit të jashtëzakonshëm të popullit.
Ana pozitive e ideologëve të LDK-së në këtë fillim të formësimit të saj si forcë politike, ishte se do të pamundësojnë që në strukturat e saj të pozicionohen elementë të rrymës radikale projugosllave, por as edhe ata të polit të tretë, që identifikohej me Azem Vllasin. Element të këtij poli, ndërkohë, do ta gjejnë veten më shumë te Partia Socialdemokrate.
Në anën tjetër, struktura revolucionare po vazhdonte të shëronte “plagët e rënda” që kishte marrë në nëntorin e dhjetorin e 1984-ës dhe ishte në kërkim të rrugëve për veprim konkret, duke ndërtuar celulat e para të gueriles. Udhëheqësit e saj kryesor: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Bardhyl Mahmuti, Sabri Kiçmari…, atëbotë ishin ende tejet të rinj për ta përballuar atë kthesë që kishte sjellë historia.
Koha kërkonte korife të mendimit, siç ishte Ukshin Hoti, që jo rastësisht mbahej peng në burgjet serbe. Koha kërkonte edhe gjeneralë, që do të viheshin në krye të betejave, siç ishte Fehmi Lladroci. Por ai, në pamundësi të zbatimit të projektit për marshim e zbarkim me brigadën e tij, që në fakt shestohej të ishte bërthama e UÇK-së, e që kishte rreth 1500 luftëtarë, që betohej t’i sillte nga frontet e luftës ku ishin në Kroaci, në Çiçavicë e gjetkë në malet e Kosovës, ai shtrëngohet të mërgojë në Gjermani, për t’iu kthyer Kosovës pas rënies së Adem Jasharit me Jasharët e tjerë, sërish pas vonesave të shkaktuara nga puçistët, që tashmë e kontrollonin atë!41
LPK-ja atëbotë, kur Serbia ishte e zhytur thellë në frontin e luftës në Perëndim (në Kroaci e Bosnjë), ishte tepër e dobët për ta mobilizuar popullin dhe ta hapte frontin e jugut. Ndërkaq, LDK-ja nuk ishte e përcaktuar politikisht për luftën si mjet për çlirim. Ajo me kohë ishte pozicionuar për reformë politike, pa alternativë! Prandaj po kultivonte artin e durimit, në fakt aktin e poshtërimit publik, me idenë që faktori i jashtëm, demokracitë perëndimore, do t’ia impononin Serbisë kthimin e autonomisë së suspenduar. Ky objektiv i krerëve të LDK-së, që në aparencë dukej realist, dhe, megjithëse në heshtje, i pranueshëm edhe për popullin, shpejt do ta shndërrojë LDK-në në forcën politike dominante dhe me ndikim, madje, edhe në rrafshin kombëtar. Pesë vitet e para të funksionimit të saj si lëvizje popullore (1989-1995), ajo në terren do të shndërrohej në forcë kohezive kombëtare dhe do të luante rol pozitiv në organizimin e mbijetesës. Në dobi të këtij kohezioni shkojnë, paradoksalisht, edhe të dhënat e terrenit.
Në këto rrethana të reja të krijuara në terren, partikulariteti i shoqërisë shqiptare në parti politike, nuk do t’i mjaftonin Beogradit për realizimin e platformës së tij në raport me Kosovën.
Në terren, aty ku luhej loja, respektivisht imitimi i demokracisë, nuk mund të kontrollohej çdo gjë. Siç dihet tashmë, në skenën e atij pluralizmi alogjik e për shumëçka absurd, do të imponoheshin e profiloheshin edhe forca politike me orientim koherent kombëtar, siç ishin Partia Parlamentare dhe Partia e Unitetit Kombëtar (UNIKOMB-i). Sidoqoftë, ky fakt do të shfrytëzohet nga Beogradi si mundësi shtesë, që të nxiste e stimulonte rivalitet midis partive për çështje në thelb banale, siç ishte gara (zgjedhjet e 24 majit 1992) për Parlamentin dhe për pushtetin inekzistues!
Disi ngjashëm kishin vepruar turqit për ta shmangur idenë e lirisë në pjesë të tëra të Shqipërisë së okupuar.
“Turqit nuk arritën t’i pushtojnë fiset malësore me forcën e armëve, prandaj ata, gjatë shek. XVII filluan t’i emërojnë bajraktarët dhe të krijojnë bajraqet në Malësi, me qëllim që ta dobësonin autoritetin e krerëve të fisit dhe fuqinë e tij. Turqit u jepnin dhurata bajraktarëve, rrogë e dekorata të ndryshme dhe këta e kishin për detyrë të merrnin pjesë me njerëzit e bajrakut në luftëra të ndryshme që bënin turqit në Ballkan ose më larg”42.
Ashtu si bajraku më i madh turk në shek. XVII, edhe LDK-ja si partia më e madhe legale në Kosovë në gjysmën e dytë të dekadës së saj të parë të funksionimit (1995-1999), përveçse do të shndërrohej në autoritetin më të lartë politik në vend dhe në një masë “përfaqësuese” e interesave të “komunitetit shqiptar” në Serbi, duke zotëruar një lloj pushteti moral, ajo do të aplikojë “fuqinë” e “shtetit paralel” imponues në lëmin e arsimit dhe në atë sociale e shëndetësore, duke qenë kështu edhe më afër popullit. Krerët e saj, pavarësisht nivelit akademik që kishin, rezononin me logjikën e bajraktarit të shekullit XVII! Bajrakut, alias LDK-së i përkiste “prirja e përgjegjësia e parë ndër punë të brendshme e të jashtme… në kohë lufte dhe paqeje”43, potencon një nga studiuesit më veçantë të asaj epoke, Bernardin Palaj, teksa hedh dritë për rolin e bajrakut nën pushtimin turk.
Ky diferencim politik e ky kontroll i rreptë në lëmin e sigurisë, nga ana e Serbisë, do t’i shtrëngojë rrathët çdo ditë e më tepër. Ai do të shoqërohet vazhdimisht me arrestime të secilit që do të guxojë të bëjë ndonjë veprim në lëmin e organizimit me karakter çlirimi. Janë të njohura arrestimet masive të fraksionit të parë të LPK-së, të njohur si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), por edhe i pjesëtarëve-bërthamë të dy ministrive të Qeverisë “Bukoshi “: asaj të Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Brendshme.
Ashtu siç kishte ndodhur me institucionin e bajrakut nën pushtimin turk, që gradualisht i ishte “dorëzuar traditës së vendit”, edhe anëtarët e këtyre partive pjesë e pushtetit legal pluripartiak në Serbi, do t’i japin gjak rezistencës që u ngrit në nivelin e UÇK-së të strukturuar në brigada, që për bërthamë de fakto kishte Këshillat Popullorë të LPK-së. Me të drejtë konkludon studiuesi ynë Gani Bobi, se “veprimi i rrafshit popullor të integrimit socio-kulturor ka arritur që të krijojë forma krejt të ndryshme me ato që janë imponuar nga pushtuesit. Kjo jo vetëm që duhet të merret parasysh për institucionet e veçanta që janë themeluar e stimuluar nga pushtuesit, e që gjatë kohës janë kthyer kundër tyre…”44.
Historia politike e Kosovës jo vetëm ajo e kuazipluralizmit të dekadës së fundit të shek. XX, por edhe e asaj kur funksiononin institucionet e KSAK-së (1974-1981), e tumirë këtë tezë, ndërkaq LDK-ja si fenomen politik e sforcon atë, meqë aktivizimi politik i qindra e mijëra veprimtarëve të saj në terren do t’i japë shpirt mbijetesës së kësaj pjese të kombit në këtë copë Shqipërie të okupuar. Ajo armatë aktivistësh, që besonin e vepronin në të mirë të institucioneve të shtetit (qoftë ai edhe paralel), meritojnë respekt.
Duket që pikërisht kjo frymë dominante në mesin e aktivistëve të LDK-së, do të jetë vendimtare në kohë lufte e në çastin më kritik, që do ta pamundësojë krijimin e qeverisë kuislinge në pranverën e vitit 1999, kur Beogradi po tentonte ta krijojë me ngulm. Por u mbetet historianëve, pas krijimit të mundësive për shfrytëzimin e arkivave, që të gjejnë arsyet reale pse Serbia nuk kishte tentuar më herët (gjatë dekadës së apartheidit më 1989-1999) të krijojë qeverinë kuislinge me seli në Prishtinë. Le të kujtojmë se Gjermania e Hitlerit, kudo ku kishte instaluar aparatin e saj ushtarak e të ndjekjes gjatë gjithë LDB-së, madje edhe në Francën e “kombit të madh” ia kishte arritur të instalojë qeveritë kuislinge. Historia, gjithsesi, do të hedhë dritë se ky dështim i Serbisë në pranverën e vitit 1999, ishte arsyeja themelore që do ta likuidonte prof. Fehmi Aganin, që ka zëra që pohojnë se kishte refuzuar postin e kryeministrit në atë qeveri kuislinge, që i duhej Beogradit ta shfrytëzonte si truk për ndërprerjen e bombardimeve nga NATO, duke ia imponuar Serbisë vënien në lëvizje të “Planit B”, që nënkuptonte tërheqjen e Ibrahim Rugovës në Beograd dhe depërtimin e tij më pas në Itali45.
***
Konferenca e Dejtonit (1995), pas tri vitesh lufte dhe gjenocidit serb ndaj kombit boshnjak, e kornizoi disi projektin që do t’i jepte fund luftës, duke imponuar paqen e brishtë dhe një shtet të dobët. Bosnja edhe pas tridhjetë vjetësh , në të gjitha analizat serioze, vazhdon të cilësohet si “shtet i dobët” ose edhe më keq, si “shtet në dështim”.
Konferenca e Rambujesë, teksti i marrëveshjes që i qe imponuar palës shqiptare për ta nënshkruar, në rast se do t’i mungonte aneksi B, me çka do të mund të ishte i pranueshëm për palën serbe, Kosovës ia rezervonte de fakto statusin e Reyervuatit që kishin indianët dikur në Meksikë.
Beogradi do të shtrëngohet ta nënshkruaj “aktin e Kapitullimit” pikërisht në Kumanovë më 9 qershor 1999. Vëreni se çfarë inercie mbart në kurrizin e saj historia: pushtimit të Kosovës nga armata serbe, ia kishte hapur portat beteja tepër e përgjakshme e Kumanovës më 24 tetor 1912. Në pamundësi që të kthehej te Marrëveshja e Rambujesë, Serbia projektoi idenë e amplifikimit të strategjisë së aplikuar ndaj Bosnjës – ndarjen e saj, respektivisht federalizimin dhe imponimin e statusit të shtetit në dështim.
Në vitin 1948, filozofi francez Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre), kishte publikuar një artikull në trajtën e një trakti, ku nënvizonte paradoksin politik të kohës, te konkludonte se, si popull “kurrë nuk kemi qenë aq të lirë se sa gjatë pushtimit gjerman”, meqë vetëm atëherë populli francez ia kishte arritur të shprehte ‘gjestin e angazhimit subjektiv tërësor'”.
Në pjesën e dytë të dekadës së apartheidit në Kosovë (1995-1999), që përkon me periudhën postdejtoniane, gjithë investimi i LDK-së që përmes rrugëve të veprimit liberal – reformistë, duke u prezantuar si partnerë bashkëpunues i qendrave vendimmarrëse, dukej se do të shkonin dëm; lufta do të jetë e pashmangshme. Në përballje me këtë rrjedhë të ngjarjeve, njëri nga themeluesit e LDK-së, aktualisht kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK), do t’i vlerësojë edhe pesëvjetëshin e parë të ekzistencës së LDK-së, si “Vite të humbura”.46 Por, nëse më tej analizohet edhe rrjedha e pjesës së mbetur të asaj dekade nën apartheidin serb dhe sjelljet e LDK-së, dhe dekada si tërësi, jo vetëm se do të mund të cilësohej si “dekadë e humbur”, por ajo do ta humbiste kuptimin edhe përcaktimit të Sartrit, meqë qëndrimi i LDK-së do të rezultonte absurd. Në ato rrethana, në vend që ne si popull të ishim të lirë në ndërtimin e “subjektivitetit tërësor” në shërbim të homogjenizimit në frontin e luftës, vazhduam të ishim të bindur ndaj gurusë dhe LDK-së, duke e fragmentarizuam qëndresën deri në absurd dhe duke sabotuar çfarëdo organizimi real çlirimtar47. Rrjedhimisht, po vazhdonte të ngrihej tashmë maja e “piramidës së vetëmashtrimit”. Rugova do të vazhdonte “të fshihej prapa idesë së madhe të pavarësisë së Kosovës, por asnjëherë nuk u angazhua realisht për çlirimin e saj”. Ndërkaq, për t’i larguar nga skena oponentët e mundshëm politikë, ai do të përdorte skemën e antikomunizmit, duke i quajtur ata si “marksistë-leninistë, jo aq sa për t’i satanizuar, sa për ta paraqitur kauzën shqiptare si komplot marksist-leninist”, pavarësisht faktit se “dy mandate ishte sekretar i organizatës së LKJ-së pranë Institutit Albanologjik”48.
