Deformimet analitike gjatë vlimeve gjeopolitike dhe korrigjimi i tyre
Dr Selim IBRAIMI
Në qershor të vitit 1987 presidenti amerikan Ronad Regan, në fjalimin e tij në Berlin kundër komunizmit sovjetik i la pa fjalë disa udhëheqës të botës socialiste, dhe shumë shpresë në pjesën perëndimore që priste ndryshime në ish- bllokun lindorë. Askush nuk priti që në një kohë të garës ushtarake e quajtur si “Lufta e Yjeve”, një president amerikan do të kërkojë në mes të Evropës, nga BRSS-ja që të heqë “Murin e Berlinit” që ndante dy popujt gjermanë. Fjalimi i Reganit i bëri jehonë mesazhit të një ish presidenti tjetër amerikan rreth 24 vjet më parë po në Berlinin Perëndimorë.
Në vitin 1963, presidenti John Kenedy shqiptoi katër fjalë të famshme, “Ich bin ein berliner” në një shfaqje të ngjashme përballë shtypjes së atëhershme sovjetike në Evropën Lindore dhe të Mesme. Më herët në vitin 1948-49, “Bllokada e Berlinit (The Berlin Airlift) kishte hapur një çarje të madhe në mes fuqive botërore, dikur aleatë kundër Gjermanisë naziste. Nuk vonoi shumë në hapësirën jugosllave kur ngjarjet tregonin se federatës po i vinte fundi. Në Gazimestan në Kosovë (1989), fjalimi nacionalist i ish presidentit serb Sllobodan Milosheviq nxiti tensione të reja në ish federatën jugosllave e më vonë lufta ishte e pashmangshme.
Për vrojtuesit e brendshëm kjo ishte e pamundshme se një ditë lufta do të nisë në Jugosllavi dhe blloku lindor komunist do të rrënohej. Në mungesë të analizave pa përmbajtje ideologjike, gabimet e analistëve dhe të drejtuesve politikë ishin të mëdha. Kurse në botën perëndimore, analistët shihnin diçka tjetër. Qysh para vitit 1980, CIA amerikane kishte parashikuar shpërbërjen e federatës pas vdekjes së Josip Broz Titos. Në analizën e parashikimit të CIA-s ajo që dallon aty, është forma e analizës dhe metoda që kishte përdorur agjencia amerikane për të parashikuar ngjarjet në ish Jugosllavi pas vdekjes së Titos.
Tre apo katër dekada pas shenjave të para të ndërrimeve të mëdha ja ku jemi në ngjarjet e sotme, ku vështirë është të parashikojmë se pse Perëndimi ka ndryshuar, si do të veprojë më tej në raport me Rusinë, Ballkanin dhe fuqitë në ngritje. Këtu përveç analizës gjeopolitike që shumë pak analistë e shfrytëzojnë ose janë të njohur, një metodë tjetër që po ashtu shumë pak e shohim në mediat tona apo në studimet e instituteve, është analiza inteligjente e cila na mundëson të shohim më tej se çka na pret. Pas agresionit rus në Ukrainë, ngjarjet lëvizin me shpejtësi dhe këtu është e nevojshme që informacioni e cila është baza kryesore për një analist të vërtetohet, të zbërthehet dhe të jepen drejtimet më të rëndësishme të zhvillimeve.
Analistët e inteligjencës kanë një punë të rëndësishme. Ata duhet të mbledhin të dhëna dhe informacione nga burime të panumërta. Analistët e inteligjencës i përdorin të dhënat dhe informacionet e burimeve të hapura për të përcaktuar se çfarë kërcënimesh mund të
lindin, nga ku dhe nga kush. Më tej duke i shfrytëzuar variablat ata arrijnë në përfundime të mundshme që mund të përfshihen shtetet apo qeveritë. Qëllimi i tyre është të parashikojnë saktë me gabime të vogla. Kështu definohet veprimtaria e një analisti të inteligjencës. Në pamundësi që të kemi analistët të një kategorie të rëndë, shpeshherë ndodhë që vlerësimet të jenë të gabuara në margjina të mëdha dhe opinioni apo lexuesi të ketë informacione jo të sakta.
Më e keqja është kur analistët në mungesë të metodës historike dhe njohjes së historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare vazhdojnë të bëjnë gabime javore, mujore ose njëvjeçare në projeksion ose parashikim. Sidoqoftë këto devijime në analizë përveç të natyrës individuale, janë karakteristika që nuk mund të mënjanohen lehtë dhe sidomos në shoqëritë në transformim që prodhojnë konflikte ndërshtetërore që e vështirësojnë edhe më shumë punën e një analisti rajonal.
Në vendet ku dezinformimi mediatik, popullizmi, korrupsioni, marrëdhëniet e brishta bilaterale, mbetjet konceptuale të komunizmit sovjetik vs. kapitalizmit janë një bazë e mirë për gabime në shkallë të lartë të studimit dhe vazhdimit të analizës. Rrjedhja e shpejtë e informacionit ka ndikuar që gabimet të gjenden edhe tek mënyra e vendimmarrjes së lidershipit shtetëror për rrethanat gjeopolitike që ekzistojnë në hapësirat territoriale që kontestohen. Pra, hasim parashikime të tipit bindës që janë të trashëguara nga lidershipi paraprak me një udhëheqje politike dhe ekonomike të gabuar në shkallë të lartë, e cila sjell telashe si për analistët e rinj dhe për opinionin.
Duhet të kemi parasysh se liderët autoritarë përdorin parashikime imponuese sikur që bën presidenti rus Vlladimir Putin mbi mediat dhe natyrën ushtarake të vendimeve në luftën kundër Ukrainës. Kemi shumë shembuj tjerë që mund të na shërbejnë për studime të mëtutjeshme. Megjithatë ndonjëherë për lexuesit tonë është me rëndësi të dinë nëse ne ia kemi qëlluar në analizat tona gjatë këtyre tre dekadave të profesionit. 15 vjet më parë, kur Rusia hapur ishte e vendosur në Ballkan në Maqedoni të V., Serbi dhe Mal të Zi, metoda e analizës gjeopolitike dhe në një farë mase, burimet e hapura ishin mënyrat që e përdorja për të identifikuar aktivitetet ruse në rajon.
Se Moska do të jetë përreth, duke e trazuar ‘tenxheren’ në Ballkan në atë kohë ishte e pakapshme për shumë vrojtues. Më tej analiza apo parashikimi u plotësua se një ditë do të kemi ndryshime në politikën e SHBA-së ndaj Serbisë duke u munduar ta bëjë Beogradin lojtar rajonal dhe dominues. Gjatë kësaj kohe kemi pasur parashikime që kanë qenë jashtë pritshmërive, të cilat duhet të plotësohen me lexime të reja në fushën e ngritjes dhe rënies së shteteve.
Në fund, përdorimi i metodave të duhura dhe në raste të veçanta statistikore, është drejtimi për të parashikuar sjelljet e ardhshme të qeverive dhe politikanëve dhe njëkohësisht për të përmirësuar analizat për lexuesit, zyrtarët qeveritarë etj etj.