I tillë, i pranueshëm për të gjithë, siç ishte Gandi, Rugova nuk do të ishte kurrë; ai nuk do ta pranonte asnjëherë UÇK-në si strukturë politiko-ushtarake çlirimtare.
Programi jo i dhunshëm i Gandit, sipas intelektualëve si Nehru, në thelb ofronte rrugëdaljen e duhur nga bllokimi që i kishin bërë Kongresit dy vijat politike, të cilat deri atëherë kishin treguar paaftësi për zgjidhjen e nyjës së ngërçit: ajo e dhunës (e Tilakut) dhe, e dyta, e konstitucionalistëve të brishtë që ishte praktikuar nga Kongresi49. Gandi, gjithnjë sipas B. Moore, prekte një tel shumë të ndjeshëm të qytetërimit hindu dhe e bënte atë në atë mënyrë, që de fakto e nguliste vendin në opozitë me britanikët, pra pa i kërcënuar interesat e shoqërisë indiane.
Tendenca për të imituar Gandin përmes organizimit të “Sistemit paralel”, respektivisht “Shtetit paralel”, do të dështonte tërësisht pas Konferencës së Dejtonit. Ajo tendencë në njërën anë kishte dëmtuar rëndë karakterin kryengritës të shqiptarit si qenie njerëzore aktive, në anën tjetër kishte lënduar keq e seriozisht dinjitetin e tij, pra palcën e vertikales së kombit.
Përmes aplikimit të të ashtuquajturit “refuzim estetik” në sferën e politikës reale, duke i dorëzuar pa farë rezistence institucionet legale e publike, ndërmarrjet ekonomike e korporatat e fuqishme si “Trepça”, KEK, “Agrokosova” etj., duke i pozicionuar shqiptarët si bllok në rolin e opozitës ndaj shtetit serb, por pa e cenuar fare aparatin represiv, funksionimin dhe sovranitetin e shtetit mbi Kosovën.
Kjo rezulton të ketë qenë arsyeja qenësore përse shteti serb toleronte të “funksiononin” mekanizmat e “Shtetit paralel”. Ndërkaq, liderit të tij, I. Rugovës, edhe i krijonte hapësirë veprimi, jo rrallë edhe duke e përcjellë shpurën e tij deri në aeroportin e Shkupit!
Por, në dallim nga Gandi, që krijoi e shpalosi në vazhdimësi programin e tij të veprimit, I. Rugova, de fakto,“funksionoi” pa program veprimi!
Në Perëndim, në qarqet intelektuale, janë të mirënjohura dy shtyllat mbi të cilat ishte ngritur programi i Gandit:
- Objektivi i pavarësisë dhe
- Metoda jo e dhunshme e mosbashkëpunimit (Satyagraha, që njihet edhe si “Rezistencë pasive”50.
Këtë program veprimi Gandi e parashtronte qartë në fjalimet dhe shkrimet e tij. Në Indi ai program njihej me emrin Suadeshi.
Mungesa e një programi të qartë politik, madje edhe në prag të luftës, e sjell LDK-në, dhe më specifikisht Ibrahim Rugovën, në përplasjen më serioze pikërisht më 1 tetor 1997 me Unionin e Studentëve të UP-së, por edhe me Lëvizjen Revolucionare, që tashmë kishte strukturuar bërthamat e para të UÇK-së. Qëllimi i studentëve për ta thyer status quo-në ishte jo vetëm e ligjshme, por edhe në përputhje me frymën revolucionare që po ndërlidhte Lëvizjen Studentore me UÇK-në në lindje.
Kjo sjellje e I. Rugovës, në thelb nuk kishte të bënte fare me frymën gandiste, siç pretendonin disa intelektualë oportunë të oborrit dje dhe vazhdojnë këtë melodramë ligjërimi edhe sot. Duke arsyetuar atë sjellje të tij obskurantiste, jo rrallë tentonin ta cilësonin LDK-në si një vazhdimësi e Lidhjes së Prizrenit, duke fyer inteligjencën e çdo dëgjuesi e lexuesi kritik.
Në këto rrethana, një shtresë intelektualësh nacionalistë progresivë, si Halil Alidemaj, Ukshin Hoti, Bashkim Mazreku, Bajram Kosumi etj., do të krijonin Partinë e Unitetit Kombëtar (UNIKOMB) ose do të merrnin drejtimin e Partisë Parlamentare, që në prag të Konferencës së Rambujesë dhe gjatë saj, tok me Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB), që do të themelohej më 1998 e do të drejtohej nga Profesor Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni e Mehmet Hajrizi, do të arrijnë të shndërrohen në faktor të kohezionit politik e kombëtar.
Sidoqoftë, në prag të luftës, LDK-ja do t’ia dalë edhe për shkak të karizmit të I. Rugovës, por edhe meqë gëzonte mbështete në qarqe të ndryshme politike europiane, sidomos në Romë e Paris, ta ruajë kursin e moderuar politik, duke mos tërhequr assesi fuqinë e zjarrit mbi vete.
Në këtë periudhë, për fat të keq, nuk do të mungojnë as cilësimet e tij për UÇK-në si “forcë terroriste” dhe, i nxitur nga Beogradi51, të mos ngurronte t’i bënte thirrje edhe FBI-së dhe Interpolit për të hetuar atentatin ndaj ish-rektorit serb të UP-së. Por në këtë linjë ai, sidomos në komunikim me gazetarë e diplomatë të huaj, do të shkonte edhe më larg, duke e cilësuar UÇK-në si sajesë të Serbisë!52
Por atë qetësi “buzë furtunës”, që dominonte në Kosovë deri në vjeshtën e vonë të 1997-ës, saktësisht deri më 28 Nëntor 1997, do ta shkërmonte shpejt dalja për herë të parë në skenë e UÇK-së. Brenda pak muajsh LDK-ja, de fakto, do të shkrihej në strukturat e shoqatës humanitare “Nëna Terezë”, ndërkaq si forcë politike ajo tashmë ishte pothuajse inekzistente. Lideri i saj, I. Rugova, do të shndërrohej në një peng të llojit të vet, ashtu siç do të përfundonte edhe si politikan e lider “sui generis”, i pashoq në të gjithë historinë tonë moderne.
Gandi qe vrarë në vitin 1948. Rugova si politikan, de fakto, qe “vrarë” atë ditë, kur me shpurën e tij kishte lënë Prishtinën dhe ishte nisur për Beograd, duke e lënë Kosovën në shkrumb e hi (1999), ndërkaq në mbrëmje shihej në takimin e tij më kompromitues me S. Millosheviqin.
Vajtja e tij nga Beogradi për Romë dhe qëndrimi i tij për disa javë totalisht i izoluar, i ngjet më shumë një stivimi të mumieve në morg, për t’u rinxjerrë prej atje për qëllime eksperimentimi e studimi, siç ishte vepruar me trupin e Fricit të gjetur në Alpet e Austrisë.
Ringjallja e tij pas luftës kishte karakter misionar politik dhe ishte në funksion të eksperimentimit, por që pjesërisht mund të vlerësohet i dështuar. Misionin e tij do ta vazhdojë “Gjarpri” i shtëpisë, që ishte katapultuar fillimisht në krye të UÇK-së, ndërsa pas vdekjes së Rugovës, edhe në krye të Republikës! Fundi i Rugovës, pavarësisht burbujës53 shtetërore, megjithatë ishte i natyrshëm. Fundi i “Gjarprit” duket do të jetë tragjik.
Liri pa heronj
Në fjalinë e parë të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së (1776) thuhet: “Të gjithë njerëzit janë të krijuar të njëjtë”. Në këtë linjë rezonimi ishte edhe fryma që promovonte Deklarata Franceze për të Drejtat e Njeriut dhe Qytetarëve (1789), ku potencohet taksativisht se:”Njerëzit kanë lindur të lirë dhe të barabartë dhe ata mbesin të lirë”. Shoqëria njerëzore , sidomos gjatë shek. XX, do të bëjë hapa të tjerë me peshë në dobi të lirisë së individit e asaj kolektive, por edhe për mbrojtjen e dinjitetit.
Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, e aprovuar nga OKB-ja më 1948, potencon me theks të veçantë se: “Të gjithë njerëzit janë të lindur të lirë, me dinjitet e të drejta të barabarta”.
Shoqëria jonë, sidomos civilizimi perëndimor, arriti këtë stad të prosperimit pas përplasjeve e revolucioneve të njëpasnjëshme. Secila epokë nxori heronjtë e vet. Edhe në Kosovë prosperimi i këtyre të drejtave kishte heronjtë e vet: ajo, pas LDB-së, konform rrethanave të krijuara, fillimisht promovoi heronjtë e emancipimit dhe të iluminizmit të vonuar; vitet ’60-të nxorën në skenë heronjtë që do të imponojnë të drejtën për përdorimin e Flamurit Kombëtar dhe atë për arsim të lartë, bashkë me atë për ruajtjen e selitjen e identitetit kombëtar. Nuk është e rastësishme, që ndoshta jemi i vetmi popull në botë, që fëmijët i pagëzojmë me emrat Flamur e Abetare.
Vitet ’80 do të nxjerrin në skenë heronjtë e rinj: ata ishin të burgosurit politikë – heronjtë e Republikës.
Fundi i asaj dekade do ta sjellë në skenë LDK-në (1989), që përkonte me një lloj oportuniteti intelektual, që lançoi opinionin politik të utopisë. Ajo ndërlidhej me tezën e politologut amerikan, Francis Fukujama, për “Fundin e historisë”, respektivisht me tezën e tij mbi “Gjendjen homogjene në rrafshin ndërkombëtar”54, që kishte trumbetuar triumfin e demokracisë liberale.
Në Europë, por madje edhe në të gjithë Hemisferën Perëndimore, rënia e Murit të Berlinit e, me këtë ribashkimi i Gjermanisë dhe çlirimi i Europës Lindore e asaj Juglindore nga tutela ruse, kishte krijuar parakushtet e natyrës psikologjike të shpërthimit të utopisë me karakter fantazie për fitoren përfundimtare e të pakthyeshme të demokracisë. Po agonte epoka e lirisë, e paqes dhe e progresit, e cila (sipas kësaj utopie) nuk do të kishte nevojë për heronj!
Kjo lloj fantazie, sipas filozofit gjerman Dieter Thmἃ (Diter Tome), profesor në Universitetin e St. Gallen-it (CH), do të shtrihej e do të dominonte gjatë gjithë periudhës që do të përthekonte vitet 1989-2001. Kjo periudhë utopie politike, siç shihet, fillon me çastin e rënies së Murit të Berlinit, që do të thotë me shkërmoqjen e socializmit militant, e vazhdon deri në çastin kur u goditën Kullat Binjake në Nju-Jork (2001). Ndërkaq, pikërisht më 11 shtator 2001, atë çast do të shkërmoqej edhe utopia për një botë në paqe, miqësi dhe liri. Ajo, madje, “do të dëshmohet si tmerrësisht false”55.
Më pas, edhe vetë Fukujama do të shprehet me tone vetëkritike: “[Unë] nuk kisha menduar për mundësitë e rënies politike – për mundësitë se edhe një demokraci e etabluar mund të pësojë rënie. […] do të mund të thuhej se më kishte zënë realiteti”56.
Ky qëndrim vetëkritik i Fukujamës do të duhej t’i ketë shërbyer për reflektim politik dhe gjykim real njërit prej ideologëve të LDK-së në fillet e saj, Mehmet Krajës, kur do ta cilësonte një periudhë të mirë të jetës së LDK-së si “Vite të humbura”. Duket se përmes këtij libri, autori sikur do të bëjë një lloj prerjeje mes fazave të veprimit të LDK-së në dekadën e fundit të shek. XX dhe sidomos asaj në prag të luftës dhe gjatë saj.
Por, për studiuesit e shkencave humane, para së gjithash politologët dhe historianët, koha kërkon përgjigjet e sakta në pyetjet e sakta e decidive, si këto më poshtë:
- A ishin edhe pesë vitet “e arta” të LDK-së (1989-1995) produkt i iluzioneve politike, utopisë dhe fantazisë për të cilën shkruan filozofi gjerman D. Tome, të gërshetuara e të ndërlidhura vetëm me utopinë në fjalë, apo kishim të bënim me një platformë politike, që është e ndërlidhur me “skemat piramidale të Rugovës”, që kishin si mision mashtrimin e vetëmashtrimin politik?
- Akti i ngritjes së këtyre “Skemave piramidale të Rugovës”, këtij mashtrimi e vetëmashtrimi politik, a kishin një lloj ndërvarësie me poshtërimin si mision dhe akt politik?
- Fundja, cili është fenomeni LDK?
Mos vallë fenomenin LDK mund ta shpjegojmë vetëm përmes rikthimit te Frojdi [Interpretimi i ëndrrave -1899]?! Tashmë është verifikuar nga provat shkencore, se një logjikë e re mbizotëron në një mendje në ëndërrime, e cila ndryshon nga logjika e mendjes në gjendjen e saj normale, ndërsa vë rregull në elementet e palidhshme dhe heterogjene57.
Por, për këso gjendjeje gjykimi në kokat e ideologëve të LDK-së, me gjasë më mirë se Frojdi, do të na ndihmonte Arnold Hauzeri. Për një kategori krijuesish letrarë e studiuesish, ai potencon se “ëndrra u bë një paradigmë, në të cilën realiteti dhe jorealiteti, logjika, fantazia, banalja dhe e mrekullueshmja formonin një unitet të pazgjidhshëm58“. Apo mos vallë kemi të bëjmë me intencën e rikthimit dhe të aplikimit të idesë së antikitetit në mendjen këtyre ideologëve për bashkimin e të kundërtave. Nëse kjo në letërsi është e mundur, respektivisht një lloj eksperimenti i tillë mund të jetë i akceptueshëm. Ky ngatërrim i realitetit politik me atë imagjinar, letrar, nuk kishte si të mos prodhonte “Skemat piramidale” të mashtrimit dhe të vetëmashtrimit, që rezultuan me kosto të lartë për Kosovën.
Poshtërimi si akt politik
Aktet e vullnetit politik progresiv që përmendëm më lart (Deklarata amerikane – 1776, ajo franceze për të Drejtat e Njeriut -1789)… janë inkorporuar ndërkohë edhe në kushtetutën e Republikës sonë.
Një përballje me kolonizatorët serbë, studentët tanë (1981) këto postulate të drejtësisë i përvetësuan me vullnet e dashuri. Natyrisht, të vetëdijshëm për pozitën reale të Kosovës, ata ishin të bindur se vetëm duke u organizuar politikisht mund të flaknin vargonjtë e kolonializmit, që në dekadën e fundit, siç e kemi theksuar ndërkohë, ishte i përmasave të apartheidit. Ky fakt u bë i qartë për të gjitha shtresat, sidomos në vitet pas suprimimit të autonomisë (mars 1989). Kjo ishte periudha, kur Beogradi nuk do të ngurronte të përvetësonte shumë prej elementeve, që më kohë po i aplikonin kolonizatorët britanikë në Afrikën e Jugut.
Të kemi parasysh paradoksin historik:
Masat, si: segregacioni, hedhja e punëtorëve në rrugë, getoizimi etj., Serbia po i vinte në jetë në dekadën e fundit të shek. XX, dhe këtë në truallin e Europës dhe në sy të promovuesve të demokracive liberale triumfuese!
Rrjedhimisht, kjo ishte dekada që kërkonte sakrifica të mëdha. Aktet heroike individuale nuk mjaftonin. Po bëhej gjithnjë e më e qartë se Liria, hapësira e ruajtjes e selitjes së dinjitetit shqiptar, kërkonin heroizmin e masave. Në këtë kuptim, brezi i 1981-it do ta përvetësonte drejt mesazhin brehtian, i konceptuar drejt në përputhje me ambientin tonë politik e kulturor. Brehti, me gjuhën e satirës, në dramën e tij të famshme “Leben des Galilei” (Jeta e Galileit), apelon për domosdonë e shndërrimit të popullit në hero: “Është i pafat ai vend, që ka nevojë për hero!”
Brehti, si marksist që ishte, si hero të dramës së tij nuk donte të kishte Galilein, por vetë popullin59, që nënkupton se, sipas Brehtit, rezulton të jetë i pafat ai komb që, kur ia kërkojnë nevojat, nuk shndërrohet në hero. Duket se këtë mesazh kuptimplotë, më mirë se shumë intelektualë konformistë në Prishtinë, atëbotë e kishte kuptuar ai grusht i kriptoelitës dhe atipikët e denjë, që cilësohen si Timote të epokës sonë, si Adem Jashari, Fehmi Lladroci, Zahir Pajaziti…
Shndërrimi i popullit në masë heroike në historinë tonë ka traditë të bujshme. Nuk ishte e rastit, që rilindësit tanë e kishin pagëzuar Gjergj Kastriotin kryehero.
Ajo epokë e lavdishme e tij e kishte shndërruar çdo ushtar e komandant në hero, ndërkaq ata prijës kishin kryeheroin e tyre, Gjergj Kastriotin. Në fakt, jo vetëm oficerë e ushtarë, por për 25 vjet rresht, nën drejtimin e kryeheroit, një popull i tërë ishte shndërruar në masë heroike.
E tillë ishte edhe epoka e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë (UNÇSH). Kjo epokë do ta rimishërojë Oso Kukën te Vojo Kushi, ndërkaq ushtrinë partizane do ta ngrejë në një masë heroike.
Edhe heroizmi kolektiv i ushtarëve të UÇK-së së vegjëlisë, po i hapte rrugë procesit të shndërrimit të popullit në masë heroike. Kjo frymë ishte kultivuar nga ai brez revolucionarësh, që kishin nxjerrë në dritë demonstratat e 1981-it dhe ilegalja.
***
Demonstratat e 1981-it për shumëçka mund të shihen edhe si pararendëse të Revolucionit të Kadifenjtë për të gjithë Europën Lindore e Qendrore. Ato kanë edhe një peshë tjetër për historinë moderne të Europës, meqë shkërmoqën tezën për gjoja përparësi diferenciale të “socializmit vetëqeverisës” jugosllav në raport me çështjen nacionale të trumbetuar si të zgjidhur tashmë, në krahasim me të ashtuquajturin “socializëm real” të Europës Qendrore e asaj Lindore. Këto iluzione që ushqeheshin nga një shtresë e së majtës europerëndimore, por edhe nga e ashtuquajtura elita jonë kulturore e autonomiste, do të mund të kenë qenë mbase motive shtesë, sepse disa nga qeveritë e majta liberale nuk e mbështesnin kauzën tonë për liri e Republikë as atëbotë, e as më vonë. Madje, ca prej tyre ngurruan shumë të marrin pjesë në aksionin e NATO-s kundër forcave serbe (1999).
Rolin e madh të demonstratave të 1981-it do ta kishim edhe më të qartë, nëse ato i krahasojmë me ngjarjet që pasuan në vitet e kthesës së madhe me revolucionet paqësore në Lindje të kontinentit tonë, para së gjithash në Gjermaninë Lindore, Poloni, Hungari etj., në prag të shkërmoqjes së BRSS-së dhe komunizmit alla-rus.
Qytetarit shqiptar në ish-RSFJ nuk i mungonte liria e lëvizjes, por atij i mungonte shumë më shumë: i mungonte vetë Liria. Atij i mohohej e drejta edhe për vetëvendosje, rrjedhimisht i mungonte liria kombëtare. Prandaj demonstratat e 1981-it duhen analizuar e vlerësuar edhe për kontributin që ato dhanë edhe në rrafshin ndërkombëtar dhe kjo për dy arsye:
- Në rrafshin ndërkombëtar ato demaskuan tezën për gjoja zgjidhjen e çështjes etnike në formacionet shoqërore komuniste;
- Dhe demaskimi i dytë kishte të bënte me tezën mbi pozitën e rrejshme të klasës punëtore në të ashtuquajturat shoqëri me rend socialist.
Paraprakisht, tezën e dytë e kishin goditur rëndë grevat e punëtorëve në Poloni dhe lëvizja sindikaliste “Solidarnost”. Ndërkaq, demonstratat në Kosovë dhe pjesëmarrja e punëtorëve në mënyrë masive në to, sidomos më 1 e 2 prill, po e shpërfaqnin edhe më shumë pozitën sociale dhe nacionale të pazgjidhur jo vetëm të shqiptarëve.
Demonstratat e vitit 1981 ishin produkt i frymës revolucionare, prandaj ato janë shndërruar në epokë dhe, si të tilla, me peshë të madhe në historinë moderne të kohës. Nuk ishte e rastësishme që grupet e organizuara ilegale, që u përfshinë në organizimin e tyre, do të shërbenin si fidanishte të nacionalizmit progresiv, kur do të shkriheshin në LPK. Ndërkaq, kuadri drejtues i UÇK-së, sidomos ai operativ, por sidomos ai i G2-it (inteligjenca e UÇK-së), do të përbëhej kryesisht nga ish-të burgosurit politikë. Këtë fenomen – të qenit nacionalist progresiv – e kishte veneruar mirë gjatë kohës, sa edhe vetë ishte bashkëvuajtës me ta, profesor Ukshin Hoti, e sidomos në vitet ’90-të, kur do të bashkëpunonte me një pjesë prej tyre për nxjerrjen e revistës “Demokracia autentike” në Lubjanë.
Kjo frymë e nacionalizmit progresiv, që do të ketë shtrirje horizontale te brezi i ri, por edhe te shtresat e tjera gjatë viteve ’90-të, qoftë përmes Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, qoftë përmes qëllimit që LDK-në ta shndërrojnë në Lëvizje Gjithëpopullore – masë heroike, ai do ta cilësojë si shprehje plebishitare për Republikën dhe demokracinë autentike. Në këtë Condita Heroica profesor Hoti jetoi me tërë qenien e tij, duke u shkrirë brenda saj dhe, madje, edhe duke pranuar që të vihej në krye të UNIKOMB-it.
Profesor Ukshin Hoti, si një nga njohësit e jashtëzakonshëm të mendimit politik dhe të historisë politike, sikur e kishte parandier se entuziazmi revolucionar mund të ketë kufijtë e tij të natyrshëm. Ai ishte i bindur se Kosova, jo vetëm gjatë luftës, por sidomos kur të gëzonte lirinë, përgjatë një periudhe të mirë të konsolidimit shtetëror, do të kishte nevojë sa për lirinë, po aq edhe për demokracinë autentike si formë të qeverisjes, respektivisht për atë tip të ri të heroit/politikan idealist, që nuk e ndan politikën nga etika. Prandaj ai shprehte bindjen, se demokracia autentike, që në literaturën moderne përafrohet me tipin e demokracisë deliberative, do ta selitë atë tip të homosapiensit politik shqiptar, që do ta bënte Republikën shpejt funksionale dhe plotësisht në shërbim të bashkimit. Në të kundërtën, defunksionalizimi i Republikës, ngjashëm me poshtërimin si akt politik që i ndodhte shqiptarit si qenie njerëzore gjatë dekadës së fundit të shek. XX, madje edhe mbajtja e Republikës si peng i fateve personale, e, rrjedhimisht, në stadin e shtetit të dobët ose në dështim, shkon në favor të Serbisë dhe të ish-kolaboratorëve të saj ende aktivë në Kosovë.
Këto veprime filozofi gjerman Diter Tome do t’i cilësonte jo si shprehje të “maturisë së demokracisë”, siç po manipulojnë një pjesë intelektualësh ndër ne, duke arsyetuar kakofoninë rreth demonstratave të vitit 1981 dhe rolit të ish-të burgosurve në shoqërinë tonë, por si “akt të poshtërimit të njerëzimit”60.
Duke e shtjelluar këtë fenomen edhe në rrafshin real historik, përveç atij teorik, D. Tome nënvizon: “Ata që kanë problem me heronjtë, mendojnë se potencimi i tyre (pra i heronjve),është i ndërlidhur me nënvleftësimin automatik të joheronjve. Ata këtë çështje e ndërlidhin me skemën ekonomike, me ç’rast gjatë ndarjes së të mirave, respektivisht vlerave, mes heronjve dhe neve (qytetarëve të rëndomtë – SR), gjykojnë se po shkojnë instinktivisht drejt ingranazhit të “lojës së shumës zero” (Nullsumenspiel):Sa më shumë të admirohet heroi, aq më turpshëm reflektohet dobësia jonë”61.
Profesori i Universitetit të Kembrixhit, Herbert Butterfield, teksa shkruan për fenomenet historike që u janë nënshtruar modeleve logjike të analizës, siç janë lëvizjet politike, zhvillimet me ndikim të theksuar historik, bie fjala Lufta e Peloponezit (Moresë sonë), refleksioni i revolucionit borgjez francez (1781), Revolucioni rus i Tetorit (1917) etj., thekson se “prapa konflikteve domethënëse të njerëzimit qëndron një lloj shtrëngimi i jashtëzakonshëm. Këtë lloj shtrëngimi nuk e vënë re bashkëkohësit, ose, më keq, ata e mohojnë atë, duke mos ia njohur as edhe autenticitetin e tij“.
Këtë rrjedhë të mendimit ai e vazhdon më tej, duke konkluduar se njohjet, dijet tona, rrjedhin ose janë produkt i analizave të mëvonshme. Vetëm hulumtimet dhe studimet historike për tema të veçanta e sjellin njerëzimin në dijeni të asaj se kishin të bënin me një nyjë të jashtëzakonshme – […] “se ky shtrëngim, që ka të bëjë me dilemën e pazgjidhshme, është pa dyshim pjesë e sistemit të ndërlidhur të konfliktit njerëzor. Ajo dilemë, në thelb, ka të bëjë me ndërtimin e secilës fazë të konfliktit”.
Nëse i venerojmë mirë dy pikat kulmore të këtij lloj “shtrëngimi të jashtëzakonshëm”: demonstratat e vitit 1981 dhe shpërthimi i luftës së UÇK-së (1998), që në thelb kishin të bënin me dilemën e pazgjidhshme të shqiptarëve në ish-Jugosllavi: lirinë kombëtare, atëherë e kuptojmë qartë si rolin historik të demonstratave të 1981-it, ashtu edhe atë të luftës së UÇK-së (1998-’99) dhe ndërlidhjen e tyre me krejt rrjedhën historike të këtyre katër dekadave, por edhe pozitën dhe rolin e shqiptarëve sot me trandjet gjeopolitike aktuale që kanë të bëjnë me Europën Juglindore, që padrejtësisht është emërtuar në këtë rrafsh komunikimi si Ballkan Perëndimor.
LDK-ja dhe “Lufta surrogate” e Serbisë
Demonstratat e pranverës së 1981-it e bënë më të qartë faktin, se raportet mes Beogradit dhe Prishtinës, respektivisht shqiptarëve dhe serbëve, tashmë kishin hyrë në një fazë të re: paqen nga lufta për dy dekadat pasuese e ndante vetëm një fije floku, ndërkaq periudha pas 23 marsit 1989 de fakto ishte prolog i tejzgjatur i luftës. Madje, në komunikimin publik, në takimin e shkrimtarëve serbë dhe atyre shqiptarë në Beograd në vitin 1988, poeti Milan Komneniqi deklaroi: “Zotërinj, jemi në luftë! Kur e dimë këtë gjë, atëherë pse e fshehim? U shpall apo nuk u shpall lufta, kjo është vetëm punë forme”62.
Kjo gjendje as luftë e as paqe, megjithatë, do të vazhdojë për dy dekada, për aq kohë sa Serbia do ta realizojë de fakto projektin e saj të zgjerimit në Perëndim, me krijimin e Sërbska Republikës autoktone,. Por pritshmëritë e Beogradit do të tejkalohen, kur në Dejton do të përcaktohen kufijtë, që do të përfshijnë 49% të gjeografisë së Bosnjës, pavarësisht se në përbërjen e popullsisë së Republikës, serbët kishin vetëm 33% të popullsisë reale.
Por fjala “luftë” herë me ndajshtesën “kundër separatistëve e irredentës shqiptare”, e herë pa të, në dy dekadat e fundit të shek. XX do të shndërrohet në një metaforë të përdorimit ditor, siç ndodh në jetën reale, p.sh., në Amerikën Latine me shprehjen “Lufta kundër kartelave të drogës”, apo atë në Lindjen e Mesme me sintagmën “Lufta kundër terrorizmit”, ku monopoli i dhunës nuk zotërohet e as nuk ushtrohet vetëm nga shteti.
Pranvera e 1981-it do ta shtrëngojë Beogradin, që gradualisht të heqë dorë nga maskimi i pushtetit kolonial. Këtë do ta bënte edhe në rrafshin juridiko-politik më 23 mars 1989, kur do të heqë edhe formalisht atë “mbetje të autonomisë”, që Kosova gëzonte ende sipas kushtetutës së vitit 1974, ku ajo figuronte formalisht si njësi federale e RSFJ-së, paçka se njëkohësisht ishte edhe pjesë integrale e Serbisë!
Me këtë rast, Republikat e Veriut të Federatës Jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, reaguan, por tepër mefshtë, se ky hap që aplikoi Serbia në Kosovë ishte agresion në sistemin juridiko-kushtetues dhe, rrjedhimisht, e çojnë pashmangshëm vendin drejt shndërrimit në Serbi të Madhe. Ndërkaq, republikat e tjera (Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia) qenë rreshtuar pothuajse tërësisht prapa projektit serb.
Shovinistët bullgarë të konvertuar formalisht në “maqedonë”, do të vepronin me intensitet edhe më të shtuar, duke i shndërruar hapësirat e banuara me shqiptarë – Maqedoninë Verilindore e atë Perëndimore – në poligon testues për aplikimin e teorive dhe akteve praktike antishqiptare serbe pikërisht aty, para se ato të aplikoheshin në Kosovë! Kështu lufta po gjente format e shprehjes dhe të aplikimit çdo ditë, duke i dhënë asaj përmbajtje të re.
Tek actekët, fjala luftë kishte karakter edhe ritual. Ndërkaq, për kinezët, gjatë epokës së dinastisë Han, lufta, respektivisht zhvillimi dhe drejtimi i saj, ishte njëkohësisht edhe një lloj e drejte dhe obligim për rend hyjnor63.
Në Europë, lufta ka të bëjë me ekspansion dhe pushtim të hapësirës (Lebensraum). Serbët, në dy dekadat e fundit të shek. XX, në Kosovë po aplikonin një lloj kombinimi mes “të drejtës hyjnore” (duke u thirrur në kisha) dhe asaj për ekspansion, respektivisht hapësirës për jetë. Prandaj ata, pas demonstratave të 1981-it, po përgatiteshin në të gjitha planet për “fitore vendimtare” kundër shqiptarëve. Më 1989 Beogradi do t’u imponojë kapitullimin pa kushte “autonomistëve”, duke i detyruar, madje, që ta votojnë suprimimin e autonomisë dhe duke “e arsyetuar” këtë akt edhe me gjuhën e “shkencës”.
Instituti për Kërkime Juridike dhe Shoqërore i Fakultetit Juridik të Prishtinës më 26 tetor 1988 mbajti një tryezë për diskutim shkencor publik mbi amendamentet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Serbisë dhe në Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në atë diskutim mbi 10-orësh ishin paraqitur plot 24 kumtesa. Me këtë rast po sjell disa paragrafë specifikë nga dy kumtesa: ajo e dr. Riza Smakës dhe tjetra e dr. Esat Stavilecit.
Dr. Riza Smaka kumtesën e tij e kishte përmbledhur në formë tezash, ku përfshinte gjithsej 16 sosh. Në dy tezat e fundit (15 dhe 16) ai shprehet saktësisht:
“15. Konsideroj se përfillja parimore dhe konkrete e Vendimit të Kuvendit të RSS-së për ndryshimet e Kushtetutës të RSS-së, është obligim kushtetues, politik e profesional, si dhe parakusht i zgjidhjes parimore të çështjeve ende të hapura, të cilat, në opinionin publik relativisht janë politizuar, janë bërë të diskutueshme dhe, jo rrallë, reciprokisht të kontestueshme.
16. Po qe se gjatë punës së mëtejme, në harmonizimin e ndërsjellë të këtyre çështjeve, merren për pikënisje formulimet autentike të Vendimit të Kuvendit të RSS-së për ndryshimin e Kushtetutës së RSS-së, si dhe përcaktimet e LKJ-së, të shprehura në dokumentet e Kongresit XIII të LKJ-së, si dhe rezultatet e diskutimit publik për analizën kritike të sistemit politik të vetëqeverisjes socialiste, zgjidhjet e përbashkëta do të jenë të përbashkëta, të pranuara dhe në funksion të zhvillimit të sistemit tonë shoqëror-politik dhe ekonomik, si dhe të afirmimit të parimeve themelore të Kushtetutës së RSFJ-së e, në radhë të parë, të barazisë nacionale, bashkëjetesës, vëllazërimit e bashkimit”64.
Por edhe më i qartë pro këtyre ndryshimeve kushtetuese që kërkonte Beogradi, na rezulton juristi “filozof”, dr. Esat Stavileci.
Kumtesën e tij ai e fillon me këtë fjali:
“Mirë është, ndoshta, që ne të fundit ose, së paku, ndër të fundit, po deklarohemi për ndryshimet kushtetuese, duke pasur parasysh misionin tonë… Në fillim u jap përkrahje të plotë qëndrimeve të Plenumit XVII të KQ-së së LKJ-së… Qëndrimet për forcimin e unitetit dhe të bashkëjetesës në RS të Serbisë kanë rëndësi qenësore jo vetëm për stabilitetin politik të RS-së së Serbisë, por edhe të Jugosllavisë në tërësi. (…) Tashmë nuk ka dilemë për pro apo kundër ndryshimeve kushtetuese. Është mirë që jemi përcaktuar për ndryshime”65. Ndërkaq, pikërisht këto ndryshime do të çojnë deri te vendimi i Beogradit për heqjen e autonomisë!
Beogradi prandaj do ta thellonte talljen me “Shtetin fiktiv” dhe “Presidentin e tij historik”, Ibrahim Rugovën, në kulmin e bombardimeve nga NATO-ja, duke e “marrë në mbrojtje”, që de fakto, po e trajtonin si “një lloj pengu” qoftë duke e stacionuar një njësi për ditë të tëra në “rezidencën” e tij në Velani, qoftë kur e depërtuan në Beograd, përderisa do ta dorëzojnë, me gjithë familjen e shpurën e ngushtë të tij, te diplomacia italiane si një “dhuratë të premtuar“.
***
Nocionin “luftë” dhe të kuptuarit e këtij nocioni, si dhe togfjalëshin “gjendje lufte”, (meqë kanë të bëjnë me kulturën politike të secilit popull veç e veç, derisa ajo shpërtheu dhe mori përmasat e gjenocidit sidomos në Bosnjë), qytetarët nuk e ndanin qartë kufirin mes luftës speciale që ushtronte Beogradi në Kosovë dhe asaj reale që do të shpërthente në mars 1998. Mos të futim pambuk në veshë dhe të vazhdojmë të shtiremi edhe tashti pas katër dekadash, duke iu shmangur fakteve kokëforta: që në krijimin e LDK-së (23 dhjetor 1989), në krye të saj u instaluan personalitete të “policisë letrare”, që vinin kryesisht nga institucionet e kulturës: Lidhja e Shkrimtarëve, Pallati i Shtypit “Rilindja” dhe Instituti Albanologjik; një pjesë e mirë e tyre, përfshirë edhe Ibrahim Rugovën, ishin jo më pak se sekretarë të të ashtuquajturave Organizata Themelore të LKJ-së, përmes së cilave UDB-ja mbante nën kontroll dhe drejtonte këto institucione. Në të ashtuquajturat “luftëra surrogate” palët në konflikt janë përherë në kërkim të mjeteve zëvendësuese, me të cilat ata planifikojnë ta përballojnë luftën me dëme sa më minimale. Si element substitut u shërbejnë njerëzit ose makinat. LDK-ja në njërën anë, pas dështimit të funksionalizimit të plotë të Ministrisë së Mbrojtjes66, po tallej me teorinë e trinitetit të Klauzevicit që bazohet në SHOQËRI, në SHTET dhe në USHTRI, duke i dhënë kështu Beogradit adutin e fuqishëm të shpërfytyrimit të konfliktit, ndërkaq në anën tjetër, duke vënë në “gjumë letargjik” një popull të tërë, ua dorëzonte projektin e shtetit (nëse e kishte) shërbimeve të huaja, marionetë e së cilave tashmë ishte shndërruar në tërësinë e saj!67
***
Pranvera e 1981-it, ai shpërthim revolucionar i rinisë kosovare, ia kishte bërë të qartë Serbisë, se lufta e saj nga tetori 1912 e deri atëherë (mars-prill 1981), që kishte për objektiv ose ta zhdukte fare ose ta asimilonte shumicën shqiptare, duke ndërruar hartën demografike të saj dhe duke e shndërruar popullsinë shqiptare në minorancë, tashmë kishte pësuar fiasko të pariparueshme ose ishte vënë në pikëpyetje më seriozisht se kurrë. Shumë çështje, për të cilat në Beograd gjykohej se ishin mbyllur, po vihej re se duheshin rihapur e rigjykuar. Kushtetuta e fundit (1974), ndërkohë që gjykohej në qarqet shoviniste të njohura, si ASHA të Serbisë, Kishë, Ushtri, UDB etj., por edhe në ato të politikës, duhej korrigjuar urgjentisht në dobi të “Unitetit të shtetit e kombit serb”. Universiteti i Prishtinës, qendra e arsimit, dijes dhe e shkencës, që shërbeu njëkohësisht edhe si instrument qenësor i zgjimit dhe selitjes së zgjimit e formimit të ndërgjegjes kombëtare, pasi qe shpallur si “qendër e irridentës”, rrjedhimisht, sipas Beogradit, duhej mbyllur.
Në Kosovë ora politike po kthehej në epokën e A. Rankoviqit. Diferencimi dhe izolimi, burgosjet dhe vrasjet me prapavijë politike, sërish aplikoheshin si mjete lufte, që arsyetonin qëllimin. Kjo me aplikimin e segregacionit dhe të apartheidit, mbylljen e Universitetit dhe shumicën dërmuese të shkollave. Kosova humbi kompetencat që kishte në fushën e legjislacionit dhe ekzekutivit, madje edhe në lëmin e arsimit në rrafshin lokal.
Vetëm tri javë pasi që u ndanë shkollat, më 22 mars 1990, pasoi helmimi masiv i nxënësve shqiptarë (7 000-8 000 nxënës) në disa qytete njëkohësisht. Mbi 100 000 nxënës e studentë u vendosën në mënyrë permanente në 3 200 shtëpi, bodrume dhe garazhe private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara68.
Ky terror shtetëror do të shtrihej edhe në kazermat e Armatës Jugosllave, prej nga do të vinin në arkivole me qindra të rinj tanë. Ai (terrori shtetëror) ndërlidhej e koordinohej me dërgimin e ftesave për të rinjtë shqiptarë për të kryer shërbimin ushtarak. Ndërkaq, segmenti vepronte në rrafshin operativ (kryesisht përmes ish-zyrtarëve shqiptarë të UDB-së) në rrjetin e inkriminuar të trafikimit të qenieve njerëzore për Perëndimin. Një brez i tërë i të rinjve po merrnin rrugën e mërgimit për në Perëndim. Kosova pothuajse “po mbetej në vasha” dhe do të lëshonte alarmin plot dëshpërim, po të ishte në jetë Gjergj Fishta.
Gjithandej ishte mbjellë “frika kolektive”69, do të thoshte Prishingu. Po hynim në fazën më të vështirë të historisë: atë të nënshtrimit kolektiv! Kësaj i kishte shërbyer gjithsesi, madje shumë, edhe LDK-ja! Ky nënshtrim kolektiv fillin e kishte te “nënshtrimi i mendjes nga frika e dënimit”70 dhe pasonte me talljen dhe përdhosjen e dinjitetit në shkallë kolektive.
Gjarpri si mallkim “hyjnor”
Lëvizja jonë Revolucionare e kishte historinë e saj të përmbushur me përballje të vazhdueshme me shërbimet inteligjente jugosllave për dekada të tëra, me theks të shtuar pas demonstratave të 1981-it.
Zhvillimet në rrafshin ndërkombëtar, që pasuan LDB-në, ndarja e botës në dy blloqe të fuqishme politiko-ushtarake, do të paralajmëroheshin përmes mesazhit të Truman-it, që qe bërë publik më 12 mars 1947. Përmes mesazhit, presidenti amerikan bënte të qartë dy objektivat e politikës së jashtme amerikane:
- Objektivin ekonomik, që ndërlidhej me rindërtimin e Europës së shkatërruar gjatë LDB-së.
- Objektivin politik, që përkthehej në veprimin aktiv për pengimin e shtrirjes së influencës ruse gjithandej, nga Elba e deri në Kore.
Sekretari i atëhershëm i Shtetit, George Marshall, do ta bëjë publik “Programin për Rindërtimin e Europës”, të njohur si “Plani Marshall“, gjatë një fjalimi në Universitetin e Harvardit.
Koncepti i “Planit Marshall” buronte nga ideja, se në vendet e dobësuara nga lufta, mundësia e vendosjes së komunizmit ishte më e madhe, prandaj duhej të ndërhyhej me programe të karakterit social e rindërtues, ndërkaq, me kalimin e kohës, kostoja e rindërtimit do të ishte shumë më e lirë, sesa zgjerimi i sferës së influencës sovjetike.
“Parimet demokratike nuk lulëzojnë me barkun bosh”, – tha ish-Sekretari Amerikan i Shtetit George, C. Marshall, kur mori çmimin “Nobel” për paqen në vitin 1953.
Nga viti 1948 deri në vitin 1953, Shtetet e Bashkuara u dhanë 13 miliardë dollarë 16 ekonomive europiane që morën pjesë në “Planin Marshall”. Plani ishte një sukses i madh. Vendet që morën pjesë në program (Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania Perëndimore, Britania e Madhe, Greqia, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia, Zvicra dhe Turqia) patën një rritje prej 15-25 për qindësh në prodhimin kombëtar bruto gjatë asaj periudhe71.
Lufta e Ftohtë ishte një periudhë e tensionit gjeopolitik midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre përkatës, Bllokut Lindor dhe Bllokut Perëndimor, pas Luftës së Dytë Botërore, por që në thelb ajo do të fillonte pa përfunduar mirë lufta.
Ajo do të vazhdojë plot katër dekada, me gjithë ashpërsinë e vet dhe ulje-ngritjet. Pasojat e saj për Kosovën dhe shqiptarët përgjithësisht, do të jenë tejet të mëdha.
Fundi i Luftës së Ftohtë ndërlidhet me fitoren e demokracisë liberale përballë komunizmit rus dhe do të përjetohet si një Happy End në të gjithë kontinentin e vjetër e më gjerë. Ndërkaq, Kosova këtë fund do ta ndërlidhë me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe me kthimin e kombit në familjen e popujve të lirë, në substratin e saj kulturor, respektivisht në shtëpinë e saj historike.
Pesha e faktorit shqiptar, sidomos ajo e Shqipërisë politike, meqë ajo për një periudhë ishte pjesë e Paktit Lindor – anëtare e Traktatit të Varshavës de fakto deri në vitin 1962, e de jure deri në vitin 1968, kur e para do të arrijë ta braktisë kampin, pra pesha e Shqipërisë mund të cilësohej për shumëçka specifike, ndërkaq ajo e Kosovës dhe e shqiptarëve përgjithësisht në ish-RSFJ-së, ishte hijezuar pothuajse plotësisht. Arsyeja themelore pse do të ndodhte kjo, ishte vetë pozicioni disi i dyfishtë gjeostrategjik i Jugosllavisë: në rrafshin politik, pas vitit 1948, Jugosllavia de fakto ishte pjesë e Perëndimit, sado që formalisht ruante statusin e shtetit të painkuadruar, duke qenë madje edhe lidere e “botës së të painkuadruarve”. De fakto, Jugosllavia shfrytëzonte sa përfitimet që i ofronte Perëndimi, po aq edhe ato që i vinin nga Lindja. Estabilishmenti ushtarak, p.sh., do të mbetet deri në shkërmoqjen e Jugosllavisë, pothuajse mbi 80% të kuadrit të lartë me përbërje serb dhe pro rus.
Sidoqoftë, prej vitit 1948 Jugosllavia do të trajtohej më shumë si zonë e interesit perëndimor, prandaj ajo do të gëzojë mbështetje të madhe ekonomike e kreditore. Deri nga fillimi i viteve ’70-të Jugosllavia do ta merrte si shpërblim për këtë pozicionim properëndimor, grante të mëdha ekonomike e kredi të buta, që do t’i mundësonin ta kalonte pa dhimbje fazën e rimëkëmbjes ekonomike pas LDB-së dhe të prosperonte me hapa gjigantë në atë të zhvillimit industrial e ekonomik.
Jugosllavia do të shërbente gjatë gjithë periudhës sa do të zgjaste Lufta e Ftohtë si një tip “letre lakmuesi” për vendet e Bllokut Socialist, respektivisht si një lloj modeli i shtetit të mirëqenies sociale, por jo vetëm për ato. Ajo, në fakt, do të shndërrohej në një laborator eksperimental, sidomos në rrafshin ideologjik. Perëndimi, me gjithë premtimet që kishte dhënë përmes Inteligjencës Ushtarake Angleze (MI6-ta), nuk do ta mbështeste NDSH-në (Organizatën Nacional-Demokratike Shqiptare), duke e lënë në mëshirën e OZNA-s (Shërbimit Inteligjent Ushtarak Jugosllav).
Perëndimi këto pozicione do t’i ruante edhe në raport me Lëvizjen Revolucionare në Kosovë deri në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ndërkohë, me pozicionimin e ri të Shqipërisë politike pas rënies së komunizmit dhe me daljen në skenë të UÇK-së, gjërat do të ndryshojnë në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tashmë jemi në epokën kur universalizmi i së drejtës ndërkombëtare bazohej dhe pasonte zhvillimet faktike dhe rritjen e peshës së politikës ndërkombëtare të fuqive të mëdha, që ndiqej me një lloj njohjeje formale nga ana e tyre, sidomos pasi po merrte fund faza e dytë e dekolonizimit në rrafsh ndërkombëtar dhe për aq sa po i afroheshin fundit të Luftës së Ftohtë.
Këto procese të ndërvarura nga njëri-tjetri: shkolonizimi i viteve ’70-të, fundi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e BRSS-së, bënë që të rritej numri i vendeve sovrane (mbi 190) dhe me këtë po i hapej rrugë sendërtimit të universalizmit të së drejtës ndërkombëtare në kuadër të OKB-së72.
Në procesin e njohur si epoka e shkolonizimit të madh të viteve ’60-të dhe ’70-të, ne nuk u futëm dot në vitin 1968, megjithëse kërkesa për Republikë merrte në konsideratë parimin e vetëvendosjes së brendshme, që nënkuptonte thirrjen për Republikë brenda RSFJ-së, që qe artikuluar qartë jo vetëm në demonstratat e atij viti, në rrugët e sheshet e qyteteve tona, por edhe në salla e zyra, ku mbaheshin mbledhjet e drejtuara nga Lidhja Komuniste, siç ishte rasti në Komitetin e Gjilanit, në atë të Gjakovës e gjetkë. Sidoqoftë, vetëm në pranverën e vitit 1981, kërkesa për Republikë do të shtrohet fuqishëm, bindshëm dhe pa mundësi oportuniteti. Kjo ishte arsyeja përse njohësit e rrethanave politike në Jugosllavinë e atëhershme do të konkludonin me të drejtë, se e ardhmja e Federatës Jugosllave do të ndërlidhet pikërisht me mënyrën se si do ta trajtonte ajo kërkesën e drejtë të shqiptarëve për Republikë.
Krerët e Jugosllavisë, të dominuar nga shovinistët serbë, duke e njohur në thelb fuqinë e Lëvizjes sonë Revolucionare, që u shpërfaq sidomos në demonstratat e 1981-it, (që de fakto rezononte në një revolucion antikolonial të pashmangshëm tashmë), do të reagojnë me forcën e përqendruar të aparatit të dhunës e gjyqësorit, të koordinuar gjithmonë me atë të Shërbimeve të Inteligjencës (serbe).
Lëvizja jonë Revolucionare në marshimin e saj për liri, rrjedhimisht do të përballej me ato struktura të shtetit federal jugosllav, që ishin vlerësuar jo kot si ndër më të sofistikuarat dhe më të mbështeturat me logjistikë e financa nga simotrat e tyre në Europë. Pavarësisht këtyre rrethanave tejet të disfavorshme për Lëvizjen tonë, falë edhe frymës që sollën demonstratat e vitit 1981, Lëvizja jonë Revolucionare do t’ia dalë që, më 17 janar 1982, të bashkohet. Si e tillë, LPK-ja do të shndërrohet në organizatën politike më të suksesshme në historinë e Lëvizjes sonë Revolucionare, duke ia dalë që të shndërrohet në faktor vendimtar për krijimin e UÇK-së.
Në këtë marrsh drejt lirisë, gjithmonë në përballje me strukturat e Inteligjencës Serbe, Lëvizja jonë Revolucionare, siç e pamë, herë-herë do të goditej rëndë e do të pësonte humbje të mëdha, deri në trandje të plotë (siç ishte rasti më 17 janar 1982, por edhe në nëntor e dhjetor 1984), por edhe më pas në fazat kulmore të saj, kur në fushëbetejë kishte rënë Adem Jashari me Jasharët e tjerë legjendarë më 5, 6 e 7 mars 1998. Edhe UÇK-ja po hynte në një fazë të re të zgjerimit e konsolidimit, disi ngjashëm me legjendat tona, por edhe asaj e, përgjithësisht Lëvizjes Revolucionare, do t’i ndodhë mallkimi që shpreh fjala e vjetër: “Rrita gjarprin që t’ma hante kryet”!
LPK-së në maj 1998, kur po bënte hapat për konsolidimin e segmenteve drejtuese të UÇK-së, si kokë politike do t’i imponohet Hashim Thaçi, që jo rastësisht kishte nofkën e luftës: “Gjarpri”. Ai, tok me një grusht oportunistësh e injorantësh, të mbështetur edhe nga segmente të fuqishme të Shërbimit Kombëtar të Shqipërisë politike, do t’ia dalin të eliminojnë nga drejtimi i UÇK-së Kryesinë e LPK-së, por edhe do t’i bëjë “të pakienë”, siç do të thoshte Hasan Prishtina, edhe oponentët e tjerë politikë e ushtarakë brenda (Beadin Hallaqi, Ilir Konusheci…). Ndërkaq, ironia të jetë edhe më e madhe: si “të pakienë”, ai do të bëjë, edhe pas luftës, oponentë e tjerë politikë dhe pjesë të tëra të Atdheut!
Nëse në fillim ai u pranua si “ndëshkim a mallkim hyjnor”, meqë iu imponua nga krerët e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, pas ndërhyrjeve të Shërbimeve Inteligjente të Francës73, fill pas luftës, kur qe bërë transformimi i LPK-së në parti politike (Partia për Progres Demokratik e Kosovës), pavarësisht se në krye të saj ishte zgjedhur me vullnetin politik të delegatëve që vinin nga të gjitha zonat e luftës dhe Këshillat Popullorë të LPK-së politologu e ish-zëdhënësi i UÇK-së për Zvicrën, Bardhyl Mahmuti, pa kaluar disa javë, “Gjarpri” do t’i imponohej edhe kësaj strukture politike. Më pas, ai “do të kurorëzohet si mbret pa kurorë” jo vetëm i Partisë, por edhe i Republikës, që do të shpallej e pavarur më 17 shkurt 2008.
Brenda strukturës së partisë dhe jo vetëm asaj, ai do të fillojë t’ua “hajë kokat” me radhë të gjithë oponentëve të mundshëm politikë. Ndërkaq, kurorës së trimërisë e historisë së Kosovës, UÇK-së, përmes imponimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë (Gjykatës Speciale), do t’ia tresë edhe lavdinë!
Por, nëse në legjendat shqiptare djali i bukur, flokëçelur, respektivisht “Gjarpri dhëndër”, ishte i dënuar që të jetonte tri të katërtat e kohës në trajtën e gjarprit dhe fare pak (një të katërtën) në trajtën e njeriut, në shtrat me nusen, gjarpri ynë i konvertuar në politikan do të jetojë gjatë nën lëkurën e tij, fillimisht i imponuar si drejtues i Drejtorisë Politike të UÇK-së , më pas si kryeministër i Republikës dhe, së fundmi, si president i Republikës!
Fakt kokëfortë është se, askush, asnjëherë, këtë çun mediokër, që për idhull më pas do të ketë Ahmet Zogun, askush nuk guxoi e nuk denjoi ta pyeste se me kë e kishte atë “pakt”, që të jetonte gjatë, tri të katërtat e jetës, si gjarpër, siç do të bënte nusja e legjendës sonë. Kjo pyetje atij nuk iu shtrua as në çastin kur ai desh ia hëngri kokën Republikës (2018), teksa po bëhej gati t’ia dhuronte Serbisë Veriun e Republikës, pjesën gjeostrategjike më domethënëse, por edhe më të pasur të Atdheut.
Dhe më tej, si në legjendën tonë, koha e gjarprit vazhdon ta mbizotërojë kohën e njeriut, madje edhe tashti kur po i afrohemi përvjetorit të dyzetë të Revolucionit të vonuar Antikolonial: demonstratave gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981.
Por, nëse në legjendën tonë është vajza, respektivisht nusja, ajo që në një çast egoizmi, siç do të shprehej Kadare, do që ta zhbëjë paktin e burrit të saj “gjarpër” me bartësit e paktit, duke ia hedhur lëkurën, atë cipë të hollë që ishte “më e lehtë se mëndafshi” në zjarrin bubulak, me dëshirën e flaktë që ta ketë për vete përherë djaloshin e bukur e flokëçelur, duket se Republikës sonë ngushëllimi po i vjen nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Kosovës me seli në Hagë (sic!). Ky fund tragjik i tij i merituar, mund të jetë si ai i gjarpërinjve realë të guvave të Burojës, i rezervuar për pjesën e mbetur të jetës.
Përfundim
Demonstrata e vitit 1981 kanë marrë statusin si “shënjuese epoke” përmes afrimit dhe shprehjes në NJË të emrit të STUDENTIT (vini re singularitetin e shumësit në funksion të idesë), dhe më pas profesorit e filozofit Ukshin Hoti tok me revolucionin, disi ngjashëm siç njësohet filozofi Imanuel Kant me Revolucionin Francez.
Ndërlidhjen, respektivisht mbarsjen e ngjarjes historiko-politike (demonstratave të 1981-it) me ligjërimin metafizik, ku ngjarja shndërrohet në objekt të analizës, të burgosurit politikë shqiptarë do ta kultivojnë gjithandej, jo vetëm në universitet dhe burgje (që për një kohë do t’i kthejnë në Universitet të dytë), por edhe me mërgatën tonë të re, kudo ku do të shtrihet rrjeti i organizimit politik.
Duke lexuar fjalën e profesor Ukshin Hotit, mbajtur në njërën nga mbledhjet e profesoratit të Fakultetit Filozofik74, që ndërlidhet kryekëput me kërkesën themelore të studentëve demonstrues – Kosovën Republikë, – qasja e tij për ta arsyetuar atë më kujtonte sivëllanë e tij gjerman, Martin Heidegerin, dhe atë fjalimin e tij historik me titullin sinjifikativ “Vetafirmimi i universitetit gjerman”, i njohur më pas si “Fjalimi i rektorit”. Ai e shihte Republikën si “një instrument që mund të përdorej në dobi të ritmit të zhvillimit të shpejtuar”75.
Ukshin Hoti mëtonte që, pikërisht universitetin, ta shndërronte në qendër të rezistencës nacionale edhe në raport me betejën politike për Republikë. Ndërkohë, kjo kërkesë ishte aktualizuar edhe në sheshe, duke ia rezervuar aty vendin e vet edhe filozofisë. Këtë diskurs të rolit të filozofisë në luftën tonë për Republikë, ai do ta vazhdojë në ligjërimin e tij specifik edhe pas daljes nga burgu i parë, në odat e Dukagjinit, në takimet me të rinjtë revolucionarë, por edhe më fuqishëm në revistën “Demokracia autentike”, për ndalimin e së cilës (te nr. 6), ashtu si edhe për burgosjen e tij të fundit, siç e pohon edhe ai, kishte dorë “policia letrare” e nomenklaturës titiste, e katapultuar në krye të LDK-së76.
Ky reflektim i profesor Hotit shënon saktësisht atë “takimin konceptualist të determinuar të dy instancave”77 në fjalë – të Universitetit dhe Sheshit, që ishte produkt i mendimit politik të lirë edhe për demokracinë autentike, e që për kohën i jepte fuqi demonstrimit politik për vetëvendosje të brendshme, që nënkuptohet me Republikën e Kosovës brenda Federatës Jugosllave.
Demonstratat e ’81-it, si për nga plotënia e formës, ashtu edhe për nga përmbajtja, ishin një kryevepër e mendimit politik shqiptar. Ato, prandaj, shënojnë epokë. Demonstratat e pranverës së vitit 1981 e shndërruan Kosovën gradualisht në një Armegadon biblik, ku kulmoi ballafaqimi i së keqes me të mirën.
Demonstratat e vitit 1981 ishin me këtë përmasë historike, meqë në thelb kishin vrullin e ndjeshëm dhe energjik, që filozofët realë do t’i krahasonin me kryeveprat e mendimit klasik grek, që kombinonin imagjinatën rinore me burrërinë e logjikës.
Unë i cilësoj demonstratat e 1981-it dhe atë brez të rinisë, si manifestim historik par exelence, duke e identifikuar atë me frymën e vitit 1968 që ka dominuar Europën, dhe që e shndërroi brezin në pjesë të homopolitikusit modern.
Në gjuhën frënge ekziston një togfjalësh i veçantë, që kam dëshirë ta ndërlidh me brezin e vitit 1981: “noblesse obligo”78. Duket se historia ia kishte ngarkuar rinisë fisnike të 1981-it atë barrë të madhe, që ajo e kreu me sukses: ndarjen e epokës, shënimin e kthesës së madhe historike, prej nga nuk kishte më kthim prapa. Ky ishte kufiri që ndante politikat kolaboracioniste të Kosovës me një filozofi tjetër të të menduarit e të vepruarit, për të rezultuar pastaj në një formë shumë konkrete të rezistencës, që prodhoi Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Lëvizja Revolucionare prodhoi pranverën shqiptare të vitit 1981, ndërkaq, pas konsolidimit të saj politik e strukturor (LPK), duke e kuptuar dhunën politike, konform konceptit progresiv, si “vegël me anën e së cilës lëvizja shoqërore çan rrugën e vet dhe shkatërroi format politike të ngurosura”79, në programin e saj80, me të drejtë, parashikonte organizimin e kryengritjes, si formë të fundit të veprimit.
Në tërësinë e Lëvizjes Revolucionare në Kosovë përfshihet inteligjencia e re në formim. Në rrafshin ideologjik, ata ishin të majtë ose në proces të formimit si të tillë, por në thelb ata ishin nacionalistë progresivë.
Rol qendror në këtë përcaktim kishte Tirana zyrtare, ndikimi i saj qoftë i drejtpërdrejtë, qoftë përmes propagandës dhe literaturës që depërtonte në Kosovë ilegalisht. Këtë fenomen – të orientimit të të majtës shqiptare në tërësi nga nacionalizmi, e kishte vënë re më herët studiuesi amerikan L. S. Halle, teksa analizonte situatën në Shqipëri, Greqi dhe Jugosllavi fill pas LDB-së.
Në librin e tij bestseller për kohën, “Lufta e Ftohtë”, ai vinte qartë pikën mbi “i”, teksa konkludon se, “meqë nacionalistët në Jugosllavi dhe Shqipëri i kishin sjellë në pushtet komunistët, ishte më se e garantuar çështja se, që të dyja këto vende nuk do t’ua nënshtronin për kohë të gjatë interesin e shteteve të tyre interesave ruse”81.
Demonstratat e vitit 1981 e ngritën çështjen e Kosovës nga një çështje ndërkombëtare, të cilën politika dhe diplomacia, por edhe shkenca politike, mjaftohej ta trajtonte atë konform korpusit të të drejtave dhe lirive të njeriut, në një çështje ndërkombëtare politike, e lënë në heshtje si koloni e Serbisë (për turpin e Europës), edhe atëherë kur kolonializmi si proces po mbyllej edhe në Afrikë.
Revolucioni i vonuar antikolonial i 1981-it e bëri të qartë, se kishte ardhur koha që kjo çështje të zgjidhej me mjete politike dhe konform së drejtës për vetëvendosje. Shtyrja dhe neglizhimi i kësaj çështjeje, do ta detyronte Lëvizjen Revolucionare të mendonte seriozisht për përgatitjet e duhura për kryengritje të armatosur. Por kjo lëvizje, gjatë dekadës së apartheidit (1989-1999), përveç përballjes me Serbinë, do të ketë ndeshtrashën (sfidën politike të brendshme, që tashmë identifikohej me LDK-në). Si lëvizje gjithëpopullore, që do të shndërrohej që në vitet e para të ekzistencës së saj, ajo manipuloi me doktrinën gandiane të rezistencës paqësore, duke i imponuar popullit “frymën e nënshtrimit dhe servilizmit”. Si e tillë, kjo frymë do të penetrojë thellë në ndërgjegjen e kombit.
Kriptoelita jonë nuk lejoi që Lëvizja jonë Revolucionare të binte në grackat që kishte rënë NDSH-ja, por as në ato ku do të nanurisej elita e komunistëve jugosllavë të konvertuar në demokrat, që shestonin e prisnin për rikthimin e autonomisë që Beogradi e kishte suspenduar më 23 mars 1989. Lëvizja jonë Revolucionare diti mirë që, në momentet e fundit, ta transformojë të gjithë strukturën e saj në funksion të luftës për liri, përmes krijimit të UÇK-së. Ndërkaq, gjatë luftës atë do ta shndërrojë në aleate të aleancës politiko-ushtarake të Perëndimit, NATO-s, duke u rreshtuar me demokracitë perëndimore, duke i dhënë fund kolonializmit serb në Kosovë tok me intervenimin e, më pas, dislokimin e saj në Kosovë.
Me këtë akt përmbyllej Revolucioni i vonuar antikolonial që kishte filluar me demonstratat e vitit 1981, duke i hapur rrugën Kosovës, konform e në përputhje me kërkesat dhe interesat gjeopolitike të Perëndimit, edhe të krijimit të Republikës së dytë shqiptare në Europën Juglindore.
Dy dekadat e përballjes së brezit të Republikës me terrorin shtetëror serb dhe dy të tjerat në liri, në përballje me fashistët modernë, dëshmojnë fuqinë politike dhe drejtësinë jo vetëm të atij brezi, sa të vetë idesë për një Republikë demokratike e në shërbim të idealit për bashkim.
Qëndrimi vertikal i ideologëve të këtij brezi dhe, më pas, edhe i pasuesve të idealit të njëjtë, si Hydajet Hyseni, Ukshin Hoti, Ibrahim Kelmendi, Bajram Kosumi, Fadil Vata, Afrim Zhitia, Behadin Hallaqi, Sabri Kiçmari, Albin Kurt etj., është garancia më e fuqishme për çlirimin e Republikës edhe nga fashistët “tanë” modernë. Ndërkaq, shfrytëzimi i Republikës, si stacion i ndërmjetëm drejt bashkimit, që unë e shoh në trajtën e shtetit federal – si Shqipëri Federale, mbetet strategji e suksesit në veprim.
Ashtu siç erdhi Republika vetëm atëherë, kur ajo solli në jetë heronjtë e vet, edhe shteti modern shqiptar, si demokraci deliberative, që Ukshin Hoti e quante demokraci autentike, po lind tok me Federatën Shqiptare, duke sjellë në skenën politike veprimtarët dhe heronjtë e saj.
Demonstratat e vitit 1981 ishin shtysa e këtij ndryshimi epokal!
_______________
Fusnotat
1 Bardhyl Mahmuti: Mashtrimi i madh, Tiranë 2016.
2 Fjalë e përdorur dendur në këtë studim, që ka kuptimin: vihet në pah, shihet…
3 Hashim Thaçi, burimi: https://docs.google.com/document/d/1mOoqR9o3Z2WofV9KMkpeJMVTKdWTsQAhkuj0EhnzWEk/edit
4 Mahmut Bakalli rezulton si i vetmi ish-udhëheqës kryesor i LKJ-së për Kosovën, që jo vetëm gojarisht e në biseda private, por edhe publikisht kishte artikuluar një lloj pendese për qëndrimet e veprimet e tij në raport me demonstratat e 1981-it dhe vetë organizatorët e tyre.
“Vërtet kanë ekzistuar dhe kanë vepruar ilegalisht në Kosovë, në shumë mjedise, grupet “marksiste-leniniste” ose me emra të tjerë, por në thelb me ide të njëjta, të përbëra nga disa të rinj shqiptarë, të frymëzuar nga idetë dhe veprat e Enver Hoxhës, nga praktika e atëhershme e Shqipërisë. Ato grupe të të rinjve kosovarë nuk ishin staliniane në kuptimin proruse, madje as leniniste në kuptimin e plotë të fjalës, por në aspektin ideologjik mbështeteshin tek Enver Hoxha dhe modeli i socializmit shqiptar, për aq sa atyre u duhej kjo mbështetje…, por, mbi të gjitha, veprimtarinë e tyre e kishin fokusuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare në Kosovë dhe përgjithësisht të shqiptarëve në Jugosllavi. Prandaj, me të drejtë, një pjesë e atyre të rinjve edhe sot thonë, dhe unë ju besoj plotësisht, se grupet “marksiste-leniniste” ishin inspiruar nga idetë kombëtare, sidomos disa prej atyre që ishin të talentuar, vitalë dhe vërtet patriotë nga bindja. Edhe në Kosovë kemi bërë gabimin trashanik ndaj këtyre të rinjve dhe gjithnjë më bren ndërgjegjja…”
Shih: Mahmut Bakalli, Intervistë dhënë gazetës “Zëri”, 5 maj 2006, f. 6.
5 Burimi: 1. https://wikisource.org/w/index.php?title=Kanuni/Ndera&action=edit&redlink=1
2. https://docs.google.com/document/d/1mOoqR9o3Z2WofV9KMkpeJMVTKdWTsQAhkuj0EhnzWEk/edit
6 Akademia e Shkencave e RPS-së të Shqipërisë, E drejta zakonore shqiptare, Tiranë 1989, f. 123.
7 Burimi: Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, nxjerrë nga ditari im politik.
Shih dhe procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë së LPK-së të 17 nëntorit 1994 mbajtur në Arau,CH.
8 Barrington Moore, Jr., Origjinat shoqërore të diktaturës dhe të demokracisë, Tiranë 2017, f. 154.
9 Azem Vllasi, Kosova: Fillimi që nuk harrohet, Koha, Prishtinë 2017, f. 272.
Shënim: Për qëndrimin tejet reaksionar e të papërmirësueshëm të Azem Vllasit ndaj demonstratave të vitit 1981 dhe të gjithë brezit të Republikës, shih kapitullin III dhe IV të librit të tij.
10 Qani Mehmedi, Shtetformimi i Kosovës, Prishtinë 2011, f. 19.
11 Shih më gjerësisht: Dietmar Mueller, Staatsbürger auf Wideruf, Wiesbaden 2015, f. 431-432.
12 Ngjarje a ndodhi të paparashikuara në jetën e punën e përditshme të dikujt, të papriturat që ndesh njeriu gjatë jetës.
13 K .Marks & F. Engels, “Mbi çështjen irlandeze”, Tiranë 1980, f. 168.
(Shih letrën e K. Marksit dërguar Y. Mejerit dhe A. Fogtit).
14 Shih dokumentin e Shërbimit të Inteligjencës Amerikane: CIA-s:
https://perpjekjashqiptare.com/plenumi-i-brioneve-ne-fokus-te-sherbimit-inteligjences-amerikane-cia
15 B. Moore, po aty, f.210.
16 Arbën Xhaferi, Vepra 3, f. 141.
17 Qani Mehmedi, po aty, f. 37.
18 Shih: https://en.wikipedia.org/wiki/Mari_Autonomous_Soviet_Socialist_Republic
19 Burimi: https://sq.wikipedia.org/wiki/L%C3%ABvizja_Popullore_e_Kosov%C3%ABs#Vitet_1981-1989
Procesverbali i asaj mbledhjeje ndodhet në arkivin e LPK-së.
20. Po sjellim një dëshmi konkrete nga një përballje atipike, në një nga zyrat e burgut të Vrajës, me Ali Vllasin (vëllai i Azemit që ishte hetuesi im kryesor), Ramadan Sermaxhajn dhe Daut Morinën.
Ishte diku fillimi i marsit i vitit 1985. Një i ftohtë i thatë, sikur donte ta mbante tutje pushtetin e acarit të atij dimri që kishim lënë prapa. Zyra ku më prisnin që të tre ish-UDB-ët sadistë shqipfolës, në krahasim me qelinë ku isha, ishte e ngrohtë dhe plot dritë. Vazhdimi i marrjes në pyetje dukej se ishte më shumë shenjë e mbylljes së kapitullit të hetimeve me një varg ish-të burgosurish të dhjetorit 1984 dhe janarit 1985, me të cilët hetuesit kishin supozuar se mund të isha i ndërlidhur, sesa një çështje rutinë e UDB-së. Meqë shokët e burgosur gjatë valës masive të arrestimeve që kishin ndodhur, nuk kishin folur, çdo gjë ishte mbyllur, ashtu siç nuk e priste Ali Vllasi, prandaj stili i komunikimit me mua kësaj radhe ishte disi më “i përgjegjshëm dhe më intelektual”! Mungonin shkopinjtë e gomës dhe ombrella elektrike, që kishte përdorur për më se nëntë muaj hetime intensive, sa kisha kaluar në Gjilan e Vrajë, gjatë periudhës prill-dhjetor 1983.
– E di se ti na cilëson si kuislingë, tradhtarë e çka jo, – filloi Ali Vllasi ligjëratën tij bukur të gjatë. – … Por një gjë mund të ta garantoj, – u shpreh nga fundi i fjalës së tij: – Ne do të fitojmë dhe do ta udhëheqim Republikën tonë autonome në vitin 1989. Juve, të burgosurve politikë, do t’ju mbajmë në vështrim dhe përherë do të jeni të shtypur e të përndjekur, madje ca prej jush edhe nëpër burgje përjetësisht. Përndryshe, në Republikën që do të udhëhiqni ju, unë as që do të pranoj të jetoj. Do të shkoja e të kërkoja azil politik në Rumani, e në Republikën tuaj nuk do të jetoja!
– Është çështja juaj se ku zgjidhni të jetoni e si do të jetoni, si shqiptar, respektivisht qytetar i rendit të parë, apo si vasal e shërbëtor i përhershëm, – ia ktheva unë.
Në këtë rast reagoi Daut Morina me një fjalor të pisët, duke më fyer si rrugaçët tipikë të Gjilanit. Më kujtohet se vetëm me ndërhyrjen e Aliut u ndal dhe e mbylli atë maskaradë banale me shprehjen: “Çka po kujton, bre, ti, se mua më ka ba k… i Stojanit, a? Po, edhe unë jam shqiptar!”
Ndërsa po kthehesha në qeli, mendjen e kisha te “Republika autonome” që paralajmëroi Ali Vllasi dhe vitin 1989.
Në momentin e përshtatshëm njoftova Emin Krasniqin dhe bëmë një diskutim rreth ca informacioneve që atij i kishin ardhur nga baca Metush (Krasniqi).
Ma pohoi si fakt dhe informacion të verifikuar çështjen e Republikës autonome të tipit rus. Dhe dolëm në përfundimin se nomenklatura titiste në Kosovë, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitej për ngritjen e statusit të Kosovës në një tip të “Republikës autonome”, siç i kanë disa republika në Rusi:” E reja, – e mbylli diskutimin Emini, – qenka fakti se ata e paskan shënjuar një vit se kur do të fillojnë të angazhohen për ta kurorëzuar këtë projekt B”.
21. Mehmet Hajrizi, Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f. 284-290 (shih tekstin e plotë).
22 Shih përmbledhjen e botuar të kumtesave të asaj konference, me theks kumtesën e Berat Luzhës.
23 Kontribut të veçantë në këtë plan janë kujtimet e Ramadan Pllanës, njërit prej anëtarëve të kësaj organizate, që ishte edhe në udhëheqjen e ngushtë, e që do të flijohet që në start.
24 Shih burimet kontraverse për PKMLSHJ të Osman Osmanit (Sekretar organizativ i saj) dhe ato të Ibrahim Kelmendit për këtë organizatë:
1. http://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/osman%20osmani%20PKMLSHJ.pdf
2. https://www.kosova-sot.info/opinione/218570//
25 Manuskriptin e gatshëm për publikim të letrave në fjalë e posedoj edhe unë.
26 Untergruppenbach-u është një komunë afër Heilbronit, një qytet në pjesën veriore të
shtetit gjerman Baden-Württemberg.
27 Bedri Islami, LËVIZJA – Lindje e përgjakur, Tetovë 2012, f. 59.
28. Ahmet Qiqriqi: https://www.slideshare.net/argjen/kongresi-i-lipovics-47211135
Dr. Sabile Keçmezi-Basha: https://www.epokaere.com/formimi-i-komitetit-qendror-dhe-i-rretheve-te-ndsh-se/
29. Shënim sqarues: Në kohën kur janë rrethuar dhe janë likuiduar, Rexhep Mala e Nuhi Berisha nga Milicia e Kosovës, Isa Mustafa për katër vjet rresht (1984-1988) ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës; Shefqet Jashari – kryetar i Kryesisë së KSA-së të Kosovës, Ymer Pula – kryetar i Këshillit Ekzekutiv të KSA-së të Kosovës; Kolë Shiroka – kryetar i Kryesisë së KSA-së të Kosovës dhe kryetar i Komitetit Krahinor të KSA-së të Kosovës për një kohë të caktuar; Mehmet Maliq-Cikuli – sekretar i Punëve të Brendshme; Vesel Latifi – kryetar i jurisprudencës, Nazmi Mustafa – kryetar i KE-së të KSA-së të Kosovës. Ndërkaq në poste të tjera të larta e me përgjegjësi në fushën e sigurisë ishin: Jusuf Zejnullahu, Jusuf Karakushi, Bajram Selani, Remzi Kolgeci, Azem Vllasi, Rrahman Morina e të tjerë.Në vëzhgim e zbulim të vendit ku ishin strehuar heronjtë, përmes spiunëve të tyre, kanë marrë pjesë: Bashkim Kursani, Ibush Kllokoqi, Lutfi Ajazi, Jusuf Karakushi e të tjerë.
30. Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë, Tiranë 2008, f. 115-116.
31 Bedri Islami, po aty.
32. Shoqëria “Lëvizja liri për dr. Ramabajën” – Reagime dhe opinione, Prishtinë 2018, f. 19-20.
33. Këshillin Organizativ kishte këtë strukturë drejtuese: Xhabir Morina, sekretar politik; Xhavit Haziri, sekretar për propagandë, informim dhe shtyp; Fehmi Lladovci, sekretar për çështje ushtarake; Bashkim Mazreku, sekretar organizativ; Bajram Limani, sekretar për sigurimin e bazave etj. Në përbërje të organizatës dhe në segmente drejtuese të saj brenda e, më pas, edhe jashtë vendit ishin edhe: Emrush Xhemaili, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Abdullah Dërguti, Ilmi Reçica etj. Në përbërje të organizatës dhe në segmente drejtuese të saj brenda e, më pas, edhe jashtë vendit ishin edhe: Emrush Xhemaili, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Abdullah Dërguti, Ilmi Reçica, Hajdin Abazi etj.
34. Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK-së me delegatë nga diaspora dhe delegatin Ahmet Haxhiu, dërguar nga Këshillat në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi u mbajt në korrik 1987, në Zvicër (St. Gallen, Cyrih, Delemont). Kjo mbledhje zgjati tri ditë. Në të u miratua programi dhe statuti i LPRK-së, u miratuan rezolucionet dhe u zgjodh udhëheqësia e re. Kryetar u zgjodh Fazli Veliu, nënkryetar Muhamet Kelmendi, sekretar Emrush Xhemajli, përgjegjës financiar Gafurr Elshani, anëtarë kryesie, Avni Dehari, Ernest Jurstver, Xhavit Haliti, Rexhep Halimi etj., si dhe redaksia e “Zërit të Kosovës”, me redaktor Mustafë Xhemajlin. Organ ligjvënës i LPK-së u emërua Këshilli i Përgjithshëm (deri atëherë ishte quajtur Komiteti Qendror) dhe përbëhej prej 21 anëtarësh. Unë isha një nga delegatët e kësaj mbledhjeje, i sapomërguar, me ç’rast u zgjodha edhe anëtar i redaksisë së “Zërit të Kosovës” dhe automatikisht, sipas statutit, edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.
35. Më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit, në Prishtinë, UDB-ja me sektorin e saj në Prishtinë zbuloi vendndodhjen dhe rrethoi me forca të mëdha dy drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun. Pas luftës 10-orëshe, ata bien heroikisht.
36 Në prill 1998 mbahet Mbledhja V e Përgjithshme e Degës së LPK-së jashtë vendit. Në Kosovë tashmë ishte luftë dhe nuk kishte mundësi të mbahej një mbledhje e gjerë. Në mbledhjen e degës u konfirmua përcaktimi i LPK-së për luftën e armatosur deri në çlirimin e vendit dhe fuqizimin e UÇK-së. Pas mbledhjes dolën organet e LPK-së. Kryetar i degës së LPK-së u zgjodh Bedri Islami, ndërkaq anëtarë të kryesisë: Ibrahim Kelmendi, Ali Ahmeti, Sejdi Gega, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti dhe Agush Buja.
37 Franc Fanoni.
38 Kushtetuta e Kaçanikut, neni 56 i saj: “Ndalohet organizimi dhe aktiviteti politik i drejtuar në ndryshimin… dhe cenimin e tërësisë territoriale e të pavarësisë së Bashkësisë së Jugosllavisë …”
39 Arbën Xhaferi, Vepra 3, f. 143-148.
40 Ndërtesat shumëkatëshe të stilit viktorian ishin me fare pak banja dhe me tuba që ishin aty sa për dekor; ato me kalimin e kohës,
sidomos në rast të një tërmeti sado i dobët qoftë, bien për tokë.
41 Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë, Tiranë 2008.
42 Mark Krasniqi, Lugu i Baranit, ASHAK, Prishtinë 1984, f. 45.
43 Bernardin Palaj, Organizimi i Bajrakut, Tiranë 1943, f. 328.
44 Gani Bobi, Paradoks kulturor, Prishtinë 1986, f. 57.
45 Boris Kalnoky: Hamburger Abendblatt.
https://www.abendblatt.de/archiv/1999/article204585375/Musste-Fehmi-Agani-sterben-weil-er-nicht-zu-brechen-war.html
46 Mehmet Kraja, Vite të humbura, Prishtinë 1995.
47 Nikë Gjeloshi, ”Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, 1991-1995″, Prishtinë 2015.
48 Arbën Xhaferi, Vepra III, f. 146.
49 Breher, Nehru, f. 75.
50 Shih: Speeches and Writings of Mahatma Gandi, f. 336-337.
51 Më 22 qershor 1996, në gazetën “Rilindja”, Ibrahim Rugova deklaron: “Mendoj se nuk ekziston UÇK-ja”.
Kah mesi i janarit 1997, kur UÇK-ja kreu një atentat kundër rektorit famëkeq të UP-së, Radivoje Papoviq, në konferencën me gazetarë, të mbajtur më 24 janar 1997, Ibrahim Rugova lidhur me këtë rast deklaron:
“Ne nuk kemi informacione se ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në emër të saj mund të paraqiten shërbime të ndryshme, pasi ende nuk është paraqitur askush i kësaj UÇK-je. Dënojmë edhe njëherë shpërthimin terrorist të autobombës në Prishtinë, si moment i rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkojmë që këtë rast ta hulumtojë FBI-ja dhe Interpoli.Të shihet se çfarë ishte ai shpërthim mjaft i sofistikuar. Po ashtu, dënojmë edhe rastet e vrasjet që po bëhen me pretekst të kolaboracionizmit dhe kërkojmë ndërprerjen e tyre”,- përfundon citati. (Lexo: Gazeta “Rilindja”, 25. 01. 1997).
52 Për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” – FAZ, Ibrahim Rugova, thotë: “Krahas UÇK-së, serbët kanë sajuar edhe Frontin e Çlirimit Kombëtar dhe një Lëvizje për Çlirimin e Kosovës” (!!!) ( Lexo: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (dokumente dhe artikuj), botimi i dytë, prill 1998, f. 181).
53 Zhurmë e madhe, bujë e madhe, gurgule.
54 Francis Fokuyama, “The End of History”, në: National Interest, 16 (1989), f. 3-18.
55 Dieter Thomἃ, Warum Demokratien Helden brauchen (Pse demokracitë kanë nevojë për heronj), Berlin 2019, f. 53.
56 Gregor Quaq, “Der Feind kommt von innen” (Gesprἃch mit Francis Fokuyama), FAZ, 3/9/2019. f. 33.
https://www.faz.net/aktuell/feuilleton/francis-fukuyamas-buch-mit-dem-titel-identitaet-ueber-populismus-16020293.html
57 Dalila Karakaçi, Teza e doktoratës, f.16:
http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2015/03/Dokturatura-Dalila-Karaka%C3%83%C2%A7i-Fakulteti-i-Histori-Filologjise-Departamenti-i-Letersise1.pdf.
58 Arnold Hauser, Social History of Art vol.IV. Evelegih Nash, London 1951, f. 244.
59 Bertolt Brecht, Leben des Galilei, vëllimi V, Frankfurt am Main, 1988, f. 7-115.
60 Dieter Tome, po aty, f. 169.
61 Po aty, f.174.
62 Takimin nga prapavija për delegacionin shqiptar do ta diktonte Agim Mala, shkruan Qani Mehmedi në librin e tij “Shtetformimi i Kosovës: shkrimtar, publicist dhe pjesë e eminencës gri të LKJ-së, i njohur si njeri i afërt me Azem Vllasin. Një ditë para nisjes për në Beograd, Azem Vllasi, i cili deri atëherë e kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Rexhep Qoses në këtë duel, në fund kishte konstatuar: “Pa Rexhep Qosen, delegacioni shqiptar nuk mund t’i bëjë ballë delegacionit serb. Ne jemi në mes të dy teheve: të paraqiten intelektualë inferiorë të Kosovës nuk ka kuptim që të bëhet ky takim, të thonë të vërtetën e tyre, do të pësojnë presionet për masa kundër tyre. Megjithatë, Qosja le të shkojë në Beograd dhe le të bëjnë çfarë të duan atje“, i kishte thënë në fund Vllasi Malës. “Meqë isha mik i ngushtë i tij, vazhdimisht më merrte në bisedat që zhvilloheshin lidhur me përgatitjet për takimin intelektual shqiptaro-serb në Beograd”, përfundon Mehmedi shpjegimin e tij. Në takimet që kam pasur më pas me Qaniun, më ka pohuar se kishte qenë pikërisht ai, që kishte ndikuar tek Agim Mala edhe për këtë çështje, duke këmbëngulur që në delegacion të ishte edhe profesor Qosja.
63 Carvin, S. dhe Williamss, M. (2015): Low, Science and Liberalism and the American Way of Warfase, Cembrige: Cembrihe University Press, f. 6.
64 Fakulteti Juridik në Prishtinë / UP, Diskutimet për amendamentet kushtetuese në kushtetutën e RS të Serbisë dhe të KSA-së të Kosovës, Prishtinë, tetor 1988, f. 95.
65 Po aty, f. 97-98.
66 Shih librin e Nikë Gjeloshit: ”Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës 1991-1995“, Prishtinë 2015.
67 Për historinë politike, për qëllime e efekte studimi, do të ishte me shumë interes të studiohen, redaktohen e publikohen dokumentet arkivore dhe dëshmitë e pjesëmarrësve aktivë, që shpërfaqin këtë shkallë të shpërfytyrimit të luftës sonë, madje jo vetëm për periudhën në fjalë (1989-1999), por edhe pas 17.02.2008.
68 Burimi: https://kallxo.com/rrefim/mesime-ne-rezistence-sistemi-paralel-arsimit-ne-kosove-ne-vitet-90/.
69 Prishing, M. (2017): “Sociologie der Kolektiven Angst”.
70 Ismail Kadare, Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit, Tiranë 2013, f. 20.
71 Burimi: https://eciks.com/plani-marshall-dhe-demokracia/
72 Shih më gjerësisht në: Günther Hellmann/Klaus Dieter Wolf/Michael Zürn (edit.) “Die neuen Internationale Bezihungen, Baden-Baden, 2003, f. 366.
73 Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë ai do t’i imponohej nga Shërbimet Inteligjente të Francës, diku nga fillimi i vitit 1998-ës. Por pasi ishte rekrutuar nga Shërbimi Ushtarak Inteligjent i Francës, a i ishte huazuar atij nga ndonjë shërbim tjetër, kjo mbetet çështje që duhet të zbardhet nga publikimi i arkivave… Këtë fakt ma ka pohuar një nga këshilltarët e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, e më pas edhe i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, më 9 maj 1995, gjatë rrugës kur po ktheheshim në Prishtinë nga Shkupi fill pas një tryeze politike, të organizuar nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Universiteti i Europës Juglindore, ku ishim të ftuar që të dy në panelin referues.
74 Në fakt, kemi të bëjmë me diskutimin e profesor Hotit në Organizatën Bazë të LK-së në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi-Sociologji, Prishtinë 1981, shkëputur prej autorit nga letra e tij drejtuar KQ të LKJ-së më 25 qershor 1987.
75 Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Prishtinë, 1997, f. 215.
76 Nga mbrojtja e tij në gjyqin e fundit: “Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi, sigurisht, ka qenë frika irracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare (LDK – SR), se me shkuarjen time në Prishtinë e në krye të UNIKOMB-it, pas 9 vjetësh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme”. Shih: Ukshin Hoti, po aty, f. 205.
77 Orges Azizi, Ideja e Universitetit, “Koha ditore”, 22 shtator 2019.
78 Frëngj: fisnikë të detyruar.
79 Fridrih Engels, Antidyring, Tiranë 1974, f. 206-207.
80 Në programin e miratuar në Mbledhjen Themeluese të LPK-së, korrik 1987, për realizimin e objektivave të saj, ajo shprehet qartë: “Për arritjen e qëllimeve programore LPK-ja do të përdorë të gjitha format, mënyrat dhe mjetet e lejueshme sipas konventave ndërkombëtare”.
Burimi: http://www.lpk-kosova.com/dokumente.html.
81 Luis S. Halle, Der Kalte Krieg, Frankfurt am Main, 1969, f.88-89.